18.2 C
Prizren
E mërkurë, 9 Korrik, 2025
Home Blog Page 7067

Zvicerani Behrami dhe kleptokrati Koci

0

Shkruan: Halil Matoshi

Ta akuzosh një të ri me origjinë kosovare që ndihet “më shumë zviceran” se e paskësh pasur gjyshin pjesëtar të sigurimit serb, e ta mallkosh atë në emër të fesë e besë, në emër të atdheut e flamurit, është marrëzi, budallallëk dhe për më tepër porn-folk…

Turrin që kanë marrë kinse tifozeritë shqiptare, duke iu bashkuar etnonacionalizmit, kritiku Ardian Vehbiu e ka quajtur porn-folk.

Ky turr fanatikësh e fantazmash nuk mund të thuhet se na ka zënë n’zgabim, sepse gjatë kohë e kanë kultivuar elitat politike të dyja vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë sfond edhe disa zyrtarë mujshorë kosovarë, që paguhen nga taksapaguesit e Republikës së Kosovës, si puna e Gani Kocit, u bien kot në qafë futbollistëve që janë me origjinë nga Kosova, por që janë rritur, edukuar dhe ndërtuar si të tillë – futbollistë kulmorë – nga shtete të organizuara mirë si Zvicra p.sh., e jo nga shteti i kapur nga çifti i Kocit.

Valon Behrami nuk e ka mohuar asnjëherë prejardhjen e tij.

Mesfushori i Hamburgut e ka origjinën nga një familje emigrantësh nga Kosova, por është rritur në Zvicër.

Ashiqare, ai është mirënjohës si çdo kosovar dhe nuk e harron asnjëherë atë që i ka dhënë shteti helvetik, prandaj edhe zemra e tij është ndarë në dysh dhe bravo i qoftë për këtë.

“Unë ndihem edhe zviceran, edhe kosovar. Mirëpo vajza ime është tashmë një napolitane”, pati thënë Behrami në një intervistë për “Piuenne”, kur ai luante për Napolin.

Së fundmi, ai e mori epitetin e ambasadorit të Kosovës. Për të ky çmim ishte një nder dhe insiston se Kosova ka nevojë për mesazhe pozitive.

Futbollisti i Zvicrës ka thënë se kur ka qenë i ri, nuk ka arritur ta kuptojë dhe vlerësojë peshën e kësaj fanelle dhe domethënien e të qenit zviceran, e që tashti e kupton, prandaj tutje nuk do të festojë për golat duke improvizuar shqiponjën.

Mirëpo këtë deklaratë të zviceranit me origjinë nga Mitrovica e ka baraspeshuar me një tradhti kombëtare zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci.

“Po, ke të drejtë Valon Behrami, se ti axhë e ke Avdi Behramin, një ish-inspektor i lartë i Sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë. Për ty nuk ka fe, atdhe as flamur” – ka shkruar Koci.

Me çfarë të drejte i lejohet një zyrtari të lartë shteti që të gërryejë biografitë e të tjerëve përderisa partia të cilës i takon Koci e ka emëruar Behramin ambasador nderi të Republikës!?

Dhe së dyti, PDK-ja e Kocit, që me shpalljen e Pavarësisë kombëtare më 2008, e pati kundërshtuar forcërisht ligjin e lustrimit të figurave publike!?

Dhe fundja, edhe sikur Valon Behrami të hynte në listat zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, askush normal nuk do ta akuzonte për të bëmat ose të pabëmat e gjyshit të tij, sepse përgjegjësia është individuale.

Mirëpo në mungesë parimesh demokratike, në mungesë të zemrës vërtet të madhe dhe fisnikërisë njerëzore që e shquante shqiptarin kosovar, bastisja e historisë është bërë pasion e profesion i disa eksponentëve stalinistë të Kosovës.

I pari, Valon Behrami, futbollist i Hamburgut dhe i kombëtares zvicerane, nuk i ka marrë asgjë Kosovës, por i ka dhënë emër të mirë.

Pra, imazh.

I dyti, Gani Koci, ish- i burgosur i ndërgjegjes për Republikën e Kosovës, ish- luftëtar i gueriljes kosovare për liri kombëtare dhe Kosovën shtet të pavarur – për disa mandate deputet e zëvendësministër – nga një çlirimtar është kthyer në një urrejtës dhe armik i lirisë së tjetrit/tjerëve (pra, edhe të lirisë së Behramit dhe Behramëve) duke ia marrë Kosovës edhe emrin, edhe fytyrën.

Pra, imazhin.

Koci me vite është zyrtar shteti, i zgjedhur nga partia që e sundon me frikë dhe frikësim Kosovën e mjerë e të vogël, tash e një dekadë.

