15.3 C
Prizren
E diel, 7 Shtator, 2025
Home Blog Page 8780

Egzonit i duhet ndihma për shërim

0

EgzonGashi-ndihmoEgzon Gashi është vetëm 11 vjeçar dhe vuan nga një sëmundje e rëndë. Ai vuan nga “Socoliosis”, sëmundje kjo e cila ka arritur shkallën e deformimit në boshtin kurrizor mbi 85%, e cila po i shkakton probleme me frymëmarrje, në funksionimin e rregullt të zemrës dhe në ecje.

Mjekët në QKUK i kanë rekomanduar të shkoj për shërim jashtë vendit, ngase në Kosovë nuk mund të shërohet kjo sëmundje. Për këtë arsye familja e Egzonit ka filluar të kërkoj ndihmë ngase ai mund të shërohet në Turqi dhe kushton 62 mijë e 500 dollarë amerikanë.

Ai ka lindur me sëmundjen Hidrocefalus, por pas pak kohe i është paraqitur edhe sëmundja Scoliosis, edhe pse shumë vite ka mbajtur një Korset i cili mendohet ta stabilizoj dhe ndaloj deformimin e boshtit kurrizor, kjo nuk ka pasur sukses.

Shkalla e deformimit po merr përmasa të mëdha dhe familja kërkon ndihmë ngase nuk ka mundësi ti mbulojë shpenzimet.

Për të gjithë që duan ta ndihmojnë këtë djalë mund ta bëjnë përmes xhirollogarisë në ‘Raiffaisen Bank’:

1501090001263595

Ose përmes operatorit VALA duke dërguar sms në numrin 55101, që kushton 1 euro.

Policia parandalon garën në autostradë

0

Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë ka parandaluar mbajtjen e një gare të rrezikshme me automjete në autostradën e Kosovës.

Njësitet policore të komunikacionit rrugor të caktuara për mbikëqyrjen e autostradës, mbrëmë rreth mesnatës kanë arritur të parandalojnë mbajtjen e një gare të paparalajmëruar automobilistike në autostradën e Kosovës “Ibrahim Rugova”, bëhet e ditur në një komunikatë shtypi.

Autostrada-KS5-21“Kjo garë e planifikuar nga një grup personash pritej të mbahej në kilometrin e 52-të të autostradës në të cilën ishin grumbulluar më shumë se 100 automjete të ndryshme udhëtarësh, kryesisht automjete të reja dhe të shpejta me qellim të zhvillimit të garave”.

Për të përcjellë këtë garë automobilistike të organizuar në mënyrë të kundërligjshme, në autostradë ishin grumbulluar rreth 150 qytetarë.

Policia e Kosovës thekson se zhvillimi i garave të kundërligjshme me automjete është rreptësisht i ndaluar në bazë të ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor. Neni 55.4 i këtij ligji parasheh që për kundërvajtje kryerësi dënohet me gjobë prej 130 deri në 400 euro.

“Ngasësi i automjetit që vepron në kundërshtim me pikën d) të paragrafit 1 të këtij neni i shqiptohet masa e ndalimit të drejtuarit të mjetit motorik prej gjashtë muajsh deri në një vit”.

Njësitet policore të komunikacionit rrugor të asistuar nga njësitet policore të stacionit të Malishevës kanë arritur të parandalojnë mbajtjen e kësaj gare dhe njëherësh të largojnë automjetet nga autostrada.

Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së sigurisë së komunikacionit rrugor dhe parandalimit të veprimeve të kundërligjshme apelon tek të gjithë qytetarët, pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, në të kundërtën do të ndërmerren masa konform ligjit ndaj çdo kundërvajtësi.

Çeku: Në UNESCO nuk depërtohet lehtë

0

harullah cekuDrejtori Ekzekutiv i OJQ “Ec Ma ndryshe”, Hajrulla Çeku vlerësoi se qyteti i Prizrenit e ka një mundësi që nuk po e shfrytëzon për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Sipas tij, trashëgimia kulturore jo që nuk po shfrytëzohet, por edhe po degradohet.

