13.3 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 9039

Fatos Baxhaku, sjell historitë e veçanta të shqiptaro-austriakëve

0

cadra kuqeObjekti i këtij libri janë fatet e përbashkëta të shqiptarëve dhe austro-hungarezëve, sa herë që dokumentohet bashkëjetesa e tyre. Ai është bazuar fort në historitë e pasuesve të familjeve austro-shqiptare që ende jetojnë në Shqipëri. Në disa raste bëhet fjalë për brezin e tretë apo edhe të katërt, kështu që kujtimet janë shumë të vagullta, por mbase pikërisht andaj edhe shumë të bukura. Në të tjera histori, bëhet fjalë për pasues të brezit të dytë dhe kështu që kujtimi i protagonistëve të këtyre historive ka ardhur mes nesh, në njëfarë mënyre sikur ata të ishin ende gjallë. Shumë prej protagonistëve të dikurshëm janë shuar ngadalë, në heshtje dhe pa lënë shumë gjurmë. Këta kanë mbetur vetëm ndër copëza kujtimesh të lodhura. Pasardhësit e këtyre familjeve kanë kohë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe kërkesave tona për t’u lidhur me ta iu përgjigj vetëm heshtja.

Pse “Çadra e kuqe”

Shpjegimi është tejet interesant. Walther Peinsipp, një ushtarak austriak në shërbim të Wehrmacht-it, përgjatë udhëtimeve të tij në Shqipërinë e Veriut më 1944 flet për çadrën e kuqe të një prifti katolik në Shllak, të shkolluar në Austri, të blerë në Innsbruck, që përdorej për të lajmëruar gjakësit se ai që e mbante ishte në besën e priftit dhe ndaj nuk duhej prekur. Me pak fjalë ishte një objekt i gëzuar e paqësor në zymtësinë kërcënuese e gri të maleve në kohë lufte, që rrezatonte idenë e mikut dhe atë të mbrojtjes nga rrebeshet e kohës. Ngaqë një objekt i thjeshtë u shndërrua befas në një simbol miqësie, më pëlqeu ky titull.
Libri është një kërkim disamujor, afërsisht një vit, mes këtyre familjeve, në Arkivin e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme në Tiranë. Janë intervistuar dhjetëra individë. Autori gjen rastin të falënderojë nga zemra me këtë rast të gjithë të intervistuarit, ata që harxhuan jo vetëm kohën e tyre të vyer, por na vunë në dispozicion të gjithë mirësinë e mundshme të mbetur që nga koha kur lindnin këto histori domethënëse. Ai u është mirënjohës thellësisht të gjithë këtyre njerëzve, që sot jetojnë që nga Dhërmiu e deri në Shkodër, pasues të një mirësie dhe dashurie që nuk pranon të dorëzohet a të shuhet. Kalorës të vërtetë të asaj çka ka mbetur më e mirë nga njerëzimi.

Ky libër përmban copëza lumturie jetëshkurtër, qeshje të dashuruarish ëndërronjës. Megjithatë, autori shpreh dëshirën që ky libër të lexohet nga sa më shumë njerëz. Ai, kush e di se përse, ka një bindje të fshehur se duke lexuar këto radhë, mirësie, por edhe marrëzie njëkohësisht, do të ndihmojnë që të gjithë të bëhemi disi më të afërt e më të kuptueshëm me njëri-tjetrin.
Pak histori
Lidhjet austriako-shqiptare, të paktën të dokumentuara, nisin andej nga fundi i shekullit XVI. Historianët përmendin një frat françeskan nga Dalmacia, Francesco Bertuçi, i cili hyri në lidhje me fisnikë dhe klerikë shqiptarë. Nuk dimë shumë për këto takime. Dimë se nëpërmjet atit françeskan shqiptarët u orvaten të kërkonin ndihmë për luftën e tyre kundër osmanëve.

