10.8 C
Prizren
E premte, 24 Prill, 2026
Home Blog Page 8954

Epilogu Krasniqi-Thaçi, pas zgjedhjeve

0

Thaci dhe Jakup krasniqiPërplasjet e brendshme në PDK mes Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaçit pritet ta kenë epilogun menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Zyrtar të lartë të PDK-së kanë paralajmëruar se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më gjatë, pasi vendi ka nevojë për zhbllokim të komunikimit Kuvend-Qeveri.

“Ka kohë që është ndërprerë komunikimi i rregullt mes këtyre dy institucioneve, por tash situata është rënduar edhe më tepër. Një zgjidhje duhet gjetur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve”, ka thënë një nga zyrtarët e PDK-së. Përplasjet Krasniqi-Thaçi janë ashpërsuar sidomos gjatë kohës së fushatës zgjedhore,shkruan Tribuna.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka heshtur përballë akuzës që ia ka bërë kryeministri Hashim Thaçi një ditë më herët në rajonin e Drenicës. Derisa Thaçi si kryetar i PDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u besojnë atyre që, “natën ua kërkojnë votën e ditën i quajnë hajna të votës”, Krasniqi si mbështetës i hapur i Iniciativës Qytetare për Drenasin, ka thënë për Tribunën se asnjëherë në jetën e tij nuk i ka fyer qytetarët.

Festa e Ullirit, Kadare “humb” titullin “Fisnikëria e qytetit të Durrësit”

0

Ismial_KADAREBashkia e Durrësit dhe shoqata “Durrësi”, në 16-vjetorin e Festës së Ullirit, ka nderuar me titujt “Nderi i qytetit të Durrësit” tre prej biznesmenëve të parë. Bëhet fjalë për Shpëtim Prodanin, Zabit Mudën dhe Agim Islamin. Titujt e nderit së bashku me nga një dhuratë iu dorëzuan fëmijëve të inxhinier Shpëtim Prodanit, dhe dy biznesmenëve ndërtues, Mudës dhe Islamit, nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kulturës pati një interes të jashtëzakonshëm nga qytetaria durrsake dhe intelektualët, pasi në ceremoni ishte planifikuar edhe pjesëmarrja e nderimi i shkrimtarit të madh, Ismail Kadare me titullin “Fisnikëria e Qytetit të Durrësit”.

Nderimi i Kadaresë ishte i pari në listën e ndarjes së çmimeve, por emri i shkrimtarit, nuk u përmend nga moderatori dhe as nga personalitetet që u ngjitën në skenë. Çmimi i akorduar për Kadarenë nga shoqata dhe Bashkia Durrës, nuk u dha.

I pyetur nga “GSH” për mosdhënien e çmimit, organizatori i aktivitetit, sekretari i shoqatës “Durrësi”, Shpëtim Metani tha se: “Kontaktuam me botuesin e Kadaresë në Tiranë, i cili u shpreh që nuk mundet të vijë se është i sëmurë; mbase nuk e kanë lajmëruar fare. Për këtë nuk iu dha as çmimi, pasi nuk pati asnjë të afërm prej tij. Ndoshta ishte gabim teknik nga ana jonë që nuk e përmendëm gjatë ceremonisë, por kur Kadare të vijë në Tiranë, ne do të organizojmë një ceremoni për t’i dhënë titullin e propozuar”.

Prizreni parazgjedhor!!

0

AdnanAbrashiShkruan: Adnan Abrashi
I kapur nga inati personal që sërish (për herë të tretë) me çdo kusht ta kandidoj për kryetar të Prizrenit, 76 vjeçarin Ramadan Muja, i cili, së bashku me disa zyrtar tjerë komunal, aktualisht po përgjigjet para drejtësisë për vepër penale të korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, Thaçi, nuk po zgjedh mjete që ta realizoj këtë synim të vetin imponues. Edhe pse ai me këtë fushatë të inatosur që po e bënë në Prizren, shpesh në sytë e qytetarëve po del tejet qesharak, i joshur nga vetëbesimi i tepruar për fitore, as që po vëren se me këtë mënyrë imponuese vetëm është duke krijuar kontra-efekt tek këta njerëz dhe asgjë tjetër.

Unë kam lindur dhe jetoj mbi 50 vite në këtë qytet, andaj edhe i njoh thellësisht në shpirt bashkëqytetarët e mijë. Në krahasim me mentalitet e qytetarëve të qyteteve tjera të Kosovës, prizrenasit janë një kolektivitet krejtësisht ndryshe dhe tejet origjinal në vete. Ata dinë që edhe gjatë fushatave parazgjedhore masovikisht të jenë prezent në tubimet elektorale të të gjitha partive, dinë edhe me ëndje të shkojnë nëpër dreka dhe darka që kudo po i organizojnë partitë. Po ashtu, ata dinë që edhe Hashim Thaçit, çdo ditë, rrugëve të qytetit të tyre, t’ia bëjnë rrafsh në ato pyetje të tija qesharake: “A keni vendos…dhe …dihet..”, por, jam më se i bindur se, më 3 nëntor, kur t’i afrohen kutizave të votimit, ata do të veprojnë krejtësisht ndryshe.

Dihet gjithmonë se fushatat e suksesshme dhe efektive elektorale janë të shtrenjta dhe kërkojnë shumë para. E partia që sot ka më së shumti para, dihet – PDK-ja! Mu për këtë shkak, këto ditë fushate, qyteti im Prizreni të duket sikurse çdo gjë në të po frymon vetëm për këtë parti dhe kandidatin e tyre (Hashim Thaçit) për kryetar, Ramadan Muja. Emisionet e përditshme speciale në katër (4) kanalet lokale televizive të sponzorizuara nga ta, posterët e shumtë dhe të shpërndarë kudo nëpër vendet më frekuentuese, bilbordet me madhësi gjigante të portretit të retushuar (rinuar) të Mujës (Kuptohet, dhe kandidatëve tjerë të kësaj partie për asamblist), aktualisht e kanë mbidominuar çdo skutë të këtij qyteti.

Për ta përkrahur dhe votuar Ramadan Mujën si kandidat të përbashkët për kryetar edhe nga ana e pakicave etnike që jetojnë në Prizren, me kohë, Hashim Thaçi, kishte siguruar pëlqimin edhe të 8 partive minoritare që veprojnë në Prizren. Ky akt i nënshkrimit formal të kësaj marrëveshjeje, me pompozitet të madh u prezantua në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike të vendit. Me këtë veprim të gabuar taktik, Hashim Thaçi, më shumë se sa që nga minoritetet prizrenase siguroj vota për Ramadan Mujën, gjithsesi arriti të krijoj në opinion një bindje të gabuar konformiste, thuajse në Prizren jetojnë veç minoritetet (pa shumicën mbi 80% shqiptare), si dhe, kinse rezultati përfundimtar i fituesit gjatë zgjedhjeve në këtë qytet, kryekëput varet nga vullneti politik i animit zgjedhor të liderëve minoritar?!! Shikuar realisht, shumica këtyre liderëve janë të përçarë brenda vetes, si lidership i mirëfilltë, nuk gëzojnë tek popullata e tyre ndonjë autoritet të fuqishëm .

Deshëm ne të pranojmë apo jo, është një realitet i pamohueshëm se në të gjitha zgjedhjet nacionale dhe lokale të pasluftës kosovare, nga ana e partive tjera më të mëdha, pakicat nacionale etnike në Prizren, gjithnjë kanë shërbyer sa për një bashkëpunim sy e faqe. Mbase, vetëm sa për t’ua marr votat e tyre në favor të vetin, apo edhe lidhjes së koalicioneve të detyrueshme fiktive për ta përmbushur numrin e duhur të këshilltarëve shumicë në Asamblenë Komunale.

Po ashtu, ndaj tyre nuk janë kursyer as përdorimi i metodave më perfide të luftës speciale të lansimit të thashethemeve dyshuese. Si një ”kallauz” i dëshmuar me sukses, edhe në këtë fushatë zgjedhore nuk po mungon përhapja e asaj gënjeshtre tashmë të sprovuar, kinse me ardhjen në pushtet e kësaj apo asaj partie “nacionaliste shqiptare”, do të rrezikohen edhe të drejtat ekzistuese minoritare?!! Dikur, këto të pavërteta manipulative, shpërndaheshin kundër partive të ashtuquajtura të “krahut të luftës”, ndërsa, në këto zgjedhje të sivjetme, ato më tepër e kanë në shënjestër lëvizjen Vetëvendosje! e cila po shënojnë një rritje të theksuar të përkrahjes tek masat.

Prizrenasit në përgjithësi, e posaçërisht ata minoritar, në veçanti, si grupacion homogjen etnik, për nga natyra, kryesisht janë njerëz të urtë, të ndershëm, zakonisht zanatli dhe punëtor të zellshëm, e, mbi të gjitha, shumica e tyre fare si karakteristik nuk e kanë të theksuar ndonjë bindje të caktuar politike, kështu që, atyre, as që ju ha palla për marrëveshjet e liderëve të tyre që ata lidhin me Hashim Thaçin apo me këndo qoftë tjetër. Andaj, çdo parti që bënë fushatë në Prizren dhe këtu kërkojnë votën e qytetarëve të tij, patjetër duhet ta dijë se shumica e elektoratit potencial (përveç atyre që janë militantë partiak), deri në minutën e fundit nuk e kanë të definuar se për ke do të votojnë.

Ja se si e ka përshkruar, kuptohet në shaka, një bashkëqytetar i imi, mënyrën e vetë të votimin në zgjedhjet e kaluara: “Menjëherë posa u zgjova në mëngjesin e asaj dite zgjedhore, sa isha ende në shtëpi, kisha vendosur të votoj për PDK-në. Para se të shkoja në vendvotimin e caktuar të lagjes, paraprakisht mu desh t’i kryej edhe disa punë të vogla personale dhe familjare. Së pari u drejtova të rruhem te berberi, dhe, për atë parti që kisha vendosur të votoj, aty dëgjova do fjalë të këqija, kështu që ndërrova mendjen dhe vendosa t’ia jap votën LDK-së. Menjëherë pas berberit, për të blerë disa gjësende ushqimore, rrugën e vazhdova tek bakalli, dhe, aty , edhe për LDK-në dëgjova disa komente të papërshtatshme. Kështu, sërish e ndërrova mendjen dhe këtë herë definitivisht vendosa që të votoj për AAK-në, por, posa u gjeta në vendvotim, rrumbullakova PD-në…”

Krasniqi: Gjuha që përdori lideri i PDK-së tregon karakterin e tij

0

JakupKrasniqi10-29Jakup Krasniqi i është kundërpërgjigjur Hashim Thaçit. Thotë se gjuha që përdori lideri i PDK-së tregon karakterin e tij, ndërsa shtoi se Thaçi po brengoset për besimin që qytetarët kanë për Iniciativën Qytetare për Drenasin, prandaj po vepron kështu. Në një intervistë për KTV-në Krasniqi ka thënë se dikush ka jetuar dhe jeton duke manipuluar njerëzit.

Krasniqi thotë se të gjithë e dinë se kush është përgjegjës për manipulimet e zgjedhjeve, duke shtuar se asnjëherë nuk ka akuzuar qytetarët. Janë grupet joformale të individëve ata që kanë keqpërdorur qytetarin, vlerëson kryeparlamentari.

Kryetari i Kuvendit i ka bërë thirrje KQZ-së që të mos bëhet pjesë e manipulimit të votave. Rezultati i zgjedhjeve lokale, por edhe çështja e PTK-së vlerëson se mund ta çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Thaçi: Kilaj, njeriu i ndryshimeve

0

Kilaj-Thaci-malisheveKryetari i PDK-së Hashim Thaçi, sot në tubinin që mbajti në qytetin e Malishevës duke e quajtur atë si vend i fjalës, i besës dhe vend i vendimeve të mëdha të UÇK-së, u premtoi qytetarëve të këtij qyteti se do të ketë rritje të pagave, deri më 2018, deri në 100 për qind, të gjitha kategoritë, si dhe premtoi se të gjitha projektet e Isni Kilajt, e kanë mbështetjen e fuqishme të tij, si kryeministër i vendit dhe si lidership i PDK-së.

“Së pari ju uroj për fushatën e juaj, dinamike, aktive, të suksesshme. Malisheva ka qenë rruga e lirisë së Kosovës dhe nga sot është edhe rruga e fitores së PDK-së dhe kryetarit Isni Kilaj. Kryetari Isni Kilaj ka ndërtuar mbi 200 kilometra rrugë, ka ndërtuar shkolla, ka ndërtuar kanalizime e ujësjellës, pra e ka ndryshuar Malishevën, e ka ndërtuar Malishevën, nga një provincë në një qytet me një të ardhme evropiane”, tha Thaçi, transmeton Indeksonline.