“Prizreni e ka një mundësi reale që nuk po e shfrytëzon. Këtë mundësi derisa nuk po e shfrytëzojmë po e degradojmë dhe shkatërrojmë dhe jemi në pikën ku gjërat janë në moment të pakthyeshëm. Nuk po dimë të përkujdesemi për trashëgiminë”, tha Çeku.

Ai tha se në UNESCO nuk depërtohet lehtë. “Ka nisma të vonshme dhe shumë të vogëla ,dhe të mirëseardhura, por duhet shumë punë”, tha Çeku.

Sipas tij, gjasat janë shumë të vogla që si qytet apo zonë e mbrojtur historike të mbrohemi nga UNESCKO.”Kemi potenciale të mira të monumenteve individuale”, tha Çeku.

Ai tha se ka nisma individuale të vullnetit të mirë, por jo lëvizje. “Shtrohet pyetja sa këto nisma mund të hyjnë në agjendë institucionale. U mbajt në Prizren një takim, por pas atij takimi s’ka asnjë lëvizje”, tha ai.

Ndriçimin në Kala të Prizrenit, Çeku e ka quajtur ndriçim të thjeshtë dhe shumë të zbehtë. “Ndriçimi nuk është punë e thjeshtë, përkatësisht vetëm vendoja e disa reflektorëve të bardhë. Ka ekipe të specialulizuara që merren me këto punë”, tha Çeku./PrizrenPress.com/

 

Morfologjia e reagimit

0

Arbër-RexhajArbër A. Rexhaj

Nuk e di, ky popull sa do të mund t’i shpëtoj krajatave të komformitetit aktual. Sa do të mund si kolektivitet, ta mbroj historinë, të kaluaren dhe se, si do t’i përballoj grabitjes së sotme. E tërë historia e këtij populli ka të bëj vetëm me ndrydhje, që nga territori e deri tek të gjitha vlerat qe i ka pasur. Nuk janë të kota debatet për personazhet historike e kombëtare te mbështjella me ideologjitë fetare ne Kosovë, Shqipëri e Maqedoni dhe gjithandej ku ka shqiptarë, pastaj tekstet shkollore për fëmijë nga të cilat kërkohet një gjuhë më e zbutur përballë historisë së perandorisë otomane.

Nëse kështu vazhdon, besoj që edhe Skenderbeun, e Nënën Terezën dhe shumë figura të tjera për një rrjedhojë kohore të brizhdë, do t’i komfomizojnë. Ka rrezik që historia kombëtare duke mos u mbrojtur të ketë tabllo konformiteti, e cila ravijëzohet nga e kaluara në të tashme, duke u denigruar, sot përball turqëve, nesër përball serbëve… Shteti është krenar në vete, prandaj edhe qytetari kur përmbrenda vetes ka arritur të përvetësoj vlera të krenarisë. Në këtë kontekst shqiptar, pa besuar në arritjen e bashkimit të kombit, qëndrimin gatitu para historisë kombëtare, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë, pa besuar në rimëkëmbjen ekonomike, religjionet të përvetësuara e adaptuara në kulturën shqiptare duke e ruajtur natyrisht autonominë e tyre, vështirë që mund të kemi një perspektivë të gjithëdijshme kombëtare.

Nuk është që ky popull është lodhur, dhe s’e reagimin e tij e ka të molepsur mbi situatën e pergjithshme politike dhe ekonomike. Puna qëndron në reagimin e gjithmbarshëm shqiptar, e që nuk e mbaj mend kur e ka pasur. Problemi qëndron ketu, shqiptarët nuk duhet të shohin vetëm bardh e zi. Nuk duhet te shikojnë ideologjikisht. As ekonomikisht. Ndërrimi vie si rezultat i shtypjes, komformizimit që ta shpif dhe territ që merr e mbretëron. Besoj që pa u bërë mirë terr, e pa marrë fundosjen përfundimtare, e kemi humbur sensin e reagimit kombëtar. Hallet e përditshme, ekonomika familjare na ka zhytyr ne llumin e egoizmit personal, nihilizmit dhe defetizmit të vlerave që i kemi pasur. Sigurisht që kësaj i ka ndihmuar me plot vetëdije qeverisja kundër-kombëtare e Thaqit, dhe poashtu edhe qeverive të korruptuara dhe të kriminalizuara në Shqipëri, njashtu edhe minjëve pro-qeveritarë të qeverive në Maqedoni e Mal të Zi që për shqiptarët nuk fituan asnjë të drejtë të njëmend…

