11.7 C
Prizren
E hënë, 27 Prill, 2026
Home Blog Page 8917

Partitë nuk e dinë sa kanë shpenzuar gjatë fushatës

0

Afishet e partiveSubjektet më të mëdha politike në vend e kanë vazhduar praktikën për t’i mbajtur të fshehura shpenzimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore.

Përfaqësues të këtyre partive, edhe pse thonë se shpenzimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë dukshëm më të vogla, nuk pranojnë të flasin për shifrat e shpenzuara.

Këtë e arsyetojnë me pamundësinë që deri në këtë kohë t`i mbledhin raportet e shpenzimeve nga të gjitha degët nëpër komunat në të cilat veprojnë,shkruan Tribuna.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se kanë filluar me mbledhjen e raporteve të shpenzimeve gjatë fushatës, mirëpo sipas tij, publikimi i tyre do të bëhet pas mbajtjes së balotazhit. “Kemi afat deri pas përmbylljes së balotazhit për të bërë t’i bërë të ditura shpenzimet e bëra gjatë fushatës”, ka thënë Hasani..

Përfundon qetë votimi në Mitrovicën veriore

0

Zgjedhjet-Mitrovica veriore(E plotësuar) Ka përfunduar zyrtarisht votimi në të tri qendrat e vendvotimeve në veri të Kosovës.

Pas mbylljes së tyre tash për numërimin janë duke u përkujdesur vëzhguesit e OSBE, kurse për sigurinë e të gjitha vendvotimeve që do ta përcaktojnë zgjedhjen e kryetarit e Mitrovicës së veriut janë duke u përkujdesur Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX’it.

Sipas KTV-së, të trija qendrat e votimit janë mbyllur në mënyrë të qetë dhe nuk ka pasur incidente në kohën kur ato janë mbyllur.

Ndërkaq, sipas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, 21.12 % qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar.

Vdes nobelistja britanike Doris Lessing

0

Doris Lessing-nobelistjaShkrimtarja britanike, Doris Lessing, ka vdekur në moshën 94-vjeçare. Në deklaratën e botuesit të saj, Harper Collins, thuhet se Lessing “ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj në Londër, në orët e hershme të mëngjesit”.

Veprat e saj të njohura përfshijnë “The Golden Notebook”, “Memoirs of a Survivor” dhe “The Summer Before the Dark”.

Lessing ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 2007.

Të martën KS shqyrton raportin e Ban Ki Munit për Kosovën

0

BanKiMoonKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të martën raportin e rregullt tremujor të radhës të Sekretarit të Përgjithshëm Ban ki Moon mbi Kosovën, raport në të cilin situatën e përgjithshme të sigurisë ai e përshkruan si përgjithësisht të qetë, ndërkohë që ka vlerësuar përparimet në përgatitjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm do të shqyrtohet pasnesër pasdite në New York në një senacë të posaçme të Këshilllit të Sigurimit në të cilën do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sekretari Ban sërish ka përgëzuar Prishtinën dhe Beogradin për përpjekjet e vazhdueshme në dialogun e ndërmjetësuar nga BE si dhe ka falënderuar për rolin e saj Përfaqësuesen e Lartë, Catherine Ashton. Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit besnikërisht të marrëveshjeve, pa rihapjen e dispozitave të tyre.

“Progresi në terren si dhe në dialogu politik mbeten qenësore për aspiratat e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian,” thotë Ban, transmeton RTK.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën që do të mbajë në New York pritet të njoftojë anëtarët e Këshillit të Sigurimit mbi zhvillimet tremujore, me një përqëndrim në zgjedhjet lokale të vlerësuara të drejta dhe sipas standardeve, përjashtuar veriun të përfshirë me incidente, si dhe do të ritheksojë premtimin e gjithpërfshirjes së të zgjedhurve në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Servet Pëllumbi: Humbëm shansin që vjen një herë në 100 vjet

0

Rama dhe pellumbiIsh-Kryetari i Kuvendit, Prof. Servet Pëllumbi në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ komenton vendimin e për të mos pranuar demontimin e armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Bën edhe një krahasim të qëndrimeve të opozitës së asaj kohe me qëndrimin e opozitës së tanishme për çështje analoge. Historia e aeroplanëve ‘spiunë’ në aeroportin e Gjadrit në 1995.

