21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Zëri i NISMËS është kudo në Kosovë

Limaj , NISMAKryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se kjo nismë, pavarësisht se ka një kohë të shkurtë që është themeluar, është e gatshme për zgjedhjet parlamentare. Ai ka treguar se ka interesim të madh të qytetarëve për t’iu bashkuar Nismës.

Fatmir Limaj ka thënë se, pavarësisht se e ka formuar subjektin e ri, Nismën për Kosovën, nuk e ka ndryshuar vizionin për ndërtimin e shtetit.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarëve të Kosovës ua ka sjellë një alternativë të re politike, e cila ka synim përmirësimin e gjendjes në vend.

“Kur pamundësohet hapësira për ndryshim, duhet gjetur rrugë të tjera për ta jetësuar vizionin. Vizioni im për ndërtimin e vendit nuk ka ndryshuar, por ka munguar hapësira. Nisma ofron këtë për të gjithë: hapësirën për veprim”, është shprehur Limaj.

Nisma për Kosovën nuk ka bërë ende dy javë që është themeluar e, sipas Limajt, ka interesim të madh nga qytetarët për t’iu bashkuar. Ai ka treguar se interesim për Nismën për Kosovën kanë shprehur mbi dhjetë deputetë të partive të ndryshme në Kosovë. Limaj ka treguar se Nisma është e gatshme për zgjedhjet parlamentare. Ai ka thënë se nuk është problem për Nismën se kur do të mbahen zgjedhjet, në qershor apo shtator, por ka bërë thirrje që procesi zgjedhor të jetë demokratik, të respektohet vota e qytetarëve. Duke folur rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve, Limaj ka thënë se gjithçka do të merret vesh pasi të vendosë vota e qytetarit. E kur është pyetur rreth mundësisë së një koalicioni me PDK-në, ai ka thënë se Nisma koalicionet do t’i bëjë mbi bazën e parimeve dhe vlerave të saj.

Limaj ka thënë se Nisma për Kosovën do të hyjë në zgjedhje për ta marrë besimin e qytetarëve, pastaj do ta nxjerrë kandidatin për kryeministër.

“Vizioni i Nismës për Kosovën nuk ndan qytetarë. Pretendojmë të kemi afër njerëz të profileve të ndryshme, me ambicie për ta ndërtuar vendin. Duam që vizioni ynë të shtrihet te çdo qytetar i këtij vendi. Të gjithë qytetarët e dinë se angazhimi im ka qenë në shërbim të vendit. Koncepti ynë politik është që nesër në zgjedhje çdo qytetar i këtij vendi, pa dallim se cilës parti i ka takuar deri tash, apo si ka votuar dje, t’i bashkohet Nismës për Kosovën”, ka thënë Limaj.

“Epoka e re”: Gjatë zyrtarizimit të Nismës nuk kemi parë personalitete, të themi të rëndësishme, pos jush dhe z. Krasniqi.
Limaj: I mirëkuptoj të gjithë ata të cilët e përcjellin aktivitetin e Nismës. Ky interesim neve na ndihmon shumë drejt zhvillimit tonë. Nisma për Kosovën e ka vizionin e qartë të ndërtimit të strukturave udhëheqëse. Ne duam, ashtu siç kemi deklaruar, me këtë alternativë politike t’u krijojmë hapësirë të gjithë atyre burrave dhe grave që nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme për ta dhënë kontributin e tyre qoftë në nivel lokal apo qendror. Pra, në profilet për të cilat ata janë të profesionalizuar. Ky është objektivi i Nismës për Kosovën. Duam të krijojmë subjekt politik i cili ecën sigurt, me mbështetjen e të gjithë atyre djemve dhe vajzave që kanë energji, potencial intelektual dhe gatishmëri për ta ndryshuar për të mirë gjendjen në vendin e tyre. Për mua këto janë personalitete. Në qoftë se dikush ka menduar se ne do të sjellim emra të njohur të skenës politike nga një grup tjetër në grupin tjetër politik, atëherë ata kanë gabuar. Kjo s’ka qenë ide dhe qëllim i Nismës dhe as që do të jetë në rrugëtimin e Nismës. Koha është që Nisma t’u japë hapësirë atyre njerëzve që kanë qenë të mënjanuar duke mos mundur ta japin kontributin për vendin. Kjo është Nisma dhe këtu është vendi i tyre.

