12.1 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025
Home Blog Page 6838

Kinë, mbytet në lumin Jance anija me 450 persona në bord

0

Një anije me të paktën 450 persona në bord është mbytur pas një stuhie në lumin Jance, në jug të vendit.

Lajmi është raportuar nga media shtetërore kineze, ku thuhet se deri tani autoritetet kanë arritur të shpëtojnë vetëm 8 persona, ndërsa operacioni i shpëtimit është ende duke vazhduar.

Agjencia kineze e lajmeve “Xinhua” shkruan se edhe kryeministri kinez, Li Keqiang, është nisur për në vendin e ngjarjes.

Anija e mbytur ishte nisur nga qyteti lindor i Nanjing dhe do të mbërrinte në qytetin Chongqing, në jugperëndim të vendit.

Mësohet se në bordin e anijes “Eastern Star” ndodheshin 405 pasagjerë, të gjithë kinezë, 5 punonjës të agjencive të udhëtimit dhe 47 pjesëtarë të ekuipazhit, transmeton TCH.

Kapiteni i anijes dhe kryeinxhinieri, të cilët arritën të shpëtonin, kanë thënë se ‘shkak i mbytjes së anijes ishte cikloni, ndërsa fundosja ishte e shpejtë’.

“Erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut, të cilat janë ende duke vazhduar po pengojnë operacionin e shpëtimit”, kanë thënë autoritetet vendase.

Ramadan Muja nuk e deklaron pasurinë

0

Agjencia Kundër Korrupsionit, gjatë ditës së sotme, ka publikuar regjistrat e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë, këtë vit deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë kanë pasur për obligim ta bëjnë 4200 zyrtarë, kurse deklarimin e kanë bërë vetëm 4125 prej tyre, ose shprehur në përqindje rreth 98,3%.

Në mesin e tyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë edhe pesë kryetarë të komunave që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, transmeton zeri.info.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk figuron në listën e deklarimit të pasurisë, po ashtu as kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, nuk është në mesin e atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

Të njëjtën gjë nuk e ka bërë as kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ai i Dragashit, Salim Januzi, si dhe kreu i Rahovecit, Idriz Vehapi, përcjell “Zëri”.

Koalicioni forcon zaptimin

0

Qeverisja Mustafa, rrugës së ish-qeverisë “Thaçi 1 e 2”

Deputeti Salihaj: “Nuk mund të qeverisësh me të këqijtë e të thuash po qeverisi mirë”

“Ky koalicion po e mbron status kuon me shprehitë e tyre të vjetra, që tregohet me vetë faktin se nuk kemi pasur aktakuza të ndonjë rasti korruptiv të profilit të lartë prej kur e kanë marrë pushtetin. Të dy partitë mos të harrojmë se edhe në koalicionin PDK-LDK 2007-2010 kanë filluar ta zaptojnë dhe shtrijnë ndikimin në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha Ariana Qosaj-Mustafa nga KIPRED-i

Për 6 muaj të qeverisjes Mustafa në koalicion me PDK-në, akoma nuk është parë asnjë sinjal serioz se ekzekutivi i ri do të ketë një qasje më të mirë, të ndryshme nga qeverisja e keqe, e inkriminuar që e ka instaluar PDK-ja në mandatin ‘Thaçi 1 dhe 2’. Tanimë kjo është një bindje edhe te zyrtarët e LDK-së, që dikur i besuan Isa Mustafës në premtimet se do të qeverisë me duar të pastra.

“Unë nuk shoh mundësi që seriozisht të ndryshojë mënyra e qeverisjes dhe çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit, kur e gjithë struktura e kriminalizuar dhe e korruptuar është aty brenda. E palogjikshme është që krimi, korrupsioni dhe keqqeverisja të çrrënjosen kur i ke të gjitha këto brenda dhe këta aktorë i trajton si partnerë në qeverisje. Prandaj edhe nuk vërejmë asnjë përpjekje për luftimin e krimit dhe korrupsionit, pothuajse është ruajtur status-kuoja në këtë aspekt”, tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj për ‘Kosova Sot’. Ai ka pohuar se nisur nga këto fakte edhe e ka kundërshtuar ashpër që nga fillimi këtë koalicion. “Nuk mund të qeverisësh me të këqijtë e të thuash po qeverisi mirë”, tha Adem Salihaj për ‘Kosova Sot’…

Sot hapet Panairi i Librit

0

Panairi i 17-të i Librit do të hapet sot në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Në panairin i cili do të zgjasë deri më 7 qershor pritet të marrin pjesë rreth 100 botues.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar dhe fizionomi të arrirë, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit e 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli tha se gjithçka është gati për 2 qershorin, kur edhe do të jetë hapja e Panairit të 17-të më radhë të librit.

SHBK-ja po ashtu ka paraparë darkën solemne më 6 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital si dhe shpallet: shkrimtari i vitit (letërsi shqipe), shkrimtari i vitit (letërsi e huaj), stenda më e vizituar.