Profesor, si do ta komentonit një ditë më pas vendimin e Ramës për t’i thënë ‘Jo’ shkatërrimit të armëve kimike në vendin tonë?

Në radhë të parë duhet të flasim për opinionin që u krijua para marrjes së vendimit. Kishte shumë mjegull, kishte manipulim, kishte xhelozi politike. Thuajse të gjithë ishin të paqartë dhe të pasigurtë për atë që do të ndodhte. Fatkeqësisht në inkurajimin e kësaj klime antiqeveritare dhe kundër demontimit të këtyre armëve në vendin tonë u ngritën edhe një sërë figurash publike dhe me reputacion. U ngrit edhe Partia Demokratike, pra opozita me Berishën në krye. Por, fakti që ne u thirrëm në një tryezë me fuqitë e mëdha për të ndihmuar në një proces me rëndësi botërore, mendoj se ishte një shans i madh për Shqipërinë. Ne e quajmë me të drejtë Amerikën partner strategjik, por të të quajë Amerika, OKB-ja dhe Rusia partner strategjik është tjetër gjë. Kjo duhej të ishte kuptuar dhe vlerësuar për momentin në të cilin ndodhemi. Për këtë do të flitet gjatë, por një shans i tillë vjen shumë, shumë rrallë, ndoshta një herë në 100 vjet. Mendoj se do të kishim më shumë përfitime se sa dëme. Por, siç e thashë, gjithë ajo zallamahi që u krijua pati në thelbin e vet moskuptime të mëdha.

Përfundimisht qeveria e Shqipërisë tha JO. A bëri mirë Rama që mori atë vendim?

Rama, nëse mund të qortohet në fillim, kur çështja e armëve kimike u bë publike, veproi me një maturi të jashtëzakonshme sidomos në momentin e marrjes së vendimit. Ai respektoi popullin, respektoi protestuesit. Unë nuk i di detajet e bisedimeve që janë bërë midis Ramës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por po të kishte konsultime paraprake sidomos brenda maxhorancës, si dhe një informacion më të saktë prej specialistëve kompetentë të kësaj fushe, njerëzit do të ishin kthjelluar, do të kishte një arsyetim më racional sidomos nga qytetarët dhe mendoj se punët mund të kishin rrjedhur ndryshe.

Ka fitues e humbës moralë dhe politikë kjo histori?

Nëse ne të gjithë si vend dhe si komb humbëm një shans për të patur një status special midis kombeve të tjerë ballkanikë dhe europianë, Ramën do ta quaja ‘një i fituar i madh moral’ në sytë e popullit të vet, të vendit të vet, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa nëse do të gjykojmë se kush është i humburi i madh në përfundim të kësaj ‘beteje’, mund të them me bindje se të humburit e mëdhenj janë Lulzim Basha, Sali Berisha dhe opozita në tërësi. Ata u vetëdeklaruan si antiamerikanët më të mëdhenj, morën nofkën e antiamerikanit dhe kjo njollë vështirë se mund t’u hiqet ndonjëherë.

Sidoqoftë, protestat ishin qytetare, ishin protestat më qytetare në 23 vitet e fundit, apo jo?

Kjo është e vërtetë. Por kjo tregoi se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria pas 23 qershorit. Ka ndryshuar aq shumë sa dhe Sali Berisha e Lulzim Basha nuk arritën të manipulonin dot turmat, përkundrazi ata i përzunë nga mesi i tyre. Sjellja ishte në tërësi qytetare, si nga protestuesit, ashtu dhe nga ana e qeverisë. Në këtë aspekt mund të themi se kemi arritur diçka të madhe që na kishte munguar aq shumë gjatë regjimit të Berishës, i cili i është kundërvënë brutalisht si diktator popullit. Është i njëjti që ka urdhëruar të përdoreshin armët kimike në Vlorë dhe ka vrarë njerëz në Tiranë kur ata dolën në rrugë për të protestuar. Të mos harrojmë 97-n, të mos harrojmë Gërdecin, të mos harrojmë 21 Janarin.

