7.9 C
Prizren
E martë, 5 Maj, 2026
Home Blog Page 8766

LDK e cilëson “stalinist” deputetin Ramë Vataj

0

Rame VatajLidhja Demokratike, përmes një komunikate ka reaguar ndaj pohimeve të deputetit të PDK-së, Ramë Vataj, i cili tha se Isa Mustafa nuk ishte anëtar i ASHAK.

“Personi i quajtur Ramë Vataj, i cili u bë i njohur me tentimin për ta rrënuar Akademinë e Arteve dhe të Shkencave të Kosovës, pasi humbi garën në katundin e tij, me urdhër të shefit, i është kthyer ASHAK-së”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

“Vataj, mbrëmë, deklaroi se Isa Mustafa nuk është akademik, duke menduar si çdo stalinist se këtë e vendos ai”.

Në komunikatë LDK rikujton se “Isa Mustafa është zgjedhur së pari anëtar korrespondent e pastaj anëtar i rregullt i ASHAK-së në procedurë të rregullt dhe me votë të fshehtë në Seksionet dhe në Kuvendet e ASHAK-së.

Se kush vlen e kush jo nuk vendos Vataj, meqë ai as nuk arrin të kuptojë se çfarë vlen dhe çfarë jo.

Vataj bën mirë të sqarojë se si ka mashtruar, bashkë me ministrin e Arsimit, për ta regjistruar djalin e tij kundërligjshëm në Fakultetin e Mjekësisë, sepse punët e ASHAK-së dhe të shkencës janë tepër të rënda për një anonimus që ka shpenzuar kot paratë e qytetarëve të Kosovës në Paris”. /PrizrenPress.com/

33 protestues të arrestuar, 29 policë të lënduar

0

Rektorati-protesta14Qindra protestues, të mbledhur më shumë se ditëve tjera kanë filluar edhe të premten protestën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për të kërkuar kështu dorëheqjen e rektorit, Ibrahim Gashi.

Policia e Kosovës theksoi se me çdo kusht është munduar t’i shmanget provokimeve, transmeton Telegrafi. Sipas Policisë përdorimi i mjeteve të tyre ka qenë në proporcion me situatën. Raportohet për 29 policë të lënduar dhe 33 protestues të arrestuar.

Kuvendi i Malishevës formoi komitetet obligative

0

KuvendiMalisheves-14-07Kuvendi i Komunës së Malishevës të kryesuar nga Enver Hoti, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të radhës, ku janë formuar komitetet obligative, si Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) dhe Komiteti për Komunitete, si dhe është marrë vendim për formimin e komisionit të punës, për hartimin e planit të punës së Kuvendit.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës, kanë miratuar katër vendime, ku është vendosur për formimin e KPF-së, që do të ketë 11 anëtar (kryesuesi me 4 anëtar nga IQM-ja, 3 anëtar PDK-ja dhe 3 anëtar LDK-ja), pastaj Komitetin për Komunitete, që do të përbëhet prej 7 anëtarëve.

Gjithashtu është formuar edhe komisioni për hartimin e planit të punës së Kuvendit të Komunës, për vitin 2014, komision që përbëhet nga 7 anëtarë, nga të gjitha partitë politike në KK dhe kryesuesi.

Po ashtu KK mori vendim, që nga kjo seancë, të publikohen procesverbalet e mbledhjeve të KK, në ueb faqen zyrtare të komunës.

Në mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Ragip Begaj, i cili është përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Kuvendit, drejtuar atij, për çështje të ndryshme. /PrizrenPress.com/

22 drejtorë në Rahovec pajisen me certifikata nga USAID-BEP

0

Rahovec-22drejtor certifikohenNë Qendrën për Ngritje profesionale në shkollën fillore “Isa Boletini” në Rahovec, 22 drejtorë të shkollave fillore u pajisën me certifikata të trajnimit për menaxhim të shkollave, në kuadër të projektit të USAID- BEP (Programi për Arsim themelor).

