13.7 C
Prizren
E martë, 5 Maj, 2026
Home Blog Page 8765

AGPK reagon ndaj sulmit të gazetarëve

0

AGPK-logoAsociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës, me shqetësim të thellë ka marrë informatën për lëndimin e kolegëve gjatë protestës së sotme, që u mbajt para rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

“AGPK është njoftuar se gjatë kësaj ngjarje, protestuesit e kanë lënduar ekipin e televizionit RTV 21, në përbërje të gazetares Merita Berisha-Prebreza dhe kameramanit Burim Zariqi.

Po ashtu, lëndime kanë pësuar edhe Alban Muhaxheri, gazetar në portalin Indeksonline si dhe kameramani i televizionit KTV Vigan Morina.

AGPK është informuar nga këta kolegë se të njëjtit, kanë kërkuar trajtim mjekësor në QKUK. Po ashtu AGPK është njoftuar nga portali Indeksonline se botuesi është kërcënuar nëpërmjet telefonit nga Valton Marku pjesëtarë i këshillit organizativ protestës”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

Asociacioni u bën thirrje protestuesve dhe policisë që të mos i pengojnë gazetarët në kryerjen e detyrës së tyre.

AGPK u bënë thirrje palëve të përfshira në protestë që të jenë të kujdesshme ndaj ekipeve mediale, ndërsa ua rikujtojmë të gjithëve se prania e mediave aty, është për të pasqyruar në tërësi të gjitha zhvillimet.

“Kolegëve gazetarë dhe kameramanëve e fotografëve, u kërkojmë që edhe më tutje të kryejnë punën e tyre të pavarur e në mënyrë shumë profesionale”.

Inspeksioni në Suharekë, aksion për eliminimin e anekseve shtesë

0

Suhareke-aneksetDrejtoria komunale e Inspeksionit në Suharekë, këto ditë ka nisur një aksion për heqjen e anekseve shtesë nëpër disa lokale hoteliere, të cilat shpesh po bëhen pengesë për kalimtarët e rastit dhe po pengojnë hyrje-daljet nëpër objektet banesore.

Drejtori i Inspeksionit, Raif Fetiu, ka bërë të ditur se ky aksion veq po jep rezultatet e para, pasi dy nga pronarët e objekteve veq i kanë hequr ato, pa pasur nevojë të rrënohen.

“Do të merren masa të eliminimit të këtyre anekseve te të gjithë ata pronar që nuk kanë leje për të ngritur anekset”, deklaroi Fetiu.

Andaj ai bënë apel te pronarët që me të marrë urdhëresën nga Inspeksioni, të heqin vetë akenset ,sepse në të kundërtën ato do të rrënohen. /PrizrenPress.com/

Publikohet romani i vetem i Charlie Chaplin

0

CharlieChaplin-romani1Një roman i Charlie Chaplin, i vetmi që ai ka shkruar gjatë gjithë karrierës së tij, është gjetur në arkivat e Kinematekës së Bolonjës, që e ka botuar atë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së personazhit me emrin Charlot.

“Footlights”, që do të prezantohet sot në mbrëmje në Londër, është shkruar nga regjisori dhe aktori britanik në vitin 1948, katër vjet përpara suksesit të pjesës “Dritat e skenës”, skenari i të cilës është frymëzuar nga libri.

“I mbetur i pabotuar për 60 vjet, i ruajtur në fondin Chaplin, ai botohet për herë të parë, në anglisht, në edicionet e Kinematekës së Bolonjës, me miratimin e familjes”, shpreh kënaqësinë institucioni italian në një komunikatë të publikuar në faqen e tij të internetit.

Charles Spencer Chaplin ka lindur në Londër në vitin 1889 në një familje të varfër. Kur ishte adoleshent, ai filloi të luante në spektakle muzikore të tipit music-hall, në lagjen Soho dhe më tej u bë aktor.

Në vitin 1914, përpara 100 vjetësh, në filmin me metrazh të shkurtër dhe pa zë “Për të fituar bukën e gojës”, filmi i tij i parë në kinema, ai krijoi për herë të parë personazhin Charlot, që do ta bëjë të famshëm në mbarë botën.

“Footlights”, i vetmi libër i shkruar nga Chaplin, tregon historinë e një valltareje dhe të një kllouni, që pa dyshim e ka marrë shtysën nga “takimi i shkurtër por vendimtar i Çaplinit me koreografin rus Nizhinski në vitin 1916″, tregon regjisori David Robinson në biografinë e tij.

CharlieChaplin-romaniAi të emocionon me forcën, ekuilibrin narrativ, lirinë dhe me një shkrim të ngjashëm me atë të Dikensit, sidomos në përshkrime dhe analizën e karaktereve, shton Kinemateka.

