Home Blog Page 6210

Suharekë: Rrëmbehet dhe rrahet nën dyshimin për magji të zezë

0

Tre persona janë arrestuar nga policia e rajonit të Prizrenit pasi që e kishin torturuar fizikisht një person tjetër për të cilin dyshonin se kishte bërë magji të zezë.

Policia e Rajonit të Prizrenit ka njoftuar se të martën rreth orës 19:00 një person ka kërkuar ndihmën e policisë pasi që ishte ndaluar nga tre persona të një familjeje në Shirokë të Suharekës. Sipas njoftimit, të dyshuarit e kishin futur viktimën në bodrum të shtëpisë së tyre dhe e kishin lidhur me një rrip e më pas e kanë torturuar fizikisht me ç’rast i kanë shkaktuar edhe lëndime trupore.

“Pas rreth katër orëve, dy fqinj të të dyshuarve e kishin liruar viktimën. Ekipe policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedura hetimore. Në cilësi të provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një rrip për të cilin dyshohet se është përdorur në rast”, thuhet në njoftimin e Policisë, përcjell PrizrenPress.

Nga hetimet fillestare Policia ka thënë se dyshohet që motivi i rastit është pretendimi i të dyshuarve se viktima i ka bërë magji të zezë njërit prej tyre.

Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalen nën masën e arrestit policor. /PrizrenPress.com/

NISMA: Riciklimi i ‘Qeverisë Muja’, vazhdimësi e krimit të organizuar

0

NISMA për Kosovën, dega në Prizren, përmes një komunikate për media, ka deklaruar se mungesa e vizionit dhe e profesionalizmit që po përcjellë Qeverinë e Ramadan Mujës, po vazhdon të dëmtojë buxhetin e Prizrenit

“Mungesa e vizionit dhe e profesionalizmit që po përcjellë qeverinë e ricikluar të të denuarit Ramadan Muja në Prizren, po vazhdon të dëmtojë buxhetin e Prizrenit, po vazhdon të rrit hallet dhe telashet e qytetarëve në përditshmërinë e tyre tashmë edhe ashtu të mundimshme”, thuhet në komunikatë të NISMA-s.

“Investimet në infrastrukturë pa kritere, e pa standarde dhe shumë dobët të realizuara nga ndërmarrje të papërgjegjshme, e të afërta këto me parapolitiken e partisë në pushtet, bënë që qytetarët të jenë shpeshëherë të atakuara në shumë forma, siç është duke ndodhur ditëve të fundit, ku shumë punime janë duke u bërë nëpër rrugë dhe lagje të Prizrenit, dhe si rrjedhojë e tyre, qytetarët me orë dhe ditë të tëra rrinë pa ujë të pijes, energji elektrike dhe telashe te mëdha në qarkullimin rrugor”.

“Sëmundja e tenderomanisë vazhdon ta përcjellë qeverisjen komunale në Prizren, në të gjitha poret e jetës, si në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, bujqësi e të tjera, ku vazhdohet me abuzimin e taksave të qytetarëve, taksa këto prej të cilave bëhen investime jo cilësore, pa pranim teknik dhe të parealizuara sipas projektit të paraparë. Krimi urbanistik që nuk ka të ndalur në komunen e Prizrenit, është kulmi i dëmit që po i bëhet komunes së Prizrenit, ku shumë e shumë gjenerata të reja me dakada të tëra, do ti vuajnë këto pasoja”.

“NISMA për Kosovën, dega Prizren, është përcaktuar që me vendosshmëri ti luftoj keqëpërdorimet që po ndodhin në qytetin e Prizrenit, me të vetmin qëllim që ti kthehet dinjiteti dhe krenaria qytetit të tradites dhe kulturës”. /PrizrenPress.com/

Në Prizren mbahet panairi i veshjeve tradicionale

0

Komuna e Prizrenit nga sot e deri të shtunën organizon panairin e veshjeve tradicionale dhe artizanateve.

Ky panair organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik.

