14 C
Prizren
E shtunë, 2 Maj, 2026
Home Blog Page 8809

Triumfoi ideja që u kritikua

0

Dy qeverite-fotoIdeja e bashkimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës kishte nisur shumë më herët, por themelet e këtij bashkëpunimi u intensifikuan në mars të vitit 2008 dhe në mars të vitit 2011.

Një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tre universitete të hapësirës shqiptare shërbejnë si forum për lansimin e idesë së Arbën Xhaferit për një Komunuelth Kombëtarë. Kjo mbeti si ide deri në mars të vitit 2011 kur Behgjet Pacolli, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në Parlamentin e Shqipërisë bëri thirrje për institucionalizimin e takimeve midis krerëve të shteteve shqiptare për të krijuar një hapësirë unike ekonomike.

Në korrik të vitit 2011, tre ish presidentë, Behgjet Pacolli, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, si dhe dy rektorë universitetesh, nënshkruajnë së bashku me Arbër Xhaferin, Kartën e qëllimeve të hapësirës mbarëkombëtare të zhvillimit,shkruan tribuna

Në dhjetor të vitit 2012, një grup intelektualësh dhe profesionistësh shqiptarë me banim jashtë, bëjnë thirrje për krijimin e Unionit Ekonomik shqiptar sipas modelit evropian në disa nivele: ekzekutiv, parlamentar dhe të shoqërisë civile

Qëndresa e Rexhep Malës-përballë torturave të UDB-së së Jugosllavisë

0

sheradiniShkruan: Sheradin Berisha

(Në 30 vjetorin e rënies së heronjëve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha)

Rexhep Mala, u lind me 29 mars 1951 në Hogosht të Dardanës – nga i ati Mehmeti dhe e ëma Fahrije. rrjedh nga një familje me kushte mesatare ekonomike por me traditë atdhetare. Shkollën fillore e kreu në Hogosht, ndërsa Shkollën e mesme e ka nisur në gjimnazin e Gjilanit, por për shkak të organizimit të demonstratave të 27 nëntorit 1968 në këtë qytet, ai përjashtohet nga shkolla dhe dënohet për kundërvajtje, dhe pastaj detyrohet që Shkollën ta vazhdoj në gjimnazin e Preshevës, së bashku me Fatmir Salihun, Irfan Shaqirin etj. Në vitin shkollor 1970/71 punoi si mësimdhënës në fshatin Marec, ndërkohë që ka vazhduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Në vitin 1973 burgoset për herë të dytë, së bashku me Sami Dërmakun dhe Isa Kastratin, por kësaj radhe për kalim ilegal të kufirit Kosovë-Shqipëri. Me këtë rast Gjykata për kundërvajtje e Gjilanit, e dënon me 28 ditë burgim. Në vitin 1974, dënohet për herë të tretë, po ashtu për kalim ilegal të kufirit Jugosllavi-Austri. Ndërsa për herë të katërt arrestohet më 23 maj të vitit 1975 dhe denohet në grupin e Adem Demaçit me 9 vjet burg të rëndë. Rexha dënimin e mbanë në: Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë e në Mostar dhe më 23 maj 1983 lirohet nga burgu së bashku me disa shokë. Atë vitë ai kontakton me atdhetarin Nuhi Berisha, i cili në qershor (1983) ishte kthyer nga Zvicërra në Kosovë, dhe menjëherë e vazhdojnë aktivitetin e përbashkët kombëtar. Më 8 tetor 1983 (pasi bien në gjurmë të UDB’ës) kalojnë në ilegalitet deri në rënien (vrasjen) e tyre nga policia speciale, në natën e 11/12 janarit 1984 në një shtëpi – në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Përmbajtja e lëndës:

– Rexhep Mala truri i lëvizjes kombëtare;

– Kush mori pjesë në përgatitjen e gjykimit të intelektualëve patriotë, në vitet 1975 – 1976 ?!

– Cilët udbashë morën pjesë në torturimin e intelektualëve patriotë?!

– Përpara ekzekutimit të denimit në gjykatë, Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli i bënë gjyqin politik Adem Demaçit me shokë!

– Kush mori pjesë në gjykimin e grupit të Adem Demaçit?

– Në vazhdën e këtij gjykimi mbahen edhe tri gjykime tjera

– Fahredin Gunga: ”Grupit irredentist, i vërtetuar si armik I popullit dhe i rendit tonë kushtetues, iu shqiptuan denime të merituara” (!!!)

– Çfarë torturash përdorte UDB-a në hetuesi ndaj të burgosurve shqiptarë ?!

– Si u torturua truri i lëvizjes kombëtare – Rexhep Mala nga udbashët gjakpirës?!

– Më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh, e tjetri ishte hypur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia.

– Rexhep Mala: „Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit Serbë jeni kriminelë…“

– Takimi i Rexhep Malës me nënë Fahrien në mes grilash!

***

(“Para së gjithash po ju them se ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit serbë jeni kriminelë dhe do të dënoheni herëdo kur në gjyqin e popullit! Gjithashtu po ju them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë!” – Rexhep Mala)

Rexhep Mala truri i lëvizjes kombëtare

Nuk është thënë rastësisht se Rexhep Mala ishte truri i aksioneve të lëvizjes kombëtare. Në vitin 1974 ai së bashku me Xhafer Shatrin dhe Xhavit Dërmakun formojnë celulën “treshe” në kuadër të organizatës “Grupi Revolucionar”, të cilën e drejtonte Kadri Osmani. Rexhepi me celulën e tij në vitin 1974 merr pjesë në shpërndarjen e trakteve në konviktet e Universitetit të Prishtinës. Edhe pas burgosjes së Kadri Osmanit, Xhafer Shatrit, Binak Ulajt, Jashar Aliajt dhe të Metë Shatrit, Rexhep Mala nuk do të ndalet dot, vazhdon aktivitetin me përkushtim edhe më të madh. Kështu, më 6 e 7 korik 1974 Rexhepi së bashku me Hilmi Ramadanin do të shpërndajë trakte në fshatrat Topanicë dhe Hogosht. Në prag të mbajtjes së gjykimit kundër Kadri Osmanit me shokë, në dhjetor 1974 Rexhepi mori pjesë aktive në shpërndarjen e trakteve dhe shkrimin e parullave kundër regjimit titist, në konviktet e Universitetit të Prishtinës. Konkretisht Rexhep Mala me Hilmi Ramadanin, do të shpërndajnë afishe dhe do të shkruajnë parulla në konviktin nr.1 të qendrës studentore të UP. Aktivitetin e Rexhep Malës do ta ndërpresë vetëm arrestimi dhe burgosja e tij më 23 maj 1975.

Kush mori pjesë në përgatitjen e gjykimit të intelektualëve patriotë, në vitet 1975 – 1976 ?!

Dihet mirëfilli se nga maji deri në tetor 1975 regjimi i egër titist ndërmori një fushatë të gjerë arrestimesh në Kosovë dhe me këtë rast u burgosën dhjetëra intelektualë patriotë, dhe në mesin e tyre ishte edhe simboli i qëndresës kombëtare Adem Demaçi. A.Demaçi u arrestua me 6 tetor 1975 dhe kjo ishte burgosja e tretë e tij. Në organizimin e burgosjeve, hetimeve dhe në fund të procesit gjyqësor, kanë marrë pjesë të gjitha strukturat e pushtetit në Kosovë, duke filluar nga Komiteti i Lidhjes Komuniste të Kosovës e deri te mediumet në gjuhën shqipe dhe serbe /TV-të dhe gazetat), të cilat ishin vënë plotësisht në shërbim të UDB-së.

Trinomi komunist: Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli dhe Xhavit Nimani me J.B.Titon.