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 2 qershor, në orën 18. Panairi do të mbyllet më 7 qershor, në orën 18:00. Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj është rreth 1.100. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 4.000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

12 vjet në Kosovë: një shikim prapa shumë personal

0

Walter Happel SJ

Atij, të cilit i është dedikuar kjo e vërtetë politike, nuk do të duhej ta lexonte, pasiqë ai vetëm do të nevrikoset. Sigurisht që nuk do të jem politikisht korrekt, por do të marr guximin e sinqertë, që pas dymbëdhjetë vjetësh në Kosovë të shikoj prapa dhe të mundohem ta them mendimin tim për të gjitha përjetimet dhe ato që kam parë këtu.

Pompat e shumta të karburanteve në Kosovë, në fillim ishin diçka e re për mua, të cilat nuk i ndante një kilometër nga njëra-tjetra. Të bashkuara me to ishin edhe motelet e shumta, të cilat në të shumtën e rasteve kishin një lidhje me këto pompa të karburanteve. Ndërkohë më ranë në sy edhe sallonet e mëdha të lojërave, bashkë me banditët e tyre të armatosur. Por kjo tanimë nuk më habit. Pastrimi i të hollave po duket që është diçka e vetëkuptueshme këtu, sikur lindja e diellit në mëngjes dhe perëndimi i tij në mbrëmje. Organet e shtetit ose nuk e kanë fuqinë, ose nuk kanë interes për t’i ndjekur dhe sqaruar këto raste. Po përse do t’u duhej kjo atyre? UNMIK-u dhe tani edhe EULEX-i dhe organizatat tjera, duket qartë që kanë hequr dorë nga kjo gjendje në vend. Për të thënë edhe më keq, ata kanë aranzhuar me ata, të cilët po përfitojnë nga situata e tanishme, që të mos kenë telashe me kapjen e trenit të fundit të tyre për kthim. Në fund të fundit ata janë aty për të siguruar një safe and secure environment. Kryesorja është që atyre po ju shkon përdore çështja, por se si e bëjnë këtë, nuk është shumë e rëndësishme.

Një pyetje, e cila më është shtruar shumë shpesh në të kaluarën dhe e cila edhe sot parashtrohet shpesh, ka të bëjë me atë nëse ka ndryshuar diçka gjatë kohës së qëndrimit tim në Kosovë. Natyrisht që ka ndryshuar shumëçka. Rrugës për në Prishtinë nuk më ndalin për kontroll forcat ushtarake të KFOR-it. Rruga nga Prizreni për në Prishtinë tanimë nuk zgjat më shumë se një orë. Anës rrugës për në Suharekë nuk gjindet tanimë vetëm një mobileri,por një duzinë sosh. Rrugët kanë shumë më pak gropa. Tanimë secili qytet i madh në Kosovë e ka një universitet dhe “Qendrat e përsosmërisë”, të ashtuquajtura ndërtesa të shkollave profesionale si dhe shumë shtëpi të ndërtuara, e shpesh të papërfunduara dhe të pa lyera, të cilat nuk janë më pak për t’u vënë re, sesa dyqanet e mëdha në rritje. Poashtu ndikimi ndërkombëtar, përmes UNMIK-ut, KFOR-it, EULEX-it, ambasadave të shteteve mike, Shoqërisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe shumë organizatave joqeveritare (NGO), tregon padyshim një ndikim, por sipërfaqësor. Një demokraci e shfrenuar, joefikase, si një zonjushë e lindur, me një burokraci që kërkon shumë dhe që natyrisht vetëm vjel mundohet të shfaq sikur ka një strukturë të rregullt administrative. Sigurisht që janë bërë ndryshime, përmes donatorëve, programeve nga jashtë, angazhimit të Caritas-it dhe NGO-ve të lartpërmendura. Por këto ndryshime pak a shumë janë detyruar të bëhen nga jashtë, përpara nuk ka shkuar asgjë. Një ndryshim i vërtetë dhe thelbësor nuk është bërë. Është administruar shumë mirë, por nuk është formësuar gjë. Ndryshimet janë pranuar në mënyrë pasive. Aty ku ka pasur hapësirë të lirë, pothuajse nuk është lëvizur fare. Kështu është gjetur një rehati në shërbimet që i janë kryer njeriut nga të tjerët, dhe aty ku ai ka mundur të shërbehet edhe vet në llogari të tjetrit, apo në llogari të përgjithshme. Ashtu si aktor i pafajshëm në dukje, njeriu nuk përfshihej në procese, dhe gjithashtu nuk ndiente obligime për asgjë.

