12 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026
Home Blog Page 8927

“Xhemati i Xhihadit” kërcënon me sulme Policinë e Kosovës

0

Policia e KosovesNjë komunikatë kërcënuese është lëshuar nga i ashtuquajturi “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë”. Me këtë komunikatë është kërcënuar Policia e Kosovës se nëse nuk i liron gjashtë të arrestuarit, do të përballet me “sulme të dhimbshme”. Policia e Kosovës është njoftuar për këtë komunikatë dhe është duke e analizuar shkallën e seriozitetit të saj.

Komunikata e lëshuar nga adresa [email protected], thotë: Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë paralajmëron Policinë Terroriste të Kosovës, se në qoftë se nuk i liron Vëllezërit tanë të dashur sa më parë, do të përballen me sulme të tmerrshme dhe të dhimbshme.

“Padyshim, ne kemi burra të cilët e duan vdekjen më shumë se sa ju jetën e kësaj bote. Është ushtria e Allahut e cila do të triumfoj dhe ajo e Brankoviqit e cila do të mbytet në gjakun e tyre.

Allahu i lartësuar thotë: Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi. Surja Ahzab, Ajeti 23. Ata që besuan luftojnë në rrugë të Allahut, e ata që nuk besuan luftojnë në rrugë të djallëzuar. Luftoni pra miqtë e djallit, s’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët. Surja Nisa, Ajeti 76. Dhe falënderimi i takon Allahut zotit të botrave. Batalioni i Mediave. Komandant Muxhahidi”, përfundon komunikata, dërguar sot medieve me rrugë elektronike.

Serbia mund t’ia kontestojë Kosovës “përjetësisht” sovranitetin

0

CivilProtectionKosovës do t’i kontestohet sovraniteti dhe funksionaliteti i brendshëm i shtetit prej Serbisë nëse shtetet perëndimore nuk i bëjnë presion Qeverisë serbe që ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës, thuhet në dokumentin “Ende të papërfunduar: Kosova dhe Marrëveshja Prishtinë-Beograd”, të grupit të pavarur të mendimit, “Democratization Polcy Council” (Këshilli i Politikave për Demokratizim”), shkruan Koha Ditore.

Serbia dhe Kosova kanë arritur në prill të këtij viti marrëveshje me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e mardhënieve, megjithëse Beogradi nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, shkruan kjo gazetë.

“Këshilli i Politikave për Demokratizim” vlerëson se zhvillimet në terren pas marrëveshjes së ndërmjetësuar prej Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, paralajmëron se procesi ka arritur në pikën, në të cilën kërcënon funksionalitetin e fituar me vështirësi të shtetit të Kosovës, integrimit paqësor të shumicës së serbëve të Kosovës, si dhe “vazhdimin në përjetësi të mosmarrëveshjeve me Serbinë mbi statusin”.

Përfaqësues të bizneseve: Premtimet e fushatës të momentit

0

90127509PS025_GER_Plac.JPGPërfaqësues të bizneseve dhe ekspertë nuk shprehen të kënaqur me premtimet elektorale gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. Sipas tyre nuk ka një strategji reale të zhvillimit ekonomik, por vetëm premtime të momentit.

Partitë politike premtuan shumë gjatë fushatës zgjedhore në fushën e zhvillimit ekonomik, por pak prej tyre kanë arritur të jenë të besueshme. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini e thotë këtë duke u nisur nga përvoja.

“E them këtë për arsye se shumë biznese kanë pritur më shumë dhe janë në pritje të vazhdueshme që partitë politike të realizojnë atë që e premtojnë gjatë fushatave elektorale nga viti 2000 e këtej”, transmeton RTK.