Në këtë proces kundër intelegjencës atdhetare drejtpërdrejtë morën pjesë:

1. Fadil Hoxha, zyrtar i lart i LKJ-së;

2. Mahmut Bakalli, kryetar i Komitetit të LKK-së;

3. Mehmet Shoshi, sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës;

4. Hasan Mehmeti, kryeshef i Sigurimit shtetëror (UDB-së) në Prishtinë;

5.Nazmi Juniku, sekretar Krahinor i Jurisprodencës dhe Administratës së Përgjithshme

6. Durak Jasharaj, gjykatës hetues;

7. Halil Kelmendi, prokuror publik;

8. Durmish Koçinaj, kryetar i trupit gjykues;

9. Shefqet Bytyqi, gjykatës;

10. Fehmi Gashi, gjyqtar porot;

11. Mileva Grujiqi, gjyqtare porot;

12. Hasan Berisha, gjyqtar porot;

13. Nazmije Krasniqi, procesmbajtëse në gjykim;

14. Fahredin Gunga, kryeredaktor i Radio Televizionit të Prishtinës;

15. Ali Olloni, gazetar i ”Zërit të rinisë”;

16. Isak Hasani, gazetar i “Rilindjes”.

 

 

– Cilët udbashë morën pjesë në torturimin e intelektualëve patriotë?!

Hetimet torturuese në këtë proces të montuar politikë i kanë kryer këta udba’shë:

1. Jusuf Karakushi

2. Pavle Jelisaviq

3. Mehmet Haskaj

4. Ibush Kllokoqi

5. Drago Dragojeviq

6. Muharrem Dana

7. Sllobodan Mijoviq

8. Asllan Sllamniku

9. Shefqet Hashani

10. Bafti Jakupi,

11. Svetisllav Dollasheviqi

12. Zenun Shala

13. Naip Hoxha

14. Refik Tashi

15. Metush Sadiku

16. Zejnullah Shala

17. Hasan Mehmeti

18. Shefqet Obria

19. Faik Nura

20. Rajko Çalloviqi

21. Metë Kuqi

22. Ramçe nga Prizreni ….etj

Përpara ekzekutimit të denimit në gjykatë, Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli i bënë gjyqin politik Adem Demaçit me shokë!

Para se të nis gjykimi, fillimisht atdhetarëve në krye me Adem Demaçin i bëhet një gjyq politikë.

– Fadil HOXHA – ish-zyrtar i lartë i LKJ-së, pak ditë para se të fillonte procesi i gjykimit kundër Adem Demacit dhe dhjetra veprimtarëve të tjerë, do të deklarojë:”…Sa pretendentë e të pafytyrë! Hiç më pak se mbrojtës të interesave të popullit shqiptar,e këndej as katundi i vet, as lagjja e vet nuk i njeh,Veç për të keq e hajni”. (Rilindja, 23.12.1975, fq.5)

– Ndërkaq Mahmut BAKALLI – kryetar i atëhershëm i Komitetit Krahinor të LKJ-së, në një mbledhje në Kaçanik më 13 janar 1976, thotë: ”Irredentizmi shqiptar në versionin e tij të ri përpiqet të paraqitet në petkun e ideologjisë dogmatike staliniste, por karakteri reaksionar dhe qëllimet e tij mbeten të njejta. Sikurse nuk ka mundur të depërtojë në masat shqiptare atëherë kur u paraqit në formë balliste – fashiste shqiptaromadhe, irredentizmit shqiptar nuk do t´i shkojë për dore të depërtojë as tash kur përpiqet të mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist. (…) Në këtë baza irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin denime shembullore”. (Rilindja, 14 janar 1976)

 

Kush mori pjesë në gjykimin e grupit të Adem Demaçit?

Dhe vërtet porosia e Mahmut Bakallit shkojë në vend. Më 7 shkurt 1976 (pas shtatë ditë gjykimi) Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në procesin gjyqësor të kryesuar nga gjyqtari i deleguar nga Prizreni Durmish Koçinaj (pikërisht i deleguar nga Mahmut Bakalli): me gjykatësit:

– Shefqet Bytyqi,

– Fehmi Gashi,

– Mileva Grujiqi dhe

– Hasan Berisha, me pjesëmarrjen e

– Nazmije Krasniqit si procesmbajtëse, në çështjen penale të ngritur nga prokurori publik:

– Mr.Halil Kelmendi,

në bazë të nenit 117 al.1 e 2 të KP dhe nenit 100 e 101 al.1 të KPJ-së, në «emër të popullit» shpalli aktgjykimin P.nr.239/75 prej 89 faqesh.

Me këtë rast u denuan:

1. Adem Demaçi, me………………….15 vjet burg të rëndë,

2. Skënder Kastrati, me………………12 vjet burg të rëndë,

3. Hetem Bajrami, me……………….. 7 vjet burg të rëndë,

4. Hasan Dërmaku, me…………….. 10 vjet burg të rëndë,

5. Osman Dumoshi, me……………. 7 vjet burg të rëndë,

6. Rexhep Mala, me…………………. 9 vjet burg të rëndë,

7. Selatin Novosella, me…………… 7 vjet burg të rëndë,

8. Ilaz Pireva, me…………………….. 7 vjet burg të rëndë,

9. Fatmir Salihu, me………………… 7 vjet burg të rëndë,

10. Xhavit Dërmaku, me………….. 9 vjet burg të rëndë,

11. Sherif Masurica, me…………… 7 vjet burg të rëndë,

12. Sami Dërmaku, me……………. 6 vjet burg të rëndë,

13. Zijadin Spahiu, me…………….. 5 vjet burg të rëndë,

14. Isa Kastrati, me…………………. 6 vjet burg të rëndë,

15. Ahmet Hoti, me ………………… 6 vjet burg të rëndë,

16. Njazi Korça, me………………… 6 vjet burg të rëndë,

17. Irfan Shaqiri, me……………….. 7 vjet burg të rëndë,

18. Hilmi Ramadani, me ………….. 5 vjet burg të rëndë,

19. Nazim Shurdhani, me………….. 4 vjet burg të rëndë.

(Nga aktgjykimi: P.nr.239/75, 7 shkurt 1976)

 

Në vazhdën e këtij gjykimi mbahen edhe tri gjykime tjera:

Pas këtij gjykimi, mbahen edhe tri gjykime tjera, të cilat padyshim konsiderohen si vazhdimësi e këtij procesi gjyqësor…

( I )

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me trupin gjykues të përbërë nga gjyqtari Shefqet Bytyqi, kryetar i trupi dhe gjyqtarëve porot Dushan Dimitrije e Ajet Fazliu, anëtarë të trupit gjykues, me pjesëmarrjen e Xhemajl Sahitit, si procesmbajtës …, për shkak të veprës penale propagandë armiqësore nga neni 118 al.1 të KP në bashkëveprim, duke vepruqar sipas aktakuzës së prokurorit publik të qarkut në Prishtinë PP-nr.91/75 të datës 28 gusht të vitit 1975, pas seancës kryesore publike të mbajtur më 18, 19, 20, 21 e 22 shkurt të vitit 1976, në pranin e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre si dhe përfaqësuesit të akuzës publike – zëvendësprokurorit publik të qarkut Mr.Halil Kelmendit, muar dhe me 23 shkurt 1976 publikisht në «emër të popullit» shpalli Aktgjykimin, dhe u denuan:

1. Adem Rukiqi, me……………………..9 vjet burg të rëndë,

2. Bektesh Rudhani, me……………….. 6 vjet burg të rëndë,

3. Tafë Rukiqi, me………………………6 vjet burg të rëndë,

4. Ymer Rukiqi, me……………………..2, 6 muaj burg të rëndë,

5. Arif Rukiqi, me……………………….1, 6 muaj burg të rëndë,

6. Zydi Bilalli, me……………………….3 vjet burg të rëndë,

7. Bislim Bajraktari, me…………………4 vjet burg të rëndë,

8. Xhevdet Nasufi, me…………………. 2, 6 muaj burg të rëndë,

9. Idriz Mehmeti, me……………………1, 6 muaj burg të rëndë,

10. Sadullah Zeqiri, me……………….. 2, 6 muaj burg të rëndë,

11. Ajet Rukiqi, me……………………..4 vjet burg të rëndë,

12. Adem Pavataj, me…………………. 2, 6 muaj burg të rëndë,

(Nga aktgjykimi P – nr.183/75, më 23.II.1976, fq. 6 dhe 7)