Pasiviteti ka qëndruar në vend dhe gjithashtu edhe në të mirat materiale të jetës nuk ka ndryshuar asgjë thelbësisht. Ende nuk ka një furnizim të garantuar me ujë dhe rrymë, poashtu nuk ka ndonjë sistem funksional shëndetësor. Sistemi arsimor është jashtëzakonisht i mangët, përfundimi, apo më mirë me thënë diplomimi në këtë sistem arsimor shpeshherë mund të blehet dhe nuk merret aq serioz. Kështu do të mund t’u besohej etiketave me të cilat dekorohen këto institucione, por në të vërtetë dihet që nuk bëhet asgjë. Këtu titujt dhe pozitat janë shumë të rëndësishëm për syrin e jashtëm, ndërsa ajo që fshihet pas tyre nuk përmban atë që duhet. Vepër e kotë dhe thjesht më shumë dukje, sesa vlerë e vërtetë. Kryesore është që me këtë garantohet hise në fuqi, të holla dhe ndikim. Përderisa secili bëhet pjesë e lojës, e gjitha funksionon vetëm mjaftueshëm, edhe nëse njeriu vet nga brendia i qëndron kësaj në distancë dhe nuk i beson kësaj loje. Kështu mbetet mosbesimi si qëndrim i sigurtë dhe distancë e çfarëdo autoriteti dhe rasti normal. Për këtë edhe mungon besimi për t’i dhënë kredi shtetit. Ky nocion ka ardhur nga latinishtja credere, që do të thotë besoj, mirëbesoj. Që kjo mosdashje ekziston, nuk është çudi, pasiqë shteti me insitucionet po përjetohet vetëm si vjelës. Ai vetëm kërkon dhe mezi siguron minimumin e kujdesit shtetëror, siç edhe u cek më lart me shembullin e mungesës së furnizimit me ujë dhe rrymë ose kujdesit të mirëfilltë shëndetësor. Qytetari, për shembull, përjeton nga njëra anë kontrollin e tëpërt me radarë nga ana e policisë, ndërsa në anën tjetër, ajo nuk merret me rastet kriminale. Ai paguan taksat për provimet e shtetit, që të mund të ketë qasje të pakualifikuar për studime në universitet, sheh një dhënie të harlisur nga ana e instucioneve njerëzve të grupacionit të njëjtë politik dhe kështu shteti përjetohet si një kleptokraci e korruptuar. Ku mund të gjindet këtu besimi? Por pa besim nuk është e mundur të bëhen kthesa dhe me këtë edhe progrese, qofshin ato vetanake apo si komunitet, nuk pritet angazhim dhe gjithashtu edhe shpresa nuk duket gjëkundi.

Por prej nga e krijon njeriu vetëbesimin e tij, për çka është krenar, a guxohet t’i jepet të drejtë? Pasiqë e vërteta e tanishme nuk premton shumë, shpesh duhet të shërbehemi me të vërtetën e supozuar historike. Njëra nga to është numri i 50.000 veteranëve të regjistruar të UÇK-së, në një popullatë me rreth 1.8 milon banorë, numër madhështor. Kështu secili kosovar mund të ndihet krenar që ka në familje një veteran. Por është e turpshme kur ky veteran instrumentalizohet, për shembull pa e kryer shkollën e mesme e regjistron universitetin. Për këtë nuk e kanë rrezikuar dhe dhënë jetën e tyre pjesëtarët e UÇK-së! Për mua nuk është edhe shumë më i mirë aluzioni i të qenit pasardhës i ilirëve. Kjo mund të jetë e sigurtë apo jo, por sigurisht që nuk është një arritshmëri, për të cilën njeriu do të duhej të ndihej krenar. Në fund të fundit këtë nuk e kemi bërë ne. Apo do të duhej që aluzioni i të qenit ilir të kthehej në titull ligjor? Absurd! Nëse nisemi nga kjo, atëherë duhet të mendohet se kujt i takojnë SHBA-të. Amerikanëve të tanishëm- sigurisht që jo. Do të jetë vështirë me vetëbesimin e autorizuar, përderisa njeriu nuk është i gatshëm të japë kontributin e tij vetanak përmes arritshmërisë.

Megjithë premtimet e shumta nga ana e shumicës së njerëzve, siç po duket ndryshimet nuk janë shumë të dëshiruara. Kështu vit për vit në testin pranues në Gjimnazin Loyola po lajmërohen më shumë djem se vajza. Në arsimimin e vajzave po duket qartë që nuk po investohen të holla pa pasur nevojë për t’i investuar ato dikund tjetër. Kjo lejohet të vazhdohet kështu, siç edhe ishte më parë dhe pa projektuar diçka të re. A nuk po duket me këtë qartë që vajzat dhe gratë po konsiderohen si njerëz të rendit të dytë dhe nuk do të duhej të ndryshohet gjendja e tyre? Që po hiqet dorë pa nevojë e në mënyrë tendecioze nga zhvillimi i vendit përmes jokontributit të gjysmës së popullatës, pra gjysmës femërore, duket që nuk vihet re. Në vendet e zhvilluara të botës besohet me të drejtë, që këto lloje të zhdukjeve të resurseve njerëzore nuk janë të përballueshme, sepse përndryshe të mirat e përgjithshme nuk do të ishin në gjendje t’u mjaftonin të gjithëve.
Pasiviteti në vend po gjen vendin e tij. Po mungon guximi për të ndërmarr inisiativa në besimin për të ardhmen. Rreziku dhe ndryshimet po duken si kërcënuese, ekzistuesja është kundër ndryshimit të kohës. Të mësuarit përmendësh, që është traditë e të parëve, duket që mjafton. Të menduarit gati që nuk duhet, pranimi i saj që mendohet nga të vjetrit duket që mjafton. Kështu luhet me të ardhmen, bllokohet zhvillimi, garantohet varfëria.

