Sot në Malishevë, pranë palestrës së sporteve, u bë zbulimi i bustit të dëshmorit të kombit Habib Zogaj, i njohur me pseudonimin Arbi. Në zbulimi e bustit morën pjesë, familja e dëshmorit, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtar dhe qytetarë të shumtë. Palestra e Sporteve në Malishevë, mbanë emrin e dëshmorit Habib Zogaj.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fjalimin e rastit, e vlerësoi lartë veprimtarinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Habib Zogajt, komandant Arbri dhe tha se institucionet dhe shoqëria e kanë për obligim ti nderojnë dhe respektojnë dëshmorët, pasi falë gjakut të tyre, ne sot jetojmë të lirë.
“Habib Zogaj, ishte një djalë trim, i shkathët, sportist dhe një luftëtar i madh. Ishte një model për të rinjtë. Ky bust që po zbulohet sot, dhe të tjerët që janë vendosur dhe do të vendosen në institucionet tjera të komunës, sa herë që i shohim do të na kujtojnë se kush na e solli lirinë”, tha kryetari Begaj.
Në fund, Begaj shprehi “ krenarinë që është nga Malisheva, e cila i dha shumë kombit në luftën për liri, e në mesin e tyre edhe dëshmorin Habib Zogaj”.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “Kosova është krenare që mban bustet dhe lapidaret e dëshmorëve dhe më këtë ne e nderojmë veten, e nderojmë kombin”, përderisa e quajti hero dëshmorin Habib Zogaj, komandant Arbri.
“Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju falënderoj në radhë të parë juve prindër që na dhatë djem si Habibi, e që falë kontributit të tyre, Kosova e ka sot lirinë e saj”, tha mes tjerash, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta, një fjalë rasti e mbajti edhe Xhavit Jashari, i cili pasi uroi për zbulimin e bustit të dëshmorit Habib Zogaj, tha se “lufta e UÇK-së, ishte luftë e bërë për lirinë e tokave të pushtuara, prandaj të gjithë duhet të punojmë për realizimin e amanetit të dëshmorëve”, duke cituar fjalët e komandant Kumanovës: Do të luftoj deri sa ta shoh Shqipërinë e bashkuar”.
Për jetën dhe veprimtarinë e Habib Zogaj-Arbri, foli Refki Mazreku, komandant i njësitë “Arbri”. Mazreku, në mënyrë kronologjike tregoi për veprimtarinë e “Arbrit”, para luftës, e në mënyrë që veçantë gjatë luftës, deri në rënien e tij më 25 gusht 1998, së bashku me komandant Kumanovën, në përpjekje për ti marr trupat e dëshmorëve të rënë një ditë më parë, të Gani Kastratit, Afrim Buçajt e Nuhi Mazrekut.
Në emër të familjes, Agron Zogaj, i vëllai i dëshmorit, i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe për kontributin e dhënë, për shkrirjen në bronz të Habib Zogajt.
Në fund, nëna e dëshmorit Habib Zogaj, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, veprimtari i çështjes kombëtare Gani Krasniq, Besim Çela nga familja e komandant Colit, komandanti i njësisë “Arbri”, Refki Mazreku dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, zbuluan bustin e Habib Zogajt, komandant “Arbri”. /PrizrenPress.com/