11.7 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 8897

Si festohet Dita e Flamurit në Luginë të Preshevës, Maqedoni dhe Mal të Zi

0

Dita flamurit-28 nentoriNëntorët e krenarisë, nëntorët e betejave e të heroizmit, të përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, kombin shqiptar e gjejnë të ndarë padrejtësisht nga rrënja etnike në disa shtete të rajonit të Ballkanit të trazuar. Ky komb, që shtegtoi nga viti në vit, i përgjakur e i gjymtuar, nëpër stuhitë e kohëve të liga, pati para vetës dorën që ndalonte të drejtën e tij për liri, për gjuhë e flamur.

Në vend të kremtes së 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, shqiptarët e Luginës së Preshevës, pothuajse çdo vit mbajnë protesta. Më anë të këtyre protestave ata kërkojë liri më shumë, për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, thekson se shteti serb mundohet që t`ua imponojë shqiptarëve një flamur që nuk iu përket aspak interesave dhe traditës kombëtare shqiptare.

“Megjithëse Serbia promovon vullnet politik kinse për t`i respektuar të drejtat e komuniteteve joserbe dhe në këtë rast komunitetit shqiptar, megjithatë ndalimi i përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar reflekton një antishqiptarizëm paraekselancë. Në anën tjetër, Serbia në emër të normave ndërkombëtare, përpiqet ta imponojë një flamur i cili është në shpërputhje me historinë dhe traditat e kombit shqiptar dhe aq më tepër kur kemi parasysh se ky simbol kombëtar është lejuar edhe në kohën e Titos, pavarësisht që ideologjitë politike ishin edhe më të ashpra. Në këtë kuptim Serbia dëshiron të imponojë simbolet që nuk janë në përputhje me interesat kombëtare dhe traditën kombëtare shqiptare, kjo është një shkelje e të gjitha të drejtave ndërkombëtare pavarësisht se bëhet dhe legjitimohet në emër të këtyre konventave ndërkombëtare”, thotë Belgëzim Kamberi, transmeton RTK.

Sipas Kamberit, shqiptarët nuk duhet ta pranojnë asnjë imponim që vije nga Serbia, e që për qëllim ka deformimin e simboleve kombëtare.

“Në këtë drejtim Serbia duhet të rishikojë çështjen e legalizimit të flamurit kombëtar shqiptar i cili është krejtësisht legjitim dhe aq më tepër që shqiptarët e ndjejnë atë si simbol të tyre kombëtar dhe ai ushqen ndjenjat e tyre shpirtërore”, shton më tej Kamberi.

Në anën tjetër deputeti në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, thekson se nga vitit 1968 deri në vitin 1990, është përdor lirshëm dhe në mënyrë institucionale simboli kombëtar. Mirëpo, rreth fillimit të vitit 1990 është ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Sipas tij, Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kishte paraqitur një variant për simbolin e tyre, që do të ishte flamuri kombëtar por me një dimension më ndryshe.

“Këshilli Nacional tentoi vitin e kaluar që ta paraqes një version për zgjidhje që dallimi te jetë në dimensionin e flamurit kombëtar dhe të mos jetë identik me atë që përdoret në shtetin amë. Mirëpo kjo nuk është pranuar dhe tashmë faktikisht pozicionet e shqiptarëve në Luginë janë betonuar. Subjektet politike shqiptare dalin me argumente se simboli kombëtar duhet të përdoret i pandryshuar edhe në Shqipëri edhe në Mal të Zi edhe pse në Mal të Zi ka disa iniciativa që në një mënyrë për ta marrë përvojën e Serbisë, mirëpo në këto momente edhe më i fortë është fati se serbet në Kosovë e përdorin flamurin e tyre pa e ndryshuar fare në çdo fshat të Kosovës”, thotë Riza Halimi.

Pavarësisht përpjekjeve dhe protestave të vazhdueshme të shqiptarëve, që përdorimi i simboleve kombëtare të lejohet me ligj, kërkesat e tyre nuk janë përfillur asnjëherë nga ana e Beogradit zyrtar. Belgëzim Kamberi thotë se as faktori ndërkombëtar nuk është treguar i gatshëm për të ndërhyrë në zgjidhjen e kësaj çështje.

“Në anën tjetër, gjithnjë kemi hasur në vesh të shurdhër nga autoritetet e Beogradit dhe ajo që është edhe më shqetësuese është se edhe vet faktori ndërkombëtar, për të mos i provokuar ndoshta ndjenjat e Serbisë, nuk bënë sa duhet kur i përket çështjes së simboleve kombëtare por faktikisht përpiqet që t`i inkurajojë shqiptarët për të zgjedhë një simbol të tyre të përafërt por të ndryshëm nga ai i Republikës së Shqipërisë. Mendoj se në këtë aspekt edhe faktori ndërkombëtar është në shpërputhje krejtësisht me historiografinë sociologjike dhe kombëtare të popullit shqiptar në përgjithësi”, thotë Belgëzim Kamberi.

Shteti serb e ka parasysh se popullata shqiptare në Luginë nuk e përkrah ndryshimin e simbolit kombëtar shqiptar. Ndërkohë, spektri politik shqiptar, gjendjet në një pozitë jo edhe aq të mirë për shkak të gjendjes ekzistuese atje. Në pamundësi për të vënë bazën e së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare, shqiptarët nga Lugina shpeshherë i janë drejtuar edhe autoriteteve zyrtare në Prishtinë e Tiranë. Por, Belgëzim Kamberi thekson si politikanët e Luginës duhet të bëjnë një presion më të madh tek autoritete në Kosovë e Serbi për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje.

“Unë mendoj se ata duhet më shumë të bëjnë dhe të veprojnë për ta imponuar faktikisht dhe për ta arsyetuar legjitimitetin e simbolit kombëtar shqiptar. Ndërkaq në anën tjetër duhet të bëjnë presion më të madh politik edhe në Prishtinën dhe Tiranën zyrtare për ta adresuar çështjen e përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar në spektrin politik ndërkombëtar dhe në institucionet ndërkombëtare”, shton Kamberi.

Përveç protestave gjithëpopullore që organizonin shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për çështjen e përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar, ata vazhdimisht në mënyrë të pandërprerë përpiqen ta promovojmë këtë shkelje flagrante të të drejtave kombëtare të shqiptarëve edhe në faktorin ndërkombëtar. Madje, nga autoritetet e larta kishte zëra se Kosova pranoi ndryshimin e simboleve kombëtare. Por, Belgëzim Kamberi, këtë nuk e quan ndryshim.

