16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Vrasësit e shtetit!

Shkruan: Agim Muhaxheri

Nga paslufta e deri më tash në Kosovë vriten 15 policë. I 15-ti është hetuesi i Policisë, Shemsi Gashi. Këtij i bëhet pritë, qëllohet tinëzisht në shpinë derisa shkonte në punë. Vrasja e policit Enver Zymberi, matanë lumit Ibër, është një mister. Kush janë vrasësit e tij? Në kohën e Enverit (Hoxhës), vrasësit i dërgonin para “trekëndëshit”. Shqipëria e Kosova kanë shfuqizuar dënimin me vdekje. Polici sot fyhet e kërcënohet. Në vend se “komandantët” e kapadainjtë të kalben në burg, i suspendojnë policët! Pushteti kap shtetin! Shkrimtari Gani Xhafolli, shpreh zhgënjimin: “Lirinë që na kanë sjellë ‘komandantët’, unë nuk e pranoj…”. Pasojë e numrit të madh të vrasjeve është vetë ligji, politika e butë ndëshkimore. Vrasësit në SHBA përfundojnë në karrigen elektrike

Jo vetëm librat e shenjta, Bibla e Kur’ani, por edhe kushtetutat dhe ligjet penale mbrojnë të drejtën për jetë.

Të drejtën për jetë e garanton Neni 25 i Kushtetutës sonë. Në këtë nen thuhet: Secili individ gëzon të drejtën për jetën.

Ata që i marrin jetën tjetrit kryesisht janë injorantët. Injorantët s’dinë ç’është Kushtetuta, s’dinë ç’është ligji. Mund të kenë dëgjuar fjalët “kushtetutë” e “ligj”, por kjo nuk u lë përshtypje. E bëjnë të veten, e shuajnë jetën e tjetrit.

Nëntoka me tespihe në dorë

Vrasja dallon prej vrasjes. Ka vrasje “të lehta”, nga “pakujdesia”, por edhe “vrasje të rënda”. Këtë kategorizim e bëjnë kriminologët, por edhe teorikët e të drejtës penale, studiuesit që merren me etiologjinë dhe fenomenologjinë e vrasjeve.

Ka dhe vrasje misterioze. Dihen viktimat, jo dorasit. Për këtë fenomen janë shkruar libra të tërë. Edhe në vendet më të zhvilluara, me sistem të mirëfilltë juridik, ka vrasje misterioze. Ndryshe, kriminalistët këtë “errësirë të krimit” e quajnë “akt të përsosur”. Aktet e përsosura i kryen zakonisht nëntoka, jo diletantët. Porositësit e krimit rrinë me tespihe në dorë.

Po s’pate prova e fakte, mundi shkon huq. Gjykatësit janë “kirurgët” kryesorë të procesit. “Kirurgë” janë edhe mbrojtësit, avokatët. Jo më kot juristi Rudolph von Jhering, s’ka thënë: “Mbrojtja e njeriut është poezia e të drejtës”.

Vrasjet e mistershme, me motive politike, i ke edhe në Kosovë. Që nga paslufta e këndej ndodhën shumë sosh, dihen viktimat, jo vrasësit. Thuhet se ka dosje për ta, por ato sot e asaj dite nuk janë ndriçuar. Pse?!

Shqiptarët kryesisht vriten për një copë tokë, përfitim pasuror. Viktimës ia shuajnë jetën për motive të ulëta, banale sipas asaj: “Pse ma këqyre gruan, motrën…”.

Vrasësit mund të kenë dëgjuar për Kanunin (e Lekë Dukagjinit). Nuk i përmbahen as Kanunit, i vrasin femrat, fëmijët. Vritet policja Sebahate Tolaj, në 2003-n. Femrat e fëmijët gëzojnë mbrojtje të veçantë. Kush shtie dorë në ta, “s’ka ba burrni, po asht zhburrnu…”, thotë Kanuni. Nga motivet e hakmarrjes, në Prishtinë vritet fëmija F. K., 14 vjeç. Vrasja ngjet në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku”, në janar të 2014-s. F. K. rronte në Suedi. Kishte vajtur në shkollë për t’i vizituar nxënësit me të cilët kishte mësuar bashkë.

Çojnë dorë në policët. I zhdukin nga faqja e dheut. S’e dinë se polici identifikon shtetin. E vrasin shtetin!

Nga paslufta e deri më tash në Kosovë vriten 15 policë. I 15-ti është hetuesi i Policisë, Shemsi Gashi, i vrarë më 25 mars 2015. Këtij i bëhet pritë, qëllohet tinëzisht në shpinë, deri sa shkonte në punë. Flitet se kemi të bëjmë me një vrasje të porositur, vrasje me pagesë. Nëse është kështu, atëherë, sipas të drejtës sonë penale, dënohen njëjtë si nxitësi, si dorasi… Nxitësi është më i keq.

Shemsiun e kam njohur. Bashkë me të i kemi ndjekur studimet në Fakultetin Juridik. Ai ishte një djalë i urtë, i sjellshëm, me karakter të fortë…

Vrasja e policit Enver Zymberi, matanë lumit Ibër, më 27 korrik 2011, ngriti në këmbë jo vetëm Kosovën. Për të është folur në seancat e KS-së të OKB-së. Ndonëse këto ditë është bërë rekonstruimi i vendit të ngjarjes, ende ka mbetur misteri: Kush janë vrasësit?