I pari, Behrami, me paratë e tij të fituara ndershëm në Zvicër e Gjermani, megjithatë kujtohet t’ia ngjitë dorën ndonjë të mbeturi në vendlindjen e prindërve të tij, kurse i dyti tallet kafehaneve të Prishtinës me të mbeturit, duke i parë qytetarët me ngërdheshje si nga një pirg kafkanë, nga majat e pushtetit më mashtrues dhe më hajdut në Evropën e sotme, derisa rrogën e ministrit dhe benefitet e tjera, si ish-deputet, ish- i burgosur dhe veteran i luftës çlirimtare (e merr nga taksapaguesit kosovarë.)

Koci harron se ai dhe partia e tij e kanë votuar në Kuvend Ligjin për simbolet e shtetit – një flamur të shtetit të ri – por që për hir të shqiponjës dykrerëshe, shanë dhe pështynë kosovarët sa herë t’i teket, edhe pse mbahet mirë nga votat dhe paratë e tyre, pa e bërë asnjë hair për ta!?

Prandaj personazhe të tilla hipokrite përditë trashen jo vetëm nga qafa por dhe nga mendja.

Në Ballkanin e mbipopulluar nga amokë e hipokritë ndër fare pak qytetarë të edukuar, sikur janë rilindur marshet luftarake, kinse si hite muzikore, të dedikuara futbollit – por në thelb shfaqen si mësymje agresive – secili kundër secilit, në mungesë politikash normale që i shkojnë për fytyre shekullit 21, shekullit të pajtimit rreth vlerave të përbashkëta evropiane.

Dhe në këtë mësymje etnonacionaliste, e para e punës, dyshoj se i duhen fare Shqipërisë dhe hiç se hiç Kosovës si projekt perëndimor, këngë të tilla turbofolku, kur Republika e Shqipërisë pret në paradhomat e Bashkimit Evropian – si kryeprojekti më i madh perëndimor i të gjitha kohërave – dhe Kosovës që i bie në gjunjë po kësaj BE-je për mëshirë.

Është indikativ fakti se Shqipëria po i rikthehet nacionalizmit për të cilin nga e majta që sot është në pushtet akuzohej me të drejtë Sali Berisha.

Në anën tjetër, projekti evropian bie ndesh me kulturat mujshore që spikasin projekte të shekullit 19 dhe fillimshekullit 20, për “Shqipëri të madhe”, “Shqipëri të bashkuar” etj. Pra, projekti evropian bie ndesh me projeksionet unitariste panshqiptare (sikur me të gjitha Serbitë e mëdha, megalo-idetë greke etj.), që si projekt i rilindësve shqiptarë ka dështuar realisht, prandaj nuk i kuptoj ata shqiptarë se përse këndojnë me patetikë e emocion të rrëmbyeshëm për dështimet e tyre historike, të turpshme madje në disa raste.

Kënga e Evlanës dhe Florit, për një Shqipëri të Madhe – ndonëse synohet të jetë himn futbollistik – është një rikthim i porn-turbofolkut të tipit të Ceca Veliçkoviqit dhe Arkanit gjatë fashizmit koncensual të Milosheviqit.

Një “himn” i tillë i kitsch-nacionalizmit më shumë ngatërron Shqipërinë me fqinjët (të cilët kanë për t’iu dashur në procesin e integrimeve) në epokën e globalizimit, sesa që ndihmon dhe motivon futbollistët.

Pra, ajo kinse këngë mbjell sherr nacionalist, në vend që të ofrojë për mysafirët dhe fqinjët zemër të madhe e bujari shqiptare, të ndërtuar ndër shekuj…

Sidoqoftë, këto janë çështje të Shqipërisë dhe njerëzit atje duhet të vendosin vetë se çfarë do të thonë dhe si do të sillen në sy të botës, pra, ata duhet lënë të lirë ta ndërtojnë vetë imazhin e shtetit dhe kombit të tyre.

Ndërsa sa u përket kosovarëve do të ishte e udhës që të priren nga punë të mbara për veten duke e kujtuar të kaluarën e afërt, kur ishin shndërruar thjesht në refugjatë ose caqe gjahu nëpër malet e Kosovës.

Kosovarët, që vetë e kanë kaluar kalvarin duke qenë viktima të një fashizmi me thonj të rritur, duhet të irritohen nga shfaqjet e tilla me thonj të paprerë.

Së paku duhet të jenë më modestë që të mos ua tregojnë kthetrat të tjerëve!

