14.9 C
Prizren
E enjte, 7 Maj, 2026
Home Blog Page 8700

Shote Galica, një Zhan d’Ark shqiptare

0

Shot galicaNë rrjedhën e kohërave historike, që nga Antikiteti e deri në ditët tona, janë të rralla rastet si ai i trimëreshës Shotë Galica, e cila e lidhi besën me trimin Azem Galica për jetë apo për vdekje. Megjithëse ylli i luftës së tyre për liri herë pas here zbehej, ajo kishte një besim se liria e rrëmbyer fitohet vetëm me armë në dorë. Është një rast unik, monumental, shembulli i luftës dhe i martirizimit të saj për liri kombëtare.

Shota (Qerime) lindi më 1895 në Radishevë të Drenicës, një krahinë në zemër të Kosovës. Ngaqë ishte vajzë që erdhi në jetë pas gjashtë vëllezërve, i ati u gëzua shumë për lindjen e saj. Ajet Haxhia në librin e tij “Shotë dhe Azem Galica”, thotë se madje ai qëlloi me pushkë, çka nuk ishte zakon në ato anë. Ai e thirri Shotë me përkëdheli që në fillim, pa e ditur se emri i saj do të shndërrohej në një simbol për kujtesën tonë kombëtare. Sa u rrit pak Shota, ai e merrte me vete në odën e burrave dhe në kuvende, në të cilat flitej për trimëri e urti, por edhe merreshin vendime të rëndësishme për kohën. Aty ajo mësoi veçanërisht për luftërat e përgjakshme që shoqëruan Lidhjen e Prizrenit, për betejat e shumta legjendare në mbrojtje të tokave shqiptare. Ajo mësoi gjithashtu se Kosova ishte e pushtuar, se malet dhe grykat e saj ishin kthyer herë pas here në shesh luftimesh të përgjakshme për liri. Ajo pati fatin e lumtur të shihte me sytë e vet trima si Isa Boletini e Hasan Prishtina me shokë.

Në fillim dashuria e saj për lirinë dhe për trimërinë u shpreh nëpër këngë odash. Shota i binte çiftelisë dhe këndonte. Kishte vërtet një zë të bukur dhe shpeshherë këngët e trimërisë tingëllonin si kushtrim i shpirtit të Kosovës: “Besa besë, nji besë kem dhanë, / Ty Shqipni na të kemi nanë”.

Aty ajo njohu dhe ra në dashuri me trimin Azem Galica, me të cilin u martua më 1915. Është i pabesueshëm, gati-gati mitik, por i vërtetë fakti që Shota nuk shkoi nuse me duvak. Në dasmën e saj nuk pati vaj apo qarje, sepse ajo nuk po martohej me një të panjohur, por me një trim që e dashuronte me forcën e rinisë. Bashkëshorti i saj ishte një kaçak mali që ishte arratisur nga burgu për të vazhduar luftën e tij për liri. Shota u vesh si për festë dhe dukej vërtet si një trëndafil maji kur shkoi nuse në Galicë. Pas dy javës,h shtëpia e trimit u rrethua. Serbia nuk mund t’ia falte lehtë atij që kishte thyer dyert e burgut. Lufta ishte e rreptë, e pabarabartë, mund të thuash se qe luftë e një ushtrie të armatosur kundër një ëndrre të thjeshtë dhe të vetvetishme për të jetuar i lirë në trojet e të parëve. Në atë luftë mori pjesë për herë të parë edhe Shota. Ajo ishte një e re 19-vjeçare dhe tashmë e dinte mirë se çfarë ishte lufta. E kishte përjetuar dy herë djegien e fshatit të saj të lindjes dhe i kishte parë me sytë e vet se si themelet e shtëpive shndërroheshin herë pas here në grumbull thëngjijsh. Shota, nuse e re, u vu me bindje përkrah Azemit që ishte burrëruar nëpër beteja dhe burgje, megjithëse ishte vetëm 24 vjeçe. Beteja që ishte absolutisht e pabarabartë përfundoi tragjikisht. U vranë dy vëllezërit e mëdhenj të Azemit. Në këtë çast vendimtar, kur përmes një dhimbjeje të fortë Azemi ishte duke dhënë porositë për varrosjen e dy vëllezërve dhe fshehjen e familjes, Shota mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së vet, një vendim strategjik, që lidhej me historinë politike dhe shoqërore të Kosovës së pushtuar. Ajo ndjeu një komunikim shpirtëror me atdheun, emocione dhe ide të fuqishme, që i erdhën si dashuri për lirinë. Ajo i tha Azemit se do ta shoqëronte atë në mal, të luftonte e të vdiste krah tij. Çfarë force e çfarë guximi! Nusja e re hoqi rrobat e nusërisë, u vesh për luftë me rrobat e komitës kombëtare që ia dha nëna e Azemit, ngjeshi në brez një gjerdan me fishekë, lidhi gërshetat, vuri plisin e bardhë që i kishte aq shumë hije fytyrës së saj rinore dhe u nis në mal. Është tamam si në legjendë nisja e saj në luftë pa kaluar ende ditët e nusërisë, me armë të ngjeshura në brez, me një kalë që imagjinata e shndërron të bardhë. Që atë çast jeta e saj u transformua në jetë lufte për liri. Dalja e Shotës në mal dëshmoi jo vetëm shpirtin e saj liridashës, por edhe konceptin e madh të emancipimit shpirtëror që fiton mbi mendësitë patriarkale e shtypëse për gruan. Shota dhe Azemi udhëtuan të dy nëpër natë drejt malit të Çiçavicës dhe në mes të errësirës u dëgjua thirrja që do të mbetej në legjendën tonë kombëtare si ogur lirie “O, prite Azem Galicën!”.

Një nuse e re komite! Ishte një gjë e rrallë, sublime. Lajmi u përhap si vetëtimë në Drenicë. Shota doli në mal duke hyrë kështu në histori si një monument i pavdekshëm lavdie, qëndrese, emancipimi dhe trimërie.

Të nesërmen e nisjes së tyre në mal, forcat serbe e rrethuan tërë Galicën dhe dogjën shtëpinë e Azemit. Po ata i kishin marrë parasysh pasojat dhe sidomos luftëtarja më e re e çetës së Drenicës. Ajo ishte tashmë në krah të Azemit si një amazonë që do t’i jepte zemër për betejat që e prisnin. Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarët e tij.

Në të vërtetë Shota me gjestin e saj bëri një revolucion. Ajo e ndërroi kohën e bukur të nusërisë me jetën e vështirë të malit. Stolitë me pushkën dhe gjerdanin me fishekë. Fjalët e ëmbla të dashurisë me zhurmën e plumbave. Emocionet e jetës bashkëshortore me dhembjen dhe lotët para trimave që binin. Kuptohet që nuk ishte aq e lehtë ta bëje këtë veprim në mendësinë tradicionale që mbretëronte në atë kohë. Luftëtarja e re u ndesh ashpër me zakonet e vjetra, me thashethemet dhe me ligësinë, të cilat mbërrinin edhe atje “ku nuk arrinte dora e fuqisë armike”, siç shprehet Ajet Haxhia në librin e tij. Kuptohet që mes këtyre pengesave, ndër më të pakapërcyeshmet ishin edhe qëndrimet dhe veprimet e atyre shqiptarëve, të cilët ishin vënë dhe viheshin në mënyrën më të turpshme në shërbim të serbit. Por Shota nuk u tërhoq. Kuraja e saj për të qenë vetvetja dhe simbol i luftës për liri është një model për të gjitha gratë shqiptare. Bota asaj i dukej e vërtetë dhe me kuptim vetëm duke luftuar për lirinë. Pa liri nuk ka lumturi. Në Kosovë njerëzit vuanin nën pushtim duke iu nëpërkëmbur të drejtat, iu digjeshin shtëpitë, vriteshin. Ajo kishte dalë në mal që të kundërshtonte padrejtësinë që vazhdonte t’i bëhej një populli që kërkonte liri dhe gëzonte në heshtje dhe në mënyrë të hapur simpatinë e çdo zemre që e donte të ardhmen, lirinë dhe lulëzimin e identitetit. Sepse, dihet, njeriu që sakrifikon jetën e tij dhe rininë për të mirën e përgjithshme, përfton vlera të veçanta. Kudo ku shfaqej Shota, shfaqej vetë mirësia dhe bukuria si të ishin objekte të gjalla. Asaj filluan t’i thurin edhe këngë. Këngët vinin në dukje guximin e saj para jetës së vështirë të malit, para flakëve, para rënies dhe plagosjes së luftëtarëve të lirisë, para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare.