Për herë të parë ata u njohën më mirë në fund të shekullit XVII. Këtë herë ishin pjesëtarë të të njëjtit koalicion. Me siguri do të jenë habitur me ngjashmërinë fizike mes tyre, austriakët, që kishin ardhur nga alpet dhe kelmendasit legjendarë biondë, syçelët e shtatlartë. Ushtria austriake komandohej nga gjenerali Piçolomini, ndërsa shqiptarët katolikë udhëhiqeshin nga Pjetër Bogdani (1630-1689), kryearqipeshkvi i atëhershëm i Shkupit…

Më 1740 shumë pjesëtarë të fisit të madh verior të Kelmendit morën pjesë në zhvendosjen e të krishterëve drejt Veriut për t’i shpëtuar islamizimit të dhunshëm. Mijërat e refugjatëve kishin në krye Arsenije IV, patriarkun e kishës serbe. Kelmendasit u vendosën në fshatrat Ninkince dhe Herkovce në Sirmi, përmbi lumin Sava mes qyteteve Mitrovicë e Shabac. Këta kelmendas të vjetër do të ishin ndër shtetasit e parë austriakë me kombësi shqiptare. Johann Georg von Hahn (1811-1869), zëvendëskonsull i Austrisë në Janinë, në mesin e shekullit XIX shkruante se këta banorë e kishin ruajtur vetëdijen dhe gjuhën shqiptare…

Por kishte edhe shqiptarë më të hershëm shtetas austriakë. Që më 26 nëntor të vitit 1657 Venediku u dha leje për t’u vendosur në vendin e quajtur Peroi, në gadishullin e Istrias, 10 familjeve shqiptare që kërkonin të arratiseshin nga sundimi osman. Këta 27 vetë i dhanë udhë një kolonie, e cila e ruajti gjuhën dhe përkatësinë shqiptare deri në kohët e vona. Edhe në Borgo Erizzo, në periferi të Zarës, po në Dalmaci, u vendosën më 1726 kolonë shqiptarë. Ata u ndihmuan nga ipeshkvi i Tivarit, Vinçenc Zmajeviç. Hahni shkruan se në mes të shekullit XIX shqiptarët e Zarës numëronin 880 vetë dhe flisnin ende shqip. Kur, pas fushatave napoleoniane, Venediku pushoi së ekzistuari si fuqi mesdhetare, të gjitha këto territore dalmate i kaluan Austrisë, kështu që shqiptarët e vjetër u bënë të gjithë shtetas austriakë. Ekzistojnë edhe dy informacione të vagullta mbi dy pjesëtarë të familjes së vjetër Suma, që ishin vendosur me sa duket në Vjenë. Njëri prej tyre ishte Dom Llukë Suma, meshtar në katedralen e Shën Stefanit në Vjenë dhe tjetri ishte Antonio Andrea Suma, i cili më 1777 mbron doktoratën për kirurgji në Vjenë. Asgjë më tepër nuk dihet për fatin e dy shqiptarëve të parë në Vjenë…

Klerikë austriakë vepruan edhe në zonat më të izoluara të Shqipërisë së kahershme. Rasti më tipik është ai i françeskanit Fabian Barcata. Për herë të parë qëndroi në Shqipëri në periudhën 1895-1897. U vendos në bajrakun e Kryezezës në Mirditë. Shërbeu si famullitar i Rubikut nga 1898 e deri më 1907. Malësorët e vjetër e ruajnë ende kujtimin e tij si njeriu i parë që solli aspirinën këtyre anëve. Shkolla e Kryezezit mban sot emrin e tij. Vdiq në Austri më 1954. La pas një libër me kujtime shumë të vyer dhe një roman të frymëzuar nga jeta e përditshme e malësoreve.

