11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

“EC Ma Ndryshe” reagon për rrënimin e Hanit të familjes Mullafazliu në Prizren

Organizata Jo-Qeveritare Emancipimi Civil Ma Ndryshe “EC Ma Ndryshe”, reagon ndaj rrënimit të Hanit të familjes Mullafazliu, veprim ky që ka ndodhur me lejen dhe pëlqimin e autoriteteve të nivelit lokal dhe qendror.

Kjo ndërtesë, ndoshta e vetme e kësaj tipologjie që ndodhej në Qendrën Historike të Prizrenit, është rrënuar të martën në orët e pasdites. Në bazë të qëndrimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që është njëri prej autoriteteve kryesore për ruajtjen, konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në nivel vendi, Hani i familjes Mullafazliu nuk ka pas status të mbrojtjes së përkohshme, pra nuk është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme dhe paraprakisht asnjëherë nuk ka qenë i propozuar për të qenë pjesë e kësaj liste.

Organizata thekson se MKRS ka konsideruar se ndërtesa është jashtëzakonisht e dëmtuar dhe pothuajse i ka humbur të gjitha vlerat në mungesë të mirëmbajtjes sistematike. Njëherësh ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesë nga Komuna e Prizrenit dhe si dhe aktvendimin me të cilin kërkohet nga familja Mullafazliu që ta rrënojnë ndërtesën për shkak se paraqet rrezik për kalimtarët.

“E njëjta lëndë, sipas zyrtarëve përgjegjës për trashëgiminë kulturore në këtë ministri, është shqyrtuar edhe në Komisionin përkatës të MKRS-së dhe në përputhje me raportet dhe rekomandimet dhe gjendjen në terren është konstatuar se ndërtesa ka humbur të gjitha vlerat dhe si e tillë nuk ka pasur status të mbrojtjes së përkohshme. Mirëpo në shkresën e saj MKRS ndër të tjera ka pranuar se bëhet fjalë për një nga ndërtesat e vetme të kësaj tipologjie”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

“EC Ma Ndryshe” përkujton se në Ligjin për Qendrës Historike të Prizrenit përkatësisht Shtojcën II të Ligjit, që flet për monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në paragrafin 12 që përkufizon “statusin e objektit nën mbrojtje” thuhet se: “Edhe objektet e rralla ose objekte me vlerë të veçantë marrin statusin e objektit nën mbrojtje si p.sh. trupat ndriçuese nga shekulli XX, punëtori të vjetra, kinema, etj. Andaj nuk mund të rrumbullakohen me numra objekte me vlerë dhe se ato që nuk janë në listë nuk kanë vlerë”.

Duke u bazuar në këtë parim, “EC Ma Ndryshe” konsideron se trashëgimia kulturore e arkitektonike si dhe kujtesa kolektive e qytetit të Prizrenit kanë pësuar dëm të konsiderueshëm me rrënimin e këtij objekti.

Prandaj edhe njëherë organizata bën thirrje që institucionet e të gjitha niveleve të shtojnë nivelin e përgjegjësisë së tyre dhe angazhimet në drejtim të ruajtjes, konservimit dhe promovimit të vlerave të rralla të trashëgimisë së qytetit të Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

32 vjeçari nga Suhareka dyshohet se i dha fund jetës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Shirokë të Suharekës, dyshohet se një person i ka dhënë fund jetës së...

Aksident mes dy veturave në Malishevë, lëndohen dy persona

Një aksident mes dy veturave në Bellanicë të Malishevës ka ndodhur mesditën e sotme, ku dy persona kanë mbetur të lënduar. Rastin për Klankosova.tv, e...

Lajmet e Fundit