Kolumbia thyen rekordin, asgjëson 100 mijë ha plantacione me kokainë

Kolumbia thyen rekordin e vet. Vjet ajo ka asgjësuar plot 100 mijë hektarë plantacione me bimë narkotike.

Vendi amerikanojugor njoftoi se 94 për qind e fushave të mbjella me shkurret tropikale të kokës, lëndën bazë për prodhimin e kokainës, u shkatërruan nga autoritetet në mënyrë manuale.

Eliminimi me djegie është ndaluar nga gjykatat për arsye sigurie, dhe presidenti i vendit po nxit politika që kjo zgjidhje efikase të aplikohet së shpejti.

“Dua të theksoj punën e madhe të kryer nga forcat ligjzbatuese, por pa dyshim që tani do përballemi me sfidën tjetër të rimbjelljeve. Kolumbia e ka të qartë objektivin për të reduktuar me 50 për qind zonën e mbjellë ilegalisht brenda vitit 2022 apo 2023,” deklaroi presidenti kolumbian, Ivan Duque.

Që prej ardhjes në pushtet 17 muaj më parë, dhe prej presionit amerikan, kreu i shtetit dhe qeveria e tij i kanë shtuar aksionet për eliminimin e plantacioneve ilegale, dhe kanë konfiskuar më shumë se 400 tonë kokainë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në 2018-ën vendi prodhues më i madh në botë i kokainës kishte mbjellë ilegalisht një sipërfaqe prej 169 mijë hektarë bimë kokaine.

Sasia që mjafton për të përgatitur mbi 1,100 tonë kokainë ka për destinacion kryesisht Amerikën/Ora News.

Më Shumë

Bylbyl Sokoli largohet nga Malisheva

KF Malisheva ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me kryetrajnerin Bylbyl Sokoli. Sipas komunikatës së klubit, vendimi është marrë pas një takimi dhe analize të...

Humb jetën 78-vjeçari në Prizren – u godit nga një veturë teksa lëvizte me biçikletë

Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen ka ndodhur në rrugën “Faik Konica” në Prizren, ku një automjet ka goditur me pjesën e...

Lajmet e Fundit