Profesor, për ditë me radhë, një popull i tërë i mbajti sytë nga Rama, për vendimin që do të merrte ai lidhur me armët kimike. A është e drejtë që sytë të mbahen vetëm te një njeri për vendime kaq të rëndësishme, qoftë ky Kryeministër apo President?

Shiko, unë e thashë pak më sipër, Rama kishte deklaruar se nuk do të merrte asnjë vendim pa u konsultuar dhe pa miratimin e Kuvendit. Për shkak të protestave popullore ai mori vendimin tjetër, i tha ’jo’ armëve kimike. Mendoj se veproi shumë drejt. Nëse bëjmë një krahasim me Berishën kur ai ishte në pushtet, kemi një sjellje krejt të kundërt. Botoni çfarë ka ndodhur në prill 1995 dhe kuptohet lehtë. Është mjaft domethënëse për të kuptuar dallimin e madh midis nesh dhe Berishës:

Gjithsesi, pasi Rama i tha ‘jo’ demontimit të armëve kimike në vendin tonë, Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës. Si do ta komentonit këtë qëndrim të Berishës?

Berisha është njëlloj regresist si në pushtet dhe në opozitë. Dhe PD-në tashmë në opozitë e drejton ai dhe jo Basha. Berisha i sotëm me partinë e tij nuk i la kohë Ramës të shprehet në parlament. Vetëm ai njeri nuk ka gojë të kërkojë dorëheqjen e Ramës. Unë mendoj se Berisha po shkon drejt asfiksisë së plotë. Nuk po e kalon dot traumën nga humbja e pallogaritshme që pësoi në 23 qershor të këtij viti dhe me sa shohim e tmerron fakti që Rama ka shumë shanse në dorë për t’i bërë mirë vendit dhe popullit, ka një qasje më moderne, më bashkëkohore dhe demokratike me situatat, me qytetarët, me të ardhmen e vendit.

Gjithsesi, ne e humbëm një shans..

E humbëm, por nuk e kemi humbur perspektivën. Deklarata e Shteteve të Bashkuara pas këtij vendimi për armët kimike ishte mjaft domethënës.(Gazeta Dita)

Basha: Nga viti tjetër, bashkia bashkëfinancuese e Panairit të Librit

0

LulzimBasha6-11Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, vizitoi sot stendat e dhjetëra shtëpive botuese nga mbarë hapësira shqipfolëse që morën pjesë në edicionin e 16-të të Panairit të Librit në Tiranë. Në një prononcim për mediat, kreu i bashkisë premtoi një tjetër nivel angazhimi dhe mbështetjeje të institucionit që drejton, në raport me librin. Konkretisht Basha u dha fjalën botuesve, autorëve dhe organizatorëve të panairit, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i librit, se, “duke filluar nga viti që vjen dhe dekadat në vazhdim, bashkia e kryeqytetit do të jetë bashkëfinancuese e panairit të librit”.

Basha foli edhe për një projekt të bashkisë që “synon përcaktimin e hapësirave të posaçme për hapjen e më shumë librarive në Tiranë, në mënyrë që të nxisë qytetarët të kthejnë sytë nga libri, si forca që çon përpara shoqërinë”, gjë për të cilën tha se, do të kërkonte edhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Një tjetër angazhim i bashkisë, sipas kreut të saj, do të jetë edhe ai “për akordimin nga bashkia të çmimit të madh të letërsisë, pas përzgjedhjes nga një juri me anëtarë nga Shqipëria dhe jashtë saj”.

Zafiri në koalicion me LDK-në në Dragash

0

zafa me LDK dragashBashkimi Demokratik i Zafir Berishës, në balotazhin e 1 dhjetorit, do të mbështes edhe në Dragash, kanidatin e LDK-së, Fatmir Mehmetin. Koalicioni në mes të këtyre dy subjekteve politike dhe Ballit Kombëtar është zyrtarizuar sot në Prizren.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Fatmir Mehmeti,tha se ky koalicion dhe bashkim mbledhë rreth vetes një energji të përbashkët që synim e ka fitoren dhe ndryshimet pozitive në favor të qytetarëve të komunës së Dragashit, transmeton TV Prizreni.

Në aktin e nëshkrimit të kësaj marrëveshje në Prizren, të pranishëm kanë qenë kryetari i LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu dhe ai i BD-së, Zafir Berisha.

