25.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Komuna e Prizrenit në gjumë, kërkohen korsi për çiklistë

Prizreni vuan shumë për shtigje të veçanta ku ecin çiklistët

Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, në bashkëpunim me komunitetin e çiklistëve, kanë realizuar performancën “Kërkojmë shtigje për çiklistët”, përmes të cilit aktivitet reaguan ndaj pasivitetit të deritanishëm të autoriteteve komunale në ndërmarrjen e masave adekuate për sigurimin e pjesëmarrësve të barabartë të çiklistëve në trafikun që zhvillohet në rrugët kryesore të qytetit të Prizrenit. Përmes këtij aktiviteti, në mënyrë simbolike, përkatësisht duke vendosur shtigje të improvizuara, në rrugën “Remzi Ademaj” afër Urës së Gurit dhe Urës së Arastës, është theksuar e drejta e çiklistëve për qarkullim më të sigurt brenda zonës urbane. “EC Ma Ndryshe” edhe më parë ka ndërmarrë aktivitete në këtë drejtim, ngase hulumtimet e viteve të kaluara, në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, rregullisht e patën nxjerrë si shqetësim të qytetarëve mungesën e shtigjeve (korsive) për biçikleta në pjesën urbane, shkruan gazeta Kosova Sot.

Trotuaret e zëna

Butrint Xhemajli, nga “EC Ma Ndryshe”, është shprehur për “Kosova Sot” se në bashkëpunim me disa organizata dhe komunitetin e çiklistëve po realizojmë projektin për shtigjet korsitë për biçikleta në rrugët e Prizrenit. Kurse për këto iniciativa, Mirlinda Shigjeqi tregon se aktivizimi i deritanishëm në këtë drejtim vazhdimisht ka kërkuar më shumë vëmendje dhe kujdes të autoriteteve për krijimin e shtigjeve për biçikleta, pasi edhe ky komunitet duhet ta gëzojë të drejtën që të lëvizë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt në trafik.

Biçiklistët prizrenas përmes kësaj forme edhe njëherë kërkuan korsi të reja në Prizren sepse, siç shprehet Astrit Gashi, qytetar, vërtet qytetarët janë në hall me trotuaret e zëna.

“E di se më së keqi e kanë pikërisht biçiklistët të cilëve u duhen korsi të veçanta, por ata detyrohen të ecin andej nga munden. Ata nuk kanë as korsi edhe kur kanë nevojë, e të mos flasim për relaksim”, është shprehur ai.

Berisha: Moti e kemi hartuar projektin për korsi

Me organizmin e shoqërisë civile për korsitë e biçiklistëve, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha shprehet se kjo Komunë që moti ka pasur projektin sa i përket hapjes së një korsie të veçantë për biçiklistë.

“Tanimë lidhur me këtë kemi edhe një konkluzion të kryetarit Muja dhe të drejtorëve të ekzekutivit që kjo korsi biçikletash është nga lagjja “Bajram Curri” deri në fshatin Vlashnje, kurse këtë projekt që moti e kemi në realizim dhe tani janë krijuar kushtet që ky shteg të jetë funksional për ata që duan çiklizmin”, u shpreh për “Kosova Sot” zëdhënësi Berisha.

Ai shton se edhe brenda qytetit është duke u punuar që të ketë korsi, porse pengesë janë bërë rrugët e ngushta të Prizrenit.

“Duhet të mendohet mirë se si mund të realizohen ato shtigje”, thotë zëdhënësi Berisha.

Afrim Morina, qytetar nga Prizreni, shprehet se në qendrën e parë mbrojtëse të Prizrenit duhet të mendohet që njerëzit e turistët të shëtisin këmbë e jo të bëhen korsi për biçikleta.

“Kam dëgjuar për një ide të mirë që të shkohet me teleferik ose shkallë lëvizëse në kala, sepse është mëkat që të shëtitësh në Prizren e të mos shkosh në kala”, është shprehur ai. Shton se kërkesa e shoqërisë civile për korsi është e drejtë, por jashtë kësaj qendre mbrojtëse, meqë biçikletat përdoren për ta ruajtur ambientin. /Kosova Sot/

Më Shumë

Anulohet aktgjykimi ndaj vëllezërve Ademaj për vrasjen e rëndë në Prizren, Apeli e kthen rastin në rigjykim

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim lidhur me ankesat e parashtruara në rastin e vrasjes së 23-vjeçarit në Prizren më 2020, për të cilin...

Osmani: Kosova tashmë është Republikë, e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit

  Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hoti në 25-vjetorin e zhdukjes së tij. Ajo ka thënë se prej 25-vjetësh, emri i intelektualit e...

Lajmet e Fundit