Kreu i AKB-së Shahini, thotë se partitë politike qëllimin primar e kanë pushtetin, e jo të zhvillojnë shtetin. “Ata kanë dhënë atë për strategjitë e tyre, projekte ad hoc, por një strategji zhvillimore për Kosovën ende mungon nga të gjitha partitë dhe derisa mungon ne nuk mund të dimë se kah do të na qoj orientimi i zhvillimit, i konkurrencës i bizneseve dhe ekonomisë kosovare”.

Eksperti Nagip Skenderi ndërkaq, thotë se premtimet kishin për qëllim përfitimet në aspektin e marketingut politik, se sa që ishin reale në aspektin e realizimit.

“Në aspektin e përmbushjes së premtimeve nuk mund të qëndrojnë sepse GDP, përkatësisht Bruto Produkti i Brendshëm, krahasuar me atë që premtohet dhe atë që është një ekonomi reale nuk mund ti përmbushë këto obligime dhe këto dëshira që politikanët i kanë shprehur gjatë fushatës”.

Profesor Skenderi njëherit thotë se komunat në realitet vështirë e kanë zhvillimin në mënyrë të pavarur nga niveli qendror:

“Asnjë komunë apo asnjë pushtet lokal nuk mund të qëndrojë në këmbë të veta duke u nisur nga të hyrat vetanake që i ka si komunë apo si pushtet lokal. Dhe në këtë kontekst është direkt i varur prej subvencioneve, gjegjësisht prej dhënieve që pushteti qendror i ndan për pushtetet lokale”.

Prandaj, siç thotë eksperti Nagip Skenderi, premtimet më të mëdha janë bërë nga ata të cilët kanë pushtetin qendror apo nga ata të cilët mëtojnë të marrin pushtetin qendror.

Vullin: Së shpejti emrat e përgjegjësve për incidentet në veri

0

AleksandarVullinMinistri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Alleksandar Vullin, ka thënë se në ditët e ardhshme do të shpallen emrat e personave që kanë shkaktuar incidente gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Pas takimit të Byrosë për koordinimin e shërbimit të sigurisë janë ndërmarrë masa konkrete dhe në ditët e ardhshme, gjithsesi para rrethit të dytë të zgjedhjeve, do të mësoni emrat e atyre njerëzve që kanë bërë atë çfarë kanë bërë”, ka thënë Vullin për mediat serbe, transmeton REL.

Më 3 nëntor, procesi zgjedhor është ndërprerë në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës, pasi persona të maskuar kanë hyrë në vendvotime dhe kanë demoluar gjithçka.

Votimi në këto tri qendra do të përsëritet më 17 nëntor.

Vullin ka hedhur poshtë akuzat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, se fajtorë për incidentet në veri janë pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në atë pjesë të vendit.

Shpellat, një tjetër atraksion turistik i Pejës

0

Shpallat-PejePo natyrës së bukur, shtigjeve dhe ujëvarave, një tjetër atraksion po i shtohet ofertës për turistët në Komunën e Pejës. Rajoni përgjatë Bjeshkëve të Nemuna është përplot me shkëmbinj që ofrojnë pamje magjike të përthyerjeve dhe rënieve të tyre, si në Grykë të Rugovës, me strehë, rënie dhe forma që tërheqin me të veçantën e tyre.

Shtigje të shumta malore janë ndërtuar faqes së shkëmbinjve dhe përgjatë brinjave malore, që ofrojnë deri tek një ujëvarë, te një shpellë apo tek një kep në majën e një mali. Shtegu i fundit ditë më parë është përuruar në bashkëpunim me donatorët italianë nga zona e Trentinos dhe shtrihet përgjatë shkëmbit te Shpella e mbretëreshës në hyrje të Grykës në kilometrin e tretë.

Ai përbehet nga shufra çeliku dhe shkalla të krijuara nga hekuri në shkëmb, dhe u mundëson alpinistëve dhe atyre që s’janë gjithaq profesionistë, të ngjitën përgjatë shkëmbit afër Shpellës, që gjithnjë ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve pranë rrugës me formën e saj.