A është vërtet kaq keq? Po, sigurisht që po, është kaq keq dhe në asnjë mënyrë nuk është që nuk shihet nga shumë të tjerë. Sigurisht që është përceptuar, dhe njerëzit shpërthejnë me sqarime, të cilat nganjëherë edhe qëndrojnë si të vërteta. Këto sqarime e kanë njërën të përbashkët dhe këtë në një pikë kohore: njeriu vet nuk është fajtor, ishin apo janë ende të tjerët fajtorë. Osmanët dhe serbët dhe UNMIK-u dhe dhe, dhe… por ai i cili ia drejton gishtin tjetrit, ia ka drejtuar tre të tjerë vetvetes! Kështu sillen njerëzit, të cilët vetëm thonë Ti dhe nuk janë të gatshëm të veprojnë të pavarur dhe të lirë për të thënëUnë, për të qenë i gatshëm për përgjegjësitë ndaj së ardhmes.

Një fjalë e urtë gjermane thotë: “Kur njeh rrezikun, veç e ke izoluar atë”. Me këtë dua të them: Kush ka aftësinë të njohë një rrezik, ai e ka mundësinë të gjejë mjete dhe rrugë për ta evituar atë, por vetëm nëse ai do. Çka do të ishin këto rrugë dhe mjete? Këtu para së gjithash do ta merrja rininë, e cila me shpresë nuk është e gatshme për të vazhduar kështu më tutje sikurse deri më tani. Një rini, e cila refuzon vet arsyetimet, sqarimet e shfajësimet e panevojshme. Rinia e Kosovës është edhe shpresa e saj. Më shumë se gjysma e popullatës së Kosovës është nën moshën 25 vjeçare. Është shumë e rëndësishme që kjo gjeneratë të mos rritet në një atmosferë pa perspektivë, kufizime, ndarje dhe urrejtje. Kësaj rinie i nevojitet një shansë për shpalosjen e shpirtit të mirëkuptimit, të kujdesit dhe të respektit. Asaj i duhet një arsimim sipas pikëpamjeve evropiane. Arsimimi këtu është fjalë çelës, sepse pa një arsimim të mirëfilltë, të cilit mund t’i besosh, nuk ka as të ardhme. Rinia duhet të edukohet në atë formë që nga ajo të dalin njerëz që mendojnë, që të mund të dalë në pah kreativiteti. Kjo kërkon ndoshta një grindje kritike me rrymat shpirtërore dhe atë në histori dhe në të tashmen. Nevojitet edukimi për besim dhe respekt të secilit njeri. Kjo prapë kërkon gatishmëri për rrezikim, pasiqë braktisja e diçkaje dhe marrja e tjetrës në vend të saj, me gjasë sjell edhe rreziqe. Por duhet t’u hyhet rreziqeve, sepse rreziku më i madh është të mos i hyhet rrezikut fare.

Këto do të ishin idetë qendrore të një arsimimi të orientuar në të ardhmen, e cila do të orientohej në ndryshim. Ndryshim, të cilit i nevojitet vendimi im i lirë, të qenurit aktiv nga ana ime dhe formësimi im. Por idetë qendrore nuk mjaftojnë. Ato duhet të bazohen në dijen solide, në njohuritë e historisë, grindjet kritike me të tashmen dhe planifikimet e menduara mirë për të ardhmen. Ëndërrat mund të jenë dobiprurëse, por këtu nuk ka të bëjë me ëndërra, ka të bëj me të qenurit aktiv. Prindërit dhe mësuesit duhet të ndihmojnë në udhëzime, shoqërim dhe guxim, për të mos qenë i kënaqur vetëm me atë që është arritur një herë. Individi duhet të jetë masa e të gjitha gjërave. Duhet të zbulohen prirjet dhe aftësitë e tij, ashtu sikurse që ato duhet të ndihmohen dhe të ushtrohen. Vetëm kështu mund të aftësohen të rinjtë, për të qenë të suksesshëm për vete, për të qenë të lumtur përmes ndryshimit, kjo do të thotë: të jetë akter i së ardhmes së vet, të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka në shoqëri dhe të bashkëveprojë në formësimin pozitiv.

Shteti pashmangshëm duhet të vendosë, qëprioriteti numër një të jetë investimi në arsimim. Por kjo do të ndodhte vetëm atëherë, nëse në vend të betonit do të investohej në kokat e njerëzve, do të thotë: investimet duhet t’i kthehen nxënësit, e jo ndërtesave të shkollave. Unë jam i bindur që nga kjo Kosova e ka të ardhmen e saj, një të ardhme ndryshe nga ajo që po duket sot. Shikimi prapa në kontributin që kam dhënë për këtë të ardhme në arsimimin dhe formësimin profesional të kosovarëve të rinj në Gjimnazin Loyola më bën të kënaqur. Përzemërsia dhe miqësia e kosovarëve më ka lehtësuar shumë punë dhe më ka dëmshpërblyer. Sigurisht që diçka ndoshta ishte dashur të bëhej ndryshe ose më mirë, por megjithatë është dhënë një kontribut. Sigurisht që Gjimnazi Loyola edhe në të ardhmen do të vazhdojë me kontribute të mëtutjeshme, gjithnjë sipas fjalëve të Goethes në veprën Wilhelm Meisters Wanderjahren III: “Nuk mjafton vetëm të dish, duhet të dish ta përdorësh dijen; nuk mjafton vetëm të duash, duhet edhe të veprosh.”

