11.7 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 8898

Nesër ditë pushimi për nëpunësit civil

0

Dita flamurit-28 nentoriNdonëse 28 nëntori nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës, nesër të gjithë nëpunësit civil do të kenë ditë pushimi.

Kështu ka vendosur Ministria e Administratës Publike. “Për nder të 28 Nëntorit –Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, nesër, më 28 .11.2013, për nëpunësit civilë do të jetë ditë pushimi”, thuhet në njoftimin e MAP-së, nënshkruar nga Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm.

Moti vështirëson qarkullimin

0

Kosove-boraaTemperaturat e ulëta dhe reshjet e borës ditëve të fundit në Kosovë, kanë vështirësuar qarkullimin e trafikut në disa akse rrugore, njoftojnë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, e bllokuar për qarkullim, mbetet rruga Pejë-Kullë për mjetet e rënda transportuese, ndërsa automjetet e vogla mund të qarkullojnë vetëm me pajisje dimërore, njofton Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

“Aksi rrugor Pejë- Rozhajë, në drejtim të pikëkalimit kufitar në Kullë, është e bllokuar për autobusë dhe mjete të rënda, ndërkaq është e qarkullueshme për vetura të vogla me pajisje dimërore. Por, kjo vjen edhe si shkak i pjesës së Malit të Zi dhe jo vetëm e pjesës së Kosovës. Rrugët e tjera janë të kalueshme, ka disa vështirësi në disa akse rrugore, mirëpo në përgjithësi janë të kalueshme”, bën të ditur Sadriu, transmeton REL

Si pasojë e reshjeve të borës, thotë zëdhënësi Sadriu, janë raportuar disa aksidente në trafik.

“Nuk është vërejtur ndonjë numër i madh i rritjes së aksidenteve, mirëpo janë raportuar aksidente gjatë natës së kaluar, edhe si pasojë e të reshurave. Rrugët, kur ka ngrica dhe shtresa të borës, kanë vështirësitë e veta gjatë vozitjes edhe mundësitë e frenimit janë më të vogla sesa në rastet kur kemi një rrugë të terur”, shton Sadriu.

Ndryshe, sipas parashikimeve të motit, edhe në ditët në vijim temperaturat do të jenë të ulëta.

Në anën tjetër, zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, i njohur me shkurtesën KEDS, sigurojnë qytetarët se gjatë periudhës së dimrit furnizimi me energji elektrike do të jetë i mjaftueshëm.

Në një përgjigje, përmes postës elektronike, Guri Shkodra, nga kjo kompani, thotë se KEDS-i planifikon të importojë energji elektrike në sasi të nevojshme për mbulim të kërkesës së konsumatorëve .

KEDS, thuhet në përgjigje, nuk planifikon të ketë mungesë të energjisë elektrike, por të tilla mund të ndodhin në raste kur në mënyrë të pa-planifikuar njësitë gjeneruese në Korporatën Energjetike të Kosovës ndalojnë së prodhuari energji elektrike.

Mbi 100 anëtarë të rinj aderojnë në PDK të Prizrenit

0

KOSOVO-VOTENë radhët e PDk-së, sot janë renditur mbi 100-të anëtarë të rinj në mes tyre, mjekë doktor shkencash dhe dhjeta studentë. “Aderimet në PDK janë dëshmi reale e konceptit politikë që mbron interesat e qytetarëve dhe integrimi individual i njerëzve në Partinë Demokratike të Kosovës, partinë e vlerave dhe ku mund të ndërtojnë besim publik për veten e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi”, tha nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj.

“Ne jemi të nderuar sot, me këtë aderim kualitativë dhe kjo për ne strukturat e PDK-së, është garanci e sigurt për fitoren politike dhe qytetare të Komunës së Prizrenit”, tha kandidati për kryetarë të Prizrenit, Ramadan Muja,transmeton rtk.

Enver Hoxhaj theksoi se Ramdan Muja, kryetari aktual dhe njëherësh kandidat për kryetar komune, është përfaqësuesi më dinjitoz i interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, i cili nuk din të humb asnjëherë por dinë që ti rendit fitoret radhazi.

Prizren, paraburgim për tre persona që frikësuan dëshmitarin

0

qekiqi gjykatMe kërkesë të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Themelore, Gjykata Themelore në Prizren ka urdhëruar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për tre personat e arrestuar për frikësim të dëshmitarit.

Të hënën, më 25 nëntor 2013, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë arrestuar tre qytetarë të Kosovës të dyshuar për frikësimin e një dëshmitari gjatë procedurës penale dhe pengimin e të provuarit, që përbënë shkelje nga nenet 395 dhe 394 të Kodit Penal të Kosovës,shkruan Tribuna.
Dyshimi se personat e arrestuar i kanë kryer këto krime është ngritur nga një hetim që është duke u zhvilluar, ku më 7 nëntor 2013 qe arrestuar ish kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës.