( II )

– Më 16/17 mars 1976 në Gjyqin e Qarkut në Vranjë të Serbisë, nën kryesimin e gjykatësit Radomir Gjorgjeviq dhe prokurorit publik Radisav Stojanoviq, në bazë të nenit 117 al.1 në lidhje me nenin 100 dhe 101 të kodit penal të Jugosllavisë, «në emër të popullit» denohen:

1. Jetullah Arfi, me………………….. 12 vjet burg të rëndë,

2. Fazli Abdullahu, me……………….. 6 vjet burg të rëndë.

(Nga aktgjykimi K.nr.101/75, më 17.III.1976, fq.3)

( III )

– Dhe në gjykimin e tretë, të mbajtur poashtu në Vranjë, nën kryesimin e gjyqtarit Dushan Mitroviq dhe prokurorit Radisav Stojanoviq, në bazë të nenit 118 al.1 të KPJ-së, « në emër të popullit » denohen:

1. Qamil Nuhiu, me…………………… 4 vjet burg të rëndë,

2. Selajdin Nuhiu, me……………….. 1, 6 muaj burg të rëndë.

(Nga aktgjykimi K.nr.4/76, më 19.III.1976, fq.2)

Fahredin Gunga: ”Grupit irredentist, i vërtetuar si armik I popullit dhe i rendit tonë kushtetues, iu shqiptuan denime të merituara” (!!!)

Pas shpalljes së aktgjykimit kundër grupit të Adem Demaçit dhe dhjetra atdhetarëve tjerë, RTP-ja gjegjësisht kryeredaktori i këtij mediumi Fahredin Gunga bëri një Koment televiziv me titull “Dënime të merituara”:
”Siç u pa nga aktgjykimi i Gjyqit të Qarkut të Prishinës, grupit irredentist, i vërtetuar si armik i popullit dhe i rendit tonë kushtetutar,iu shqiptuan denime të merituara.Opinioni ynë, klasa punëtore dhe të gjitha kombet dhe kombësitë e Kosovës, e posaçërisht kombësia shqiptare, i dha këtij aktgjykimi përkrahje të plotë,i dënoi dhe do t´i dënojë vazhdimisht, duke shprehur indinjatën dhe urrejtjen, ashtu siç i ka gjykuar, denuar dhe mposhtur të gjitha llojet e tjera të veprimtarisë armiqësore dhe bartësit e tyre. Pas shqiptimit të denimeve të merituara, ky grup as që meriton të mirret ngojë, sepse u pa haptas se e përbën një grup nacionalistësh dhe shovinistësh, të cilët popullit të vet deshtën t´ia çelin humnerën e re të mashtrimit historik. Është fjala për pozitat reaksionare të grupit të përmendur, të veshur demagogjikisht nën petkun e ideologjisë, gjoja marksiste – leniniste. Ai duke e shpërdoruar pikërisht lirinë e plotë dhe barazinë në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse, u përpoq t´i paraqitet popullit shqiptar gjoja dishepull shpirtëror kombëtar. Kjo na bëri që të zbërthejmë edhe një herë se ç´është në të vërtet irredentismi shqiptar dhe çka kërkon ai në mesin tonë. Esenca, pretendimi dhe qëllimi i parë i irredentizmit tek ne është shkatërrimi i Jugosllavisë si shtet, si sistem marrëdhëniesh socialiste vetëqeverisëse, si bashkësi e kombeve dhe kombësive, (…) Petku i tij dogmatiko-stalinist, frazat në emër të gjoja marksizëm-leninizmit, aspak nuk i vuri perde esencës dhe qëllimit të tij thellësisht reaksionar antimarksist, antisocialist dhe antishqiptar. (…) Prandaj, çdo tentativë e armikut, sikurse edhe e këtij irredentist, do ta luftojnë si thellësisht reaksionare imperialiste dhe hegjemoniste, të ngarkuara me orekse për thyerjen e unitetit,integritetit dhe pavarësisë së Jugosllavisë socialiste.”

Një artikull i ngjashëm me komentin e z.Gunga, por me titull tjetër: ”U denua grupi armiqësor irredentist” u shkrua nga Isak Hasani në gazetën ”Rilindja” dhe Ali Olloni në gazetën ”Zëri i Rinisë” të datës, 14 shkurt 1976, fq.7.

Çfarë torturash përdorte UDB-a në hetuesi ndaj të burgosurve shqiptarë ?!

UDB-a gjatë procedurës së hetimeve ndaj të burgosurve politik shqiptarë ka ushtruar tortura të tmerrshme fizike dhe psikologjike.

Cilat ishin ato tortura?!

Torturat fizike

Nga metodat e torturës fizike u aplikuan:

1. Rrahja sistematike ose falanga – Gjatë tërë kohës viktima torturohet me shkopinj gome, shufra hekuri ose tela etj në shputat e këmbëve etj.

2. Tortura seksuale – është ushtrim i dhunës së dtrejtpërdrejtë në organet gjenitale me anë të goditjeve elektrike në këto organe.

3. Tortura elektrike – ishte një nga llojet e torturave më të tmerrshme. Elektrodat vendoseshin në pjesët më të ndjeshme të trupit, si: në veshë, në gjuhë, në mish të dhëmbëve, në mollëza të gishtrinjëve, në organe genitale etj.

4. Djegia – bëhej me anë të cigares apo me hekur të nxehtë. Përveç kësaj ekzistonte edhe një metodë tjetër e djegjes që quhej ”Pjekja”, kur i burgosuri vishej me një skarë hekuri dhe me anë të rrymës elektrike nxehej gradualisht.

5. Tortura e mbytjes – Koka e viktimës zhytej në ujë të ndotur me jashtëqitje, urinë dhe ndytësira tjera, derisa të fillonte mbytja, apo humbja e ndjenjave dhe reflekseve fizike….!!!

6. Gjymtimi – si torturë mund të kishte disa forma. Të tilla ishin: Viktimës i shkuleshin flokët, mjekra, i hiqeshin thonjtë, i preheshin pjesë të ndryshme të trupit si prerja e veshëve e gjuhës etj

7. Tortura dentare – Udbashët me godtije të rënda ose më dana dhe teknik joadekuate viktimës ia thenin ose nxirrnin dhëmbët e shëndoshë.

8. Tortura farmakologjike – Torturuesi e detyronte viktimën të gëlltiste barna ose i jepnin injeksione të rrezikshme për shëndetin e tyre.

9. Varja palestineze – ishte një formë torture kur viktima mbahej me krahët prapa me orë ose ditë të tëra. Gjatë kësaj torture përdorej edhe tortura elektrike (elektroshoku) në pjesët e ndjeshme të trupit.

Torturat psikologjike

– Tortura psikologjike ishte një metodë që shkatërronte personalitetin dhe dinjitetin e të burgosurit. Gjatë torturës, sipas shumë deklaratve të të burgosurve, udbashët kanë përdorur disa lloje metodash të troturës psikologjike, si:

1. Privimi ose rraskapitja – Viktima privohej nga gjumi, kontaktet me njerëz tjerë (siç ishte rasti me Skënder Kastratin i cili 11 muaj u izolua nga çdo gjë), nga drita, nga tingujt e muzikës, nuk e linin të pastronte trupin apo të shkonte në toalet etj; Me ditë të tëra e linin pa gjumë etj.