Ky popull ka vullnet të reagoj, veçse duhet t’i kthehet vetes. Ka kohë që nuk ka reaguar, dhe kur nuk reagon nuk është i lodhur. Ndryshe është jo-logjike. Për t’u lodhur duhet të harxhosh motive, e motivet duhet të kthehen në besime. E besimi është kombi. Kombi përherë pa dashur të kaloj në patetizma nacional, ai kërkon publiken reaguese, e kërkon qytetarin aktiv. Sidomos në situate të jashtëzakonshme. Kombi sot ka një situatë të tillë. E jashtëzakonshmja nuk flet. Ajo është kuturu, gjithkah, veçse duhet sy që nuk shohin bardh e zi, duhet krenari më të madhe sa familja, duhet vullnet më të madh se sa fëmijët e ekonomia e brizhdë, sesa varfëria ekstreme. Duhet vullnet, besim e fuqi. E kjo e fundit vie pas dy të parave.

(Autori është kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE, qendra në Prizren)

Ritmi i ngadalësuar i bisedimeve me Serbinë

0

Thaci_Dacic_Ashton5-21Grupet punuesë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë duke vazhduar takimet e tyre në Bruksel.

Ata do të diskutojnë të hënën dhe në ditët në vijim lidhur me rolin e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në komunat në veri të Kosovës.

Dren Zeka, këshilltar politik i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, tha për Radion Evropa e Lirë se veç rolit të OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve më 3 nëntor, në veri, do të diskutohet edhe për çështjen e Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM).

“Bisedimet janë duke vazhduar, do të thotë po flasim për zbatimin e marrëveshjes për planet operacione, dinamikat, afatet kohore e kështu me radhë. Sot është duke u mbajtur takim i grupit punues për zgjedhjet, janë disa detaje të cilat po bisedohen me OSBE-në”.

“Po ashtu nesër do të takohemi për çështjet e IMB-së, ku do të shihet ecuria e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, e cila është arritur më herët dhe do të provohet që të avancohet zbatimi i saj. Dialogu nuk është bllokuar, por është duke vazhduar”, tha Zeka.

Bisedimet në nivel kryeministrash, si dhe ato në nivele teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është thënë se do të jenë intensive gjatë gjithë verës.

Baronesha Catherine Ashton pati kërkuar nga të dyja palët që t’i zbatojnë zotimet e marra me marrëveshjet e arritura.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, konsiderojnë se ritmi i punës në këto bisedime ka rënë.

Analisti Imer Mushkolaj tha se pasi që Brukseli zyrtar i ka dhënë afat kohor Beogradit për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, dhe Kosovës fillimin e negociatave për MSA, ka rënë dhe interesi për vazhdimin e dialogut në mënyrë intensive.

“Dialogu, qoftë politik në mes të dy kryeministrave, qoftë ai teknik, ka ngecur. Natyrisht se Beogradi mund ta përdorë si arsyetim mbase moszbatimin e pikave të marrëveshjes si pasojë e moszbatimit të Ligjit për Amnisti, gjë që përmendet edhe nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në anën tjetër ne po shohim se nuk po ka rezultat as nga takimet e nivelit të lartë. Besoj se një arsye për këtë është edhe koha, në të cilën gjendemi, e kam fjalën në kohën e pushimeve në Bruksel”, vlerësoi Mushkolaj.

Ndërkaq, takimet e grupeve punuese Mushkolaj nuk i sheh dhe aq të rëndësishme, edhe pse, sipas tij, ka shumë gjëra për të cilat duhet të diskutohen.