E Gani Koci duhet të kujtohet që është zyrtar shteti e jo ngatërrestar mezhdash e intrigash fshatareske (jo në kuptimin gjeografik, por në atë mental) ngase roli i tij është t’i shërbejë atdheut të kosovarëve dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, duke përfshirë edhe Behramët – pra ta bëjë punën për të cilën paguhet mirë madje – së këndejmi roli i tij nuk është ai i përçarësit, mallkuesit dhe piketuesit të qytetarëve si udbashë e armiq, në kohën kur ai punon e bashkëpunon në Kuvend e Qeveri me shumë të tillë, që Koci i pandeh për “armiq” e “udbashë”.

Prandaj Koci duhet t’u kthehet punëve të tij të zyrës e të mos e bastis historinë, duke rrëmuar biografitë e të tjerëve.

Fundja nëse i pëlcet culla e barkut për këso historish dhe për fabrikim armiqsh (“Historia, ky ankth nga i cili dua që të zgjohem”; Joyce) ai thjesht ka mundur të merrej me biografinë e Kocëve, helbete mos ka ndonjë “dele të zezë” mes tyre!?

Jo, kjo nuk është fare punë e Kocit.

Prandaj, po të ishte ai qytetar i edukuar do t’i kërkonte falje Valon Behramit dhe tërë qytetarëve kosovarë, të cilët gjatë kohë po terrorizohen me emnesa “tradhtarësh” dhe “patriotësh” në epokën kur në mungesë të bukës dhe perspektivës po detyrohen që me tesh e kotesh’ të ikin nëpër tokën armike, në drejtim të Evropës, për një copë bukë, ose thjesht për t’u shpëtuar mallkimeve dhe etiketave të Kocit e vëllezërve të tij për nga mendësia egërshane dhe damkosëse.

Falë PDIU, mazhoranca shkon në 86 vota

0

Pavarësisht se i kanë ikur dy deputetë, që kanë një histori me drejtësinë, mazhoranca arriti dje 86 vota, të mjaftueshme për shumicën e cilësuar.

Kjo falë votave të Shpëtim Idrizit, Aqif Rakipit dhe Omer Mamos së PDIU.

Megjithatë brenda PDIU duket se ka ende paqartësi, pasi dy deputetë të kësaj partie ishin një ditë më parë në mbledhjen e partive opozitare.

Ndërkohë pranë Edi Ramës po afrohet edhe Bamir Topi i FRD.

Kryeministri Edi Rama ka arritur në pak ditë që brenda koalicionit të mazhorancës të bindë parti që zgjedhjet e fundit parlamentare patën një mbështetje jo të vogël votash, si PDIU-ja apo edhe FRD-ja, por nuk po gjen ende gjuhen e përbashkët me ato të cilat ai i ka përfshirë në koalicion prej dy vitesh si PDS e Paskal Milos dhe PBDNJ-ja e Vangjel Dules.

Kryeministri Edi Rama po zhvillon negociata intensive me secilën prej partive sa më sipër por ende nuk është gjetur një marrëveshje e përbashkët.

Kështu kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo është shprehur se Partia Socialiste nuk ka respektuar marrëveshjet parazgjedhore me aleatët.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e një zgjidhje tjetër nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e PS-së. Ndërkohë, në kuadër të zgjedhjeve të 21 qershorit, kreu i PDS-së ka nisur një tur takimesh edhe në rrethe, ku ka shprehur në të njëjtën kohë pakënaqësitë ndaj PS-së për mosrespektimin e marrëveshjes mes tyre që në zgjedhjet e 2013-s.

Milo kërkon që partia e tij të përfaqësohet në qeveri në post zv.ministri dhe nivel drejtorie. Edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule nuk e ka gjetur zgjidhjen me kryeministrin Edi Rama për kërkesat që ata kanë.

Në një dalje të fundit për mediat, Dule është shprehur se me Ramën është gjetur konsensusi për Finiqin dhe Dropullin, ndërsa ka divergjenca për Himarën bashki të cilën PS-ja ka shumë gjasë që të mos lëshojë pe, duke rikandiduar kryetarin aktual të Bashkisë, Jorgo Goro. Megjithatë, vetë Dule është shprehur se ai nuk do të kalojë në kampin e djathtë për të krijuar një koalicion të ri, duke theksuar se PBDNJ-ja u shkon deri në fund të katërvjeçarit koalicioneve që ajo lidh.

Volter, vjen në shqip “Traktati i Tolerancës”

0

Ky është një libër për lirinë njerëzore, duke u nisur nga liria e brendshme që janë raportet që secili prej nesh ka me besimin. Keqinterpretimi i fesë është një rrezik që Volteri e ka parashikuar shekuj më parë, dhe se çdo fanatizëm fetar do ta ndrydhë dhe do ta bëjë më të ashpër shoqërinë.

