8.8 C
Prizren
E martë, 8 Tetor, 2024

Që Prizreni të bëhet historik

Afrim KrasniqiAfrim Krasniqi

Takimi i dy qeverive (shqiptare) në Prizren përbën një ngjarje me simbolikë historike. Vetë takimi dhe data do mbeten elementë historikë, pavarësisht debatit dhe analizës mbi produktivitetin e tij. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që dy qeveritë të ulen në tryezë dhe asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një qeveri e Tiranës të bëjë një akt të tillë me ndonjë qeveri tjetër. Kemi pasur momente të provave të tilla, p.sh në vitet e para të pasluftës në kohën e dashurisë së madhe me Titon, apo në raste të akteve të tjera ideologjike e populiste, por asnjëherë kështu, asnjëherë të gjithë, asnjëherë në Kosovë dhe asnjëherë midis vetë shqiptarëve. Kjo e bën takimim me rëndësi dhe i jep atij simbolikë historike.

Takimi, siç ndodh rëndom në botën shqiptare, u shoqërua me deklarata populiste, tone historike dhe tendencë për ta shndërruar atë në një paradë mode për politikanët e dy vendeve, veçanërisht krerët e qeverive, të cilët, duke qenë produkte votimi, përfaqësojnë vendet, por njëherësh edhe pjesë militante të partive respektive. Mizaskena si ato të nisjeve me autobusë, të përcjelljes apo prirjes populiste, gati të ngjashme me praktikat tona të vjetra të përcjelljes për në Tiranë të delegatëve të Kongreseve të PPSH, edhe pse të krijuara për efekt publik, mund të evitoheshin dhe të kurseheshin. Sepse nuk thonë asgjë. Ministrat tanë i njohim dhe ata nuk janë delegatët e Boletimit apo Qemalit që shkojnë në Vlorë dhe as të Vokshit apo Frashërit që shkojnë në Prizren. Nuk janë emrat më përfaqësues dhe as figura historike, janë zyrtarë të radhës, produkt i vullnetit politik të një ose dy partive, si dhe staf që ka pushtet falë besimit personal të kryeministrit. Ndaj në politikë mesazhi merr më shumë vlerë kur gjërat bëhen me modesti, tendenca për imponim nuk është gjithnjë produktive. Siç ndodhi dje në Tiranë dhe në Prizren, në aktet populiste e meditative të pritje-përcjelljeve.

Takimi prodhoi disa elementë. Së pari elementin politik. Takimi i dy qeverive “shqiptare” natyrisht që është headline në mediat dhe memot e dosjeve të politikanëve vendimmarrës në gjithë rajonin. Shqiptarët po takohen, po merren vesh, po bashkëpunojnë dhe po thyejnë një tabu gati 100 vjeçare. Kjo është meritë, ky është sukses, dhe vetëm për këtë ia vlen edhe takimi. Palët shtetërore u përpoqën të sqarojnë se takime të tilla nuk kërcënojnë asnjë vend dhe nuk cenojnë kufijtë. Kjo është një deklaratë e matur politike. U duhet fqinjëve, u duhet qeverive, u duhet partnerëve tanë ndërkombëtarë. Por nga ana tjetër, palët do të duhet të pranojnë detyrimin kushtetues të shtetit shqiptar për kujdes ndaj çdo shqiptari në botë, si dhe sfidat e përbashkëta që kanë shqiptarët në disa shtete për integrim evropian. Pa dilemma dhe pavarësisht raporteve etnike në vendet ku jetojnë. Gjë që etnitë e tjera nuk e kanë ose nuk duan ta kenë priroritet dhe interes kombëtar.

Së dyti, prodhoi elementin e një gjeopolitike të re në rajon. Kur shteti maqedon ndan ambasadat me shtetin serb, shqiptarët po ndajnë vizionin e përbashkët për reforma, bashkëpunim dhe integrim. Natyrisht që dy qeveritë me siguri do të kishin dashur të kishin mes tyre dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë apo Ulqin, – nuk e vë në diskutim një fakt të tillë, por praktika diplomatike e marrëdhënieve ndërshtetërore e pamundëson këtë. Ndaj çdo deklaratë qejfmbetjeje ngado që të vijë është e nxitur, emocionale, dhe dëmton sadopak atë që mbetet simbolika e takimit, faktorin shqiptar në gjeopolitikën e re të rajonit. Sjellje të tilla duhen evituar dhe përgjegjës janë secila palë. A nuk mund të kishte konsultime paraprake me këta faktorë politikë? A nuk mund të ketë takime dhe dakordësi edhe jashtë medias, në takime periodike ndërshqiptare në nivel partiak, politik, parlamentar, ekzekutiv dhe shtetëror?

