Fillimi edhe zyrtar i një faze të re të dialogut me Serbinë, që po bëhet tani nga dyshja e presidentëve të të dyja vendeve, Thaçi e Vuçiq, pa e pritur konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, pasi në pranverë të këtij viti ky dialog është ndërprerë me një rezolutë të Kuvendit me konsensus të të gjitha subjekteve politike të shumicës shqiptare, sipas përfaqësuesve të partive politike dhe analistëve, është një veprim i papërgjegjshëm i presidentit të Kosovës.
Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën -koalicioni PAN, i tha gazetës se kjo është një shkelje e rëndë e presidentit të vendit, i cili sidomos tani që Kosova është pa institucione të reja paszgjedhore, nuk ka asnjë legjitimitet të negocimit në emër të Kosovës për çështje që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e shtetit.
“Faza e re, për të cilën po thirret Hashimi është një vazhdimësi e papërgjegjshmërisë së një personi në institucionet e shtetit, sepse fazat e reja apo ato të vjetrat i rregullon ekzekutivi i vendit, sepse Kosova është një shtet me rregullim parlamentar dhe jo sistem presidencial”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”.
Sipas tij, duhet të reagojë edhe Kuvendi, por edhe qytetarët.
“Tani po shihet ashiqare që roli të cilin po e luan Hashim Thaçi, sikur të jetë babai i Kosovës, e ka sjellë Kosovën buzë greminës, prandaj unë mendoj që të gjitha subjektet politike dhe qytetarët duhet të bëhen bashkë kundër këtij njeriu të papërgjegjshëm, për të mos lejuar që të vazhdojë për ta dëmtuar Kosovën, duke e bërë shtet jofunksional, duke e kthyer Serbinë përmes formave të ndryshme brenda shtetit të Kosovës”, tha Zafir Berisha për “Kosova Sot”.