I shkruar 250 vjet më parë, një nga librat më të debatuar në të gjitha kohërat, i kthyer në bestseller së fundmi për shkak të ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo”, eseja e mrekullueshme e Volterit mund të lexohet tashmë edhe në shqip nga botimet “Saras”. Një libër mbi marrëdhënien mes shoqërisë dhe besimit…

“Toleranca nuk ka shkaktuar një luftë civile, intoleranca e ka mbuluar tokën në masakra”.

Botuesit nxituan të ribotonin “Traktatin e Tolerancës” së Volterit, shkruar më 1763-shin, i cili nisi të shiste kopje në javën pas vdekjeve të 12 njerëzve në sulmin e zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”. I shkruar pas ekzekutimit për vrasje të tregtarit protestant Zhan Kalas, i trajtuar nga Volteri si një viktimë, i dënuar gabimisht nga persekucioni katolik, traktati gjithashtu ka qenë ndër më të shiturit edhe në “Amazon”, në kategorinë e religjionit dhe filozofisë.

250 vjet pas fushatës së Volterit që rezultoi me shpalljen të pafajshëm pas vdekjes së Kalasit, emri dhe imazhi i ndryshueshëm i autorit ishte i vështirë të shmangej në vazhdën e vrasjeve të “Charlie Hebdo”. Ishte pikërisht në bulevardin parisian “Volter” që masa të panumërta njerëzit marshuan dhe një portret i Volterit u shfaq në Pallatin e Versajës në homazh të viktimave të xhihadistëve. Një poster që tregonte bustin e Volterit me një flamur të shkruar ‘Je suis Charlie’, ilustroi artikuj dhe u shfaq në mediat sociale.

Eseja e Volterit mbi marrëdhënien mes shoqërisë dhe besimit tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga Shtëpia botuese “Saras”, e cila e ka botuar së fundmi.

Një thirrje kundër fanatizmit fetar, dhe një ese e mrekullueshme filozofike mbi raportin që shoqëria duhet të mbajë me besimin. Kështu e quan Alda Bardhyli, nga Shtëpia Botuese “Saras”, njëkohësisht dhe redaktorja e këtij libri në shqip, botimin e “Traktatit të Tolerancës” së Volterit nga ky ent botues. Nën përkthimin e Fari Laçkës, libri gati 250-vjeçar duket se i flet ende aktualitetit. “Zgjedhja e Shtëpisë botuese ‘Saras’ për të sjellë në shqip këtë libër, ishte jo vetëm për të shtuar një tjetër titull në kolanën e librave të botuar të Volterit, por dhe për të përçuar mesazhin universal që mbart kjo vepër, domosdoshmërinë e ruajtjes së tolerancës fetare, virtyt që shqiptarët e kanë”, – thotë Bardhyli. Sipas saj, Volteri e shkruan këtë libër duke u nisur nga një histori e vërtetë, e ndodhur në Toluzë shekuj më parë, por që nëse e zhvesh nga konteksti i kohës, u ngjason debateve që ngrihen sot në emër të fesë. “Vlera e këtij botimi, dhe e gjithë gjykimit që jep Volteri është të parit të besimit si një dritë, e cila e përçon dhe e përsos njerëzimin dhe jo e censuron atë. Ky është një libër për lirinë njerëzore, duke u nisur nga liria e brendshme që janë raportet që secili prej nesh ka me besimin. Keqinterpretimi i fesë është një rrezik që Volteri e ka parashikuar shekuj më parë, dhe se çdo fanatizëm fetar do ta ndrydhë dhe do ta bëjë më të ashpër shoqërinë”, – thotë Bardhyli. Sipas saj, Volteri ishte i bindur se ndasitë fetare janë shkaku i luftërave të ndryshme në botë. Në libër ai është shpesh kritik ndaj fesë, pikërisht në momentet kur ajo del nga terreni i saj.

Vepra është një tekst i rëndësishëm dhe karakteristik i “Përndritjes” dhe sjell bashkë tri aspekte të Volterit: shkrimtarin, veprimtarin dhe filozofin. I lindur nga fushata e Volterit për të nxjerrë të pafajshëm Zhan Kalasin, kjo vepër sjell një polemikë brilante shoqëruar nga deizmi dhe humanizmi i tij dhe nga vlerat dhe idealet e Përndritjes. Çështjet që ngrihen me pyetjet mbi tolerancën dhe dinjitetin njerëzor janë ende shumë të rëndësishme edhe për kohët tona.

Traktati i Volterit mbi Tolerancën është një rrëfim brilant i dënimit me vdekje të protestantit francez Zhan Kalas, i cili akuzohej për vrasjen e të birit që ishte konvertuar në katolik roman.

