13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

19 vjet burg kosovarit për vrasjen e kolegut të punës

Zvicer-riehenGjykata penale e Basel-Stadt-it ka shpallur fajtor një kosovar të moshës 26 vjeçare për vrasje të rëndë të kolegut të tij gjerman të punës. I akuzuari ka kundërshtuar gjatë gjithë kohës veprën që i ngarkohej, por gjykata ka gjetur indikacione të mjaftueshme për të dëshmuar vrasjen e cila ka ndodhur në vitin 2012.

Personi i vrarë, një koleg pune 35 vjeçar i kosovarit, është gjetur i vdekur në banesën e vet në Riehen të Bazelit nga ish mikesha dhe kolegia e punës. Ai ishte vrarë në mënyrë brutale me therje të shumta thike në qafë.

I dënuari për vrasje banonte te familja e tij me prejardhje nga Kosova në Sisseln të kantonit Aargau ndërsa punonte në Laufen, në firmën e njëjtë ku punonte edhe viktima. Ata të dy ishin miq mes veti por sipas dëshmitarëve, personi tashmë i vrarë kishte hequr dorë nga shoqëria me 26 vjeçarin. Ndërkaq, motivi i vrasjes vazhdon të mbetet i paqartë.

Gjatë marrjeve në pyetje dhe gjatë procesit gjyqësor, i akuzuari ka ndryshuar disa herë deklaratat e tij. Ndër të tjera ai ka mohuar të ketë qenë në disa vende në të cilat, sipas të dhënave të regjistruara të telefonit të tij mobil, në fakt kishte qenë. Si shembull, në akuzë përmendet një vendpushim në autostradë, ku, në mbeturina janë gjetur një thikë dhe rrobat me gjak të viktimës, shkruan sfr.ch.

Ai ka mohuar edhe qëndrimin e tij në vendin e ngjarjes në momentin e vrasjes, që po ashtu dëshmohet nga telefoni.

Trupi gjykues fajëson të dënuarin po ashtu se ka vozitur enkas rrugëve tjera dhe është ndalur në restorante për të mjegulluar aktin e kryer. Ky veprim nuk ka ardhur spontanisht por dëshmon për përgatitjen e qëllimtë të aktit të vrasjes së rëndë. Kryesuesja e trupit gjykues e ka klasifikuar fajësinë e kosovarit si shumë të rëndë, për faktin që viktima nuk ka pasur fare idenë se çfarë e priste dhe për faktin se fizikisht ishte inferior ndaj vrasësit.

Duke i shqiptuar dënimin 19 vjet burg, gjykata ka vepruar pak më butë në krahasim me pretendimin e prokurorit, i cili kishte kërkuar 20 vjet burg. Nga ana tjetër, avokati ka kërkuar që klienti i tij të shpallej i pafajshëm pasi që, sipas tij, dëshmitë ishin të pamjaftueshme.

Vetë i dënuari ka reaguar me tundje të kokës dhe me lot ndaj vendimit gjyqësor. Ai po ashtu ka kundërshtuar vendimin gjatë shpalljes së tij nga kryesuesja e trupit gjyqësor. /albinfo.ch/

Më Shumë

34 vjet nga vdekja e veprimtarit Fadil Vata

Sot mbushen 34 vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Fadil Vata. Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes...

Çitaku: Heroi Fadil Vata pati guxim ta ëndërroj lirinë

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë homazhe tek varri i heroit Fadil Vata me rastin e 34-vjetorit...

Lajmet e Fundit