“Në këtë rast, nëse liderët politikë nuk arrijnë të merren vesh për një çështje të caktuar, atëherë grupet punuese nuk kanë edhe pse të takohen. Pavarësisht që ka shumë detaje dhe shumë gjëra të tjera, të cilat opinioni nuk i di dhe ne, në fakt, nuk i dimë se si zhvillohen në praktikë, mirëpo prapë se prapë po them duhet dhënë sinjale nga liderët politikë në mënyrë që grupet punuese të vazhdojnë punën, të arrijnë marrëveshje praktike për zbatimin e të gjitha pikave në terren”, u shpreh Mushkolaj.

Ndryshe, takimi i 24 korrikut ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq ka përfunduar pa marrëveshje konkrete. Tema e takimit të fundit kanë qenë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kryeministri Thaçi e kishte vlerësuar pozitivisht fazën e deritashme të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Ai kishet deklaruar se strukturat paralele të sigurisë në veri të Kosovës po pushojnë së funksionuari, përfshirë edhe ato të drejtësisë.

KDI nesër publikon fletënotimin e këshilltarëve të AK-së së Prizrenit

0

NaimCahani-kdiInstituti Demokratik i Kosovës (KDI), do të publikojë fletënotimin e këshilltarëve të Asamblesë Komunale të Prizrenit. Përfaqësuesi i KDI-së, Naim Cahani tha se fletënotimi përmbanë analizë dhe notim të 41 anëtarëve.

Fletënotimin përmban analizë dhe notim për punën individuale të 41 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Qershor 2013”, tha Cahani.

Fletënotimi i anëtarëve të Asamblesë Komunale të Prizrenit, publikohet nesër në ora 10:00 në zyre të KDI-së në Prizren ./PrizrenPress.com/

Mërgimtarët e Rahovecit, ndihmojnë 25 familje skamnore me nga 100 euro

0

latifi me mergimtaret te familjet e varaferaMërgimtarë e Shoqatës Kulturore “Anadrini” me seli në Eferding të Austrisë, kanë gëzuar 25 familje skamnore me nga 100 euro në Rahovec. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, falënderoi mërgimtarët për kujdesin e treguar, si dhe shprehu kënaqësinë që kjo shoqatë kulturore e sportive është shumë aktive në Austri.

“Jam i kënaqur që këta bashkëvendës tanë janë kaq mirë të organizuar dhe kanë mundur të ndajnë mjete nga të ardhurat e tyre për familjet në nevojë në Rahovec. Ky është një shembull i mirë i kujdesit njerëzor, prandaj ne i përgëzojmë për këtë lehtësim të barrës së varfërisë ndaj kësaj kategorie të shoqërisë tonë me rastin e Fitër Bajramit”, tha Latifi. Sipas tij, ndihma e mërgimtarëve nga Eferdingu është më e gjerë, pasi që ata kanë iniciuar binjakëzimin e Rahovecit me këtë rajon bujqësor të Austrisë.

Arkëtari i “Anadrinit” Riza Mustafa, ndërkaq bëri apel te të gjithë mërgimtarët që kanë mundësi që të ndajnë një pjesë të të ardhurave për familjet skamnore në Kosovë, pasi që numri i tyre nuk është i vogël. Sekretari i Shoqatës “Anadrini”, Bujar Kryeziu, premtoi se kjo nuk do të jetë ndihma e parë për skamnorët. “Kjo nuk do të jetë ndihma e vetme për bashkëvendësit tanë, mirëpo anëtarët e shoqatës do të angazhohen që ta thellojnë bashkëpunimin me vendlindjen”, tha Kryeziu. /PrizrenPress.com/

 

 

FOL: Shënon rritje trendi i shkeljeve ligjore në tenderë

0

LevizjaFolLëvizja FOL ka publikuar sot raportin e saj të rregullt “Monitoruesi i Prokurimit” për periudhën Prill-Qershor 2013. Në këtë raport pasqyrohen shkeljet dhe parregullsitë ligjore të evidentuara nga ana e OSHP-së të ministrive, ndërmarrjeve publike (KEK dhe PTK) dhe komunave gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik.

