Pritet që më 3 janar të bëhet ndarja e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në dy Biblioteka, Universitare dhe atë Kombëtare. Drejtues të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës, thonë se kjo është paraparë në marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit, ku tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për të filluar puna në objektin e ri.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha për Radio Kosovën se ka qenë i shqetësuar për vonesat rreth lëshimit të objektit. Ai tha se konform memorandumit të mirëkuptimit për ndarjen e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, është zgjedhur Bordi i Bibliotekës, i cili ka hartuar rregulloren e punës.
“Sigurisht që esenciale në këtë proces mbetet lëshimi i objektit të ri dhe fillimi i bartjes së fondeve librare nga Biblioteka Kombëtare, që janë rreth 50 mijë tituj që duhet të barten në Bibliotekën Universitare, sepse janë libra universitarë. Ndërkaq, një kontingjent tjetër do të vijë nga përkthimi, janë deponuar një pjesë e madhe në Bibliotekën Kombëtare dhe do të barten edhe ato”.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Ramize Bajraktari, tha se obligim i Bibliotekës është që të dërgojë një pjesë të punëtorëve profesionistë në Bibliotekën Universitare.
“Ne kemi për obligim institucional dhe ligjorë, që të dërgojmë një pjesë të punëtorëve profesionistë atje, që të fillojnë me punën dhe përpunimin e librave dhe të fillojë punën Biblioteka Universitare ashtu siç duhet nga ana profesionale. Pjesën tjetër ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë ngritjen profesionale përmes trajnimeve, që i zhvillojmë këtu në qendrën e trajnimeve.”
Me ndarjen e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Universiteti i Prishtinës krijon kushte më të mira për studentët. Rektori Gashi, tha se Biblioteka Universitare do të jetë e tipit të hapur, ku studentët mund t’i marrin librat t’i lexojnë pa pasur nevojë për ndonjë shërbim.
Kjo bibliotekë do të ketë salla moderne të leximi. Brenda saj mund të ketë ndonjë librari që shet libra të rinj universitar, që boton Universiteti i Prishtinës. Në Bibliotekën Universitare do të ketë hapësira edhe për punëtorë të pavarur shkencorë, doktorantë për punë hulumtuese, krijuese e shkencore.