Së bashku me Azemin dhe me çetën e tij në kohën që doli ajo në mal, ata luftuan ashpër trupat austro-hungareze dhe bullgare, që zaptuan një pjesë të Kosovës. Ishin vitet e Luftës Ballkanike. Drenica ishte e ndarë midis dy pushtuesve, atyre bullgarë dhe austro-hungarezë, por Shota dhe Azemi donin lirinë e tërë territorit të pushtuar. Madje në këtë kohë pati një marrëveshje mes forcave serbe dhe çetës së Azemit për të luftuar pushtuesin e përbashkët e për ta diskutuar paskëtaj të drejtën e Kosovës e të kosovarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë ashtu si kishin qenë historikisht një truall, një gjuhë, një histori.

Më 1916, afër Mitrovicës, në Obrije, u zhvillua një përpjekje mes forcave pushtuese bullgare e austro-hungareze dhe atyre shqiptare, në të cilën Shota luftoi trimërisht. Pastaj çeta u rrethua në Koshovicë nga forcat bullgare. U ça rrethimi, në të cilin Shota rrinte përherë në krye, por Azemi u plagos. Ata zhvendoseshin nga një zonë në tjetrën. Në territoret e pushtuara nga bullgarët ata u rrethuan sërish më 1917 në Bajë. Shota përsëri ishte në krye të çetës me Azemin. Rrethimi u ça, por Azemi u plagos sërish. Ajo e ngriti Azemin e plagosur dhe në bjeshkët e Drenicës që i njihte mirë gjeti një shpellë. Aty ajo i qëndroi mbi kokë luftëtarit të lirisë që lëngoi disa kohë nga plagët e rënda. Me kujdesin e saj të pashembullt, Shota bëri që ai të shërohej shpejt pa u diktuar nga armiku. Në muzg ajo dilte nga shpella si të thuash me qefinin e vdekjes në kokë dhe kthehej me ushqime dhe barna popullore.

Kur Azemi u përmirësua plotësisht, ajo lajmëroi çetën dhe jeta e tyre kaçake me luftë nisi sërish. Përpjekja e parë pasi dolën nga shpella ishte me një njësit austriak. Çeta e kaloi rrethimin, por kuptohet që çdo përpjekje ka dëshmorët e vet. Trimat binin si lisat e prerë. Gjaku derdhej lumë. Shota ndiente të dridhura në zemër dhe pastaj zemra e saj e re flakëronte nga urrejtja për pushtuesit. Ajo çdo ditë e më tepër bindej për qëllimin e madh çlirimtar të luftës së tyre dhe nuk i trembej vdekjes. Ajo nuk i pranoi ashtu si Azemi dhuratat në këmbim të idealit të tyre kombëtar.

Më 1918 ajo mori pjesë në luftimet e ashpra për çlirimin e Drenicës dhe Pejës. Pasi mbaroi Lufta Ballkanike, terrori serb u rikthye prapë. Megjithëse serbët nuk i kishin kursyer premtimet gjatë luftës kundër pushtuesit të përbashkët, me ikjen e tyre ata u kthyen në pushtues tradicionalë të Kosovës. Shota, që e kishte dëgjuar Azemin ta udhëzonte çetën e tij që në këto çaste “armëpushimi” me Serbinë, nuk duhej të prekej as edhe një fije floku serbi, u zhgënjye nga padrejtësia dhe gënjeshtra e hapur. Këmba e pushtuesit serb shkeli përsëri rëndë, duke sjellë mjerim dhe vdekje ngado që shkonte. Në këtë kohë u duk një qëndresë e pashembullt e saj dhe e gjithë luftëtarëve kundër politikës së dhunës dhe shkombëtarizimit. Në atë kohë u dogj edhe Radisheva, fshati i Shotës. Kuptohet që u dogj edhe shtëpia e saj. Në këtë kohë merrnin pjesë në luftë i ati, 5 vëllezërit dhe tre nipër të saj. Ajo nuk e pranoi propozimin që të shkonte në një vend të sigurt e të çlodhej nga lodhja e madhe shpirtërore kur mori vesh gjëmën e shtëpisë së djegur dhe fatin e pjesëtarëve të familjes së saj. Më 1919 ajo luftoi në mënyrë të paepur në Kryengritjen e madhe të Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës. Megjithëse u plagos, ajo nuk pranoi të largohej nga lufta, e lidhi plagën dhe vazhdoi.

Komiteti i Kosovës bëri thirrje për të vazhduar kryengritjen dhe Shota me 60 luftëtarë merr udhën për në Shqipëri që të furnizoheshin me armë. Qëllimi ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. U hartua një program luftarak për një kryengritje të përgjithshme që ajo e ëndërronte natë e ditë. Por agjentët serbë dhe ata shqiptarë në shërbim të tyre u përpoqën me çdo kusht ta pengonin. Flamurin e kryengritjes e mbanin ndezur Shota dhe Azemi. U bënë luftime të ashpra. Vinin trenat me armë e me forca nga Beogradi në Kosovë. U mor vesh që do të digjej përsëri Galica. Shota shkoi nëpër natë që të njoftonte fshatin dhe vendosi ta gdhinte atë natë te shtëpia e ringritur e Azemit, tek e cila kishte mbetur nëna e vetme. Kur qe nisur Azemi në mal, pas vrasjes së dy djemve, vëllezërve të tij më të mëdhenj, ajo i qe lutur Azemit që ta merrte me vete edhe djalin e fundit, më të voglin, duke besuar se ai do të ishte më i sigurt në mal. Një batalion serb iu vu në ndjekje Shotës dhe në mes të natës shtëpia u rrethua. Shota luftoi aq shumë sa armiku kujtoi se kishte të bënte me një çetë të tërë. Shota, por edhe e ëma e Azemit, luftuan kundër një batalioni serb dhe fituan. Për atë betejë kanë shkruar edhe një këngë në Drenicë. Shota e çau rrethimin dhe e shoqëroi të ëmën e Azemit në një bazë ku kishin çuar edhe gra të tjera. Pas pak iu vu flaka për herë të dytë shtëpisë së Azemit. Armiku e zbuloi edhe bazën dhe i masakroi të gjitha gratë që ishin aty; shpëtoi vetëm një mbesë e Azemit rastësisht, njeriu i fundit nga raca e tij, vajza e motrës që erdhi e jetoi në Shqipëri.

Shota vinte shpesh në Shqipëri gjatë kohës që ishte me Azemin në çetë. Kryesisht ata qëndronin në Shkodër. Aty kishte edhe luftëtarë nga Plava e Gucia. Në Shkodër ishte e dashur shprehja: “Pamë Shotën”. Të shihje Shotën, këtë trimëreshë të lirisë, ishte një ogur i mbarë. Në Shkodër ajo doli në fotografi me Azemin. Është një foto jashtëzakonisht e bukur. Mund të jetë një ndër fotot e rralla në botë të këtij lloji. Shota në këmbë, me shtatin si selvi, e veshur me kostumin e komitit, me një gjerdan fishekësh e me pushkë në dorë dhe Azemi ulur. Të dy janë të armatosur, me fytyra që i përshkon përgjegjësia dhe magjia e luftës për liri. Ajo e ka mbështetur dorën e djathtë te supi i Azemit. Në kraharor i varet zinxhiri i një sahati që e mban në një xhep të brendshëm nga ana e majtë, kurse në anën e djathtë një nagant që shquhet mbi gjerdanin e fishekëve. Ky ishte kostumi i saj i vërtetë i luftës për liri.

Fotoja është bërë në vitin 1920, në atelienë fotografike Marubi. Kur e panë francezët Shotën në atë foto, e pagëzuan që atëherë “Zhan d’Arka shqiptare”. Kjo foto e rrallë besoj se duhet të ruhet në koleksionin e fototekës, në qoftë se nuk ka pasur fatin tragjik të shkatërrohet, të digjet apo të humbasë si shumë e shumë dokumente apo objekte që kanë qenë kujtesa historike e kombit.

Ato ditë që ata ishin në Shkodër, Amet Zagolli u dërgoi kërcënim disa patriotëve si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët përpiqeshin të ndihmonin në zgjerimin e lëvizjes së armatosur në Kosovë. Kuptohet që Azemi dhe Shota u revoltuan nga ky kërcënim. Por edhe trimi Azem Galica i dha një paralajmërim të fortë atij.

Në pranverën e vitit 1921, Shota dhe Azemi, bashkë me çetën, u kthyen në Kosovë për të vazhduar veprën e tyre çlirimtare. Në sajë të luftës së çetës dhe revoltës popullore të pjesës perëndimore të Kosovës, në vitet 1921-1923, u krijua Zona Neutrale e Junikut dhe në vitet 1923-1924 u arrit të krijohej zona e lirë e Drenicës e pagëzuar, “Arbania e Vogël”. Por në luftimet për mbrojtjen e Drenicës u plagos për vdekje Azem Galica. Pas varrosjes së trimit në thellësitë e një shpelle, sipas porosisë së tij, drejtimin e çetës e mori Shota, e cila tashmë e kishte përpunuar në beteja idealin e saj patriotik. Ajo ishte përkrahëse e opozitës demokratike të vitit 1924 në Shqipëri dhe mbështetëse e qeverisë së Nolit. Ajo u radhit krahas luftëtarëve të Bajram Currit që pritën me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut dhe të ndërhyrjes serbe e ruse, të cilat sollën Ahmet Zogun prapë në fuqi. Pas kësaj ajo u kthye në Kosovë, ku mbajti gjallë frymën e qëndresës. Gjendja politike në Shqipëri vazhdonte të mbetej e trazuar. Vrasjen e Avni Rustemit, Zogu e pasoi me vrasje të tjera, duke shmangur nga rruga e tij prej diktatori figura të ndritura si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e të tjerë.

Pas betejës së fundit, në fundin e vitit 1926, ku plagoset rëndë, Shota me disa fëmijë jetimë të bashkëluftëtarëve të vrarë, u nis për në Shqipëri. Në fillim ajo u vendos në Shullaz të Milotit e më vonë shkoi në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Ajo mendonte se me të ardhur pranvera do të kthehej sërish në Kosovë dhe do të vazhdonte luftën për liri. Por plaga e saj e luftës u keqësua dhe gishtat e dorës së djathtë nisën t’i paralizohen. Ishin dymbëdhjetë vjet lufte e qëndrese në mbi 40 aksione luftarake. Pastaj mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, shpirti i rënduar nga djegiet, vrasjet dhe masakrat, në të cilat humbi të gjithë pjesëtarët e familjes, Shqipëria e tronditur, dhembja për jetimët kosovarë, të gjitha këto e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë mjekët ia prenë. Në mes të mjerimit ekonomik, ajo u detyrua të shiste edhe pasurinë e fundit që i kishte mbetur, kalin e Azemit. Kuptohet që regjimi në fuqi, një regjim proserb, nuk donte t’ia dinte për një luftëtare kundër pushtimit serb.

Më 1927, Shotë Galica, luftëtarja trime, Zhan d’Arka shqiptare, mbylli sytë mes mospërfilljes së regjimit. Por, megjithatë, varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën njerëz të shumtë nga disa rrethe të Shqipërisë që e dinin historinë e ndritur të jetës së saj në luftë për liri. Ishte vetëm 32 vjeçe.

Epilog

Më 1962, në kohën e Enverit, u ngrit një lapidar në Fushë-Krujë, vepër e skulptorit Kristaq Rama. Ai regjim e nderoi edhe me titullin e lartë “Heroinë e popullit”. Në ditët tona, Shotës luftëtare nuk i dihet as varri dhe as busti. A mos duhen kthyer eshtrat e Shotë Galicës në vendlindje që ajo të prehet pranë varrit të trimit Azem Galica?/Feride Papleka/

Daçiç konfirmon:Bisedimet me Prishtinën pas zgjedhjeve

0

Dacic-mitroviceKryeministri serb i ka dhënë fund sepkulimeve nëse do të ketë apo jo raund të ri bisedimesh me Prishtinën gjatë këtij muaji apo në fillim të prillit. Sipas tij, dialogu me palën shqiptare në Kosovë do të rifillojë pas zgjedhjeve.

Kosova dhe Serbia nuk janë marrë vesh ende për gjykatat, shpërbërjen e formacionit paraushtarak “Civlina Zastitna si dhe nuk janë pajtuar ende për statutin e Asociacionit/bashkësisë së komunave serbe. Kësisoj, marrëveshja e parë e normalizimit të marrëdhënieve është e pazbatueshme.

Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, hoqi dorë nga përpjekja që t`i takojë kryeministrat para zgjedhjeve në Serbi, kanë bërë të ditur burime të gazetës.

Kjo ka ndodhur pavarësisht insistimit të Brukselit që gjithsesi të organizohet edhe një takim për të arritur tri pajtime, pa të cilat, zbatimi i marrëveshjes së Brukselit është i pamundshëm.

Prizren: Ish- Zëvendësministri i Brendshëm shqiptar Ferndinand Poni vdes nga sulmi në zemër

0

ferdinand-poniIsh- Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, i cili ka mbajtur këtë post në periudhën 2005 -2013, ka ndërruar jetë si pasojë e një sulmi në zemër.

Ish- Zëvendësministri i Brendshëm ka ndërruar jetë si pasojë e një sulmi në zemër.

Poni, 49 vjeçar ka qenë në Prizren kur ka pësuar sulmin, i cili ka rezultuar fatal për të.

Poni ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Brendshëm nga viti 2005 deri më 2013.

Burime të Expres bëjnë të ditur se në kohën kur ka pësuar sulmin ai ka qenë duke drekuar.

Në Suharekë u hap ekspozita “ Të drejtat e gruas”

0

ekspozita-019Drejtoria komunale për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë e Suharekës, për nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka hapur sot një ekspozitë me punime nga autorë të ndryshëm nga të gjitha anët e botës.

Ekspozita quhet “ Të drejtat e gruas” dhe në të janë të ekspozuara punime me përmbajtje në mbështetje të të drejtave të gruas. Pjesëmarrës me punime në këtë ekspozitë janë artiste nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Turkija, Greqia, Argjentina, Urugai, Sirija, Anglija dhe nga Spanja.

Hapjen e ekspozitës e ka përkrahur dhe mbështetur financiarisht Misioni i OSBE-së në Kosovë, përkatsisht Zyra Rajonale në Prizren

Lame: U raportova Nanos dhe Ramizit për të vrarët e Shkodrës

0

Qemal LameQemal Lame vijon rrëfimin për vitin 1991. Si vijuan ngjarjet pas vrasjes së katër demonstruesve në Shkodër dhe si i priste rezultatet e hetimeve Ramiz Alia president dhe Fatos Nano kryeministër. Rrëfimet e mëposhtme janë shkëputur nga libri i tij me kujtime “Kur shembeshin themelet”, botuar nga “Onufri”.Mbledhja e Qeverisë vazhdoi me pikën e tretë, për buxhetin. Gjendja e rezervave valutore ishte shumë kritike, skandaloze. Buxheti ishte rritur dhe po shkonte drejt 200 milionë dollarë. Bankat e huaja nuk jepnin kredi, pa garanci të rezervave valutore që Shqipëria duhet të kishte në bankat e njohura ndërkombëtare dhe pa shlyer detyrimet që kishte.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Shkëlqim Cani, parashtroi disa masa.
Gjendja financiare tregonte për katastrofën e afërt që do të vinte shpejt, me falimentimin e ekonomisë, të financave dhe të vetë shtetit. Stabilizimi politik dhe ekonomik do të krijonin kushtet e nevojshme që të rritej besimi te shtetet perëndimore dhe të vinin investitorët e huaj.
NJOFTIMI I HETUESISË DHE PROKURORISË
Thirra zëdhënësin, Beqir Kokoshin, që kisha caktuar disa ditë më parë. I dhashë tekstin e njoftimit, me porosi që ta shikonte edhe Rrapi Mino. Biseduam në telefon dhe vendosëm që një kopje të dërgohej në Këshillin e Ministrave dhe një në Radio Televizion.
NJOFTIM
Për ngjarjen e rëndë të datës 2 prill 1991, në qytetin e Shkodrës, janë marrë masa për hetimin e plotë, të gjithanshëm dhe të shpejtë të çështjes. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes që lidhen me aktet kriminale të vrasjeve e të plagosjeve, të shkatërrimit me anë të zjarrit e të lëndëve plasëse të ndërtesës së Komitetit të Partisë së Punës, të djegieve të automjeteve, vjedhjes së armëve e të tjera vepra penale të kësaj natyre, si dhe shkaqet e tyre e personat fajtorë, është e domosdoshme që Hetuesisë të mos i krijohen vështirësi për të kryer hetimet. Deri tani është arritur të bëhet një këqyrje e pjesshme e vendit të ngjarjes dhe e kufomave, të cilat ishin marrë nga spitali dhe nuk u lejuan të bëhej autopsia e tyre sipas kërkesave të ligjit. Pengesa u krijuan edhe për pyetjen e të plagosurve e të dëmtuarve, ndërsa në godinën e Komitetit të Partisë së Punës nuk mund të bëhej në kohë këqyrja e plotë, pasi vazhdohet të bëhen dëmtime dhe djegie.
Organet e Hetuesisë dhe të Prokurorisë kërkojnë nga organet e ruajtjes së rendit e organet e tjera shtetërore, që të zbatojnë me konsekuencë ligjet, partitë politike të ndikojnë për të ulur gjendjen e tensionuar e të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shtetasit të dëshmojnë sipas kërkesave të ligjit me qëllim që të zbulohet deri në fund e vërteta e të vihen para përgjegjësisë ligjore fajtorët.
Për hetimin në kohë dhe me objektivitet të çështjes, Hetuesia dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë marrë masat përkatëse dhe bashkë me organet e rrethit po punojnë intensivisht. Është krijuar një grup i posaçëm hetimi. (PROKURORIA dhe HETUESIA, Tiranë, më 04.04.1991)
NJOFTIMI I KËSHILLIT
TË MINISTRAVE
Pas pak mori në telefon Aleks Luarasi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, dhe kërkoi të takoheshim, mundësisht në orën 9:00, për të bërë një njoftim të Këshillit të Ministrave për gjendjen në Shkodër.
Aleksi e mori dhe shkoi që ta lexonte e të jepte mendim edhe Fatos Nano. Fatosi kishte bërë disa ndryshime.
RRETH NGJARJEVE NË QYTETIN E SHKODRËS
Zëdhënësi i Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh shqetësimin që ka krijuar zhvillimi i ngjarjeve në qytetin e Shkodrës ditët e fundit, mori kontakt me dikastere të ndryshme, organet e pushtetit lokal dhe me Hetuesinë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai mësoi se lidhur me ngjarjen e datës 02.04.1991 në qytetin e Shkodrës kanë filluar hetimet me një grup të posaçëm hetuesish nga qendra dhe në disa rrethe, nën kontrollin e Prokurorisë së Përgjithshme, për sqarimin e plotë e të gjithanshëm të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të shkaktarëve të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme ka konstatuar se këtë ditë në këtë qytet ka pasur grumbullime të paligjshme qytetarësh, të shtëna me armë nga qytetarë dhe nga forcat e ruajtjes së rendit, përdorim eksplozivi kundër objekteve publike, të vrarë e të plagosur, midis personave të grumbulluar, punonjësve të policisë dhe funksionarëve të Komitetit të Partisë së Punës së rrethit, si dhe djegie e shkatërrim thuajse të plotë të mjediseve e të pajisjeve të godinës së këtij komiteti.
Nga data 02.04.1991 deri më 04.04.1991 organet hetimore e patën të vështirë për të kryer veprimet e nevojshme për shkak të situatës së tensionuar. Në kushtet e kësaj situate, personat janë penguar për të kryer ekspertizën ligjore dhe hetimin e gjithanshëm të fakteve në mjediset e ngjarjeve, takimet me njerëzit e ndryshëm etj. Për këto arsye, ka qenë e pamundur pyetja e të plagosurve, e të dëmtuarve, e dëshmitarëve dhe marrja e provave të tjera siç parashikon ligji. Ndërkohë ndërtesa e Komitetit të Partisë së Punës së rrethit, deri në orët e vona të datës 04.04.1991, ka vazhduar të digjet…
Tiranë më 04.04.1991
KËRKESË E KRYEMINISTRIT PËR NJOFTIM NGA HETUESIA PËR MEDIAN
Isha në zyrë duke punuar, kur në orën 20.30, pas revistës televizive me ngjarjet kryesore të ditës, mori në telefon Fatos Nano.
– Pse nuk jepni njoftim në RTV? – pyeti.
– Kemi dhënë njoftim dy ditë më parë. Nuk kemi gjë tjetër për të informuar. Të bëhen hetime, të administrojmë të dhëna të reja dhe të japim njoftim të ri.
– Pse, ne do të plotësojmë të metat tuaja?!
– Çfarë të metash, shoku Fatos? Për çfarë mendoni?
– Ja për njoftimin.
– Fatos! Unë dhashë një sqarim për t’u mirëkuptuar. Edhe një herë e përsëris. Ne e dhamë njoftimin në RTV dhe në shtypin e përditshëm. Nuk kemi për të dhënë tjetër, pa bërë hetime.
– Ai është njoftimi që bëra unë, – tha Fatosi.
Dihej se, në atë orë, Fatosi ishte në shtëpinë e Ramizit, ku takoheshin për konkluzionet e ditës. Ky fakt përforcohej edhe nga biseda me telefonin sekret. Në shtëpinë ku vazhdonte të banonte akoma, ai nuk kishte telefon me dy numra. Kuptohej se fliste në praninë e Ramizit dhe i jepte më shumë rëndësi pozicionit të tij. Megjithatë, duhej t’i përgjigjesha.
– Ne bashkë me Prokurorinë kishim bërë njoftimin. Ju kërkuat të bëhej i përbashkët.
– Jo! Njoftimin e bëra unë.
– Njoftimin që ju korrigjuat dhe firmosët, e përgatitëm në zyrën e Aleks Luarasit, me një grup pune të përbashkët. Ju bëtë plotësime, pasi ishte bërë formulimi. Në bazë të atij formulimi u vendos qëndrimi në njoftimin e përgatitur më parë nga unë dhe Rrapi.
Pas këtij sqarimi, Fatosi nuk e zgjati më tej.
– Veproni më shpejt. Duhet një njoftim për opinionin publik.
Me kaq e përfundoi bisedën telefonike.
PËR SHKODËR
Ora ishte 15.45. E mora në telefon.
– Shoku Qemal. Duhet të shkoni në Shkodër! Sonte!
– Ka ndodhur ndonjë ngjarje tjetër?
– Është një problem me rëndësi.
– Të nisem tani menjëherë për në Shkodër?! Tani po shkon ora 16.00. A e keni parasysh se çfarë do të thotë të nisesh tani nga Fieri dhe të vesh në Shkodër kur të jetë natë!
– Ç’të them, shoku Qemal. Nesër do të jetë një takim me partitë politike në rreth. Kam porosi që të jeni edhe ju në atë takim.
– Kush e ka organizuar? Përse do të marr pjesë edhe unë në këtë takim të partive politike?
– Do të analizohet çështja e Shkodrës. Do të raportojnë grupi i hetuesve dhe i prokurorëve. Ne, disa shokë nga qendra, do të vemi në atë mbledhje.
– Është menduar drejt dhe është mirë që është arritur marrëveshje për këtë mbledhje. Atëherë do të ishte e nevojshme të marrë pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe ministri i Punëve të Brendshme.
– Ke të drejtë. Prokurorin e Përgjithshëm do ta njoftoj tani. Nga Ministria e Punëve të Brendshme do të vijë zëvendësministri për policinë, Aredin Shyti. Unë do të jem pasdite në zyrë. Hajde të bisedojmë. Të pres.
– I lashë porosi Reshatit që të nesërmen të komunikojë shpërblimin për Llambin, 1000 lekë, për Petrit Lulën, 500 lekë, si dhe vetë ai të merrte shpërblimin prej 500 lekësh. Të jepen lekët në dorë në prani të hetuesve të tjerë. Të realizohet hetimi i plotë sa më parë dhe të jepet njoftim për këtë zbulim me rëndësi të tri vrasjeve shqetësuese për rrethin e Fierit dhe qetësimin e opinionit publik.
Vajtëm për drekë te pallati i kinezëve (ndërtesa që ishte vënë në shërbim të specialistëve kinezë që kontribuuan për azotikun dhe përpunimin e thellë të naftës). Erdhi edhe prokurori i rrethit, Kiço Nano.
U ktheva në Tiranë rreth orës 19.30. Ndalova te Këshilli i Ministrave. Aleksin e gjeta në zyrë duke punuar. Ishte bashkë me Rrapi Minon. Biseduam për mbledhjen dhe e lamë të niseshim të nesërmen, në orën 7.00, pasi mbledhja ishte caktuar në orën 9:00.
Në orën 22.30, kur isha akoma në zyrë, mori në telefon Aleksi.
– Shoku Qemal! Nesër, në orën 8.00 ju pret në zyrën e tij shefi i madh (me këtë emërtim nënkuptohej Ramiz Alia)…
Mora në telefon në Shkodër për t’u interesuar për raportin që duhej të përgatiste zëvendësi, Feriti, për hetimet e zhvilluara. Nuk gjeta njeri në zyrë.
Në mëngjes, në orën 7.00, vajta në zyrë. Mora në telefon në Shkodër. Zëvendësi, Feriti, më raportoi se kishte përgatitur raportin për mbledhjen me partitë politike.
TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR ÇËSHTJEN E SHKODRËS
Në orën 7.30, vajta te sekretari i përgjithshëm, Aleksi, në zyrën e tij.
Rrapi priste në zyrën e vet.
Bashkë me Aleksin shkuam në Komitetin Qendror për t’u takuar me Ramiz Alinë. Ishte një zgjidhje e mirë emërimi i Aleksit në këtë post të lartë në kryeministri. Ai ishte njeri i drejtë, me karakter, mbante marrëdhënie të mira me secilin, ndërmjetësonte dhe pritej me kënaqësi mendimi i tij, si një nga juristët më të mirë. Bashkë ruanim marrëdhëniet e mira që nga Fakulteti Juridik, ku ai vetë u interesua që të bëhesha anëtar i katedrës së teorisë së shtetit dhe të së drejtës që drejtonte.
Pritëm në paradhomë, pasi nuk kishte ardhur akoma në zyrë.
– Pas pak do të vijë, – na tha ndihmësi, Nexhmedin Dumani.
Pas orës 8.00, erdhi Ramiz Alia. U përshëndetëm dhe hymë në zyrë.
– Çfarë keni menduar për të thënë në Shkodër? – pyeti.
– Do të dëgjohet raporti i Hetuesisë dhe i Prokurorisë, – u përgjigj Aleksi. Do të vijë edhe Prokurori i Përgjithshëm, veç dy ministrave që u bisedua.
Ndërkohë erdhi Fatos Nano dhe u ul në karrigen përballë. Unë isha majtas dhe Aleksi djathtas, në tavolinën e Ramizit.
– Ndërkohë hyri në zyrë ndihmësi, Nexhmedini, dhe tha se:
– Shoku Rrapi Mino pyet për shokun Aleks, se kur do të nisemi për në Shkodër.
– Ku e di Rrapi që ti Aleks je këtu! – pyeti Ramizi.
– Nuk e di. Do të ketë pyetur ndoshta.

Kush është “Nisma për Kosovën”!

0

opinion 23Shkruan: Jeton Zulfaj

Për të kuptuar alternativën më të re politike në Kosovë, Nismën për Kosovën, së pari duhet të kuptojmë shkaqet e themelimit të saj.

Kërkimi i arsyeve medoemos na dërgon te pakënaqësia dhe papajtueshmëria e përgjithshme me qeverisjen dhe modelin e instaluar politik, ngushtimin e hapësirës për veprim dhe tjetërsimin e funksionit të institucioneve publike.

Të gjitha këto çështje ishin ngritur në fjalimin e parë publik të z. Limaj pas procesit të fundit gjyqësor në Malishevë, ku kishte shprehur pakënaqësinë me qeverisjen në mbarë vendin por ndryshimin e kërkonte së pari në vendlindjen e tij.

Së dyti, Limaj së bashku me Krasniqin, kishin kohë që në PDK kishin ngritur shqetësimin për mënyrën e funksionimit të brendshëm të kësaj partie e sidomos nga viti 2010, kurse në zgjedhjet e fundit partiake në 2012, Limaj kishte kërkuar futjen e parimit “një anëtar një vote”, sistem ky që në thelb ngritë popullaritetin e liderit dhe demokracinë e brendshme duke siguruar të drejtën e votës për të gjithë anëtarët e partisë.

Kërkesa e Limajt jo vetëm se ishte refuzuar por për më tepër zgjedhjet në PDK do të mbaheshin pa prezencën e tij duke ngushtuar edhe më tepër hapësirën e veprimit, demokracinë e brendshme dhe konkurrencën e mirëfilltë demokratike, për çka edhe z. Krasniqi kishte protestuar dhe bojkotuar zgjedhjet.

Është fakt i pamohueshëm se në mungesë të demokracisë së brendshme, liderët e partive politike kanë monopolizuar skenën politike dhe kanë ngulfatur jetën institucionale dhe publike.

Vazhdimi i funksionimit të tillë të partive politike përbën një model të mbrapshtë për demokracinë dhe krijon një gjendje të pashpresë për gjeneratat e reja që synojnë të jenë pjesë e politikës.

Rrjedhimisht degradimi i politikëbërjes në njërën anë dhe mungesa e hapësirës për veprim për të ndryshuar këtë gjendje në anën tjetër janë arsyet kryesore të daljes së Nismës.

Kjo është Nisma – një hapësirë politike për veprim që ka për qëllim ofrimin e mundësisë për të gjithë ata që konsiderojnë se kanë çka të kontribuojnë për vendin por që strukturat nuk u kanë mundësuar hapësirë, që konstelacionet politike i kanë kufizuar dhe që tjetërsimi i zhvillimeve në kuadër të politikës dhe i institucioneve nuk i ka lejuar.

Ofrimi i hapësirës për veprim është njëherësh edhe arsyeja pse në hapjen e saj nuk është zgjedhur struktura e Nismës, pasi paracaktimi i posteve është konsideruar se do të ngushtonte hapësirën për veprim ndaj atyre që dëshirojnë të bëhen pjesë e saj.

Kjo na dërgon te përgjigja ndaj pyetjes se kush janë emrat ose figurat e Nismës. Përgjigja është krejt e thjeshtë, pra Nisma nuk është krijuar për të rehatuar emrat dhe figurat por për të krijuar hapësirë veprimi. Kjo është arsyeja pse Nisma madje as nuk është munduar dhe nuk mundohet që të marrë me vete deputetë dhe politikëbërës të kësaj legjislature.

Ne si shoqëri do të duhej çliruar nga kompleksi i emrave dhe figurave duke i lejuar qytetarët dhe shoqërinë që nëpërmes ndikimit dhe pjesëmarrjes në jetën politike e publike të prodhojmë kapacitete për të udhëhequr vendin. Nisma është e interesuar që të freskojë dhe dinamizojë skenën politike duke u dhënë mundësi gjeneratave të reja të zhvillojnë dhe ofrojnë kapacitetet e tyre për zhvillimin e vendit.

Nisma është platformë politike që nuk është e interesuar të bëjë riciklim të personaliteteve publike, por t’i ofrojë Kosovës një gjeneratë të re të politikëbërësve të cilët kanë energji, dije dhe përkushtim por që ndjejnë se nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme veprimi.

Thënë shkurt, Nisma është një alternative politikë e cila synon të bëjë një politikë ndryshe, dhe PO është e mundur.

Argumenti se Limaj dhe Krasniqi kanë qenë pjesë e zhvillimeve politike dhe bartës të qeverisjes deri më tani nuk është valid.

Së pari, Limaj ka qenë pjesë e ekzekutivit në Qeverinë Thaci 1 e cila megjithatë pati disa rezultate dhe ende kishte hapësirë dhe mundësi për debat dhe përmirësim. Duhet të theksohet se Limaj ishte në ekzekutiv për një periudhë kohore dy vjeçare. Degradimi institucional dhe mbytja e debatit ka marrë përmasa në periudhën kohore 2011-2014.

Limaj si lider i Nismës është garanci e një udhëheqje ndryshe dhe e një vizioni ndryshe në politikë, që e ka dëshmuar me qëndrimin e tij të pavarur në Parlament dhe me punën e tij të bazuar në objektiva gjatë dy viteve në Ekzekutiv, kurse Krasniqi në Nismë është garanci e përvojës se çfarë nuk duhet të shndërrohet Nisma, pra JO në një PDK të dytë.

Çfarë programi ka Nisma?

Programi i Nismës është ende në punim, por në njërën anë ajo angazhohet për një ekonomi të hapur me politika liberale e që nuk cenojnë barazinë sociale. Ndjekja e politikave liberale në ekonomi dhe njëkohësisht përkushtimi ndaj politikave sociale që mbrojnë shtresën tonë të mesme dhe të varfër është i mundshëm.

Në anën tjetër, Nisma angazhohet për një shoqëri të hapur me vlera dhe parime demokratike dhe barazi qytetare ku të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kushtetutës. Një angazhim i tillë e vendos Nismën në qendër të spektrit politik, pra si lëvizje apo parti e qendrës.

Me kë do të bëjë koalicion?

Është e kuptueshme kërshëria e opinionit publik që të dihet qeveria e ardhshme ende pa u mbajtur zgjedhjet, por Nisma duhet të garojë e vetme.

Si lëvizje e re politike që synon ofrimin e një alternative do të ishte e dëmshme që të hyjë në koalicione parazgjedhore, jo vetëm për Nismën si lëvizje por për të gjithë ata që synojnë të i bashkohen Nismës.

Këtu përjashtim bëjnë iniciativat dhe partitë politike të cilat mund të futen brenda listës zgjedhore të Nismës, normalisht me kusht që të harmonizohen objektivat politiko-programore. Por tash debati brenda Nismës duhet të jetë maksimizimi i kapaciteteve me qëllim të promovimit të programit dhe vizionit të saj e jo kush do të jenë partneret e koalicionit.

Duke njohur elektoratin në Kosovë dhe popullaritetin e Limajt, Nisma do të jetë në mesin e alternativave kryesore politike. Iniciativat qytetare në disa komuna në zgjedhjet lokale ishin indikacion i qartë i kërkesës së qytetareve për platformë të re në politikë, Nisma do të ofrojë këtë alternativë.

Fragmentimi i spektrit politik dhe sistemi jonë shumë partiak bënë që koalicionet të vijnë në shprehje pas zgjedhjeve, por vetëm duke ndërtuar një program të qartë qeverisës ku programi dhe vizioni i Nismës të jetë i përfshirë në të. Në fund të fundit të gjithë duhet të presin votën e qytetarëve për të treguar peshën që kanë. Limaj është dëshmuar se është i qasshëm nga të gjitha subjektet politike për shkak të modelit të tij në politikë.

(Autori është Këshilltar i Lartë i z. Limaj
Student në studime pasuniversitare për “Çështje Evropiane” në Universitetin Lund në Suedi dhe mbajtës i bursës nga Instituti Suedez)

Femra jonë dhe 8 marsi

0

HalitKrasniqi-pdkShkruan: Halit KRASNIQI

Kosova ka qenë e pushtuar nga shumë pushtues. Me përjashtim të pushtimit të fundit, me të gjitha vendet e popujt e këtyre pushtimeve, tani kemi një miqësi të shkëlqyeshme. Me përjashtim të Serbisë, e cila derisa ende cenon sigurinë në veri të vendit tonë dhe derisa për gjithë tragjedinë që ka krijuar këtu, së bashku me kërkim faljen, do t’i kthej Kosovës viset e aneksuara të Luginës së Preshevës dhe Sanxhakun, deri atëherë, këto marrëdhënie do të mbetën të tilla. Por, kjo nuk është temë e imja sot. U shërbeva në hyrje për të tërheqë vëmendjen tuaj për atë që synoj të trajtojë. Në periudhën e gjatë të robërimit mesjetar serb dhe deri te robërimi otoman, për më shumë se pesë shekuj dhe pastaj njëqind vjet të ripushtimeve të ndryshme të Beogradit, nuk shquhet asnjë femër e këtyre pushtimeve në krijimin e politikave pushtuese e as në ekzekutimin e dhunës. Edhe ky është një shembull që tregon fisnikërinë e gjinisë femërore dhe tiparin e saj shkëlqyes si qenie njerëzore. Ky virtyt I femrës është edhe në historinë e pushtimeve malazeze, bullgare,greke, naziste dhe fashiste, gjatë së cilave femrën nuk mund ta gjejmë as në krijimin e politikave pushtuese, as në ato ekzekutuese. Dhe, jo vetëm këtu në Kosovë, por as edhe në ndonjë vend tjetër të këtyre kujtimeve të këqija gjate trandjeve në sistemin e vlerave njerëzore.

Devotëshmëria e femrës sonë

Ndërsa shembuj tjerë konkret dhe shkëlqyes të femrës sonë mund të rendisë që nga mbretëresha Teutë e deri të Shotë Galica dhe plejada e luftëtareve të UÇK-së. Me theks të veçantë do të përmendi rolin e veçantë dhe shumë simbolik që zoti i dedikoj bijes së popullit tonë Gonxhe Bojaxhiut, të mirënjohures nobliste, Nëna Terezë.

Për hir të vendit dhe rendit, do të përmend shkarazi personalitete që pas ripushtimit nga Beogradi me 1945 e deri ne ditët tona. Duke filluar me Marije Shllakun e dënuar me vdekje në gjykatën e parë pushtuese këtu në Kosovë. Për të vazhduar me Katarina Josipin, Hyrije Hanën dhe veprimtaret tjera që kontribuuan jashtëzakonisht shumë në Lëvizjen ilegale për çlirimin e Kosovës, në një kohë zezonë për të mbajtur gjallë frymën e lirisë dhe për ta forcuar e rritë idenë e çlirimit. Për këtë kontribut u ndëshkuan me burgje e tortura, pa u thyer e pa u penduar asnjëherë.

Përkundrazi, krenaria i shoqëroj gjatë gjithë jetës së tyre. Edhe sot ato që janë gjallë, kjo cilësi i tipizon. Në këto ecejake historike me përpjekje titanike në një rrugë të rëndë dhe maratonë, plejada tjetër e veprimtareve në Lëvizjen popullore për çlirim, do të shquhet me përplasjen e tyre burgjeve dhe që sot është momenti për t’i përmendur në shenjë respekti dhe falënderimi për rolin e tyre që kanë luajtur dhe për guximin e gatishmërinë që kanë treguar në atë kohë dhe për përjetimin e vuajtjeve dhe tmerrit si nëpër rrathët e Dante Aligerit: Do të filloja duke renditur me mbiemra vajzërije qe kanë ngelur në memorjen time që atëherë si: Drita Kuqi, Teuta Hadri, Trandëlina Labinishti, Nazife Xhemajli, Gjyle Krasniqi, Shyhrete Mala, Hava Shala, Akile Dedinca, Myrvete Dreshaj, Shukrije Gashi, Hanëmshahe Bejtullahu, Hidajete Osmani, Hidajete Krasniqi, Ajshe Gjonbalaj, Kadrije Gashi, motrat Gosalci, Motrat Demaku, Sadete Zhitija, Sala Berisha, Nexhmije Jashari, Lumnije Morina, e shumë veprimtare të tjera te devotshme të cilave iu kërkoj mirëkuptim që do të t’i lë një herë tjetër t’i përmend ashtu si e meritojnë. Për të vazhduar me veprimtaret, tani dëshmore dhe heroina: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Hyrë Emini, Fatime Hetemi, Majlinda Shala e të tjera heroina që i kanë thurë një aureolë rolit të femres në një moment sfidues dhe në një kohë të papërsëritshme.

Stoicizmi i femres sonë
Femra e këtij vendi ka shfaqur rrezatimin e tipareve mbresëlënëse edhe në forma të tjera inspiruese dhe për respekt si Nëna Nazife Demaçi e cila i dha inspirim në idetë e tij, djalit te hasretit, duke u pajtuar me të: mos iu ndajë nënës së madhe sepse, unë, të lë një ditë, por atdheu nuk të lë kurrë. Pa u penduar asnjëherë në jetë, e as rrugëve të burgjeve për ta takuar djalin një orë të vetme për 20 vjet sa jetoj dhe nuk kishte pendesë, as në momentin kur mbyllë sytë pa djalin e vetem, të cilit ia kishte preferuar këtë rrugë të rëndë, i cili kishte edhe 8 vjet të tjera për të përfunduar dënimin. Gjithashtu peripecitë dhe udhëtimet e motres Ajshe për 28 vite nëpër burgje e kazamate per te vizituar vëllanë e saj të vetëm. Shembuj të tjerë për kohë më të shkurtë gjejmë në një armatë te tërë te nënave e motrave që janë zhuritur për mungesën e djemve të tyre dhe rrugëve të gjata për në burgje e kazamate nga Idrizova e deri në Goli Otok, për më shumë se 50 vite. Këtu do të duhej veçuar Shukrije Osmanin që për 18 vjet e priti bashkëshortin e saj të dënuar sikur edhe mijëra gra të tjera që pritën bashkëshortët e tyre të dënuar dhe më shumë siklete rritën fëmijët e tyre, duke i ushqyer përveç se me bukë e ujë edhe me mburrje e krenari. Ndonjëri nga këta fëmijë me prirje letrare do t’I portretizojë nënat e tyre në personazhe edhe më shkëlqyese se Penelopa e Odiseut.

Me këtë rast nuk mund të mos I kujtojmë gra e vajza demonstruese pa asnjë mashkull me rastin e vrasjes së studentit, Armend Dacit dhe për të vazhduar kujtimin për demonstrueset tjera që përkrah djalërisë demonstruan vazhdimisht sa herë që është kërkuar që nga demonstratat e 1968 -ës e deri në demonstratat e fundit për të shprehur simpatinë për luftën e UCK-së. Këtu në këtë vend dhe sot në këtë ditë nuk mund të mos e përmendim me pijetet nënëmadhen Ajshe Gërvalla, e cila i portretizoi për mrekulli nënat tona të brezit të saj dhe të brezave tjerë që nuk paten fatin të arsimohen, por rrezatuan arsimim përmes intuites, edukates dhe integritetit etik të formësuar në familje nga sistemi I vlerave të shkëlqyeshme të traditës sonë unikate. Falë këtyre karakteristikave edhe rezistuan nëpër shekuj robërie. Nuk mund të mos e përmendim rolin e nënës së djemve legjendar, Zahide Jashari me gra e vajza heroina të familjes së madhe të Jasharëve mitik, deri te nana Salë. Për tu ndalë te nënat që kanë dhënë djemtë e hasretit, si: Xhemile Sopi, nëna e Sokol Sopit, nëna e Ilir Durmishit e nëna të tjera të dëshmorëve të hasretit. Gjithashtu, me këtë rast dhe në këtë ditë do të përmendim Nënën Rukë Haradinaj, e cila në momentet e rënieve ciklike të djemve të saj dëshmorë dhe gjatë evokimit të kujtimeve të atyre momenteve, ka portretizuar e përjetësuar nënat tona stoike, sot e nëpër shekuj si në legjendat epike, duke ngurtësuar dhimbjen e natyrshme amnore.