Kryeziu dhe Berisha: Kandidimi i Mujës, tallje për Prizrenin

0

eqa dhe zafaKandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, bashkë me partnerët e koalicionit është takuar me elektoratin e fshatit Landovicë, Velezhë dhe Korishë.

“A jemi njerëz pa identitet që me na u imponu një kandidat që në asnjë vend të botës nuk do ta kandidonin. Kjo është tallje për qytetarët e Prizrenit”, tha Kryeziu.

“Jemi në një betejë që gjërat t’i kthejmë për së mbari. Dhe me të drejtë presim që qytetarët e Prizrenit të organizohen me 1 dhjetor dhe t’i japim një drejtim tjetër Kosovës. Ne nuk mund t’i durojmë më talljet e këtilla”.

Kryetari i BD-së Zafir Berisha tha ndërkaq se në koalicion me LDK-në ka hyrë për të ndryshuar gjendjen e keqe në Prizren.

“Në kuadër të qeverisjes 4 vjeçare në qeverisjen komunale do të jetë programi i Bashkimit Demokratik dhe fryma e Bashkimit Demokratik. Në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar udhëheqja e Prizrenit do të jetë ndryshe. Komplet garnitura e pushtetit aktual është nëpër gjykata dhe kjo që është publike për ta është vetëm 10 për qind e atyre gjërave të këqija që kanë bërë .Kur të vijmë ne në pushtet do të ua nxjerrim në sipërfaqe edhe 90 për qind e të këqijave që i kanë bërë”, tha Berisha.

“8600 votues na kanë votuar, sepse e kemi kërkuar votën për të rrëzuar Ramadan Mujën dhe klikën e tij dhe në asnjë mënyrë nuk kam mund ta keqpërdor besimin që na e kanë dhënë qytetarët.

“Bësimi i juaj duhet të jetë në numrin 78, sepse këtu është edhe fryma e BD-së dhe kur të bëhen bashkë këto dy frymë qeverisja katërvjeçare do të jetë më ndryshe”.

“Votuesi na ka nxjerrë parti e tretë. Në kemi dal të tretët, por realisht ne jemi të dytët. LDK-ja është e para ne jemi të dytët, ndërsa PDK-ja e treta ose e katërta ”./PrizrenPress.com/

Berisha : Urime festat e nëntorit!

0

zafa ne shoqatKryetari i Bashkimit Demokratik Zafir Berisha ka vizituar shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. Kjo vizitë është realizuar në kuadër të shënimit të festave të nëntorit.

Berisha në OVL është pritur nga kryetari Selim Krasniqi, ndërsa në SHIL të UÇK-së nga Burim Shala si dhe në SHFL-UCK Xhavit Berisha.

Bashkëluftëtarëve të shoqatave të dala nga lufta dhe familjeve të dëshmorëve, Berisha ua ka uruar festat e nëntorit.

“Ne jemi krenar si qytetar të shtetit të lirë e demokratik të Kosovës, që kemi qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta në luftën për liri, prandaj të gjithë ata që kontribuuan gjatë historisë për lirin e Kosovës dhe popullit shqiptar duhet të ndihen të lumtur pavarësisht zhgënjimeve që i sjell politika ditore.

“Ne kemi pasur obligim moral dhe kombëtar për të qenë në ballë të detyrave që ka kërkuar vendi”.

Berisha dhe Kryesia e Bashkimit Demokratik të gjithë qytetarëve të Prizrenit ua uron festat e nëntorit. /PrizrenPress.com/

Rrokulliset autobusi, 4 të lënduarit janë nga Dragashi

0

Autobusi-aromatoursKatër pasagjerë janë lënduar sot në mëngjes, kur autobusi që qarkullonte në relacionin Nish-Prishtinë u rrokullis afër Kurshumlisë. Sipas raportimit të RTS-së, aksidenti ndodhi në orën 3 e 30 minuta, kurse shkak i rrokullisjes theksohet të jetë shpejtësia. Ky autobus u rrokullis afër lokalitetit Novo Sello jo larg Kurshumlisë, kurse katër pasagjerët e lënduar rëndë e lehtë ndodhen në përkujdesje në spitalin e Kurshumlisë dhe ata nuk e kanë jetën në rrezik.

Autobusi i kompanisë “Aroma Turs”, që mban vijën e rregullt Lins (Austri) – Dragash u rrokullis në një kthesë të madhe rrugore te Novo Sella. Mediet serbe japin inicialet e të lënduarve, që janë: R.C. (61), I.M. (31), F.K. (58), dhe Gj.D. (69). Theksohet se të gjithë të lënduarit janë nga Dragashi, transmeton Indeksonline.

Në autobusin e rrokullisur ndodheshin 18 pasagjerë dhe dy shoferë.