“Epoka e re”: Shumica e partive politike bëjnë hapa për të marrë deputetë nga partitë e tjera politike, pse ju nuk e keni shfrytëzuar rastin, që ata që ju janë ofruar, t’ju bëni vend? 
Limaj: Çdo nismë e ka një fillim. Z. Krasniqi dhe unë me bashkëpunëtorë të tjerë jemi inicuesit e kësaj alternative politike dhe duam që kjo Nismë të ndërtohet dhe përbrenda saj të ketë profesionistë të cilët kanë çfarë të japin për shtetin.

“Epoka e re”: A është ky fillimi i ndërtimit të Nismës së re?
Limaj: Po, kjo është Nisma e re. Me vetë faktin se ne po krijojmë hapësirë dhe jemi të interesuar që organet udhëheqëse të Nismës të shtrihen në gjithë Kosovën me emra të rinj, nënkupton se jemi një Nismë e re. Jemi të interesuar t’i ofrojmë njerëzit të cilët kanë qenë të paangazhuar, ose të cilët nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme aty ku kanë vepruar të jenë pjesë e vendimmarrjes, organizmit dhe zërit të Nismës. Kjo tregon se ne po krijojmë një alternativë politike. Tashmë për një kohë të gjatë nëpër parti politike po shkëmbehen të njëjtit njerëz, pra nuk ka ndodhur asgjë e re, vetëm po bëhet reprizë. Kosova nuk ka nevojë për repriza të tilla. Kosova ka potencial të mjaftueshëm intelektual për të ndërtuar një alternativë politike e cila do ta pasurojë skenën politike. Tash 15 vjet pas luftës Kosova ka shumë djem dhe vajza të cilët presin për ta dhënë kontributin për këtë shtet, por që sistemi aktual politik dhe partiak nuk ua kanë ofruar hapësirat e nevojshme. Duam që këtyre njerëzve t’u jepet hapësira dhe përgjegjësia për ta zhvilluar shtetin e tyre. Nisma për Kosovën do të jetë shtëpia e tyre.

“Epoka e re”:
 Ka pasur zëra se Nismës për Kosovën do t’i bashkohen disa deputetë.
Limaj: Interesim kanë shfaqur një numër i madh i deputetëve.

“Epoka e re”
Sa deputetë ju janë ofruar?
Limaj: Mbi dhjetë deputetë. I respektojmë dhe vlerësojmë të gjithë ata që kanë shprehur dëshirën për të ardhur në Nismë. Më lejoni t’ju them se si ne duam ta ndërtojmë Nismën. Duam që drejtuesit e Nismës, qoftë në nivel lokal apo qendror, të jenë njerëz të cilët nuk janë pajtuar dhe nuk pajtohen me gjendjen aktuale ekonomike, politike dhe mënyrën e ndërtimit të shtetit, domethënë njerëz të cilët kanë një koncept ndryshe në ndërtimin e shtetit dhe funksionalizimin e tij dhe që kërkojnë ndryshim. Duam njerëz që kanë ëndrra dhe plane të mëdha për vendin dhe që kanë guxim dhe dije për ta ndryshuar realitetin me të cilin nuk pajtohen.

“Epoka e re”: Mendoni se ka pasur nevojë Kosova edhe për një parti të re politike?
Limaj: 
Alternativat politike nuk duhet të shikohen me numra, por çka ofrojnë. Se sa ka pasur nevojë Kosova për Nismën, kjo do të vërtetohet në zgjedhjet parlamentare. Qytetarëve tani, fshat për fshat dhe qytet për qytet, do t’u shpaloset vizioni i Nismës. Besoj shumë në sukses.

“Epoka e re”: Si ish-themelues i PDK-së, sa ka qenë për ju vështirë atë ditë kur u zyrtarizua Nisma për Kosovën?
Limaj: Mendoj se kjo çështje tashme është konsumuar. Do të ishte shumë e vështirë kur jeni në të drejtën tuaj dhe llogaritni se nuk keni dhënë atë çfarë është dashur për të dhënë, pra për t’i ndaluar proceset negative. Kur ju jeni mirë me të drejtën dhe keni mbrojtur krejt çfarë keni mundur dhe keni dhënë krejt çfarë keni ditur për ta ndryshuar gjendjen dhe nuk ia keni arritur të bëni një gjë të tillë, atëherë nuk më mbetet merak, sepse dikush ka menduar se kjo është rruga dhe kështu duhet të vazhdohet. Kur pamundësohet hapësira për ndryshim, duhet gjetur rrugë të tjera që të jetësohet vizioni. Vizioni im për ndërtimin e vendit nuk ka ndryshuar, por ka munguar hapësira. Nisma ofron këtë për të gjithë: hapësirën për veprim.

