7.1 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026
Home Blog Page 9086

Serbia shkel marrëveshjen për lëvizje të lirë

0

RepublikaKosoves-tabelaSerbia po e shkel marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Zyrtarë të Doganave të Serbisë po i detyrojnë kosovarët që vijnë nga vende të ndryshme të botës që të paguajnë doganë. Ekipi i KTV–së ka mësuar se çdo i dyti kosovar detyrohet të paguajë doganë kur hyn në Serbi. Madje, një qytetar nga Prizreni tregon se vetëm për një frigorifer dhe një biçikletë kishte paguar doganë në vlerë 5000 dinarë të Serbisë, ose afërsisht 45 euro. Për një gjë të tillë janë në dijeni edhe institucionet e vendit. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, e ka konfirmuar se kanë ndodhur raste të tilla. Ai ka deklaruar se për këtë gjë i kanë njoftuar autoritetet përgjegjëse.

KTV-ja ka provuar të flasë me koordinatoren për bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, por këshilltarët e saj kanë thënë se ajo ka udhëtuar jashtë vendit. Bëhet e ditur se zyrtarë të Doganave të Serbisë i detyrojnë kosovarët të paguajnë doganë, me arsyen se kinse ato gjëra për të cilat paguhet doganë janë të destinuara për shtetin serb.

Ky problem është paraqitur edhe në bisedimet për normalizimin të marrëdhënieve në Bruksel, pasi që kohë pas kohe shikohet implementimi i marrëveshjes.

Mot shumë i nxehtë deri më 10 gusht

0

Nxeht-dielliNë Kosovë dhe përgjithësisht në rajon deri më 10 gusht pritet një mot me diell dhe shumë i nxehtë me temperatura nga 34 deri në 38 gradë Celsius. Pra, edhe java e ardhshme do të jetë shumë e nxehtë.

Rekomandohet që në pikun e vapës, nga ora 10 deri në orën 17, të mos dilet në diell. Kjo vlen sidomos për ata me sëmundje kronike, por është mirë që diellin ta evitojnë edhe tjerët dhe këshillohet të zbatohen praktika tradicionale të freskimit.

Përurohen librat “Shën Maria dhe Nëna Tereze” dhe “Kremtimi i Meshës”

0

AntonBerisha-PrenKola-promovimi i librave“Shën Maria dhe Nëna Tereze” i autorit prof. Anton Nikë Berisha dhe “Kremtimi i Meshës” i don Pren Kolës, janë titujt e dy librave që u përuruan sot në ambientet e katedrales “Zoja Ndihmëtare” në Prizren.

Për librin e parë, para të pranishmëve referoi don Gjergj Gjergji, i cili e vlerësoi kontributin e prof. Anton Nikë Berisha, i cili me penën e tij ka bërë përpjekje të zbulojë mistere të jetës së Nënës Tereze, duke u bërë kështu ndër studiuesit e paktë i cili arrin të bëjë lidhjen e sakrales me letërsinë.

Libri i dytë, “Kremtimi i Meshës”, u tha se vjen në duar të lexuesit në përvjetorin e njëzetë të shërbimit meshtarak të don Pren Kolës, i cili deri më tani ka botuar me dhjetëra tituj librash, si për Nënën Tereze, ashtu edhe libra poetikë e studime fushash të ndryshme.

Don Robert Kola, duke folur për librin “Kremtimi i Meshës” tha se atë e shquan përkormëria dhe thjeshtësia, ndërkohë e ka vlerësuar librin si burim të rëndësishëm liturgjik, i shkruar në harmoni me dokumentet koncilare të Vatikanit, por që mbështetet mbi traditën tonë fetare katolike.