2. Kërcënimi – Të burgosurit kërcënoheshin se do t´i torturonin, do t´ua kidnaponin familjen, do t´ua masakronin fëmijtë… Shumë të burgosur nga burgjet kërkonin që të distancohej familja nga ata,ose nga gratë e tyre kërkonin që të shkurorëzoheshin (siç ishte rasti me Adem Demaçäin e shumë të tjerë).

3. Tortura kolektive – gjatë hetuesisë udbashët shpeshherë e përdorinin këtë lloj metode. I fusnin me një dhomë shumë të burgosur dhe i rrahnin deri në alivanosje para të tjerëve. Ashtu të rrahur ka ndodhur t´i ekspozonin edhe para anëtarëve të familjes (siç ishte rasti me Hydajet Hysenin…). Qëllimi i torturuesit ishte përkulja apo thyerja e dinjitetit njerëzor të viktimës; Gjatë hetuesisë ndajt të burgosurve e sidomos ndaj Metush Krasniqit (të cilit edhe pse ishte në qeli ia vunë prangat e herkurta 25 kg. të rënda), kohë pas kohe i lëshonin minjë të mëdhenj për ta kafshuar trupit dhe për ta tmerruar e thyer psiqikisht.

4. Poshtrimi – Të burgosurit fyheshin rëndë nga udbashët, i fyenin të dashurit e tyre. I detyronin të flisnin gjëra poshtruese për të afërmit e tyre etj.

Si u torturua truri i lëvizjes kombëtare – Rexhep Mala nga udbashët gjakpirës?!

Torturuesit e atdhetarit dhe trurit të Lëvizjes kombëtare Rexhep Malës me shokë, në vitin 1975/76 ishin udbashët gjakpirës:

– Asllan Sllamniku,

– Muharrem Dana,

– Faik Nura e shumë të tjerë që u përmendën më lartë.

Në ballafaqimin e parë në ambientet e UDB-së, udbashi Asllan Sllamniku e pyet Rexhep Malën (Shpëtim Gurin-pseudonim i i tij):

– ”Ti je Shpëtim Guri a?”

– “Po” – i thotë Rexhepi.

Duke u zgërdhirë si qenë Asllan gjakëpirësi i thotë:

– ”Nëna në shtëpi e bënë miellin bukë, e ne këtu e bëjmë bukën miell! Mbaje mend këtë!”

Dhe vërtet udbashët e sojit të Sllamnikut përdorën torturat më të tmerrshme ndaj Rexhep Malës dhe shokëve të tij, mirëpo Rexhepi nuk u dorëzua për asnjë moment para xhelatëve, ai qëndroi stoik dhe i pathyeshëm.

Rexhep Mala: “Më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh, e tjetri ishte hypur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia”.

Rexhep Mala, torturat e udbashëve të pamëshirshëm, gjatë procesit hetimor – i përshkruan si vijon: –

“Në përgjigjen time të parë ”nuk e di” kërciti grushti në barkun tim, më ranë me shqelm, filloi njëri të më bjerë duarve e pastaj trupit. Pasi u lodh, punën e tij e vazhdoi tjetri. Nga të rënat fytyrës, m´u qanë buzët dhe më shpërtheu gjaku për hunde e goje. Nuk më linin as të merrja frymë. Më çuan shpejt e shpejt në tualet të ma pastronin gjakun nga fytyra e rrobat dhe më kthyen prapë. Më rrëzuan në dysheme, më urdhëruan të zbathi këpucët dhe çorapet. „Ta shohim tash në fallak se si do të përdridhet“ – tha hetuesi. Menjëherë e kuptova. E dija se ç´është falllaku. Këtë metodë e kishin përdorur që në kohërat e lashta dhe inkuizicionet e Kishës. Filluan të më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh, e tjetri ishte hypur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia. Kjo ishte edhe për atë punë e vështirë fizike edhepse e bënin me ëndje të posaçme. Lodheshin dhe shkumbinin si kuajt. Por, ata kishin një përparësi, sepse sa lodhej njëri, menjëherë e zavendësonte tjetri dhe kështu me radhë. Në dy mënyra më goditni shputave, ndonjëri më binte vetëm në njërën këmbë nga 15-20 ”pendrek” e pastaj po aq në tjetrën, e prapë këmbës tjetër dhe kështu gjersa lodheshin.

Kur më torturonin e linin derën pakëz çelë. Në fillim nuk e dija pse, por më vonë e kuptova. Donin që torturimin ta dëgjonin edhe të burgosurit tjerë në lokalet e UDB-së. Na torturonin me radhë. Kështu, gjersa torturohej njëri, të tjerët merreshin në pyetje nga ndonjë udbash, kuptohet edhe dyert e tyre ishin pakëz të çerlura që të dëgjonin të rënat e shuplakave, grushtave e kërbaçeve dhe bërtima e atij që torturohej. Të gjithë hetuesit dhe policët tjerë, 6 – 7 vetë, ishin në dhomën ku torturohej i burgosuri dhe të gjithë me radhë ose edhe bashkarisht merrnin pjesë në torturim. Të burgosurve tjerë u mbetej që të dëgjonin dhe të prisnin secili radhën e tij. Nuk kishte gjë më prekëse e më trishtuese se sa kur dëgjoheshin gjëmat e shokëve. Dhe kështu shkonin prej një të burgosuri te tjetri,duke shfryrë ndjenjat shtazarake dhe gjithë mllefin e tyre personal mbi ne. (…) Shtazaraku Asllan Sllamniku, bëhej gjoja human, dhe i thoshte atij që më përplaste kokën për muri: ”Mos kokën, kij kujdes se mos po e lëndon”, kuptohet me sy ia bënte të më godas edhe më shumë. Dhe ky përgjigjej: ”Pse kujdes? Këtyre duhet t´ua çajmë kokën”dhe më përplaste kokën edhe më tepër. Më kapnin për organe gjenitale dhe më bërtisnin në fytyrë: ”Kemi me të tredhë dhe më shtërngonin gjersa alivanosesha. Ujin e mbanin çdo herë gati, që kur të më binte të fikët të më hidhnin ujë fytyrës dhe trupit, dhe menjëherë do të vazhdonin punën. Më fyenin me sharjet më të ndyta, më ofendonin, më përqeshin, më pështynin. Ishin këto poshtrime të rënda, por e dija se duhej t´i duroja.

Rexhep Mala: „Ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit Serbë jeni kriminelë…“

Pas shumë torturave, ditë e netë me radhë, duke qenë i bindur se mund ta mbysnin, Rexhep Mala u thotë udbashëve se ka vendosur t´i pranojë të gjitha, me kusht që ta lënë dy – tri ditë të pushojë në qeli. Këtë kohë e kërkon për ta marrë sadopak veten, në mënyrë që të jetë në gjendje t´i përballojë më lehtë torturat e radhës. Pas tri ditëve e marrin Rexhepin nga qelia, tubohen shumë hetues dhe tashmë presin rrëfimin e tij. Rexhepi u thotë katilëve udbash se do t´i tregojë të gjitha, me kusht që të mos e pengonin gjatë rrëfimit të tij. Me këtë rast sypatremburi Rexhep Mala ju drejtohet me fjalët: “Para së gjithash po ju them se ju hetuesit shqiptarë jeni tradhtarë e ju hetuesit serbë jeni kriminelë dhe do të dënoheni herëdo kur në gjyqin e popullit! gjithashtu po ju them se Kosova do të çlirohet dhe do të bashkohet me Shqipërinë!” Pas këtyre fjalëve udbashët gjakatarë rexhepin e lidhin dhe e torturojnë deri në alivanosje. Jo rrallë të burgosurit e torturuar mizorisht ashtu sikurse është torturuar Rexhep Mala, nuk kishin mundësi që të shkonin me këmbët e veta nga zyrat e UDB-ës deri në qeli, dhe tërhiqeshin zvarrë nga hetuesit barbarë.

Takimi i Rexhep Malës me nënë Fahrijen në mes grilash!