“Unë nuk do kisha thënë se Prishtina zyrtare e ka ndryshuar simbolin kombëtar shqiptar por e ka krijuar nj flamur shtetëror, mbase të cilin nuk e ka hartuar dhe projektuar mbase edhe vet Prishtina zyrtare sepse edhe ai flamur nuk është përcaktuar në mënyrë demokratike nga qytetarët e Kosovës. Por sido që të jetë ai është identitet shtetëror dhe nuk është simbol kombëtar. Nga ana tjetër ne këtu jetojmë në Serbi dhe simboli shtetëror dihet se është flamuri dhe simbolet tjera serbe. Por neve na mohohet simboli kombëtar, simboli i përkatësisë sonë kombëtare dhe kjo nuk mund të paralelizohet me Kosovën”, thotë Kamberi.

Por, si e kremtojnë sot këtë ditë shqiptarët e Luginës së Preshevës, kur pikërisht, në këtë ditë u ndalohet e drejta për të festuar më flamurin dhe simbole kombëtare shqiptare?

“Unë personalisht mendoj se ka më shumë arsye për të protestuar se sa për të festuar. Edhe pse ajo është festë kombëtare dhe duhet të kremtohet si festë por duke pasur parasysh se veçoria e shqiptarëve në Ballkan është me këtë rast çështje e Luginës së Preshevës meqë jemi të vetmit nga shqiptarët në rajon të cilëve ne na cenohet dhe ndalohet përdorimi i lirë i flamurit të kombit shqiptar. Do të ishte e logjikshme dhe e arsyeshme që kjo ditë të shënohet nëpërmjet formave të ndryshme të protestave, qofshin ato institucionale apo edhe jashtë institucionale”, shton më tej Belgëzim Kamberi.

Si degë të thyera nga trungu i lashtë shekullor, fatin e njëjtë të vëllezërve nga Presheva, e kanë edhe shqiptarët në Maqedoni. Menjëherë pas përfundimit të luftës çlirimtare në Luginën e Preshevës, filluan luftën e armatosur për t`i fituar me gjak të drejtat e tyre. Me dëshmorë e martirë, populli shqiptar në Maqedoni, fituan një gjysmë lirie, por jo edhe ato të drejta që u takojnë si populli më dominues në atë shtet, pas maqedonasve. Lidhur me këtë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik, thekson se populli shqiptar ka fituar vetëm disa të drejta, që ai i quan si “të drejta deklarative”.

“Se sa kemi të bëjmë me të drejtat e shqiptarëve mund të them se shqiptarët kanë një avancim të të drejtave të tyre, por avancim vetëm deklarativ. Avancim deklarativ për arsye se deklarohemi si shoqëri multietnike e demokratike por në fakt disa procese mund të them se janë retrograde me plotë kuptimin e fjalës. P.sh., në ditën e flamurit nuk ka asnjë iniciativë për të protestuar kundër ligjit që është sjellë në Parlamentin e Maqedonisë para dy vitesh, që flamuri shqiptar të jetë për një të tretën më i vogël se flamuri maqedonas. Ky është ligj dhe ky ligj ka filluar edhe të zbatohet por me një kujdes nga ana e pushtetarëve, p.sh., zbatohet në viset ku shqiptarët nuk janë shumicë absolute”, thotë Pollozhani.

Gjendja e arsimit në gjuhën shqipe është larg kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni. Shumica e teksteve për shkollat e mesme dhe ato fillore, janë të përkthyera nga gjuha maqedonase. Madje, pavarësisht thirrjeve nga ana e popullit shqiptar që shteti maqedonas t`i njeh të drejtat e shqiptarëve, një gjë e tillë nuk zbatohet në praktikë.

“Shqiptarët në tekstet shkollore që iu takojnë lëndëve të muzikës e të historisë, mësojnë 95 për qind historinë, autorët dhe muzikën maqedonase dhe kjo është një çështje kontestuese dhe unë mendoj që për shkak të drejtës që të përfaqësohemi në parlament dhe për shkak të drejtës që të mund të thërrasim bërtasim e të çirremi deri në kupë të qiellit, nuk ka ndonjë ndryshim të madh për arsye se edhe sot e kësaj dite, neve nëpër burgjet e Maqedonisë kemi mbi 35 të burgosur politik nën akuzën e atë ashtuquajturës terrorizëm. Këto ndoshta kanë praktikuar edhe dhunë ndaj aktiviteteve të veta por motivet e tyre kanë qenë politike dhe ne si shoqatë e të burgosurve politikë kërkojmë që këta të burgosur të trajtohen si të burgosur politik”, shton Pollozhani.

Shpëtim tij, e vetmja mundësi që populli shqiptar t`i gëzojë të drejtat e tij elementare, ato të drejta për të cilët edhe është sakrifikuar, është bashkimi i spektrit politik rreth një platforme të përbashkët.

“Është fatkeqësi e madhe që shqiptarët në Maqedoni nuk kanë një platformë të përbashkët politike. Le të veprojnë ato si parti politike por të jenë të bashkuar rreth një platforme. Kështu që kur opozita e sotme është në pozitë gjendjen e përshkruan si ideale. Dhe kur pozita e sotme është në opozitë ndodhë e kundërta. Pra, gjithnjë tek pushtetarët gjendja është ideale. E vetmja zgjidhje është veprimi rreth një platforme të përbashkët politike, por fatkeqësisht ajo platformë nuk ekziston edhe pse kemi dy akademi të shkencave por akademitë tona të shkencave nuk merren me këto çështje, si duket kanë çështje tjera prioritare. D.m.th., e vetmja zgjidhje është veprimi në bazë të një platforme kombëtare dhe madje partitë politike le të veprojnë sipas programeve të veta, por kjo platformë duhet të jetë udhërrëfyes. Alfa dhe Omega e të gjitha veprimeve”, thotë Shpëtim Pollozhani.

Incidentet ndëretnike në Maqedoni, vazhdojnë të jenë të pranishme. Dhunë është shprehur me rrahjen e nxënësve shqiptarë nga huliganët maqedonas dhe kjo dhunë ishte ushtruar nga maqedonasit disa herë me radhë. Menjëherë pas kësaj, shqiptarët kishin organizuar protesta por asnjëherë nuk ishin zbuluar aktorët e vërtetë. Shpëtim Pollozhani mendon se kjo gjithsesi është nën regjinë e shërbimeve sekrete të cilët janë nën kontrollin e pushtetit. Sipas tij, këto sulme bëhen gjithnjë në çastet kur Maqedonia duhet të marrë ndonjë datë qoftë për bisedime apo anëtarësim në ndonjë institucion ndërkombëtar, siç janë NATO dhe BE-ja.