Walter Happel SJ
Loyola- Gymnasium

Sulmon shokun e dhomës pasi gjeti peshqirin e ndotur

0

Një njeri nga Florida do të dënohet me burg ose me 100.00 dollarë pasi sulmoi shokun e tij të dhomës me një prerës kutish.

Deri te sulmi kishte ardhur pasi sulmuesi, John Herrick kishte gjetur peshqirin jo të pastër në banjon e tyre, raporton Sun-Sentinel.com, transmeton Klan Kosova.

54 vjecari, Herrick u arrestua të enjten natën pasi policia në Cape Coral, Florida, mori një telefonatë nga një fqinj i cili u ankua për një argument të nxehtë mes dy meshkujve.

“Unë isha duke shkuar në park dhe kalova pranë shtëpisë se tyre kur pashë grindjen e tyre” tha fqinji Peter Sherwin.

“Një djalë mbante një shkop të shumë të madh” vazhdoi ai.

Hetuesit thanë se Herrick ishte i dehur kur ai dhe shoku i tij ishin grindur për peshqirin e ndotur në banjon e tyre.

Herrick kishte prerë këmbët e shokut të dhomës,i cili u dërgua menjëherë në spital dhe u hospitalizua gjatë natës.

Sulmuesi mbetet akoma në burg. /klankosova/

Sejdiu: Isa Mustafa e ka kapur LDK-në

0

Kuvendi i tetë zgjedhor i LDK-së, i mbajtur të dielën nuk ka lënë një shije të mirë. Sipas ish-kryetarit të kësaj partie Fatmir Sejdiu, janë shumë elemente që e cënojne traditën e saj, shpirtin e saj, demokracinë e instaluar dhe kultivuar nga ajo.

“Në një situatë të tillë, ka marrë një goditje me kundërshtitë e zëshme nuk është një rrugë që sjell rezultate” – ka thënë Sejdiu në emisionin “Zona B” të Klan Kosovës.

Ai ndër të tjera theksoi se me vdekjen e presidentit Rugova, është instaluar një mënyrë e tillë e votimit. Sipas tij ekipi e njerëzve bashkë me kryetarin Mustafa kanë kapur LDK-në duke pamundësuar shprehjen e lirë.

Sejdiu tha se ka qenë nga njerëzit e parë në LDK që ka dhënë alarmin për këtë natyrë të veprimeve, që personat e tillë kanë instaluar një logjikë të survejimit që të kontrollohet vullneti i anëtarëve të partisë.

Lindja e Afërt në flakë

0

Faik MIFTARI

Dekada e dytë e shekullit XXI-të do të mbetet e shënuar në histori, si periudhë kohore në të cilin Lindja e Afërt është përfshirë në flakën e luftës si kurrë më parë. Afganistani, Iraku, Siria, Libia, Jemeni janë në luftë klasike, e kohëpaskohe konflikte apo aksione tjera luftarake po ndodhin edhe në Egjipt, Tunizi, Liban, Palestinë, Bahrejn, Pakistan etj. Shkaqet mund të jenë të shumta për këtë periudhë në të cilin po kalon Lindja e Afërt, por janë katër shkaqe themelore sipas meje të cilët e kanë shkaktuar një gjendje kaotike të tillë . E para, rivaliteti gjeopolitik në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në njërën anë dhe të Rusisë e Kinës në anën tjetër, e dyta, mbrojtja dhe siguria e Izraelit, e treta, lufta për kontroll dhe eksploatim të resurseve energjetike të Lindjes së Afërt, naftës dhe gazit, dhe e katërta lufta sektare në kulminacion në mes doktrinës sektare sunite dhe shiite në botën islame.

E para, rivaliteti gjeopolitik pikësëpari në mes SHBA-ve dhe Rusisë për Lindjen e Afërt daton që nga periudha e pas Luftës së dytë botërore, apo e ashtuquajtur Lufta e Ftohtë, e cila që tani në fillim të shekullit XXI pas këndelljes së Rusisë, e cila fuqishëm po rikthehet në botë me angazhimin e saj në përgjithësi, e në Lindjen e Afërt në veçanti, kemi një rivalitet të dukshëm në mes këtyre dy fuqive për ruajtjen e statusit të gjertanishëm apo edhe të zgjerimit gjeopolitik në Lindjen e Afërt.

Rivaliteti i tyre shkon në atë drejtim, që SHBA-ja e përkrahur nga Bashkimi Evropian , dëshiron të ruaj botën unipolare, ndërsa të kundërtën e saj Rusia e përkrahur edhe nga Kina dëshiron që bota të jetë multipolare, në të cilin nuk do të dominojnë vetëm SHBA-ja e përkrahur nga Bashkimi Evropiane, por si fuqi dhe me forcën në rritje që kanë, duan edhe ata, Rusia dhe Kina, të kenë fjalën e tyre në këtë botë të re multipolare. Kjo më së miri shihet që nga fillimi i ashtuquajtur pranverës arabe, edhe pse në fillim ishte një lëvizje me qëllim të demokratizimit të vendeve arabe, kjo shumë shpejtë devijoi nga rruga e saj primare, për shkak të ndërhyrjes së fuqive kryesore, SHBA-së dhe Rusisë, për të ruajtur apo edhe zgjeruar pozitat e tyre gjeopolitike në dëm të njërës apo tjetrës palë. Kjo u theksua çartë në Egjipt, Libi, e posaçërisht në Siri dhe Irak. Edhe pse Rusia i ofroi përkrahje kolonel Gadafit, kryetarit libian, për të i ndihmuar në luftë kundër kryengritësve e pastaj edhe sulmeve ajrore të NATO-së, Gadafi e refuzoi atë duke menduar se me forcat e veta do të arrijë të ruaj pozitën e vet, e me këtë shkurtëpamësinë, ai e pagoi me jetën e vet.