Studiuesi shkodran, prof. Mentor Quku, ka shpalosur para të pranishmëve detaje nga jeta dhe puna shkrimore e don Ndre Mjedës në fushën liturgjike dhe për studimet që ai ka barë mbi Bogdanin e Budin, ndërkaq librin e don Pren Kolës e vlerësoi si vazhdim të traditës së teksteve liturgjike të filluara nga don Ndre Mjeda. Prof. Quku ka folur edhe për kontributin e Imzot Lazër Mjedës dhe të vëllait, don Ndre Mjedës si dhe për lidhjet e tyre me familjen Bojaxhiu në Shkup, e cila i dha njerëzimit të Lumen Nënën Tereze, për të cilën në këtë përurim u tha se është një udhërrëfyese për kombin tonë, ashtu siç është për hebrenjtë Abrahami, të cilit i drejtohen lutje për të mirën e mbarë njerëzimit.

Libri “Shën Maria dhe Nëna Tereze” është botuar nga “Fjala hyjnore”, ndërsa “Kremtimi i Meshës” nga shtëpia botuese “Drita”. /Enver Sulaj/PrizrenPress.com/

Ndriçohet Kalaja e Prizrenit

0

Kalaja e Prizrenit-ndriqohetDrejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik ka përuruar projektin “Ndriçimi dekorativ i Kalasë” në Prizren. Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Samir Hoxha, tha se ky projekt është edhe një dëshmi e përkushtimit të qeverisë lokale të Prizrenit për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe historike të Prizrenit dhe promovimit të tyre për të kultivuar turizmin kulturor në Prizren.

“Projekti për Ndriçimin Dekorativ të Kalasë, është punuar nga një ekip profesionistëve dhe është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë të Drejtorisë së Turizmit me institucionet qendrore në këtë rast më Ministrin e Kulturës dhe institucionet tjera të trashëgimisë kulturore”, tha Hoxha.

Sipas tij, të gjitha materialet elektrike të përdoruara në realizimin e këtij projekti janë të prodhuara sipas standardeve evropiane si dhe punimet e realizuara janë në pajtueshmëri me standardet aktuale të ndërtimit.

“Perimetri i ndriçimit me reflektor të teknologjisë së fundit “LED” përfshin rreth 280m të murit të Kalasë”, tregoi Hoxha.

Ai tha se me anë të realizmit të këtij projekti, dhe me punët të cilat po bëhen nga institucionet qendrore në procesin e gërmimit, dokumentimit dhe restaurimit, Kalaja e Prizrenit pa dyshim mund të krahasohet me kalatë jo vetëm të regjionit si janë; Kalaja e Shkodrës apo a jo e Shkupit, por edhe objektet e trashëgimisë kulturore të cilat gjenden ne vendet evropiane.

“Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti, si një vend unik në Ballkan për trashëgimin kulturore, të civilizimeve. Ky projekt synon rritjen e atraktivitetit turistik të Prizrenit përmes prezantimit të strukturuar të ofertës kulturore”, u shpreh ai.

Ai premtoi se në vitet e ardhshme do vazhdohet me realizimin e projekteve tjera të cilat do kenë për qëllim nxitjen e zhvillimit të turizmit të Komunës. Projekti “Ndriçimi dekorativ i Kalasë”, është realizuar nga Komuna e Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Në korrik në trafik humbën jetën 10 persona

0

Aksident 4Muaji korrik po del të jetë ndër muajit më fatal të këtij viti sa i përket viktimave në trafik. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në këtë muaj nga aksidentet në trafik kanë humbur jetën 10 persona. Ndërsa kanë ndodhur 469 aksidente tjera, të cilat kanë rezultuar me lëndime të ndryshme trupore.

Pavarësisht se kanë shënuar ngritje tiketat e shqiptuara nga Policia e Kosovës, vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve nuk është ngritur. Statistikat flasin se për një muaj u shqiptuan 28 mijë e 890 gjoba për shkelësit e rregullave të komunikacionit. Ndërsa numri i përgjithshëm i personave që humbën jetën gjatë këtij viti në aksidentet në trafik arrin në 64.

Edhe Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka njoftuar se bazuar në raportin gjashtëmujor të punës, vërehet shtim i rasteve që kërkojnë ndihmën mjekësore si pasojë e aksidenteve në trafik.

Në Klinikën Emergjente gjatë periudhës së lartcekur ka pasur 763 pacientë që pas aksidenteve në trafik, kanë kërkuar ndihmën emergjente mjekësore. Bazuar në raport, 3 persona kanë vdekur pas plagëve të marra nga aksidentet.