Mehmet Kraja: Më pëlqen kur shqiptarët bëhen bashkë

0

MehmetKrajaNë intervistën e shkrimtarit, kritikut e publicistit, Mehmet Kraja, dhënë për KultPlus, për nder të 28 Nëntorit, ai ka folur për rëndësinë e kësaj feste për kosovarët, duke e vlerësuar si manifestim identitar, dhe njëkohësisht si refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin. Sipas tij, mos zyrtarizimi i kësaj feste nga ana e Kuvendit të Kosovës nuk e pengon popullin që të mos e konsiderojë këtë festë si të më të rëndësishmen kombëtare. “Vendimi i Kuvendit të Kosovës nuk do të ndryshonte gjë, vetëm se me zyrtarizimin formal të kësaj feste Kuvendi i Kosovës do ta nderonte veten”, është shprehur Kraja, i cili më pas ka folur edhe për hendeqet e krijuara në mes Kosovës dhe Shqipërisë, në pikën e bashkëpunimit kulturor, i cili ai vlerëson të jenë degjeneruar keqas, sikurse që ka folur edhe për marrëdhëniet jo të mira në mes akademive të këtyre dy vendeve
KultPlus: 101 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, në çfarë pike po e gjen shqiptarinë?
Mehmet Kraja: Pavarësisht se, ndonjëherë, na duket sikur gjatë historisë nuk kemi bërë atë që duhet, se ne vetë jo gjithmonë kemi ditur të zgjedhim rrugën më të mirë, pra, edhe përkundër të gjithave, sot shqiptarët kanë arsye të jenë krenarë për atë që kanë bërë gjatë historisë. Mendoj se, ngado që të shikohet, madje edhe nëse shikohet me skepticizmin më të madh, bilanci del pozitiv: sot në botë kemi dy shtete shqiptare dhe një shtet të tretë, ku shqiptarët participojnë ndjeshëm, në një kohë që në Europë dhe përreth saj ende ka popuj që nuk kanë arritur të bëjnë shtetet e tyre kombëtare. Por, më anë tjetër, bota e civilizuar ka kohë që ka hequr dorë nga perceptimi heroik i historisë dhe intensivisht merret me implikimet e tjera sociale, ekonomike, politike, kulturore të fatit historik të kombeve. Për rrethanat tona, ky perceptim ndryshe do të duhej të nxirrte në pah një vlerësim më kritik të historisë dhe aktualitetin shqiptar. Një vlerësim të tillë më kritik vështirë që do të mund ta përballonim me aq mburrje dhe krenari, siç e përballojmë me retorikën heroike-patriotike. Vlerësimi kritik arkivon memorien historike dhe i krijon hapësirë diskursit realist: shqiptarët nuk do të duhej ta shihnin atdheun e tyre, Kosovën apo Shqipërinë, si stoli historike për mburrje, por si një realitet shoqëror, politik, ekonomik, kulturor që aktualisht të siguron jetë të mirë dhe, për rrjedhojë, të bën krenar. Sikundër mund ta shihni, me shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë kjo nuk ndodh aktualisht: ata ende janë të shtrënguar që krenarinë e tyre kombëtare ta kërkojnë në histori, për arsyen e thjeshtë se e sotmja e tyre nuk është për mburrje. Më shumë se historinë heroike, ata sot do të donin që vendi i tyre t’u ofronte jetë të dinjitetshme.

