2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Marrëveshja historike në mes G 5+1 dhe Iranit

Faik MiftariFaik MIFTARI

Ditë më parë, saktësisht me 24 nëntor 2013, u arrit marrëveshja pas katër ditë bisedimesh intensive në Gjenevë në mes G 5+1 dhe Iranit, lidhur me programin nuklear të Iranit. Kjo marrëveshje a arritur do të hap një perspektivë dhe qasje të re politike, pikësëpari në Lindjen e Mesme, pasi që tani mund të thuhet se më lirish do të frymohet dhe se në horizont janë shenjat e para drejt krijimit të një stabilitet më të qëndrueshëm politik në Lindjen e Afërt.

Bisedimet me mjeshtëri i ka udhëhequr dhe balancuar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri znj. Ketrin Ashton, dhe se kjo marrëveshje e arritur nuk është vetëm në mes grupit 5+1 (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës) dhe Iranit, por njëkohësisht edhe të Bashkimit Evropian, pasi që znj. Ketrin Ashton përfaqëson 28 shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Diplomacia shpesh herë mund të arrijë suksese të duhura, kur ekziston vullneti dyanshëm i palëve bashkëbiseduese për arritjen e një marrëveshjeje. Por këtu rol të pazëvendësueshëm e ka faktori njeri apo udhëheqësi kryesor politik shtetëror. Me ardhjen në pushtet të presidentit të ri iranian z. Hasan Ruhani, i cili llogaritet si politikan i matur dhe pragmatik, me një qasje të re politike, i cili i ka hapur rrugën bisedimeve politike për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, përkundër presidentit të mëparshëm të Iranit z. Mahmud Ahmednexhadit, i cili njihej si politikan radikal dhe me përdorim të gjuhës së ashpër politike, i cili prodhoi konfrontime dhe keqkuptime me pasoja të rënda politike.

Këtë që e thash, bazona edhe në fjalët e ish zyrtarit të lartë nga administrata amerikane të kohës së ish presidentit Klinton, Xhejms Rubin, i cili ishte para ca ditësh në një vizitë në Kosovë , dhe në një intervistë të tij përveç tjerash ka thënë ” se për intervenimin humanitar ka qenë me të vërtet e rëndësishme pozicionimi dhe angazhimi i pamasë i ish presidentit amerikan Klinton për luftën në Kosovë, por nuk duhet harruar edhe faktin se në atë kohë ka qenë në pushtet në Rusi presidenti Jelcin, e jo Putin, në bazë të cilit edhe u mundësua intervenimi humanitar në Kosovë në vitin 1999”. Kjo thënie e Rubinit është plotësisht me vend, se shumë me rëndësi është se cili lidership politik aktual gjendet në krye të një shteti, në kohën e duhur dhe në çastin e duhur, dhe se kjo u vërtetua më së miri tani në rastin e Sirisë, kur administrata amerikane ishte e gatshme të veprojë dhe të ndërmerr sulmin në Siri kundër regjimit të Bashar Asadit, por pas takimit që pati kokë më kokë me presidentin rus Putin, presidenti Obama u zmbraps dhe u tërhoq, duke u pajtuar për një kompromis të dyanshëm në mes tyre për eliminimin e armëve kimike të regjimit të Bashar Asadit. Por se çka me të vërtet ka ndodhur, dhe për çka janë marrë vesh në këtë takim, ndoshta do të dihej pas 50 vitesh, kur do të hapen arkivat pjesërisht apo plotësisht dhe në dritë të del vërteta e këtij takimi, për çfarë ishin pajtuar dy presidentët, Obama dhe Putin, për të zgjidh konfliktin në Siri me rrugë politike, e jo ushtarake.

Faktorët që kanë ndikuar apo edhe përshpejtuar arritjen e kësaj marrëveshjeje historike, janë të shumta, por do të cek vetëm disa nga më kryesorët në të dy anët, apo lojtarët kyç të bisedimeve në Gjenevë. Nga ana e Iranit janë tre faktorët që kanë ndikuar që të hyjë në bisedime për të arritur marrëveshjen historike për programin e tij nuklear të pasurimit të uraniumit.
I pari, lideri shpirtëror i Iranit Ajatullah Hamnei, i cili në çështjet më kapitale shtetërore e jep fjalën e fundit, para ca kohësh e dha fetvan (dekretin fetar) lidhur me bombën nukleare, duke thënë se këtë Irani nuk do të posedojë, pasi që është në kundërshtim të plotë me parimet fetare, dhe se një armë e tillë është shkatërruese dhe me pasoja katastrofale, që nuk kursen njeriun e gjallë, qofshin pleq apo të rrinjë, gra apo burra, djem apo vajza.

I dyti, gjendja e vrasjes sektare ndërmjet myslimanëve në botën Islame, në mes sunitëve dhe shiitëve, që është në kulminacion në Botën Islame, duke u nisur që nga Pakistani, Jemeni, Libani, Bahrejni, Iraku dhe Siria, si rrjedhojë pikësëpari e mosdijes, mosnjohjes, keqinterpretimit, mungesës së logjikimit racional, si dhe pasimit të udhëheqësve politik e fetar mendjelehtë.
I treti, kryesori, Irani plot 10 vite është nën sanksionet të ndryshme, të cilat me vite, janë shtuar, që si rrjedhojë ka ndikuar në zvogëlimin e standardit jetësor dhe në izolimin e tij nga të gjitha anët, si pasojë e së cilës eksporti i tij vjetor nga 120 miliard dollar ka rënë në 60 miliard dollar, pikësëpari nga mundësia e vështirësimit dhe zvogëlimit në një masë të duhur të eksportit të naftës dhe gasit. Në botën e tanishme në kuadër të zhvillimeve të hovshme ekonomike, është e pamundshme që mund të ekzistojë një shtet sado i fortë që të jetë, nëse atij iu pamundësohet qarkullimi i lirë i zhvillimit të tij, plasimit të mallrave, shkëmbimit tregtar, shkencor, mjekësor, humanitar, etj.
Nga ana e SHBA-së njashtu do të cek tre faktorë që kanë mundësuar dhe përshpejtuar arritjen e kësaj marrëveshjeje historike në mes G 5+1 dhe Iranit. I pari, SHBA-ja mbi 10 vjet është duke u ballafaquar në luftëra dhe konflikte të ndryshme, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, sikurse që ishte në Irak, akoma në Afganistan, herë pas here në Pakistan, Jemen, Somali, Libi dhe së fundi në Siri, dhe për një superfuqi globale siç është SHBA-ja është e tepërt dhe e pakapërcyeshme, si rrjedhojë e së cilës gjatë këtij viti hyri në krizën buxhetore më të madhe që nga ekzistimi i saj . I dyti, rritja e fuqisë ekonomike, politike, ushtarake dita më ditë e Rusisë dhe Kinës, që në rastin e Sirisë u dëshmua konkretisht, dhe mund të themi që SHBA-ja tani e tutje nuk është e vetmja fuqi globale uni polare, por tani e tutje kemi edhe shtete tjera, si Rusia dhe Kina, si akter të rinjë global tripolar. I treti, përpjekjet dhe interesat e korporatave të mëdha energjetike(të naftës dhe gasit), të cilët gërshetohen në mes vete në mes interesave dhe sferave të ndryshme botërore, e bënë që eventualisht ndonjë sulm i Izraelit mbi Iranin, do të kishte futur medoemos edhe SHBA-në në luftë, si pasojë e së cilës do të mund të shpërthente dhe Lufta e Tretë Botërore, pasi që Irani 80% të eksportit të naftës dhe gasit e eksporton në Azi, sidomos në Kinë, Japoni, Kore, Indi, Indonezi, Malajzi, Pakistan , dhe vetëm 20% në Evropë, Francë, Gjermani, Itali, Holandë , për të cilin gjë Kina me kohë e ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që të cenohen interesat e saja të furnizimit me karburante nga Irani, për të cilin edhe ish këshilltari njohur amerikan Zbignjev Bzhezhinski qysh moti ka paralajmëruar rrezikun nga Kina si një fuqi e re me një trend jashtëzakonisht në rritje në të gjitha sferat e saja.

Marrëveshjen e ashtu quajtur historike të arritur e kanë përshëndetur dhe përkrahur të gjitha qendrat më të fuqishme botërore me ndikim, sikurse shtetet dhe organizatat me renome ndërkombëtare, përveç Izraelit dhe Arabisë Saudite, aleatët më të mëdhenj të SHBA-ve, edhe pse kjo marrëveshje pikësëpari është në dobi të tyre, pasi që në rast se gjer tani ka ekzistuar ndonjë kërcënim eventual nga Irani për Izraelin dhe Arabinë nga prodhimi i armatimit nuklear, tani e tutje kjo i është pamundësuar, pasi që Irani me marrëveshje është zotuar se do të pasurojë uraniumin në masë prej 5% që mund të përdoret vetëm për qëllime civile, humanitare, mjekësore, energjetike, dhe assesi nuk mund të përdoret për armë nukleare.

Në fund shpresoj që tani e tutje, të mbizotërojë një klimë më relaksuese politike në Lindjen e Mesme, dhe që besoj që do shkojë në atë drejtim, pasi që tani India shprehu gatishmërinë që të nisi të paguaj borxhin prej 5 miliard dollar Iranit për naftën e importuar gjer tani, por e papaguar për shkak të pa mundësisë së transfereve bankare, ndërsa gjiganti automobilistik i prodhimit të veturave franceze Peugeot, ka paralajmëruar eksportin e veturave drejt Iranit( Irani njihet si importues më i madh i veturave franceze). Këto që i ceka janë vetëm dy shembuj në këto dy ditë e para pas arritjes së marrëveshjes, e që tani e tutje do të pasojnë më shumë shembujt konkret të bashkëpunimit në të gjitha fushat ekonomike, teknologjike, tregtare, industriale, mjekësore, humanitare e kështu me rrallë.

 

 

Më Shumë

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

69 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

69 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. 27 nga këto aksidente janë me të lënduar, ndërkaq 42 me dëme...

Lajmet e Fundit