Edhe pse i rrahur e i dërmuar fizikisht dhe shpirtërisht nga udbashët e pashpirt, Rexhep Mala në takimin e parë me nënën e tij…,në mes grilash (i përcjellur nga udbashët), nuk tregoi as ligështinë më të vogël, përkundrazi qëndroi stoik, dinjitoz e i pathyeshëm. Ja si e përshkruan Rexhep Mala këtë takim mjaftë prekës,me nënën dhe anëtarët tjerë ta familjes.

“Të gjithë të burgosurit tjerë kishin të drejtë nga 10-15 minuta vizitë një herë në dy javë. Por unë dhe shokët e mi jo. Neve nuk na lejonin të na vizitonte askush. Na i lejonin vetëm rrobat dhe ca gjëra ushqimore. (…) Pas disa muajsh nga presioni dhe këmbëngulja e familjes për të më parë,më në fund ma lejuan vizitën. Kur më thirrën nuk e dija se ku më çonin. Për vizitën më njoftuan vetëm kur më futën në vendin e caktuar për takime me anëtarët e familjes. Ky vend ishte i ndarë me rrjetë të hekurt e të lartë gjer në tavan. (…) Aty ishin disa udbash dhe gardianë. Një udbash dhe dy gardian më rrinin anash që të kenë mundësi të shihnin sa më mirë se çka do të flasin dhe si do të sillen ata që kishin ardhur në vizitë. Nëna posa më pa, u zgjatë mbi hekurin dhe i futi gishtrinjtë në rrjetin që së paku t´i prekë gishtrinjtë e mi. Por nuk mundja t´ja zgjas dorën,jo pse frikohesha, por pse nuk doja që nëna të m´i shohë duart e mia të enjtura e të bëra çivit nga torturat. Shpejt e shpejt i vura duart në hekurin para vetes, gjoja të them se është e ndaluar. U përshëndetëm kështu përmes rrjetit, i pyeta si janë të shtëpisë dhe pa u bërë një minut e gjysmë na urdhëruan të përshëndetemi, se vizita ishte kryer. Nuk arrita as t´i shoh mirë dhe as t´i pyes për të gjithë njerëzit e shtëpisë. Megjithatë ishte i sigurt se të mitë (familjen) nuk i ka befasuar kjo egërsi fashiste, sepse ata qysh herët e kanë mësuar dhe e kanë përjetuar në kurrizin e tyre urrejtjen shoviniste të serbomëdhenjëve”.

Babai i dëshmorit Fetah Gega: Rama e Thaçi të rregullojnë ekonomitë

0

AhmetGegaPër bac Ahmet Gegën, 11 janari i 2014-së do të jetë dita më e bukur e jetës së tij pas 28 Nëntorit 2012, 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai do t’i kërkonte dy kryeministrave të forconin ekonomitë e dy vendeve.

“Unë doja të falënderoja Kryeministrin Rama e Kryeministrin Thaçi, që ka qenë në burgjet e Serbisë, i cili ka luftuar për këtë ditë që ne të jemi të lirë. Unë jam i brengosur, sepse kam një djalë dëshmor (qan) dhe atë ia kam falur Atdheut. Kështu që jemi të kënaqur se sot jemi të lirë dhe gjaku i të rënëve sot po shpërblehet”, tha Ahmet Gega për Illyriapress

Çfarë është për ju dita e sotme, si po e prisni mbledhjen e dy qeverive?
Kënaqësi më të madhe se sot unë nuk kam pas, me përjashtim të vitit të kaluar të 100-vjetorit në Vlorë. Ajo festë na dha kënaqësinë e bashkimit të kombit shqiptar. Takimi i sotëm është shumë më me rëndësi se më parë, kur ka qenë Kryeministër Sali Berisha. Unë doja të falënderoja Kryeministrin Rama e Kryeministrin Thaçi, që ka qenë në burgjet e Serbisë, i cili ka luftuar për këtë ditë që ne të jemi të lirë. Unë jam i brengosur, sepse kam një djalë dëshmor (qan) dhe atë ia kam falur Atdheut. Kështu që jemi të kënaqur se sot jemi të lirë dhe gjaku i të rënëve sot po shpërblehet.

Djali juaj ka rënë dëshmor për Kosovën?
Po. Ne si familje kemi qenë në Shqipëri, në Shëngjin, kur na është vrarë djali dhe na kanë bërë një respekt shumë të madh. 250 anëtarë të familjes na ka sistemuar komuna e Shëngjinit. Na ka ardhur Sali Berisha, por na ka shprehur ngushëllime edhe Fatos Nano. Djali, Fetah Gega, ra në luftë më 2 maj 1999.

Çfarë prisni nga kjo mbledhje e dy qeverive?
Unë pres shumë gjana të mira or djali i bacës. Në kërkojmë të rregullohet çështja ekonomike. Tjetër që kërkojmë është që të bëhemi një grusht, të gjithë shqiptarët, që të bëhemi një forcë e parë në Ballkan. Vendet fqinje na i kanë zilinë dhe na kanë pengu gjithmonë. Serbia ka pas gisht dhe na ka pengu sa herë ka dash.

Nëse do të pinit një kafe me Edi Ramën, çfarë do t’i thoshit?
Do ta falënderoja për këtë ditë të sotme, se unë nuk jam në gjendje të bëj biseda dhe ta mësoj atë, ai ka plot mend.

Po Hashim Thaçit çfarë do t’i thoshit?
Ne rrimë me Hashimin, sidomos kur kemi ditët përkujtimore, ditët e festive apo dhe të fushatave zgjedhore.

Unë do t’i thosha një gjë: Hashimi ishte udhëheqësi politik i UÇK dhe sot ulet ballë përballë me Serbinë. Kush e kishte mendu një gjë të tillë më përpara?! Të dy qeverive do t’i thosha që të rregullojnë ekonominë e dy vendeve, që shqiptarët të jetojnë më mirë në vendet e tyre. Ne sot jemi të kënaqur, pse nuk kemi Serbinë këtu në Kosovë.

Që Prizreni të bëhet historik

0

Afrim KrasniqiAfrim Krasniqi

Takimi i dy qeverive (shqiptare) në Prizren përbën një ngjarje me simbolikë historike. Vetë takimi dhe data do mbeten elementë historikë, pavarësisht debatit dhe analizës mbi produktivitetin e tij. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që dy qeveritë të ulen në tryezë dhe asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një qeveri e Tiranës të bëjë një akt të tillë me ndonjë qeveri tjetër. Kemi pasur momente të provave të tilla, p.sh në vitet e para të pasluftës në kohën e dashurisë së madhe me Titon, apo në raste të akteve të tjera ideologjike e populiste, por asnjëherë kështu, asnjëherë të gjithë, asnjëherë në Kosovë dhe asnjëherë midis vetë shqiptarëve. Kjo e bën takimim me rëndësi dhe i jep atij simbolikë historike.

Takimi, siç ndodh rëndom në botën shqiptare, u shoqërua me deklarata populiste, tone historike dhe tendencë për ta shndërruar atë në një paradë mode për politikanët e dy vendeve, veçanërisht krerët e qeverive, të cilët, duke qenë produkte votimi, përfaqësojnë vendet, por njëherësh edhe pjesë militante të partive respektive. Mizaskena si ato të nisjeve me autobusë, të përcjelljes apo prirjes populiste, gati të ngjashme me praktikat tona të vjetra të përcjelljes për në Tiranë të delegatëve të Kongreseve të PPSH, edhe pse të krijuara për efekt publik, mund të evitoheshin dhe të kurseheshin. Sepse nuk thonë asgjë. Ministrat tanë i njohim dhe ata nuk janë delegatët e Boletimit apo Qemalit që shkojnë në Vlorë dhe as të Vokshit apo Frashërit që shkojnë në Prizren. Nuk janë emrat më përfaqësues dhe as figura historike, janë zyrtarë të radhës, produkt i vullnetit politik të një ose dy partive, si dhe staf që ka pushtet falë besimit personal të kryeministrit. Ndaj në politikë mesazhi merr më shumë vlerë kur gjërat bëhen me modesti, tendenca për imponim nuk është gjithnjë produktive. Siç ndodhi dje në Tiranë dhe në Prizren, në aktet populiste e meditative të pritje-përcjelljeve.