Kryeziu dhe Berisha janë shprehur të bindur se koalicioni i arritur në Prizren dhe në Dragash, do të reflektojë pozitivisht në garën e balotazhit në këto dy komuna./PrizrenPress.com/

 

 

Pjesëmarrja në votime deri në ora 15, 16.39 për qind

0

KQZ-valdetedakaKryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka theksuar se pjesëmarrja në votime e qytetarëve në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, deri në orën 15:00 është 16.39 për qind.

“Duke u bazuar në raportin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, dalja e votuesve, deri në orën 15, në tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës veriore është 16.39 për qind, ose 3 831 votues nga të gjithë votuesit e këtyre tri qendrave në komunën e Mitrovicës së veriut”, ka bërë të ditur Daka.

Daka ka theksuar se deri në orën 12:00 nuk ka pasur raportime për ndonjë parregullsi që do ta lëndonte procesin zgjedhor.

Një rrëfim për mëkatin pa pendesë

0

NaforaShtatë pamje poetike

“Nafora” është libri i poetit dhe kritikut letrar Flamur Maloku, që është një rrëfim për mëkatin e bërë nga “, njeriu i perëndisë”, mëkat i bërë nga nevoja shpirtërore dhe trupore e për të cilin mëkat nuk ka pendesë, por dëshirë dhe pasion që të përsëritet edhe më po të kishte mundësi dhe rast tjetër.

Libri është i realizuar në shtatë pamje, apo “Meditime”, siç i ka titulluar autori, ku në secilën pamje flet njeriu i perëndisë për mëkatin e bërë e që s’do t’i falet në amshim. Megjithatë ai nuk pendohet për këtë vepër të kryer, për këtë mëkat, por flet e rrëfen me guxim, madje edhe me krenari për atë që ka bërë, për veprën e tij të yshtur nga ndjenja idilike të ndezura që me kohë. Faji mbetet i pa pranuar, mbetet në harresë karshi kënaqësisë së përjetuar nga përjetuesi i kënaqësive trupore e shpirtërore, por edhe momentale, të shtytura nga epshet e dashuria si nevojë për të arritur atë që ndjenjte thellë në shpirt, e që i nevojitej pashmangshëm.

Fabula e librit paraqet një rrëfim interesant, erë i kthyer mbrapa në kohë e erë i rrëfyer në kohën e tashme, që sinkronizon një rrëfim sa interesant po aq edhe tërheqës për lexuesit, sepse trajton një temë që rrallë herë mund të haset në letërsinë tonë bashkëkohore. Mënyra e rrëfimit tërheqë kërshërinë e lexuesit, që sa më shumë të lexohet, aq më tellë futet lexuesi në të, duke bërë që ede përjetimi të bëhet sa më real.

Paraqitet realja, apo thjeshtë, imagjinata që mund të ketë lexuesi gjatë leximit shndërrohet në pamje reale, duke parë përpëlitjen, shpesh edhe çirrjen e mëkatarit që ta bëjë mëkatin me aq dëshirë, vullnet dhe pasion sikur herën e parë, e ndoshta edhe më me zjarr dashuror. Andaj edhe rrëfimi vije si nevojë shpirtërore për atë që nuk ishte përsëritur më, për atë që nuk e kishte takuar dhe parë më kurrë, duke u egërsuar shpirti i trazuar dhe i vetmuar, nga mungesa e të dashurës që e kishte dashur me të vërtetë.

Rrëfim i tensionuar

“Nafora” përfaqëson një mënyrë të re të rrëfimit, bashkë me cilësitë letrare dhe artistike të një libri të punuar në mënyrë të precizuar mjeshtërore, dhe i përpunuar në atë mënyrë që jo vetëm se është i lehtë dhe i kapshëm për lexim, i tensionuar nga emocionet, por bënë që gjatë leximit të të fus thellë në botën e tij dhe të ngjall dëshirën të mos ketë fund, apo të zgjas sa më shumë, në mënyrë që përjetimet të jenë sa më të qarta dhe më të mëdha. Ngjallë dëshirën të kishte pamje më të shumta, imazhe dhe skena intime më të shumta, ani pse nuk është i mangët në këtë drejtim.