Volteri detajon rastin; mungesa e avokatit, rrota e mundimit, djegia në turrën e druve dhe mbytja. Kalas e vuajti këtë dhe vazhdoi të qëndronte në versionin e pafajësisë. Përmes përpjekjes së Volterit, Kalasi u rehabilitua më 1766-n duke marrë pafajësinë pas vdekjes.

Të shpërndara në tekst janë vëzhgimet historike të Volterit mbi tolerancën në Perandorinë Romake, lufta 30-vjeçare, masakra e ditës së Shën Bartolomeut, ku shumë u vranë për shkak të fanatizmit fetar. I kronikuar gjithashtu është edhe rasti i një fisniku të ri, i akuzuar se nuk hoqi kapelën ndërsa kalonte procesioni fetar. Më pas u akuzua se kishte dëmtuar një kryq që ishte vendosur mbi urë. Ky i ri dhe miku i tij u dënuan për blasfemi e herezi dhe u dënuan me rrotën e mundimit, iu këput gjuha me pinca dhe u dogjën në turrën e druve. Rrëfimi i Volterit është sa ndriçues, aq edhe i frikshëm.

Volteri ka qenë avokati më elokuent dhe i palodhur i lëvizjeve antidogmatike të njohura si “Përndritje”. Ai argumentonte të favor të “deizmit”, një zëvendësues i vagullt për fenë tradicionale që bënte me dije një krijues dhe një lloj drejtësie hyjnore, por refuzonte pjesën më të madhe të kredove themelore të Krishterimit. Në vend të kësaj ai predikoi se të gjithë janë të detyruar të tolerojnë njëri-tjetrin. Ai i sheh besimet fetare si të dobishme, por jo domosdoshmërisht të vërteta. Duhet përmendur që ateizmi në kohën e Volterit ishte i paligjshëm, dhe ai është burgosur shpesh dhe më në fund u dënua me ekzil për shkak të sfidimit që i bëri fesë tradicionale.

Pjesë nga libri

KAPITULLI V

Mbi pranimin e tolerancës

Guxoj të hamendësoj se, qoftë një ministër i arsimuar dhe shpirtmadh, qoftë një prift njerëzor dhe i urtë, apo një princ që e di se interesi i tij qëndron te numri i madh i shtetasve, ndërsa lavdia te lumturia e tyre, mund ta marrin mundimin t’i hedhin një sy këtij shkrimi plot mangësi e të meta. Pse jo, le të hedhë secili dritën e vet dhe të thotë me vete: Ç’të keqe ka nëse shoh edhe të tjera duar punëtore që e bëjnë tokën të begatohet e stoliset, të ardhurat të shtohen, shteti të lulëzojë më shumë?

Sot Gjermania do të ishte shkretëtirë e mbuluar nga eshtrat e katolikëve, protestantëve, të të reformuarve dhe anabaptistëve të therur me njëri-tjetrin, sikur më në fund paqja e Vestfalisë të mos kishte sjellë lirinë e ndërgjegjes.

Ne kemi hebrenj në Bordo, në Mec, në Alzasë. Kemi luterianë, molinistë dhe janseistë: nuk mund t’i tolerojmë e t’i mbajmë kalvinistët pak a shumë në të njëjtat kushte siç mbahen katolikët në Londër? Sa më shumë shtohen sektet, aq më pak të rrezikshëm bëhen. Larmia i dobëson. Të gjitha u binden ligjeve të drejta që ndalojnë tubimet e potershme, fyerjet e kryengritjet dhe rregullave që zbatohen gjithnjë në bashkësi.

E dimë se shumë kryetarë familjesh kanë vënë pasuri të madhe në tokë të huaj dhe janë të gatshëm të kthehen në atdhe. Ata kërkojnë vetëm mbrojtje nga ligji, vlefshmëri të martesave, sigurimin e jetës së fëmijëve, të drejtën e trashëgimisë nga etërit dhe të drejtën e votës; jo tempuj, poste në bashki, apo ndere. Këto gjëra katolikët nuk i kanë as në Londër, as në shumë vende të tjera. Nuk bëhet fjalë për t’i dhënë privilegje të shumta, apo vende të sigurta pune një grupimi, por për të lënë një popull të jetojë në paqë, për të zbutur dekretet ndoshta të domosdoshme dikur, por jo sot. Nuk na takon neve t’i tregojmë pushtetit se ç’duhet të bëjë. I kërkojmë vetëm të kujdesen për fatkeqët.

Ah! Sa mënyra ka për t’i bërë të dobishëm, për të mos i lejuar të jenë të rrezikshëm! Përkujdesja e duhur e ministrisë dhe këshillit, me mbështetjen e forcës, do t’i gjejë fare lehtë këto mënyra që sot shumë kombe të tjera po i përdorin më së miri në dobi të tyre.