Për rritjen e numrit të aksidenteve në trafik ka shprehur shqetësime edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke thënë se shkaqet janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet, ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike.

Sipas Policisë së Kosovës, faktorët kryesor të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve janë të ndryshëm, duke filluar nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës.

Për të parandaluar këtë dukuri mjaftë shqetësues, e së paku për të ulur numrin e të vdekurve, IKSHP-ja ka dhënë disa rekomandime të cilat do t’ua paraqesim në vijim:

-Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës;
-Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijesohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e pare;
-Angazhimi i mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve;
-Në institucionet shkollore të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit;
-Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve;
-Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese;
-Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi;
-Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare, si dhe
-Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se po që se nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

Ambientet e “Birra Korça”, arenë festive

0

Birra-festRituali i traditës korçare ,i kalimit te mbrëmjeve verore në natyrë, nën tingujt e serenatave dhe e shoqëruar me një gotë birre në tavolinë, ka bashkuar qytetarët në ambientet e “Birra Korçës”.

Korçarë, por edhe mysafirët e ardhur nga rrethet, mbrëmjen e së premtes, nën tingujt e kitarave, kanë shijuar ‘Birrën Korça’ dhe gatimet tradicionale, ndërsa kanë kënduar së bashku me serenatistët, këngët më të njohura korçare.

Të pranishmit kanë përjetuar emocione të së shkuarës,ndërsa kanë vlerësuar ‘Birrën Korça’ si një birrë të shkëlqyer dhe të domosdoshme në këto ditë të nxehta vere.

“Edhe atmosfera që krijon Pallati i Kulturës me organizimet është mjaft e mirë edhe birra është shumë e mirë, cilësia është e lartë dhe çmimi është i arsyeshëm. Ndjehemi të lumtur për qytetin tonë. Vimë shpesh këtu, jemi të kënaqur me shërbimin, birrën. Në këto ditë të nxehta vere s’ka ngopje me këtë birrë.”- shprehen qytetarët, transmeton BW.

Mes trokitjes së gotave të birrës festa ka vijuar gjatë,ndërsa ambientet e “Birrës Korça’ janë kthyer në një arenë të madhe festive. Përveç kësaj, investimi më i ri i ‘Birrës Korça’ i ndërthurur me një teknologji moderne dhe i vendosur në këto ambiente, duket se ka qenë një tjetër element që ka tërhequr turistët vendas edhe të huaj për tu bërë pjesë e mbrëmjes festive.

“Në këto ditë të nxehta të fundkorrikut dhe të gushtit, në lokalin e “Birrës Korça” ka një mbipopullim. Ne u ofrojmë turistëve të huaj dhe vendas, ashtu si dhe qytetarëve të Korçës që të vijnë dhe të kënaqen në “Birra Korça”. Ju ofrojmë kurnace korçe, muzikë korçe dhe ajo që është më e mira, “Birra Korça”. Ka qenë dhe mbetet birra më e mirë e Shqipërisë. Në 14-18 gusht do të bëhet edhe festa e “Birra Korçës”. Ne do t’i kënaqim dhe në lokalin tonë dhe në festën e “Birra Korçës” që është festa më e madhe shqiptare.”-shprehet menaxheri Pandush Leco.

I konsideruar si një eveniment i veçantë kulturor, mbrëmja në ambientet e ‘Birrës Korça’ në stinën e verës vjen ndryshe. Krahas menusë së pasur me gatime tradicionale, çmimeve të arsyeshme ,shërbimit të shpejtë dhe të kulturuar, tek ‘Birra Korça’ mund të gjesh gjithçka që të gjallëron jetën dhe të bën të mendosh për tu kthyer sërish.

Japin dorëheqje nga PK-ja, interesohen t’i bashkohen Zafirit

0

PartiaKonservatoreeKosoves-logoEnde pa u formuar mirë, Partia Konservatore, ka filluar të përballet me dorëheqjet e para. Për shkak të mospajtimeve, gjashtë anëtarë të Kryesisë kanë dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.