Kenan Tora nga Lëvizja FOL pasi që prezantoi qëllimin dhe metodologjinë e hartimit të raportit tha se “ Trendi i shkeljeve dhe parregullsive ligjore gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit publik nga ana e Ministrive, Ndërmarrjeve Publike (KEK dhe PTK) dhe Komunave të Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në këtë periudhë kohore të këtij viti. Në periudhën Prill-Qershor, institucionet e lartë-përmendura kanë bërë shkelje ligjore në gjithsej 29 tenderë të ndryshëm. Nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit prej këtyre 29 tenderëve 14 janë kthyer në Ri-vlerësim, 7 janë kthyer në Ri-tenderim, 3 janë anuluar, kurse në 5 të tjerë është ndërhyrë në dosjen e tenderit.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, ministritë nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik në 8 tenderë të ndryshëm, ku Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore në 4 aktivitete të ndryshme të prokurimit, kurse Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë si dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë në nga 1 tenderë.

Ndërmarrjet Publike(KEK dhe PTK) kanë bërë shkelje ligjore në 9 aktivitete të ndryshme të prokurimit. KEK ka bërë shkelje ligjore gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në 5 aktivitete të prokurimit, kurse PTK ka bërë shkelje në 4 të tilla.

Ndërsa Komunat e Republikës së Kosovës nuk i kanë respektuar dispozitat ligjore të Ligjit për Prokurim Publik në gjithsej 12 tenderë të ndryshëm. Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje në 4 tenderë, kurse Komuna e Gjilanit, Lipjanit, Parteshit, Prizrenit, Vitisë, Gjakovës, Mitrovicës dhe ajo e Pejës në nga 1 tenderë.

Përveç kësaj në këtë raport Lëvizja FOL raporton se ka realizuar monitorime direkte të 37 procedurave të prokurimit në ministri me të cilat ka Memorandum të Mirëkuptimit. Si rezultat në 23 nga këta tenderë janë shpallë operatorët ekonomik fitues, 11 janë Anuluar ndër ta disa me rekomandim të Lëvizjes FOL me qëllim të parandalimit të shkeljeve ligjore, kurse në 2 tenderë është shpallur fituesi vetëm për Lot I, ndërsa një tenderë është ende në procedurë e sipër./PrizrenPress.com/

Sekuestrohet arma në një aheng familjar

0

Armet ne dasemRreth orës 21:30 min, policia e Prizrenit ka reaguar pasi ka dëgjuar të shtëna nga arma në rrugën “Raguza”. Në këtë rrugë, ishte organizuar një aheng familjar dhe dikush ende i panjohur kishte shkrehur disa fishekë nga arma me gaz e llojit “Ekol” në karikatorin e të cilës ndodheshin 17 fishekë. Arma është gjetur e braktisur në kopshtin e shtëpisë. Policia ka pyetur pronarin e shtëpisë lidhur me rastin dhe ai i ka thënë policisë se ka pas krisma në aheng por nuk e din se kush e ka poseduar armën. Policia pasi është konsultuar me prokurorin ka vendosur që provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë sipas procedurës së rregullt ndërsa kallëzim penal do të ngritët ndaj organizatorit të ahengut, njofton Policia në Prizren.

Ndërkaq janë iniciuar dy raste për dëmtime të pronës nga armët e zjarrit.

Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 21:15 në fshatin Lubizhdë e Prizrenit e që sipas raporteve hetimore thuhet se një qytetar ka denoncuar në polici dëmin e shkaktuar në automjetin e tij nga një plumb i armës së zjarrit që hëpërhë nuk dihet se prej nga ka ardhur.

Ndërsa rasti i dytë i ka ndodhur një kurbetçiu nga fshati Joviq i Malishevës i cili kishte arritur vonë nga rruga dhe kishte vendosur që gjësendet nga vetura t’i nxjerrë në mëngjes. Të nesërmen, kur kurbetçiu kishte shkuar tek vetura kishte vërejtur se i është dëmtuar parafangoja e veturës, ndërsa policia ka sekuestruar një predhë të fishekut e cila do të dërgohet për ekzaminim.

Hetuesit policorë thonë se të dy veturat mund të jenë dëmtuar nga plumbat “qorr” që shkrehen nga njerëz të pa ndërgjegjshëm nëpër ahengje familjare./PrizrenPress.com/

Në Kuqishtë dje u demonstrua tradita kulturore

0

Kuqishta e RugovesPpejëNë fshatin Kuqishtë të Rugovës edhe sivjet u mbajtën Lojërat Tradicionale “Rugova 2013”, të 21-tat me radhë, që kishin tubuar njerëz nga të gjitha viset shqiptare – nga Shqipëria, Vuthajt në Mal të Zi, Malësia shqiptare e Rozhajës, Kelmendasit e Mitrovicës dhe ata të Sibovcit, ku secili në mënyrën e vet kanë shpalosur trashëgiminë kulturore e historike të tyre.

Lojërat Tradicionale i organizon Komuna e Pjesë dhe mbahen nën patronatin e kryetarit të saj, ndërkaq bashkorganizatorë janë Bashkësia Territoriale e Rugovës, Ansambli Folklorik Autokton ” Rugova”, komuniteti, Shoqata e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale te Rugovës.

Në Lojërat Tradicionale të prezantohen tradita dhe shumëllojshmëria kulturore e kësaj zone – Lojërat e shkathtësive fizike e luftarake te burrave, lojërat dëfryese, këngët , vallet dhe ritet, që kane një zanafille të hershme. Ky manifestim tradicionalisht mbahet në muajin gusht, menjëherë pas kositjes se livadheve dhe deri me tani ato janë mbajtur në Qafe Hajle e Bogë, kurse sivjet në Kuqishtë. “Ne, si këshill organizues, po mundohemi që këtë trashëgimi kulturore ta ruajmë dhe ta bartim nder breza, e kjo bëhet e mundshme me organizime të tilla, siç janë Lojërat Tradicionale”, tha nder të tjera kryetari i B.T. të Rugovës, Arianit Demaj, transmeton Koha.

Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, duke përshëndetur pjesëmarrësit, tha se ky manifestim yni i trashëgimisë kulturore e bën Pejën dhe Rugovën shumë më atraktive për ofertën e madhe turistike, të shpallur këtë vit si Destinacion i turizmit botëror nga Organizata Botërore e Turizmit. Ndërkaq, drejtori i AFA Rugova,Vesel Nikçi, njëri ndër organizatorët, theksoi se me këtë manifestim po bashkojmë Alpet Shqiptare, etnikun verior shqiptar, për të dëshmuar kështu autoktoninë tonë në këto treva Iliro-dardane, duke shpalosur këngë e valle, lojëra dhe veshje si dhe tërë atë koloritin kulturor e historik të cilin, sipas tij, e kultivuam dhe e ruajtëm me fanatizmin më të madh nga lashtësia.

Në kuadër të këtij programi u mbajtën 6 disiplina garuese tradicionale, ku morën pjesë mbi 100 garues në të gjitha disiplinat, siç ishte hedhja e gurapeshit, hedhja e llastarit, rrëzimi i duarve, tërheqja në litar, mundje, ngjitja ne shilor dhe gara demonstruese veku në sharrë.

Nazmi Iberdemaj, njëherit refer ndërkombëtar i sportit në karate dhe përgjegjës për këto disiplina sportive në Rugovë, është shprehur i kënaqur për artin e madh të shkathtësive që demonstrohet në këto lojëra, ndërsa sipas tij garuesit ishin të shkëlqyer.

Kuqishta e RugovesNë këtë organizim, mysafirët e shumtë janë argëtuar edhe me muzikën e zgjedhur nga folklori I traditës shqiptare, sikurse ishin përformanca e AFA “Rugova”, Ansamblit të këngëve dhe të valleve nga Mitrovica si dhe atij të “Majat e Karafilit” nga Vuthaj si dhe rapsodët Rifat e Mehdi Berisha dhe Shaban Demaj e Bekë Nikçi.

Ky organizim ishte një ndër manifestimet organizative të futura në agjendën e maratonës festive “Peja pret diasporën” – “Mirë se erdhët bashkatdhetarë”, – nga aktivitetet e Drejtorisë së Kulturës dhe Komunës së Pejës.