KultPlus: Në shenjë të festave, viteve të fundit po provohet të festohet bashkërisht, si i vlerësoni këto përpjekje?
Mehmet Kraja: Megjithëqë shpesh janë manifestime jashtësore, afishe politike për një përdorim, unë i miratoj ato. Më pëlqen kur shqiptarët bëhen bashkë, pavarësisht se në këtë përbashkim mund të ketë shumë gënjeshtër, mund të ketë improvizim, mund të ketë lojë politike, mund të ketë edhe profiterizëm. E dini si, ndonjëherë, edhe duke improvizuar, mëson ta praktikosh një ritual, i cili, ndonëse rutinë, me kohë, mund të bëhet pjesë e vetëdijes… Vetëm se, duke u sjellë me refuzim ndaj një patriotizmi folklorik dhe shpesh manipulativ, ne u hyjmë në hak atyre që ndaj atdheut dhe kombit ushqejnë ndjenja të sinqerta patriotike. Të tillë doemos që ka edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Askund në botë patriotët nuk konsiderohen njerëz primitivë, anakronikë etj. Dashuria për kombin dhe atdheun është ndjenjë jashtëzakonisht fisnike, e tillë që ende ushqen me virtyte të larta miliona njerëz në mbarë rruzullin tokësor. Patriotizmi nuk është primitivizëm, ai shndërrohet në diçka të shëmtuar, sa herë që degjeneron ose manipulohet. Dua të them me këtë rast, se unë përkulem me pietet të thellë si ndaj atyre që janë flijuar për kombin dhe atdheun, ashtu edhe ndaj atyre që me 28 Nëntorin i lidh një sentiment, sepse, fundja, unë i takoj asaj gjenerate, e cila ka besuar fuqimisht në sentimente të këtilla.
KultPlus: Si do të duhej të ishte bashkëpunimi kulturor në mes Kosovës e Shqipërisë?
Mehmet Kraja:Mendoj se është koha t’ia heqim vellon e “misterit” kësaj çështjeje disi të mbetur në maje të gjuhës të secilit që merret me problemet kulturore te ne. Është e qartë, nuk ka bashkëpunim dhe nuk duam bashkëpunim, sepse, po ta donim, do ta bënim. Nuk e do Kosova, nuk e do as Shqipëria, respektivisht nuk e duan as krijuesit, as administratat kulturore të të dy vendeve. Ose e duam, për aq sa e bëjmë. Duhet thënë edhe arsyet, të cilat mund të kamuflohen, por nuk janë të panjohura. Kosova ka një kompleks të inferioritetit kulturor ndaj Shqipërisë, shpesh nuk ka se çfarë të ofrojë në këtë bashkëpunim, i kanë degraduar institucionet dhe veprimtaritë kulturore etj. Shqipëria, më anë tjetër, e konsideron Kosovën provincë kulturore, me të cilën nuk ia vlen të merresh. Krijuesit dhe njerëzit e kulturës të të dy anëve, veçmas ata të Kosovës, sikur ndihen mirë në këtë situatë të shëmtuar, sepse në këtë mënyrë evitojnë konkurrencën dhe vazhdojnë ta manipulojnë me lehtësi palën tjetër. Përveç kësaj, disa krijues të të dy anëve kanë nostalgji për kohën e shkuar, kur bashkëpunimi shkonte përmes ca konsideratave fiktive. Disa të tjerë, veçmas një numër syresh të përfshirë në “programet integruese” të OJQ-ve, më shumë janë të interesuar të bashkëpunojnë me Nishin se me Tiranën. Pra, në përgjithësi, një atmosferë e hipokrizisë dhe e gënjeshtrës, e cila tashmë ka filluar të më neveritet.

KultPlus: A mendoni se në këtë pikë njëra palë është më neglizhente se tjetra, nëse po, cila palë del të jetë më pak e interesuar sa i përket bashkëpunimit?
Mehmet Kraja: Jo jo, këtu nuk bëhet fjalë për palë, bëhet fjalë për një atmosferë të sëmurë, e cila të frikson. Marrëdhëniet kulturore dhe arsimore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë degjeneruar keqas. Ato, ose nuk funksionojnë fare, ose janë bërë shesh banditësh, ku ka doktoratura të falsifikuara, të punuara dhe të mbrojtura me para dhe gjera të këtilla tepër të shëmtuara, çmime e dekorata të blera gjithashtu me para ose me shërbime të tjera turpshme… Nuk dua të flas më për këtë, sepse është një zhgënjim që më trondit.

KultPlus: Po në nivel akademik, viteve të fundit ka pas ca përplasje, në të vërtetë çfarë raporti ekziston në mes këtyre dy institucioneve?
Mehmet Kraja: Nuk ka pasur përplasje, ka pasur qartësisht mosmarrëveshje. Do t’i rendis disa pika, ashtu siç i kam perceptuar unë, ku dy akademitë nuk janë pajtuar, ose kanë pasur përplasje, siç thoni ju. Më sa më kujtohet, mospajtimet e para janë shfaqur, kur akademikët e Shqipërisë e kanë miratuar një projekt të çmendur për ndarjen e Maqedonisë. Këto marrëdhënie në një fazë të mëvonshme janë ftohur edhe më tej, për shkak të disa shpërputhjeve politike dhe ideologjike. Akademikët e Shqipërisë vinin kryesisht nga provenienca ideologjike e Partisë së Punës dhe të njëjtit partnerë ideologjikë i kanë kërkuar edhe në këtë anë. Akademia e Shqipërisë, edhe pas vitit 1999, kishte refuzuar të bashkëpunonte me institucionet e Kosovës në projektin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. Më pastaj erdh rasti i përvjetorit të Akademisë së Shqipërisë, në të cilën nuk mori pjesë Akademia e Kosovës, sepse në këtë solemnitet ata patën ftuar nënkryetarin e Akademisë Serbe, i njohur te ne si njëri nga hartuesit e “Memorandumit” dhe mbështetës i Milosheviqit. Disa përplasje në këto marrëdhënie ka pasur edhe për shkak të gjuhës. Akademia e Shqipërisë është e njohur për qëndrimet e saj konservatore në raport me gjuhën letrare dhe standardin.