Taner Kotel, Merit Ashikferrki, Nurja Qyrt, Sebel Shole dhe Diner Derver, kanë dorëzuar me shkrim dorëheqjen e tyre në Partinë Konservatore. Ata akuzojnë kryetarin e PK-së, Munir Bashën për shpifjen që ka bërë në drejtim të tyre.

Partia Konservatore është formuar pas përplasjeve dhe largimit të disa anëtarëve nga Partia e Drejtësisë. Ky subjekt politik për herë të parë ka planifikuar të garojë në zgjedhjet lokale në Prizren.

Burimet e sigurta të “PrizrenPress-it” bëjnë të ditur se gjashtë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga Kryesisë se PK-së, kanë filluar të interesohen për të kaluar te Bashkimi Demokratik i Zafir Berishës. “Ata janë të interesuar që t’i bashkëngjiten Zafir Berishës”.

Gjashtë anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga PK-ja, sipas burimit të “PrizrenPress-it”, në ditët e ardhshme do të negociojnë me kryetarin e Bashkimit Demokratik të Prizrenit, Zafir Berisha për të kaluar në këtë subjekt politik. /PrizrenPress.com/

doreheqja e PK

Shahini: Haraçi po heshtet

0

AgimShahini-akbSektori privat në Kosovë ballafaqohet me barriera të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Ndërsa, krimi i organizuar dhe haraçi po dëmtojnë në masë të madhe këtë sektor, thotë në intervistën e javës të Radios Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini. Ai, madje, shton se problemi qëndron se fenomeni i haraçit ekziston, por që po heshtet.

REL: Zoti Shahini, me cilat probleme po ballafaqohet sektori privat? Ka ndonjë përmirësim në këtë fushë?

AGIM SHAHINI: Problemet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ambienti i infrastrukturës ligjore, i cili nuk është në favor të zhvillimit ekonomik të prodhimtarisë dhe ekonomisë vendore, por është i orientuar në favor të importit të produkteve të gatshme. Dhe, kjo ka bërë që sektori privat, sidomos ai prodhues të ngecë, në krahasim me atë të shërbimeve të tregtisë, i cili është në avancim për çdo ditë.

Prandaj, sa më shpejt që bëhen ndryshime të politikave ekonomike dhe atyre fiskale, ne do të kemi mundësi që t’i tejkalojmë barrierat e trashëguara nga viti në vit dhe ta zhvillojmë sektorin privat.

REL: A po e rrezikon këtë sektor krimi i organizuar? Është thënë shpesh herë se bizneset përballen edhe me haraç…

AGIM SHAHINI: Krimi i organizuar në çdo shtet ekziston, diku më shumë, diku më pak, por sidomos në vendet në tranzicion, siç është Kosova, që pushteti i ekzekutivit është bartur në forma të ndryshme, si nga UNMIK-ut në pushtetin tonë, tashmë EULEX-i. Dhe, kjo ka ndikuar që krimi i organizuar të rritet dhe të jetë prezent në Kosovë dhe në mase të madhe po pengon zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Nisur nga kjo, ka perceptime që në Kosovë ekziston korrupsioni, haraçi. Krim të organizuar ka në sektorë të ndryshëm dhe kjo është një ndër imazhet më të këqija që i dërgohet Kosovës, përmes këtyre fenomeneve negative.

Kurse, institucionet e Kosovës, në disa sektorë pak mund të luftojnë, por sido që të jetë, kur flasim për krimin e organizuar, flasim për një term shumë të gjerë, të sferave të ndryshme të sektorëve të ndryshëm. Sidoqoftë, ky fenomen ekziston, është i zhvilluar në Kosovë, por institucionet vendore dhe ndërkombëtare ende nuk kanë arritur ta luftojnë në masën e duhur. Edhe institucionet më të larta shtetërore duke u nisur nga Presidenca, kanë organizuar Task-forca të ndryshme për parandalimin e krimit të organizuar, korrupsionit, por ende nuk kanë mundur që ta eliminojnë këtë fenomen.

REL: Kush, sipas jush, kërkon haraç nga bizneset vendore?

