8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Nga ritet deri te fytyra e një vendi

Ritet njerzoreFestivalet dikur ishin një komemoracion tipik religjioz, për të nderuar zotin ose zotërat. Sot, ndonëse përmbajtja e tyre ka ndryshuar tërësisht, forma e tij mbetet e njëjtë. Në shekujt e mëhershëm në gjuhën spanjolle, atë frënge, angleze apo latine, thelbi i fjalës festivus apo festus, nënkuptonte gëzimin apo nderimin ndaj diçkaje për të cilën festohej për një a më shumë ditë.

Festivalii muzikës klasike, festivali i rokut, festivali i letërsisë, i poezisë,festivali i birrës, festivali i verës, festivali i folkut, i filmit, i dramës, dhe i plotë fushave të tjera, derisa ato bëhen një pasqyrë e kulturës, artit, shkencës dhe traditës së një vendi.

Në Kosovë organizohen numër i madh i festivaleve kombëtare e ndërkombëtare, me karakter të ndryshëm kulturor. Ata që i realizojnë festivalet në vendin tonë, thonë se nuk është e lehtë të bëhet një festival në Kosovë, pasi që mungon edhe mbështetja financiare, edhe hapësirat.

DokuFest, Pri Fest, Nine Eleven, DAM fest, Chopin, Kamer Fest, Prishtina Jazz Festival, Polip, Skena Up, janë disa nga festivalet që tashmë kanë krijuar një traditë. Për mbajtjen e tyre, janë dy probleme kryesore me të cilat përballen organizatorët, mungesa e sallës së koncerteve dhe mungesa e instrumenteve, kryesisht pianos. Për një festival të letërsisë mungesa e donacioneve, ndërsa për një festival të filmit problem janë të gjitha këto së bashku.

Veton Nurkollari drejtor artistik i festivalit të filmit të shkurtër dhe atij dokumentar “DokuFest” thotë se organizimi i një festivali siç është “DokuFest” është mjaft i kushtueshëm dhe përkrahja e pamjaftueshme nga institucionet, sipas tij, mbetet ende njeri nga problemet kryesore.

“Problem kryesor është mospërkrahja e mjaftueshme institucionale, sidomos nga Komuna e Prizrenit dhe Drejtoria e Kulturës atje. Po ashtu mungesa e infrastrukturës për organizimin e festivalit në formë të kinemave dhe pajisjeve moderne përbën problem serioz për organizimin e festivalit” ka thënë Nurkollari, duke shtuar se mbështetja për këtë vit nga komuna e Prizrenit ende nuk është realizuar edhe pas gati 4 muajve të mbarimit të festivalit.

Blerim Gjoci drejtor i festivalit të filmit të shkurtër “Nine Eleven”, thotë se ata gjithmonë përfundojnë duke shtuar të holla nga xhepi i tyre.

“Mund të themi problemin të vetëm e kemi pjesën financiare pasi ky festival ka kërkesa më të mëdha se festivalet tjera, meqë që edhe e prodhon filmin, përveç problemit financiar-mungesa e bollshme e njerëzve dëshirë mirë që financojnë kulturën, ne nuk kemi probleme tjera”, ka deklaruar Gjoci.

Për dallim nga festivalet e filmit, ato të muzikës klasike, siç është “DAM Fest” “Jazz Festival” e “Kamer Fest”, përballen me mungesën e hapësirave të nevojshme për performim.

Dardan Selimaj, drejtor i festivalit ndërkombëtar të muzikantëve të rinj “DAM Fest ”, duke folur për problemet rreth organizimit të festivalit, ka thënë se mungesa e hapësirave dhe përkrahjes financiare është e dukshme në çdo edicion të këtij festivali.

“Problemet financiare janë evidente, jo vetëm në organizimin e festivalit “DAM” mirëpo te secilit festival në Kosovë, tash e sa vjet nuk ka një mekanizëm brenda institucioneve që të vlerësojë se sa duhet mbështetur një ngjarje ose një tjetër dhe ndarja e mjeteve bëhet me tahmin. Për një festival të muzikës në Kosovë dy problemet kryesore janë mungesa e sallës së koncerteve dhe pianos” ka thënë Selimaj duke shtuar se përkundër këtyre problemeve ata vazhdojnë të sjellin ngjarje kulturore sepse ato kanë qenë bërthama e ndryshimeve pozitive të kësaj shoqërie.

Ndërkaq Ilir Bajri drejtor i “Prishtina Jazz Festival” ka thënë se është bërë rutinë tashmë mospërkrahja e tyre nga Ministria e Kulturës, madje ata sivjet as që kanë konkurruar për përkrahje nga kjo ministri.

“Sivjet nuk kemi konkurruar fare për të na përkrahur pasi që viteve të kaluara nuk kemi pas mbështetje, ne çdo vit ballafaqohemi me këtë problem”, ka thënë Bajri.

Ndryshe nga festivalet e muzikës e të filmit, ato të letërsisë siç është “Polip”, mungesën kryesore e kanë mbështetjen financiare.

Nita Hasani nga qendra Multimedia, qendër kjo që organizon festivalin e letërsisë “Polip”, ka thënë se problemet e financimit duhet t’i zgjedhin vet duke gjetur donacione për realizimin e festivalit.