Nga goja e emermitit, përmes narratorit, shprehet vaji për atë që kishte kaluar në mëkat. Madje ai qan dhe vajton të dashurën e tij, sikurse veten, për mëkatin e bërë, duke shfryrë mllefin për ata që ia kanë marrur dhe nuk e sheh më me sy, nuk e takon dhe nuk mundet më ta ndjejë kënaqësinë që kishin përjetuar larg në vendin ku vetëm Qielli ka mundur të shoh aktin mëkatar.
Shikuar në tërësi, “Nafora” është e ndërtuar mirë mbi një rend poetik, ku vepra merr një vijë të rregullt të rrëfimit kronologjik dhe pasurohet me fugura për të trajtuar temën e zgjedhur në mënyrën më të përsosur artistikisht./Esat Vatovci-Zeri/

Kosova dhe Bashkimi Evropian

0

Faik MiftariFaik Miftari

Për Bashkimin Evropian kohëve të fundit shkruhet, flitet, debatohet, bisedohet me të madhe në opinionin publik kosovar e më gjerë, e sidomos pas arritjes së marrëveshjes Thaçi-Daçiç me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, pas së cilës Serbisë iu pranua e drejta për kandidat për të nisur bisedimet për anëtarësim, ndërsa Kosovës e drejta për të nisë bisedimet për marrëveshjen për stabilizim-asocim në Bashkimin Evropian.

Bashkimi Evropian, përbëhet prej 28 shteteve, në mesin e të cilave edhe Sllovenia, Kroacia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania, ndërsa nga Ballkani kanë mbetur edhe gjashtë shtete akoma të pa anëtarësuara: Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, të cilat janë në fazat e ndryshme drejt anëtarësimit, prej kandidatit për stabilizim-asocim e gjer në kandidatin anëtar për pranim në Bashkimin Evropian.

Në këtë qasje do të ndalem në disa karakteristika apo tipare të Bashkimit Evropian, historinë, lindjen, rëndësinë, kriteret, organizimi, funksionimi si një organizatë gjithëpërfshirëse dhe plotfuqishme e integrimeve evropiane.

Zanafilla për integrime evropiane apo aleancës evropiane daton qysh nga Mesjeta, në fillim nga ideja pas dështimit të kryqëzatave për pushtimin e Jerusalemit në vitet 1187 dhe 1291, e më vonë edhe pas pushtimit të Konstantinopojës (Stambollit) nga Perandoria Osmane në vitin 1453. I pari që e ka proklamuar këtë ide ishte Pierre Dubois. Më tej kanë vazhduar Dante Aligeri, Papa Pio i II-të, Georg Podiebrad, William Penn, Emanuel Kant, Viktor Hygo, Aristide Briand, Graf Richard, e gjer te Winston Churchill i cili më 19 shtator 1946, në fjalimin e tij historik që mbajti në Universitetin e Cyrihut, inicioi themelimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës.

Historia e formimit të Bashkimit Evropian të sotëm, daton nga themelimi i Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, qëllimi i së cilës ishte që të frenohet prodhimi gjerman i thëngjillit dhe çelikut, i cili për atë kohë kishte një domethënie të madhe ushtarake dhe ekonomike, si dhe për ta vënë nën kontrollin ndërkombëtar Gjermaninë. Me iniciativën e ministrit francez të Punëve të Jashtme, Robert Schuman, i cili ishte i pari që paraqiti në opinionin publik kombëtar dhe evropian konceptin për themelimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, dhe pas bisedimeve dhe konsultimeve njëvjeçare, Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu më 18 prill 1951 në Paris nënshkruan Kontratën mbi themelimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, e cila hyri në fuqi me 23 korrik 1952 dhe njihet ndryshe edhe si Kontrata e Parisit.

Bashkimi Evropian është një organizatë ndërkombëtare e përbërë prej 28 shteteve anëtare që funksionon në bazë të principit mbinacional, që do të thotë në mënyrë të pavarur nga vullneti i shteteve anëtare të tyre, të cilat ia kanë bartur një pjesë të kompetencave të tyre, e ushtron pushtet politik dhe juridik. Mund të thuhet se Bashkimi Evropian ka premisa federative, por se i mungojnë atributet e shtetit, pasi që nuk ka një Kushtetutë dhe nuk mund të themi që kemi të bëjmë me Shtetet e Bashkuara të Evropës. Bashkimi Evropian është një subjekt juridik i llojit të vet ”sui generis”, është një lidhje e shteteve të veçanta, me një rend juridik që nuk është e njohur gjer tani në drejtën ndërkombëtare.