AGIM SHAHINI: Zakonisht, kjo lidhet me krimin e organizuar, sepse të kërkosh haraç nga dikush, duhet të jesh ose kriminel, ose të jesh i lidhur me kriminelët. Apo edhe të kesh lidhje direkte apo indirekte me këto grupe, sepse haraçi është termi më i vrazhdtë që përdoret në gjithë botën dhe luftohet më së shumti.

Edhe pse Kosova është një shtet në tranzicion, kjo nuk është e zhvilluar sa është në shtet tjera. Po marrim shtetet për rreth që i kemi, por ne nuk është dashur ta kemi fare këtë fenomen negativ. Për ta luftuar haraçin, institucionet vendore duhet të jenë më të përgatitura, por mbi të gjitha denoncimin e haraçit duhet ta bëjnë ata që kanë problem. Dhe, ky është një nga fenomenet më të këqija dhe i heshtur, sepse shumica e atyre që ballafaqohen me këtë problem, heshtin dhe nuk kanë guxim ta paraqesin.

Dhe, derisa heshtet, haraçi zhvillohet. Për t’u parandaluar kjo duhet të luftohet, institucionet kompetente duhet të ballafaqohen. Zakonisht ky fenomen është i shprehur tek ato grupe, të cilët bëjnë biznes të jashtëligjshëm dhe grupet që merren me këtë, kanë informata që punojnë jashtëligjshëm, nuk i paguajnë taksa shtetit dhe ata e marrin rolin e shtetit.

REL: A kanë lidhje partitë politike apo përfaqësues të institucioneve qeveritare më bizneset vendore?

AGIM SHAHINI: Natyrisht, ky fenomen nuk është i izoluar, sepse edhe bizneset kanë interes që të jenë të lidhura me partitë politike, institucionet shtetërore, individë të caktuar në pozita të caktuara për të krijuar favore për vete. Por, njëkohësisht edhe vetë përfaqësuesit e disa subjekteve politike kanë interes që të jenë më afër biznesit, për shkak se u nevojiten për përfitime, qoftë edhe për financimin e fushatave të ndryshme. Dhe, kjo është një ndihmë reciproke, njëra ndaj tjetrës.

Por, nuk ka asgjë të keqe nëse respektohen ligjet, rregullat e lojës dhe nëse nuk shantazhohen bizneset e tjera. Përderisa është një rrugë fer dhe bashkëpunim i tyre është vullnetar, nuk ka asgjë të keqe, por nëse kjo kalon me kushtëzime, atëherë hyn në grupin e të dyshuarve për korrupsion dhe fenomene negative që nuk i bën të barabartë në treg konkurruesit biznesor.

REL: Ka raste në Kosovë që favorizohen kompani të caktuara?

AGIM SHAHINI: Natyrisht që ka, këto nuk janë të panjohura në Kosovë dhe këto ne vazhdimisht i dëgjojmë nga perceptimet e njerëzve të biznesit, shoqërisë civile, mediumeve. Por, ajo që është shumë me rëndësi, më shumë ka perceptim se sa vetë luftim kundër këtyre fenomeneve negative.

Ne ende nuk kemi të gjykuar për korrupsion, nuk kemi të gjykuar për favore që i kanë bërë njëra-tjetrës, por këto mbeten perceptime, sepse të dyja palët duhet të jenë partnerë dhe partnerët normalisht se i bëjnë marrëveshjet sekrete edhe që ta mbrojnë njëri- tjetrin, sepse kjo e dëmton edhe atë që merr, por edhe atë që jep.

REL: Zoti Shahini, tashmë ka përfunduar “Bursa e punësimit”. Sa është numri i punëtorëve që kanë arritur të lidhin kontrata dhe çfarë profilesh janë kërkuar më tepër?

AGIM SHAHINI: “Bursa e punësimit” në këtë vit, edhe pse ka qenë shumë e kufizuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ne kemi arritur një sukses të thekuar. Mbi 190 punëtorë tashmë janë në vende të punës, janë duke punuar në sektorë të ndryshëm, zakonisht në sferat e agrobiznesit, sepse aktualisht është sezoni dhe kërkohen më shumë punëtorë. Por, së shpejti ne do të kemi edhe një punësim tjetër, meqë janë në procedurë aplikacionet të tjera, që nuk janë shqyrtuar nga bizneset dhe ky numër do të rritet.

