11.6 C
Prizren
E hënë, 6 Prill, 2026
Home Blog Page 9106

Suhareka vetëm me një kandidat zyrtar për kryetar

0

PDK-fushatNë zgjedhjet e këtij viti në Suharekë, sipas të gjitha gjasave do të marrin pjesë më pak parti politike,por edhe më pak kandidatë që do të konkurrojnë për postin e kryetarit të kësaj komune.

Disa nga degët e subjekteve politike në këtë komunë, ose janë shuar fare, ose e nuk janë aktive sa duhet, kështu që si parti serioze për ulëset në Kuvendin e komunës dhe për postin e të parit komunal, kanë mbetur AAK-ja, PDK-ja, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, me mundësi që këtij grupi t’i bashkëngjitet edhe Partie e Drejtësisë, e cila në këtë komunë, kohëve të fundit ka një organizim të mirëfilltë.

Ky konstatim fuqizohet edhe me lëvizjet që po ndodhin në spektrin e këtushëm politikë, e që kanë të bëjnë me proceset dhe angazhimet politike lidhur me zgjedhjet e paralajmëruara për datën 3 nëntor.

Ndonëse po përmenden edhe emra konkret, të cilat nga tri subjektet më të mëdha politike janë propozuar që të kandidojnë për postin e kryetarit të komunës, deri më tash vetëm AAK-ja e ka zyrtarizuar propozimin për Bali Muharremajn, deputet aktual i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, të cilin fundjavën që shkoi në mënyrë publike e nominoi për këtë kandidaturë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Propozimin për këtë funksion e ka dërguar në Kryesinë Qendrore edhe degae këtushme e LDK-së, e cila përsëri është përcaktuar për ish kryetarin e kësaj komune, Salih Asllanaj, por që në listën e parë që është miratuar nga qendra, emri i tij nuk ka figuruar dhe kjo ka sjellë sado pak huti,edhe pse vetë Asllanaj ka deklaruar se kjo ka ndodhë për shkak të vonesës që është bë nga dega e Therandës.

Subjekti tjetër që pretendon të marr postin numër një në këtë komunë, llogaritet të jetë edhe PDK-ja, e cila në mënyrë verbale kaherë e ka kandiduar Ramë Vatajn për këtë postë,përkatësisht në ditën kur ai është zgjedhur kryetar i degës së këtushme të PDK-së.

Mirëpo, në këtë parti, ka zëra që këtë propozim nuk e konsiderojnë zyrtar dhe definitiv, duke thënë se deri në zyrtarizmin e tij që do të bëhet nga strukturat qendrore të partisë,përkatësisht nga lideri Hashim Thaci, mbetën të hapura edhe mundësitë tjera.

Ndërkaq, më enigmatike deri më tash në këtë drejtim ka mbetur Lëvizja Vetëvendosje, e cila jo vetëm që ende nuk është përcaktuar për ndonjë kandidat konkret, por publikisht as që është lakuar emri i ndonjërit që do të mund të propozohej që të garoi për postin e kryetarit të kësaj komune. Drejtues të këtij subjekti kanë thënë se edhe Vetëvendosja do ta ketë kandidatin për Therandën,por kjo do të vendoset dhe të do të bëhet publike atëherë kur është koha.

Aktualisht, apetitet për këtë funksion më haptas i ka bë publike partia në pushtet, AAK-ja, përkatësisht Bali Muharremaj, i cili jo rrallë edhe publikisht e ka thënë se është favoriti kryesor dhe zgjedhjet do t’i fitoi pa ndonjë problem të madh,mbase edhe pa balotazh. Këtë “vetëbesim”, Muharremaj e bazon në angazhimet dhe kontributin përsonal që ka dhënë deri më tash për qytetarët e kësaj komune si dhe në qeverisjen e suksesshme të deritashme që ,sipas tij e ka bë AAK-ja dhe kryetari aktual, Blerim Kuçi./PrizrenPress.com/

Fondi i Vishegradit ofron bursa për studentët nga Kosova

0

Zv.i Nehat mustafaZëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka pritur drejtoren e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, Karla Wursterova, me të cilën ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në arsim, sidomos në arsimin e lartë.
Wursterova e ka informuar zv/ministrin Mustafa rreth Fondit, i cili është formuar në vitin 2000 nga qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë. Ajo tha se ky Fond ofron mundësi të shumta për të rinjtë e shumë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë.

Programi fokusohet në fushat e arsimit, kërkimit, kulturës etj, përmes granteve në këto komponente: Skema e granteve (katër lloje të granteve), programi Vishegrad për bashkëpunim me lindje, skema e bursave, programi “artist-in-residence” dhe programi për zhvillimin e kurrikulave në universitet.

Wursterova tha se është në Kosovë për të promovuar këto mundësi edhe për të rinjtë kosovarë, të cilët mund të përfitojnë nga fondi për mobilitet, respektivisht bursa të ndryshme në këto katër vende, si dhe nga programi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës me ato të katër vendeve në fjalë “Ky është një nga qëllimet e vizitës sonë, që të rinjtë e vendit tuaj të shfrytëzojnë këto mundësi që ne ofrojmë, por edhe të kuptojmë se në cilat fusha dhe nivele të studimeve Kosova ka më shumë nevojë”, tha Wursterova.