“Pra, aq të sinkronizuara dhe të organizuara janë këto sulme sa që ne që merremi me analizat e sigurisë në Maqedoni mundemi që saktësisht të përcaktojmë se a do të ketë ndonjë incident ndëretnik apo nuk do të ketë. Kjo është bërë një praktikë e pushtetit për të tërhequr vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe opinionit të jashtëm për t`i dhënë benificione Maqedonisë se ja që Maqedonia është në prag të incidenteve ndëretnike, të konflikteve ndëretnike, luftës civile etj”, shton më tej Pollozhani.

E, kur flasim për të drejtat e shqiptarëve, të shpërndarë gjithandej nëpër shtetet e rajonit, hiç më mirë nuk qëndrojnë as ata në Mal të Zi. Përdorimi i simboleve kombëtare është i kufizuar për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në shtetin malazez. Publicisti nga Mali i Zi, Ismet Kallaba, thekson se as ligji aktual por as ai që pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin malazez, nuk e lejon përdorimin e lirë të simboleve kombëtare shqiptare.

“Me ligjin ekzistues i cili është në fuqi për përdorimin e simboleve nacionale, përdorimi i simboleve nacionale për shqiptarët ne Mal të Zi është mjaft i kufizuar. Megjithatë në shqyrtim publik është ligji i ri mbi zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike apo ekspozimin publik të simboleve nacionale të pakicave që në këtë rast hyjnë edhe shqiptarët i cili në një mënyrë e avancon përdorimin e flamurit dhe të simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Megjithatë duhet theksua se edhe projektligji i ri që pritet të miratohet së shpejti në Parlamentin e Malit të Zi, është një ligj i cili në një mënyrë përsëri nuk e lejon përdorimin e lirë të simboleve nacionale të shqiptarëve dhe të pakicave tjera. Aty parashikohet që një pakicë duhet të përbëjë ose duhet të marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm dhe është përcaktuar përqindja, prej 15 për qind në mënyrë që simbolet nacionale ose flamuri i asaj pakice të ketë të drejtë përdorimi në një territor të caktuar”, thotë Kallaba.

Duke hedhur kritika edhe mbi Draftligjin e ri, Kallaba, potencon se vetëm dy komuna në tërë Malin e Zi, mund ta përdorin lirshëm flamurin dhe simbolet kombëtare.

“Kjo i bie që sa i përket shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe konfigurimin e tyre dhe përqindjen e tyre në trevat ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, i bie që edhe me ligjin e ri shqiptarët të kenë përdorim të lirë vetëm në Ulqin dhe në Plavë por jo edhe në treva tjera ku shqiptarët nuk përbëjnë 15 për qind. Duhet të kemi parasysh edhe një gj tjetër sa i përket përdorimit të simboleve nacionale, edhe me ligjin ekzistues por edhe me aktual nuk është shumë problem përdorimi i simboleve privat pra në festa etj, sa është përdorimi i tij publik”, shton ai.

Mos lejimi i përdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare, ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullatës shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, injorimi dhe mos dhënia e të drejtës për komunën e Tuzit, arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, pastaj marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit si dhe konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit, janë vetëm disa nga diskriminimet që po u bëhen popullit shqiptar në Mal të Zi. Ndërkohë, shteti malazez nxjerr ligje që janë vetëm trashëgimi e ligjeve të vjetra, e që në thelb nuk përmban asnjë të drejtë për shqiptarët.

“Nëse kemi parasysh ligjin aktual që është në fuqi, ky ligj më tepër ka pamundësuar dhe ndaluar përdorimin e flamurit se sa e ka lejuar atë. Bile në shumë vende mund të thuhet se edhe tani që përdoret, pra konkretisht flamuri shqiptar, siç janë komuna e Ulqinit apo vende të tjera siç është komuna urbane Tuzit etj , de jure përdorimi i tij është joligjor edhe pse de fakto përdoret”, shton më tej Kallaba.

Në fund, mund të thuhet se për popullin shqiptar që jeton i ndarë në Luginë të Preshevës, Maqedoni e Mal të Zi, do të vazhdojë edhe më tutje një situatë e tillë. Shqiptarët në mënyrë sporadike do ta përdorin simbolin kombëtar, por pa të drejta të garantuara me ligj, ashtu siç i ka komuniteti pakicë serb në Kosovë.

Jahjaga: Kosova e përkushtuar për MSA

0

Jahjaga-JoostKortePresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga zëvendësdrejtori i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim dhe njëherësh Shefin Negociator të BE-së për MSA-në, Joost Korte.

Presidentja Jahjaga falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë për institucionet e Kosovës, në procesin e negociatave të MSA-së dhe në përgjithësi në përpjekjet për zbatimin e agjendës evropiane.

Jahjaga theksoi se rajoni ka bërë një përparim të konsiderueshëm në rrugën drejt BE-së dhe në promovimin e bashkëpunimit rajonal, me mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian.

Ajo theksoi se ky momentum duhet të mbahet dhe Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha reformat e nevojshme që ta përfundojë me sukses procesin e negociatave të MSA-së.

Zëvendësdrejtori i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Joost Korte, theksoi se Kosova në dy vitet e fundit ka shënuar përparime në rrugën evropiane. Ai vlerësoi se është i kënaqur me përparimin e arritur dhe efikasitetin e dy raundeve të deritanishme të negociatave të MSA-së.

Korte tha se Kosova duhet të vazhdojë të tregojë progres në reformat e përcaktuara në Studimin e Fizibilitetit të Komisionit Evropian.

Obama uron shqiptarët për 101 vjetorin e Pavarësisë

0

Obama2Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës (SHBA), Barack Obama ka uruar Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani me rastin e Festës së Pavarësisë.

“I dashur zoti President, si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta”, ka theksuar Obama.

”Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.”

”Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike”, theksohet në telegramin e presidentit amerikan.

“Pranoni, ju lutem, urimet më të mira të popullit amerikan në përvjetorin e Pavarësisë së vendit tuaj”, thuhet në mesazhin e presidentit Obama.

Ndërkohë, një mesazh urimi ka përcjellur edhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerrry.

“Shqipëria është një forcë qëndrueshmërie në Ballkanin Perëndimor dhe Shtetet e Bashkuara janë sidomos mirënjohës për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Ndihmës në Afganistan, si dhe për gatishmërinë për të sistemuar në mënyrë të përhershme ish-banorët e kampit Ashraf”, thuhet në deklaratën e sekretarit të Shtetit.

“SHBA – thotë sekretari Kerry – mbështesin popullin e Shqipërisë në përpjekjet për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe reformave ekonomike. Ato mirëpresin rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian”.

