16 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025
Home Blog Page 8291

Së shpejti pritet finalizimi i marrëveshjes

0

Thaci7-03Kryeministri Hashim Thaçi, pas përfundimit të dialogut në Bruksel, ka thënë se me kryeministrin serb kanë diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, sidomos në fushën e drejtësisë për pjesën e veriut.
Ai ka treguar se ka përafrim të qëndrimeve dhe shumë shpejt pritet të ketë marrëveshje. “Qëllim i këtij takimi dhe i atyre paraprakë në lidhje me këtë fushë, ishte integrimi dhe funksionalizimi i institucioneve të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

Në kuadër të dialogut janë zgjidhur çështjet e funksionimit të sistemit të drejtësisë, ligjet e aplikueshme në Kosovë, hierarkia institucionale dhe struktura e paraparë me ligj për institucionet e gjyqësorit dhe të prokurorisë.

Zgjidhjet e përafruara garantojnë funksionim modern dhe demokratik të institucioneve të drejtësisë, standarde moderne për trajtimin e çështjeve si dhe qasje të lehtë dhe të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës me theks të veçantë të atyre që jetojnë nën juridiksionin e gjykatës, respektivisht prokurorisë themelore në Mitrovicë.

Të gjitha këto tema tanimë janë debatuar sot dhe pritet finalizimi i marrëveshjes pas disa ditësh”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Mediat dëshirojnë të vizitojnë burgun e Prizrenit

0

BurguPërfaqësuesit e USAID-it kanë organizuar të mërkurën debatin me temë: “Media dhe Drejtësia”.Në këtë debat kanë marrë pjesë zyrtarët e Prokurorisë, Gjykatës, Policisë dhe mediave.  Njëra ndër temat që më së shumti është debatuar ka qenë mundësia e mediave për të vizituar burgun.

Kryetari i Gjykatës,Ymer Hoxha, u shpreh i gatshëm që sipas kërkesës së mediave , të organizohen edhe vizita në bug. “Por në qelitë e paraburgimit, kjo procedurë shkon vetëm nëpërmjet gjyqtarit”.

Nga këshilltari i lartë teknik i programit për sundimin efektiv të ligjit,Mark Hough, u nxorën edhe objektivat e kësaj tryeze.

Ai tha se mediat duhet të jenë të gatshëm për të marrë informacione për aktivitetet e gjykatave,sidomos gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme që merren nga institucionet e drejtësisë.

“Gjithashtu këto vendime duhet të publikohen edhe në ueb -faqet e institucioneve,dhe mendoj se një gjë e tillë ndikon në transparencën më të madhe të sistemit gjyqësor në Kosovë”.

“Me rëndësi është të vendosen kontakte konkrete ndërmjet përfaqësuesve të medieve si dhe zyrtarëve të organeve të drejtësisë duke përfshirë edhe ata të ministrisë së drejtësisë,për të pasqyruar punën por edhe nevojat të cilat paraqiten në sistemin e drejtësisë,e që janë edhe në interest ë qytetarëve”, tha këshilltari i lartë teknik i USAID-it Mark Hough /TV Opinion/

 

Denisa Sallaku: Ju rrëfej ditët e fundit të babait tim

0

SkenderSallaku-ikona e humoritE bija e Skënder Sallakut, Denisa, rrëfen kujtimet me të atin, në 11 ditët e fundit të jetës. Krejt e papërgatitur për humbjen, ajo kujton se sëmundja u shfaq dhe e mori në mënyrë të menjëhershme. “Babai ishte shumë mirë. Para 11 ditësh, erdhi të më shihte mua në shtëpi. Kishte tri ditë pa më parë dhe ngaqë kishim marrëdhënie shumë të mira, erdhi të më takonte. Nuk rrinim larg njëri-tjetrit më shumë se tri ditë”, – tregon Denisa (Bilali). Ajo kujton se atë ditë e pa të zbehtë. “Ishte pak i zbehur në fytyrë dhe i thashë: ‘baba, ti nuk je mirë’, por ai mohoi të kishte probleme. ‘Jam shkëlqyeshëm, – më tha. – Erdha të të takoja’. Më pas, është kthyer në shtëpi, ka ngrënë drekë dhe është shtrirë për të fjetur. Kur është zgjuar, qe ndjerë keq. Ka pasur hemorragji të brendshme”, – kujton ajo.

Mbasi e dërguan menjëherë në Urgjencë dhe në spital, Denisa nuk harron të vlerësojë stafin mjekësor, që treguan vëmendje maksimale, duke filluar nga mjekët e deri tek infermierët e sanitaret. “Vëmendja e tyre ishte maksimale, dashuria e tyre ishte maksimale, ashtu sikundër ishte edhe profesionalizmi i tyre”, – falënderon ajo.