Fanatikë ka ende, si mes kalvinistëve, ashtu edhe mes katolikëve. Llumi i besimtarëve fanatikë të Shën Medardit nuk e ndot këtë vend; kurse ai i profetëve kalvinistë është zhdukur krejt. Mënyra më e mirë për të pakësuar numrin e fanatikëve, nëse mbeten të tillë, është që kjo sëmundje e mendjes të kurohet nga arsyeja e shëndoshë, e cila i ndriçon njerëzit ngadalë, por në mënyrë të pagabueshme.

Arsyeja është e butë, njerëzore; frymëzon shpirtmadhësi; nuk e lë mosmarrëveshjen të zërë rrënjë dhe forcon virtytin. Më shumë i bën njerëzit t’u binden ligjeve butësia e saj, sesa ashpërsia e forcës. Po qesharaken që rrethon sot fanatizmin? Nuk do ta marrim vallë parasysh? Ajo është një pengesë e fuqishme kundër zdërhalljeve të të gjithë fanatikëve. Le ta zemë pra, sikur e shkuara nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë. Duhet të nisemi gjithnjë nga e tashmja, nga pika ku kanë mbërritur kombet.

Dikur mendohej se duhej të nxirrnim patjetër ligje kundër atyre, doktrina e të cilëve binte ndesh me kategoritë e Aristotelit, tmerrin nga boshllëku, me thelbin dhe universalen e sendeve. Në Europë kemi më shumë se njëqind vëllime jurisprudence mbi magjinë dhe mbi mënyrën si të dallojmë magjistarët e rremë nga të vërtetët. Mallkimi i karkalecave dhe kandrrave të dëmshme ka qenë i përhapur gjerësisht dhe mbetet ende në shumë rituale. Ky zakon nuk është më. Tani nuk trazon njeri as Aristotelin, as magjistarët apo karkalecat. Shembujt me kësi marrëzirash të papërfytyrueshme, por dikur të rëndësishme, janë të panumërta. Herë-herë nxjerrin kokën të tjera, por pasi lulëzojnë pak, nuk i përfill më njeri. Ç’do të ndodhte vallë sikur dikush ta quante veten karpokratian, eutikian, nestorian, monotelit, monofizist apo maneist ? Do të shkriheshim së qeshuri ashtu siç do të bënim me një njeri të veshur si të lashtët.

Kombi sapo kishte filluar të hapte sytë kur jezuitët Lë Telje dhe Dusë trilluan dhe dërguan në Romë letrën Unigenitus. Kujtuan se jetonin ende në kohët e errëta të paditurisë, kur pohime nga më boshet njerëzit i hanin si sapunin për djathë. Madje guxuan të dënonin edhe këtë pohim që përbën një të vërtetë universale, në çdo vend e kohë: “Frika nga shkishërimi i padrejtë nuk duhet të na pengojë të kryejmë detyrën që na takon”.

Tërmet me magnitudë 3.8 ballë në Tiranë

0

Lëkundje tërmeti janë ndjerë në orët e parë të ditës së premte në kryeqytet. Sipas Institutit Euromesdhetar të Sizmologjisë tërmeti është regjistruar në orën 04:14 minuta të së premtes, me magnitudë 3.8 ballë.

Epiqendra e tërmeti ka qenë 52 kilometra në verilindje të kryeqytetit, me një thellësi prej 5 kilometrash. Nuk ka njoftim për dëme materiale. /TCh/

Edhe sot vazhdon debati për 100 ditëshin e Qeverisë

0

Deputetët edhe sot do të vazhdojnë debatin parlamentar lidhur me punën 100 ditëshe të Kryeministrit Isa Mustafa dhe Programin Qeverisës, sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca.

Kërkesa e Konjufcës është mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike,rekomandimin për transferimin e mjeteve nga Buxheti i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës në Buxhetin e Komunës së Gjakovës për vitin 2015, rekomandimin e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike, si dhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndryshe, dje njëqind ditët e para të qeverisjes aktuale janë vlerësuar të pa shpresë nga deputetët opozitarë, për qytetarët e vendit, derisa pozita kishte vlerësime kryesisht pozitive për punën e koalicionit qeverisës në këto njëqind ditë.

Vizat vitin tjetër, nëse plotësohen kriteret

0

“Nëse dëshironi zhvillim ekonomik, duhet të ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni që brenda natës të bëheni të pasur. Duhet shumë punë për të fituar”, kështu u ka thënë të enjten ambasadori holandez në Prishtinë, Robert Bosch, studentëve të kolegjit “Universum”, në Prishtinë.