“Epoka e re: Pos elektoratit të PDK-së, cilin elektorat synoni ta merrni?
Limaj: Vizioni i Nismës për Kosovën nuk ndan qytetarë. Pretendojmë të kemi afër njerëz të profileve të ndryshme, me ambicie për ta ndërtuar vendin. Duam që vizioni ynë të shtrihet te çdo qytetar i këtij vendi. Të gjithë qytetarët e dinë se angazhimi im ka qenë në shërbim të vendit. Koncepti ynë politik është që nesër në zgjedhje, çdo qytetar i këtij vendi, pa dallim se cilës parti i ka takuar deri më tani, apo si ka votuar dje, t’i bashkohet Nismës për Kosovën. E elektorati i Kosovës është vetëdijesuar, është parë edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Prandaj, pres që qytetarët të votojnë për atë subjekt që u jep shpresë për të ardhmen. Padyshim se shpresa për të ardhmen është Nisma për Kosovën.

“Epoka e re”:
 Z. Limaj, deri më sot, prej që e keni zyrtarizuar partinë, cilat janë pritjet e juaja për zgjedhje? 
Limaj: Do të jemi një forcë serioze në skenën politike të Kosovës, por për peshën tonë politike do të vendosin qytetarët. Ata do ta japin vendimin. Ata do ta përcaktojnë peshën politike të secilit subjekt politik. Ne nuk flasim para se të flasin qytetarët.

“Epoka e re”: Për koalicione jeni duke menduar?
Limaj: Fokusi ynë tash është fuqizimi i Nismës në terren, shpalosja e vizionit tek qytetarët, angazhimi i mijëra burrave dhe grave që po bashkohen me Nismën, pavarësisht asaj se për kënd ka votuar dje. Ky është preokupimi ynë kryesor. Nuk e kemi preokupim atë që vjen pas zgjedhjeve. Për dallim prej partive politike, Nisma ka një afat të shkurtër të punojë dhe ta shtrijë aktivitetin për përgatitjen e zgjedhjeve. Tani për tani jemi të fokusuar në forcimin e partisë në terren. Sa iu përket koalicioneve, është vota e qytetarëve që e përcakton, por ne do të funksionojmë mbi bazën e disa parimeve, vlerave të cilat do t’i shpalosim në fushatën elektorale.

“Epoka e re”: A do të bëni koalicion me PDK-në?
Limaj: Nisma koalicionet do t’i bëjë mbi bazën e parimeve dhe vlerave të saj.

“Epoka e re”: Partitë e tjera kanë bërë të ditur emrat për kandidat për kryeministër. Do të jeni ju kandidat për kryeministër?
Limaj: Nisma për Kosovën nuk flet para qytetarëve. Kjo nuk është çështje e dëshirave dhe vullneteve individuale. Një herë në çdo katër vjet flasin qytetarët e Kosovës se kush do të jetë kryeministër. Ajo çfarë mund t’ju them sot është se Nisma për Kosovën nuk flet para qytetarëve. Qytetarët e Kosovës do të flasin me votën e tyre. Në qoftë se qytetarët ia japin besimin Nismës, atëherë edhe ne do ta kemi përgjigjen.

“Epoka e re”: Qytetarët janë mësuar ta shohin të nominuarin për kryeministër?
Limaj: Prandaj sot ka një alternativë ndryshe. Qytetari e di se kush janë drejtuesit e Nismës. Qytetarët do të dinë se kush janë kandidatët për deputetë. Nuk mund të them se partitë e tjera kanë zgjedhur një rrugë të gabuar, por ky është vizioni ynë. Lidershipi dhe lista me mbi 100 kandidatë për deputetë do t’u ofrohet qytetarëve. Nëse ata i besojnë Nismës për ta drejtuar vendin, atëherë Nisma e ka përgjigjen pas zgjedhjeve.