Drejtori i DKA-së Behar Rama, tha se ky trajnim do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së mësimit dhe do të bëjë të mundur që drejtorët të kryejnë më me përgjegjësi detyrat e tyre. Ndër të tjera drejtori Rama falënderoi donatorin (USAID) për këtë ndihmë dhe u shpreh i bindur se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Përgjegjësi i projektit të USAID-it  Keith Prenton, tha se ndjehet i lumtur për drejtorët që e kanë ndjekur këtë trajnim, ndërsa përvoja e fituar do të shërbejë për një lidership më të mirë në shkolla.

“Ju jeni pionierët që do ta modernizoni arsimin fillor në Kosovë. Puna juaj do të reflektojë në përfitimin e shkathtësive që ju duhen nxënësve për të përballuar sfidat e shekullit 21”, tha ndër të tjera Prenton.

Më pas Prenton dhe Rama bënë shpërndarjen e 22 certifikatave për pjesëmarrësit e trajnimit, që ka nisur në shtator të vitit 2012 dhe ka zgjatur një vit.

Basic Education Program (BEP) i USAID-it në Kosovë synon të përkrahë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ulëta (klasat I-IX). Moto e programit është, “Zhvillimi i shkathtësive të shekullit 21 tek nxënësit në partneritet me shkollën dhe komunitetin”. Programi mbështet edhe nga MASHT dhe punon për zgjerimin e kapaciteteve të menaxhimit të shkollave në mjedis të decentralizuar, për fuqizimin e vlerësimit të rezultateve të të nxënit dhe për përmirësimin e mësimdhënies përmes zhvillimit profesional të mësimdhënësve në detyrë. Programi zbatohet nga FHI, në partneritet me MASHT-in dhe Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC). /PrizrenPress.com/

Rambujeja, ngjarje e madhe për Kosovën

0

Rambuje-krasniqi-thaciDisa nga përfaqësuesit e Kosovës, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi dhe Bujar Dugolli, në 15-vjetorin e saj e kanë vlerësuar këtë konferencë si një ngjarje të madhe politike në historinë e popullit shqiptar.

Me rastin e shënimit të 15-vjetorit të Konferencës së Rambujesë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, një nga nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën, ka thënë se pa luftën çlirimtare Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta organizonte këtë konferencë në Rambuje të Francës. Thaçi ka thënë se kjo konferencë u organizua pas luftës heroike të UÇK-së dhe rezistencës gjithëqytetare të popullit të Kosovës. “Më 6 shkurt u mbushën 15 vjet qëkur filloi punimet Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës. Konferenca u organizua pas luftës heroike të UÇK-së dhe rezistencës gjithëqytetare të popullit të Kosovës. Kjo Konferencë u organizua nga bashkësia ndërkombëtare me rol udhëheqës nga SHBA-ja, BE-ja dhe me prani të Rusisë. Pa luftën çlirimtare Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta organizonte Rambujenë. Me marrëveshjen e Rambujesë u krijua mundësia e intervenimit të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në Kosovë. Falë sakrificës heroike të popullit të Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s, Kosova fitoi lirinë në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social “Fecebook”. Ai ka thënë se në shenjë nderimi për këtë datë duhet të kujtohen dëshmorët e lirisë, sakrifica e invalidëve të luftës, veteranët dhe mundi i gjithë qytetarëve të Kosovës për liri. “Çdo qytetar i Kosovës është çlirimtar. Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderoj SHBA-të, BE-në dhe NATO-n”, ka thënë Thaçi.