KultPlus: Flasim pak për botimet që kanë rëndësi për të dy vendet, është duke u bërë mjaftueshëm në këtë drejtim?
Mehmet Kraja: Unë isha në Panairin e Librit në Tiranë para disa ditësh dhe më erdh keq për një gjendje jo të mirë të botuesve të Kosovës, prania e të cilëve pothuajse nuk hetohej fare. Pra, botuesit e Kosovës përfundimisht e kanë humbur betejën në konkurrencë me botuesit e Shqipërisë. Me një anë kjo duket mirë, sepse iu lihet hapësirë për veprim ligjësive ekonomike, pastaj në këtë mënyrë bëhet edhe integrimi i tregut të librit etj. Por, në raport me Kosovën, ka një defekt jo të vogël, sepse Kosova kulturore dhe Kosova letrare, njësoj si edhe Kosova politike, ka disa specifika, të cilat do të donte t’i përfillte dhe t’i ruante. Të jem edhe më eksplicit: botuesit e mëdhenj të Shqipërisë nuk do të duhej të silleshin ndaj Kosovës si ndaj një kolonie kulturore, apo ta perceptonin Kosovën vetëm si treg të librit. Kosova ka ende specifika kulturore, të cilat do të duhej përfillur. Vetë Kosova do të duhej t’i kishte parasysh këto specifika dhe të adaptonte për veten e saj politika kulturore të përshtatshme.

KultPlus: E nëse flasim për mediet, do të bëje një krahasim mes medieve të këtyre vendeve?
Mehmet Kraja: Mediet e shkruara ne i kemi më të mira; media elektronike në Shqipëri është larg para nesh.

KultPlus: Dhe kthehemi prapë te festa, 28 Nëntori vazhdon të jetë festë jo zyrtare në Kosovë, sa e padrejtë po i bëhet vullnetit të popullit në lidhje me këtë festë, dhe a do të duhej të iniciohej ndryshimi për zyrtarizimin e kësaj feste?
Mehmet Kraja: E bënë apo nuk e bënë zyrtare, Kosova ka kohë që e konsideron 28 Nëntorin festën më të rëndësishme kombëtare. Në këtë pikë një vendim i Kuvendit të Kosovë nuk do të ndryshonte gjë, vetëm se me zyrtarizimin formal të kësaj feste Kuvendi i Kosovës do ta nderonte veten. Njerëzit në Kosovë, me ose pa vendim të Kuvendit të Kosovës, do ta festojnë 28 Nëntorin, ata ndihen emocionalisht të lidhur me të, jo vetëm pse kjo festë ka një traditë në Kosovë, ka edhe domethënien, ka simbolikën, por më shumë për faktin se për kosovarin 28 Nëntori është manifestim identitar, njëkohësisht është edhe refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin. Kosova ka dhe do të ketë edhe festat e saj shtetërore, por ato asnjëherë nuk do të bien në kolizion me festën kombëtare të 28 Nëntorit, kjo nuk është kundërshti e brendshme, është më shumë një unitet i natyrshëm dhe harmonik i proceseve historike dhe politike, të zhvilluara në mënyrë jotipike./KultPlus.com

MKRS pa asnjë organizim për 28 Nëntorin

0

28nentoriMinistria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk e ka paraparë asnjë aktivitet për nder të festës kombëtare – Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit, 28 Nëntorin. Mirëpo në Kosovë nuk do të mungojnë mbrëmje muzikorë dhe aktivitete të tjera kulturore, të cilat do të organizohen për nder të 101 vjetorit të themelimit të Shqipërisë shtetërore.

Jehona Shyti, zëdhënëse e MKRS-së, ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës vendosë që të ketë organizime për nder të festës së Pavarësisë së Shqipërisë në nivel shtetëror, atëherë kjo ministri do të jetë e gatshme për t’i realizuar ato aktivitete.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në fushëveprimtarinë e saj nuk e ka të përcaktuar të zhvillojë aktivitete të tilla, por janë institucionet e kulturës ato që duhet të merren me organizimin e këtyre aktiviteteve. Nëse Qeveria vendos që të shënohet 28 Nëntori nën patronazhin e saj, atëherë MKRS do të marrë përsipër përgjegjësitë që i jepen”, ka thënë Shyti për KultPlus.

Ndërkohë, si duket më 28 nëntor të këtij viti kryeqyteti do të jetë i ngarkuar me ngjarje të ndryshme kulturore. Me rastin e festës së Ditës së Flamurit, Komuna e Prishtinës, do të organizoj koncertin tradicional i cili mbahet në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, si dhe panairin e ushqimit dhe veshjeve tradicionale që do të jenë të vendosura në këtë shesh. Ky koncert do të filloj në ora 12:00 që parashihet të zgjasë deri në ora 22:30.

Valbona Shujaku, shefe e Sektorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka prezantuar programin e kësaj komune që do të përmbajë për nder të kësaj feste kombëtare.

“Hapja e panairit tradicional me ushqime dhe veshje tradicionale do të fillojë në ora 11:00. Pas një ore fillohet me programin e fëmijëve ku marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve të Prishtinës, si: Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës, Kori “Xixëllonjat”, kori “Zërat gazmor”, Studio Baleti “Rudina”, SHKA”Bajram Curri”. Në ora 14:00 fillon programi me muzikë popullore ku marrin pjesë: SHKA-të “Qamili i vogël”, ”Bajram Curri”, ”Azem Bejta”, ”Hivzi Sylejmani”, “Minatori i ri” dhe “Emin Duraku nga Shkupi”, ka thënë ajo.