Më 1920, Vatikani emëron në Shqipëri të parin nunc apostolik. Ai ishte Ernesto Cozzi. Si për koincidencë edhe ky kishte lindur e jetuar në territore dikur austriake të Tirolit të Jugut. Me emërimin e tij merr fund edhe zyrtarisht “Kultusprotektorati”, por vetëm zyrtarisht ama, sepse ndërkohë lidhjet mes austriakëve dhe shqiptarëve të të tria besimeve, ishin shndërruar nga interesa thjesht fetarë, ekonomikë apo politikë, në lidhje të forta e të qëndrueshme njerëzore, të cilat do të vazhdonin për shumë e shumë kohë.
Në libër jepet jeta dhe fati i 16 familjeve austro-shqiptare, ku bashkëshortja apo bashkëshorti ka qenë austriak./Bw/

Shkodër, artistë shqiptarë e italianë në koncert të përbashkët

0

7286446 orkestrantë dhe muzikantë shqiptare dhe italiane, të mbështetur nga Ambasada Italiane në Tiranë dhe Konsullata Italiane në Shkodër, Bashkia Shkodër dhe Provinca Franceskane të Shkodrës, ishin pjesë e një koncerti të dhënë në mjediset e kishes Françeskane të qytetit të Shkodrës.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Italian, Massimo Gaiani, përgëzoi artistët që sollën në mënyrën më të mirë përpara artdashësve shkodranë, Requiem nga Giuzepe Verdi. Ai falenderoi ministren e re e Kultures, Mirela Kumbaro që zgjodhi Shkodrën, përmes këtij aktiviteti që të prezantohet si ministre e re e Kulturës, ndërkohë që nuk la pa theksuar faktin që arti si gjithmonë i thyen akujt, duke nënvizuar se kryebashkiaku shkodran Lorenc Luka edhe pse demokrat e ndoqi shfaqjen prane pranë ministres socialiste, Mirela Kumbaro.

Drejtori i projektit, Guido Corti, në prononcimin e tij pas shfaqjes për mediat, tha se “menduam që ta sjellim në Shkodër këtë shfaqje me qëllim që jo çdo gjë të mbetet e centralizuar në Tiranë. Në vijim, ai shprehu kënaqësinë që gjendet në Shkodër, në këtë qytet të artit e kulturës, ku sipas tij, prandaj edhe Requiem nga Verdi është përzgjedhur si një vepër madhore.

Aksident tragjik në Morinë, vdesin tre kosovarë

0

Aksident-morineNjë aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin Kukës-Morinë, shumë pranë pikës kufitare. Për pasojë, tre persona gjetën vdekjen, ku njëri prej tyre vdiq rrugës për në spital.

Mësohet se një automjet me targa të Kosovës doli nga rruga dhe u përplas me bordurat anësore të saj, shkruan Shekulli. Burime nga policia thanë se dy prej tre personave që udhëtonin me mjetin gjetën vdekjen në vend.

Ndërsa një person i tretë, fillimisht u plagos rëndë, ndërsa më pas humbi jetën rrugës për në spitalin e Prizrenit.

Viktimat janë, Ardita Bytyçi, 22 vjeç, Bujar Sinani, 35 vjeç dhe Xhevdet Prapashtica, të tre nga Kosova.

Policia tha se shkak për aksidentin mendohet të ketë qenë lagështia në rrugë dhe pamja e kufizuar për shkak të mjegullës.

Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin për arsim më të mirë

0

Buja-LinditaNikollaMinistri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot në takim ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Ministri Buja shprehu kënaqësinë për takimin e parë me homologen e tij nga Shqipëria, e cila sapo ka marrë detyrën. “Gjithçka që biseduam me ministren, ishte në vazhdën e asaj që ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin tonë. Ju e dini që kemi bërë hapa në bashkëpunim me Shqipërinë dhe me Ministrinë e Arsimit në veçanti. Kemi bërë Abetaren e përbashkët, por kemi punuar edhe në aspekte të tjera. Ne u dakorduam që të ecim seriozisht në ata binarë që kemi vendosur”, theksoi ministri Buja, ndërsa shprehu besimin e tij se do të intensifikohet puna në unifikimin e kurrikulave të përbashkëta.

“Kjo do të na shpjerë drejt rezultateve të përbashkëta duke mos pasur nevojë që të kemi libra të ndryshëm andej e këndej, por ta realizojmë atë që është më e mira”, tha ai.

Gjithsesi, theksoi ministri Buja, ne kemi punë dhe u dakorduam të ecim më tutje me bashkëpunime edhe në nivelet tjera universitare, shkencore dhe hulumtuese dhe kjo do të na favorizojë të dy palët, sepse kështu rezultatet do të jenë më të mira.