Takimi prodhoi disa elementë. Së pari elementin politik. Takimi i dy qeverive “shqiptare” natyrisht që është headline në mediat dhe memot e dosjeve të politikanëve vendimmarrës në gjithë rajonin. Shqiptarët po takohen, po merren vesh, po bashkëpunojnë dhe po thyejnë një tabu gati 100 vjeçare. Kjo është meritë, ky është sukses, dhe vetëm për këtë ia vlen edhe takimi. Palët shtetërore u përpoqën të sqarojnë se takime të tilla nuk kërcënojnë asnjë vend dhe nuk cenojnë kufijtë. Kjo është një deklaratë e matur politike. U duhet fqinjëve, u duhet qeverive, u duhet partnerëve tanë ndërkombëtarë. Por nga ana tjetër, palët do të duhet të pranojnë detyrimin kushtetues të shtetit shqiptar për kujdes ndaj çdo shqiptari në botë, si dhe sfidat e përbashkëta që kanë shqiptarët në disa shtete për integrim evropian. Pa dilemma dhe pavarësisht raporteve etnike në vendet ku jetojnë. Gjë që etnitë e tjera nuk e kanë ose nuk duan ta kenë priroritet dhe interes kombëtar.

Së dyti, prodhoi elementin e një gjeopolitike të re në rajon. Kur shteti maqedon ndan ambasadat me shtetin serb, shqiptarët po ndajnë vizionin e përbashkët për reforma, bashkëpunim dhe integrim. Natyrisht që dy qeveritë me siguri do të kishin dashur të kishin mes tyre dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë apo Ulqin, – nuk e vë në diskutim një fakt të tillë, por praktika diplomatike e marrëdhënieve ndërshtetërore e pamundëson këtë. Ndaj çdo deklaratë qejfmbetjeje ngado që të vijë është e nxitur, emocionale, dhe dëmton sadopak atë që mbetet simbolika e takimit, faktorin shqiptar në gjeopolitikën e re të rajonit. Sjellje të tilla duhen evituar dhe përgjegjës janë secila palë. A nuk mund të kishte konsultime paraprake me këta faktorë politikë? A nuk mund të ketë takime dhe dakordësi edhe jashtë medias, në takime periodike ndërshqiptare në nivel partiak, politik, parlamentar, ekzekutiv dhe shtetëror?

Së treti, takimi mund të bëhet historik edhe në përmbajtje. Aty u miratuan disa marrëveshje edhe pse shumica e tyre janë deklarative, pra pa objekt konkret dhe faza konkrete veprimi. Gjithsesi ajo përbëjnë hap të parë domethënës, një bazë angazhimesh drejt të ardhmes. Që të kenë sukses ato dhe vetë takimi do duhet kaluar në gjëra, tema dhe projekte konkrete. Duke nisur nga arsimi, siç këshillon një deputete “tiranase” në Kosovë, ose duke nisur nga shkëmbimet ekonomike, siç këshillon një deputet “kosovar” në Tiranë. Janë qeveritë e dy prej vendeve më të varfra në rajon, të dy prej vendeve me sistemin më shqetësues të korrupsionit, të dy prej vendeve që janë në grupin e fundit të integrimit evropian, si dhe të dy prej vendeve që vuajnë prej të njëjtave sëmundje në çdo fushë, përfshirë sistemin arsimor, shëndetësor, sigurisë, privatizimeve, rolit ekstrakushtetues të partive, etj.

Nga praktika e deritanishme retorikat nuk kanë sjellë rezultat. Kabinete qeveritare të majta e të djathta (Majko, Meta, Nano, Berisha) kanë bërë tentative për përfaqësim ndërshqiptar, por pa sukses. Sepse mungonin aktet konkrete, produktet konkrete, efekti konkret tek shtetet, qytetarët dhe shoqëritë. Këtë herë nuk kemi garanci se do ndodhë ndryshe, por kemi bindjen se nëse nuk ndodh ndryshe, takimi i Prizrenit do mbetet thjesht një kujtim, një kartolinë personale në CV e dy kryeministrave,- të njëjtë jo vetëm për nga gjatësia dhe problematika para së cilës ndeshen.

Që Prizreni të marrë vlera historike do duhet që qeveritë të gjejnë mekanizma koherentë bashkëpunimi, të krijojnë struktura përgjegjëse koordinimi, t’i largohen sjelljeve populiste dhe të punojnë sidomos jashtë kamerave televizive për projekte të përbashkëta në çdo fushë. Palët duhet të ecin në dy rrugë paralele: në nivel politik ngritjen e problemeve që shqetësojnë botën shqiptare dhe angazhimin drejt integrimit, në nivel teknik dhe administrativ gjetjen e mekanizmave dhe burimeve për jetësimin e projekteve të përbashkëta midis dy vendeve dhe botës shqiptare në rajon. Gjë që ende nuk ka ndodhur dhe nuk ka ende garanci të ndodhë.

Prizreni shënoi një ngjarje me simbolike historike. Qytetarët e dy vendeve duan më shumë se kaq, duan një ngjarje me përmbajtje historike. Ata duan një politikë të re sa më përfshirëse, sa më pak populiste, sa më pak spekulative, sa më pak të korruptuar dhe sa më shumë efikase, produktive dhe evropiane. Diçka që nuk e jep dot takimi i djeshëm në Prizren, por që mund të jetë një shtysë për ta dhënë në të ardhmen përmes takimeve të tjera. Sepse ky vend nuk ka vuajtur asnjëherë nga ngjarje me simbolika historike, nuk ka vuajtur nga ngritja e miteve apo heronjve populistë, nuk ka lënë pa provuar regjime autoritare, politikanë diktatorë, aventurierë dhe të korruptuar. Por në çdo rast prej 100 vitesh është ndeshur me nevojën për një politikë qytetare, kombëtare, evropiane dhe funksionale. Që flet pak dhe vepron shumë, jo e anasjelltë. Kjo është sfida me të cilat përballen dy palët në Prizren dhe për të cilat do duhet ende kohë të gjykojmë, nëse ajo që nisi në Prizren ishte dekor tranzicioni apo shenjë rilindjeje!

Metafora e Prizrenit dhe metonimia e shqiptarit

0

Ilir YzeiriIlir Yzeiri

Është një modë tashmë në hapësirat shqiptare që çfarëdolloj ngjarjeje me sfond politik kthehet menjëherë në një sport kombëtar. Të gjithë japin mend pa asnjë lloj dogane dhe gjykojnë e paragjykojnë cilindo dhe çfarëdo. Nga një pikëpamje këtu nuk ka asgjë të keqe. Jetojmë në botën e internetit dhe gjithkush, përmes komenteve apo rrjeteve sociale, mjaft që të ketë një mundësi për të zotëruar një ekran kompjuteri, tableti apo aparat celulari dhe kthehet menjëherë në një autor komentesh, gjykimesh, sharjesh, fyerjesh apo siç ndodh rëndom, nis e i jep mend gjithë dynjasë. Është një fenomen planetar. Kështu, edhe një ngjarje siç ishte takimi i dy qeverive shqiptare në Prizren, nuk mund të shpëtonte nga ky gjakim.

“Janinës ç’i panë sytë”

Bash në vigjilje të takimit të dy qeverive në Prizren pashë në faqen online të “Temës” një video, në të cilën disa këngëtarë të shquar francezë këndonin shqip këngën e famshme “Janinës ç’i panë sytë”. Ishte një emocion i madh. Po ashtu, bash në ditën që Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës, po takoheshin në Prizren, gazeta e madhe NYT shkruante se Shqipëria është një nga vendet e pëlqyera për turizëm në vitin 2014.