Shujaku, ka theksuar më tutje se në po këtë ditë festive do të ketë program të përzier ku beson që qytetarët do të mbetën të kënaqur me këtë organizim. “Programi artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, në mbrëmje, pra në ora 20:00, do të shfaq kolazh vallesh me motive nga viset kryesore shqiptare edhe asaj të Kosovës, e punuar nga korpetitori i ansamblit Nazmi Demaj dhe disa koreografë të tjerë të njohur. Gjatë këtij organizmi është paraparë që të ketë edhe fishekzjarre ku shkrepja e tyre do të bëhet në ora 22: 30 nga ndërtesa e Hotel Grandit”, ka theksuar në fund ajo.

Sidoqoftë, organizime për nder të 101 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nuk do të ketë vetëm në kryeqytet, por të tilla aktivitete do të shfaqen edhe ne të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët dhe të afërmit e tyre në diasporë. Kryesisht kjo festë kombëtare, viteve të fundit po kremtohet më shumë në ambiente të klubeve të natës, ku edhe dalldisja nuk mungon.

Ndue Shyti, paganini i çiftelisë shqiptare

0

NdueShyti-rapsodSot është e vështirë të gjesh një mjeshtër të çiftelisë apo të fyellit. Dikur e kishim. E kemi fizikisht edhe sot Artistin e Madh. E kemi harruar 80-vjeçarin Ndue Shyti, i cili njihet ndryshe edhe si Paganini i çiftelisë shqiptare. Askush si ai nuk dhuroi tinguj kaq të harmonishëm prej drurit dhe telave, apo fyejve; askush si ai nuk e solli artin dhe shpirtin e popullit në skenat më të mëdha të botës. E ky shkrim synon për të shlyer sadopak mëkatet tona të përditshme që bëjmë me të kaluarën e artë. Artisti i Popullit gjallon dhe sfidon me shpirt heshtjen tonë, duke sjellë kujtime që shumë prej të rinjve nuk i kanë dëgjuar kurrë; madje ato mund të duken edhe si legjenda…

Mrekullia në Dizhon të Francës

“Para se të niseshim për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të vitit 1970, në Dizhon të Francës, bëmë shumë prova në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë dhe ‘qepëm’ një koncert që do të zgjaste 80 minuta”, – thotë Artisti i Popullit, Ndue Shyti. Kur mbërritëm në Dizhon na ndryshoi plani…. Na thanë se koncerti ynë (si çdo shtet tjetër) do të reduktohej në vetëm 15 minuta. Pra, duheshin hequr pjesë të ndryshme të programit. Mua më thanë që ‘ta qethja’ melodinë time. Rashë në mendime se çfarë të hiqja? Atëherë vendosa të shpejtoj ritmin. Nga shtatë minuta duhet ta bëja tre. Më erdhi radha. Dola në skenë. Fillova të luaj në çiftelinë që më kishte bërë Gjin Shkoza (mësuesi im i parë si instrumentist). Gishtat lëviznin lehtë dhe me shpejtësi si asnjëherë. Duhet ta mbyllja në kohën e caktuar, ndryshe grupi skualifikohej. (Kështu ishte rregulli). Binte gongu, pjesa mbyllej. Unë që nuk e matja dot kohën, në ato momente emocionesh duke i rënë çiftelisë, fillova të tërhiqem nga skena. Gongu (topan i thotë Ndue Shyti) nuk po binte. Ndërkohë. kryetari i jurisë më bëri shenjë t’i afrohesha mikrofonit. U afrova dhe vazhdova t’i bie. Më ftoi të zbrisja nga skena për te juria. “Pasi këqyri bajagi çiftelinë, më shtrëngoi një dekik dorën dhe tha: ‘Bravo Albania! Fituat’.
Tish Daia ma përktheu. ‘Mersi boku’, – iu përgjigja unë (kështu na kishin mësuar të thoshim sa herë na lavdëronin)”.

Çiftelia asht shqiptare
“N’atë dekik m’u kujtua se dikur, në Turqi një fansi jem (politikan turk), kur u kënaq me melodinë e çiftelisë time e që mësoi se jam albanez, më tha: ‘Kemi kujtuar se çiftelia ka lindur në Anadoll, por njëtash u binda se e paska origjinën nga Albania. Po ku bie kjo Albania, axheba?’ Ndërsa sot Albaninë le ta marrë vesh e gjithë bota mbarë”.

“Aty në Dizhon morëm Gjerdanin e Artë (3 kg e 860 gramë) – jo unë, por grupi”, – thotë Ndueja me modesti. “Si mos fitonim na, tu pas në krye Besim Zekthin e Ibrahim Tukiçin?”