Janë dhjetëra shpella përgjatë vendeve të ndryshme të Komunës së Pejës, nga të cilat një pjesë e mirë ndodhen fare rrugëve dhe qendrave urbane. Ato po tërheqin vëmendjen gjithnjë e më shumë të vizitorëve që janë të interesuar në turizmin e të veçantës, të egrës dhe të paeksploruarës. Dy nga to tashmë janë pjesë e hartës turistike të Pejës, dhe ndodhen në dy pika mjaft të vizituara, Shpella e madhe dhe Shpella e Radavcit. Të dyja ndodhen pranë atraksioneve të vizituara, e para në Grykë të Rugovës, e dyta pranë Burimit të Drinit.

Fatos Katallozi, koordinator i shoqatës së spelologëve kosovarë thotë se këto dy shpella mund të jenë të parat që mund të vihen në shërbim të vizitorëve, pasi edhe janë afër, edhe janë pothuaj të gatshme.

“Kjo shpellë ka potencial për t’u shndërruar në një atraksion turistik. Terreni i Shpellës së Radavcit, por edhe vendndodhja e saj pranë Burimit të Drinit të Bardhë, e bëjnë atë më të mundshme se potencial turistik, në krahasim me shpellën e Rugovës që është më e vështirë”, thotë Katallozi, duke shpjeguar se është eksplortuar kjo shpellë disa herë deri në thellësi. Ajo ndodhet rreth 200 metra nga Burimi i Drinit, shkruan Zëri.

Komuna së fundmi ka shtruar një shteg pranë burimit që lehtëson rrugën dhe e nxjerr në pah shpellën, dikur të mbuluar dhe të padukshme. Hyrje e ngushtë e saj përbrenda hapet në galeri që vazhdojnë në thellësi disa kilometrash.

Për dallim nga shpella e Radacit, Shpella e Madhe në kilometrin e tetë nga Peja në drejtim të Rugovës, është më e egër, kursi hulumtimi i saj ka filluar për herë të parë vetëm para katër vjetësh. Hyrja në të bëhet vetëm në shoqërimin e guidës.

Gjatë verës ajo është eksploruar nga zhytës polakë, që për herë të parë kanë arritur ta kalojnë sifonin e dytë të përberë nga një liqene nënujore me dhjetëra metra thellësi, duke deri në nëntë kilometra thellësi të shpellës, që sipas matjes duhet të ketë rreth 13 kilometra thellësi. Dominik Graçnik, zhytës polak, është zhytur 45 metra në thellësi në ujin e shpellës, ndërsa gjatë muajit gusht ka lëvizur me pajisjet e zhytësve në gjatësi prej mbi 80 metra në liqenin prej rreth 270 metra dhe e ka përshkruar këtë si një ndjenjë të veçantë, pluskimin në ujin e kristaltë në një hapësirë nënujore.

Virtyt Morina, nga Zyra e turizmit në Pejë thotë se ka mjaft interesim nga vizitorët për shpellat, ndërsa Zyra e turizmit ka përgatitur guidat e duhura për vizitorët. Oferta e Komunës pritet që plotësohet edhe me shtigje e hyrje të tjera, që s’janë të pakta, në zonën që po synon të jetë një destinacion turistik për ata që kanë interesim, ku në radhë të parë hyjnë turistët nga Evropa Qendrore dhe Italia, që kanë një interesim bazuar në një traditë më të gjatë të eksplorimit të shpellave.

Nadehet nga jeta Prof.dr.Sehadete Mekuli

0

SehadeteMekuli-mjekeËshtë ndarë nga jeta Prof.dr.Sehadete Mekuli, njëra nga intelektualet dhe mjekja e parë shqiptare, profesore e Fakultetit të Mjekësisë që në orët e para të fillimit të punës së tij, një gjinekologe e përmendur edhe jashtë Kosovës. Ajo vdiq në Prishtinë pas një sëmundje të gjatë, raporton Koha.