Gjithashtu për këtë tipar do të kujtojmë nënat e mbi dymijë dëshmorëve të kombit që me bindje intuitive kanë përvetësuar misionin e jashtëzakonshëm për të ngurtësuar lotin dhe për ta mundur dhimbjen me mburrje e krenari për shërbimin që I kanë bërë atdheut dhe lirisë së tijë. Sot dhe këtu, do të përmendim me përulje e respekt për ato gra të dëshmorëve që më shumë vështirësi rrisin e përkujdesen për fëmijët e tyre bonjakë, duke ua mbjellë mburrjen dhe duke I edukuar për krenarinë që duhet t’i shoqëroj deri në formësim, për baballarët e tyre dëshmorë. Me respekt të madh e të veçantë, do të përmendim nënat dhe gratë e mbi dhjetëmijë martirëve të vrarë e të zhdukur të cilat kanë mundur dhimbjen dhe që po rrisin fëmijët e tyre me shumë vështirësi, duke I ushqyer me krenari dhe bindje se të gjithë ata martirë kanë qenë në shërbim të lirisë së sotme. Sot duhet ta përmendim rolin e femrave në uniformen e UÇK-së, të cilat, jo vetëm se i rriten namin vetit dhe këtij vendi, por i kanë bërë ndere një kauze që solli këto momente për të diskutuar për rolin e gjinisë së tyre dhe për përfaqësimin edhe në këtë parlament. Nuk do të na falte zoti të mos ndaleshim në rolin e femrës që luajti gjatë luftës jo vetëm për ushqim dhe në përkujdesje tjera të domosdoshme, por edhe për një rol të veçantë që luajti në përkujdesjen e fëmijëve gjatë gjithë luftës pa burrat e tyre, sa nëpër male këndej e sa me peripeci nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe nëpër Maqedoni.

Femra në të gjitha rolet e saj
Në kohë lufte dhe në kohë paqeje roli i femrës mantelbardhë është jashtëzakonisht i madh dhe i pa zëvendësueshem në shërbimin shëndetësor. Faleminderit prej zotit kemi një numër mjaft të madh dhe një kuader të përgaditur dhe mjaft të përkushtuar e me ndërgjegje. Roli i femrës në administratën e institucioneve shtetërore dhe private është jashtëzakonisht i madh duke ndikuar jo vetem në efikasitet, por edhe në përformancë. Këtë rol me këta dy cilësorë, rolin e femrës do të mund ta përshkruanim edhe në uniformen e FSK-së dhe në Shërbimin Policor. Sot femrën e gjejmë me një rol të konsiderueshem në kulturë e në shkencë dhe është duke krijuar identitetin e vet në të gjitha fushat e dijes. Gjithashtu sot, femrën e gjejmë duke dhënë dije në ligjërime si mësimdhënëse dhe në përpjekje të marrjes së dijes nëpër amfiteatrot e Universiteteve me premtimin për tu integruar neser në institucione të ndryshme dhe për t’i dhënë shoqërisë një shtytje të hovshme. Gjinia femërore sot prezentohet jashtëzakonisht mirë dhe e suksesshme në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike. Si kanarinë e si analiste, si editore e menaxhere pa konkurrencë.

Nuk do të mund të mos përmendi Flora Brovinën si personalitete të veçantë e deputete të tjera që kanë kaluar nëpër të gjitha legjislaturat, e, deri te kjo përbërje sot, që kanë kontriubuar dhe po kontribojnë me përkushtim të dinjitetshëm dhe gjithnjë me ndonjë përjashtim të vockël, duke qenë më koshiente se ne burrat e parlamentit me gjuhën e përdorur, me trajtimin e temave dhe me nivelin e përkushtimit të tyre. Duke e përmbyllur këtë rënditje me rolin e Presidentes së Kosovës, e cila aktualisht në momente të duhura, krijon harmoninë në përplasjet e deverziteteve politike.

Përmbledhtazi për fund të kësaj fjale: Për hirë të një projekti për ardhmërinë që nuk duhet të ecim me njërën këmbë dhe nuk duhet të veprojmë vetëm me njëren dorë, rrjedhimisht për ta aktivizuar gjithë forcën e trupit tonë, duke nxitur, duke aktivizuar, duke inkurajuar e duke e motivuar femrën tonë, do të vejmë në lëvizje gjithë potencialin e shoqërisë sonë që përbëhet nga të dy gjinitë. Dhe vetëm duke e aktivizuar bashkë dhe barabartë që të dy gjinitë, neve kemi perspektivë të ndritshme në sfidat e mileniumit të tretë. (Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës)

Hekurudhat e Prizrenit, “zhduken” nga bërlloku

0

berloku 2Hapësirat e hekurudhës në Prizren, janë shndërruar në deponi të bërllokut në Prizren. Nehat Basha , kryeshef i KRMM “Eko-Rajoni”, ka bërë të ditur për këto hapësira janë përgjegjës Hekurudhat e Kosovës.
“Ne si “Eko-Rajon”, nuk kemi kontratë dhe nuk merremi ma materiet interne. Herë-herë pastrojmë mbeturinat e amvisërisë në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet ,por këtë e bëjmë me vetiniciativë”, thotë Basha për Koha Ditore.

Zëdhënësi i Hekurudhave të Kosovës Refet Citaku hapësirat e përmendura nuk janë deponi, por prona të hekurudhave të Kosovës.

“Në këtë hapësirë vite me parë janë hedhur mbeturina interne, duke mos u penguar nga komuna e Prizrenit”, shprehet ai. Ai tregon se Komuna dhe Hekurudhat kanë filluar të pastrojnë këtë hapësirë.

Kompletohet Muja

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është kompletuar me të gjithë drejtorët e Ekzekutivit. Edhe  partitët e minoriteteve tashmë ia kanë dorëzuar emrat e drejtorëve të rinj.

Zëdhënësi i KK-së, Ymer Berisha konfirmoi për “PrizrenPress”, se partitë e minoriteteve kanë dorëzuar emrat e drejtorëve tek kryetari Ramadan Muja.

“Po dje i kanë dorëzuar emrat e drejtorëve edhe partitët e minoriteteve”, tha Berisha.

Në mbledhjen e fundit të KK-së, Ramadan Muja, pjesërisht  pat emëruar drejtorët e rinj të qeverisë komunale.

Nënkryetar i  Komunës  është emëruar Lulëzim Kabashin nga AAK-LDD, drejtor të Shërbimeve Publike, Hasan Hasanin (PDK), drejtor të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, Nijazi Kryeziun (PDK), drejtor të Arsimit, Nexhat Çoçajn (PDK), drejtor të Shëndetësisë, Zyber Rizanajn (PDK), drejtor të Inspektorateve, Bedri Bytyçi (PDK), drejtor të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hazër Shala (PDK), drejtor të Zhvillimit dhe Turizmit, Mensur Bytyqi (AAK-LDD), drejtor të Bujqësisë, Pal Gecin (AAK-LDD), drejtor të Administratës, Ilir Baldedaj (AAK-LDD), drejtor të Kulturës Arhim Ajazin (NDS), derisa ka bërë të ditur se KDTP-ja do të merr drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave dhe atë të Gjeodezisë dhe Kadastrit, ndërkohë që “Vakatit” i takon drejtoria e Emergjencave.

Kryetari i Degës së KDTP-së, Levent Bush ka bërë të ditur se ky subjekt ka propozuar Mehmet Butucin për drejtor të Ekonomisë dhe Sencar Karamucon për drejtor të Gjeodezisë dhe Kadastrit. Ndërsa Vakat ka propozuar Bedrija Ejupagiqin për drejtor të Emergjencave./PrizrenPress.com/

Kryeministri Thaçi uron 8 Marsin grave kosovare

0

Thaci14-12Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas të gjitha grave kosovare. Ai ka thënë se gratë janë shtyllë e shoqërisë dhe familjeve tona.

“Urime 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas të gjitha grave kosovare me një faleminderit të madhe që janë shtyllë e shoqërisë dhe familjeve tona”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

“Do të arrijmë një shtet me të vërtetë të drejtë, vetëm atëherë kur gruaja të jetë e barabartë me burrat”. /PrizrenPress.com/