“Besoj që për të gjitha që u dakorduam, do të bëjmë materializimin e tyre, sepse siç u tha edhe në konferencën e përbashkët të dy kryeministrave, ne do të kemi mbledhje të përbashkëta qeveritare çdo 6 muaj dhe do të marrim detyrat, e do të raportojmë për detyrat që i kemi kryer”, tha ministri Buja.

Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi se ka pasur kënaqësinë që të njihet me të gjitha projektet që janë menaxhuar nga MAShT, duke arritur një standard të ri të arsimit dhe menaxhimit të arsimit në Kosovë.

“U ndjeva shumë mirë në takimin me ministrin Buja, me të cilin vendosëm piketat e gjithë bashkëpunimit të ditëve të ardhshme. Realisht mendoj se kemi arritur një hap të ri duke vendosur që të ndërtojmë bashkërisht dhe të ecim bashkërisht në ndërtimin dhe sendërtimin e procesve të qëndrueshme që lidhen me edukimin e të ardhmes së fëmijëve tanë, në ndërtimin e procesve që kanë të bëjnë me unifikimin e standardeve të arrritjes, me unifikimin e teksteve, unifikimin e cikleve të shkollimit në arsimin e detyruar dhe në arsimin e mesëm”, theksoi ajo.

Ministrja Nikolla theksoi se gjatë takimit me ministrin Buja janë diskutuar edhe ide që do të institucionalizohen në ditët në vijim, falë bashkëpunimit dhe dëshirës maksimale të dy ministrive, “në mënyrë që ne të hedhim një hap të ri edhe në fushën e kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë dhe realisht ato të kthehen në pararoja dhe shtysa të rëndësishme të zhvillimeve të rajoneve tona, njëherësh edhe në sfidën e madhe – atë të integrimit evropian”.

Ministrja Nikolla po qëndron në në vendin tonë në kuadër të vizitës që po i bën Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anëtarët e kabinetit të tij./PrizrenPress.com/

LDK e Astrazupit: PDK e Malishevës po dezinformon

0

LDK-logo5-23Lidhja Demokratike e Kosovës, nëndega në Astrazup, ka demantuar informatën e plasuar nga kryetari i PDK-së në Malishevë, Isni Kilaj, që kinse sot në këtë parti kanë aderuar rreth 30 të rinj në PDK nga radhët e LDK-së.

“Nëndega në Astrazup i bën me dije të gjithë qytetarëve të Malishevës dhe medieve, të cilat kanë publikuar këtë informatë të rrejshme se nuk është asgjë tjetër përveç se një propagandë e ulët e kryetarit të kësaj partie i cili e ka kuptuar tashmë se në këtë nëndegë LDK-ja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë bastion i saj, gjë e cila është dëshmuar në të gjitha zgjedhjet e mbajtura prej vitit 2000 e gjerë më tani”, thuhet në kumtesën e Degës së LDK-së në Astrazup, përcjell Telegrafi.

Kryesia e nëndegës në Astrazup deklaron se këto forma të veprimit të PDK-së në Malishevë manifestojnë frikën e tyre për humbjen që do ta pësojnë me 3 nëntor në Komunën e Malishevës.

“Kryesia e kësaj nëndege i bënë me dije kryetarit të PDK-së në Malishevë që të mos manipuloj me qytetarët e Astrazupit se ata e dinë se ky kryetar në ikje nuk ka bërë asgjë për qytetarët e këtij lokaliteti, me premtimet e dhëna pa mbulesë para fushatave elektorale si: ujësjellësin, kanalizimin, shkollën e fshatit, etj, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë”, thuhet në kumtesë.

Kandidati i VV-së Alban Krasniqi viziton fshatin Shkozë të Malishevës

0

Krasniqi ne shkozKandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi të premten ka vizituar fshatin Shkozë.

Ai vizitën e filloi me nderime para Lapidarit të UÇK-së dhe martirëve të Shkozës, në shenjë respekti për luftën e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët.