Panairi i veshjeve tradicionale dhe artizanateve mbahet në Sheshin e Dëshmorëve me ekspozues nga Prizreni dhe vendet tjera të Kosovës dhe rajonit. /PrizrenPress.com/

Bob Dylan fiton Nobelin për Letërsi

0

Këngëtari amerikan, Bob Dylan, ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi.

“Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2016 i ndahet Bob Dylanit, për krijimin e shprehjeve të reja poetike në traditën e bukur të këngës amerikane”, ka thënë Sara Danius, Sekretare e Përhershme e Akademisë Suedeze, teksa shpalli fituesin në Stokholm.

Dylan, 75 vjeç, ka nisur karrierën muzikore në vitin 1959, në kafenetë e Minesotës.

Vitet ‘60 sjellin bumin e krijimtarisë së tij, një shkëlqim që erdhi bashkë me shndërrimin e këtij njeriu të madh në një historian informal të telasheve të Amerikës.

Këngët e tij si “Blowin’ in the Wind” janë bërë himne të anti-luftës dhe lëvizjeve për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, Nobeli për Letërsi i është dhënë shkrimtares bjelloruse, Svetlana Aleksievich, për shkrimet e saj mbi tragjeditë e Bjellorusisë gjatë shekullit 20.

Nobelin e shumëpritur të Letërsisë këtë vit e rrëmbeu një njeri emri i të cilit veshët tanë nuk i ka rrahur si shkrimtar, por si një legjendë e rokut. Por, Bob Dylan ka qenë për më shumë se 5 dekada një influence e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën popullore, jo vetëm me notat muzikore, por edhe me penën e tij.

Çmimi i lakmuar i dorëzohet pikërisht me këtë argument: krijimin e frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane.

Prizren: I dehuri shtie me armë në shtëpi

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prizren, raportohet se i dyshuari mashkull k/shqiptar, nën ndikim të alkoolit, pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten dhe djalin e tij ka shtënë me armë zjarri brenda shtëpisë.

Në njoftim të Policisë thuhet se në vendngjarje është gjetur një gëzhojë, ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me 12 copë fishkë, shkruan PrizrenPress.

Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është mbajtur në stacionin policor për 6 orë dhe pas intervistimit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Komuna e Prizrenit në gjumë, kërkohen korsi për çiklistë

0

Prizreni vuan shumë për shtigje të veçanta ku ecin çiklistët

Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, në bashkëpunim me komunitetin e çiklistëve, kanë realizuar performancën “Kërkojmë shtigje për çiklistët”, përmes të cilit aktivitet reaguan ndaj pasivitetit të deritanishëm të autoriteteve komunale në ndërmarrjen e masave adekuate për sigurimin e pjesëmarrësve të barabartë të çiklistëve në trafikun që zhvillohet në rrugët kryesore të qytetit të Prizrenit. Përmes këtij aktiviteti, në mënyrë simbolike, përkatësisht duke vendosur shtigje të improvizuara, në rrugën “Remzi Ademaj” afër Urës së Gurit dhe Urës së Arastës, është theksuar e drejta e çiklistëve për qarkullim më të sigurt brenda zonës urbane. “EC Ma Ndryshe” edhe më parë ka ndërmarrë aktivitete në këtë drejtim, ngase hulumtimet e viteve të kaluara, në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, rregullisht e patën nxjerrë si shqetësim të qytetarëve mungesën e shtigjeve (korsive) për biçikleta në pjesën urbane, shkruan gazeta Kosova Sot.

Trotuaret e zëna

Butrint Xhemajli, nga “EC Ma Ndryshe”, është shprehur për “Kosova Sot” se në bashkëpunim me disa organizata dhe komunitetin e çiklistëve po realizojmë projektin për shtigjet korsitë për biçikleta në rrugët e Prizrenit. Kurse për këto iniciativa, Mirlinda Shigjeqi tregon se aktivizimi i deritanishëm në këtë drejtim vazhdimisht ka kërkuar më shumë vëmendje dhe kujdes të autoriteteve për krijimin e shtigjeve për biçikleta, pasi edhe ky komunitet duhet ta gëzojë të drejtën që të lëvizë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt në trafik.

