20 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026
Home Blog Page 8926

Jakup Kransiqi shkruan poezi për “miqtë e tij”!

0

JakupKrasniqi-shkruanKryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në profilin e tij në Facebook, “miqve të tij të vjetër”, siç i quan ai, iu ka dedikuar një poezi, autorin e të cilës poezi e lë anonimin.

Poezia e plotë e kryeparlamentarit për “miqtë e tij”:

“Një mik i imi, për “miqtë” e mi të djeshëm ma dërgoi këtë porosi, për pëllumbat që nuk ishin pëllumba. Këtë po e ndaj edhe me ju miqtë e mi të ri.

‘Miqtë’ e mi!

Një kohë besoja
Në besnikërinë tuaj,
Në sofrën time,
E cila tani është tretur diku?!

Pëllumbat sipas traditës,
Janë simbol i urtësisë,
Por shpesh pas ‘pëllumbave’
Janë fshehur plumbat e tradhtisë.

Pëllumbat dikur ishin postier,
Postierët dërgojnë lajme të mira,
Shpesh edhe lajme të liga,
‘Miqtë’ e mi të pa besë?!

(Autorin po e lë anonim)”.

Krasniqi takoi ekspertin amerikan të menaxhimit të artit

0

Krasniqi- MartinVinikMinistri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, priti sot në takim ekspertin amerikan të menaxhimit të artit, Martin Vinik, i cili po qëndron në Kosovë për një seri të ligjëratave mbi atë se si të rritet audienca e festivaleve dhe të organizohen aktivitetet kulturore në mënyrë sa më atraktive për të gjithë.

Ministri Krasniqi, e ka informuar ekspertin amerikan për organizimin institucional kulturor të vendit duke i shpjeguar edhe për jetën kulturore në përgjithësi që organizohet në Kosovë. Ai foli për infrastrukturën ligjore për këtë fushë si dhe për mbështetjen që shteti jep për kulturën. Në këtë kontekst ai përmendi se tashmë me ligj institucionet kulturore janë depolitizuar si dhe është rritur dukshëm buxheti për kulturën. Ministri tha se në Kosovë mungojnë kuadro të menaxhimit të artit. Ai tha se MKRS-ja po punon që të lidhë bashkëpunime me shumë shtete në mënyrë që të përfitojë dhe ngritë kuadro në fushën e artit.

Ministri e falënderoi ekspertin Vinik për shkëmbimin e përvojës dhe dijes së tij me njerëz të kulturës në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të jetës kulturore në vendin tonë.

Ndërkaq, profesori i Universitetit të Kolumbias, Martin Vinik, e falënderoi ministrin për pritjen dhe informacionin që i ka dhënë atij për organizimin kulturor në përgjithësi ku potencoi se menaxhimi i artit kërkon një kujdes dhe tretman të veçantë, ku përfshihet edhe përkrahja institucionale. Ai ka treguar për përvojën e tij dhe modele të menaxhimit të artit, duke shprehur gatishmërinë që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën me eksperiencën e tij. Martin Vinik ka mbajtur ligjëratë në Muzeun Etnologjik. Një të tillë do ta mbajë në Universitetin Amerikan me temën “Biznesi i artit dhe arti i biznesit” si dhe në Prizren në qendrën “Beledije” Vinik do të flasë për “Aktorët në trashëgiminë kulturore”./PrizrenPress.com/

Certifikohen edhe rreth 200 të rinj në fushën e ndërmarrësisë

0

Krasniqi-Certifikohen 200 te rinjRreth 200 të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës u certifikuan sot për kryerjen e trajnimit në fushën e ndërmarrësisë, projekt të cilin e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e që është implementuar nga Novus Consulting.

Trajnimi ka pasur për qëllim edukimin e të rinjve për ndërmarrësi, që kësisoj ata të jenë të gatshëm të marrin nisma të ndryshme për biznese të reja, e po ashtu edhe të kenë aftësinë se si t’i menaxhojnë ato.

Ministri Memli Krasniqi i uroi të rinjtë për trajnim dhe vlerësoi se ky certifikim shënon edhe një hap të rëndësishëm në edukimin profesional të të rinjve dhe përmendi se MKRS-ja në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore ka mbështetur trajnimin edhe të 800 të rinjve tjerë, gjysma në ndërmarrësi dhe gjysma në fusha profesionale.

“Është një lajm tjetër i mirë për ju. Dje është hapur konkursi në Departamentin e Rinisë për mbështetjen e ndërmarrësve të rinj, dhe kjo vlen për të gjithë juve që keni kaluar fazën e trajnimeve në ndërmarrësi dhe ju inkurajoj që të aplikoni për grante në këtë konkurs. Mbështetja do të jetë nga 3000 deri në 4000 € në aspekte të ndryshme biznesi”, tha ministri Krasniqi.

Ai i porositi të rinjtë se certifikatat mos t’u shërbejnë vetëm si pjesë simbolike e CV-së po vërtetë t’i shfrytëzojnë në praktikë njohuritë që i kanë marrë.

Ministri po ashtu përmendi investimet dhe grantet që janë ndarë për rininë dhe për bizneset që kanë ata, për qendrat rinore në qytete të ndryshme në Kosovë, ku theksoi ndërtimin e dy qendrave të reja.

“Do të ndërtojmë në Gjilan një qendër të re rinore dhe shpresojmë se edhe Komuna e Prishtinës të na gjejë një lokacion dhe do na japë leje për ndërtimin e një qendre të tillë në kryeqytet. Projektin dhe buxhetin e kemi të gatshme për këto dy qendra”, veçoi ministri.

Ministri Krasniqi vlerësoi se rinia kurrë më herët nuk ka pasur më shumë fonde e projekte. Kësisoj është vënë në realizim puna dhe përkrahja për këtë burim dhe krenari të vendit tonë të cilën Qeveria e Kosovës e ka si prioritet nacional.

“Të rinjtë pas pavarësimit të Kosovës kanë marrë rol shumë të rëndësishëm në institucione ku me përkushtimin e tyre synojnë të ndërtojnë shtet demokratik dhe të bëhen pjesë e familjes evropiane”, theksoi ministri, ku përmendi edhe sfidat e përgjegjësitë që kemi si shoqëri. Ai tha se është shumë thelbësore që në çdo aspekt të respektojmë diversitetin politik, etnik apo fetar. /PrizrenPress.com/

E finalizojnë koalicionin

0

EqremKryeziu-ZafirBerishaKandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu dhe kryetari i BD-së, Zafir Berisha,nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen e koalicionit. Kryeziu dhe Berisha janë shprehur të sigurt se ky koalicion me 1 dhjetor do të dalë fitues në Prizren. “Me 1 dhjetor të gjithë qytetarët do të festojnë fitoren e ndryshimit”, thanë Kryeziu dhe Berisha.

Kryeziu i LDK-së ka falënderuar Zafir Berishën për gadishmërin që ka shprehur për lidhjen e këtij koalicioni. “Sipas vlerësimeve tona ky koalicion do të jetë për të mirën e qytetarëve dhe të Prizrenit”, tha Kryeziu. Ai tha se shpreson se këtij koalicioni do t’i bashkëngjiten edhe partitë e tjera politike.

Kryetari i BD-së, Zafir Berisha tha ndërkaq se ky koalicion do të ndryshojë gjendjen e keqe në Prizren. “Komforë votës së qytetarëve kemi ardhur në përfundim që rrugëtimin tonë të fitores ta vazhdojmë me LDK-në. Ky koalicion është logjik edhe pse për disa nuk tingëllon kështu. Ne nuk jemi pajtuar që situata e rëndë të vazhdojë edhe më tej në Prizren”, tha Berisha. Ai tregoi se sot ka paraparë të takohet edhe me kandidatin e PDK-së për kryetar të Prizrenit, Ramadan Mujën, “mirëpo nuk kam mundur sepse ka qenë në gjykatë”. “Unë kafe dhe koalicione nuk mund të bëjë në gjykata”, tha Berisha.

Kryeziu dhe Berisha nuk kanë preferuar shumë të merren me akuzat dhe përplasjet që kanë pasur gjatë qeverisjes së pasluftës. “Prej vitit 2007 kam avancuar në politikë. Edhe pse kam qen kundërshtar i Kryeziut në atë kohë nuk e kam përdorur termin krim. Këtë term kam filluar të përdori kohën e fundit”, tha Berisha. Ai tha se nuk do të merret me të kaluarën. “ Ky koalicion është lidhur për të ardhmen”.

Berisha ka mohuar se në lidhjen e këtij koalicioni ka ndikuar Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi. “Limajn dhe Krasniqin i kam miq të vjetër. S’kanë lidhje ata me këtë punë, sepse shpatat janë rrahur për Prizren”. /PrizrenPress.com/

 

Rrëfimi i policit serb: Dëshmi dhe pjesë e krimit

0

Masakra ne KosoveAutoritetet ligjore në Serbi nuk i mohojnë akuzat për krime lufte, të cilat i ka bërë publike Slobodan Stojanoviq, komandant i pensionuar i policisë serbe, ish-pjesëtar i Çetës së katërt të Togës së njësive të veçanta të policisë dhe dëshmitar i mbrojtur nga shteti serb.

Gjatë vitit 1998, si pjesëtarë i Policisë të Serbisë ai kishte marrë pjesë në një numër aksionesh, për të cilat ai dëshmon se kjo polici i ka ndërmarrë kundër civilëve shqiptarë në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Slobodan Stojanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se për të gjitha veprimet, të cilat i kanë bërë pjesëtarët e forcave serbe në terren, në Kosovë, kanë qenë të informuar eprorët e lartë, përmes zinxhirit komandues i cili ka ekzistuar në njësitet e përfshira në, siç e quan ai, “pastrimin e terrenit”.

Ai thotë se ka parë mjaft tmerre, të cilat i kanë kryer forcat serbe dhe kjo kishte ndikuar që ai të largohet nga policia.

Stojanoviq shpjegon një nga rastet që kishin ndodhur dhe që sipas tij ishin rutinë.

“Gjithkah kam shkuar dhe kur kam parë se çfarë po ndodhë, unë jam tërhequr. Thjeshtë, pa asnjë arsye, u afroheshin njerëzve dhe i kërcënonin duke ju kërkuar para. Në qoftë se nuk kishte dikush para, e vrisnin, pa asnjë arsye tjetër”, tha Stojanoviq, duke shpjeguar se dinte edhe emra të njerëzve të caktuar që kishin vrarë të pafajshëm duke thënë se ”shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”.

Sipas tij, gjatë “pastrimit të terrenit” fillimisht ushtria grasatonte për orë të tëra dhe më pas futej policia dhe ushtria, të ndarë në njësi të vogla me nga 20 njerëz, të cilët merreshin vesh me komandantët e tyre lidhur me veprimet që i bënin, transmeton rel.

Ai akuzon komandantin e tij, Nenad Stojkoviq, për djegien e fshatrave mbi Mitrovicë dhe krimet që kishin ndodhur atje.

“Nenad Stojkoviq, është përgjegjësi kryesor për punën që bënim në Mitrovicë. E djegin gjithë fshatin… ja se çfarë bënin. Vetëm merrnin urdhër dhe ato ishin fjalë të shkurtuara. Do të thotë, kur merrnin fjalën ‘shkrepës’ atëherë do të thoshte se duhej djegur gjithë fshatin, nëse ishte fjala “goma”, atëherë nënkuptonte se duhej vrarë. Kur thoshte komandanti Mitroviq ‘dërgoje për rrezitje’, kjo nënkuptonte se duhej vrarë ai njeri shqiptar”, shpjegon Slobodan Stojanoviq.

Ai ka rrëfyer edhe raste tjera, të cilat sipas tij ishin krime, për të cilat askush nuk është përgjigjur deri më sot.

Akuzat për krimet, të cilat, sipas Stojanoviqit, i kanë kryer forcat serbe në Kosovë, i pohojnë edhe autoritetet ligjore në Serbi. Prokurori i Gjykatës speciale për krime lufte i Serbisë, Bruno Vekariq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i sigurt për krimet që i përshkruan Stojanoviq, por sipas tij, ky i fundit u ka bërë shantazh autoritetet për interesa personale.

“Për ato që ai flet, jam i sigurt se kanë ndodhur ato krime. Prokuroria e ka nisur procedurën, bazuar në deklaratat e tij dhe tash jemi në fazën fillestare. Kur ne e kemi nisur procedurën, ai ka qenë në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Gjithçka ka funksionuar si duhet deri në një moment kur ai (Stojanoviq) ka filluar të kërkojë nga ne shërbime të caktuara, të cilat ne nuk mund t’i japim në atë program të mbrojtjes, madje as për dëshmitarin e mbrojtur, i cili për ne është i shenjtë”.

”Në kontratë nuk qëndron se ne duhet t’ia punësojmë gjysmën e familjes. Nuk qëndron në kontratë që ai të jetë krye shef i policisë së Leskovcit. Esenca është se ai vet ka dalë nga programi i mbrojtjes dhe atë për të cilën na kishte premtuar se do të na jepte, nuk na e dha. Do të thotë, ne nuk mund ta shfrytëzojmë, sepse nuk kemi pasur dëshmi, të cilat na ka premtuar se do të na i japë në procedurën kundër atyre njerëzve”, ka shpjeguar prokurori serb Vekariq.

Ai ka shtuar se aktualisht është iniciuar procedura kundër Stojanoviqit sepse ai ka kërcënuar zëvendës-prokurorët për krime lufte.

Ndryshe, Stojanoviq thotë se për të gjitha krimet që kishte parë, kishte informuar ministrin e Brendshëm të Serbisë, në vitin 2000, si dhe disa organizata joqeveritare.

Por sipas tij, askush nuk kishte dashur ta dëgjojë.

“Të gjithëve ju kam drejtuar. Por, në fund, janë detyruar që si kryeshef të stacionit policor të më fusin edhe në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve, kinse më është rrezikuar jeta nga ana e policëve dhe se ata mund të më vrisnin. Ata më komprometuan”.

”Kur hyra në program, gruaja dhe fëmijët u traumatizuan, ndërkaq në analizën që ma bënë të gjakut, kinse është gjetur droga. Unë u thash, pse po flisni marrëzira? Ndërkaq, ata janë të gjithë kriminelë që kanë qenë në Kosovë dhe kanë vrarë e prerë popullin shqiptarë. Mu ata njerëz kujdesen për ne në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka theksuar Stojanoviq.

Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka vlerësuar se dëshmia e Slobodan Stojanoviqit, përmes medieve,është paksa e vonë.

Drejtuesi i këtij këshilli, Behxhet Shala, vlerëson se kjo dëshmi e Stojanoviqit është vetëm një mbështetje për deklaratat, materialet dhe kallëzimet penale që i kanë bërë organizatat joqeveritare nga Kosova dhe nga Serbia, për mizoritë që i kanë kryer forcat paraushtarake, policore dhe ushtarake serbe në Kosovë.

“Ai është dëshmitarë i dorës së parë, i cili në njëfarë mënyre është edhe pjesë e krimit, sepse ka reaguar vetëm pasi kanë kaluar më shumë se 13 vjet, ndonëse ai thotë që i ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe e ka informuar për ato që kanë ndodhë. Mirëpo, nuk e ka bërë publike. Do të thotë, kjo është një argument pas së cilit prokuroria në Beograd duhet t’i fillojë hetimet. Besoj që do të merret me rastin”, tha Shala.

Ai ka shtuar se organizatat joqeveritare në Kosovë, por edhe institucionet, nuk janë në pozitë që të ushtrojnë presion mbi Beogradin zyrtarë për hapjen e hetimeve lidhur me krimet e luftës.

“Ne nuk mund të bëjmë asgjë. Ne nuk jemi në pozitë që ti bëjmë presion akujt, sepse ne jemi në pozitë që i nënshtrohemi presionit. E dyta, thjeshtë, mungon vullneti politik për tu arrestuar apo gjykuar ata të cilët janë përgjegjës për krime luftë. Ata që munden, ata nuk e bëjnë këtë. Këtë mund ta bëjnë vendim-marrësit të cilët janë në Bruksel dhe në Uashington. Por, ata e analizojnë gjendjen politike dhe e shohin nëse ja vlen të merren me të kaluarën, atëherë merren. Në qoftë se jo, atëherë heshtin”, ka theksuar Shala.

Sido që të jetë, ish-pjesëtari i policisë serbe, Stojanoviq, duke folur edhe për mediat serbe, ka rrëfyer episode, siç i ka quajtur ai, të tmerrshme të luftës në Kosovë dhe krimeve ndaj shqiptarëve.

Siç ka treguar ai, një person, identitetin e të cilit Stojanoviq e di, ka prerë kokat e një shqiptari dhe një shqiptareje të vdekur, duke i shndërruar ato më pas në abazhur tavoline.

Kryeziu: Kemi arritur koalicion me Zafirin

0

EqremKryeziu-ldkKryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prizren, njëherësh kandidat për kryetar të këtij qyteti, Eqrem Kryeziu, ka thënë për “Epoka e re” se, më në fund, ka mbështetjen për balotazh të kryetarit të Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha.

“Po, kemi arritur koalicion. Në orën 17:00 do të tubohemi për të zyrtarizuar koalicionin”, ka thënë Kryeziu.

Ai është shprehur i bindur se me këtë koalicion do të dalë fitues në rundin e dytë, më 1 dhjetor. “Vallahi shpresat janë të mëdha. Sigurisht se do të fitoj. Besoj se do t’i tejkalojmë PDK-në dhe të tjetër me nja 4000 mijë ose 5000 mijë vota”, ka thënë Kryeziu.  Ai ka thënë se në konferencën me gazetarë do të flasë më gjerësisht rreth koalicionit.

“DokuFest” shfaq filma në festivalin “Free Zone” në Beograd

0

DokuFest6-26“DokuFest” prezantoi një program të filmave në festivalin “Free Zone”, i cili u mbajt në Beograd më datat 7-11 nëntor. Veton Nurkollari nga “DokuFest” u ftua të kuroj një program i cili do të prezantonte prodhimet filmike kontemporane të Kosovës.

Programi përfshiu filmat “Tatita” nga kolektivi i filmëbërësve Kolektiva; “Kaseta e Dasmës” nga Ariel Shaban; “Nusja Jonë” nga Nita Deda dhe Yll Çitaku; “Kolona” nga Ujkan Hysaj; “Zibidi” nga Nart Zeqiraj; “Portreti i Humbur” nga Lulzim Zeqiri; “Mbretëria e Qymyrit” nga Antoneta Kastrati dhe Casey Cooper Johnson; “Gjermant ma kanë pak tutën” nga Alban Muja dhe “Balkan Express” nga Bar?? Karamuço.

Përveç këtij programi, filmat të cilët u prodhuan nga nxënësit e shkollave të mesme me anë të projektit të DokuFest “Shkolla dhe Filmi Dokumentar”, u shfaqën në programin “The Future is Here”. Programi përfshiu filmat e shkurtër të krijuar nga autorë të rinj nga i gjithë rajoni të cilat u prodhuan me anë të punëtorive filmike të festivalit “Free Zone” në Beograd, “Pravo Ljudski” në Sarajevë dhe “DokuFest” në Prizren.

Festivali “Free Zone” përfshin filma nga e gjithë bota të cilët adresojnë të drejtat e njeriut duke bërë bashkë filmëbërës të vlerësuar, eskpertë lokalë dhe publik regjional dhe ndërkombëtar.

Zafiri në koalicion me Kryeziun

0

Zafiriiiii

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha ka lidhë koalicion me kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziun. Zëdhënësi i BD-së, Leart Batusha ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes mes Berishës dhe Kryeziut.

 

“Këshilli Drejtues i BD-së ka marrë vendim që të vazhdojë angazhimin e vet politik në sfidën e radhës, në përputhje me votën që ka marrë më 3 nëntor dhe me vullnetin e qytetrëve që në garën për balotazh më 1 dhjetor të mbështes kandidatin për kryetar të Prizrenit nga LDK, Eqrem Kryeziun. Ky qëndrim erdhi pas konsultimeve të gjërë të BD-së, simpantizantët dhe miqtë e BD-së, shoqërinë civile dhe intelektualët e Prizrenit, të cilët ishin që angazhimin politik dhe veprimet e BD-së të jenë në përputhje me qëndrimet publike që janë prezantuar nga kryesia dhe ekipi i Bashkimit Demokratik”, tha Batusha. /PrizrenPress.com/

 

Gjiknuri: Një treg energjetik me Kosovën, çdo koncesion do të rishikohet

0

GjiknuriMinistri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri thotë se një numër çështjesh janë në tryezë për diskutime me Kosovë, hidrocentrali i Zhurit, TEC-i i ri, TAP-i dhe linja e interkonjeksionit financuar nga gjermanët e KF-së. Ministri thekson se po punohet gjithashtu për të rishikuar çdo koncesion në Shqipëri dhe për të vendosur se çfarë do të bëhet me Albpetrolin.

RADIO KOSOVA: Zoti Ministër, bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është një ndër çështjet kryesore të axhendës së kryeministrit socialist, Edi Rama. Çfarë mendoni për zgjidhje, në rastin më konkret, nëse përballeni me një problem siç është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës? Ka pasur një çështje të hapur me bankën gjermane “KfW”. Kemi ndonjë zhvillim në këtë drejtim?

DAMIAN GJIKNURI: Kemi vetëm zhvillime pozitive. Procedura me KfW-në po shkon drejt fundit. Tani, mesa di unë, është përcaktuar edhe kontraktori final. E njejta gjë ka ndodhur edhe nga pala kosovare. Pritet vetëm nënshkrimi i kontratave dhe fillimi i punimeve. Kështu që, mendoj që ky projekt i rëndësishëm që do të lidhë të dy vendet me kapacitetet e nevojshme për të shkëmbyer energji – do të jetë i plotë, i gatshëm dhe funksional brenda afateve që ka përcaktuar kontrata. Unë nuk shoh asnjë problem. E kemi thënë që nuk duam që të humbasim shumë kohë në këtë drejtim”.

RADIO KOSOVA: Zoti Gjiknuri, për çdokënd që nuk i përket fushës së energjetikës, a mund të na thoni se çfarë do të zgjidhë linja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës? Ju përmendët kapacitete. A janë kapacitete që lidhen me financat apo janë kapacitete teknike, pra që lidhen me karakteristikat e tejpërçuesit, pra kapacitete energjetike?

DAMIAN GJIKNURI: Janë kapacitete energjetike. Kjo do të thotë që krijohet mundësia e import-eksportit apo shkëmbimit të energjisë mes të dy vendeve në sasira më të mëdha, duke kombinuar avantazhet e krahasuara që ka Shqipëria dhe Kosova në këtë drejtim. Kjo do të çojë drejt asaj që ne e kemi synim, të krijimit të një lloj tregu të përbashkët energjetik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

RADIO KOSOVA: Më lejoni edhe një shtesë të vogël! Sa është sasia që mund të përballojë kjo linjë dhe e këmbyer në terma financiarë? Sa do të përfitojnë buxhetet, natyrisht të Shqipërisë dhe të Kosovës?

DAMIAN GJIKNURI: Nuk është probemi në terma financiarë. Kapacitetet 400 kilovoltë do të thotë që ka kapacitet për sasi të mjaftueshme që rrjeti të mos mbingarkohet kur ka nevojë për pikun, për përdorimin në kohën e pikut. Në terma financiarë do të thotë që në momentin që ke hapësira shkëmbimi, nuk pse i drejtohesh rrugëve të tjera të interkonjeksionit si me Malin e Zi apo me vendet të tjera, por mund të shkëmbesh energji me Kosovën. Kështuqë, nga kjo pikëpamje siguria energjetike është më e rëndësishme se gjithçka.

RADIO KOSOVA: Përsa i përket ndërthurjes së sistemeve elektroenergjetikë të Shqipërisë dhe të Kosovës, për shkak edhe të burimeve, pra Kosova me thëngjill dhe Shqipëria ujor, ku mund të punohet? A është legjislacioni parësor, apo është përshtatshmëria e ekspertëve të fushave përkatëse? Si ta kemi një zgjidhje që mundësia nëse mund shprehemi kështu, e “depozitimit” të transmetimit të energjisë të jetë më e garantuar?

DAMIAN GJIKNURI: Tani, vetëm energjiia nuk depozitohet dhe kësaj nuk kemi ç’t’i bëjmë. Unë e thashë, që kur themi “avantazhet e krahasuara”, Kosova ka mundësi të prodhimit nëpërmjet linjitit të saj. Pra, Kosova prodhon në periudhat e pikut, në periudha kur kërkesa është e lartë. Kosova, sidomos edhe me ndërtimin e TEC-it (Termo Elektro-Central) të ri në perspektivë, do të ketë sasi të mjaftueshme, madje të mëdha energjie, të tepërta, të cilat mund t’i tregtojë në Shqipëri dhe anasjelltas. Që, ose rezervat tona hidroenergjetike në periudhat kur ka prodhim, mund të shkëmbehen me palën kosovare, duke krijuar atë që thamë – një lloj tregu të përbashkët. Do të thotë, që këto dy hapësira, të fillojnë të jenë eficente nga pikëpamja energjetike dhe të mos jenë të varura shumë nga importet në energji. Kjo është më e rëndësishmja. Kjo është strategjike për të dy vendet tona dhe prandaj edhe krijimi i kësaj hapësire ka avantazhe të mëdha për të dy vendet.

RADIO KOSOVA: Zoti Gjiknuri, çështja e gazsjellësit TAP (Trans Adriatik Pajplajn) ka qenë vendimtare dhe përparësore për disa qeveri të Shqipërisë, pa u ndarë në kohë. Natyrisht, që përfshirja e Kosovës ka qenë përparësi edhe gjatë vizitave dhe takimeve Tuaja, pavarësisht se jeni ministër i ri. Pra, ka vazhduar e njëjta linjë. Çfarë duhet bërë konkretisht që Kosova të përfshihet pastërtisht në këtë projekt? E kam fjalën për kapacitetet e transmetimit të gazit, të shtrirjes së tubacioneve të gazit apo edhe lidhjen me të quajturën Unaza e Jugut, përfshi projektin tjetër të gazit IAP (Jonian Adriatik Pajplajn)?

DAMIAN GJIKNURI: E vërteta është që një projekt i tillë është i shtrenjtë. Është shumë i rëndësishëm edhe për Kosovën që të gazifikohet dhe të futet në linjën e konjeksionit me TAP-in që do të vijë në Shqipëri. Ne po punojmë edhe në drejtimin për të ndërtuar apo të paktën për promovuar edhe projektin IAP ku futet edhe Mali i Zi edhe Kroacia. Dhe, kështu krijohet mundësia e lidhjes më të shpejtë për Kosovën. Kuptohet këto janë projekte që kërkojnë financime të mëdha nga mbrapa. Ne po punojmë për një koncept biznesi duke ofruar partnerë strategjikë. Dhe, në momentin që Shqipëria do të ketë një partner strategjik, që do të marrë përsipër edhe interesin për tregun e gazit në Shqipëri, besoj se do ta promovojmë, se do të jemi shtytës të hedhjes së idesë për lidhjen dhe shtrirjen e lidhjes së gazsjellësit edhe drejt Kosovës, duke shfrytëzuar mundësitë potenciale që ka tregu kosovar, sidomos industria. Kuptohet ky është një projekt që kërkon kohë, kërkon financime, por mbi të gjitha kërkon një investitor strategjik që ta marrë përsipër dhe të jetë ai “stake holder”-i kryesor, i interesuari kryesor, për ta zhvilluar këtë projekt, sepse po t’ia lësh buxheteve të dy vendeve tona, kjo gjë do të kërkonte shumë kohë dhe është shumë e vështirë nga ana financiare.

RADIO KOSOVA: Hiderocentrali i Zhurit, zoti Ministër, ka qenë një çështje përgjithësisht problematike, për shkak të ndërtimit të bazenit të ujit në Kosovë, që mund të sjellë përmbytje në disa fshatra të zonës së Kukësit. A keni vendosur kontakte me Qeverinë e Kosovës për këtë problem? Mbi të gjitha, a është funksionale marrëveshja me ish-Jugosllavinë për trajtimin e ujërave, nëse nuk gaboj marrëveshje e viteve ‘60? Pra, qëndron kjo marrëveshje, a mund të zgjidhë gjë kjo marrëveshje apo ka nevojë për marrëveshje të re?

DAMIAN GJIKNURI: Në fakt, kjo është një çështje që do ta diskutojmë me qeverinë kosovare në vazhdim. Ne po bëjmë një vlerësim paraprak të problemit. Por, e kemi lënë që me palën kosovare, me të cilën kemi një marrëdhënie shumë të mirë, me vetë ministrin Ismaili (Fadil Ismajli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, i emëruar më 16 maj 2013, ish-drejtori Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës., shën.i gazetarit), në lidhje edhe me këtë çështje, për të gjetur një zgjidhje më të mirë të mundshme për të dy vendet tona, për të mos krijuar impakte reciproke te njeri-tjetri. Kështu që edhe pyetjet që ju bëtë, do të gjejnë përgjigje në kuadrin e kësaj marrëveshjeje që ne do të disponojmë me palën kosovare dhe zgjidhjeve që ne do të ofrojmë.

RADIO KOSOVA: Në këtë mundësi, a përfshihet edhe qenia e Shqipërisë, pjesë investuese në këtë projekt? Ka qenë një lloj ideje kohë më parë. A qëndron kjo?

DAMIAN GJIKNURI: Ne jemi duke i parë të gjitha mundësitë fizibël të këtij projekti. Qoftë në Zhur, qoftë edhe potencialisht përfshirja e Shqipërisë si pjesë investuese në TEC-in e ri të Kosovës. Por, këto janë gjëra që duan kohë, duan projekte konkrete, duan një lloj fizibiliteti financiar. Këto janë gjëra që ne jemi duke i diskutuar dhe do t’i disktuojmë me palën kosovare, për të dalë me disa propozime konkrete. Tani është shumë shpejt për mua për të thënë se, cila do të jetë zgjidhja më optimale dhe më e shpejta.

RADIO KOSOVA: Vjeshta, zoti Gjiknuri, ka nisur të themi mesa duket mirë, pra nuk kemi ndonjë “fushatë” shirash të rrëmbyeshëm që mund të shkaktojnë probleme në kaskadën e lumti Drin të ngarkuar me hidrocentrale. Çfarë është bërë me qeverinë maqedonase, kryesisht për të ruajtur nivelin e ujërave, pra për të mos hapur portat e lumit Drin nga Liqeni i Ohrit, në Strugë, që e shkarkon të gjithë ujin me rrëmbim deri në pjesën e Shkodër-Lezhës? Keni ndonjë ide paraprake se si mund t’i shmangeni problematikave të kaluara, pra qartësisht përmbytjeve?

DAMIAN GJIKNURI: Strukturat po punojnë. Kuptohet ne kemi struktura në KESH (Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare), që komunikojnë vazhdimisht me palën maqedonase që të stabilizojnë një regjim të përbashkët. Megjithatë, përmbytjet nuk është se varen vetëm nga pala maqedonase. Përmbytjet kanë të bëjnë edhe faktorë hidrologjikë që asnjë nuk i parashikon dot. Që kur është konceptuar kaskada e lumit Drin janë parashikuar përmbytje. Problemi është se si të minimizojmë impaktin e tyre, se si të lajmërojmë njerëzit në kohë për të pasur sa më pak dëme. Prioritet gjithmonë kur ka rreshje, apo kushte hidrologjike që favorizojnë rreshjet e mëdha dhe në një farë mënyre të paparashikuara, ka (prioritet) siguria e digave, si siguria më e rëndësishme dhe impakti negativ nëse ato do të dëmtoheshin, do të ishte më i madh. Por, thash që kjo është pjesë, për të cilën ne punojmë për të mbajtur kaskadën e Drin, duke biseduar sëbashku edhe me palën maqedonase, në kushte optimale për të evituar sa më shumë që të jetë e mundur dëmin e paparashikuar.

RADIO KOSOVA: Përsa i përket TEC-it të Vlorës, çfarë ka mbetur që ai të bëhet plotësisht funksional? Ka një projekt Qeveria e re?

DAMIAN GJIKNURI: Në fakt TEC-i i Vlorës, që siç e dini edhe ju, është një projekt i Bankës Botërore, i cili ende nuk është dorëzuar. Banka Botërore po angazhon konsulentë të tjerë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare teknike, një problemi që ka dalë gjatë zbatimit të projektit. Pra, ka një zgjidhje teknike me tuba shkarkimi në det, të cilët ende nuk i kanë dhënë atë zgjidhjen përfundimtare, pra ka një riparim. Dhe, në kohën më të afërt, ashtu siç ka gara tuar edhe Banka Botërore, do të realizohet. Por, kjo nuk është një çështje e Qeverisë shqiptare. Unë kam kërkuar nga Banka Botërore që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt. Ata na janë angazhuar dhe na kanë thënë që do të dedikojnë fonde në dispozicion me qëllim që TEC-i i Vlorës të përfundojë plotësisht dhe të dorëzohet “me çelësa në dorë”, siç ka qenë pjesë e kontratës me shtetin shqiptar. Ky projekt, ky impiant me prodhim energjie do të ketë një rëndësi shumë të madhe në të ardhmen, veçanërisht me ardhjen e gazit në Shqipëri, pasi është një impiant që është parashikuar të punojë edhe me gaz.

RADIO KOSOVA: Koncesionet kanë qenë një çështje kryesore të Partisë Socialiste si në opozitë ashtu edhe këto ditë me veprimet që vetë Ju keni ndërmarrë këto dot, përkatësisht të industrisë së kromit në Bulqizë. A përbëjnë koncesionet duke u rishikuar një lloj zgjidhjeje për një lloj ekonomie informale apo të paorientuar mirë? A është kjo një problematikë ligjore në dhënien e koncesioneve, e burimeve natyrore që kanë pasur, mundësinë e përpunimit, apo shfrytëzimi i kapaciteteve në tërësi të industrisë nxjerrëse-përpunuese? Ku është perqendruar puna përveçse rishikimit ligjor?

DAMIAN GJIKNURI: Në vetvete politiika koncesionare, pra futja e shtetit në marrëdhënie me partnerë privatë nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, është e vetmja formë që Shqipëria në maksimum të shfrytëzojë dhe të mund të zhvillojë burimet e saj natyrore, përfshi edhe minierat dhe mineralet. Problemi i koncesioneve është se kujt i jepen dhe se çfarë duhet të kërkojë shteti nga politika koncesionare. Ajo që ne kërkojmë është zbatimi i kushteve koncesionare dhe promovimi i atyre projekteve që krijojnë mundësi edhe për zhvillimin e industrisë pasuruese-përpunuese në vend. Këtu edhe duhet të ishte synimi final i politikë qeveritare në fushën e mineraleve. Qeveria e parë këtë nuk e ka bërë në pjesën më të madhe. Ajo ka synuar projekete të vegjël të shpërndarë në shumë duar dhe në shumë operatorë, të cilët nuk kanë as kualifikimet e nevojshme, gjë që i ka dhënë mundësi lulëzimit të një tregu informal, i ka dhënë mundësi shumë elementëve kriminalë të shtinë në dorë pasuri në Bulqizë dhe të një aktiviteti që është fatkeqësisht, tërësisht jashtë parametrave ligjorë, qoftë kushtet që parashikon kontrata koncesionare, qoftë edhe legjislacioni i punës në miniera. Ky është një problem që kjo Qeveri duhet t’i dalë përballë. Ne po bëjmë çmos, po identifikojmë një herë situatën, po bëjmë një vlerësim dhe do të propozojmë masat konkrete, në mënyrë që sektori i kromit të vijë në shinat e ligjit.

RADIO KOSOVA: A ka vlerësim edhe për Bankers Petrolium për shembull (koncesionar nga Kanadaja në fushat naftëmbajtëse të Fierit, Patoz-Marinzë), apo për ARMO-n nëse ka pasur diskutime, apo për privatizimin e Albpetrolit? Sektori i hidrokarbureve është me shumë rëndësi, nëse do të shohim zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Të trija këto, a qëndrojnë si çështje?

DAMIAN GJIKNURI: Të gjitha mundësitë po shikohen. Albpetrolit i është dhënë një goditje përfundimtare në muajin gusht kur fushat e mbetura të tij(“Albpetroli” ka pasur në administrim 9 fusha naftëmbajtëse) iu dhanë një kompanie në mënyrë të fshehtë, duke e zhveshur “praktikisht këtë kompani nga çdo pasuri për ta dhënë për zhvillim të hidrokarbureve apo për vlerën që kishte kjo kompani përpara privatizimit. Ne jemi duke e parë edhe këtë marrëveshje. Jemi duke e studiuar për të parë shkeljet e mundshme ligjore që kanë ndodhur me dhënien e kësaj kontrate. Nga ana tjetër, jemi duke punuar edhe me politikën e mëtejshme me Albpetrolin, në mënyrë që çfarë do të bëjmë përfundimisht me të. Përsa i përket marrëveshjeve të tjera të hidrokarbureve. Edhe ato janë marrëveshje koncesionare që kanë vuajtur nga ajo simptomë e përgjithshme që është në Shqipëri, nga mungesa e monitorimit siç duhet. Megjithë kapacitetet e dobëta teknike apo njerëzore që ka ky vend, ne do të mundohemi që të përmirësojmë monitorimin e këtyre marrëveshjeve, në mënyrë që publiku shqiptar të fitojë maksimumin e mundshëm nga këto marrëveshje koncesionare.

Thaçi mban fshehur bisedimet me Zafirin

0

hashim thaci 3Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk është treguar transparent me Degën e partisë së tij në Prizren. Ai i ka mbajtur të fshehura bisedimet për koalicion, që ka zhvilluar deri më tash me kryetarin e Bashkimt Demokratik, Zafir Berishën.

Kryetari i Degës së PDK-së Minir Krasniqi, i revoltuar nga ky qëndrim i Thaçit, ka ftuar herët në mëngjes anëtarët e Kryesisë në mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është diskutuar bisedimet që Thaci ka zhvilluar fsheurazi me Berishën.

Burimet brenda PDK-së, ndërkaq bëjnë të ditur se në këtë mbledhje të jashtëzakonshme është diskutuar për takimet e fshehura që Thaçi ka mbajtur me Berishën.

Anëtarët e Kryesisë së PDK-së, njëzërit janë pajtuar që të kërkojnë një takim dhe sqarim për të gjitha takimet që Hashim Thaçi ka mbajtur me partitë politike për koalicion. “Është marrë vendim që të takohemi me Thaçin dhe të bisedojmë se çfarë ka negociuar me Zafirin”, tregon burimi i “PrizrenPress-it”

Zëdhënësi i PDK-së, Samir Hoxha ndërkaq ka konfirmuar mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë. “Kryesia e Degës në mbledhjen e mbajtur sot me 12 nëntorë, ka konstatuar se nuk është në dijeni për kurrfarë bisedimesh për bashkëqeverijse dhe as që është pjesë e bisedimeve me BD-në”.

“Kryesia konsideron se nuk ka nevojë për një koalicion të tillë shtesë, sepse i kemi votat e mjaftueshme me partnerët e koalicionit për të fituar e qeverisur për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. PDK dhe partnerët e koalicionit në këto zgjedhje tashmë kanë kryetarin e vet dhe shumicën në kuvendin komunal”.

“Jetës demokratike në qytetin tonë i nevojiten që partitë politikë jashtë ekipit fitues të PDK-së me partnerët e koalicionit, të mbeten komponentë opozitarë për të vazhduar dhe drejtuar frymën politike plurale.Prandaj, i porosisim votuesit mbështetesit dhe simpatizantët e PDK-së, dhe të koalicionit fitues, qe të mos kenë shqetësime dhe më 1 dhjetor të dalin në votime dhe ta rivulosin fitoren e Ramadan Mujës”. /PrizrenPress.com/