13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

10 filmat e preferuar të Andrej Tarkovskit

Andrej Arsenjeviq Tarkovski (1932-1986) ka qenë regjisor filmi, teatri e opere, si dhe shkrimtar teoricien i filmit. Filmat më të famshëm të tij janë “Fëmijëria e Ivanit”, “Andrej Rublevi”, “Solaris”, “Stallker”, etj. Pesë nga shtatë filmat e tij të parë i ka bërë në Bashkimin Sovjetik, gjersa dy filmat e tij të fundit, “Nostalghia” dhe “Sakrifica” janë prodhuar në Itali, gjegjësisht në Suedi. Vepra e tij karakterizohet nga tema shpirtërore dhe metafizike, skenat e gjata, mungesa e strukturës konvencionale dramatike dhe përdorimi karakteristik autorial i kinematografisë.

Kontributi i tij ka qenë aq influencues sa që veprat e realizuara në mënyrë të atillë janë përshkruar si tarkovskiane. Gjerësisht, Tarkovskit i jepet epiteti i një prej regjisorëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Regjisori i famshëm botëror, Ingmar Bergman, do të shprehej për Tarkovskin kësisoj: “Për mua, Tarkovski është më i madhi regjisor; është ai që shpiku një gjuhë të re, të vërtetë ndaj natyrës së filmit, që e kap jetën si një reflektim, jetën si një ëndërr”.

Por, ajo që është interesante të dihet është shija e tij për filmat e kolegëve të vet. Cilat filma kanë mundur t’i pëlqejnë një regjisori të përmasave të atilla? Njeriu që krijoi “Pasqyra” dhe “Nostalghia” – sa për t’i përmendur vetëm dy nga filmat e tij personal më goditës – te cilët filma gjente inspirim? Faqja “nostalghia.com” ofron një sërë përgjigjesh nga pyetjet e këtilla. Kjo faqe sjell një listë që vetë regjisori, Andrej Tarkovski, ia kishte dhënë dikur kritikut të filmit Leondi Kozllov. “E mbaj mend shumë mirë atë ditë të lagësht e të hirtë në prillin e vitit 1972”, shkruan kritiku Kozllov në një artikull. “Ne ishim ulur ndanë një dritareje të hapur dhe po flisnim rreth gjërash të ndryshme, teksa biseda kaloi te filmi ‘Një herë e një kohë jetonte një mëllenjë këngëtare’ i Otal Joselianit”.

Tarkovski përçapej për një vlerësim të këtij realizmi, madje duke e quajtur atë si “një film shumë i mirë”. Atëherë Kozllovi e pyeti regjisorin e mirënjohur që t’ia bënte një listë me filmat e tij të preferuar. “Ai e mori propozimin tim shumë seriozisht dhe pas disa minutash u zhyt në mendime me kokën e tij të kërrusur mbi letër”, rikujton kritiku Kozllov. “Atëherë ai zuri ta hidhte në letër një listë me emra regjisorësh – Bunjuelin, Mizoguçin, Bergmanin, Bresonin, Kurosavën, Antonionin, Vigon. Edhe një tjetër emër u shtuar pas një pauze të shkurtër – emri i Drejerit. Më pas ai bëri një sërë filmash dhe i radhiti ata kujdesshëm me një rend numrash. Lista, me sa dukej, ishte gati, por papritmas dhe befasishëm Tarkovski e shtoi në listë edhe një titull – ‘Dritat e Qytetit’”. Rezultatet e përsiatjeve të tij të brendshme, mund t’i lexoni në vijim:

1. “Le Journal d’un curé de campagne” (Robert Bresson, 1951)

2. “Winter Light” (Ingmar Bergman, 1963)

3. “Nazarin” (Luis Buñuel, 1959)

4. “Wild Strawberries” (Ingmar Bergman, 1957)

5. “City Lights” (Charlie Chaplin, 1931)

6. “Ugetsu Monogatari” (Kenji Mizoguchi, 1953)

7. “Seven Samurai” (Akira Kurosaëa, 1954)

8. “Persona” (Ingmar Bergman, 1966)

9. “Mouchette” (Robert Bresson, 1967)

10. “Woman of the Dunes” (Hiroshi Teshigahara, 1964)

“Me përjashtim të ‘City Lights’,” e cek Kozllovi, “lista s’përmban as edhe një film të vetëm pa zë, si dhe asnjë film të viteve ’30 apo ’40. Arsyeja për këtë është thjesht sepse Tarkovski i shihte 50 vitet e para të kinemasë si një prelud i asaj që do të mundë të konsiderohej si filmbërje e vërtetë”. Kurse, mungesa e filmave sovjetikë, “me gjasë është tregues i faktit se ai shihte filmbërjen si diçka që ngjante gjetiu”. Ajo që bie në sy, po ashtu, është fakti që 3 nga 10 filmat e listës së Tarkovskit janë prodhime të Bergmanit.

Marrë nga “Open Culture”

Më Shumë

Tentim vrasje në Dragash: Dyshohet se dhëndri e ka plagosur vjehrrin

Një tentim-vrasje ka ndodhur sot në Dragash. Dyshohet se dhëndri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vjehrrit të tij. Si pasojë ai ka...

“Beteja 3” në fundjavë

Fundjava pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ në basketbollin e Kosovës. Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në...

Lajmet e Fundit