16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Mishel Platini foli sikur një serb nacionalist

Qemajl Krasniqi 1Shkruan: Qemajl Krasniqi

Skenat me rrahje, hedhja e flakëve dhe gjësendeve të tjera në fushë, nuk janë të panjohura për sportin. Ndonëse pothuajse të gjithë thërrasin që sporti të ndahet nga politika, kjo gjë nuk ndodh në të vërtetë. Na bie shpesh të shohim liderë të lartë shtetërorë duke u gëzuar, duke u hedhur përpjetë sa herë që ekipi i tyre kombëtar fiton dhe fytyrëngrysur kur humbin. Kjo konsiderohet si fat ose fatkeqësi kombëtare, edhe pse është vetëm sport. Ka pasur raste kur lojtarët janë ndëshkuar me punë të rënda në minierë apo gjetkë për shkak të humbjes në fushë të gjelbër.

Ngjarja në Beograd u bë lajm botëror. Madje edhe politikanët u ngutën të bëjnë deklarata me përmbajtje naziste, raciste dhe mjaft fyese në llogari të një kombi të tërë. Pra, sporti tejkaloi përmasat e një gare dhe u bë arenë akuzash e kundërakuzash edhe në rrafshin politik e diplomatik. Gjuha fyese dhe poshtëruese u bë pjesë e fjalorit kombëtar, sidomos atij serb në adresë të shqiptarëve. Madje kjo solli edhe deri tek incidentet, siç ishte sulmi në ambasadën shqiptare në Podgoricë dhe djegia e bizneseve shqiptare kudo nëpër Serbi. Ngjarja u bë agjendë politike serbe me qëllim të arsyetimit të krejt asaj gjëje të ligë që ndodhi në stadiumin e ish-APJ-së, ushtri që edhe sot ringjall kujtime të tmerrshme për disa popuj të Ballkanit.

Serbët u mblodhën në këtë stadium për të mposhtur një komb- kombin shqiptar jo vetëm në futboll. Ata me “aminin” e UEFA-së nuk lejuan që edhe shqiptarët të kenë përkrahësit e tyre. Urrejtja nacionaliste serbe shpërtheu fuqishëm, ashtu siç shpërtheu në fillim të viteve ’90, që për pasojë solli disa qindra mijëra të vrarë, të zhdukur, të torturuar, të dhunuar e të poshtëruar dhe miliarda dollarë dëme materiale. Plagët ende kullojnë. Bota demokratike bënte sehir, duke mos besuar se çmenduria njerëzore do të arrinte deri në përmasat e gjenocidit. Atëherë kur u kuptua se serbët nuk kanë ndërmend të ndalen së poshtëruari popujt, me të cilët kishin jetuar në një shtet deri në atë kohë, u ndërhy ushtarakisht dhe serbët të mposhtur e kokulur u tërhoqën në marrëzinë e tyre.

Mirëpo, qasja mëshiruese ndërkombëtare ndikoi që nacionalizmi dhe shovinizmi serb të mos pranojë as krimet e bëra, të mos kërkojë falje për gjithë ato vrasje, përdhunime e masakrime të joserbëve. Kjo ndjenjë krenarie, ndikoi që gënjeshtra serbe paturpësisht të vazhdojë jehonën e saj në rajonin e Ballkanit të përgjakur. Bota i mëshiroi në emër të paqes dhe pajtimit. Por, si duket ky mesazh nuk u kuptua drejt nga serbët. Ata vazhdojnë të sillen si padronë të Ballkanit, duke ofenduar e poshtëruar popujt fqinj. Pritja që i bënë presidentit rus Vladimir Putin, diktator që terrorizon vendet fqinje, dëshmon për afrinë që këta dy popuj kanë. Serbët janë pjesë e shkëputur e atij trungu. Kjo dëshmon se serbët janë ngulur në trungun e huaj dhe asnjëherë nuk do të mund të përshtaten me autoktonët, as në pikëpamje dhe as në civilizim. Qasja antiamerikane, antiperëndimore dhe antievropiane , si dhe komunikimi vëllazëror me rusët është dëshmi e qartë për këtë.

Shqetëson fakti që perëndimorët vazhdojnë të shpresojnë se një ditë serbët do të jenë pjesë e këtij civilizimi, prandaj edhe investojnë në përthithjen e tyre në gjirin e vet. Duket paksa vështirë e besueshme, por edhe ndoshta një ditë mund të ndodh. Këtu jep shpresë sjellja mjaft e matur e disa futbollistëve serb në terren, të cilët morën në mbrojtje shqiptarët dhe madje disa kërkuan falje për atë që ndodhi. Këta futbollistë luajnë në elitat e futbollit evropian dhe kanë arritur të përvetësojnë vlerat më të mira që jep kultura e lojës kolektive, siç është futbolli. Po si të veprohet me elitat politike serbe, që edhe sot vazhdojnë ta shohin nacionalizimin ekstrem si mundësi për pushtet dhe pretendime ndaj vendeve fqinje.

“Secili popull ka qeverinë që e meriton”, prandaj edhe populli serb ka këta qeveritarë, të cilët vetëm në kriza mund të qeverisin, ndërsa nacionalizimin e kanë strehë të sigurt.

Më intrigon të di nëse edhe presidenti i UEFA-së Mishel Platini, të cilin e kemi ndjekur me aq simpati teksa shënonte ata golat e bukur për ekipin e tij kombëtar, e di sadopak historinë e Ballkanit. Nëse nuk e di atëherë mjafton të kujtojë thirrjet raciste dhe sulmin kundër ekipit kombëtar anglez, vrasjen e dhunshme të tifozit francez, thirrjet raciste e ofenduese në Xhenovanë lojë me italianët dhe shumë incidente të tjera, që tifozët serbë kanë shkaktuar kudo nëpër Evropë. Platini duhet të lërë anash emocionet personale dhe të shohë realitetin në sy.

Nëse deklarata e tij “flamuri i Shqipërisë së Madhe tensionoi situatën në Beograd”, është mendimin tij, atëherë kjo është tepër shqetësuese për vetë futbollin evropian. Kjo nënkupton se asgjë para kësaj dhe pas kësaj ngjarjeje Platini nuk ka parë as dëgjuar dhe se nacionalistët serb kanë arritur të mbjellin në bindjet e tij bindjen serbe se; të gjithë të tjerët janë kundër popullit serb, se serbët janë të sulmuar,të vrarë e të persekutuar nga të tjerët dhe se ky popull duhet marrë nën mbrojtje.

Nëse Komiteti i Disiplinës në UEFA dënon Kombëtaren shqiptare për incidentin, atëherë kjo nuk do koment. Huliganët serb do të vazhdojnë të godasin këdo që e konsiderojnë armik, derisa në ditë t’i vijë radha edhe vetë Platinisë.Shqiptarët kanë dëshmuar nivel të lartë të civilizimit. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama nuk e anuloi vizitën në Beograd. Mbase ka vepruar drejt, sepse këta dy popuj kanë shumë për t’i thënë njëri-tjetrit.

Kjo dëshmon edhe një fakt të pamohueshëm se, konflikti historik nuk ka të bëjë me kosovarët, por është një konflikt shqiptaro-serb që kërkon zgjidhje. Mbase ngjarja e Beogradit i mobilizoi si rrallëherë më parë shqiptarët. Fryma e bashkimit u ndje anekënd botës ku jetojnë shqiptarët. Zërat e izoluar se tashmë Kosova dhe Shqipëria janë dy kombe të ndryshme janë të mekur dhe nuk dëgjohen larg. Kjo për faktin se janë antihistorik dhe antikombëtar. Popujt-kombe gjithmonë e kanë ndjekur rrugën drejt unifikimit dhe faktorizimit ndërkombëtar. Edhe shqiptarët do të dinë ta bëjnë këtë një ditë.

Më Shumë

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Ushtron dhunë ndaj bashkëjetueses, arrestohet i dyshuari në Rahovec

Në Rahovec të martën është arrestuar një person i dyshuar pasi raportohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare me...

Lajmet e Fundit