Qosja: Ndaj ShBA-së duhet të kemi një nderim të veçantë historik

Për rolin dhe rëndësinë e Konferencës së Rambujesë ka folur të enjten edhe akademik Rexhep Qosja, një nga nënshkruesit e marrëveshjes së Rambujesë për Kosovën. Qosja ka thënë për “Epokën e re” se Konferenca e Rambujesë është ngjarje e madhe politike në historinë e popullit shqiptar. “Konferenca ndërkombëtare e Rambujesë është një datë e madhe në historinë e popullit shqiptar. Këtë konferencë në radhë të parë e kanë organizuar ShBA-të dhe BE-ja, por ndaj ShBA-ve kemi dhe duhet të kemi një qëndrim, një nderim të veçantë historik. Ato kanë luajtur rolin vendimtar për mbajtjen e kësaj konference, mandej për masat që janë marrë më vonë në lidhje me Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Shkurt e shqip, Konferenca e Rambujesë është ngjarje e madhe politike në historinë e popullit shqiptar”, ka thënë Qosja. Ai ka vlerësuar se Konferenca e Rambujesë ka ndryshuar dhe ka korrigjuar padrejtësitë e mëdha që i janë bërë Kosovës dhe popullit shqiptar. “Është një datë e madhe për arsye se Konferenca e Rambujesë është ngjarja e madhe, e cila me punën e saj, me rrjedhimet pas punës së saj, me vendimet që janë marrë pastaj në bazë të saj nga faktorët ndërkombëtarë në radhë të parë, nga ShBA-të dhe BE-ja e kanë ndërruar historinë e popullit shqiptar. Një histori më shumë mundime, më shumë dhunë, më shumë terror, më shumë zhvendosje dhe më shumë padrejtësi që i janë bërë popullit shqiptar, ajo konferencë, në masë të madhe, e ka përmirësuar atë gjendje historike të popullit shqiptar, e ka ndryshuar dhe e ka përmirësuar një padrejtësi të madhe që popullit shqiptar i është bërë në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe në Konferencat pas Luftës së Parë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, në masë të madhe i ka ndryshuar dhe i ka korrigjuar ato padrejtësi”, ka deklaruar Qosja. Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë e ka përmirësuar pozicionin e popullit shqiptar dhe ia ka dhënë vendin e duhur në historinë ballkanike. “Pra, ajo është konferencë me rol të veçantë në historinë tonë. Pas shumë mbledhjeve, tubimeve, e kongreseve ndërkombëtare me të cilat kemi qenë të shpërfillur dhe ndaj nesh janë bërë padrejtësi të mëdha historike, kjo konferencë është e para që popullit shqiptar ia ka dhënë vendin që i takon në historinë ballkanike dhe ka ndikuar në ndryshimin e fatit të tij historik, prandaj edhe në përmirësimin e pozitës së tij historike në Ballkan dhe në Evropë”, është shprehur Qosja.

Krasniqi: Konferenca e Rambujesë, ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën

Ndërkohë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili po ashtu ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, ka thënë për “Epokën e re” se Konferenca e Rambujesë është ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën e cila ka ndikuar pozitivisht në proceset e mëtutjeshme për vendin tonë. “Nuk ka asnjë dyshim se Konferenca e Rambujesë është ngjarja më e madhe ndërkombëtare për Kosovën. Ajo ngjarje, sido që të trajtohet sot, i ka ndikimet e saj në të gjitha proceset pozitive që rrodhën pas saj”, ka vlerësuar Krasniqi.

Dugolli: Rambueja mbetet një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e Kosovës