Në një ligjëratë të hapur para studentëve, ambasadori Bosch tha se gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kosovë, nuk ka vërejtur ndryshim sa i përket zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Unë nuk kam parë edhe aq zhvillim ekonomik në Kosovë prej se jam në vendin e juaj”, tha Bosch, sipas të cilit zhvillimi ekonomik është penguar më së shumti nga mungesa e sundimit të ligjit.

“Në vendin tuaj ka mjaft ligje të mira, por ato nuk implementohen. Biznesmenët e shtetit tim besojnë në kontratë, dhe nëse ajo nuk respektohet ata besojnë se problemin mund ta zgjedhin nëpërmjet gjykatës. E këtu, kjo nuk po ndodh, andaj edhe investitorët e huaj frikësohen të investojnë në vendin tuaj”, tha Bosch.

Por nuk është vetëm mungesa e sundimit të ligjit, që po pengon zhvillimin e vendit, por është edhe mentaliteti i kosovarëve.

“Nëse dëshironi zhvillim ekonomik ju duhet të ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni brenda natës të bëheni të pasur. Duhet të punoni shumë për të fituar. Mentaliteti këtu duhet ndryshuar dhe të mos mendohet se investimi mund të kthehet brenda natës. Ju duhet të punoni shumë që investimet t’i ktheni pas disa viteve”, u shpreh Bosch, duke kërkuar nga studentët e kolegjit “Universum” që të punojnë shumë më shumë që ta ndryshojnë mentalitetin e 90 për qind të kosovarëve që dëshirojnë të pasurohen brenda natës.

Ai foli edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast tha se mund të ndodhë vitin tjetër, por nëse Kosova i kryen detyrat e shtëpisë, nëse dëshirojnë të lëvizin lirshëm, drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

“Nëse ju i kryeni punët e juaja deri vitin tjetër, do të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët. E nëse kjo nuk ndodh edhe pas plotësimit të kritereve, atëherë faji është te BE-ja, atëherë mund të thoni se vendimi është politik dhe të fajësoni BE-në”, tha ai.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni i cili ka thënë se edhe në rajon kishte korrupsion, por BE-së nuk i pengoi një gjë e tillë për t’ua liberalizuar vizat, ambasadori Bosch tha se “nuk është vetëm korrupsioni pengesë, por janë edhe detyrat tjera”.

Por një pengesë e rëndë për Kosovën në çdo aspekt sa i përket integrimit është mosnjohja nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së.

“Mjafton një shtet të thotë jo dhe të bllokojë një proces të Kosovës. Prandaj në rastin e Kosovës është më e rëndë situata”, shtoi ambasadori Bosch.

Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Bosch tha se “një gjë të tillë duhet ta bëjnë kosovarët, që njëherë e përgjithmonë të mbyllet ai kapitull”.

Ai kujtoi kosovarët se më mirë është që vetë ata të themelojnë Gjykatën Speciale, e të mos u lënë të tjerëve ta bëjnë një gjë të tillë.

Pa FAK-un në veri, shkelet Kushtetuta

0

Mosveprimi i Forcave të Armatosura në veri të vendit, pa lejen e NATO-s, përbën shkelje të Kushtetutës.Kështu kanë vlerësuar partitë opozitare, një ditë pas konfirmimit nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, se FAK-u që pritet të themelohet gjatë muajve në vijim, mund të shkojë në veri vetëm me lejen e NATO-s, shkruan “Zëri”.

Sipas partive opozitare, Qeveria po e pranon që ushtrisë së ardhshme së Kosovës i pamundësohet garantimi i sovranitetit territorial. /Zëri/

Dëshira për Enver Hasanin Kryeprokuror

0

Ashtu siç janë duke ecur punët, avokati Dastid Pallaska ka shprehur mendimin se Kryeprokuror i Shtetit të Kosovës duket se do të jetë Enver Hasani, i cili aktualisht është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Duke folur në Zona e Debatit në Klan Kosova, Pallaska ka thënë se Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po u bën presion anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës që në krye të postit të Kryeprokurorit të vijë miku i tij nga Fakulteti Juridik.

“Ai ka ardhur me propozimin e tij që Kryeprokuror duhet të jetë dikush nga kolegët e tij në Fakultetin Juridik, që ka së paku 12 vjet përvojë pune si profesor. Edhe të gjithë e dimë kush është ai, e ai është Kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese – i cili po ashtu është akter në gjithë këtë storie”.

A mendon Pasllaska që është i rezervuar ky vend për Enver Hasanin?

“Veç emri i mungon”, ka thënë ai.

Gruaja dënon burrin: Nuk ka seks deri sa…

0

Një femër ka dënuar burrin e saj me mungesë seksi për një kohë të pacaktuar.

Haley Mulholland nuk do të jetë më me burrin e saj pasi ai e tradhëtoi por njëkohësisht nuk dëshiron që dikush tjetër të rrijë me të.

Ata jetojnë të dy nën një çati por pa kryer marrëdhënie seksuale.

45-vjeçarja mësoi se i shoqi Kev e kishte tradhëtuar dhe vendosi t’i jepte këtë dënim ekzemplar.

“Që kur mora vesh që ai më tradhëtoi e dënova duke e privuar nga seksi. Por njëkohësisht nuk dua që ai të rrijë me femra të tjera. Nëse ai dëshmon se ka ndryshuar dhe nuk do të tentojë që të më tradhëtojë sërish, atëherë mund edhe ta fal”, ka thënë Hayley.

Nëna e tetë fëmijëve kishte dyshime prej kohësh që i shoqi e tradhëtonte deri sa arriti që ta zërë me “presh në duar”.

Ajo e kontrollon vazhdimisht Facebook-un e tij dhe emailin në mënyrë që ta mbajë nën kontroll megjithëse ai betohet se nuk e tradhëton më.

“Nuk e kam lënë të më puthë, prekë apo të bëjmë seks deri sa të bindem plotësisht se ai është bërë një njeri i ndershëm”, tha 45-vjeçarja.

Të jesh në mesin e zërave të interpretuesve të rinj

0

Duke i motivuar interpretuesit e rinj vendas, tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaja, ka mbajtur pasditen e kësaj të enjtet në Prishtinë një Punëtori në kuadër të Festivalit DAM i cili ka nisur të mbahet në dhjetëvjetorin e saj që nga java e kaluar.

“Ti nuk je për mexosoprano, sepse zëri yt i takon sopranos. Është mëkat të qëndrosh në këtë nivel. Mos humb kohë por kalo në nivelin e sopranos”, i thoshte ai njërës interpretuese e cila këndonte përballë tij në sallën e Filarmonisë së Kosovës, teksa i jepte sugjerime të ndryshme për vertikalet e vokalit të saj.

“Gjeje brenda vetës kapitalin tënë vokal, pra pa e dekoncentruar tingullin e zërit”, ishte këto fjalët inkurajuese për një tjetër interpretuese nga tenorit Lahaj i cili po bën karrierë të suksesshme në Evropë.

Ai sapo ishte kthyer nga një projekt muzikore në Varshavë të Polonisë, ndërkohë kjo master-klasa ishte për të e treta të cilën po e mbante në kryeqytet.

“Është gjithmonë kënaqësi të rikthehem pas një kohë për ta parë progresin, por krahas kësaj shoh edhe ngapak ngecje tek interpretuesit gjatë studimeve të tyre. Gjatë studimeve kur këngëtarët lirikë janë shumë të rinj, pra në moshat 20-22 vokali i tyre është tejet sensitiv dhe problematik për të orientuar dhe mbajt nën kontroll, pasi që vetë energjia e fizikut tek një interpreto duke u rritur bën me pas shumë ndryshime të zërit. Sigurisht që këtu, te këta interpretues gjeta përparim duke krahasuar me një vit më parë”, deklaroi për KultPlus, tenori Ramë Lahaj, ku në muajt e ardhshëm ai do të paraqitet në një koncert recital në Islandë, për të vazhduar më pas në qytetin e bukur Las Palmas të Spanjës dhe në Australi me “Traviata”, e pastaj për t’u kthyer në Francë në një turne koncertesh.

“Do t’i porosisja interpretuesit e rinj të studiojnë sa më shumë dhe me vullnet ata do të mbërrijnë deri te ëndrrat e tyres”, u shpreh Lahaj i cili është fitues i dy konkurseve prestigjioze ndërkombëtare: “Riccardo Zandonai” në Riva del Garda dhe “Ritorna Vincitore” në Napoli të Italisë, ku gjithashtu mori çmimin special si këngëtari më i mirë për interpretimin e këngëve napolitane.

Një sukses tjetër i madh i tij ishte debutimin në Operën e Shtetit të Hungarisë në Budapest gjatë katër viteve më parë me rolin e Macduff/Makbeth. Më vonë ai këndoi Alfredo në Teatrit Lübeck Gjermani, për të cilat ai mori vlerësime të shkëlqyera kritike nga shtypi gjerman si “zbulim më të mirë të skenës operës gjermane”. Tre vite më parë ai bëri debutimin e tij me rolin e Rodolfo/La Boheme në Teatrin e Dortmundit të Gjermanisë./KultPlus.com/