Ndër 52 e vendet e përmendura prej saj, Shqipëria renditet e katërta. Një ngjarje edhe kjo vërtet e bukur. Krahas tyre, vijojnë lajmet për shqiptarë nga Kosova apo Shqipëria që vriten në Siri për kauzën e Xhihadit dhe në këtë tollovi me aromë fondamentaliste, gazeta “Express” e Prishtinës na njeh me një letër të një qytetari nga Gjakova, i cili proteston në mënyrë shumë të qytetëruar ndaj kryetares së sapozgjedhur të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e cila ishte vënë në krye të protestuesve huliganë që kishin dalë me hunj, shata e shkopinj për të penguar autobusët me serbë që t’i sillnin në kishën ortodokse të Gjakovës për të festuar Krishtlindjet ortodokse. Letra e këtij qytetari, që e akuzonte Mimoza Kusari Lilën për fanatizëm ekstremist dhe që nuk kishte ditur ta paraqiste Gjakovën dhe Kosovën në përgjithësi si një vend të qytetëruar, duke i përmendur asaj shembullin e Mandelës dhe rezistencën apo protestën e qytetëruar dhe jo kapardisjen me hunj e shkopinj, ishte gjithashtu një shenjë e mirë në hapësirën shqiptare. Mirëpo vetëm kaq, sepse gjithë pjesa tjetër vijon të jetë një teatër banal me lajme për krime e korrupsion, me njoftime për ngjarje që shpesh na paraqitin në sy të familjes europiane jo me personalitetin që do të duhet të kishim. Në këtë kuptim, edhe ngjarja e Prizrenit u përcoll nga shumica e mediave dhe e komentatorëve online si një spektakël jo dhe aq domethënës.

Historia si një tekst i palexuar

Cilido vend i qytetëruar në Europë jeton duke lexuar në çdo rast të shkuarën dhe përpiqet që ta ndërtojë të ardhmen sipas modeleve më të pranueshme që ai komb ka ndërtuar në shekuj. Anglezët apo anglosaksonët në përgjithësi, kanë ruajtur nga e shkuara modelin e tyre mbretëror konstitucional dhe parlamentarizmin, arsyen mbi ndjenjën në mënyrën e gjykimit të sendeve. Francezët, megjithëse edhe sot janë të ndarë mes mbretërorëve dhe republikanëve, kanë një model që ka shërbyer edhe si shenjë për qytetërimin europian dhe kjo është Deklarata e Famshme “Liri, barazi, vëllazërim”. Ne shqiptarët jemi një komb i vjetër, por me një histori shumë të re mëvetësimi. Shteti shqiptar është vetëm njëqind vjeç, ai i Kosovës më pak se një çerekshekulli. Nga kjo pikëpamje, metafora e Prizrenit shënjon ripërsëritjen e kuvendit të famshëm, anipse tani një vilajet dhe disa territore gjenden jashtë kufijve zyrtarë të të dy shteteve. Mirëpo këtu qëndron edhe sfida e kësaj metafore. Përballë kësaj metafore qëndron metonimia “shqiptar”, që do të thotë se në hapësirën europiane, sa herë përmendet fjala “shqiptar”, nuk gjendet një model me të cilin të përafrohet. Pas rënies së komunizmit, për fat të keq, për një kohë të gjatë, ne u bëmë shenja e kriminelit, e trafikantit dhe e njeriut problematik. Me mendjelehtësinë më të madhe ne e lamë imazhin tonë të zhgërryhet në llumin më të errët të gjykimeve që ndonjëherë ndaj nesh morën edhe karakter racist. Për fat të mirë, veçanërisht kohëve të fundit, ky opinion ka filluar të ndryshojë dhe shqiptarët gjithnjë e më shumë po paraqiten si qytetarë normalë europianë. Mirëpo është vetëm fillimi dhe në këtë kuptim, metafora e Prizrenit nuk duhet të shërbejë për të ringjallur romantizmin e shekullit XIX, me troje e shpata, me kufoma e të vrarë. Metafora e Prizrenit duhet të shërbejë që të ndreqë imazhin e metonimisë së shqiptarit. Dhe kjo mund të bëhet sidomos duke nxitur kulturën, artin dhe sportin.

Sot, sfida që kanë vendet e Ballkanit është lufta për t’u paraqitur si të barabartë me europianët në ato hapësira që kanë me të vërtetë një shenjë të tillë. Një projekt i parë do të duhej të ishte rindërtimi i stadiumeve dhe terreneve sportive në të dyja anët e kufirit. Ringritja e shtëpive kinematografike dhe afrimi i regjisorëve, qoftë edhe të huaj, për të realizuar filma më temë shqiptare. Sillni ndërmend ekspansionin kulturor të Turqisë duke kujtuar me këtë rast telenovelat turke apo “Sulejmanin e Madhërishëm” që po përmbyt ekranet shqiptare dhe ato greke gjithashtu.

Teatri, letërsia, akademitë shkencore dhe ato artistike vijnë më parë se ekonomia. Këto sjellin edhe ekonominë më pas. Ndaj, për këtë arsye kënga “Janinës ç’i panë sytë” e kënduar nga disa këngëtarë francezë është një ngjarje më e madhe se të gjitha tubimet apo konferencat albanologjike. Ajo këngë është bërë pjesë e të vetëndierit europian dhe është një shenjë e kulturës sonë që shërben për të emocionuar edhe një popull tjetër. Sa mundësi serioze kemi ne që t’u tregojmë të tjerëve që jemi një popull europian që ka ashtu si ata art, sport dhe histori?! Vetëm në këtë mënyrë metafora e Prizrenit do ta shëndoshte metoniminë e shqiptarit. (Meqë ra fjala, metafora është një krahasim i munguar. Pra, takimi i Prizrenit sot si Lidhja e Prizrenit dje. Metonimia është pjesa në vend të së tërës. Themi shqiptar dhe nënkuptojmë sipas mendësisë së një pjesë të europianëve, një kriminel, trafikant, islamik etj.)/shqip/

Kush mungoi në foton e dy qeverive

0

Dy qeverite-fotoNë Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dy kabinetet qeveritare u përkujdesen që të bëjnë edhe një foto të përbashkët. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është futur në mes të kryeministrit, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi. Kurse, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, shihet në rendin e dytë, përderisa homologu i tij, Ditmir Bushati, ka zënë një vend në rendin e parë.

Në këtë foto mungojnë zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, e cila ka qenë në Bruksel duke diskutuar me përfaqësuesit e BE-së dhe delegacionin serb për inaugurimin e komunave në veri të Kosovës, dhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, e cila është zëvendësuar nga zëvendësministri, Gëzim Kasapolli, shkruan Epoka e re.

Në foton e dy kabineteve qeveritare nuk shihen zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq dhe dy ministrat tjerë serb, Nenad Rashiq dhe Dalibor Jevtiq, të cilët ishin prezentë në hapjen e mbledhjes së dy qeverive.

Iu vazhdohet edhe dy muaj burgimi Grupit kriminal të UP’së

0

BurguGjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhdar paraburgimin zyrtarëve të arrestuar të UP’së. Prokurori i rastit Abdurrahim Islami ka thënë për Express se paraburgimi është zgjatur për 2 muaj të tjerë. Vendimi ende nuk është bërë zyrtar. Përveç 11 të arrestuarve, nën hetime sipas prokurorisë janë edhe 2 persona në procedurë të rregullt. Të përfshirë në skandalin e UP’së, në total janë 13 njerëz.

Të arrestuarve në Fakultetin e Mjekësisë iu është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Lajmin e ka konfirmuar për Express, Prokurori i rastit Abdurrahim Islami.

Sipas tij, vendimi është marrë megjithëse akoma nuk është bërë publik.