Edhe Bujar Dugolli, i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka vlerësuar se Konferenca e Rambujesë ka qenë ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila ka pasur ndikim të madh në të ardhmen e Kosovës. “Padyshim se në këtë 15-vjetor të asaj konference ndërkombëtare për Kosovën, kur reflektojmë në kontekstin historik, themi se ka qenë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, sepse ishte hera e parë në historinë e Kosovës që bashkësia ndërkombëtare dhe bota perëndimore mblidhej në një forum të tillë ndërkombëtar për ta trajtuar një problem të pazgjidhur në Ballkan siç ishte Kosova”, ka thënë Dugolli për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme që është futur në analet e historisë bashkëkohore si ngjarje pozitive dhe e dobishme për Kosovën. “Kjo mbetet një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë e Kosovës, por edhe e shqiptarëve, sepse ishte kjo konferencë ndërkombëtare e cila u hapi rrugë zhvillimeve të mëtutjeshme siç ishte intervenimi i NATO-s për t’i larguar ushtrinë dhe policinë serbe nga Kosova dhe për t’i hapur rrugë çlirimit të Kosovës. Pas këtij momenti ndodhi ndërtimi i Kosovës, pastaj pavarësimi i saj. Mendoj se kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme saqë është futur në analet e historisë bashkëkohore si ngjarje pozitive dhe e dobishme për Kosovën”, ka deklaruar Dugolli.

KD i UP-së: Na jepni kohë për marrjen e masave

0

UP-rektoratiKëshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës shprehet se është tejet i shqetësuar me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe me implikimet e thella politike, në këto zhvillime, që për fat të keq sot kanë eskaluar edhe në akte të dhunshme.

Në njoftim thuhet se Këshilli Drejtues ka filluar procedurën e adresimit të përgjegjësisë për të gjithë stafin e UP-së, duke filluar nga rektori dhe deri në të fundit në listë.

“Ju sigurojmë se jemi të vendosur për të marrë masa në përputhje me ligjin dhe Statutin ndaj të gjithë atyre që kanë përgjegjësi morale apo ligjore për situatën e krijuar… Konsiderojmë se në një situatë të tillë, rekomandimi i një pjese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për dorëheqjen e Këshillit Drejtues të UP-së, është i kundërligjshëm dhe ndërhyrje flagrante në autonominë e Universitetit. Për më tepër kjo masë e propozuar nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit dhe druajmë se krijon hapësirë për një anarki totale”, thuhet në komunikatë.

KD i UP-së kërkon nga studentët protestues, nga opinioni publik dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës, që t’iu japin kohën e domosdoshme që Këshilli Drejtues ta kryej punën e vetë dhe në përputhje me kompetencat qe ka, të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për situatën e krijuar, duke filluar nga Rektori Ibrahim Gashi.

“Situata e krijuar është e papranueshme dhe na pamundëson që t’i kryejmë detyrat dhe premtimet që i kemi dhënë”, thuhet në komunikatë.

Limaj e bën të paparashikueshme skenën politike

0

ShkelzenMaliqiAnalisti politik Shkëlzen Maliqi, pas formimit të partisë së Fatmir Limajt, parasheh ndryshim të paparashikueshëm në skenën politike.

Analisti politik Shkëlzen Maliqi, pas largimit të deputetit Fatmir Limaj nga PDK-ja dhe paralajmërimit për formimin e një partie të re, ka vlerësuar se gara në mes të partive politike për zgjedhjet nacionale do të jetë shumë interesante.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Maliqi ka thënë se, për shkak të Limajt, gara në mes të PDK-së dhe LDK-së për vendin e parë do të jetë e paparashikueshme. Në këtë kontekst, Maliqi ka vlerësuar se partia e Limajt mund të jetë edhe përcaktuese e koalicionit të ri qeverisës. “Gara në mes të PDK-së dhe të LDK-së do të bëhet më e paparashikueshme edhe në aspektin e rolit dhe forcës që do ta ketë subjekti i ri politik, i cili nuk përjashton as bashkëpunimin me PDK-në, kështu që do të kemi një faktor të ri dinamizues, ndoshta edhe përcaktues të formulës qeveritare”, është shprehur Maliqi.

Lëvizja Vetëvendosje! dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sipas Maliqit, në zgjedhjet nacionale do të “luftojnë” për vendin e tretë. “Është gati e sigurt gara e ngushtë për vendin e parë mes PDK-së dhe LDK-së, si dhe po aq e ngushtë mes AAK-së dhe Vetëvendosje!-s për vendin e tretë, që do të mund ta luanin rolin kyç në bërjen e koalicionit të ri qeveritar”, ka thënë Maliqi.