Organet kryesore politike të Bashkimit Evropian janë: Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, Këshilli i Bashkësisë Evropiane, Komisioni Evropian, si dhe Gjykata e Lartë Evropiane, të cilat organe në një apo formë tjetër ushtrojnë rolin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Parlamenti Evropian është i vetmi organ i Bashkimit Evropian i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, po njëkohësisht edhe i vetmi institucion mbinacional në botë që zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Parlamenti Evropian përbëhet nga përfaqësuesit e popujve të shteteve anëtare që rrjedhimisht edhe i përfaqësojnë popujt anëtarë të BE-së. Deputetët e Parlamentit Evropian zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e drejtpërdrejta për Parlamentin Evropian, të cilat mbahen çdo pesë vjet, sa edhe zgjat periudha legjislative. Numri i tanishëm i deputetëve të Parlamentit Evropian është 754. Përfaqësimi në të bëhet në mënyrë degresive proporcionale, ku një shtet anëtar i Bashkësisë Evropiane përfaqësohet me më së paku gjashtë deputetë, apo me më së shumti 96 deputetë në Parlamentin Evropian. Parlamenti Evropian, së bashku me Këshillin e Bashkimit Evropian, ushtrojnë pushtetin legjislativ. Kompetencat e Parlamentit Evropian ndahen në pesë lëmi të ndryshme: kompetencat legjislative, buxhetore, kontrollit politik, funksionit këshillëdhënës, si dhe pjesëmarrjen e tij në zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Evropian.

Këshilli Evropian është organ i Bashkimit Evropian i cili përbëhet vetëm nga kryetarët e shteteve apo kryeministrave të qeverive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian, ndërsa në punimet e saja merr pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Këshilli Evropian definon prioritetet, objektivat dhe qëllimet e përgjithshme politike, si dhe arritjen e konsensusit lidhur me çështjet madhore politike për të cilët shpesh Këshilli i Bashkimit Evropian nuk arrin të gjejë kompromis. Këshilli Evropian zgjedh Presidentin e Këshillit Evropian me shumicë votash për një mandat prej dy vite e gjysmë, i cili mundet të rizgjidhet vetëm edhe njëherë. Këshilli Evropian njashtu i propozon Parlamentit Evropian një kandidat për Presidentin e Komisionit Evropian i cili zgjidhet me shumicë votash në Parlamentin Evropian. Këshilli Evropian emëron edhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për siguri dhe politikë të jashtme i cili miratohet nga Presidenti i Komisionit Evropian.

Këshilli i Bashkimit Evropian është organ i Bashkimit Evropian i cili përbëhet nga ministrat e shteteve anëtare të saj. Kryesimi i Këshillit bëhet me radhë nga shtetet anëtare dhe ndërrohet çdo gjashtë muaj. Këshilli i Bashkimit Evropian së bashku me Parlamentin Evropian vepron si një organ ligjdhënës dhe ushtron së bashku edhe kompetencat buxhetore. Ai përcakton interesat strategjike, si dhe vijën politike të sigurisë dhe të politikës së jashtme, me qëllim të arritjes së qëllimeve të përcaktuara të Këshillit të Bashkimit Evropian. Këshilli i Bashkimit Evropian merr vendimin për pranimin e shteteve të reja anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe është kompetent për lidhjen e marrëveshjeve me shtetet tjera apo me organizata ndërkombëtare.