Përkundër Libisë, Siria hyri në vitin e pestë të luftës së saj civile, por kryetari sirian Asadi akoma është duke rezistuar, edhe pse tani me vështirësi të madhe, pikërisht për shkak të përkrahjes që ka nga Rusia. Tani edhe Iraku po shkon në atë drejtim duke kërkuar përkrahje edhe nga Rusia në luftën kundër” ISIS-it”(i ashtuquajtur shtet islamik i Irakut dhe Sirisë). Në shtator të vitit 2013, pas sulmeve me helme kimike, me ç’rast kryetari amerikan Barack Obama ishte i gatshëm të sulmojë Sirinë, ndërhyri Putini duke kërcënur haptas se do të mbrojë Sirinë, pas së cilës kryetari amerikan Barack Obama u zmbraps. Pikërisht këtu kemi të bëjmë me lojën e madhe gjeopolike klasike në mes dy fuqive të mëdha, asaj të SHBA-ve dhe Rusisë.
E dyta, është mbrojtja dhe siguria e Izraelit nga vendet fqinje të rajonit të Lindjes së Afërt.

Që nga shpallja e pavarësisë së Izraelit në vitin 1948, Izraeli ka zhvilluar disa luftëra, në vitin 1948,1967, 1973, 1982, me shtetet arabe përreth, me Egjiptin, Sirinë, Jordaninë, Libanin, e të mos flasim për luftërat e t’ia të shpeshta me palestinezët në Gazë dhe Bregun Perëndimor, që akoma po zhvillohen, sikurse ajo e fundit e verës së vitit 2014, lufta 50 ditëshe në Gazë. Duke ditur se për një periudhë afatgjate nuk do të mund të dalë përball të gjitha shteteve arabe përreth, pas periudhës tridhjetëvjeçare, arriti marrëveshje paqësore në Kemp Dejvid me Egjiptin në vitin 1977, të njëjtën gjë pas një kohe në vitin 1984 arriti marrëveshje paqësore edhe me Jordaninë. Pas përpjekjeve të t’ia të shumta për të arritur marrëveshje me Sirinë, këtë nuk e arriti, pasi që Bashar al Asadi nuk qe i gatshëm për këtë gjë, pasi që nuk dëshironte të braktisi palestinezët.

E Izraeli pas luftës së vitit 2006 me Hezbollahun në Liban, për herë të parë që nga viti 1948 pas luftës 33 ditëshe u detyrua të tërhiqet nga Libani, e kjo luftë nga analistët ushtarak të huaj u cilësua si disfata e parë e Izraelit në luftë me Hezbollahun e Libanit. Pas kësaj, përpjekjet e Izraelit u drejtuan kah Siria, pasi që me rënien e Sirisë, atëherë automatikisht bien përkrahja edhe për Hezbollahun në Liban. Për këtë arsye tani edhe lufta e Sirisë akoma po zgjat, dhe se nuk dihet kur do të përfundojë. Prapavija e vërtet e luftës civile në Siri është këputja e boshtit të rezistencës Teheran, Damask, Hezbollah, Hamas. Kjo shihet çartë edhe nga deklarata e dhënë para ca ditësh e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahut “ se për neve Irani është më i rrezikshëm 1000 herë se sa ISIS-i”. Është indikative gjersa përkrahës kryesor deri në vitin 1977 për çështjen e kauzës palestineze ishte Egjipti, pas ngadhënjimit të revolucionit islamik të Iranit, tani përkrahës kryesor i çështjes palestineze u bë Irani, i cili e zëvendësoi Egjiptin i cili nga roli i tij i mëparshëm të përkrahësit dhe mbështetësit kryesor të rezistencës palestineze, tani u bë pengues kryesor i palestinezëve të ngujuar në Gazë, pasi që tani plot 7 muaj e ka mbyllur të vetmin vendkalim kufitar të Rafahut në Gazë dhe se gjatë pesë muajve të fundit i ka shkatërruar afër 500 tunele nëntokësore ilegale nëpërmjet të cilës furnizohej Gaza me produkte ushqimore dhe të tjera. Boshti i rezistencës i përbërë nga Irani, Siria, Hezbollahu dhe Hamasi, tani i përforcuar edhe me qeverinë e Irakut dhe Ensarullahin në Jemen është vija kryesore mbështetëse e kauzës dhe rezistencës palestineze, dhe kjo është që e shqetëson Izraelin dhe e bën të pasigurt mbrojtjen dhe sigurinë afatgjate të Izraelit.
E treta, është kontrollit i rrjedhave të naftës dhe gazit në Lindjen e Afërt, si dhe shfrytëzimi i resurseve të pasura energjetike në Lindjen e Afërt. Dihet se Arabia Saudite, Irani dhe Iraku llogariten si tri shtete me rezerva më të mëdha të naftës në Lindjen e Afërt, krahas shteteve tjera të vogla të Gjirit Persik sikurse që janë Kuvajti, Katari, Emiratet, Bahrejni dhe Omani me sasi të konsiderueshme të naftës.