Së treti, takimi mund të bëhet historik edhe në përmbajtje. Aty u miratuan disa marrëveshje edhe pse shumica e tyre janë deklarative, pra pa objekt konkret dhe faza konkrete veprimi. Gjithsesi ajo përbëjnë hap të parë domethënës, një bazë angazhimesh drejt të ardhmes. Që të kenë sukses ato dhe vetë takimi do duhet kaluar në gjëra, tema dhe projekte konkrete. Duke nisur nga arsimi, siç këshillon një deputete “tiranase” në Kosovë, ose duke nisur nga shkëmbimet ekonomike, siç këshillon një deputet “kosovar” në Tiranë. Janë qeveritë e dy prej vendeve më të varfra në rajon, të dy prej vendeve me sistemin më shqetësues të korrupsionit, të dy prej vendeve që janë në grupin e fundit të integrimit evropian, si dhe të dy prej vendeve që vuajnë prej të njëjtave sëmundje në çdo fushë, përfshirë sistemin arsimor, shëndetësor, sigurisë, privatizimeve, rolit ekstrakushtetues të partive, etj.

Nga praktika e deritanishme retorikat nuk kanë sjellë rezultat. Kabinete qeveritare të majta e të djathta (Majko, Meta, Nano, Berisha) kanë bërë tentative për përfaqësim ndërshqiptar, por pa sukses. Sepse mungonin aktet konkrete, produktet konkrete, efekti konkret tek shtetet, qytetarët dhe shoqëritë. Këtë herë nuk kemi garanci se do ndodhë ndryshe, por kemi bindjen se nëse nuk ndodh ndryshe, takimi i Prizrenit do mbetet thjesht një kujtim, një kartolinë personale në CV e dy kryeministrave,- të njëjtë jo vetëm për nga gjatësia dhe problematika para së cilës ndeshen.

Që Prizreni të marrë vlera historike do duhet që qeveritë të gjejnë mekanizma koherentë bashkëpunimi, të krijojnë struktura përgjegjëse koordinimi, t’i largohen sjelljeve populiste dhe të punojnë sidomos jashtë kamerave televizive për projekte të përbashkëta në çdo fushë. Palët duhet të ecin në dy rrugë paralele: në nivel politik ngritjen e problemeve që shqetësojnë botën shqiptare dhe angazhimin drejt integrimit, në nivel teknik dhe administrativ gjetjen e mekanizmave dhe burimeve për jetësimin e projekteve të përbashkëta midis dy vendeve dhe botës shqiptare në rajon. Gjë që ende nuk ka ndodhur dhe nuk ka ende garanci të ndodhë.

Prizreni shënoi një ngjarje me simbolike historike. Qytetarët e dy vendeve duan më shumë se kaq, duan një ngjarje me përmbajtje historike. Ata duan një politikë të re sa më përfshirëse, sa më pak populiste, sa më pak spekulative, sa më pak të korruptuar dhe sa më shumë efikase, produktive dhe evropiane. Diçka që nuk e jep dot takimi i djeshëm në Prizren, por që mund të jetë një shtysë për ta dhënë në të ardhmen përmes takimeve të tjera. Sepse ky vend nuk ka vuajtur asnjëherë nga ngjarje me simbolika historike, nuk ka vuajtur nga ngritja e miteve apo heronjve populistë, nuk ka lënë pa provuar regjime autoritare, politikanë diktatorë, aventurierë dhe të korruptuar. Por në çdo rast prej 100 vitesh është ndeshur me nevojën për një politikë qytetare, kombëtare, evropiane dhe funksionale. Që flet pak dhe vepron shumë, jo e anasjelltë. Kjo është sfida me të cilat përballen dy palët në Prizren dhe për të cilat do duhet ende kohë të gjykojmë, nëse ajo që nisi në Prizren ishte dekor tranzicioni apo shenjë rilindjeje!

Më Shumë

Komuna e Malishevës bëhet me 5 mjete për pastrimin e rrugëve

Komuna e Malishevës është bërë me pesë mjete për pastrimin e rrugëve dhe trotuareve, si pasojë e një donacioni zviceran. “Qytetarë të dashur, po ndaj...

Fushata për të ndihmuar Armend Hodajn zgjerohet në Prizren

Fushata për të ndihmuar Armend Hodajn, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë, po shtrihet gjithnjë e më shumë në Prizren. Sot,...

Lajmet e Fundit