Në fund, veçon mbase edhe një peng, kur tregon këtë bisedë: “Para se të futej në sallën e operacionit, u shpjegonte infermierëve e mjekëve që ai qe propozuar edhe për titullin ‘Nderi i Kombit’. Infermierja që e shoqëronte, por edhe unë, i thamë: “Ti, je Nderi i Kombit!”. Ndërsa vitet kalojnë e artistët mbeten mbase disi të harruar, hera-herës, ne harrojmë se nëse për ta nuk ka mbështetje financiare, ajo morale, nuk duhet të mungojë./bw/

PDK-ja në Prizren, sonte diskuton për emrat e Qeverisë “Muja III”

0

PDK-dega PrizrenKryesia e PDK-së në Prizren, do të mblidhet sonte për të diskutuar përbërjen e re të Qeverisë “Muja III”. Mbledhja do të mbahet në ora 19:00.

Zyrtarët e PDK-së nuk kanë konfirmuar mbajtjen e mbledhjes.

Por, burimet e TV Prizrenit bëjnë të ditur se anëtarët e Kryeisë janë ftuar për sonte që të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Për shkak përçarjeve të brendëshme, PDK-ja në Prizren nuk ka arrit të formojë qeverinë e re.Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se brenda këtij subjekti politik ka pakënaqësi të mëdha në caktimin e emrave të drejtorëve të ri të Ekzekutivit.

”Krejt po dojnë me u bë drejtor”,tregon burimi i “PrizrenPress”-it.

Ndërkaq, partitë politike në koalicion dhe shoqëria civile, kanë kërkuar nga PDK-ja që të formojnë sa më shpejt qeverinë “Muja III”. /PrizrenPress.com/

Begaj priti përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve

0

Begaj-Shoqata Kosovare të të ShurdhërveKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka pritur përfaqësuesit e Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, përkatësisht zyrtarin ndërlidhës të Shoqatës së të Shurdhërve të Kosovës, Ramadan Gashi, ku biseduan për gjendjen dhe nevojat e këtij komuniteti.

Begaj i falënderoi për vizitën dhe ju dha mbështetje për punën e tyre me personat, të cilët nuk dëgjojnë.

“Ju me jepni vullnet, kur ju shoh se si angazhoheni për këtë kategori, në mënyrë që këta persona, ta ndiejnë veten të barabartë në shoqëri”, tha Begaj.

Në këtë takim, u diskutuan edhe disa nga objektivat e shoqatës, siç është punësimi i personave që nuk dëgjojnë, mësimi gjuhës së shenjave dhe të tjera, ku kryetari Begaj la të hapur mundësinë për realizimin e disa objektivave që u ceken në këtë takim./PrizrenPress.com/

Jackobson shpreson në marrëveshje për gjyqësorin nga takimi Thaçi – Daçiq

0

Jacobson-ambasadore amerikaneE para e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, shpreson që takimi i sotëm i kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic në Bruksel të përfundojë me marrëveshje në çështjen e drejtësisë. Ambasadorja amerikane e shtetit pret lajme të mira nga takimi i shefafve të ekzekutivit të të dy vendeve.

“Shpresoj në lajme të mira nga takimi i sotëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sidomos në çështjen e integrimit të gjyqësorit”, ka shkruar ambasadorja Jacobson në rrjetin social Twitter.

Në Bruksel ka nisur takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit, që mbahen me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, baroneshës Catherine Ashton. Rundi i 27 janarit, përfundoi pa marrëveshje.

Libri “Dèjá vu” në 69-vjetorin e “Rilindjes”

0

Esad Dujaka-Deja vuNë ditëlindjen gjashtëdhjetenëntë të gazetës së parë shqipe në Kosovë, “Rilindja”, ish-gazetari i kësaj të përditshmeje Esad Dujaka, sjell librin e dytë të tij me titull “Dèjá vu”. Ky vëllim përmban gjashtëdhjetë shkrime autoriale që kanë trajtuar pushtetin serb mbi shqiptarët, e që janë botuar shumë kohë më parë në të përditshmet e Kosovës.

Recenzenti i librit të Dujakës, Ruzhdi Panxha theksoi se guximi, largpamësia dhe përkushtimi i pashoq e karakterizojnë autorin e librit “Dèjá vu” në trajimin e çështjeve më të ndjeshme të kohës që i kaloi populli i shqiptar i Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Auturi i librit, Esad Dujaka, ndërkaq, tregoi se ka gjurmuar me muaj të tërë në arkivin shtetëror të Kosovës për të gjetur mbi njëqind artikuj të ndryshëm që kryesisht trajtojnë tematikën e përplasjeve në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Artikujt e përmbledhur në “Dèjá vu” janë botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Rilindja”, “Bujku”, “Kosova Sot”, pastaj në gazetën austriake ‘Der Standard’ si dhe në “Nasha Borba” të Beogradit.

Autori Dujaka kaloi 45 vjet punë aktive në gazetari, prej vitit 2000 është pjesë e RTV 21.

Rasti i Vaçe Zelës me të tjerë, dhe hija e harresës

0

Evis-NastoEvis Nasto

Nuk dua të shkruaj për dhembjen që provohet kur një njeri ndahet nga jeta, sepse të gjithë e Evis Nastodimë që koha jonë në këtë botë është e kufizuar. Nuk dua as të përlotem më shumë sesa ata që i qëndruan realisht pranë Vaçes në agoninë e sëmundjes që e mundonte prej kohësh. Mendoj se mesazhi më i mirë në ditë të tilla është për ata që mbeten pas, ata që përfaqësojnë vlerat e një brezi që punoi me pasion dhe përkushtim, por që sot po përjeton hidhësinë e harresës, pasi është lënë mënjanë.

Personalisht, dhe do të shtoja me keqardhje, i takoj një brezi që në fëmijëri i ka dëgjuar shumë pak këto emra, sepse në kapërcyell të demokracisë, disa prej tyre u lidhën gabimisht me ideologjinë e mbrapshtë të së kaluarës, ndaj dhe me nxitim u tentua që kontributet e tyre të zbeheshin. Do të doja të kisha pasur mundësinë t’i njihja më shumë dhe pse jo, t’i adhuroja për pasionin me të cilin kanë punuar, pasi vështirë ta rigjesh në ditët e sotme te dikush.

Po flas për poetë që shkruan me shpirt vargje, edhe pse në materializmin e sotëm ato janë demode, për këngëtare që i kënduan kohës që jetuan, edhe pse ajo është shumë e ndryshme nga koha që jetojmë sot, për aktorë që interpretuan në filmat e realizmit socialist, por që në një dritë tjetër, sot vlerësohen si demagogji. Të gjithë këta janë të vdekurit e harresës që ecin në hijen ku i kemi lënë. Ata enden mes botës së përtejme, ku mortja i pret për t’i rrafshuar në mënyrë të barabartë dhe botës së të gjallëve, ku shkallarja e vlerave është dëmtuar dhe vlerat autentike konsiderohen si të vjetra, të dala boje. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës mori vëmendjen që duhet t’i takojë me protokoll çdo personaliteti që ka kontribuar për kombin e tij, por mendoj se një tjetër vëmendje i takonte të merrte në të gjallë. Nuk është koha për brerje ndërgjegjeje dhe as për justifikime që peshojnë në tranzicionin e gjatë të shtetit të pafuqishëm shqiptar. Tek e fundit nuk mund të qahet mbi atë çfarë ka mbetur pas e nuk mund të rikthehet. Ndaj dhe largimi i Vaçe Zelës nga kjo botë duhet të kishte prodhuar të tjera mesazhe, të paktën nga gojët e atyre që jetën e kanë ndarë mes artit dhe politikës.

Kjo humbje duhet të na kishte shkaktuar të gjithëve një dhembje më të madhe, veçanërisht për ato personalitete të tjerë që kanë jetuar më Vaçen, që kanë punuar me të njëjtin përkushtim e sakrificë, por që sot janë në kufijtë e mosqenies dhe duhet theksuar, jo vetëm prej vdekjes. Çfarë po ndodh me këtë shoqëri që nuk po arrin të evidentojë vlerat e hershme të rritura në gjirin e saj? Apo nuk është përgjegjësi komunitare, më shumë sesa shtetare kjo e lënies mënjanë?

Shkrimtari Mark Tuein e cilëson vdekjen si kalimin nga një dhomë në një tjetër, por me një ndryshim të vetëm, që me transferimin në banesën e re, nuk do të mund “të cenosh” askënd. Dhe me “cenim” nënkuptohet realisht sfida që gjallon mes aftësisë dhe paaftësisë, urtësisë dhe injorancës, dinjitetit dhe servilizmit. Raporte të tilla nuk kanë më asnjë rëndësi nga Atjeposhti dhe për rrjedhojë të gjithë prej këndej flasin mirë, të sigurt se askush nuk është rikthyer deri më tani për t’i sfiduar. Sigurisht, përveç Jezu Krishtit, por ne shqiptarët jemi fortpaganë në rrënjët tona për të besuar në historinë biblike.

Mjafton të sjellësh ndërmend sa herë blasfemojmë në përditshmërinë tonë, krejtësisht pa dashur, kur përdorim termin “vdiq” dhe jo “ndërroi jetë” pikërisht se për të vdekurit tanë, pakkush beson tek ekzistenca e jetës tjetër. Ndaj dhe ndoshta mezi ç’presim në heshtje cinike, që t’i përcjellim me nderimet e duhura të harruarit e përjetshëm. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet sesi humbja e kujtesës kundrejt atyre emrave që shkruan historinë e muzikës, letërsisë, kinemasë shqiptare…

Nëse dikush nuk është dakord me një përfundim të tillë, atëherë le të më shpjegojë apelin publik të aktores Hajrie Rondo për ndihmë, pasi vuan nga një sëmundje e rëndë.

Apo të më thotë nëse mban mend se kur ka dëgjuar për të fundit herë mbi violinistin e shquar Ibrahim Madhi? Po për fatin e Minella Borovës që emri iu harrua që më 1993 kur u largua nga Shqipëria, për t’u kujtuar vetëm ditën e ndarjes nga jeta…? A di të ma shpjegojë dikush përse-në? Kjo nuk është gjë tjetër veçse amnezi, origjina e së cilës është tek mosmirënjohja. Koncepti i kësaj të fundit gabimisht lidhet me fjalët, ndaj dhe në këto vite ne veç kemi folur për të tilla figura në përvjetorë lindjesh apo ndarjesh nga jeta, porse në të vërtetë, antipodi i saj, mirënjohja është tjetër gjë.

Referenca e duhur besoj se është John Kennedy, i cili thoshte: “Mirënjohjen më të madhe e shprehim jo përmes shqiptimit të fjalëve, por duke jetuar çdo ditë me ato vlera të krijuara prej kontributorëve më të mëdhenj të njerëzimit”. Druaj se gjatë këtyre viteve, jo vetëm që kemi harruar këta kontributorë të njerëzimit, siç i quante Kennedy, porse jemi duke harruar edhe vlerat që ata kanë krijuar.

Kjo bjerrje e pasurisë së ndërtuar prej tyre, pavarësisht kohës së çmendur që kanë jetuar, po vë në diskutim, pa kuptuar të ardhmen e këtij brezit të ri dhe të gjithsecilit prej nesh.

Thesari i Hitlerit, vepra të reja në sitin Lost Art

0

thesari i hitleritEdhe 60 vepra të tjera arti janë gjetur në shtëpinë e Cornelius Gurlittit, 81 vjeçar, në Salsburg. Ai i kishte mbajtur të fshehura në Mynih mbi 1500 kryevepra të vjedhura nga regjimi nazist.

Mes zbulimeve të reja dyshohen të jenë një Picasso, disa vepra të Monetit dhe Renoirit.

Shumë nga veprat e gjetura në Mynih nëntorin e kaluar ishin pjesë e atyre të klasifikuara në Rajhun e Tretë si ‘art i degjeneruar’ dhe të sekuestruara nga muzetë gjermane më 1937.

Me ‘art i degjeneruar’ nënkuptohen vepra pak a shumë moderne ose abstrakte të realizuara nga artistë që regjimi i Hitlerit mendonte se kishin karakteristika “devijante”, shpesh të atribuuara “korrupsionit hebre”.

Mobilizohen për ethet hemorragjike

0

begaj ne QKMFKryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë.

Ai ka ofruar mbështetjen e plotë për QKMF-në. “Jemi në sezonin e përballjes me problemin e etheve hemorragjike dhe thumbimet nga rriqrat, dhe ju keni përkrahjen e plotë, në mënyrë që së bashku, të arrijmë t’ju dalim në ndihmë qytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë të punojmë për parandalimin e etheve hemorragjike”.

Drejtori i QKMF-së, Besim Zogaj, njoftoi kryetarin Begaj për gjendjen e përgjithshme në QKMF, si dhe për nevojat që ka kjo qendër për t’i rritur shërbimet ndaj qytetarëve të Komunës së Malishevës.

“Si QKMF, kemi planifikuar që ligjëratat të fillojnë një muaj më herët, se vitet e tjera, sikur edhe fushatat e vetëdijesimit, po ashtu të fillojnë më herët”.

Zogaj, bëri të ditur se deri më tani janë regjistruar tri raste të thumbimit nga rriqrat dhe të gjitha rastet janë në gjendje të mirë.

”Nuk kanë indikacione të infektimit eventual me ethe hemorragjike”./PrizrenPress.com/