“Epoka e re’: Si do ta krijoni listën e emrave për deputetë?
Limaj: Do ta bëjmë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të emrave për deputetë, të cilët do ta nderonin vendin. Do ta bëjmë përzgjedhjen mbi bazën e kritereve, angazhimeve profesionale dhe besimin që kanë nga qytetet që vijnë. Duam që nesër në Parlamentin e Kosovës grupi parlamentar i Nismës të jetë grup që përfaqëson vlerat, vullnetin, besimin e qytetarëve që kanë votuar, por edhe regjionet e Kosovës. Sot në Parlament dhe Qeveri kemi regjione të nënpërfaqësuara. Nisma do ta përmirësojë këtë.

“Epoka e re”: Kur do të kompletohet kryesia e Nismës, se shihet se ka përbërje të vogël?
Limaj: E kemi nisur, por ende s’e kemi kompletuar. Nisma për Kosovën ka filluar me këtë substancë dhe do të vazhdojë të rritet udhëheqja e saj. Do të ketë personalitete të respektuara në udhëheqje të kryesisë dhe në organet e tjera të partisë. Në javët në vazhdim do të kompletohet një udhëheqësi e cila do t’i zbatojë vendimet që nxirren dhe ndërtohen nga programi i Nismës.

“Epoka e re”:
 Në kuadër të Nismës, do të ketë edhe forum për rininë dhe gruan?
Limaj: Është një klimë e jashtëzakonshme, aktivitetet po zgjerohen. Nisma po zgjerohet në të gjitha qytetet dhe po përkrahet nga të gjitha shtresat. Natyrisht se në kuadër të Nismës do të jetë edhe nisma për të rinj, e cila do të zyrtarizohet shumë shpejt. Janë qindra grupe që i janë bashkuar vizionit të Nismës dhe që do të jenë zëri i saj i ndryshimit. Ky është tregues se alternativa jonë politike po përqafohet nga të gjithë.

“Epoka e re”: Cili do të jetë programi qeverisës?
Limaj: Janë duke punuar ekspertë të të gjitha fushave në programin qeverisës. Nisma do të dalë në fushatë elektorale dhe do t’ua prezantojë qytetarëve prioritetet. Do të kemi një program gjithëpërfshirës por, natyrisht se do të fokusohemi në disa prioritete të cilat besojmë se janë kyçe për zhvillimin e vendit.

“Epoka e re”: Kur mendoni se duhen mbajtur zgjedhjet, në qershor apo në shtator?
Limaj: Nisma është krijuar tani. Jemi në një pozicion pak më të vështirë, se kemi nevojë për shtrirje në gjithë territorin e Kosovës. Por, Nisma e ka menduar këtë gjë përpara dhe e kemi ditur se do të ballafaqohemi me sfida të tilla. Kështu që, jemi të gatshëm të shkojmë në proces zgjedhor kur të gjitha grupet politike pajtohen për të shkuar në zgjedhje. Ajo që neve na intereson, është se partitë politike duhet të kenë përgjegjësi të madhe, që zgjedhjet të jenë demokratike dhe të jenë të pranueshme. Duam kualitet të zgjedhjeve dhe të jetë më i lartë se i atyre lokale. Ju e dini se në zgjedhjet lokale ka pasur përparim, por duam të rritet ky standard. Në këto zgjedhje duhet të respektohen ligjet, të respektohet vullneti i popullit, para së gjithash vota të lexohet ashtu siç është hedhur në kuti.

“Epoka e re’: Z. Limaj, sa do të mund të arrijë Nisma për Kosovën të ketë komisionarë në këto zgjedhje? Do të jetë sfidë, për arsye se merrni pjesë në zgjedhje për herë të parë?
Limaj: Ligji është ai që duhet ta mbrojë votën e jo grupet politike. Në Kosovë janë institucionet përkatëse kushtetuese, pra janë institucionet ligjore të cilat duhet të përkujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Forcat politike duhet të jenë në mbështetje të ligjit. Prania e përfaqësuesve të Nismës duhet të jetë në këto zgjedhje sikurse e subjekteve të tjera. Ligji lejon që përfaqësuesit e subjektit politik të jenë në vendvotime. Besoj shumë në suksesin e Nismës.

Më Shumë

Kurti: Me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë për çlirim

Kryeministri Albin Kurti, tha se bashkë me guximin e familjes Haradinaj, Epopeja e Dukagjinit dëshmoi vendosmërinë e popullit për çlirim. “Kushtrimi i lirisë dhe lufta...

243 drunj në nderim të 243 të vrarëve në Krushë të Madhe

Shpimi i tokës duket jo i lehtë. Megjithatë në të po vendoset një dru dekorativ. Në parkun para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe...

Lajmet e Fundit