Libri ilustrohet me dokumente dhe fotografi të papublikuara më parë që vijnë nga fondi Chaplin, si dhe me ikonografi të rralla të Londrës së viteve ’20, në kohën e rinisë së Çaplinit dhe të formimit të tij si aktor.

Procedohen mbetjet e para mortore të zhvarrosura në Rashkë

0

Varreza masive12-23Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, së bashku me Udhëheqësin e Njësisë së KQPZH-së, Kushtrim Gara, gjatë ditës qëndruan në Beograd me rastin e fillimit të dorëzimit të mostrave të mbetjeve mortore të zhvarrosura në Rashkë, gjatë muajit dhjetor të vitit 2013, për t’u identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Marrja e mostrave është realizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me autoritetet kompetente të Institutit për Mjekësi Ligjore në Beograd, në prezencë të Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Persona të Zhdukur.

“Sipas të dhënave antropologjike të prezantuara më këtë rast, mostrat e proceduara përfaqësojnë minimumi dy individ, viktima të luftës. Ndërsa, mbetjet mortore të pa proceduara për shkak të një numri jo të madh të pjesëve kockore të zhvarrosura gjatë muajit dhjetor 2013, që sipas antropologëve përfaqësojnë minimumi katër individ, kanë mbetur për t’u proceduar më tutje pas kompletimit, përkatësisht ribashkimit me pjesë tjera kockore, që do të zhvarrosen nga varreza e jashtëligjshme në Rudnicë- Komuna e Rashkës”, thuhet në një njoftim për media të Zyrës së Kryeministrit.

Me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, shprehu shqetësimet për vonesat që kanë përcjellë këtë proces deri më tani, duke shtuar se “është e papranueshëm për ne dhe familjarët e personave të zhdukur, që një proces i tillë të vazhdon të trajtohet si deri më tani”.

“Pra, gjithsesi që do të vazhdojë angazhimi ynë që rasti i Rashkës të merr rrjedhën e duhur, në pajtueshmëri me të gjitha palët e përfshirë në këtë proces, e para se gjithash të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur”, shtoi Gjetaj.

Të gjitha këto shqetësime do të ngriten edhe në takimin e radhës të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, i planifikuar të mbahet më 11 shkurt 2014./PrizrenPress.com/

Avokati i Popullit, ndërmjetës për zgjidhjen e ngërçit protestues-rektorat

0

SamiKurteshi-avokati popullitAvokati i Popullit ka përcjellë për së afërmi tash sa ditë rrjedhën e protestës para rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Gjendja e krijuar tregon shenjat e dukshme të acarimit të mëtejmë dhe cenim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Eskalimi i situatës në përleshje midis protestuesve dhe forcave policore, në hyrje të hapësirave ku ndodhet Rektorati, është i rrezikshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm. Situata e krijuar dhe konfrontimi i dhunshëm para Rektoratit janë produkt i mungesës së debatit të domosdoshëm të botës akademike. Lëndimi i sotëm i dhjetëra protestuesve dhe policëve, është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së këtij debati”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit sugjeron që ky debat i zhvendosur në rrugë, të rikthehet brenda botës universitare, për të gjetur zgjidhje të pranueshme dhe në pajtim me standardet universale akademike.

“Bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, Avokati i Popullit shpreh gatishmërinë që të ndërmjetësojë për të tejkaluar ngërçin mes studentëve dhe organeve udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës, nëse të dy palët pajtohen për këtë”, theksohet më tej në reagim.

Sido që të jetë, në gjithë këtë situatë, Avokati i Popullit vlerëson se është e domosdoshme vetëpërmbajtja e të gjitha palëve nga çdo veprim që çon në përkeqësim të gjendjes së krijuar./PrizrenPress.com/

KMDLNj kërkon nga protestuesit të jenë të qetë

0

KMDLNJ-logoKëshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka reaguar duke këshilluar protestuesit që të mos bëhen të dhunshëm.

Si masë të ngutshme, KMDLNj propozon shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi, shpërndarjen e Këshillit Drejtues si dhe mbylljen e rektoratit për aq kohë sa të zgjasin hetimet.

“KMDLNj përkrahë protestat deri në ato çaste kur ato janë paqësore ndërkaq që nuk i përkrah ato kur bëhen të dhunshme, prandaj kërkon nga protestuesit të protestojnë në mënyrë paqësore duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për të vendosur rregull në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Protestuesit duhet të mbajnë rregull. Institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet seriozisht t’i marr parasysh kërkesat e studentëve dhe urgjentisht duhet të vendos rregull në Universitetin “Hasan Prishtina”, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në MASHT”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ndryshe, KMDLNj thotë se Policia e Kosovës është vënë në situatë shumë të rëndë, midis kërkesave të arsyeshme të studentëve dhe ndikimit të politikës si urdhërdhënës në anën tjetër si dhe atyre që në mënyrë të paskrupullt përmes politizimit të protestës po kontribuojnë në eskalimin e dhunës.