Tani, edhe prapavija e luftës së Jemenit, del se është për çështjen e naftës, pasi që gjer tani Jemeni ka qenë shteti më i varfër arab, me një sasi të papërfillshme të naftës, me hulumtimet e reja janë gjetur sasi të mëdha të naftës edhe në Jemen, e cila në një të ardhme të afërt do ta bëjë atë eksportuese me zë të naftës, pikërisht për këtë arsye Arabia Saudite përpiqet me agresionin e saj me sulme ajrore në Jemen, që të ruaj pozitën dhe ndikimin e saj në Jemen që e ka pas gjer tani, pas gjendjes së re të krijuar, me paraqitjen në skenë të Lëvizjes së Ensarullahut në Jemen. Përveç naftës, kohët e fundit janë gjetur kapacitete të mëdha edhe të gazit, sidomos në Iran dhe Katar, dhe se tani të dyja po përpiqen që të ndërtojnë rrjedhat e tyre të gazit për transportin e gazit të tyre drejt brigjeve të detit Mesdhe. Ndoshta edhe prapavija e vërtet e luftës në Siri dhe Irak qëndron pikërisht edhe për këtë arsye, në rast se jo, primare, atëherë me siguri, sekondare. Irani dëshiron që nëpërmjet Irakut dhe Sirisë të ndërtojë rrjedhën e tij të gazit drejt brigjeve të detit Mesdhe, e më tutje në Evropë. Katari do nëpërmjet Arabisë Saudite, Irakut apo ndoshta edhe Jordanisë, nëpërmjet Sirisë të ndërtojë rrjedhën e tij të gazit drejt brigjeve të detit Mesdhe e më tutje në Evropë.

E katërta, është lufta sektare në mes sunitëve dhe shiitëve e cila është në kulminacion në Lindjen e Afërt. Atë që Evropa e ka tejkaluar para 400 vitesh, luftën sektare në mes protestantëve dhe katolikëve, luftë 30 vjeçare e cila nisi në viti 1618 dhe përfundoi në vitin 1648 me Paqen e Vestfalisë, tani bota islame në përgjithësi, e bota arabe në veçanti, po përballet me të madhe në luftën e tyre sektare në mes vete, dhe se vetëm një Zot e di se kur do të përfundojë. Duke ditur se për të realizuar qëllimet e tyre gjeopolitike, gjeostrategjike, kontrollit të rrjedhave të resurseve energjetike të pasura me naftë dhe gaz në Lindjen e Afërt, mjeti më i qëlluar është pikërisht lufta sektare në mes myslimanëve sunit dhe shiit. Duke ditur se bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti si rrjedhojë e injorancës, arsimimit të ultë, mos përfilljes të logjikës së mendimit, nivelit të ultë të dijes në përgjithësi, mos pasjes vend kritikës së mirëfilltë për të gjitha dukurit çfarëdo çofshin ato, politike, ekonomike, shkencore, fetare, kulturore, shoqërore në përgjithësi kemi edhe situatën e tillë të luftës sektare në mes myslimanëve. Kulminacion i luftës sektare, që logjika e shëndoshë e qenies njerëzore në përgjithësi, nuk mund atë të perceptoj, të kuptojë, ta logjikojë, është hedhja vetëvrasëse e myslimaneve nëpër xhamitë gjatë faljes së namazit të xhumasë apo të ndonjë namazi tjetër.

Ky veprim i tillë, si shembull e mora këtë, por ka edhe plot raste tjera tmerruese që ndodhin për momentin në botën islame në përgjithësi e botën arabe në veçanti, nuk është e çartë assesi në bazë të cilit parim atë mund të argumentojnë, të miratojnë, të veprojnë, pasi që një gjë e tillë lere që nuk qëndron as në shpalljen hyjnore në Kur’an, por as në traditën e profetit Muhamed. Kush do që thirret apo e arsyeton një gjë të tillë, çoftë ai udhëheqës politik apo fetar, me siguri se për këtë nëse nuk do të arrijë të jep përgjegjësi në këtë botë, është e sigurt se në botën tjetër përgjegjësisë së tillë nuk do të mund të ik nga Krijuesi Fuqiplotë.

Do të përfundojë këtë vështrim, me thënien profetike të profetit tonë të dashur Muhamed, të deklaruar para plot 14 shekujve, e që e përshkruan realitetin nëpër të cilin po kalon tani bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti: “Para kiametit do të paraqiten shumë vrasje, por jo vrasje të pa besimtarëve, por vrasje në mes pasuesve të mijë, kështu që personi do të takojë vëllaun e vet dhe do ta vras. Nga shumica e njerëzve në atë kohë do të ngrihet mendja(logjika), do të pasohen ata që janë mendjelehtë, dhe shumica do të mendojnë se janë me të drejtën, ndërsa ata nuk do të jenë me të drejtën”.

