Në selinë e UEFA-s në Nion të martën është bërë tërheqja e shortit për fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2025 në konkurrencën e femrave.
Kjo fazë kualifikuese sivjet zhvillohet në tri liga. Kosova bën pjesë në Ligën B dhe në bazë të shortit është përfshirë në Grupin B4, ku janë edhe Uellsi, Kroacia dhe Ukraina.
Kualifikimet nisin në muajin 3 prill, derisa në Evropian direkt kualifikohen vetëm nga dy përfaqësuese prej katër grupeve të Ligës A, derisa vendet e tjera plotësohen përmes “play-off”-it. Nga Liga B, ku bën pjesë edhe Kosova, tri përfaqësueset e para në secilin grup kalojnë në “play-off”, ku përcaktohen shtatë përfaqësueset e fundit që kualifikohen në Evropian.
Përfaqësuesja e Kosovës ka një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje dhe nën drejtimin e Anneli Andersen ka treguar formë shumë të mirë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave të tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Këtë vendim, MINT-i ka njoftuar se e ka marrë me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencës, duke theksuar se ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botërore.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë eurocentë për litër.
Vendimi hyn në fuqi sot (e martë) dhe mbetet në fuqi për 90 ditë.
“Me këtë rast, MINT-i njofton se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ditëve në vijim do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës”, ka njoftuar MINT-i.
“Për këtë periudhë të raportimit, prej 1 janar deri më 29 shkurt 2024, Portofoli Standard njohu ngritje të çmimit të njësisë prej 1.80 për qind, që përkthehet në kthim bruto nga investimet rreth 48 milionë euro. Ndërsa Portofoli Standard kishte ngritje prej 0.58 për qind të çmimit të njësisë ose rreth 0.8 milion euro kthim bruto nga investimet. Historikisht, bashkë me rezultatin e këtij fillimviti, FKPK-ja i ka akumuluar afër 800 milionë euro kthim bruto nga investimet”, ka njoftuar Trusti.
Djali i Adem Jasharit, Lulzimi, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve në ceremoninë për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Insajderi.
Para ushtarëve dhe të pranishmëve tjerë, Jashari dha porosi që vendi duhet të përgatitet për të ardhmën, që sipas tij, mund të jetë më e trazuar se që është tani.
“Mos e harroni asnjëherë që armët tuaja janë vazhdimësi e armëve më të pastra në Ballkan. Ato nuk sulmuan civilët. Shqiptarit nuk i ka munguar guximi por municioni, prandaj jemi mësuar ta qëllojmë cakun sepse është dashur t’i ruajmë plumbat. Në luftë e vetmja frikë duhet të jetë humbja. Duhet të përgatitemi sa më mirë për të ardhmen që mund të jetë edhe më e trazuar”, ka thënë Lulzim Jashari në fjalën e tij.
Lulzim Jashari ka folur për guximin dhe sakrificën e popullit në luftën e fundit, derisa ka theksuar që muaji mars duhet të na dëshmojë që duhet të tregojmë punë dhe përkushtim.
“Këto data na e kujtojnë sa shumë ka vuajtur populli shqiptar. Sa heroizmi është dashur që të jetojmë të lirë. Marsi na dëshmon që duhet të tregojmë punë, përkushtim, logjistikë dhe guxim”.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë./Insajderi.org/
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Adem Jashari ka bashkëdyzuar lirinë e tij individuale me lirinë e popullit, duke u bërë emër i përveçëm në histori.
“Kosova është çliruar nga Serbia okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. Nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet e forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe aktivizmit të kulluar politik, sidomos që nga Lidhja e Prizrenit e këtej, që i ka karakterizuar shqiptarët dhe veçanërisht Kosovën”, ka thënë ai.
Rrezistencën e familjes Jashari, Kurti e ka ndërlidhur si frymëzim nga kryengritësit që kundërshtuan pushtetin otoman në krye me Hasan Prishtinën, nga lëvizja e Azem Bejtës dhe Shaban Polluzhës dhe një vargë nismash të tjera historike për çlirim.
“Në këtë histori të çlirimit dhe shtetndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise të madhe. Në të vërtetë kjo është hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe kombit të tij. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij, gjatë gjithë jetës, deri në rënien heroike. Liria ishte kushti i jetës, e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Nëse historia është përparimi i vetëdijes së popullit për liri, Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën mund t’i referohemi lirisë sonë”, ka thënë Kurti.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, të dyshuarin M.S., në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Mamushës, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit, dyshohet se i njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare ua ka mundësuar disa shtetasve të huaj turq, fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pa përfillur procedurat ligjore për fitimin e shtetësisë.