Komisioni Evropian është organ i Bashkimit Evropian, i cili përbëhet nga një anëtar i shteteve anëtare të BE-së, si dhe nga Presidenti i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë. Anëtarët e Komisionit Evropian zgjidhen nga Këshilli Evropian me pajtim të Presidentit të Komisionit Evropian nga propozimet e shteteve anëtare me një mandat pesëvjeçar, ndërsa Presidentin e Komisionit Evropian e zgjedh Parlamenti Evropian me propozim të Këshillit të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka monopolin e iniciativës legjislative lidhur me nxjerrjen e akteve juridike të Bashkimit Evropian. Parimisht, një akt normativ mund të nxirret vetëm me propozimin e Komisionit Evropian, i cili në mënyrë autonome merr vendimet e saja. Komisioni Evropian ka për detyrë të kontrollojë zbatimin e kontratave themeluese nga ana e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjykata e Lartë Evropiane përbëhet nga një gjyqtar nga çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian, si dhe nga tetë avokatët e përgjithshëm. Gjyqtarët dhe avokatët emërohen nga qeveritë e shteteve anëtare me marrëveshje të përbashkët. Mandati tyre është gjashtëvjeçar. Gjyqtarët nga radha e tyre zgjedhin Presidentin e Gjykatës së Lartë Evropiane me mandat trevjeçar i cili mund të rizgjidhet edhe për një mandat. Gjykata e Larë Evropiane ka për detyrë të sigurojë respektimin e së drejtës në interpretimin dhe zbatimin e kontratave themeluese nga ana e institucioneve legjislative dhe ekzekutive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjykata e Lartë Evropiane e luan rolin e një Gjykate Kushtetuese Evropiane e cila përfshin veprimin e shteteve anëtare, veprimin ose mos veprimin e organeve të Bashkimit Evropian si dhe një varg çështjesh tjera nga kompetencat e saja të përcaktuara.

Kosovën e pret një rrugë e gjatë me plot mundime dhe detyra të shumta për të aderuar në Bashkimin Evropian, pasi që kjo nuk mund të mbetet një oazë e veçuar në Ballkan. Por, para se të nisen negociatat për pranimin e saj në Bashkimin Evropian, një prej barrierave më të rënda që e ka para vetes, është mosnjohja e pavarësisë së saj nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian (Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia), për momentin, dhe se pa e kapërcyer këtë barrierë e ka të pamundur të nis këtë udhëtim të gjatë drejt Bashkimit Evropian. E pas kapërcimit të kësaj pengese, atëherë ka me qenë më lehtë, edhe pse e presin shumë punë për të plotësuar kriteret politike, ekonomike dhe juridike me Traktatin e Lisbonës, dhe përmbushja një nga një e 35 kapitujve të parapara, e cila do të merr shumë kohë, pasi për Kroacinë kanë qenë të nevojshme plot 10 vite. Vështirë që Kosova me kapacitetet e saja që i posedon, duke marrë parasysh se vetëm pesë vite kanë kaluar nga shpallja e pavarësisë së saj, dhe se akoma nuk e ka përfunduar në aspektin ndërkombëtar të së drejtës ndërkombëtare kompletimin e shtetësisë së saj, vështirë do të mund t’i përmbush këto kushte të parapara për pranim në Bashkimin Evropian.

Sido që të jetë, Kosova duhet maksimalisht që prej tani, pasi në dhjetor do të nisin negociatat për stabilizim dhe asociim në Bashkimin Evropian, t’i përvjelë mangët me të gjitha kapacitetet e saja politike, shtetërore, strukturale, ekonomike, organizative dhe me një seriozitet maksimal të punojë ditë e natë që të plotësojë të gjitha parakushtet qe e presin në zigzagen e gjatë kohore drejt Bashkimit Evropian. Parakusht i parë që e pret është plotësimi i të gjitha kritereve për të përmbushur të gjitha obligimet të parapara për liberalizimin e vizave, për të mundësuar që edhe kosovarët të mund të udhëtojnë lirshëm dhe pa viza në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian të zonës Shengen.

Ndoshta Kosova mund të shpresojë se udhëtimi i gjatë i saj në një nga vitet e ardhshme do të mund të shkurtohej, në rast se eventualisht Bashkimi Evropian arrin konsensusin e plotë të pranimit në pako të këtyre gjashtë shteteve të mbetura të Ballkanit Perëndimor (Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova), e që paraqet një oazë të mbetur rreth e përqark e kufizuar me Bashkimin Evropian

Gjer atëherë të shpresojmë të kemi shëndet e jetë dhe sukses të mbarë drejt realizimit të aspiratave të shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.