Prof.dr.Sehadete Doko Mekuli, mjeke-gjinekologe e parë shqiptare, shkencëtare e pedagoge, u lind më 16 tetor 1928 në Ohër, Maqedoni. Maturoi në vitin 1947 në Ohër. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup më 7 janar 1954. Gjatë studimeve ka punuar si demonstrator në anatomi, fiziologji, anatomi patologjike dhe mjekësi ligjore. Prej 1 prillit 1954 punoi si mjeke në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë, në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, i cili përbëhej prej vetëm tri dhomave dhe një salle të gjinekologjia dhe obstetrika dispononin me kushte më të volitshme – 70 shtretër, një salle të lindjes dhe një të operacionit. Dr.S.Mekuli specializimin nga gjinekologjia dhe akusheria e kreu në mars të vitit 1960 në Beograd. Prej 1960 deri në fund të vitit 1962 ishte Kryeshef i Repartit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Prishtinë.. Më 1963 për shkaqe politike e lëshon spitalin dhe bëhet shef i Dispanserisë së sapoformuar të grave në Shtëpinë e Shëndetit në Prishtinë. Në janar të vitit 1968, me krijimin e rrethanave më të volitshme për shqiptarët, rikthehet në vendin e kryeshefit të Repartit Gjinekologjik dhe Akusherik në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë. Krahas punës me pacientët, nënat dhe fëmijët, angazhohet për pranimin e kuadrove të reja mjekësore, avansimin e tyre profesional dhe shkencor, krijimin e kushteve gjithnjë e më të mira për mbrojtjen shëndetësore të grave dhe fëmijëve. Po ashtu organizon një sërë ligjeratash nëpër shkolla dhe konvikte studentesh dedikuar edukimit shëndetësor të vajzave. Pas themelimit të Universitetit në Prishtinë dhe hapjes së Fakultetit të Mjekësisë zgjedhet primarius (më 1970), pastaj ligjërues në lendën gjinekologji-akusheri (1972). Pas mbrojtjes së tezës së doktoranturës në Universitetin e Beogradit (1973) merr thirrjen docent (1974), kurse dy vjet më vonë avansohet në profesor universitar. Së bashku me kolegët e tjerë merr pjesë në themelimin e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës dhe angazhohet për botimin e revistës profesionale-shkencore “Praxis medica”. Më 1974 themelon Seksionin e Gjinekologëve dhe Obstetrikëve pranë Shoqatës së Mjekëve të Kosovës, të cilin e udhëheq deri më 1981. Prej vitit 1972 është drejtoreshë e Klinikës Gjinekologjike-Akusherike të sapoformuar të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe Shef i Katedrës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës. Edhe pse ishte i vetmi ligjerues në gjuhën shqipe të asaj katedre deri në fund të viteve të 70-ta, me sukses organizon ligjeratat, ushtrimet, provimet dhe detyrat e tjera pedagogjike. Krahas kësaj, ajo vazhdimisht punon në krijimin e kuadrove të reja profesionalo-shkencore, zgjeron dhe krijon shërbimet në Klinikë, merr pjesë në kongrese dhe takime të shumta profesionale në vend dhe jashtë. Në vitin 1975 inicon dhe udhëheq ndërtimin e objektit të ri për Klinikën Gjinekologjike-Akusherike në Prishtinë. Objekti është përfunduar në vitin 1981 dhe është vlerësuar si njëri prej objekteve më të mira dhe më bashkëkohore në ish-Jugosllavi, me 450 shtretër për gra, sallat për operacione dhe lindje, laboratoret me pajisje moderne e tj., ku punonin 55 mjekë dhe 250 punëtorë të tjerë shëndetësorë. Mbrenda ditës këtu do te lindin 20-40 fëmijë dhe do të arrihet që vdekshmëria e grave dhe të porsalindurve të zvogëlohet dukshëm. Kontributi i Prof.dr.Sehadete Mekuli është i madh edhe në domenin e shkencave mjekësore. Në bibliografinë e saj shkencore rradhiten mbi 31 studime e punime me interes shkencor, duke filluar nga ai mbi hulumtimet e para epidemiologjike të kancerit të mitrës (1965) e deri te barrët e shumëfishta (1980). Vend të posaçëm zë hulumtimi i shkaqeve dhe pasojave të toksoplazmozës në fertilitet dhe në gjendje gjinekologjike , që ishte edhe temë disertacioni.