“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor, për të njëjtin do të vazhdoj me procedura të tjera hetimore”, thuhet në njoftim
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përkujtuar të rënët e familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se heroizimi dhe sakrifica e familjes Jashari, mishëron shpirtin e një kombi të etur për liri.
“Me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës, fjalët qëndresë, sakrificë, guxim e krenari, morën kuptimin e vërtetë. Ato u përbashkuan në një vend, në një familje dhe në një mbiemër: familja Jashari!”
“Heroizimi dhe sakrifica e familjes Jashari, mishëron shpirtin e një kombi të etur për liri. Secili anëtar i familjes Jashari, u bë fanar shprese në luftën e përgjakshme për çlirim. Nga baca Shaban e te nana Zahide, nga Hamza e te Blerina, nga Ademi e te Kushtrimi 13 vjeçar, pushka e të cilit shkrepi e fundit në atë betejë”.
“Për tri ditë, familja Jashari ktheu çdo gur të Prekazit në monumente të lavdisë që do të jetojë përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e secilit shqiptar deri në mbarim të kohës. Nderime përjetësisht”, ka shkruar Krasniqi.
Adem Jashari lindi në Prekaz te Drenicës, më 28 nëntor 1955. Këtë vit, Shaban Jasharit babait të tij, krahas Festës se Flamurit, që e festonte per çdo mot, ju shtua edhe një festë tjetër – Ditëlindja e djalit të cilin e pagëzoi: Adem. Dhe ishte e natyrshme që mbi djepin e posa të lindurit në këtë ditë, djepi të mbulohej me flamurin e Skënderbeut.
Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij se ky u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Kështu nisi jeta në vazhdimësi në Prekazin e lavdive të përsëritshme.
Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqën politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori ndodh edhe të ndodhin ngjarje të rastsishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re.
Adem Jashari, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90-ta, i shihte me optimizëm, prandaj sinqerisht e vendosmërisht nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare. Ishte mëngjesi i hershëm i 30 dhjetorit 1991, ku armiku me një makineri të tërë policore kishte rrethuar Jasharajt dhe kërkuan dorëzimin e Adem Jasharit dhe Jasharëve tjerë.
Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim iu përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Ishte e çartë, çeta e Prekazit kishte vendosur epokën e luftës çlirimtare, ata mes jetës se burgut e të poshtërimit kishin zgjedhur jetën e lavdisë e të lirisë, me të gjitha pasojat që mund t’i kishte. Vetëm të guximshmit nëpër kohë të ndryshme i kanë ndërruar rrjedhat e historisë, kështu ndodhi edhe me Adem Jasharin dhe çetën e tij. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t’u përhapur më vonë në Llap e Dukagjin, në Drini e kudo në Kosovë.
UÇK-ja po bëhëj shpresë për popullin dhe tmerr për armikun, armikut po i rrëshqiste dheu nën këmbë, pasigurinë e shihte te çdo kaçube. Ai po bëhej legjendë. Ai ishte kudo ku sulmohej armiku, ai ishte në çdo cep të Kosovës. Adem Jashari dhe gjithë Jasharajt nuk e donin ikjen e poshtërimin, ata e dëshironin qëndresën, e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës së ëndërruar në shekuj.
Armiku pas disfatës së 22 janarit kishte filluar përgatitjet për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesin e hershëm të 5 marsit 1998. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë me armatim të rëndë. Pas një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi, dhe vdekja e Adem Jasharit nuk është vdekje por përjetësi. Lufta për Prekazin që e ashpër.
Qëndresa ishte e madhe.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e pavarësinë u hapen shtigje të reja. Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarjet e fillimit të marsit të vitit 1998 hynë në historinë më të re të Kosovës me tërë tragjedinë dhe madhështinë e vet, duke marrë shenjën e sakrificës sublime të njeriut dhe si të tilla u shndërruan në epopenë e lavdishme të UÇK-së.