Ai ka vlerësuar se në zgjedhjet e ardhshme do të fuqizohet tendenca e afirmimit të një brezi të ri të politikanëve. “Mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do të fuqizohet tendenca e afirmimit të një brezi të ri të politikanëve, por edhe të subjekteve politike që duhet ta dërrmojnë ose edhe të zëvendësojnë elitën aktuale, sidomos atë të komprometuar me afera korruptive dhe qeverisje abuzive në instancat e ndryshme të sistemit”, ka deklaruar Maliqi.

Duke folur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Maliqi ka thënë se, nëse provokohen ose inskenohen kriza dhe rënia e qeverisë aktuale, zgjedhjet mund të mbahen edhe në pranverë.

Shkëlzen Maliqi ka folur edhe për çështjen e vazhdimit të vendeve të rezervuara për minoritetet. Ai ka thënë se është kundër vazhdimit të këtyre vendeve. “Mendoj se serbët e veriut, por edhe sponsorët e tyre nga Beogradi, nuk kanë aspak të drejtë. Nëse janë vonuar 6 vjet ta pranojnë planin e Ahtisarit, pasojat e vonesës nuk mund t’u barten institucioneve dhe rendit kushtetues të Kosovës”, është shprehur Maliqi.

Meha takon drejtorët e Zyrave Komunale të Kadastrit

0

MuratMeha-agjencia kadastraleAgjencia Kadastrale e Kosovës sipas vlerësimit të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar rangohet shumë lartë për punën që është duke bërë. Kështu tha kryeshefi i kësaj agjencie, Murat Meha gjatë një takimi më drejtorët e Zyrave komunale të Kadastrit. Ai shtoi se këto vlerësime janë rezultat i një pune të përbashkët.

Kosova këtë vit ka shënuar ngritje në raportin e Bankës Botërore sa i përket Kadastrit. Kështu tha kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha. Ai shtoi se ky vlerësim vjen si rezultat i regjistrimit dhe administrimit të mirë të tokave.

”Kosova tani është për 18 vende në ranglistën e Bankës Botërore më larg se që ka qenë vitin e kaluar. D.m.th pikërisht për shkak të kadastrit dhe regjistrimit e administrimit të tokave në përgjithësi, tha ai.

Ndërsa Flutura Blakçori zyrtare ligjore në Njësinë për Inteligjencë Financiare të Kosovës tregon për obligimet ligjore të parapara me ligj dhe mënyrën e raportimit në këtë institucion nga ana e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ajo theksoi se Njësia e Inteligjencës Financiare nuk bën hetime, arrestime apo bastisje.

”Kryesisht ne bëjmë analizën e inteligjencës e cila lidhet me raportet e transaksioneve të gatshme dhe raportet e aktiviteteve të dyshimta, si dhe pranojmë kërkesa të ndryshme prej institucioneve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve tjera homologe ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërsa sipas një raporti të nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës thuhet se kuadri profesional në shumë Zyra Kadastrale Komunale ka mungesë të kualifikimit dhe azhurnimit. Po ashtu ka ngecje të gatishmërisë për punë dhe avancim, në kuptimin e zhvillimeve aktuale si dhe leximit të materialeve në ueb faqen e AKK-së.