Mesazhe urimi kanë mbërritur edhe nga personalitete tjera botërore dhe shefa të shteteve dhe të qeverive të vendeve të ndryshme të botës.

Fushata mundë Ditën e Flamurit

0

flamuri kuq e ziRëndësinë e Festës së 28 nëntorit, kësaj radhe, e ka zbehur fakti që kjo festë ka qëlluar të jetë në kohën e fushatës zgjedhore. Institucionet tona dhe partitë politike, tashmë tërësisht janë të fokusuara kah fushata, duke e lënë pothuajse në harresë, një ditë kaq të rëndësishme për shqiptarët, 28 nëntorin.

Politikanët po vazhdojnë fushatat, sharjet e fyerjet mes tyre, duke injoruar, pothuajse, në tërësi këtë ditë të rëndësishme. Analistët thonë se, megjithëse, u injorua kjo festë, si pasojë e fushatës zgjedhore, ajo nuk u shfrytëzuar nga ta në këtë kohë, ku zakonisht nuk lënë festë e as meritë pa përdorur në favor të tyre.

Ardiani Arifi, analist politik, thotë për Kosovapress, se kësaj radhe, fokusi është tek zgjedhjet dhe jo tek festa e 28 nëntorit, e cila ka mbetur nën hijen e kësaj fushate. Ai, madje, thotë se vëmendjen nga kjo festë e ka tërhequr edhe gjuha fyese e kërcënuese, që po përdoret nga kandidatët që janë në garë për kryetar të komunave.

“ Megjithatë, këtë vit, për shkak të zgjedhjeve, sigurisht që fokusi është tek zgjedhjet. Ajo që po vërejmë është se gjuha në këtë fushatë prej një jave për këtë raundin e dytë është pak më e acaruar. Është një gjuhë të cilën po e përdorin garuesit në zgjedhje një gjuhë më e ashpër, me shumë fyerje dhe kjo sikur po e zhvendos tash vëmendjen nga çdo gjë tjetër, nga çdo zhvillim tjetër. Sigurisht që mund ta lë në hije edhe ndonjë festë sikurse festa e 28 nëntorit, sidomos kur e kemi parasysh se institucionet nuk janë të obliguara që ta festojnë“, tha ai.

Por, Arifi, pohon se kjo festë nuk ka mbetur tërësisht nën hije nga qytetarët, pasi që në rrugët e kryeqytetit, tashmë, po shihen të vendosur disa flamuj dhe se, edhe pse nuk festohet në mënyrë institucionale, qytetarët vazhdojnë ta festojnë.

Ndërsa, JusufBuxhovi, historian, thotë se 28 nëntori është një ditë e veçantë për gjithë shqiptarët dhe se kjo datë shqiptarët i sjellë para përgjegjësive të mëdha. Megjithatë, thotë se kjo ditë kaq e rëndësishme për shqiptarët andej e këtej kufirit, nuk është dashur të mbetet nën hijen e zgjedhjeve, të cilat nuk janë dhe aq të rëndësishme.

“Ky 28 nëntor, veçmas në Kosovë, ka rënë nën hijen e zgjedhjeve lokale, nën hijen e zgjedhjeve, të cilat për ka rëndësia nuk duken gjithaq të theksume, por për kah përshtypjet që po i lënë ato po tregojnë se, megjithatë, nuk jemi në nivel të një përgjegjësie, as historike dhe as civilizuese. Kujtoj se në këtë drejtim, bota shqiptare, por në përgjithësi edhe Kosova, ka shumë për të bërë. Neve na duhet që në përgjithësi këto të arritura, sepse krijimi i shtetit të Kosovës, janë të arritura shqiptare, këto të arritura shumë të mëdha t’i përcjellim me mesazhe civilizuese, t’i përcjellim me përmbajtje ku qytetaria, parlamentarizmi dhe liria do të kthehen në një vlerë të përgjithshme. Ku ndërtimi i shtetit ligjit dhe vlerat civilizuese të jenë preokupim dhe jo shteti të shfrytëzohet për të krijuar përfitime të caktuara, siç po ndodh, për fat të keq, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, thotë Buxhovi për Kosovapress.

Buxhovi, më tej, thotë se as Kosova dhe as Shqipëria, në një ditë historike, siç është 28 nëntori, nuk kanë me se të lëvdohen për punën e bërë. Ai, madje, thotë se zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri, nuk dhanë një imazh të qartë për një përkatësi evropiane.

“Unë them se shteti shqiptar, por në përgjithësi edhe Kosova, tash në këtë 28 nëntor, nuk kanë me çka të lëvdohen gjithaq, sa i përket rrjedhave shoqërore dhe politike në përgjithësi. Sepse, pas shtetit shqiptar – Shqipërisë, as Kosova nuk ka arrit të kryej tranzicionin dhe demokratizimin e shoqërisë. Kujtoj se zgjedhjet në Kosovë dhe zgjedhjet e kalume në Shqipëri, në njëfarë mënyre, dhanë imazhin jo gjithaq të qartë, për një përkatësi evropiane. Kur them kështu, kam parasysh deficitet e mëdha në jetën shoqërore, në demokratizimin dhe pluralizmin, i cili, siç po shihet, po shfrytëzohet më shumë që elita politike t’i realizojë interesat e tyre, sesa ta shohim interesin e përgjithshëm të botës shqiptare që t’i bashkëngjitet civilizimit evropian”, ka pohuar Buxhovi.

Derisa partitë politike kanë vazhduar fushatën e tyre, institucionet nuk duket se kanë qenë të preokupuara dhe aq me festen e 28 nëntorit. Komuna e Prishtinës, tashmë, ka një agjendë me aktivitete, të cilat janë organizuar për nder të 28 nëntorit. Ndërsa, Qeveria e Kosovës, ende nuk ka një agjendë të qartë se si do ta shënojnë këtë ditë, përveçse paralajmëruan se kjo ditë mund të jetë ditë pushimi./KosovaPress/

Festohet 28 Nëntori

0

plisiShqiptarët në të gjitha trevat ku jetojnë sot festojnë 28 Nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë publike të pjesëtarëve të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Me rastin e këtyre datave të shënuara të historisë sonë anekënd ku jetojnë shqiptarët do të organizohen manifestime të shumta.

Për këtë ditë përfaqësues të ndryshëm të Institucioneve të Kosovës do të bëjnë homazhe në Prekaz dhe pranë varrezave të dëshmorëve në gjithë territorin e Kosovës. Ndërkohë, Komunat në Kosovë shënojnë këtë ditë me një varg aktivitetesh kulturore.