Sot në 26 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, po e përkujtojmë veprën e kryekomandantit të UÇK-së Adem Jasharit, heroit të Kosovës, figurën madhështore të udhëheqësit dhe të frymëzuesit tonë për liri, i cili skepticizmin dhe vetëmohimin e tij, dhe të familjes së tij i kapërceu kufijtë e reales dhe të mundshmes duke u shndërruar në frymëzim për brezin tonë dhe për brezat që do të vijnë./
Real Madrid thuhet se ka identifikuar mesfushorin e Inter-it, Nicolo Barella, si një zëvendësues të mundshëm të Luka Modric-it.
38-vjeçari po përballet me një të ardhme të pasigurt në “Santiago Bernabeu” pasi ai pritet të shohë që kontrata e tij aktuale të skadojë në fund të sezonit.
Modric ka kaluar 12 vite të suksesshme me “Los Blancos”, duke regjistruar 39 gola dhe 83 asistime në 518 paraqitje në të gjitha garat, si dhe duke fituar gjithsej 23 trofe.
Pesë herë fituesi i Champions League ka luftuar për futbollin e rregullt të ekipit të parë këtë sezon, pasi ka luajtur vetëm 16 nga 30 paraqitjet e tij, duke përfshirë vetëm 11 fillime në La Liga.
Menaxheri Carlo Ancelotti kohët e fundit pranoi se situata e kontratës së Modric-it te Real Madrid-i është “e komplikuar” dhe se kroati do të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.
Nëse Modric-i ndahet me Real Madrid-in këtë verë, “Fichajes” raporton se kryesuesit e La Liga-s do të rrisin interesin e tyre për yllin e Inter-it, Barella.
Raporti shton se situata financiare e Inter-it mund të funksionojë në favor të “Los Blancos”, të cilët pritet të kenë në dispozicion fonde të konsiderueshme për përforcimet e verës.
Megjithatë, pretendohet gjithashtu se Inter-i nuk është i përgatitur të ndahet lehtësisht me Barella-n, pavarësisht nga vështirësitë e tyre financiare, dhe do të kërkonte një shifër prej 60 milionë eurosh për mesfushorin.
Përveç kësaj, mbetet për t’u parë nëse Barella do të ishte i interesuar të largohej nga Inter-i, pasi raportet e shumta kanë thënë së fundmi se 27-vjeçari është afër vazhdimit të kontratës në “San Siro” deri në vitin 2029.
Barella i ka kaluar tre të fundit me Inter-in dhe është zhvilluar në një lojtar yll për klubin dhe vendin, me klube nga La Liga dhe Premier League që besohet se po mbajnë kontrolle për të.
Në të vërtetë, Newcastle United dyshohet se ishte i interesuar për nënshkrimin e Barella-s verën e kaluar përpara se të zgjidhnin të rekrutonin Sandro Tonali-n nga rivalët Milan-it, ndërsa klube si Barcelona, Manchester United, Manchester City, Liverpool dhe Chelsea gjithashtu janë vlerësuar me një interes për numrin “23” të Inter-it.
Italiani ka bërë gjithsej 223 paraqitje për Inter-in në të gjitha garat, duke shënuar 22 gola dhe duke dhënë 49 asistime, duke përfshirë dy goditje dhe pesë asistime në 36 ndeshje deri më tani këtë sezon.
Barella, i cili ishte pjesë e skuadrës zikaltër që arriti në finalen e Champions League sezonin e kaluar, ka fituar gjashtë trofe gjatë kohës së tij në klub dhe shpreson të ngrejë të paktën një tjetër këtë sezon, me skuadrën e Simone Inzaghi-t aktualisht me 15 pikë më shumë se Juventus-i i vendit të dytë në Serie A. Albanian Post
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka thënë se 5,6 dhe 7 marsi janë ditët e shpërthimit të dritës për shqiptarët.
Ai duke folur në 26-vjetorin e “Epopesë së UÇK”-së, ka thënë se këto ata janë të përjetshme “sepse krisma e pushkës së komandantit legjendar, Adem Jashari, ishte pushka e mbrojtjes së pragut të shtëpisë”.
“Sot jemi të lirë dhe të pavarur, mirëpo na mbetet që të punojmë fort dhe ta zhvillojmë atdheun dhe të punojmë fort, ashtu siç e meriton, ta bëjmë ushtrinë tonë pjesë të NATO-s, Kosovën pjesë të BE-së, t’i ruajmë miqësitë e Kosovës, miqve kurrë mos t’ua mbyllim derën, armiqtë kurrë mos t’i lëmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, ka thënë Quni.
Ai ka theksuar se sakrifica e Jasharëve është shembuj i shembujve për botën dhe njerëzimin.