19.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Zyrtarët komunalë të Prizrenit përballen me kolegun e tyre në gjykatë

Prizren-GjykataNë Gjykatën Themelore të Prizrenit, të martën u mbajt seanca e dytë fillestare ndaj katër të akuzuarve- zyrtarë komunalë e asamblistë në këtë qytet.

Haziz Hodaj, Nijazi Kryeziu, Ibrahim Krasniqi e Visar Islamaj akuzohen se jashtëligjshëm kanë hequr nga lista për anëtar të komisioneve komunale të dëmtuarin Ridvan Hoxha.

Për këtë rast Prokuroria e Qarkut në Prizren, më datë 10 tetor 2012 ka marrë vendim me të cilin e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë nga i dëmtuari Ridvan Hoxha, ish-këshilltar komunal nga radhët e LDK-së.

Ndërsa ky i fundit e ka shfrytëzuar të drejtën e tij private që me anë të padisë subsidiare të ngrejë akuzë kundër katër të pandehurve të lartëcekur.

Në seancën e dytë fillestare kërkesë për hedhje të aktakuzës kishte bërë vetëm i akuzuari Haziz Hodaj, i cili ishte kryetar i grupit të këshilltarëve komunalë të LDK-së, njëkohësisht bashkëpartiak me paditësin Hoxha.

Ndërsa të pandehurit tjerë akuzat e paditësit Hoxha i kundërshtuan gojarisht.

Nijazi Kryeziu që në atë kohë ishte kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit, aktualisht drejtor i Urbanizmit, tha se në këtë rast argumenti më i fuqishëm është vetë hedhja e kësaj aktakuze nga prokuroria.

“Përndryshe me këtë çështje unë nuk jam marrë, sepse kam besu se ju do ta kryeni punën… pa marrë parasysh qysh procedoni”, tha Kryeziu.

Ndërsa i akuzuari tjetër Haziz Hodaj, e quajti banale akuzën e bërë nga bashkëpartiaku i tij Ridvan Hoxha.

“Nuk e kuptoj komoditetin e gjykatave të merren me një çashtje ku unë absolutisht nuk jam i inkriminum, sepse tek e fundit unë si nënkryetar i degës së LDK-së, kam kërku që kryesia ta aprovojë këtë listë të propozuar nga grupi parlamentar”, tha Hodaj.

Edhe dy të akuzuarit tjerë Ibrahim Krasniqi e Visar Islamaj, zyrtarë ligjorë në Komunën e Prizrenit, e kundërshtuan aktakuzën me arsyetimin se kjo nuk ka të bëjë fare me Zyrën Ligjore të Komunës.

Pas kundërshtimit të akuzës, gjykata i dha 7 ditë kohë paditësit që të përgjigjet në kundërshtimet e të pandehurve.

Ridvan Hoxha që është i njohur edhe si inicues i rastit kundër kryetarit Muja, tha se në këtë rast prokuroria ka dështuar.

“Njëherë më kanë dhënë përgjigje kinse unë kam akuzue dy zyrtarë të lartë të LDK-së, z.Isa Mustafa dhe z.Eqrem Kryeziu. Është ky rast i njohur nga prokurori Genc Nixha, pastaj pasi kam reagu publikisht edhe te Prokuroria e EULEX-it edhe njëherë e kanë kthye në rishqyrtim te i njëjti prokuror, pastaj e kanë anulue”, tha Hoxha.

Sipas aktakuzës, Haziz Hodaj, akuzohet se në pozitën e kryetarit të grupit të këshilltarëve komunalë të LDK-së, ka ndryshuar pa vendim dhe në kundërshtim me ligjin, listën e këshilltarëve të zgjedhur si anëtarë të komiteteve dhe komisioneve komunale, ku nga lista heq të dëmtuarin Ridvan Hoxha dhe në vendin e tij e fut dikë tjetër.

Ndërsa Nijazi Kryeziu, e prezanton si të vërtetë listën e këshilltarëve të LDK-së, ndonëse e kishte ditur se lista është e falsifikuar, ngase ka qenë e nënshkruar nga personi i paautorizuar dhe nuk përmbante shenjat e LDK-së në Prizren.

Në aktakuzë thuhet se për falsifikimin e këtij dokumenti më datën 22 mars 2012kryesuesi ishte njoftuar zyrtarisht edhe nga kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu.

Të akuzuarit Ibrahim Krasniqi dhe Visar Islamaj, akuzohen se në cilësi të zyrtarëve ligjorë komunalë, e prezantojnë si të vërtetë listën në fjalë, edhe pse e kanë ditur se kjo listë ishte e falsifikuar.

Seanca e radhës do të caktohet pas përgjigjes së kundërshtimeve të të pandehurve nga paditësi subsidiar./Kallxo.com/

Më Shumë

Totaj diskuton për mundësin e bashkëpunimit me Rotary Club “Prizren””

Kryetari Shaqir Totaj sot priti kryetarin e Rotary Club "Prizren", Bujar Myftiun, sekretarin e klubit, Agron Didën dhe anëtarin Masar Gurgulen. Diskutuan për mundësitë e...

Peja, kampione e Kosovës për herë të katërt rresht

Peja i ka dhënë fund serisë së finaleve në Raiffeisen Superligën A, duke e fituar edhe ndeshjen e tretë. Para rreth 1000 spektatorëve në “Karragaçi”...

Lajmet e Fundit