28 nëntori shënohet si Dita e Falënderimeve dhe zyrtarisht nuk është shpallur si ditë pushimi.

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe të opozitës kanë kërkuar që 28 Nëntori, Dita e Flamurit kombëtar, të futet si festë zyrtare. Ata kanë vlerësuar se është e padrejtë që kjo datë të mos jetë festë zyrtare në Kosovë përderisa, sipas tyre, festohet nga të gjithë shqiptarët.

Deputeti i PDK-së, Behar Selimi, ka thënë për “Epokën e re” se zyrtarizimi i 28 Nëntorit mund të bëhet më pak vullnet politik. Madje ai ka shtuar se një gjë e tillë është dashur të bëhet edhe më herët. “Besoj se më pak vullnet politik nuk do ta kishim shqetësuar askënd. Kjo është një festë kombëtare e shqiptarëve kudo që janë. Pra, është e pakuptimtë që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare në Kosovë. Do të insistojmë që kjo të ndodh”, ka thënë Selimi.

Edhe për deputeten AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është e padrejtë që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare. “Sa i përket 28 Nëntorit mendoj se kjo është festë e cila duhet të zyrtarizohet”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Po ashtu, edhe akademiku Mehmet Kraja ka folur për rëndësinë e kësaj feste për kosovarët, duke e vlerësuar si manifestim identitar, dhe njëkohësisht si refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin.

Sipas tij, mos zyrtarizimi i kësaj feste nga ana e Kuvendit të Kosovës nuk e pengon popullin që të mos e konsiderojë këtë festë si të më të rëndësishmen kombëtare.

“E bënë apo nuk e bënë zyrtare, Kosova ka kohë që e konsideron 28 Nëntorin festën më të rëndësishme kombëtare. Në këtë pikë një vendim i Kuvendit të Kosovë nuk do të ndryshonte gjë, vetëm se me zyrtarizimin formal të kësaj feste Kuvendi i Kosovës do ta nderonte veten. Njerëzit në Kosovë, me ose pa vendim të Kuvendit të Kosovës, do ta festojnë 28 Nëntorin, ata ndihen emocionalisht të lidhur me të, jo vetëm pse kjo festë ka një traditë në Kosovë, ka edhe domethënien, ka simbolikën, por më shumë për faktin se për kosovarin 28 Nëntori është manifestim identitar, njëkohësisht është edhe refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin. Kosova ka dhe do të ketë edhe festat e saj shtetërore, por ato asnjëherë nuk do të bien në kolizion me festën kombëtare të 28 Nëntorit, kjo nuk është kundërshti e brendshme, është më shumë një unitet i natyrshëm dhe harmonik i proceseve historike dhe politike, të zhvilluara në mënyrë jotipike”, ka thënë Kraja në një intervistë për “KultPlus”.

Udhëheqësit e institucioneve dhe liderët e partive urojnë për 28 Nëntorin

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike kanë përcjell mesazhe urimi për festën e 28 Nëntorit, Ditën e flamurit kombëtar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në mesazhin e saj, drejtuar presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, ka shprehur urimet më të përzemërta, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, iu është drejtuar me një mesazh të gjithë shqiptarëve.

“Sot shqiptarët përulen me nderim të madh përpara Flamurit, Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit, me bindjen e madhe se edhe më të vullnetshëm do ecim drejt progresit të gjithëmbarshëm, unitetit kombëtar dhe integrimeve euroatlantike. Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Kosovës ju uroj të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë: Gëzuar 101-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari”, është theksuar në mesazhin e Krasniqit.

Ai gjithashtu ka uruar homologun e tij, Ilir Meta, me rastin 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Është vlerë që duhet të ruhet dhe kultivohet në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do vijnë”, është thënë në mesazhin e Thaçit, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se në këtë përvjetor Shqipëria gjendet shumë më e konsoliduar si shtet me frymën e re të rilindjes, e anëtarësuar në NATO, me liberalizim të vizave dhe një prej vendeve që po kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane”, ka thënë Thaçi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ua ka uruar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit kombëtar dhe të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Flamuri i Kosovës nën hijen e flamurit kombëtar

0

FLAMURI KUQE E ZI DHE I KOSOVESSimbolet e Kosovës – pëlqimi apo kundërshtimi i tyre edhe 5 vjet pas pavarësisë, vazhdojnë të jenë çështje të diskutimeve të ndryshme.
Flamuri kombëtar me shqiponjë, ngjyra kuq e zi dhe ai i Kosovës, i kaltër, me hartën në mes dhe 6 yjet që simbolizojnë të gjitha komunitetet në vend, nga qytetarët trajtohen në mënyra të ndryshme.

Disa nga qytetarët thotë se janë shumë të lidhur me flamurin kombëtar dhe nuk mund ta krahasojnë me flamurin e Kosovës.
Besa Shala, studente e Fakulteti Filozofit të Prishtinës, thotë se edhe pse Kosova ka simbolet e veta shtetërore, flamurin kombëtar e kanë gjithmonë më afër.
“Se cilin e dua më fort, nuk mund ta them këtë apo atë, por ndjenjë më të madhe kam për flamurin kombëtar kuq e zi. Natyrisht, që edhe flamuri i Kosovës ka një simbolikë më vete, megjithatë ajo atdhetaria jonë dhe patriotizmi ynë edhe për cdo gjë që kemi kaluar gjatë viteve, kemi pasur përballë flamurin kombëtar. Kështu që flamuri kuq e zi ka qenë kudo ku kemi qenë dhe ne”, thotë Besa.

Kurse, Valmira Sahatçiu qytetare nga Gjakova, e cila kishte ardhure në Prishtinë për të festuar 28 Nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, thotë se i do të dy flamujt – edhe të Shqipërisë ,edhe të Kosovës.

“Unë i dua të dy flamujt, meqë me atë kombëtar jemi të lidhur prej me shumë se 100 vjet. Po edhe flamurin tonë të Kosovës e dua meqë ai e simbolizon shtetin tonë. Po, gjithsesi dihet, ndryshe është lidhja emocionale me flamurin kombëtar”, thekson Valmira.

Nga ana tjetër, sociologët thonë se simbolet shqiptare nuk shprehin vetëm një refleksion politik të organizimit shtetëror, por aty ka traditë, histori, emocion, ndalesa dhe mallëngjime.

Të gjitha këto sipas sociologut Anton Berisha, profesor në Universitetin e Prishtinës, krijojnë një lidhje me atë simbol që është vështirë të distancohesh nga ai.