“Rebelohet” Hashim Thaçi

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është rebeluar keq të premten e kaluar me atë që i ndodhi në Kuvend- për shkak të mungesës së numrave për ta kaluar projektligjin për themelimin e Gjykatës Speciale. Ishin më shumë se 10 deputetë të PDK-së që paralajmëruan se nuk do ta votojnë këtë projektligj, çka bëri që pastaj kjo çështje të shtyhet për një seancë tjetër.

Madje, mënyra se si u shty kjo seancë ishte shumë qesharake. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci kishte kërkuar që kjo çështje të shtyhet për një ditë tjetër, për faktin se tek amendamentet e këtij projektligji sapo kishin ardhur nga Brukseli, dhe kësisoj nevojitet kohë derisa të përkthehen.

Mirëpo, siç mëson Gazeta Blic kjo gjë ka ndodhur për shkak se PDK nuk i kishte numrat. Sidomos vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku i dënoj me dhjetëra vjet burg të akuzuarit në të ashtuquajturin rasti “Drenica”, bëri që shumë deputetë të PDK-së të paralajmërojnë votën kundër.

Këto ndodhi, e rebeluan teje mase kreun e PDK-së, Hashim Thaçin, i cili të premten i mblodhi disa nga këta deputetë, ku u tregua shumë i ashpër me ta.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda PDK-së. Sipas këtyre burimeve, Hashim Thaçi me tone të ashpra kërkoi nga një pjesë e këtyre deputetëve që ta votojnë Gjykatën Speciale.

“Në një moment Hashim Thaçi eskaloi dhe ishte shumë i ashpër në komunikim. Ua bëri të qartë që Gjykata Speciale duhet të votohet. Duhet ta votoni dhe pikë”, tha ky burim.

Sipas këtyre burimeve, madje njërit prej deputetëve që edhe po lobon që të votohet kundër i ishte drejtuar me fjalët se: “kush po mendon se je”.

“Ishte një takim mjaft i tensionuar”, tha ky burim.

Megjithatë, duket se as Hashim Thaçi e as Kadri Veseli nuk po mund të arrijnë t’i bindin deputetët e partisë së tyre që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale.

Zyrtarisht askush nga PDK nuk ka dashur që të flas në lidhje me këtë takim.

I vetmi që ishte deklaruar javën e kaluar, ishte Adem Grabovci, i cili e kishte bërë shumë të thjeshtë kalimin në Kuvend të këtij projektligji. “Nesër është e xhuma dhe do ta falim”, kishte ironizuar ai me gazetarët, kur u pyet se a i ka koalicioni numrat për ta votuar Gjykatën Speciale.

Ndërkohë, sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, dhe nuk është caktuar seanca për kur do të votohej projektligji për themelimin e Gjykatës Speciale. Në seancën e rregullt të së enjtes, Hashim Thaçi do të raportoj për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, ku tha se nuk ka konflikt procedural që edhe ndryshimet kushtetuese edhe projektligji për dhomat e veçanta te speciale.
“Qeveria e Kosovës duhet ta procedoj ligjin në Kuvend dhe pastaj komisionet tek ne dhe më pas e dërgojmë në seancë”, ka thënë ai.

Haxhi Shala nga Nisma për Kosovën tha se pozita nuk i ka votat për specialen për atë edhe u shty seanca për specialen.

“Ne si Nismë nuk kemi presion për ta votuar specialen pasi me kohë e kemi bërë të ditur se nuk do ta votojmë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Nait Hasani, Fadil Demaku, Ganimete Musliu janë deputetët që në vazhdimësi kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë gjykatë.

Mirëpo, pas dënimit të grupit Drenica nga ana e EULEX-it, është rritur numri i të pakënaqurve që janë kundër themelimit të kësaj gjykate.

Mediet kanë raportuar se janë hiq më pak se 11 deputetë nga kjo parti që të premten kundërshtuan gjykatën, e ata janë: Ganimete Musliu, Rafet Rama, Xhevahire Izmaku, Blerta Deliu-Kodra, Bekim Haxhiu, Nuredin Lushtaku, Sala Berisha-Shala, Fadil Beka, Fadil Demaku, Nait Hasani, Raif Qela./ Gazeta Blic

Haxhi Avdyli: S’pendohem që e propozova Vjosa Osmanin për kryetare (Video)

0

Haxhi Avdyli, kryetar i degës së LDK-së në Prizren, i ftuar në emisionin “Rrokum Rroll’ me Fidan Jupollin, në Televizioni Rrokum, ka theksuar se propozimi i Vjosa Osmanit për kryetare të LDK-së ka qenë privilegj, duke shtuar se ai e ka marrë përkrahjen e delegatëve për ta propozuar zonjën Osmani.

Avdyli ka theksuar se është duke ndodhur një reformë gjithandej në LDK, për të shtuar se ka me pasë gjithnjë e më shumë anëtarësi prej njerëzve të rinj e intelektualëve.

Sipas tij, gara i bënë mirë LDK-së, por edhe demokratizimit të saj.

Avdyli ka shtuar se nuk është pishman që e ka propozuar zonjën Osmani, pa marrë parasysh pasojat që mund t’i ketë në të ardhmen brenda partisë.

“Kam vepruar drejt”, ka thënë ai.