KMDLNj vlerëson se në protestën e datës 7 shkurt 2014 kanë marrë pjesë 1500 – 1800 protestues. Në përpjekje për të hyrë në oborrin e Rektoratit nga ana e protestuesve dhe në përpjekje për t’u penguar nga ana e policëve, situata ka eskaluar duke hedhur kubëza guri, shkopinj druri, shishe të plastikës dhe të qelqit, ujë, qumësht në drejtim të policëve ndërsa policia ka zbrazur bombola të gazit lotsjellës në drejtim të protestuesve. Janë me dhjetëra protestues të lënduar, dhjetëra policë gjithashtu të lënduar (një rëndë si pasojë e goditjes me kubëz guri në nofull) dhe mbi 40 protestues të arrestuar. /PrizrenPress.com/

LSB-SKV: Vazhdojmë me protestën – Lironi protestuesit!

0

Rektorati-studentet protestojneLëvizja Studentore për Barazi, “Studim, Kritikë, Veprim”, përmes një kumtese për shtyp thotë se sot, para dhe pas protestës, nga persona të panjohur “të cilët janë paraqitur si pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, kanë arrestuar protestues, qytetarë e shumë nga organizatorët. “Këto arrestime nëpër rrugët e qytetit, kanë filluar që nga ora 11:00 dhe kanë vazhduar edhe pas protestës. Ndjekja e studentëve ka disa ditë që ka filluar dhe bëhet për arsyen e vetme: të mbytet organizimi studentor”, thuhet në kumtesë.
Sipas Lëvizjes Studentore për Barazi, janë të arrestuar mbi 30 studentë, qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Një pjesë e tyre janë të lënduar dhe ende mbahen nën arrest, e “një pjesë e tyre është rrahur pas edhe gjatë arrestimit”.

“Këto kidnapime politike janë shfaqur në mënyrë më të hapur, kur studenti Durim Jasharaj ishte duke mbajtur prononcim para mediave dhe protestuesve, gjersa u kap dinakërisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, njëjtë sikurse aktivisti i shoqërisë civile, Ilir Deda, i cili ishte duke biseduar me policët”.

Lëvizja i bën thirrje Policisë së Kosovës që t’i lirojë studentët, qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët po mbahen nën arrest vetëm për shkak se po kërkojnë drejtësi.

“Ne nuk do t’i ndalim protestat tona, derisa të realizohen kërkesat tona të drejta! Siç paralajmëruam edhe para portës së Rektoratit, protesta e dhjetë do të mbahet ditën e hënë, më 10 shkurt 2014, në ora 12:00. Sikurse në protestat e kaluara, studentët do të mblidhen të Konviktet në Qendrën Studentore, ndërsa të tjerët do të mblidhen tek sheshi ‘Skënderbeu’. Ju bëjmë thirrje gjithë studentëve, profesorëve, sindikatave, qytetarëve dhe shoqërisë civile që të na bashkohen në protestën tonë, e cila nuk do të ndalet deri në fund”!

Kërkesat, e Lëvizjes, janë:

1. Dorëheqja e menjëhershme e Rektorit, Ibrahim Gashi – sepse rektori duhet te ndalojë publikimet shkencore ne revista te rrejshme, e jo te publikojë rrejshëm punime shkencore.

2. Fillimi i menjëhershëm i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës dhe ngritja e një mekanizmi për verifikimin e të gjitha titujve akademikë – sepse duhet te ndalen turbotitujt shkencor e plagjiatet me pagese, nëpërmjet një mekanizmi verifikues e transparent, në mënyrë që të kemi shkencë e dije.

3. Përmirësimi i infrastrukturës në Qendrën e Studentëve

4. Largimi i ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës – sepse duhet të kemi Universitet të studentëve, e jo Universitet të pushtetnxhinjëve.

Lëvizja ka dërguar edhe listën e protestuesve të arrestuar. Ata janë:
Agron Kabashi
Alban Makolli
Argjend Tahirukaj
Avin Foniqi
Durim Jasharaj
Edon Buca
Egzon Alshiqi
Egzon Azemi
Frashër Krasniqi
Gerolld Nikoliqi
Hetem Haliti
Ilir Deda
Jetmir Haliti
Luan Hoti
Luljeta Jasiqi
Nol Nushi
Nora Fetoshi
Premton Ibërdemaj
Rina Zhitia
Shyhrete Muji
Veron Hasani
Ylli Hoxha
Zgjim Hyseni etj.