“Për fat të keq, flamuri i Kosovës këtu u pranua si një simbol, i cili po hyn në mes të lidhjes që kemi ne tradicionalisht me flamurin kombëtar edhe tash u krijua një opinion ,nuk e di as unë pse, që nëse merret (pranohet një flamur tjetër), gjithsesi po ia kthejmë shpinën flamurit kombëtar”.

“Po më duket që në ketë aspekt po na duhet kohë, koha që njerëzit ta shohin që kemi të bëjmë me një flamur me një simbol shtetëror, normalisht tash ky është simbol kombëtar që na bashkon gjithë shqiptarëve. Në anën tjetër, kemi flamurin e Kosovës, i cili është flamuri i shtetit”, shpjegon profesor Berisha.
Sociologu Berisha thotë për Radion Evropa e Lirë se me kalimin e kohë edhe flamuri i Kosovës do të zërë vendin që i takon.

“Anëtarësimi i Kosovës në OKB, hyrja në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar edhe sa më shpesh ta shohim që ai në të vërtetë është simbol i shtetësisë sonë, atëherë edhe qëndrimi i popullatës ndaj atij flamuri do të ndryshojë”.
“Përndryshe, tani ne vetëm në takime të elitës politike nganjëherë e shohim. Ende nuk e ka atë forcën magjike, atë fuqinë që me këtë flamur ne po mund të bëjmë gjëra të mëdha. Me këtë nuk dua të them se tani mungon në masë të madhe sa ne ta përbuzim, por ende ky simbol nuk ka garantuar ose nuk ka sjellë atë që ne kemi pritur”, vlerëson Berisha.

Ndërkaq, historiani Sabit Syla, i cili është edhe ushtrues detyre i drejtorit të Institutit të Historisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se flamuri kuq e zi është simbol i pazëvendësueshëm kombëtar.

“Pa marrë parasysh vendosjen e kufijve të rinj që janë vendosur (flamuri kombëtar) është i pazëvendësueshëm. Në veçanti, për pjesën e ndarë të popullit shqiptar, flamuri ka qenë dhe ka mbetur simbol që i ka paraprirë vazhdimit të luftës për çlirim nga pushtuesi. Me gjithat, mendojmë që me kalimin e kohës, edhe flamuri i Kosovës do ta gjejë vendin e vet që i takon”, konsideron Syla, duke shtuar se flamuri kombëtar, për gjeneratat e tanishme është i ngulitur thellë në ndërgjegjen e cilido shqiptar.

Në shkurt të vitin 2008, kur është shpallur pavarësia e Kosovës, Kuvendi dhe institucionet tjera për flamurin, stemën dhe himnin e Kosovës, qenë pajtuar që të mos jenë një-etnike, por më shumë të përmbajnë karakterin e simboleve që tregojnë orientimin e Kosovës si shtet pro-integrimeve euro-atlantike. /REL/

Latifi merr përkrahjen e studentëve rahovecianë në Prishtinë

0

Latifi me studentKryetari aktual i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili po garon për një mandat të dytë për ta drejtuar këtë komunë, sot në mbrëmje ka takuar studentët rahovecianë.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës, Smajl Latifi në vlugun e fushatës zgjedhore, ka lënë për pak kohë Rahovecin dhe ka dalë në Prishtinë, ku është pritur nga rreth 300 studentë, të cilët kanë dëgjuar dhe bashkëbiseduar për planin e kandidatit të AAK-së, për zhvillimin e komunës në katër vitet e ardhshme.

Latifi u ka premtuar atyre, se rinia, edhe në mandatin e ardhshëm do të ketë vend të merituar në qeverisjen e tij. Ai u ka rikujtuar atyre, se në mandatin që po përfundon, kabinetin e tij qeverisës e ka pasur të përbërë kryesisht nga të rinj, energjia e të cilëve, është dëshmuar edhe punë,transmeton telegrafi.

Formë tjetër të punësimit të të rinjve, Latifi ka premtuar edhe përmes sektorit privat dhe investimeve të huaja që do të rrisin mundësinë e vendeve të reja të punës në këtë komunë, me resurse të mëdha, sidomos në sektorin e bujqësisë.

Marrëveshja historike në mes G 5+1 dhe Iranit

0

Faik MiftariFaik MIFTARI

Ditë më parë, saktësisht me 24 nëntor 2013, u arrit marrëveshja pas katër ditë bisedimesh intensive në Gjenevë në mes G 5+1 dhe Iranit, lidhur me programin nuklear të Iranit. Kjo marrëveshje a arritur do të hap një perspektivë dhe qasje të re politike, pikësëpari në Lindjen e Mesme, pasi që tani mund të thuhet se më lirish do të frymohet dhe se në horizont janë shenjat e para drejt krijimit të një stabilitet më të qëndrueshëm politik në Lindjen e Afërt.

Bisedimet me mjeshtëri i ka udhëhequr dhe balancuar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri znj. Ketrin Ashton, dhe se kjo marrëveshje e arritur nuk është vetëm në mes grupit 5+1 (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës) dhe Iranit, por njëkohësisht edhe të Bashkimit Evropian, pasi që znj. Ketrin Ashton përfaqëson 28 shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Diplomacia shpesh herë mund të arrijë suksese të duhura, kur ekziston vullneti dyanshëm i palëve bashkëbiseduese për arritjen e një marrëveshjeje. Por këtu rol të pazëvendësueshëm e ka faktori njeri apo udhëheqësi kryesor politik shtetëror. Me ardhjen në pushtet të presidentit të ri iranian z. Hasan Ruhani, i cili llogaritet si politikan i matur dhe pragmatik, me një qasje të re politike, i cili i ka hapur rrugën bisedimeve politike për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, përkundër presidentit të mëparshëm të Iranit z. Mahmud Ahmednexhadit, i cili njihej si politikan radikal dhe me përdorim të gjuhës së ashpër politike, i cili prodhoi konfrontime dhe keqkuptime me pasoja të rënda politike.