Ka qenë një gatishmëri shumë e madhe dhe numri i punëkërkuesve ka qenë shumë i madh. Kjo tregon se në Kosovë mungojnë shumë politika nxitëse për zhvillimin e punësimit të qëndrueshëm. Mungojnë politikat për një zhvillim ekonomik më të përshpejtuar, sepse qytetarët kërkojnë më shumë vende të reja të punës, kërkojnë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe sektorin privat këta të rinj e shohin si shpëtim dhe strehim për të gjetur mundësi dhe të ardhura për ta dhe familjet e tyre.

KDI: Dialogu Kosovë-Serbi, dirigjon punën e Kuvendit

0

KDI-KS-logoInstituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin gjashtëmujor (Fletënoitimin) e monitorimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën janar-qershor 2013. Në një konferencë për media, KDI ka paraqitur punën dhe angazhimet individuale të secilit deputet, grupeve parlamentare dhe komisioneve parlamentare.

KDI ka vlerësuar se kjo periudhë është karakterizuar me një kontroll sipërfaqësorë parlamentar, me një proces ligjbërës pa konsultime të nevojshme me publikun dhe faktorët tjerë relevant, dhe me një rol jo edhe aq përfaqësues të interesave të qytetarëve, gjë që ka dëshmuar se Kuvendi i Kosovës ka deficit të kulturës politike dhe parlamentare në kryerjen e obligimeve dhe mandatit kushtetues që ka.

“Edhe më tutje tema e cila po e mban nën dirigjim punën e Kuvendit të Kosovës, është çështja e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo temë ka derivuar debate të gjata dhe të ashpra, shmangie të shpeshta të Rregullores, fjalor jo-parlamentar, tensione deri në përdorim të dhunës fizike brenda dhe jashtë Kuvendit, duke lënë nën hije mandatin dhe instrumentet tjera kushtetuese që ka ky institucion përfaqësues”, thuhet në raportin e KDI-së.

Sipas këtij raporti komisioni parlamentar më aktiv është ai për Buxhet dhe Financa, me gjithsej 26 mbledhje. Pas tij renditet Komisioni për Zhvillim Ekonomik me 23 takime dhe ai për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor me 19 takime. Ndërsa komisioni më pasiv – apo me më pak mbledhje të mbajtura ka qenë ai për Mbikëqyrjen e AKI-së, me gjithsej 9 takime përgjatë gjashtë muajve. Ndërkohë, Nën-komisioni për Mandate dhe Imunitete, ka mbajtur vetëm 7 takime. Ndër tre komisionet me më pak mbledhje të mbajtura është edhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike me 11 takime.

Sa i përket deputetëve ai Visar Ymeri i Vetëvendosjes, është shpallur si deputeti me aktiv në Kuvendin e Kosovës, ndërsa deputetja serbe, Rada Trajkoviq me pasivja. /PrizrenPress.com/

Deputetët më aktiv

1. Visar Ymeri 3.97 %
2. Halit Krasniqi 3.92 %
3. Alma Lama 3.10 %
4. Myzejene Selmani 2.86 %
5. Albulena Haxhiu 2.51 %
6. Ardian Gjini 2.30 %
7. Teuta Haxhiu 2.26 %
8. Time Kadriaj 2.26 %
9. Arben Gashi 2.13 %
10. Muhamet Mustafa 2.00%
11. Teuta Sahatqija 2.00 %

Deputetët më pasiv :

1. Rada Trajkovic – 0.33 %
2. Florin Krasniqi – 0.26 %
3. Sreten Ivanovic – 0.24 %
4. Skender Hyseni – 0.22 %
5. Sasha Gjokic – 0.20 %
6. Vesimir Savic – 0.15 %
7. Ukë Rugova – 0.15 %
8. Vesna Mikic – 0.11 %
9. Bali Muharremaj – 0.11 %
10. Azem Syla – 0.09 %

Partitë në Prizren, garojnë me programe zgjedhore

0

Partite-Logot8-03Partitë politike në Prizren për herë të parë në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti do të garojnë me programe konkrete zgjedhor. LDK-ja, AAK-LDD-ja, BD-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje! janë në fazën përfundimtare të hartimit të programit të tyre zgjedhor.