Biçiklistët prizrenas përmes kësaj forme edhe njëherë kërkuan korsi të reja në Prizren sepse, siç shprehet Astrit Gashi, qytetar, vërtet qytetarët janë në hall me trotuaret e zëna.

“E di se më së keqi e kanë pikërisht biçiklistët të cilëve u duhen korsi të veçanta, por ata detyrohen të ecin andej nga munden. Ata nuk kanë as korsi edhe kur kanë nevojë, e të mos flasim për relaksim”, është shprehur ai.

Berisha: Moti e kemi hartuar projektin për korsi

Me organizmin e shoqërisë civile për korsitë e biçiklistëve, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha shprehet se kjo Komunë që moti ka pasur projektin sa i përket hapjes së një korsie të veçantë për biçiklistë.

“Tanimë lidhur me këtë kemi edhe një konkluzion të kryetarit Muja dhe të drejtorëve të ekzekutivit që kjo korsi biçikletash është nga lagjja “Bajram Curri” deri në fshatin Vlashnje, kurse këtë projekt që moti e kemi në realizim dhe tani janë krijuar kushtet që ky shteg të jetë funksional për ata që duan çiklizmin”, u shpreh për “Kosova Sot” zëdhënësi Berisha.

Ai shton se edhe brenda qytetit është duke u punuar që të ketë korsi, porse pengesë janë bërë rrugët e ngushta të Prizrenit.

“Duhet të mendohet mirë se si mund të realizohen ato shtigje”, thotë zëdhënësi Berisha.

Afrim Morina, qytetar nga Prizreni, shprehet se në qendrën e parë mbrojtëse të Prizrenit duhet të mendohet që njerëzit e turistët të shëtisin këmbë e jo të bëhen korsi për biçikleta.

“Kam dëgjuar për një ide të mirë që të shkohet me teleferik ose shkallë lëvizëse në kala, sepse është mëkat që të shëtitësh në Prizren e të mos shkosh në kala”, është shprehur ai. Shton se kërkesa e shoqërisë civile për korsi është e drejtë, por jashtë kësaj qendre mbrojtëse, meqë biçikletat përdoren për ta ruajtur ambientin. /Kosova Sot/

Nisma akuzon Sali Asllanajn për ikjen e investitorëve

0

Nisma për Kosovën në Suharekë, ka akuzuar kryetarin e Komunës, Sali Asllanaj për ikjen e investitorëve

“Largimet apo ikjet e investitorëve të mundshëm në këtë kohë të rënda ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe në veçanti në komunën tonë, bëjnë që zhgënjimi dhe dëshpërimi i qytetarëve tanë të jetë shumë i lartë”, thuhet në reagimin e Nismës në Suharekë.

“Tani, ne flasim e akuzojmë, ndërsa qytetari i rëndom, që me të drejtë mund të ketë shpresuar për një punësim apo qasje më të mirë dhe më të lehtë në shërbime të ndryshme, qofshin ato mjekësore apo të tjera, ndihet jashtëzakonisht i dëshpëruar dhe i zhgënjyer me këtë politikë tejet të papërgjegjshme të pushtetarëve, në këtë rast, të komunës sonë”.

“NISMA, si parti opozitare, e ndjen këtë zhgënjim së bashku me të gjithë qytetarët e Komunës së Suharekës, dhe gjithashtu kërkon përgjegjësi, jo vetëm për këtë ikje të këtij investitori potencial por, gjithashtu kërkon përgjegjësi edhe për mostransparencë ndaj publikut kur kemi të bëjmë me këso raste me rëndësi vitale për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”/TherandaPost/

Po presim, si do të veprohet me ‘xhaminë në Kala’ të Prizrenit dhe të ‘Arastës

0

Shkruan: Orhan Bislimaj

Ndërtim të xhamive dhe kishave do të ketë edhe në të ardhmen, jo vetëm në Llapushnik të Drenicës. Por, le të shpresojmë se do të ndërtohen për nevojat e qytetarëve dhe asnjëherë si përllogaritje (gjeo)politike.