Evropianët i frikësohen ligjit

Ismail Kadare në “Spiritus”-in e tij Enverin (Hoxhën) e ka quajtur diktatori i sëmurë, i cili i ka dënuar edhe shpirtrat e njerëzve. Ka vepruar kësisoj me kundërshtarët e sistemit. Ndryshe, nëse shqiptari ka ngrehur dorë në shqiptarin, dorasit i kanë dërguar para “trekëndëshit”.

Ndërkaq, sot kodet penale, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës, nuk e njohin dënimin me vdekje. Para luftës, në Kosovë ekzistonte dënimi me vdekje, me pushkatim. Tash e ke dënimin kapital – dënimi me burgim të përjetshëm, i sanksionuar në Nenin 43 të Kodit Penal të Kosovës (i cili hyri në fuqi në janar të 2013-s).

Në vendet me demokraci të zhvilluar, bie fjala në Amerikë, nëse çon dorë mbi policin, polici sulmuesit ia qëndis lulen e ballit. Evropianët respektojnë ligjin, i frikësohen ligjit. Nipi im, ish -ushtar i UÇK-së, Nazmi Kelmendi, i cili rron në Freiburg të Gjermanisë më thotë: Edhe gjermanët janë gjaknxehtë. Fjalosen mes vete, bërtasin, por njëri-tjetrin nuk e qëllojnë as me grusht, ngase i frikësohen ligjit….

Ne s’ndiejmë për ligj, s’ndiejmë se ka xhandarë në këtë tokë

Hamë njëri-tjetrin. Nuk ka ditë të mos dëgjojmë për vrasjet në Shqipëri. Edhe këtu çojnë dorë në policët. Gazetat në ballina i nxjerrin titujt me shkronja të mëdha se si burri vret gruan, vret fëmijën e vet, vret nipin, vret vjehrrin, vjehrrën, mikun, gruaja vret burrin…

Nuk ka siguri. Qytetarët rrojnë nën ethe, frikësohen se mund të qëllohen nga plumbat e kapadainjve.

Prokurorët e gjykatësit i bëjnë raportet, tregojnë se sa janë vrarë brenda kësaj e asaj periudhe, merren me statistikë. Jeta e njeriut nuk është statistikë!

Polici në Perëndim është vetë ligji. Për të, në trafik, janë klientë mbretërit, presidentët, kryeministrat… Ndërkaq, te ne është ndryshe. Një “komandant” i luftës apo kapadai i nxjerr telashe policit, i cili fyhet dhe kërcënohet: “A e din ti kush jam unë, t’deshi menjëherë…”. Në vend se ky “komandant” të kalbet në burg, e suspendojnë policin!

Dy djemtë e deputetit Adem Grabovcit, e bëjnë policin shqiptar për kripë e qepë, në shkurt të 2013-s. I mbajtën disa orë në Stacionin e Policisë, i lirojnë. Atëbotë prokurorja kujdestare, Merushe Llugiqi, veprimin e të dyshuarve e cilësoi si kundërvajtje… Por më vonë ata ndiqen penalisht. Sot e asaj dite atyre nuk u është bërë gjyq. Zvarriten proceset.

Kështu ngjet kur pushteti kap shtetin

Miku im, shkrimtari Gani Xhafolli më rrëfen për një ndodhi. Tregon se si ka qëlluar në një ndejë me mikun e tij francez në fshatin B. Në dhomën e burrave hyn SH., me kravatë të trashë dhe një pallto të 45-ës, të cilin e thërrisnin gjeneral. Të gjithë u ngritën në këmbë, ngrihet në këmbë edhe francezi. Francezi rri gatitu para SH-së., thotë Xhafolli. Ndërhyj unë: Francezi ishte ushtarak, apo jo? Po, po, ushtarak, me gradë të kapitenit. Kapiteni nderon “gjeneralin”, ma ktheu Xhafolli.

Gjithashtu shkrimtari Xhafolli, autor i 50 librave, shprehu zhgënjimin e tij: ”Lirinë që na ka sjellë SH-ja dhe shumë të tjerë si ky, unë nuk e pranoj…”. Në kontekst të kësaj, lexoj disa vargje në librin e tij “Dosjet në kutinë e zezë” (2014): “UNË nuk e pranoj lirinë Që ma sollën ata Që i vjedhin këmishët Dhe e prenë MALIN. Unë nuk e pranoj lirinë Që ma sjellin ata Që i ndërrojnë natën fytyrat E ditën uniformat Nuk e di a e di pushteti Që më ka kundërshtar…”.

Cila është etiologjia dhe fenomenologjia e vrasjeve?

Pasojë e numrit të madh të vrasjeve është vetë ligji, zvarritja e proceseve, politika e butë ndëshkimore. E “spërkasin” dorasin me një dënim të butë. Gjykatësit s’i përmbahen qëllimit të dënimit sipas Nenit 41 të KP-së: Të parandalojnë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale.

Vrasësit në SHBA përfundojnë në karrigen elektrike.

Më Shumë

Aksident trafiku midis një autobusi dhe një veture në Prizren: Tre persona të lënduar

Në Prizren, më 29 prill 2024 në ora 07:50,  ka ndodhur një aksident trafiku midis një autobusi dhe një veture. Përveç dëmeve materiale, tre persona...

Gabimi i Noes

Enver Sulaj Sot bie shi mbi çatinë time Dhe mbi qepallat tua të egërsuara nga mërzia e stinës. Diejt e përflakur janë zbehur sot Vranësira ka hijezuar të papriturën...

Lajmet e Fundit