Këtë që e thash, bazona edhe në fjalët e ish zyrtarit të lartë nga administrata amerikane të kohës së ish presidentit Klinton, Xhejms Rubin, i cili ishte para ca ditësh në një vizitë në Kosovë , dhe në një intervistë të tij përveç tjerash ka thënë ” se për intervenimin humanitar ka qenë me të vërtet e rëndësishme pozicionimi dhe angazhimi i pamasë i ish presidentit amerikan Klinton për luftën në Kosovë, por nuk duhet harruar edhe faktin se në atë kohë ka qenë në pushtet në Rusi presidenti Jelcin, e jo Putin, në bazë të cilit edhe u mundësua intervenimi humanitar në Kosovë në vitin 1999”. Kjo thënie e Rubinit është plotësisht me vend, se shumë me rëndësi është se cili lidership politik aktual gjendet në krye të një shteti, në kohën e duhur dhe në çastin e duhur, dhe se kjo u vërtetua më së miri tani në rastin e Sirisë, kur administrata amerikane ishte e gatshme të veprojë dhe të ndërmerr sulmin në Siri kundër regjimit të Bashar Asadit, por pas takimit që pati kokë më kokë me presidentin rus Putin, presidenti Obama u zmbraps dhe u tërhoq, duke u pajtuar për një kompromis të dyanshëm në mes tyre për eliminimin e armëve kimike të regjimit të Bashar Asadit. Por se çka me të vërtet ka ndodhur, dhe për çka janë marrë vesh në këtë takim, ndoshta do të dihej pas 50 vitesh, kur do të hapen arkivat pjesërisht apo plotësisht dhe në dritë të del vërteta e këtij takimi, për çfarë ishin pajtuar dy presidentët, Obama dhe Putin, për të zgjidh konfliktin në Siri me rrugë politike, e jo ushtarake.

Faktorët që kanë ndikuar apo edhe përshpejtuar arritjen e kësaj marrëveshjeje historike, janë të shumta, por do të cek vetëm disa nga më kryesorët në të dy anët, apo lojtarët kyç të bisedimeve në Gjenevë. Nga ana e Iranit janë tre faktorët që kanë ndikuar që të hyjë në bisedime për të arritur marrëveshjen historike për programin e tij nuklear të pasurimit të uraniumit.
I pari, lideri shpirtëror i Iranit Ajatullah Hamnei, i cili në çështjet më kapitale shtetërore e jep fjalën e fundit, para ca kohësh e dha fetvan (dekretin fetar) lidhur me bombën nukleare, duke thënë se këtë Irani nuk do të posedojë, pasi që është në kundërshtim të plotë me parimet fetare, dhe se një armë e tillë është shkatërruese dhe me pasoja katastrofale, që nuk kursen njeriun e gjallë, qofshin pleq apo të rrinjë, gra apo burra, djem apo vajza.

I dyti, gjendja e vrasjes sektare ndërmjet myslimanëve në botën Islame, në mes sunitëve dhe shiitëve, që është në kulminacion në Botën Islame, duke u nisur që nga Pakistani, Jemeni, Libani, Bahrejni, Iraku dhe Siria, si rrjedhojë pikësëpari e mosdijes, mosnjohjes, keqinterpretimit, mungesës së logjikimit racional, si dhe pasimit të udhëheqësve politik e fetar mendjelehtë.
I treti, kryesori, Irani plot 10 vite është nën sanksionet të ndryshme, të cilat me vite, janë shtuar, që si rrjedhojë ka ndikuar në zvogëlimin e standardit jetësor dhe në izolimin e tij nga të gjitha anët, si pasojë e së cilës eksporti i tij vjetor nga 120 miliard dollar ka rënë në 60 miliard dollar, pikësëpari nga mundësia e vështirësimit dhe zvogëlimit në një masë të duhur të eksportit të naftës dhe gasit. Në botën e tanishme në kuadër të zhvillimeve të hovshme ekonomike, është e pamundshme që mund të ekzistojë një shtet sado i fortë që të jetë, nëse atij iu pamundësohet qarkullimi i lirë i zhvillimit të tij, plasimit të mallrave, shkëmbimit tregtar, shkencor, mjekësor, humanitar, etj.
Nga ana e SHBA-së njashtu do të cek tre faktorë që kanë mundësuar dhe përshpejtuar arritjen e kësaj marrëveshjeje historike në mes G 5+1 dhe Iranit. I pari, SHBA-ja mbi 10 vjet është duke u ballafaquar në luftëra dhe konflikte të ndryshme, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, sikurse që ishte në Irak, akoma në Afganistan, herë pas here në Pakistan, Jemen, Somali, Libi dhe së fundi në Siri, dhe për një superfuqi globale siç është SHBA-ja është e tepërt dhe e pakapërcyeshme, si rrjedhojë e së cilës gjatë këtij viti hyri në krizën buxhetore më të madhe që nga ekzistimi i saj . I dyti, rritja e fuqisë ekonomike, politike, ushtarake dita më ditë e Rusisë dhe Kinës, që në rastin e Sirisë u dëshmua konkretisht, dhe mund të themi që SHBA-ja tani e tutje nuk është e vetmja fuqi globale uni polare, por tani e tutje kemi edhe shtete tjera, si Rusia dhe Kina, si akter të rinjë global tripolar. I treti, përpjekjet dhe interesat e korporatave të mëdha energjetike(të naftës dhe gasit), të cilët gërshetohen në mes vete në mes interesave dhe sferave të ndryshme botërore, e bënë që eventualisht ndonjë sulm i Izraelit mbi Iranin, do të kishte futur medoemos edhe SHBA-në në luftë, si pasojë e së cilës do të mund të shpërthente dhe Lufta e Tretë Botërore, pasi që Irani 80% të eksportit të naftës dhe gasit e eksporton në Azi, sidomos në Kinë, Japoni, Kore, Indi, Indonezi, Malajzi, Pakistan , dhe vetëm 20% në Evropë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë , për të cilin gjë Kina me kohë e ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që të cenohen interesat e saja të furnizimit me karburante nga Irani, për të cilin edhe ish këshilltari njohur amerikan Zbignjev Bzhezhinski qysh moti ka paralajmëruar rrezikun nga Kina si një fuqi e re me një trend jashtëzakonisht në rritje në të gjitha sferat e saja.

Marrëveshjen e ashtu quajtur historike të arritur e kanë përshëndetur dhe përkrahur të gjitha qendrat më të fuqishme botërore me ndikim, sikurse shtetet dhe organizatat me renome ndërkombëtare, përveç Izraelit dhe Arabisë Saudite, aleatët më të mëdhenj të SHBA-ve, edhe pse kjo marrëveshje pikësëpari është në dobi të tyre, pasi që në rast se gjer tani ka ekzistuar ndonjë kërcënim eventual nga Irani për Izraelin dhe Arabinë nga prodhimi i armatimit nuklear, tani e tutje kjo i është pamundësuar, pasi që Irani me marrëveshje është zotuar se do të pasurojë uraniumin në masë prej 5% që mund të përdoret vetëm për qëllime civile, humanitare, mjekësore, energjetike, dhe assesi nuk mund të përdoret për armë nukleare.