Masë ndalimi prej 48 orësh për 31 të arrestuarit (Video)

0

Rektorati-protesta14lir Dedajt, Ylli Hoxhajt dhe 29 të arrestuarve të tjerë iu është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë se ky vendim është krejtësisht i kundërligjshëm.

“Prokurorja Fikrije Fejzullahu, prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ua ka shqyrtuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Ky vendim është krejtësisht i kundërligjshëm dhe është keqpërdorim i drejtësisë”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se aktiviteti i të arrestuarve, në veçanti i Ilir Dedës dhe Ylli Hoxhës, është i njohur, dhe ata nuk as nuk do të fshihen e as do të largohen nga Kosova.

Ndërkaq, prokurorja Fejzullahu ka thënë se nuk merret me emrat e të arrestuarve. “Unë nuk i di emrat e të arrestuarve. Hollë e hollë, unë i ndaloj edhe djemtë e mi nëse është nevoja”, ka deklaruar prokurorja Fejzullahu.

Mbërrin në Kosovë trupi i pajetë i Vaçe Zelës

0

VaçeZela-arkivoliTrupi i pajetë artistes së madhe, Vaçe Zela, ka mbërritur sot, në orën 14:24, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Artistë, miq e shumë të tjerë kishin dalë të prisnin trupin e pajetë të artistes. Ndërkaq, edhe pse ishte paralajmëruar që të marrë pjesë ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ai nuk ishte prezent, shkruan Zëri.

Ndryshe, Vaçe Zela ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë në Bazel të Zvicrës. Lajmi konfirmohet nga familjarët e saj në Zvicër.

VV: Dhuna e policisë ndaj studentëve është e papranueshme dhe e patolerueshme

0

VV-logo9-09Përdorimi i shfrenuar i dhunës nga Policia e Kosovës kundër studentëve protestues, e në mbrojtje të falsifikatorëve dhe uzurpatorëve të Universitetit të Prishtinës, është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

Është ky vlerësimi i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik i cili e dënon këtë dhunë, që, sipas tyre, qëllim kryesor e ka heshtjen dhe lëndimin e studentëve protestues që kanë ngritur zërin dhe janë organizuar në mbrojtje të Universitetit, hapësirës publike dhe rregullave akademike, e kundër falsifikatorëve e mashtruesve që e kanë uzurpuar dhe korruptuar Universitetin dhe procesin mësimor brenda tij.

“Gjatë ditës së sotme të protestës policia ka arrestuar një numër të madh të protestuesve, madje ende pa filluar protesta. Këtë ditë policia, e urdhëruar nga pushteti, përdori metoda të kulluara totalitare duke i kryer arrestimet e protestuesve përmes policëve civilë, të cilët pa kurrfarë paralajmërimi e as provokimi i arrestonin qytetarët e Kosovës në rrugë. Këto janë kidnapime e jo arrestime sipas procedurave policore. Po ashtu gjatë zhvillimit të protestës policia ka përdorur edhe gazin lotsjellës duke e hedhur atë drejtpërdrejt në trupat e njerëzve dhe godinat përreth, me ç’rast e kanë paralizuar lëvizjen e të gjithë qytetarëve dhe banorëve përreth ndërtesës së Rektoratit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje vlerëson se studentët kanë të drejtë, pasi që, sipas tyre, Universiteti është i tyre, “ndërkohë që është uzurpuar nga mashtrues e matrapaz të mbështetur nga Qeveria e Kosovës, të cilët po ia shkatërrojnë Kosovës Universitetin dhe po ia ndalojnë studentit hyrjen në të”.

“Tash e dy ditë pushteti përmes deputetëve të tij e ka paralizuar edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës duke e vendosur veten si mburojë e gjallë rreth shkeljeve, mashtrimeve, falsifikimeve e korrupsionit në Universitet të trupëzuara në menaxhmentin aktual të udhëhequr nga Ibrahim Gashi, dhe në Këshillin Drejtues të UP “Hasan Prishtina”. Universiteti është uzurpuar – është tjetërsuar nga dija, nga shkenca, dhe tash përmes policisë edhe nga studenti”, vlerëson Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, në fund ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Rektorit dhe të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

“Ne po ashtu kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të policisë nga hapësira publike e Universitetit. Këta shkaktarë dhe bartës të dhunës së sotme, dhe veçanërisht urdhërdhënësit e tyre, duhet të japin përgjegjësi për rrahjen e protestuesve si dhe për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Po ashtu kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar, që po mbahen padrejtësisht në burg”./PrizrenPress.com/