Pas homazheve që ka barë, Krasniqi i shoqëruar nga Safet Mazreku, Bekim Gashi dhe Muhamet Bytyçi, vazhduar me takime me qytetarë nëpër fshat, duke ndaluar në një nga dyqanet e fshatit për bashkëbisedim.

Banorët e Shkozës iu ankuan kandidatit për mungesën e investimeve në këtë fshat, për papunësinë dhe për mungesën e perspektivës. Ata patën ankesa për kanalizimin qe nuk është përfunduar për rrjetin e dobët energjetik dhe mungesën e planifikimit në përgjithësi.

Kandidati i VV-së Alban Krasniqi, është zotuar para banorëve të këtij fshati  u zotua se do të vazhdojë takimet me qytetarë dhe se beson shumë të fuqia e qytetarëve për ndryshim. Po ashtu qytetarët folën për mungesën e ujit, për mungesën e transparencës dhe për injorim nga pushteti aktual.

Kandidati Alban Krasniqi vizitoi edhe një fermer, i cili merret me rritjen e bagëtive dhe nga ai u informua se s’ka pasur asnjë investim në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, sektor ky që lehtë mund të jetë shumë i suksesshëm dhe me mundësi për rritje e zhvillim në këtë fshat. Kandidati për kryetar u zotua se me ndryshimet që do të vinë si rezultat i angazhimit qytetar, pas datës 3 nëntor, edhe për Shkozën si fshat i komunës tonë, do të vinë shumë projekte që janë shumë me interes për qytetarët dhe do të bëjnë Shkozën fshat me perspektivë dhe të zhvilluar./PrizrenPress.com/

 

 

Rrahën zyrtarët e KEK-ut në Prizren

0

KEK-u ne ObiliqI kanë rrahur zyrtarët e KEK-ut aq sa është dashur të ndërhyjë edhe policia. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Arbana” në Prizren.

Sipas policisë, forcat e rendit kanë arrestuar një të dyshuar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht dy viktima, të dy meshkuj, shtetas shqiptarë të Kosovës.

Të dy viktimat në këtë rast ishin zyrtarë të KEK-ut të cilëve u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Të rinjtë e LDK-së, kalojnë në PDK-në e Malishevës

0

1234567Dhjetëra anëtar të rinj të LDK-së kanë aderuar sot në PDK të Malishevës. Të gjithë aderuesit janë anë nga fshati Astrazup. Ata kanë thënë se aryea kryesore pse kanë aderuar në PDK ka qenë punë që kryetari Isni Kilaj ka realizuar deri më tash .

“Jemi të kënaqur me punën tuaj si kryetar. Puna dhe angazhimi juaj, na ka bërë që t’ju përkrahim dhe ti bashkohemi PDK-së. Ju jeni i vetmi person që keni punuar për Astrazupin”, kanë thënë aderuesit e rinj të PDK-së

Në anën tjetër, kryetari dhe kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës, Isni Kilaj, pasi i falënderoi anëtarët e rinj, tha se të gjitha partitë shqiptare në vend, janë kombëtare, por ajo që PDK-në e dallon nga të tjerat, është puna dhe angazhimi në raport me qytetarët”.

“Nga viti 2003, PDK qeverisë me Malishevën dhe deri më tani kemi arrit ti realizojmë shumicën e premtimeve, sidomos në rregullimin e infrastrukturës, si kanalizime, rrugë, trotuare, ujësjellës, shkolla dhe të tjera”, tha Kilaj.
Kilaj, kërkoi që investimet e fundit, të mos i lidhin me fushatë elektorale, pasi këto investime, kanë qenë premtim i bërë dhe të planifikuar të realizohen gjatë këtij viti.