Në fund shpresoj që tani e tutje, të mbizotërojë një klimë më relaksuese politike në Lindjen e Mesme, dhe që besoj që do shkojë në atë drejtim, pasi që tani India shprehu gatishmërinë që të nisi të paguaj borxhin prej 5 miliard dollar Iranit për naftën e importuar gjer tani, por e papaguar për shkak të pa mundësisë së transfereve bankare, ndërsa gjiganti automobilistik i prodhimit të veturave franceze Peugeot, ka paralajmëruar eksportin e veturave drejt Iranit( Irani njihet si importues më i madh i veturave franceze). Këto që i ceka janë vetëm dy shembuj në këto dy ditë e para pas arritjes së marrëveshjes, e që tani e tutje do të pasojnë më shumë shembujt konkret të bashkëpunimit në të gjitha fushat ekonomike, teknologjike, tregtare, industriale, mjekësore, humanitare e kështu me rrallë.

 

 

Nesër, nis festivali i filmit në New York

0

Albanian Young Filmmakers FestivalKëtë fundjavë organizohet Festivali tre ditor, me iniciativë nga regjizori Bujar Alimani, mbështetur nga Producers Club Theatres (Alfred dhe Ernest Tollja). Festivali ka përzgjedhje 19 filma me metrazh të shkurtër, artistikë dhe dokumentarë nga Shqipëria dhe Kosova. Festivali fillon të premten me 29 nëntor deri të dielën 1 dhjetor 2013 nga 6-8 mbasdite, tek “Producers Club Theatres” në New York. Filmat janë përzgjedhje nga grupi selektorësh me artistë shqiptarë si: Dhimitër Ismailaj, Luan Bexheti, Roland Uruci, Anisa Dema, Lola Luma , Gentjan Basha, Alfred Tollja, Entela Barci dhe Bujar Alimani, të cilët përzgjodhën nga 50 filma.

“Qëllimi është totalisht jokomercial dhe synon në destinacionin e vetëm patriotik, human dhe civil, të përcjelljes së asaj që krijohet si rijesi në mendjet dhe zemrat e kineastëve më të rinj shqiptarë. Për shkak të rrethanave nuk i kalon shpesh kufijtë e vendeve tona dhe sjelljes së kësaj fryme, të transmetimit të formës artistike dhe shqetësime të tyre për botën që i rrethon në Kreyqytetin që ëndërrojmë të gjithë, vendit të industrisë më moderne të filmit dhe metropolit të botës moderne – New Yorku”, tha organizori i festivalit Bujar Alimani, transmeton Illyriapress

Filmat konkurues do akordohen me 4 cmime: “The Best Short”, “The Best Director,” “The Best Script” dhe “The Public Award”. Juria përbëhet nga regjizorja Arta Kallaba, Ermira Babamusta (themeluese e Peace Action Foundation) dhe publicistja Violeta Mirakaj.

Programi:
Fillon në orën 6:00 mbasdite Premte-Dielë, këtë fundjavë tek “Producers Club Theatres”, New York.

E premte 29 Nentor 2013 (Producers Club Theatres 6:00-8:00pm)
JETE E PASQYRUAR / regjia GENTJAN KURTI
DITLINDJA / regjia ANXHELA KUMANAKU
BORES/ regjia FRANC PRISKA
VDEKJA E GJYSH TRIFONIT/ regjia XHOSLIN RAMA
HESHTJA / regjia BEKIM GURI THE REPORT / regjia ALBA STEFA

E shtune 30 Nentor 2013 (Producers Club Theatres 6:00-8:00pm)
THE DIRECTOR / regjia SUELA BAKO
RICIKLIM/ regjia FATJON XHIKA
SHPRESA /regjia VALON JAKUPAJ
E MBYLLUR THELLE /regjia LAURA BUNA
4 th FLOOR ROCK / regjia ENXHI RISTA
KTHESA / regjia DOELA REXHEPI JETE E RICIKLUESHME /regjia BLERINA GOCE

E diele 1 Dhjetor (Producers Club Theatres 6:00-8:00pm)
ACROPOLIS /regjia BLERDI MALUSHI
LAMENT LUFTES / regjia ALBIN XHARA
SPACE. regjia YLLKA GJOLLESHA
THE BOOK /regjia ELTON BAXHAKU-ERJONA CAMI
WEEKEND /regjia ERGYS LUBONJA
SANTA CLAUS / regjia BLERTA KELMENDI

Daçiq: Me rëndësi është që zgjedhjet të kalojnë të qeta

0

Dacic-mitroviceKryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka rekomanduar në një prononcim për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS), në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, se më e rëndësishme është që ato zgjedhje të kalojnë të qeta, sepse nga çdo skenarë tjetër dëmin do ta pësonin edhe serbët në Kosovë edhe vet Serbia e cila do t’i paguante pasojat e veprimit të papërgjegjshëm.

Kryeministri serb edhe njëherë ka ripërsëritur, si edhe të gjithë zyrtarët tjerë të Beogradit, “se do të ishte mirë të fitojnë ata qëndrimet e të cilëve janë në kurisn e qëndrimeve të Qeverisë së Serbisë, në mënyrë që të mos kemi pengesa në lidhje, dhe në planifikimin e politikës së përbashkët”.

Pas zgjedhjeve, ka thënë kryeministri serb, më përpara do të pasojë jetësimi i marrëveshjes në fushën e policisë dhe gjyqësisë, pastaj hartimi i statusit të Bashkësisë së komunave serbe (BKS), dhe më pas do të përcaktohen edhe të gjitha detajet mbi funksionimin e saj. Ai edhe njëherë u ka rekomanduar bashkëkombësve në Kosovë se Serbia nuk ka humbur asgjë me Marrëveshjen e Brukselit me Prishtinën, kurse serbët që jetojnë atje kanë fituar mundësinë të formojnë BKS.

”Do të ia dal vetëm ai që zhvillon politikë reale e jo ai i cili i nis betejat dhe nuk mund t’i fitojë, dhe unë këtë e di më së miri sepse situata të tilla kam pa shumë herë në jetë”, ka thënë Daçiq duke cekur se ndaj aventurizmit të tillë mund të jetë i prirë individi, por rrezikut të tillë nuk guxon t’i ekspozohet i tërë populli.

Pyetjes nëse pret se Kosova do të apostrofohet në të gjitha 35 kaptinat në negociatat me BE, Daçiq i është përgjigjur se një gjë të tillë nuk e pret. “Kjo është e pamundshme sepse atëherë as nuk do të duhej të ekzistojë korniza negociatore, veç çdo kund do të shkruante vetëm Kosovë. Më duket se BE ka edhe disa vlera tjera”, ka nënvizuar Daçiq, transmeton RTK.