Dy ditë mbledhje, asnjë vendim në Kuvend

0

KuvendiKosoves5-27Kuvendi i Kosovës ka debatuar gjatë dy ditëve për problemet në Universitetin publik “Hasan Prishtina”, por në mungesë kuorumi, për shkak të bojkotit nga koalicioni qeverisës, përfundoi pa asnjë vendim. Ndërsa dje u debatua thuajse gjatë gjithë ditës, sot debati ishte më i shkurtër. Ai kishte të bënte me harmonizimin e qëndrimeve midis grupeve parlamentare për rekomandimet rreth Universitetit, por mungoi vullneti i mirë që kjo të arrihej dhe çështja u shty për një mbledhje tjetër, sigurisht të javës së ardhshme. Kuvendi kishte në rend të ditës edhe çështje të tjera – një varg projektligjesh a plotësime ligjesh, që kërkonin praninë e ministrave të dikastereve përkatëse, por ata mungonin. Kryekuvendari, Jakup Krasniqi, nuk pati një arsyetim për mungesën e tyre, por tha se pa ta diskutimi do të ishte i kotë, raporton Koha.

Përveç votimit të rekomandimeve, sot në rend dite ishte edhe shqyrtimi për herë të parë i këtyre projektligjeve: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit; Projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore. Duhej të shqyrtohej  edhe Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Si pika e fundit e kësaj seance kanë qenë edhe emërimi i një anëtari të Bordit të RTK-së, si dhe shqyrtimi i propozimit të Këshillit Gjyqësor për emërimin e Organit përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kryesia do të vendosë se kur dhe me çfarë rendi të ditës do të zhvillohet mbledhja e ardhshme e Kuvendit.

Mbledhjet e Kuvendit zakonisht mbahen të enjteve.

Dritëro Agolli: Jo vdekje, lulezim i dytë. I mërmëroj shpesh këngët e Vaces

0

DriteroAgolli me cigareShkrimtari Dritëro Agolli në një lidhje për News24, flet për këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Sipas tij, këngëtari më i madh që bën emër të histori është ai, këngët e të cilit të mbushin në shpirt e zemër.

“Po ato këngë këndohen dhe në gëzime edhe në hidhërime edhe në valle, në të gjithë sistemet dhe të gjithë llojet e shteteve. Dhe tani unë sjell në mend tingujt e këngëve të Vaçe Zelës dhe ndonjëherë i këndoj vetë në heshtje duke mërmëruar, siç është fjala për një këngë popullore të stilizuar të saj, që e di dhe unë dhe shpesh herë rri kështu në dhomë, dhe me këngë, që mundohem ta bëj si ajo. Vaçe Zela ka hyrë në shpirtin e popullit tonë, ashtu siç ka këngëtarë në Europë që kanë hyrë në shpirtin e tyre. Njerëzit i mbajnë në kaseta, shoferët udhëtarët turistët, njerëzit e ardhur nga vende të tjera përpiqen t’i mësojnë këngët. Këtij lloj artisti unë i them artist i vërtetë. Tingujt kanë hyrë në themelet, apo në thërrmijat e tokës tonë, pore dhe në fëshfërimën e fletëve të pemëve, të kopshteve, kanë hyrë në gurgullimat e përrenjve dhe valët e lumenjve. Kështu që ajo jeton përherë në këtë popull por nuk jeton vetëm në këta breza që jeton tani, por edhe në brezat e tjerë që do të vijnë. Ajo është një pemë që nuk do të thahet kurrë. Gjithmonë ajo do të lulëzojë dhe do të bëjë fruta dhe fruta është kënga. Ajo edhe në diktaturë ka qenë ylli i këngës tonë. Në atë kohë ajo u rrit si këngëtare, u bë këngëtare e vërtetë, këngëtare me kitarë. Pak kemi ne vajza që edhe me kitare edhe me këngë. Ajo ishte shumë kërkuese në çdo këngë që i bënin kompozitorët dhe në çdo varg që i shkruanin poetët.
Edhe poetët e mëdhenj tanët dridheshin para asaj kur bënin vargjet. Incizimet e këngëve të saj duhet të ripërsëriten, të freskohen. Tani ka teknikë që të bëhen këto, pasi çështë e vërteta i kemi lënë mënjanë. Këngët e saj këndohen, por zëri i saj pak është ndjerë”.