Në fund të këtij takimi, para dhënies zyrtare të librezave të anëtarësisë, Kilaj, premtoi që brenda tri viteve në Astrazup, do të ndërtohet edhe objektin e ri të shkollës për këtë fshat, pasi objekti aktual, nuk i plotëson, as nevojat dhe as standardet për mësim në kushte normale”. .PrizrenPress.com/

Rexhaj: “Shtëpinë e Bardhë” do ta shndërroj në Qendër kulturore të Prizrenit

0

Arber rexhaj ne konferencKandidati i Vetëvendosjes! për kryetar të Prizrenit, Arbër Rexhaj ka thënë se kjo lëvizje aktualisht është në fazën e përfundimit të alternativës Qeverisëse për Komunën e Prizrenit.

Ai tha se në bazë të diskutimeve të shumta me qytetarë dhe duke u bazuar ne hulumtimet serioze te subjekteve dhe organizatave të ndryshme mbi potencialet ekonomike të qytetit të Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje! në programin e vet qeverisës do t’i përfshijë rekomandimet e tyre, pra, kulturën si potencial i rëndësishëm për zhvillim ekonomik

“Konsiderojmë se mundësitë dhe infrastruktura aktuale që ofron pushteti lokal nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, veçanërisht në kushte kur ka tendencë të vazhdueshme të rritjes së tyre. Sot Prizreni, pavarësisht se manifeston një afinitet të jashtëzakonshëm për kulturë dhe pavarësisht se kultura është dëshmuar të jetë një prej sektorëve kryesorë për zhvillim ekonomik lokal, ne akoma nuk kemi një një qendër të mirëfilltë kulturore të qytetit”, tha Rexhaj.

Sipas tij, institucione të pushtetit lokal i kemi që funksionojnë në objekte super-luksoze, të cilat edhe në kushtet e aktivitetit më kulmor të tyre, nuk arrijnë t’i shfrytëzojnë hapësirat që disponojnë objektet e caktuara. “Hapësira dhe objekti ku aktualisht është e vendosur Ansamble Komunale e Prizrenit, pra “Shtëpia e bardhë”, i tejkalon në tërësi nevojat aktuale që i ka ky institucion. Vazhdimi i shfrytëzimit të saj nga ky institucion aq pasiv, do të vazhdon të jetë në funksion të praktikave të përdorimit joracional të mundësive që ka dhe ofron hapësira publike e Prizrenit”, tha Rexhaj.

Shtepia e Bardhe-PrizrenLëvizja Vetëvendosje! në Prizren, sipas tij, në alternativën e saj do ta përfshijë idenë e ndryshimit të destinacionit aktual të Asamblesë Komunale te Prizrenit në një objekt më adekuat për punën e saj. Kurse “Shtëpinë e bardhë”, ta shndërrojë në Qendër Kulturore të qytetit! Ai tha se ky objekt i bukur i qytetit të Prizrenit do të vihej në shërbim të të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe më gjerë.

“Mendojmë se zhvendosja e Asamblesë Komunale në një objekt tjetër i cili do të ofronte mundësi të mjaftueshme në harmoni me intensitetin e punës së saj, do të tregonte një përkushtim të pushtetit lokal në menaxhim më të mirë të aseteve të veta. Kurse shndërrimin e “Shtëpisë së bardhë” në Qendër kulturore të qytetit, do të tregonte vendosshmërinë për zhvillimin e kapaciteteve kulturore të Prizrenit në dobi të zhvillimit ekonomik lokal, meqë tashmë është fakt se kultura është sektor kryesor për zhvillim”./PrizrenPress.com/

 

Shkelet për vdekje një fëmijë në Suharekë

0

Policia-crime sceneNjë fëmijë është shkelur për vdekje në komunikacion të Suharekës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prizren, Hazir Berisha tha se ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 14;00. “Policia ende është në vendin e ngjarjes. Sapo t’i mbledhim të gjitha informacionet do t’ia dërgojmë edhe mediave”, tha Berisha për “PrizrenPress”.

Dëshmitarët okular tregojnë se fëmija është shkelur nga një kamion. Zëdhënësi Berisha tha ndërkaq se ende nuk dihet se kush e ka shkelur për vdekje fëmijën. “Policia ende është në vend të ngjarjes. Nuk mund ta dijë se a është shkelur nga makina apo kamioni”, tha Berisha./PrizrenPress.com/