13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Fillon rishtas rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja

Rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe katër zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, Minir Krasniqi, Sadik Paqarizi, Avni Ademaj e Abdullah Tejeci, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, gjykim ky i cili po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të martën, ka filluar rishtas.

Fillimi rishtas i kësaj procedure penale, u bë për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, konkretisht për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Afrim Shala, më nuk do të jetë pjesë e trupit gjykues, pasi që i njëjti është emëruar gjykatës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kurse, në vend të tij, tani është caktuar gjykatësi Zyhdi Haziri.

Në këtë seancë, sikurse edhe në seancën e kaluar të mbajtur më 31 janar të këtij viti,  për rreth pesë orë, është bërë leximi i deklaratave të dhjetë dëshmitarëve të tjerë, të dhëna në gjykimin e parë ndaj tani të akuzuarve.

Ndryshe, leximi i deklaratave të të gjithë këtyre dëshmitarëve Jetish Abdullahu, Erdal Sander, Gersel e Ramo Skenderi, Fail Hoxha, Luljeta Rizanaj, Ibrahim Krasniqi, Ymer Hoxhaj, Visar Islamaj dhe Rrahim Aliaj, sikundër edhe shtatë dëshmitarëve tjerë, të lexuara në seancën e 31 janarit, janë bërë sipas kërkesës së prokurores së Prokurorisë Speciale, Fikrije Fejzullahu.

E njëjta, gjatë kësaj seance, kishte kërkuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Agim Ademi, që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve me arsyetimin se trupi gjykues dhe ajo vetë, janë për herë të parë në këtë rast penal.

Ndërkaq, në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, avokati Pjetër Përgjoka, i cili mbron të akuzuarin, Minir Krasniqi, edhe më tutje, ka kërkuar që dëshmia e Ridvan Hoxhës të shpallet e papranueshme sepse sipas tij, kallëzimi penal nuk mund të përdoret si provë në procedurë, andaj siç ka thënë, nuk duhet lejuar as parashtruesin e kallëzimit penal të jep deklaratë në proces.

Mirëpo, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Agim Ademi, ende nuk kanë vendosur rreth kësaj kërkese së mbrojtësit Përgjoka.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kjo seancë gjyqësore është ndërprerë, kurse seanca e radhës pritet të vazhdojë më 8 maj 2018, në ora 10:00, ku pritet që përsëri të vazhdohet me leximin e deklaratave të dëshmitarëve, të dhëna në gjykimin e parë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale në shkurt 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paqarizit dhe ish drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Muja dhe të tjerët akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Poashtu në mesin e pronave bëjnë pjesë edhe dy parcelat ku janë ndërtuar shkolla “Mehmet Akif” dhe fabrika e çokollatës “Kamila” në Prizren, të cilat sipas akuzës nuk kanë kaluar fare përmes Kuvendit Komunal por me vendim direkt të ish kryetarit Muja.

Më 13 mars 2014, pas rreth 30 seancave gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur aktgjykim dënues për ish kryetarin Muja dhe të tjerë.

Muja  ishte dënuar me dy vjet burgim, me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Gjykata e Apelit kishte anuluar një vendim të tillë dhe kishte kthyer rastin në rigjykim por me ankesë të prokurorisë rasti ka shkuar në Gjykatë Supreme ku më pas Supremja kishte vendosur që lëndën sërish ta shqyrtojë Apeli.

Apeli sërish në korrik 2017 ka vendosur që lënda të kthehet në shkallë të parë për rishqyrtim dhe ri vendosje, por Gjykata e Themelore në Prizren ka kërkuar që të përjashtohet nga ky rast.

Një kërkesë të tillë ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku  kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të këtij viti kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë të zhvillohet nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Më Shumë

Mërgimtari nga Suhareka vdes në aksident tragjik në Itali

Haris Shala është 25-vjeçari shqiptar që humbi jetën një ditë më parë në një aksident tragjik në Itali. I riu shqiptar, babai i një vajze...

Akil Gjakova lë pas problemet jashtë sportit, përfaqëson Kosovën në Evropianin e xhudos

Xhudisti Akil Gjakova do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian për Senior që do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë nga 25-27 prill. Ky muaj...

Lajmet e Fundit