Ndueja përdor shpesh një shprehje mirditore: “Asht ma e mirë gjasa se kapucari”, – që do të thotë: “Më e saktë është ajo që ndodh, sesa kjo që thuhet”. Pra, nuk mund të rrëfehet ajo që ndodhi në Dizhon të Francës më 30 gusht – 4 shtator 1970. Çaste të bukura, të paharruara. Ansamble, të mbledhura nga e gjithë bota, do të parakalonin para personaliteteve kryesore franceze. Shqiptarët me Gjerdanin e Artë mbanin mbi supe shqiponjën e kërcimit, artistin Besim Zekthi. Bulevardi u bllokua 60 minuta sepse njerëzit që kishin mbushur dy anët e rrugës donin të përqafonin fituesit. Ata brohorisnin: “Albania… Albania!”. Në përfundim të parakalimit Ndue Shytit iu desh të përballej me pesë profesorë të muzikës franceze. Ata do të kontrollonin me rrënjë e degë instrumentin magjik. (Atë çiftelinë që kokën e kishte me dru mani e bishtin me dru ahu). Profesorët nuk i jepnin kënd si e qysh dhe çfarë magjie ka brenda vegla që lëshon ato tinguj të ëmbël.

Tinguj bjeshke
Artisti i Popullit, Ndue Shyti, lindi 80 vjet më parë në Gojan, në një fshat të Pukës. Ishte veçse 3 vjeç kur e mori çiftelinë për herë të parë në dorë. Teksa vitet kalonin telat e çiftelisë çdo ditë e më shumë prodhonin tingujt të harmonishëm dhe ngjyra mahnitëse nëpër gishtat që rriteshin. Artisti i vogël shoqëronte të rriturit me veglën muzikore. Kur dilte në stane, lart në bjeshkë, ai merrte me vete çiftelinë dhe fyellin; pjesën e pandarë të jetës së vet. Për herë të parë dha një koncert para grupeve vullnetare, që po ndërtonin hekurudhën Elbasan-Peqin, në vitin 1950. Ata e kishin marrë artistin 15-vjeçar që t’u binte veglave në orët e dëfrimit. Kaq deshi që tingujt e dalë nga çiftelia e tij të merrnin dhenë. Aty ndjeu dhe kënaqësinë e duartrokitjeve. Në ato vite të vështira Ndueja punonte me sharrëxhinjtë dhe në vaktet e drekës, çlodhte punëtorët me meloditë që krijonte nëpër telat e çiftelisë. Ai kujton se këtë kënaqësi e kishte ndjekur përgjatë gjithë viteve, edhe në kohën kur ishte në shërbimin ushtarak. Aty provoi diçka më tepër; provoi t’i binte çiftelisë para mikrofonit. Tani talenti i tij kishte rënë në sy. Çdo ditë njihej ndërsa dhuntia perfeksionohej. Një ditë ai do të përballej me vlerësimin e ekspertëve të muzikës. Me gjithë sigurinë që kishte në veten e tij, ende nuk i harron ato emocione që provoi.

Ishte viti 1958 kur doli për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të rrethit. Aty mori diplomën e parë për talentin dhe punën e akumuluar ndër vite mbi dy tela çiftelie. Rritej djaloshi, rritej dhe nami i tij.

Një ditë, nga skena e Pukës do të dilte në një ngjitej në një tjetër skenë, kësaj radhe më të madhe, do të shfaqte talentin e tij për artdashësit e kryeqytetit. “Ndihesha i gëzuar, por me më shumë përgjegjësi”, – thotë Ndueja. Përveç çiftelisë, aty i ra edhe bilbilit (instrument që e kishte përgatitur vetë). Në sallë ishte edhe Enver Hoxha. Ndueja thotë se Enveri i ngjit në skenë dhe iu drejtua: “Ndue, si quhet ky instrument?”. “Bilbil”, – iu përgjigj Ndueja. Më pas ai thotë: “Të lumtë! Në duart tuaja fishkëllen si pishat tona krenare”. Ndueja kishte me vete një grup me 104 instrumentistë popullorë pukjanë. Ata kishin për mësues Ndue Shytin. Teksa largohej nga skena, Enver Hoxha tha se “edhe Franca nuk ka një artist që të luajë si malësori ynë, me dy tela e një bilbil”. “Nji kjo çifteli e ky bilbil, – thotë Ndue Shyti, – më bënë të njohur dhe më kanë shtrënguar dorën burra shteti, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Ramiz Alia, e deri te Sali Berisha”. Ai kujton se tingujt e çiftelisë kanë mahnitur edhe Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain, të cilët i kanë shtrënguar dorën.