Viti 1981 është viti i vlimeve të mëdha politike në Kosovë, të kërkesës së popullates shqiptare për barazi politike. Prof.dr..S.Mekuli akuzohet për përkrahjen e kërkesave të demonstruesve, largohet prej të gjitha posteve udhëheqëse në Klinikë dhe deri në pensionimin e detyruar më 1988 vazhdon punën si mjek i thjeshtë i repartit. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe privimit të shqiptarëve nga gati të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive, pason, përpos tjerash, edhe dëbimi i të gjithë punëtorëve shëndetësorë shqiptarë nga Klinika Gjinekologjiko-Obstetrike. Në kushte të krijuara politike, ekonomike dhe shëndetësore, në korrik të vitit 1996, nën udhëheqjen e Prof.dr.Sehadete Mekulit, hapet Shërbimi Gjinekologjik dhe Materniteti pranë Shoqatës Humanitare Bëmirëse “Nena Terezë”, ku angazhohen mjekë gjinekologë nga mbarë Kosova dhe ku u mundësohej femrave ndihma adekuate mjekësore.

Gjatë kohës së ekzodit masiv të populates shqiptare nga të gjitha trojet kosovare në kohën e bombardimeve të NATO, Dr.Mekuli vendos që të qëndrojë në Prishtinë. Më 28 prill 1998 torturohet rëndë nga paramilitarët serbë, sulmin e të cilëve arrinë të mbijetojë.

Prof.dr. S.Mekuli është nënë e dy fëmijëve.

Shpresa për Prizrenin

0

Eqrem KryeziuuEqrem Kryeziut i është rikthyer shpresa për përmbysjen e rezultatit zgjedhor në Prizren, ku ai po përballet në një garë të fortë me rivalin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës.

Besimin për fitore ish Kryetari i  dikurshëm i Prizrenit, mbase, e mbështet në Zafir Berishën, për të cilin u raportua se ka refuzuar ofertën e PDK’së – që i kishte ofruar atij mundësinë për ta ndarë bashkë pushtetit në këmbim të mbështetjes për kandidatin e saj, Ramadan Muja.

Refuzimi i mundshëm i PDK’së shihet si shenjë e një koalicioni eventual mes Zafir Berishës dhe partisë së tij – Bashkimi Demokratik me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ta mbështetur Kandidaturën e Eqrem Kryeziun për Kryetar të Prizrenit, në balotazhin e 1 dhjetorit.

Por, tash për tash, Eqrem Kryeziu thotë se nuk ka një marrëveshje mes tij e Zafir Berishës.

Në një deklaratë për lajmi.net, Kryeziu thotë se arritja e marrëveshjes së koalicionit me partinë e Berishës do të ishte një gjë e mirë.

“Pa dyshim kjo do të ishte një gjë e mirë”.

“Por, ende nuk ka asgjë përfundimtare”.

Kryeziu thotë se para raundit të parë të zgjedhjeve në Prizren u krijua një bllok kundër tij, një koalicion i 6-7 partive, por që sipas tij, rezultati zgjedhor tregoi se ai nuk ishte koaliconi i duhur.

Tani Eqrem Kryeziu thotë se është radha e tij.

“Këtu u bënë 7 parti kundër meje, por PDK doli me 8 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara”.

“Tani është radha jonë për koalicion. Të mos dukemi që po flasim si adoleshentë, por gjasat janë që kësaj radhe të fitojmë ne”.

Kryeziu thotë se për LDK’në është i mirëseardhur koalicioni me Zafir Berishën.

“Është shumë i mirëseardhur për LDK’në koalicioni me Bashkimin Demokratik“.

“Oferta jonë ka qenë deri në atë pikë sa mos të prishet balanca e forcave politike që përbëjnë  qeverinë“.

“Z. Berisha është pajtuar me qasjen time”.

Ndryshe Zafir Berisha mori në raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të këtij qyteti 8.281 vota, ose 12,88 për qind, duke u bërë kështu faktor i rëndësishëm i garës së balotazhit. .

Në raundin e parë, sipas rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ’ja, Ramadan Muja ka marrë 23.761 vota, ose 36.95 për qind, ndërsa Eqrem Kryeziu ka marrë 16.335 vota, ose 25,40 për qind.

Mbështetja e Zafir Berishës për cilindo kandidat mund të jetë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e fituesit.

Vriten dy anëtarë të rok-grupit iranian “Yellow Dogs”

0

75867Policia në Nju Jork ka bërë të ditur se dy anëtarë të grupit iranian “Yellow Dogs” dhe një muzikant tjetër janë qëlluar për vdekje nga një tjetër muzikant iranian, i cili më pas ka vrarë veten. Në dhunën e së hënës është plagosur edhe anëtari i tretë i rok-grupit.

Të pesë burrat e përfshirë në incident kanë qenë shtetas iranianë dhe kanë jetuar në SHBA. Të shtënat kanë ndodhur në lagjen Bruklin të Nju Jorkut.

Menaxheri i grupit “Yellow Dogs”, Ali Salehzades, ka thënë se sulmuesi i dyshuar, Ali Akbar Mohammadi Rafie, është përjashtuar nga një tjetër bend iranian dhe nuk ka pasur marrëdhënie miqësore me “Yellow Dogs”. Muzikantët e vrarë të grupit kanë qenë vëllezërit Arash dhe Soroush Farazmand.

Grupi “Yellow Dogs” është formuar në Iran, por është zhvendosur në SHBA për të ndjekur muzikën.

Sot vazhdon gjykimi i Mujës

0

Ramadan MujaNë  Gjykatën Themelore të Prizrenit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Komunës, Ramadan Muja dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij. Seanca gjyqësore fillon në ora 10:00.

Në këtë senacë parashihet që të lexohet deklarata e Ragip  Gajrakut dhe Hezer Dujes, të cilët për shkak gjendjes shëndetësore nuk mund të paraqiten në gjykatë.

Një prokuror i EULEX-it, akuzon kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin – drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare./PrizrenPress.com/

PDK-ja në Prizren, thërret mbledhje të jashtëzakonshme

0

PDK-dega PrizrenPartia  Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren, ka thirrur një  mbledhje të jashtëzakonshme me anëtarët e Kryesisë. Mbledhja do të mbahet  sot në ora 8:30 minuta të mëngjesit.

Kryetari i Degës së PDK-së, Minir Krasniqi, në orët e vona të natës,përmes telefonit i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë, që të marrin pjesë në këtë mbledhje  të jashtëzakonshme.

Burimet e “PrizrenPress-it” bëjnë të ditur se mbledhja e jashtëzakonshëm është thirrur pas takimit që lideri PDK-së, Hashim Thaçi ka pasur me kryetarin e BD-së, Zafir Berishën.

Një anëtar i Kryesisë së PDK-së me kusht anonimiteti ka konfirmuar për “PrizrenPress” mbajtejn e mbledhjes së jashtëzakonshme. Ai tregon se në njoftim nuk është saktësuar se cila temë do të diskutohet në këtë mbledhje.

“Ftesën  për  mbledhje e kam marrë, por nuk e di se çka do të bisedohet”, tregon anëtari i Kryesisë së PDK-së. /PrizrenPress.com/