17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Shtyhet gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj ish-drejtorit të spitalit “Heart”

Shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahej të premten, ndaj të akuzuarit Hajrullah Binakaj, nën akuzën se ka keqpërdorur pozitën zyrtare si pronar i spitalit “Heart”, në Gjakovë, nuk është mbajtur, sepse në sallën e gjykimit nuk është paraqitur i akuzuari Binakaj.

Kryetari i trupit gjykues, Shaqir Zika, ka deklaruar se mbrojtësi i të akuzuarit Binakaj, avokati Teki Bokshi, para fillimit të seancës ka njoftuar gjykatën se përmes familjarëve të të akuzuarit, është njoftuar se klienti i tij është dërguar me urgjencë jashtë vendit, sepse i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Gjykatësi Zika, po ashtu ka thënë se ka dërguar policinë në shtëpinë e të akuzuarit për të vërtetuar nëse ai gjendet aty, por se është njoftuar se nuk është përgjigjur askush.

Në këto rrethana, gjykatësi Zika, ka vendosur që shqyrtimi të shtyhet për 16 prill 2018, në ora 10:00, ndërsa për të akuzuarin ka lëshuar urdhër për sjellje me dhunë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 5 shtator 2016, Hajrullah Binakajn e kishte shpallur fajtor për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe ai ishte dënuar me dy vjet e tre muaj burgim efektiv.

Ndërsa, ishte liruar nga akuzat për “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësorë” dhe “shmangie nga tatimi”.

Gjykata e Apelit, më 11 maj 2017, pas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit, e kishte aprovuar pjesërisht ankesën dhe e kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, sa i përket dispozitivit IV të aktakuzës, ku Hajrullah Binakaj, akuzohet për “shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit”, dhe ishte dënuar me një vit burgim. Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se për këtë vepër penale ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Dënimi me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muajsh, i shqiptuar për pikën III të dispozititvit për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ishte marr si i vërtetuar.

Ankesën e mbrojtjes për pjesët tjera të aktakuzës si dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Apeli i kishte konsideruar si të pabazuara.

Por, pas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës, më 28 shtator 2017, i kishte anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Gjykatës së Apelit, në pjesën që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe kishte dyshime në vërtetësinë e fakteve vendimtare, andaj lënda i ishte kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

Ndryshe, ky gjykim zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, në bazë të cilës i akuzuari Hajrullah Binakaj, akuzohet se gjatë periudhës kohore 2007 – 2012, në cilësi të menaxherit dhe pronarit të Spitalit ‘Heart’, pa e kryer Fakultetin e Mjekësisë, ka dhënë ndihmë mjekësore me metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Gjithashtu, më 29 korrik 2008, në cilësi të mjekut kardiolog dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka marr 6.000,00 euro për mjekimin e të dëmtuarës Valbona Gashi.

Për këtë veprime akuzohet të ketë kryer veprën penale ” Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 338 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Krahas Hajrullah Binakaj, akuzohej edhe Zeqë Kuqi, se në periudhën 25 maj 2012 deri më 12 prill 2012, në cilësi të drejtorit të spitalit “Heart”, u ka dhënë ndihmë mjekësore pacientëve, duke përdorur metoda të papërshtatshme të mjekimit. Gjithashtu, aktakuza e ngarkonte se nga viti 2009 – 2012, me qëllim të shmangies nga tatimi, nuk ka dhënë informata lidhur me të ardhurat e tij. Mirëpo, për këto akuza, ishte liruar nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Më Shumë

Mblidhet Kuvendi, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit...

Akil Gjakova lë pas problemet jashtë sportit, përfaqëson Kosovën në Evropianin e xhudos

Xhudisti Akil Gjakova do të përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Evropian për Senior që do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë nga 25-27 prill. Ky muaj...

Lajmet e Fundit