“Kërkesa ime është miratuar. Unë dje kam marr njoftimin se 11 të arrestuarve u është vazhduar paraburgimi edhe për 2 muaj të tjerë”, ka thënë Imeri për Express.

Kjo masë sipas prokurorit i është vazhduar të gjithë të arrestuarve, nëntë prej të cilëve ndodhen në qendrën e paraburgimit dhe dy të tjerëve që ndodhen në arrest shtëpiak.

Sipas tij, përveç këtyre 11 të arrestuarve dhe dy të tjerëve që po trajtohen në procedurë të rregullt, të dyshuar të tjerë se kanë bërë dallavere në UP, aktualisht nuk ka.

“Jemi në fazën e hetimeve, deri më tash nuk ka zgjerime të listës së dyshuarve”, ka thënë ai.

Kështu, nëntë të dyshuarit pritet të qëndrojnë edhe të paktën dy muaj në paraburgim nën dyshimet se kanë kryer vepra penale të korrupsionit dhe mitmarrjes në këmbim të regjistrimit të studentëve veçanërisht në Fakultetin e Mjekësisë.

Para një muaji, njëmbëdhjetë zyrtarë të UP’së, ne mesin e tyre edhe asistent, mjek e studentë ishin arrestuar nën dyshimin se kanë marrë prej 4 deri në 10 mijë euro për regjistrimin e një studenti në Fakultetin e Mjekësisë.

Po ashtu ky Grup kriminal dyshohet se kanë marrë prej 100 deri në 500 euro një studenti për të kaluar një provim në Fakultetin e Mjekësisë.

Në mesin e të arrestuarve është Esat Belaj (1984) nga Studenica e Istogut, Asistent në Fakultetin e Mjekësisë. Ai dyshohet si “koka” e regjistrimeve me ryshfet në Fakultetin e Mjekësisë dhe i pari në listën e të arrestuarve, kishte shkruar Koha Ditore.

Rejan Zeneli (1984) nga Istogu, është bashkëpunëtor i Esat Belajt. Është nën hetime edhe në raste të tjera për falsifikim, mashtrim, falsifikim i dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.

Si të dyshuar për vepra penale të dënueshme më shumë vjet burgim janë edhe:

Kemajl Gashi (1986) nga Vushtrria, po ashtu asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

Arjan Janova (1985) nga fshati Korroticë e Lartë e Drenasit, asistent i angazhuar në Fakultetin Filozofik.

Leonard Bytyqi (1987), nga Prizreni, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Albion Haxhijaha (1988) nga Rahoveci, mjek në Repartin e Internos në QKU.

Mevledin Beqiri (1984) nga Olshani i Vushtrrisë, i diplomuar në Mjekësi.

Gazmend Maliqi (1984) nga Kijeva e Malishevës, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.

Arton Hoti (1984) nga Jashanica e Klinës, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë

Kushtrim Morina (1988) nga Rahoveci, ekonomistë i papunë dhe

Muhamet Maliqi (1983) nga fshati Busovatë i Kamenicës, student i Fakultetit të Mjekësisë.

Të gjithë këta janë arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar nga një operacion i Drejtorisë për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Të gjithë janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “marrje ryshfeti, keqpërdorim i detyrës zyrtare, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë’,.

Ndërsa, masën e arrestit shtëpiak, Gjykata ua ka caktuar vetëm Albion Haxhijahës dhe Muhamet Maliqi./Express/

Jemi në pritje të raportit të MAPL-së

0

Edita TahiriZëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se janë në pritje të raportit të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) se si ka shkuar ecuria e inaugurimit të organeve komunale në katër komunat në veri, për të ditur nëse janë respektuar ligjet e Kosovës.

Ajo ka deklaruar për “Epokën e re”, së Qeveria e Kosovës do të veprojë konform raporteve të cilin do ta përpilojë MAPL-ja.

“Gjatë inaugurimit të organeve komunale në veri të Kosovës, MAPL-ja ka qenë prezente përmes grupeve monitoruese. Tani grupet monitoruese janë duke përgatitur raportin për rrjedhat e seancave inauguruese dhe më pas MAPL-ja do t’ia dorëzojë zyrtarisht Qeverisë së Kosovës këtë raport. Dhe pasi që të kemi këtë raport, Qeveria do të vendos për hapat e mëtutjeshëm dhe masat ligjore që parashihen me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, konform asaj që thotë raporti”, është shprehur Tahiri.

Lidhja e burrave

0

Dy qeverite-foto35 meshkuj dhe vetëm pesë femra. Kjo është fotoja që është bërë nga kabinetet e të dyja qeveria pas mbledhjes së përbashkët, Kosovës dhe Shqipërisë në ‘Lidhjen e Prizrenit’.

Ajo që të bie në sy janë mungesa e ministreve femra. Në foto shihen vetëm pesë dhe që të gjitha të Shqipërisë.

Nuk duhet harruar se Kosova aktualisht ka vetëm një, Vlora Çitakun që në këtë foto zëvendësohet nga Gëzim Kasapolli. Në foto mund të ishte edhe Edita Tahiri, zëvendëskryeministre ngase në foto ka të tjerë që kanë një post të tillë.

Ndërsa, pesë femrat në foto janë të kabinetit shqiptarë, ku që nga formimi i këtij kabinet, kryeministri i tyre, Edi Rama ka qenë lajm nëpër media për numrin më të madh të ministrave femra në historinë shqiptare, që janë gjithesj gjashtë./Kosovapress/

Konstituimi në veri, për pak shmangu zgjedhjet e reja

0

Konstituimi ne veriKonstituimi i komunave veriore me shumicë serbe pak minuta para mesnatës, shmangu mundësinë që në veri të shpalleshin të pavlefshme zgjedhjet për pushtetin lokal.

Pas një maratone diskutimesh në veri të Kosovës, ku u përfshi edhe përfaqsuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, katër komunat veriore me shumicë serbe përfunduan procesin e konstituimit. Ceremonitë e nënshkrimit të deklaratës u mbajtën pak minuta para mesnatës, duke shmangur kështu mundësinë që zgjedhejet lokale të shpalleshin të pavlefshme, transmeton D.Welle.

Data 12 janar ishte afati i fundit i shpallur nga Ministria e Pushtetit Lokal, kur komunat veriore të Kosovës duhet të nisnin punën. Radio Televizioni i Serbisë, RTS, njofton se deputetët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave kanë nënshkruar deklaratat dhe kanë bërë betimin e tyre “në pajtim me ligjin e Kosovës për pushtetin lokal dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Deputetët shqiptarë nënshkruan deklaratën me simbole të Republikës së Kosovës, ndërsa, deputetët serbë i kanë nënshkruar deklaratat në gjuhën serbe dhe me simbole të mbuluara të Kosovës.

Njoftohet se kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës Kërstimir Pantiq, në shenjë pakënaqësie ka bojkotuar seancën inuaguruese në veri të Mitrovicës. Kërstimir Pantiq, nuk pranon që të betohet me ligjet e Kosovës dhe kështu mbetet e paqartë sesi do të veprohet më tej.

Qeveria e Kosovës kishte qëndrim të prerë që seancat përuruese në veri të mbaheshin në pajtim me ligjet e Kosovës, ndërsa, përfaqësuesit serbë kërkonin që tërë procesi të ishte neutral ndaj statusit të Kosovës. Për këtë cështje për më shumë se një javë në Bruksel u zhvilluan bisedime ndërmjet grupeve të punës të Kosovës dhe të Serbisë.

Zëvëndëskryeministrja në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila kryesonte bisedimet, tha se “edhe Bashkimi Evropian ishte i prerë në qëndrim që komunat veriore duhet të përurohen sipas ligjeve të Kosovës, sepse kështu edhe parasheh edhe marrëveshja e Brukselit e nënshkruar me 19 prill ndërmjet kryeministrit te Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq. Sipas kësaj marrëveshje pritet të formohet edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe.