12.6 C
Prizren
E premte, 17 Prill, 2026
Home Blog Page 9019

Balotazhi

0

Krasniqi-Jakup5-21

Shkruan: Jakup Krasniqi

Në këto zgjedhje kemi fituar në sajë të një pune në emër të Partisë Demokratike të Kosovës duke u angazhuar me kapacitete jo të plota, me mundësi jo të barabarta veprimi, me qëllime ndoshta edhe anatemimi. Të paangazhuarit duke qenë të pakënaqur me shumë vendime e qëndrime, ata do te zgjedhin unitetin e heshtjes apo unitetin e rrejshëm.
Çështja është pse PDK-ja nuk ka funksionuar si duhet, a ka edhe diçka tjetër apo pse organet drejtuese të saj veç kryetarit nuk kanë funksionuar, nuk janë pyetur për asgjë. A mundin këto organe të zgjedhura të funksiononin pa i ushtruar kompetencat statutare? Pse ata, vetëm sa ia kanë mbajtur ison vendimeve të kryetarit? Bëhej kjo pse kishin besim të patundshëm në kryetarin apo s’i pyeste kush për asgjë? Pse fushata ka qenë e përqendruar te disa grupe joformale, jashtë çdo vendimmarrje, individ që nuk mund të shquheshin për ndonjë organizim politik si ishin zgjedhjet dhe nuk gëzonin asnjë ndikim dhe autoritet, bile as në familjet e tyre.
PDK votat i ka nga UÇK, nga Lëvizja Kombëtare (ilegalja), nga veprimtarët politikë e disa intelektualë që e kanë parë interesin e tyre dhe të kombit në kuadër të partisë sonë. Nga veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare kemi një shkëputje të lehtë (duke afruar individë me të kaluar të dyshimtë), që në të ardhmen nuk mund të jetë e papasojë për numrat e PDK-së në zgjedhje. Edhe puna e kompanisë amerikane në dy palë zgjedhjet e fundit duhet analizuar me kujdes pasi mendoj se nuk ka sjellë ndonjë rezultat që do ta arsyetonte punën e saj edhe më tej. Në zgjedhjet e fundit kemi pasur edhe humbje, keni parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë.
Në këto zgjedhje Kryesia dhe KD i PDK-së kanë heshtur, nuk i kanë marrë vendimet ose i kanë marrë vendimet pa asnjë debat dhe pa përfillur procedurat statutare, por kjo heshtje qoftë edhe miratimi në heshtje nuk i amniston nga përgjegjësia dhe mungesa e demokracisë së brendshme asnjërin nga ne. Natyrisht përgjegjësia e ka edhe hierarkinë e saj. Organizimi ynë bazën fillestare e ka të idealizmi i lirisë dhe i pavarësisë, kjo fazë duket sheshit se u tejkalua, tani është koha e vlerësimit të meritave e përvojës politike e praktike të organizimit, mbi bazën e interesave të përcaktuar qartë, të kapaciteteve politike, intelektuale e profesionale qe i ka secili nga ne që i vumë dhe i avancuam themelet e kësaj partie ku investuam gjithë kapitalin tonë jetësor, politik, intelektual, kombëtar e moral.
Shumë avancime të njerëzve që janë bërë në qeveri janë bërë pa merita politike, intelektuale, kombëtare e profesionale?!! Avancimi i gjeneratave të reja po, por ajo nuk po ndodh mbi bazën e vlerave intelektuale, politike, profesionale, kombëtare e morale që kanë shumë të rinj në Kosovën e sotme. Njoh shumë të rinj anëtarë të PDK-së nga fillimi, që kanë kapacitet të lartë intelektual, politik, kombëtar e profesional që jo vetëm u duhen institucioneve të Kosovës sot, por do ta avanconin shumë punën e tyre, kualitetin dhe përgjegjësin e punës në këto institucione, por këta e ndonjë tjetër që kanë mendimin e tyre, nuk i sheh të avancohen, ndërsa avancohen butaket e padinjitet.
Këtyre njerëzve të devotshëm të partisë nuk po u lëmë hapësirë veprime pse ishin me ne kur disa dje na shanin dhe etiketonin me gjithfarë epitetesh e sot i hasim kudo rreth nesh. Unë po i frikësohem kësaj politike “praktike” që na është bërë modë mendimi e veprimi – të shkëputjes nga baza e jonë mbështetëse e zgjedhore.
Të them edhe ketë, humbjen duhet parë si një rezultat të heshtur të të pakënaqurve në organet e partisë, nëse këta të heshtur bëhen të zëshëm nesër, humbja do të jetë më e thellë, diçka të ngjashëm me LDK e vitit 2007. Konsideroj se duhet të kthjellemi duke qenë të bindur se askujt nuk i mjafton vetvetja. Gjatë këtyre viteve të disa njerëz me përgjegjësi politike në parti ka qenë e shfaqur tepër dukshëm tendenca për t’i penguar prurjet e reja e sidomos për çdo njërin që e kanë konsideruar si konkurrent në jetën politike. Njerëzit me autoritet politik, intelektual e ekspertë nuk janë parë dhe ende nuk shihen si një përparësi për partin, shihen si pengesë për këta karrieristë miopë.
Kjo gjendje na obligon të mendojmë për shpejtimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe si kohë më e mirë do të ishte pjesa e parë e vitit 2010. Kjo kërkon një analizë ndoshta më serioze. Por sigurisht që duhet të mendojmë shumë për zgjedhjet e kuadrove në organet e PDK-së. Për kuadro të mirë e të devotshëm duhet një angazhim edhe I organit drejtues të partisë demokratike – Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së PDK-së.
Zgjedhjet për Asambletë Komunale duhet parë si zgjedhjet më të këqija të mundshme si për qytetarët ashtu edhe partinë tonë. Nuk e di si është kjo te partitë e tjera, por në partinë tonë në shumë degë janë zgjedhur kuadrot më jo meritoret e më matrapazët e mundshëm.
Kuadro që nuk vlejnë asgjë e të pa nivel. Ky sistem proporcional me lista të hapura e çdo qytetar një votë duhet të pengohet në të ardhmen me çdo kusht. Ky sistem ku matrapazët, e kam fjalën për komisionarët dhe vëzhguesit në vendvotime që bëjnë punën e tyre të ndyrë duhet ndryshuar ose duhet mbyllur listat. Ky sistem është me e eliminuar Çdo vlerë politike, intelektuale, profesionale dhe etike. Ky sistem nuk prodhon vlera. Ky sistem për njerëzit e ndershëm, që nuk bëjnë garë brenda partisë, përgatitë humbjen finale të partisë sonë. Zgjedhjeve duhet me ju bërë një analizë të shumanshme.

Zgjedhjet e balotazhit

Zgjedhjet e balotazhit nuk mund të themi se janë të pa suksesshme për PDK, por sigurisht që kërkojnë një analizë të plotë e të gjithanshme. Porosia e parë që duhet ta marrim është: duhet t’i kthehemi punës kolektive të organeve drejtuese të partisë; duhet analizuar punën e kompanisë që dy vjet ka eliminuar nga funksionimi strukturat e partisë, duhet parë dëmin që kjo Kompani i ka sjellë PDK-së në këto zgjedhje.
Çështje tjetër që duhet parë është fakti se me raporte të çrregulluara, siç ishte rasti i Prizrenit dhe i Gjilanit nuk mund të fitohet dhe duhet parë së, shkëputja e njerëzve me ndikim siç ishte rasti i Hanit të Elezit, mund të shkaktojë dhimbje, nëse jo më shumë për partinë tonë. Nëse arrijmë t’i nxjerrim mësimet e duhura nga këto zgjedhje, mund të kemi perspektiv edhe në të ardhmen. Duhet të mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të mbahen në vitin 2010. Me këtë formë të qeverisjes deri në fund të vitit 2011, zgjedhjet e vitit 2011 I rrezikojmë seriozisht. Unë, me këtë formë të qeverisjes, me këtë performancë që po tregojmë, nuk pres që do të kemi ndonjë raport pozitiv në qeverisje.

Të përfundojmë: është domosdoshmëri që organeve të partisë t’u kthehet autoriteti statutor, konkurrenca, përvoja jetësore e praktike, debati dhe vendimmarrja se vetëm kështu u zgjatet jeta sukseseve tona në qeverisjen e vendit.

Demaçi: Ndarja brina s’ka

0

Adem DemaciAdem Demaçi thotë se Fatmir Limaj tashmë ka nisur rrugën e vet në politikë. Ai mendon se ndarja tashmë ka ndodhur, për ata që kanë veshë dhe dëgjojnë jehonën e tupanit që po rrah. Fjala formale, sipas tij, nuk ka rëndësi në këtë rast.

Adem Demaçi thotë se mesazhi që ka dhënë Fatmir Limaj nga Malisheva është shumë i qartë.

Përveç si ndarje, ajo nuk ka si të kuptohet ndryshe.

Veprimtari i çështjes kombëtare, në një bisedë për lajmi.net thotë se Fatmir Limaj tashmë ka nisur rrugën e vet në politikë, për të cilën e ardhmja do të tregojë nëse ka vepruar mirë, ose keq.

“Çdo njeri ka të drejtë të vendosë vetë për fatin e tij. Ka të drejtë edhe të ecë një rruge, ta lërë atë rrugë, të fillojë një rrugë tjetër. Nëse është fjala për politikë apo për çfardo qoftë. Kështu që, në këtë prizëm unë e shoh si shfaqje të vullnetit të vet”, thotë Demaçi.

“Zotëria po mendon që është më mirë që të bashkohet me atë Iniciativën Qytetare që ka lindur, por edhe me Iniciativat tjera që po krijohen në Kosovë. Nuk ka asgjë të keqe si qytetar. E tash, sa do t’i bjerë mirë, ose sa do t’i bjerë keq, e ardhmja do ta tregojë”.

Adem Demaçi thotë se ndarja ka ndodhur, për ata që kanë veshë dhe dëgjojnë jehonën e tupanit që po rrah.

“Ai që ka veshë e dëgjon tupanin. E tupani po dëgjohet. Derisa ai i thërret qytetarët që të bashkohen me këto Iniciativa Qytetare edhe në qytetet tjera, jo vetëm në Malishevë, dhe përderisa thotë se do të jetë me ta dhe pas tyre – ky është largimi”.

“Mendoj që fjala formale nuk ka rëndësi në këtë rast, por ka rëndësi vetë fakti që ai është dakord me një lëvizje të tillë. Është i gatshëm të qëndrojë prapa asaj lëvizjeje dhe kjo tregon që ky Zotëri do të fillojë një rrugë të veten”.

“E ardhmja do të tregojë se sa është me vend dhe sa është e saktë. Më duket se formalisht ai është shkëputur nga PDK”.

Fatmir Limaj, të hënën, në tubimin e mbajtur në Malishevë, nuk u deklarua deri në fund për largimin e tij nga PDK. Ai doli në përkrahje të Iniciativës Qytetare në Malishevë, por nuk i tha “lamtumirë” partisë.

Për Demaçin, Limaj me përkrahjen e Iniciativave Qytetare i ka shkuar deri në fund ndarjes.

“Me fjalimin e djeshëm që ka mbajtur, unë mendoj që deri në fund i ka shkuar ndarjes. Përderisa ai thërret që të organizohen njerëzit prapa kësaj iniciative qytetare, dhe se ai do të jetë me ta, kjo është që t’i shkojë deri në fund. Me brina nuk është ajo që t’i shkojë deri në fund”.

Procesi i njohjeve, i pandalshëm

0

Hoxhaj_IhsanogluMinistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Nju Jork është takuar sot me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), Ekmeleddin Ihsanoglu.

Gjatë takimit ndërmjet ministrit Hoxhaj dhe sekretarit Ihsanoglu është biseduar për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe u ripërsërit qëndrimi se Kosova meriton anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.

Dy bashkëbiseduesit u pajtuan po ashtu se procesi i njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës do të vazhdojë dhe se ai është një proces i pandalshëm. Ministri Hoxhaj kërkoi nga sekretari Ihsanoglu që Organizata e Bashkëpunimit Islamik të mbajë në agjendë Kosovën, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork. Hoxhaj dhe Ihsanoglu diskutuan edhe për krizën në Siri, ku u çmuan përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e këtij konflikti. Ministri Hoxhaj shprehu mirënjohje për përpjekjet e vazhdueshme të sekretarit Ihsanoglu dhe për mbështetjen e dhënë për Kosovën.

Hoxhaj, është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Nasser Judeh, të cilin e ka njoftuar për progresin në Kosovë, si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar. Hoxhaj falënderoi ministrin Judeh për përkrahjen e Jordanisë, si dhe shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Hoxhaj_JudehJudeh, vlerësoi progresin në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit të tij për Kosovën. Ministri Judeh shprehu interesimin e Jordanisë për avancimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve me Kosovën./PrizrenPress.com/

Kosova merr pjesë në sesionin e Parlamentit Kulturor Evropian

0

Parlamenti Kulturor EvropianParlamenti Kulturor Evropian është forum i cili mbledh mbi 100 personalitete evropiane në fushën e artit dhe kulturës.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Erzen Shkololli, është ftuar të marrë pjesë në sesionin e dymbëdhjetë të Parlamentit Kulturor Evropian i cili këtë vit do të mbahet në Edinburg të Skotlandës më datat 25-26 shtator 2013.

Siç njoftohet nga Galeria Kombëtare, Shkololli do jetë pjesëmarrës në simpoziumin me temë lirinë e shprehjes I cili do të mbledhë artistë dhe profesionistë të artit nga e gjithë Evropa për të adresuar rolin e politikave të artit në raport me lirinë e shprehjes.

Shkololli do të spreh pikëpamjet e tij për zhvillimet në Evropë nga perspektiva e angazhimit të tij kulturor.

Parlamenti Kulturor Evropian është një forum i cili mbledh mbi 100 personalitete evropiane në fushën e artit dhe kulturës. Parlamenti synon të rrisë bashkëpunimin kulturor në Evropë si dhe të forcojë rolin e ideve kulturore dhe artistike në debatin mbi të ardhmen e Evropës. Poashtu, ECP mbështet vlerat e përbashkëta, identitetin kulturor, diversitetin dhe tolerancën, si dhe promovon ndërtimin e urave mes kulturave.

Shkololli është anëtar i Parlamentit Kulturor Evropian që nga viti 2003, ndërsa për të dytin vit me rradhë ai do ta përfaqësojë institucionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Përveç Shkolollit, këtë vit në takimin e ECP do të marrin pjesë edhe arkitektja Eliza Hoxha dhe Drejtori Artistik i DokuFest –it, Veton Nurkollari, të cilët janë nominuar të jenë anëtarë të ECP nga Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Subjektet politike kanë nisur fushatën para fillimit zyrtar të saj

0

Afishet e partiveDerisa afrohet 3 tetori, kur zyrtarisht do të nisë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, atmosfera zgjedhore sa vjen e nxehet, e kjo vërehet në tubimet e çdoditshme që subjektet e ndryshme dhe kandidatët e tyre mbajnë në çdo komunë të Kosovës. Në këtë mënyrë, subjektet politike kanë filluar fushatën shumë kohë para fillimit zyrtar të saj. Njohësit e zgjedhjeve thonë se KQZ-ja nuk duhet të jetë tolerante ndaj sjelljeve të tilla.

Edhe dhjetë ditë na ndajnë në fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor. Zyrtarisht fushata fillon më 3 tetor, por ndërkohë, partitë politike ka kohë që tashmë e kanë filluar fushatën. Ish kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu thotë se gjithmonë në KQZ ka ekzistuar një tolerancë e panevojshme ndaj partive politike.

“Është një lloj tolerance e cila nuk do duhej të ndodhte për arsye se i sjellë dëm edhe procesit edhe subjektit politik, ani pse duket ndoshta profitabile dhe dobisjellëse”, tha Baraliu.

Kryetarja e KQZ-se, Valdete Daka thotë se KQZ-ja nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim, ngase nuk është e sanksionuar me ligj një ndalesë e tillë. Gjithsesi Daka thotë se ndonëse zyrtarisht fillon me 3 tetor, partitë ka kohë që tashmë e kanë filluar fushatën zgjedhore.

“Po, ajo është fushatë zgjedhore, normalisht që është në kuadër të fushatës zgjedhore, por meqenëse nuk është e sanksionuar me ligj për momentin, ne nuk kemi çfarë të ndërmarrim si KQZ. Kjo mbetet në ndërgjegjen e vetë subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre. Për momentin ashtu është e rregulluar me ligj dhe ne e respektojmë ligjin.”, tha Daka për Radio Kosovën.

Por, ish kryeshefi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se KQZ-ja mund të marrë masa ndaj subjekteve që zhvillojnë fushatë elektorale para fillimit zyrtar të fushatës.

“Është në dorën e KQZ-së, jo rastësisht po ju përmend dispozitat e dy ligjeve elektorale, pra rregulla zgjedhore që rregullon fushatën dhe aty parashihen detyrat e subjekteve politike, por edhe masat që mund t’i ndërmarrin organet elektorale, KQZ dhe PZAP, të janë të autorizuara që të veprojnë në rast të shkeljeve të tilla. Përndryshe, tamam puna mos të kishte mekanizma limitues të veprimeve të cilat konsiderohen fushatë para fushatës”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Ditë më parë, Aleanca Kosova e Re i ka bërë thirrje KQZ-së të ndërhyjë dhe sipas ligjit ta ndalojë praktikën të cilën kanë filluar ta aplikojnë disa parti politike duke filluar fushatën politike para datës së caktuar. Përgjigja e KQZ-së ka qenë negative, me arsyetimin se nuk mund ta ndalë fushatën e parakohshme të partive politike, ngase një gjë e tillë nuk është e sanksionuar me ligj.

KMDLNJ: Mos e paragjykoni procesin ndaj “Grupit të Drenicës’’

0

KMDLNJ-logoShefi i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX në një intervistë në media ka folur për angazhimin e EULEX-it aktualisht në Kosovë dhe për perspektivën e këtij misioni në kohën kur po kërkohet bartja e të gjitha përgjegjësive te institucionet kosovare.

”Misioni i EULEX-it është paraparë të zgjasë deri në muajin qershor të vitit 2014. Zoti Borchard e bëri të ditur se EULEX-i do t’i mbajë disa përgjegjësi ekzekutive sidomos në rastet e krimeve të luftës duke potencuar se ky mision mund dhe do ta luaj një rol shumë më aktiv në Veri të Kosovës për shkak të ndjeshmërisë së situatës dhe pamundësisë që institucionet e Kosovës të sigurojnë një prani dhe veprimtari efektive.

Për KMDLNJ është jashtëzakonisht me rëndësi të zbardhen rastet e krimeve të luftës, fati i personave që konsiderohen si të pagjetur dhe sjellja e përgjegjësve para gjyqit në mënyrë që të marrin dënimin apo pafajësinë në përputhje me provat dhe dëshmitë e tjera. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi një satisfakcion për viktimat, familjet e tyre por edhe përmbushje të drejtësisë si parakusht për parandalimin e krimeve të ngjashme në të ardhmen. KMDLNJ, viktimat e luftës por as të dyshuarit për krime lufte nuk i trajton sipas përkatësisë etnike por ekskluzivisht nga aspekti i të drejtave të njeriut.

Në anën tjetër KMDLNJ kërkon që edhe ndaj të dyshuarve për krime lufte, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike të zhvillohen hetime të pavarura, gjykim të drejtë dhe të pandikuar politikisht si dhe të krijohen mundësi për mbrojtje cilësore për të dyshuarit dhe të akuzuarit.

KMDLNj fuqishëm e refuzon paragjykimin e fajësisë apo pafajësisë si mjet të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë. Në fakt, paragjykimi është presion mbi institucionet hetimore e sidomos për gjykatat që janë institucionet kompetente për shqiptim të dënimit apo vendim lirues për të akuzuarit.

Kur flet për “Grupin e Drenicës”, Borchard pikërisht paragjykon për procesin me vet faktin se ai deklaron se ky proces do të zgjasë shumë duke bërë me dije se të arrestuarit për aq kohë do të mbahen në paraburgim.

Për aq sa ka informatë KMDLNJ, pozita e Borchard është pozitë politike dhe ai nuk është as gjyqtar hetues, as prokuror e as kryetar i Panelit Gjyqësorë në rastin e “Grupit të Drenicës”. Prandaj, pozita e tij nuk e lejon të ndërhyjë në “Grupin e Drenicës”duke përcaktuar dinamikën e kohëzgjatjes së procesit, duke lavdëruar dëshmitarët në këtë proces por as në proceset e ngjashme.

Shefi i EULEX-it nuk duhet të ngatërrohet me punët e hetuesisë apo gjykatës sepse në këtë mënyrë qartazi llogaritet si presion në këto institucione dhe paragjykim i fajësisë. Le të vendosë gjykata për “Grupin e Drenicës” dhe të akuzuarit e tjerë ndryshe nuk mund të flasim për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe pa ndikime politike! Në të kundërtën mund të konsiderojmë se Borchard, si shef i EULEX-it po i shkel të drejtat e personave të privuar nga liria. Dhe se po ndikon në punën dhe vendimin e gjykatave”, thekson KMDLNJ.

Komuna, shkolla, administrata, shteti nuk janë prona private të askujt!

0

fatmir Limaj 1223Të dashur qytetarë,
Jam larguar që 28 vjet nga Malisheva. Këtu kam marr edukimin e parë njerëzor e atdhetar, të cilin e kam kompletuar me edukim njerëzor dhe profesional në Prishtinë. Prandaj Malisheva dhe Prishtina për mua janë të pandashme, sepse këtyre dy vendeve u takon merita për atë që jam unë sot.
Në Malishevë u brumosa me ideale patriotike dhe dashuri për atdheun, duke dëgjuar të kaluarën patriotike dhe atdhetare të shumë heronjve e atdhetarëve të kësaj ane. Këtë të kaluar të tyre ma mësuan shumë burra të mençur, edhe mësuesit dhe arsimtarët e kësaj ane, ndërsa si 15-vjeçar Prishtina më ndihmoi dhe më mësoi të edukohem si intelektual dhe të përgatitem për ta gjetur rrugën drejt lirisë. Po ashtu, më ka dhënë mundësinë të njihem me të gjithë kompleksitetin e problemeve në të cilën gjendej Kosova në atë kohë. Kombinimi i këtyre virtyteve të fituara në vendlindjen time apo në vendrritjen e edukimit tim më kanë ndihmuar të jem ky që jam sot, dhe këtu shfrytëzoj rastin ta falënderoj Malishevën, – vendlindjen time, dhe Prishtinën, – vendrritjen time.

Të nderuar qytetarë,
Vendi ynë si shtet, që është ende në ndërtim e sipër, po ballafaqohet me qindra mijëra probleme për funksionim të mirëfilltë. Shteti ynë sot ballafaqohet me probleme të cilat ne nuk mund t’i zgjidhim vetëm dhe natyrisht për zgjidhjen e tyre kemi nevojë për ndihmë dhe për të siguruar ndihmë neve na duhen miq për të na ndihmuar, sa më shumë miq, e edhe kjo nuk mjafton, sepse për të pasur më shumë miq dhe ndihmën e tyre, ne duhet ta meritojmë këtë. Si ta meritojmë, apo si ta fitojmë simpatinë e këtyre miqve që na duhen?
Unë besoj dhe jam i bindur se ka vetëm një rrugë: Ne duhet së pari t’i kthehemi me besim e vendosmëri vetes sonë. Të bëjmë atë që duhet dhe mundemi më së miri për shtetin tonë.
Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht potencialin e vet njerëzor.
Kosova duhet t’i shfrytëzojë pasuritë e veta në funksion të ndërtimit të një shteti të lirë, demokratik dhe funksional.
Ka shumë probleme dhe sfida të cilat mund dhe duhet t’i zgjidhim vetë e jo të kërkojmë që dikush tjetër të na i zgjidhë ato për të cilat e kemi për detyrë t’i zgjidhim vetë. Miqtë tanë duhet të na shohin se ne po përpiqemi, po bëjmë të pamundurën për ta bërë Kosovën shtet funksional. Si mund të bëhet kjo?
Unë mendoj se duhet të fillojmë nga gjërat të cilat nuk kërkojnë shpenzime e që janë të thjeshta.
Ta kthejmë shpresën në mesin tonë, se edhe ne dimë dhe mundemi.
Ta kthejmë besimin në veten tonë dhe në njëri-tjetrin.
Të flasim hapur dhe me sy kritik e dashamirës për dobësitë tona.
T’i respektojmë përpjekjet dhe punën e mirë të njëri-tjetrit!
Të distancohemi nga ata të cilët tentojnë t’i pengojnë njerëzit e mirë, njerëzit që janë duke bërë punë të mira për atdheun e tyre.
Sa më shumë që punojmë më pak kemi kohë për t’u marrë me gjëra të kota, të panevojshme e, nganjëherë, të dëmshme. Në qoftë se nuk mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të paktën mos ta pengojmë në punën e tij. Ky vend do të ecë përpara vetëm atëherë kur do të nderohet dhe të respektohet punëtori (bujku i mirë, mësuesi i mirë, studenti i mirë, kryetari i mirë i komunës etj.). Me një fjalë, ta ndajmë të mirën nga e keqja, të distancohemi nga servilët, gënjeshtarët, shpifësit.
Liria nuk është vetëm liri fizike për t’u shëtitur lirshëm ku të duash ose për të pirë një kafe ku të duash. Jo! Liria është më tepër se kaq. Liria është ajo që garanton Kushtetuta për secilin qytetar të Kosovës. E drejta është ajo që garanton ligji për secilin qytetar të Kosovës. Të gjithë duhet t’i respektojmë këto liri dhe të drejta, dhe askush nuk guxon t’ia cenojë ato askujt.

Të nderuar bashkëvendës të mi,
Vlerat demokratike të një shteti ligjor janë: E drejta për jetë të lirë; E drejta për ta shprehur mendimin e lirë; E drejta për punë; Mbrojtja nga diskriminimi dhe barazia qytetare, etnike, fetare etj. Prandaj, kushdo që merr guximin të na i shkelë këto të drejta, ne duhet të bashkohemi për të mos lejuar të bëjë një gjë të tillë, sepse vetëm duke mbrojtur tjetrin nga padrejtësitë që bëhen ndaj tij ne ruajmë dhe sigurohemi që ajo padrejtësi nesër të mos bëhet ndaj nesh. Apeloj që kudo që të jeni dhe kudo që të bëhen padrejtësi ndaj individëve, ta ngrehni zërin të bashkuar dhe të solidarizoheni me kolegun tuaj ndaj të cilit bëhet padrejtësia. Mbrojini me zë të drejtat tuaja të cilat ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sepse ato nuk janë të dhuruara, por i kemi fituar vetë. Kushdo që tenton t’jua shkelë këto të drejta shfrytëzojeni të drejtën e juaj ligjore për t’i denoncuar dhe, në qoftë se ky është politikan, atëherë shfrytëzojeni të drejtën tuaj edhe për të mos ta votuar.
Komuna, shkolla, administrata, shteti nuk janë prona private të askujt. Ato janë të qytetarëve ashtu siç i kanë rregulluar ligjet.
Jemi në kohën ku së shpejti do të mbahen zgjedhjet lokale dhe ky është momenti kur populli merr vendim se kënd do ta votojë. Para se të shkoni te kutitë e votimit kthehuni mbrapa dhe vlerësoni punën e atyre që kanë qenë deri më tani në njërën anë dhe analizoni mirë ata të cilët pretendojnë të vijnë. Dita e votimeve është dita ku ju mund t’i dënoni të gjithë ata të cilët nuk kanë pasur sjellje demokratike apo qeverisje që e keni pritur ju. Dhe ju e keni rastin që ata t’i largoni dhe të sillni njerëz të rinj në atë qeverisje ose, nëse jeni të kënaqur, t’ua vazhdoni qeverisjen atyre që keni pasur deri më tani. Vetëm kështu atë ditë të votimit populli ka rastin t’u tregojë të gjithë atyre, të cilët pushteti i ka bërë arrogantë dhe ua ka mbyllë sytë, se ai është sovrani dhe ai vendos.

Unë gjithë jetën jam angazhuar për ndryshime të cilat sjellin rezultate pozitive dhe do të vazhdoj kështu.
Unë jam angazhuar dhe angazhohem për hapje dhe dhënie mundësi njerëzve të cilët kanë çka japin për komunën dhe vendin e tyre.
Unë do të vazhdoj të angazhohem për shtet ligjor, për qeverisje demokratike.
Unë do të mbështes njerëz që marrin vendime në institucione, që në procesin e vendimmarrjes të përfshihen sa më shumë qytetarët.
Unë do t’i mbështes njerëzit që respektojnë kompetencat e tyre ligjore dhe nuk tentojnë t’i privatizojnë ato.
Unë do t’i mbështes ata që i kuptojnë dhe u japin zgjidhje halleve të qytetarëve; Ata që jo vetëm e respektojnë vendimin ndryshe, por edhe i japin hapësirë atij vendimi; Ata të cilët nuk e përdorin pushtetin për hakmarrje personale, për shantazhime e kërcënime.
Njerëzit që janë në pushtet duhet ta kuptojnë që komuna, partia nuk janë prona private dhe të trashëgueshme. Ata duhet ta kuptojnë se të qenurit në një pozitë partiake apo shtetërore është kaluese dhe jo e përhershme. Dhe në qoftë se ata nuk e kuptojnë këtë, natyrisht se duhet të dalin njerëz që atyre t’ua kujtojnë këtë gjë.

Të nderuar bashkëvendës të mi,
Unë kështu e kam kuptuar kandidimin e z. Ragip Begaj dhe Iniciativës Qytetare për Malishevën, sepse pikërisht kjo ka ndodhur me ta. Duke mos pasur hapësirë për ndryshime aty ku kanë qenë dhe duke u ballafaquar me veprime të cilat nuk kanë lidhje me demokracinë, ata kanë vendosur të dalin para qytetarëve me këtë alternativë për ta kërkuar besimin e tyre. Andaj, duke besuar në këtë përcaktim të tyre, unë e mbështes z. Begaj për kryetar të Komunës së Malishevës dhe iniciativën e tij dhe kërkoj nga Malisheva, që më 3 nëntor t’i japë një shembull Kosovës ashtu siç i ka dhënë Hani i Elezit, se ne dimë të votojmë për ndryshime pozitive në shërbim të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Me këtë ju nuk i bëni shërbim vetëm Malishevës, por i bëni shërbim edhe Kosovës dhe demokracisë së saj të sapolindur.

I juaji,
Fatmir Limaj

JU FALEMINDERIT!

Berisha mirëpritet nga “ESNAF-i”

0

Berisha esnafKandidati për kryetar të Prizrenit nga  Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha është mirëpritur nga përfaqësuesit e Shoqatës së  Zejtarëve dhe Afaristëve  “ESNAF”.

Berisha edhe në këtë takim është shprehur i bindur se në zgjedhjet e 3 nëntorit BD-ja do t’i fitojë zgjedhjet në Prizren. “ Ekipi të cilin përfaqësoj unë ka vullnetin dhe guximin për të bërë ndryshime pozitive në qytetin e Prizrenit”, tha Berisha.

Ai premtoi se BD-ja do të fokusohet veçanërisht në zhvillimin ekonomik të qytetit me theks të veçantë në zonat industriale. Berisha tha se edhe në të ardhmën do të bashkëpunojë ngusht me shoqatat zejtare dhe afariste të Prizrenit, të cilat sipas tij, janë një shpresë e madhe për shkak të mundësive që kanë për të sjellë edhe investitorë të huaj në qytetin tonë.

Kandidati Berisha  ia ka dorëzuar Kryesisë së “ESNAF-it”, programin zgjedhor të 3 nëntorit.Ai tha se programi i BD-së është përgatitur nga ekspertë të fushave të ndryshme që ka Bashkimi Demokratik dhe qyteti i Prizrenit. “Ky program është garanci dhe shpresë e vetme për një jetë më të mirë në qytetin e Prizrenit”, tha Berisha.

Kryetari i “ESNAF-it”, Edis Qabrati, ndërkaq e ka njoftuar BD-në për aktivitetet e kësaj shoqate. Ai ai tha se Prizreni si qytet  me traditë të gjatë zejtare dhe afariste, ka nevojë për një klasë politike, e cila mbështet  bizneset e vogla dhe të mesme në Prizren si dhe stimulon zejet  e veçanta, të cilat  janë në shuarje e sipër si zeje të vjetra./PrizrenPress.com/

Vetëvendosje! publikon 10 problemet më kryesore të qytetarëve të Prizrenit

0

Votat e vv ne qytetLëvizja Vetëvendosje! në Prizren, ka shpalosur të martën të gjitha problemet e grumbulluara të qytetarëve. Kandidati i VV-së për kryetar të Prizrenit, Arbër Rexhaj tha se në aktivitetin që është organizuar dje 200 qytetarë kanë rreshtuar 10 probleme më kryesore që Komuna e Prizrenit nuk ka aarritur t’i zgjidhë.

“ Konsiderojmë se një pasqyrë e tillë e të dhënave flet për një gjendje të rëndë në Komunën e Prizrenit, me mungesë edhe të kushteve elementare për një jetë modeste të qytetarëve”, tha rexhaj.

Ai premtoi se  këto pakënaqësi dhe brenga të shprehura nga qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje  do t’i përfshijë  në Alternativën  Qeverisëse të saj, për këto zgjedhje lokale. “Ne besojmë se vetëm bashkëveprimi me qytetarë është garancë e një qeverisjeje të shembullit të mirë”, tha Rexhaj. /PrizrenPress.com/

Problemet që qytetarët i kanë shprehur në aktivitetin e Vetëvendosjes janë:

Papunësia     73%
Shkatërrimi urbanistik     50%
Mungesa e ujit të pijshëm     56%
Korrupsioni në pushtetin lokal     57%
Menaxhimi i keq i mbeturinave     41%
Punësimi i militantëve partiak     54%
Mungesa e parkingjeve     27%
Degradimi i arsimit     32%
Mungesa e ambienteve sportive     28%
Rrezikimi i trashëgimisë kulturore     45%
Shëndetësia e dobët    39%
Ujërat e zeza     24%

Mbi 1000 anëtarë të PDK-së në Malishevë kalojnë në IQPM

0

Limaj ne malisheveSi duket, prezenca e Fatmir Limajt në fjalimin e tij para qytetarëve të Malishevës ka shtuar kureshtjen që këta të fundit të përkrahin Limajn edhe më shumë.

Sipas një komunikatë thuhet se pesë nëndegë të PDK-së, kanë konfirmuar kalimin në Iniciativën Qytetare për Malishevën, ku anëtarësia e tyre arrin në mbi një mijë anëtar, po ashtu edhe shumë aktivistë të tjerë janë bashkuar në aktivitetet e IQPM-së.

Ndërsa rreth takimit te djeshëm të Limajt me këtë iniciativë, këta të fundit e vlerësojnë si shumë të përzemërt dhe entuziast, dhe se sipas tyre ishte takim i Komandantit me bashkë luftëtarët, ishte takim i liderit me qytetarët , ishte takim për ndryshim dhe për kthime të dinjitetit.

“Si çdo herë z.Fatmir Limaj edhe në këtë rast, pa me syt e mendjes, kërkesat dhe hallet e popullit të cilit i ktheu shpresën duke deklaruar mbështetjen e tij, për ndryshim duke mbështetur hapur dhe fuqishëm , Iniciativën Qytetare Për Malishevën dhe kandidatin e saj për kryetar Komune z. Ragip Begaj”, thuhet në komunikatë të IQPM-së./PrizrenPress.com/