Histori të rralla

Artisti i Popullit Ndue Shyti dhe çiftelia e tij i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai është bërë i njohur me interpretimet e tij nëpër skenat botërore, në Kinë, Francë, Turqi, Suedi, Jugosllavi etj. Kudo ka marrë duartrokitje e fjalë të ngrohta. Një gazetë franceze shkuan për të: “Ndue Shyti, një shqiponjë që luan me dy tela, por që tingëllon si një simfoni”. Ndërsa bashkëshortja e Mao Ce Dunit thoshte në një nga gazetat kryesore kineze: “Një shqiptar virtuoz i vërtetë”. Një media maqedonase në Ohër thoshte shumë vite më parë: “Ndue Shyti është një nga instrumentistët më të mëdhenj të Ballkanit”.

Fama e Ndue Shytit jehoi nga Bjeshkët e Tërbunit deri në Pekinin e largët. Ai interpretoi në sallën ku ndodhej udhëheqësi komunist Mao Ce Duni, një pjesë instrumentale kineze. “Salla gjigante më shoqëronte me këngë e thirrjet përsëritëse ‘ci go jo’, ‘ci go jo’”, – kujton me mallëngjim Artisti i Popullit.

cifteli
Në karrierën e tij artistike Ndue Shyti ruan shumë kujtime. Ai tregon se teksa luante në një skenë në Turqi, në mes të melodisë, i këputet njëri nga telat e çiftelisë. “Vazhdova me një tel deri në fundin e pjesës muzikore. Ndihesha keq, por u ngroha shumë nga duartrokitjet me ovacione të mëdha. Ambasadori ynë atje më tha: ‘Kur nuk e mora unë vesh se ti i re çiftelisë me një tel, edhe salla nuk e dalloi’”, – thotë artisti. Ai rrëfen një tjetër histori.

“Në Jugosllavi u fikën dritat në krejt sallën, por unë vazhdova t’i bija çiftelisë dhe dukej sikur tingujt shpërndanin dritë”. Ndue Shyti i njeh shumë mirë instrumentet popullore, sidomos çiftelinë dhe fyejt. Çuditërisht interpreton pa partiturë. Madje më mirë se artistët e mëdhenj që punojnë me partitura. Por ai ka edhe një gjeni tjetër të veçantë: Ndueja i përgatit vetë instrumentet, vetë kompozon, organizon grupin dhe dirigjon. Edhe këtu pa partiturë.

Arti dhe politika

“Tingujt e mi nuk kanë pyetur për politikën”, – thotë Ndue Shyti. Në atë kohë e kanë dëgjuar të gjithë ata që kishin veshë, si komunistët, ashtu edhe kulakët. “Çiftelinë time ma ka pëlqyer edhe Enver Hoxha, edhe Sali Berisha. Për mua, si njëri dhe tjetri janë dashamirës – fansa – njëherësh politikanë”, – thotë Artisti i Popullit. Ai kujton një koncert, bashkë me Fatime Sokolin. “Sa kishim dalë nga një koncert dhe takuam Sali Berishën, doktor me zë, dhe na ftoi për kafe”, – thotë Ndueja, i cili kujton fjalën që tha: “Me ju krenohet Malësia”.

Mjeshtri i çiftelisë thotë se e ka takuar edhe një herë tjetër zotin Berisha, kur u bë kryetar i Partisë Demokratike në qytetin e Pukës. “Rastësisht më takoi dhe më tha fjalë të mira”, – shprehet artisti i përjetshëm i malësisë.

Tri magjitë e çiftelisë

Çiftelia e Ndue Shytit nuk ka një, por tri magji: Instrumenti i prodhuar nga kryemjeshtri Gjin Shkoza; melodia që buron në gurrën popullore dhe së treti, por mbi të gjitha, vetë dhuntia që i fali Zoti Ndue Shytit. Në karrierën e tij ka një mal me dekorata, diploma, certifikata etj. Janë të regjistruara mbi 450 koncerte brenda vendit dhe me dhjetëra të tjerë jashtë vendit. Sot. në moshë të thyer, është vlerësuar me titujt “Artist i merituar” dhe “Artist i Popullit”, “Krenaria e qytetit të Pukës” dhe me vlerësim në vendin e lindjes së tij.

Ai jeton dhe luftën në heshtjen e përditshme, me harresën e madhe, larg zhurmës dhe famës së dikurshme, në Lagjen Nr. 14 të qytetit të Durrësit. Prej 15 vitesh lufton me sëmundjen e paralizës. Shpirti prej artisti dhe familja e tij e ndihmojnë të sfidojë sëmundjet e moshës. Artisti i Popullit nuk ka nevojë për ne. Ne kemi nevojë për artin dhe talentin e tij. Gjithçka që Ndue Shyti bëri për artin popullor do ta bënin të meritueshme edhe titullin “Nderi i kombit”, pasi gjithë jetën ai e nderoi vendin e vet, në skenat brenda dhe jashtë vendit; sepse përçoi anembanë identitetin e shqiptarit. Heshtja e Artistit të Popullit është më e madhe sesa harresa jonë./BW/