“Fitorja e PDK-së do të jetë e fuqishme. Ju jam mirënjohës për fushatën e qetë dhe dinjitoze. Ju bashkëqytetar të mi, bashkohuni si dje si pjesëtar të UÇK, sot në fitoren e PDK-së. Malisheva është bastion, fuqi dhe vizion për Partinë Demokratike të Kosovës. Ndihuni krenar me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës. Deri sot askush nuk ka mundur të ju ligështoj dhe gjithmonë keni qëndruar fuqishëm në PDK”, u shpreh i bindur Thaçi.

E kandidati për kryetar të Malishevës Isni Kilaj foli para malishevasëve për të arriturat e kësaj komune gjatë periudhës së tij 4 vjeçare.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, për tri javë rresht kaluam fshat më fshat duke takuar qytetarët tanë, duke shpalosur programin qeverisës për periudhën e ardhshme katër vjeçare, pamë projektet e realizuara për katër vite, nevojat tuaja dhe objektivat, si dhe premtimet tona. Unë ju falënderoj Ju për mbështetjen që na dhatë, ju faleminderit që na dëgjuat e na pranuat në familjet tuaja, na përcollët fshat pas fshati, e lagje pas lagjeje”, ka thënë Kilaj.

Po vjen Prishtina Jazz

0

IlirBajri“Në këtë edicion që po shënojmë të nëntin me radhë do të prezantohemi me 6 mbrëmje koncertale ku pjesëmarrësit do të jenë nga Italia, Belgjika, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Turqia, Kosova…”, ka thënë drejtori i këtij festivali për KultPlus, Ilir Bajri

“Prishtina Jazz Festival”, është në përfundim e sipër të përgatitjeve për edicionin e nëntë, ngjarje kjo, që sikur viteve të tjera do të mbahet në teatrin “ODA”. Ilir Bajri, organizatorë i këtij festivali ka thënë për “KultPlus”, se mbrëmja e parë do të jetë më 4 nëntor, ndërkaq, mbyllja do të jetë më 9 nëntor.

“Në këtë edicion që po shënojmë të nëntin me radhë do të prezantohemi me 6 mbrëmje koncertale ku pjesëmarrësit do të jenë nga : Italia, Belgjika, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Turqia, Kosova…”, ka thënë Bajri.
Organizatori i këtij festivali më pas ka rrëfyer edhe për rëndësinë e këtij festivali, por, sipas tij, ai shumë më shumë do të kishte dashur të dinte se sa i rëndësishëm është edhe për të tjerët.

Mirëpo, sipas tij, përgjatë këtyre nëntë viteve sa është duke u ballafaquar ky festival me organizimin, duke pas parasysh mbështetjen institucionale, Bajri ka thënë se mbështetja e deritanishme ka qenë minimale. “Nga eksperienca qe kemi me institucionet e vendit dhe nga përkrahja minimale tash e nëntë vite, kollaj vjen deri te përfundimi se kjo ngjarje nuk konsiderohet edhe ngjarje e madhe dhe e dobishme për ta”, ka thënë Bajri.

Mirëpo, pavarësisht mbështetjes së paktë nga institucionet për këtë ngjarje kulturore, Bajri ka tjetër njësi matëse sa i përket rëndësisë së festivalit, atë të audiencës.

“Audienca, ndoshta është pjesa më e fortë e festivalit qysh prej edicionit të parë, dhe rëndom mysafirët ndërkombëtarë befasohen me vëmendjen, kondicionin dhe dëshirën e publikut për dëgjim e absorbim të materialeve dhe ideve muzikore që shpesh nuk janë edhe aq të lehta as për audiencat që kanë përvojë shumë më të gjatë në dëgjim të jazz muzikës”, ka thënë Bajri.

Në anën tjetër, për ekzistimin e këtij festivali dhe për zhvillimin e tij vetëm në kryeqendër, Bajri e sheh të vështirë misionin për lëvizjen e këtij festivali edhe nëpër qytete të tjera.

“Kemi provuar dhe ofruar programin tonë edhe në qytete të tjera, duke reprizuar ndonjë koncert të festivalit. Deri tash kemi arritur ti organizojmë disa sosh në qytetin e Pejës, por natyrisht këto janë pak”, ka thënë Bajri, duke shpjeguar më pas edhe për mosinteresimin e audiencës nga qytetarët në qytete të tjera duke shkuar edhe deri në neglizhencë, gjë që nuk kanë pas balancën me shpenzimet që janë bërë për këto koncerte.

Veriu në duart e ndërkombëtarëve

0

Naim MalokuNaim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk do të kenë rol vendimtar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Maloku ka thënë se rolin kryesor në krijimin e një ambienti të sigurt në ditën e zgjedhjeve në veri do ta kenë institucionet ndërkombëtare të sigurisë. “OSBE-ja, EULEX-i dhe KFOR-i do ta kenë barrën kryesore në ofrimin e një ambienti të sigurt ditën e zgjedhjeve në veri”, ka deklaruar Maloku.
Ai ka thënë se zgjedhjet në veri nuk mund të dëmtohen nga strukturat radikale që veprojnë atje. Sipas Malokut, pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje do të varet nga thirrjet e Beogradit. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Maloku i ka sugjeruar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të merret seriozisht me ristrukturimin dhe organizimin e Policisë së Kosovës në veri. Në këtë kontekst, Maloku ka kërkuar nga institucionet e sigurisë mos të bien pre e askujt në ditën e zgjedhjeve lokale, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. “Institucionet e sigurisë ditën e zgjedhjeve nuk duhet të bien pre e askujt. Ato nuk duhet të fiksohen nga askush. Këto institucione duhet të organizohen mirë dhe nuk duhet të lejojnë asnjë parregullsi më 3 nëntor”, është shprehur Maloku.

“Epoka e re”: Z. Maloku, si e shihni ecurinë e procesit zgjedhor sidomos në veri, pasi në atë pjesë të Kosovës situata është pak më ndryshe?
Maloku: Qeveria e Kosovës më 3 nëntor do të ketë pak qasje në veri. Me vizitën e Aleksandër Vulinit është parë se Qeveria nuk e ka komandën mbi Policinë e Kosovës në atë pjesë, e kjo çështje duhet të rregullohet pas zgjedhjeve lokale. Barrën kryesore në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, sidomos në veri, do ta kenë faktori ndërkombëtar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që me mundësitë e tij do të mundohet ta luajë rolin e vet me komisionarët që do t’i dërgojë në veri në ditën e zgjedhjeve.

“Epoka e re”: Pra, ju mendoni se rolin kryesor për organizimin e zgjedhjeve në veri do ta ketë faktori ndërkombëtar?
Maloku: Policia e Kosovës nuk e ka kryer punën si duhet, sidomos në ditën kur Vulini ka hyrë në veri. Për shkak të kësaj, OSBE-ja, EULEX-i dhe KFOR-i do ta kenë barrën kryesore në ofrimin e një ambienti të sigurt ditën e zgjedhjeve në veri.

“Epoka e re”: Autoritetet lokale në Mitrovicë kanë kërkuar nga institucionet e sigurisë t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm që në veri të mbahen zgjedhjet në një atmosferë demokratike. Sa do të mund të garantojnë institucionet e Kosovës ambient të sigurt për këto zgjedhje?
Maloku: Komiteti për siguri në Mitrovicë kërkon zgjedhje të lira dhe demokratike në veri, por duhet ta dini se në zgjedhjet e fundit kemi pasur probleme të hatashme në gjithë territorin e Kosovës. Mendoj se një gjë të tillë duhet ta kërkojë një komunitet i sigurisë në nivel të Kosovës, përfshirë Qeverinë, KQZ-në dhe partitë politike. Pra, kërkohet angazhim i të gjithëve që këto zgjedhje të organizohen mirë, në mënyrë që të marrin notën kaluese nga faktori ndërkombëtar. Kalimi i testit të zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për Kosovën për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, sidomos me rastin e fillimit të dialogut për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Sipas mendimit tim, 3 nëntori paraqet një prag shumë të rëndësishëm që Kosova duhet ta kalojë. Ne prapë kemi dyshime, se këto zgjedhje mund të jenë përsëritje të zgjedhjeve të kaluara, sepse Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike nuk kanë bërë asgjë për përfundimin e reformës zgjedhore.

“Epoka e re”: Sipas jush, duhet të mobilizohen institucionet e sigurisë të krijojnë një ambient të sigurt për ditën e zgjedhjeve në veri?
Maloku: Institucionet e sigurisë në ditën e zgjedhjeve nuk duhet të bien pre e askujt. Ato nuk duhet të fiksohen nga askush. Këto institucione duhet të organizohen mirë dhe nuk duhet të lejojnë asnjë parregullsi më 3 nëntor. Sa i përket veriut, OSBE-ja dhe EULEX-i duhet ta marrin përgjegjësinë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

“Epoka e re”: Sa ka rrezik të ketë incident ditën e zgjedhjeve në veri për shkak se nga fillimi i fushatës zgjedhore strukturat radikale atje kanë kërkuar nga qytetarët të mos dalin për të votuar?
Maloku: Nuk besoj se do të ketë incidente të cilat do ta destabilizojnë gjendjen në Kosovë. Çfarëdo incidenti që mund të shkaktojnë grupet radikale në veri, sipas mendimit tim, nuk do të mund t’i vënë në pikëpyetje zgjedhjet atje. Zgjedhjet në pikëpyetje mund t’i vënë partitë politike dhe komisionarët në rast se sillen sikurse në zgjedhjet e kaluara. Në rast se do të ndodhë ndonjë incident në veri, adresa do të dihet, pra do të jenë grupet radikale të cilat janë kundër Kosovës. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se strukturat radikale në veri mund të shkaktojnë probleme edhe në të ardhmen. Të jem më i qartë, strukturat radikale mund ta lëndojnë procesin zgjedhor, por assesi ta dëmtojnë procesin.

“Epoka e re”: Pas 3 nëntorit, duhet që institucionet e Kosovës ta ndërrojnë qasjen karshi veriut?
Maloku: Ministria e Punëve të Brendshme pas zgjedhjeve duhet të merret me ristrukturimin e policisë në veri të Kosovës. Me fjalë të tjera, policët në veri duhet të thirren para përgjegjësisë. Ministria e Punëve të Brendshme duhet t’i mbledhë të gjitha informatat në mënyrë që ta ketë një pasqyrë të qartë se çfarë realisht duhet të ndryshojë në atë pjesë.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për daljen e qytetarëve të veriut në zgjedhje?
Maloku: Të gjithë faktorët dhe elementet tregojnë se do të ketë numër të vogël të serbëve të veriut që do të dalin në zgjedhje. Mirëpo, në momente të caktuara serbët dinë të veprojnë ndryshe, sidomos kur marrin thirrje nga Beogradi. Me fjalë të tjera, ata u binden thirrjeve të Beogradit. Personalisht pres ngritje të përqindjes të serbëve në zgjedhje, pasi që këtë javë pritet të vijë në Kosovë Vuçiqi, i cili do të kërkojë dalje të serbëve në zgjedhje. Për mua nuk ka shumë rëndësi se sa serbë të veriut do të dalin në zgjedhje, por mbajtja e tyre në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pavarësisht se OSBE-ja do ta bëjë monitorimin e këtij procesi.

Jordania do ta mbështet Kosovën

0

Jahjaga-mbreti Abdullah i JordanisePresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër me mbretin Abdullah të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, në kuadër të Forumit të 9-të Botëror Islamik Eekonomik. Jahjaga e falënderoi mbretin Abdullah për ndihmën që Mbretëria e Jordanisë i ka dhënë për Kosovën në periudha të ndryshme të zhvillimt të saj dhe mbështetjen që ky vend i ka ofruar Kosovës edhe pas pavarësimit të saj në vitin 2008.

Presidentja Jahjaga i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe tha se është i nevojshëm thellimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, posaçërisht në atë të zhvillimit ekonomik. Ajo tha se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtutjeshme përmes gjetjes së mundësive për investim në energji, infrastrukturë dhe në zhvillimin e bujqësisë.

Duke folur për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës tanimë është një realitet i njohur nga shumë vende të botës dhe theksoi se ndihma e Jordanisë në procesin e konsolidimit dhe të njohjes së shtetësisë së Kosovës, posaçërisht në vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, do të ishte e një rëndësie të veçantë.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta dhe si dy shtete që kultivojnë tolerancën ndërfetare kanë interes të përbashkët që të adresojnë kërcënimet e ekstremizmit kudo dhe kurdo që të shfaqet. Ajo tha se kjo është një çështje që kërkon qasje të përbashkët.

Mbreti Abdullah i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, i vlerësoi marrëdhëniet me Kosovës dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë që të mbështesë përpjekjet e Kosovës për ndërtimin e një vendi gjithëpërfshirës dhe demokratik. Ai tha se Jordania do ta ndihmojë Kosovën në organizimin e një konference ndërkombëtare gjithëpërfshirëse për tolerancën ndërfetare.

Mbreti Abdullah tha se Jordania do ta përkrahë Kosovën edhe në procesin e konsolidimit të pavarësisë së saj në botë, në veçanti në mesin e vendeve islamike./PrizrenPress.com/

Jacobson: Zgjedhjet të mbahen pa mashtrime dhe kërcënime

0

Tracey Ann JacobsonAmbasadorja amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson ka takuar sot liderët e partive politike të Kosovës në prag të zgjedhjeve komunalet të 3 nëntorit. Lajmi për Radio Kosovën është konfirmuar nga zyrtarët e ambasadës.

“Ambasada amerikane konfirmon se ambasadorja Jacobson ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike të Kosovës në vazhdën e përpjekjeve për të përkrahur zgjedhjet pa mashtrime dhe kërcënime, të cilat duhet t’i plotësojnë standardet evropiane”, thuhet në tekstin e konfirmimit zyrtar të Ambasadës për Radio Kosovën.

Mbështet Latifin, Haradinaj: Do të jem Kryeministër

0

haradinaj dhe LatifiDega e AAK-së në Rahovec, në përmbyllje të fushatës zgjedhore, edhe një herë bëri thirrje për mbështetje popullore për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës, Smajl Latifi dhe kandidatëve të saj për Kuvendin e Komunës.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se kandidati Smajl Latifi është ndër kryetarët më të mirë që kanë komunat në Kosovë.

“Ju kryetarin e keni të mirë. Smajli ka dëshmuar se është njeriu i duhur dhe punët e tij në këtë gjysmë mandat janë evidente. Mirëpo, në mandatin e tij të plotë ai nuk do të jetë vetëm, sepse unë do të jem kryetar i Qeverisë dhe projektet do t’i realizojmë së bashku”, tha Haradinaj.

Ai tha se për Rahovecin ka katër projekte të mëdha. “Fillimisht do të nisim me rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë, do të rregullojmë auto-udhën Pejë-Prizren, ku do të ketë qasje edhe për Rahovecin, do të investojmë në ngritjen e kapaciteteve përpunuese në bujqësi, kurse mbështetja për bujqësinë do të shumëfishohet. Mbi këtë bazë ju them se pas marrjes së detyrës si kryetar i Qeverisë do të rritim investimet në bujqësi dhe ju them publikisht se aktualisht ndahen një për qind e buxhetit të përgjithshëm, ndërsa ky një përqindësh do të ndahet vetëm për Rahovecin në mandatin tim. E them këtë sepse këtu investimet nuk shkojnë dëm, pasi që ju jeni të njohur për punë të ndershme e të palodhshme”, tha Haradinaj duke bërë thirrje që të votohet Smajl Latifi dhe lista e kandidatëve të AAK-së në Rahovec.

Kurse, Latifi tha se kemi dëshmuar punë e përkushtim dhe jemi të gatshëm që të vazhdojmë me punët e nisura dhe të tjera që do të nisin e përfundojnë në periudhën katërvjeçare.

“Përkushtimi ynë ka qenë sistematik dhe gjithnjë kemi ndërmarrë veprime në përputhje me vullnetin dhe nevojat e qytetarëve, shtoi Latifi. Filozofia për bashkëqeverisje me qytetarin do të vazhdojë të jetë motoja jonë. Bujqësia do të jetë krye temë dhe rritja e mbështetjes për këtë sektor të ekonomisë do të vazhdojë të jetë në planet tona të punës. Mbi të gjitha ne ju premtojmë qeverisje të ndershme dhe të përkushtuar, duke ndërmarrë masa që qytetari të gëzojë shërbime më të mira dhe efikase”, tha Latifi./PrizrenPress.com/