Kandidati i AAK-së-LDD-së për kryetar të Prizrenit, Lulëzim Kabashi tha se aktualisht është në fazën përfundimtare të hartimit të programit me të cilin do të garojë në zgjedhjet e nëntorit. Ai shpreson se ky program do të mirëpritet nga qytetarët.”Jam duke e punuar programin me të cilin do të garoj për kryetar të Prizrenit”, tha Kabashi.

Ai nuk dyshon aspak në fitoren e 3 nëntorit të këtij viti. Sipas tij, fitorja në nëntor do të jetë e padiskutueshme, pikërisht për shkak programit me të cilin do të garojë. “ Është e padiskutueshme që do të fitoj në zgjedhjet e nëntorit. Jam i sigurt se programi zgjedhor do të përkrahet dhe përqafohet nga qytetarët ”, tha Kabashi për “PrizrenPress”.

Edhe kandidati tjetër i BD-së për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha tha se në zgjedhjet e nëntorit do të garojë me program zgjedhor. Sipas tij, programi i BD-së do të jetë konkretë në zgjidhjen e problemeve dhe përmisimin e jetës së qytetarëve.”BD-ja do të jetë një alternativë për nxjerrjen nga korrupsioni të Prizrenit dhe përmisimin e jetës së qytetarëve”, tha Berisha. Sipas tij, pushteti aktual e ka degraduar dhe shndërruar Komunën e Prizrenit në anarki.”BD-ja do t’ia kthej dinjitetin qytetarëve dhe Prizrenit”, tha Berisha.

Në nëntor me program zgjedhor do të garojë edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu. Zëdhënësi i LDK-së, Nderim Gashi tha se aktualisht janë në fazën përfundimtare të hartimit të programit zgjedhor. “Oferta jonë do të jetë e pranueshme nga shumica e qytetarëve të Prizrenit. Do jetë një program që do të bëjë kthesën e madhe ku qyteti ynë do hyjë në një fazë të zhvillimit të hovshëm ekonomik”, tha Gashi.

Ai tregon se LDK- ja në Prizren ka kohë që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e nëntorit. “Kemi filluar me aktivitete ende pa u zyrtarizuar kandidati për kryetar të Komunës. Në këtë aspekt të organizimit jemi mirë dhe jemi të bindur se do t’i përmbushim të gjitha detyrat që ia kemi përcaktuar vetës”, tha Gashi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, Arbër Rexhaj, ndërkaq tha se në zgjedhjet e nëntorit Vetëvendosje! në këtë qytet do të jetë subjekti i vetëm që do ta ketë alternativën lokale të shtypur. ”Alternativa e Vetëvendosjes në Prizren do të jetë e shtypër dhe t’iu shpërndahet qytetarëve të komunës sonë. Do të jetë hibridizim mes alternativës qendrore”, tha Rexhaj. Sipas tij, alternativa e Lëvizjes Vetëvendosje! do t’i ketë parasysh shumë seriozisht edhe specifikat e qyteti të Prizrenit.”Ekonomia lokale do të jetë pikë -qëndrimi ynë alternativ”, tha Rexhaj për “PrizrenPress”.

Ai tregon se në alternativën e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, parashihet luftimi i korrupsionit, depolitizimi i arsimit, shëndetësisë dhe sektorëve të tjerë. ” Arsimi në Prizren duhet të depolitizohet, kurse shëndetësia duhet t’i kthehet qytetarit përmes pastrimit të korrupsionit brenda saj”, tha Rexhaj.

Ai tregon VV-ja do të dalë me alternativë edhe për infrastrukturën. “Ne do të ofrojmë alternativën të njëmend për qytetarin, si dhe do të jemi shembull i mirë i qeverisjes nëse këtë na beson qytetari i Komunës sonë”, tha Rexhaj. /PrizrenPress.com/