16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Festohet 28 Nëntori

plisiShqiptarët në të gjitha trevat ku jetojnë sot festojnë 28 Nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, daljen e parë publike të pjesëtarëve të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Me rastin e këtyre datave të shënuara të historisë sonë anekënd ku jetojnë shqiptarët do të organizohen manifestime të shumta.

Për këtë ditë përfaqësues të ndryshëm të Institucioneve të Kosovës do të bëjnë homazhe në Prekaz dhe pranë varrezave të dëshmorëve në gjithë territorin e Kosovës. Ndërkohë, Komunat në Kosovë shënojnë këtë ditë me një varg aktivitetesh kulturore.

28 nëntori shënohet si Dita e Falënderimeve dhe zyrtarisht nuk është shpallur si ditë pushimi.

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe të opozitës kanë kërkuar që 28 Nëntori, Dita e Flamurit kombëtar, të futet si festë zyrtare. Ata kanë vlerësuar se është e padrejtë që kjo datë të mos jetë festë zyrtare në Kosovë përderisa, sipas tyre, festohet nga të gjithë shqiptarët.

Deputeti i PDK-së, Behar Selimi, ka thënë për “Epokën e re” se zyrtarizimi i 28 Nëntorit mund të bëhet më pak vullnet politik. Madje ai ka shtuar se një gjë e tillë është dashur të bëhet edhe më herët. “Besoj se më pak vullnet politik nuk do ta kishim shqetësuar askënd. Kjo është një festë kombëtare e shqiptarëve kudo që janë. Pra, është e pakuptimtë që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare në Kosovë. Do të insistojmë që kjo të ndodh”, ka thënë Selimi.

Edhe për deputeten AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është e padrejtë që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare. “Sa i përket 28 Nëntorit mendoj se kjo është festë e cila duhet të zyrtarizohet”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Po ashtu, edhe akademiku Mehmet Kraja ka folur për rëndësinë e kësaj feste për kosovarët, duke e vlerësuar si manifestim identitar, dhe njëkohësisht si refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin.

Sipas tij, mos zyrtarizimi i kësaj feste nga ana e Kuvendit të Kosovës nuk e pengon popullin që të mos e konsiderojë këtë festë si të më të rëndësishmen kombëtare.

“E bënë apo nuk e bënë zyrtare, Kosova ka kohë që e konsideron 28 Nëntorin festën më të rëndësishme kombëtare. Në këtë pikë një vendim i Kuvendit të Kosovë nuk do të ndryshonte gjë, vetëm se me zyrtarizimin formal të kësaj feste Kuvendi i Kosovës do ta nderonte veten. Njerëzit në Kosovë, me ose pa vendim të Kuvendit të Kosovës, do ta festojnë 28 Nëntorin, ata ndihen emocionalisht të lidhur me të, jo vetëm pse kjo festë ka një traditë në Kosovë, ka edhe domethënien, ka simbolikën, por më shumë për faktin se për kosovarin 28 Nëntori është manifestim identitar, njëkohësisht është edhe refuzim kundrejt përpjekjeve për ta çintegruar kombin. Kosova ka dhe do të ketë edhe festat e saj shtetërore, por ato asnjëherë nuk do të bien në kolizion me festën kombëtare të 28 Nëntorit, kjo nuk është kundërshti e brendshme, është më shumë një unitet i natyrshëm dhe harmonik i proceseve historike dhe politike, të zhvilluara në mënyrë jotipike”, ka thënë Kraja në një intervistë për “KultPlus”.

Udhëheqësit e institucioneve dhe liderët e partive urojnë për 28 Nëntorin

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike kanë përcjell mesazhe urimi për festën e 28 Nëntorit, Ditën e flamurit kombëtar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në mesazhin e saj, drejtuar presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, ka shprehur urimet më të përzemërta, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, iu është drejtuar me një mesazh të gjithë shqiptarëve.

“Sot shqiptarët përulen me nderim të madh përpara Flamurit, Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit, me bindjen e madhe se edhe më të vullnetshëm do ecim drejt progresit të gjithëmbarshëm, unitetit kombëtar dhe integrimeve euroatlantike. Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Kosovës ju uroj të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë: Gëzuar 101-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari”, është theksuar në mesazhin e Krasniqit.

Ai gjithashtu ka uruar homologun e tij, Ilir Meta, me rastin 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Është vlerë që duhet të ruhet dhe kultivohet në shenjë respekti për paraardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do vijnë”, është thënë në mesazhin e Thaçit, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se në këtë përvjetor Shqipëria gjendet shumë më e konsoliduar si shtet me frymën e re të rilindjes, e anëtarësuar në NATO, me liberalizim të vizave dhe një prej vendeve që po kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane”, ka thënë Thaçi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ua ka uruar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit kombëtar dhe të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditën e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Më Shumë

Lajmet e Fundit