“Një problematikë që ndoshta çdo festival e kalon është sigurimi i mbështetjes së mjaftueshme financiare për të realizuar festivalin sa më mirë e me llojllojshmëri më të madhe në programin e festivalit” ka thënë Hasani, duke shtuar se festivali “Polip” mbështetjen financiare e ka kryesisht nga fondacionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Kultura kosovare në hartat e kulturës së botës

Pothuajse secili organizim që mbahet në Kosovë, merr edhe termin ndërkombëtar, kjo edhe atëherë kur nuk ka të pranishëm asnjë artistë nga vendet evropiane për shembull, duke e arsyetuar termin me praninë e mysafirëve nga shtetet fqinj.

Megjithatë festivalet që kanë bërë emër tashmë në Kosovë, kanë një laryshi të mysafirëve nga vende të shumta të botës.

“Mysafirë të huaj kemi në secilin festival, mirëpo nëse pyetemi sa janë prezente ngjarjet tona kulturore në hartat kulturore të botës ende duhet punuar në atë drejtim. Ndoshta për momentin “DokuFest” është i tillë”, tha Dardan Selimaj.

Në festivalin “Doku Fest” numri më i madh i filmave vinë nga vendet jashtë Kosovës, duke aplikuar kështu mbi 2400 filma nga 80 shtete të botës, me më se 300 mysafir janë të huaj në festival ka bërë të ditur organizatorë të tij, ndërsa “Nine Eleven” është festival i filmit shqiptarë, pasi që edhe motoja e tij është “ShkurtEshqip”.

Ndërkaq Nita Hasani, për festivalin “Polip” thotë se që nga fillimi ka pasur pjesëmarrës artistë të shumtë të huaj.“Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” që nga fillimi ka qenë ndërkombëtar dhe i tillë vazhdon të jetë. Deri me tani kemi pasur mysafirë nga Gjermania, Izraeli, Kroacia, Serbia, Hungaria, Qipro, Spanja, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia etj”, ka thënë Nita Hasani nga qendra Multimedia.

Sa kushtojnë festivalet?

Një pjesë e madhe e këtyre festivaleve, shumën përfundimtare të shpenzimeve që e mbërrijnë sillet duke filluar prej 3000 e deri në 250.000 euro.

Kështu festivali i filmit “Nine Eleven”, në varësi nga paratë që shpenzojnë për realizimin e filmave, sipas organizatorit Blerim Gjoci , shuma përfundimtare arrin prej 3 mijë deri në 15 mijë euro. Festivali i filmit “Doku Fest”, arrin shifrën e shpenzimit deri në 250.000 euro, shumë kjo që financohet nga burime të ndryshme.

Festivalet me më pak shpenzime se të filmit, janë ato të muzikës. Shuma e shpenzimeve që arrijnë është prej 5 deri në 6 mijë euro.

Kështu festivali i muzikantëve të rinj “DAM Fest” arrin shumën totale prej 5 deri në 6 mijë euro, por shuma ndërron në varësi nga mysafirët që ftohen, ka bërë të ditur Dardan Selimaj, ai ka thënë se shuma e të hollave që arrin ky festival varet nga artistët që performojnë dhe nga mëditja që ata kërkojnë.

Ndërkaq festivali i letërsisë “Polip”, Hasani ka bërë të ditur se vlera monetare për realizmin e tij ka shkuar deri në 20-25 mijë euro.

Përkrahja e festivaleve nga institucionet e kulturës

Ministria e Kulturës Rinise dhe Sportit, nga shuma e përgjithshme e buxhetit për festivalet ndanë një shumë rreth 200 mijë euro.

Shkelzen Dragaj nga kjo ministri thotë se përzgjedhja e festivaleve për ti përkrahur financiarisht bëhet nga zyrtarë brenda kësaj ministrie të cilët vlerësojnë se cilat festivale duhet të përkrahen ose jo. Në këto dy vite ka pasur një rritje të ndjeshme për secilin festival dhe kryesisht fokusi është te ato festivale tradicionale që kanë krijuar identitet në skenën kulturore të Kosovës, por duke mos i përjashtuar edhe idetë ose iniciativat e tjera sa ju përket festivaleve.

“Fillimisht shpallet konkursi pastaj konkurrojnë OJQ-të ose mekanizmat që përfaqësojnë ato festivale, në departament të kulturës, për secilin divizion çoftë për kinematografi muzikë letërsi apo teatër, ka zyrtarë të cilët i marrin të gjitha projektet i vlerësojnë dhe në bazë të tyre bëjnë përzgjedhjen dhe pastaj vendoset se cilat nga do i mbështesim, gjithmonë duke u bazuar edhe në buxhet”, ka thënë Dragaj. Ai ka bërë të ditur se shuma totale që Ministria e Kulturës sivjet ka ndarë nga buxheti i saj për festivalet mbërrin përafërsisht 200 mijë euro.

Ndërkaq e kontaktuar për disa ditë, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, i ka thënë gazetës se është e zënë, duke mos dhënë asnjë përgjigje në pyetjen e shtruar rreth përkrahjes së festivaleve./Zëri/

Më Shumë

Ylli fiton duelin e parë gjysmëfinal në ‘Karagaçi’

Golden Eagle Ylli ka fituar duelin e parë gjysmëfinal, duke mundur Pejën si mysafir me rezultat 84:87 (22:23, 19:19, 30:15, 13:30). Kampionët kishin epërsi deri...

I caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve personit që plagosi ish-vjehrrin në Dragash

  Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se të dyshuari me inicialet O.M i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, pasi...

Lajmet e Fundit