Ky diskurs, i ka mbajtur të bashkuar, si vëllezër, myslimanët e katolikët shqiptarë. Përkdhelja e njëanshme e institucioneve të Kosovës ndaj të krishterëve, katolikë e ortodoksë, që është duke ndodhur tash e 16 vjet, është shndërruar në injorim përmanent për myslimanët.

Askush në Kosovë, nuk ka ndonjë urrejtje ndaj katolikëve, madje as ndaj ortodoksëve serbë, por, siç po shihet po mbëltohet tharmi i nervozizmit ndërfetar në Kosovë, si pasojë e njëanshmërisë së tepruar të institucioneve përkatëse. Fatkeqësia më e madhe për ne si shoqëri, do të ishte nëse dikush çohet në protesta të padëshiruara për të drejtat e tyre fetare, në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Kjo nuk i bën nder askujt! Gjithë kohën mund të flasim për tolerancë ndërfetare, por kjo do të mbetet një lule e pa rrënjë, nëse politikat e Qeverisë dhe të Komunave na çojnë në drejtimin e kundërt. Po presim, çfarë do të veprohet me “xhaminë në Kala” të Prizrenit dhe të “Arrastës” në Prizren. Ato i kanë themelet ashiqare dhe po presin drejtësinë. Jemi lodhur duke bërë kërkesa me shkrim nëpër institucione, askush nuk përgjigjet! Kjo klimë duhet përmirësuar, pasiqë vetëdija qytetare brumoset gradualisht dhe nuk mund të zhbëhet brenda natës.

Nait Hasani: Nuk e çliruam Kosovën që serbët të vendosin për Trepçën

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Trepca është pasuri e vendit dhe si e tillë do të menaxhohet, në tërësi.

Ai ka deklaruar se serbët që jetojnë në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë gjë, duke theksuar se vendet që ata i gëzojnë në institucione janë rrjedhojë e Pakos së Ahtisaarit dhe së të tilla nuk u lejojnë atyre që të bojkotojnë apo të vendosin për cështje nacionale, njofton Klan Kosova.

“Trepca është pronë e Kosovës dhe ne duhet të menaxhojmë me të. Trepca ka qenë gjigant që ka pasur prona nëpër të gjitha vendet e ish Jugosllavisë dhe për këto gjëra duhet të flitet”.

“Ajo është pronë e jona dhe ne do ta menaxhojmë. Serbët duhet ta kuptojnë që jetojnë në Kosovë, jo në Serbi. Këtë gjë ia kemi thënë edhe Listës Serbe: Punoni për vete, sepse Beogradi do t’u përdorë dhe do t’ju hedhë pastaj. Ata kanë hyrë si pjesë e Paketës së Ahtisaarit, nëpër të gjitha pozitat. Janë pjesë e qeverisë dhe kjo do të thotë se ata nuk e kanë arritur numrin. Por ne e kemi fuqinë politike që ne t’i integrojmë, por jo ta kenë ata të drejtën e bojkotimit, të drejtën për të vendosur për Trepcën dhe Investimet Strategjike. Ata duhet t’i harrojnë këto gjëra sepse jetojnë në Kosovë”.

Sadik Halitjaha: Ushtarëve të UÇK-së, s’do t’ju merret statusi i veteranit

0

Ish-komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut dhe anëtari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha, ka deklaruar se Zona e Pashtrikut, gjatë kohës së luftës, ka pasur 8835 ushtarë

Ai tha se këtyre ushtarëve nuk do t’ju merret statusi i veteranit.

“Asnjërit veteranë nuk do t’ju merret statusi”, tha Halitjaha për TV Besa, transmeton PrizrenPress.

Sipas tij, “njerëzit që gjatë luftës për UÇK -në kanë thënë se janë pak terrorist, sot po thonë se janë shumë”.

“Nuk po i bie tamam asnjëherë tradhtarit me patriotin”, tha ai.

Halitjaha siguroi se numri i veteranëve të Zonës së Pashtrikut është real.

“Mund të ketë gabime të vogla, por ato gabime nuk e dëmtojnë askënd”./PrizrenPress.com/