Ndërsa, zv/ministri Mustafa e njoftoi mysafiren me gjendjen e arsimit të lartë në Kosovë, ku theksoi se vendi ynë tashmë ka 6 universitete publike dhe 23 institucione të arsimit të lartë privat. Kështu që, ai tha se mundësitë janë të shumta për bashkëpunim në këtë nivel të arsimit.

Ai përmendi faktin se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe pjesëmarrje gjithnjë e në rritje në arsimin e lartë. “Ne po bashkëpunojmë me shumë universitete për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë tanë dhe edhe këto mundësi që ne po i diskutojmë sot, i shohim si mundësi të mira për ta”, tha ai.

Zv/ministri Mustafa premtoi angazhim maksimal të MAShT-it për ta promovuar këtë program në mesin e të rinjve dhe institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës, për të cilët garantoi se “do të jenë storie e suksesit” në programet e Fondit të Vishegradit, nëse atyre do t’ju jepet mundësia e studimit dhe bashkëpunimit.

MKRS blen 4480 kopje librash nga botuesit vendor

0

Memli KrasniqiKëtë vit, për herë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka blerë libra të botuar në dy vitet e fundit nga botuesit kosovarë. Në konkursin e shpallur muaj më parë nga Këshilli i Librit, është aplikuar po ashtu për herë të parë edhe mbështetja për botimin e revistave letrare e po ashtu edhe konkursi i parvjetshëm për botimin e titujve të rinj. Në të tri këto konkurse, përkrahja financiare që jep Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është 70 mijë euro.

Në konkursin për blerje të librave, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka nënshkruar rekomandimet e Këshillit të Librit për blerjen e 56 titujve të librave. Për secilin titull do të blihen nga 80 kopje. Në total numri i librave të blerë është 4480, e të cilat do t’iu shpërndahen bibliotekave komunale dhe institucioneve të tjera sociale. Mbështetja financiare për këtë kap shumën 19 mijë e 600 euro.

Krahas kësaj, bazuar në Ligjin për Bibliotekat, të miratuar vitin e kaluar, MKRS këtë vit ka ndarë mjete për pasurimin fondit të librave edhe për bibliotekat komunale. Në këtë rast, duke u bazuar në ligj, në konkursin vjetor për projekte kulturore, MKRS ka ndarë mbi 30 mijë euro për pasurimin e fondit të librave për bibliotekat komunale të Mitrovicës, Malishevës, Pejës, Kamenicës, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Skenderajt, Junikut, Orllanit si dhe Bibliotekës së të verbërve ”Syri Ynë”në Prishtinë,shkruan RTK

Sa i përket revistave letrare, një formë e re e përkrahjes që aplikon MKRS-ja, Ministri Krasniqi ka nënshkruar rekomandimet e Këshillit të Librit për t’u përkrahur botimi i katër revistave letrare. Ato janë: ‘Sharri’ e nxjerrë nga Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, KOSOVA IMZA, e nxjerrë nga Shoqata e shkrimtareve turk të Kosovës, revista ‘Bashkimi’ e nxjerrë nga shoqata Erdi, si dhe Revista ‘JETA E RE’ që botohet nga Rilindja. Mbështetja totale për këto revista shkon në 25 mijë e 130 euro.

E në konkursin për botimin e librave të rinj, MKRS sivjet mbështetë botimin e 18 tituj të librave të rinj, nga shtëpi të ndryshme botuese. Përkrahja financiare për botimin e librave të rinj është 25 mijë e 270 euro.

Dëshmoi ekspertja e forenzikës, Sesili Croper

0

fatmirLimaj-tomGashi(E plotësuar) Në seancën e radhën në rastin “Kleçka” dëshminë e saj e ka dhënë ekspertja e forenzikës, Sesili Croper. Ajo para trupit Gjykues tha se në vitin 2010, në zonën e Kleçkës, janë gjetur trupa të pajetë në dy varreza masive. Por, ajo tha se në vitin 2009 nuk ishte gjetur asnjë mbetje mortore, ndërsa në vitin 2010, po në të njëjtin vend ishin gjetur pesë trupa të pa jetë. Dëshmia e saj e ka vënë në mëdyshje mbrojtjen e të akuzuarve.

Sesili Croper, një antropologe nga Mbretëria e Bashkuar, tha në seancën e sotme se kishte marrë pjesë në dy raste të ekshumimeve të mbetjeve mortore në zonën e Kleçkës. Gjatë dëshmisë së saj ajo potencoi se në vitin 2009, në një zonë të Kleçkës nuk kishin mundur të gjejnë asnjë mbetje mortore.

Por, me kërkesën e prokurorit Mauricio Salustro, rastit i ishin kthyer sërish në vitin 2010, ku kishin gropuar më thellë dhe në të njëjtin vend që një vit më parë nuk ishte gjetur asgjë, ishin gjetur pesë trupa të pajetë.

Sesili Croper ka shpjeguar në detaje se si janë gjetur trupat e varrosur njëri mbi tjetrin, si dhe gjetjen e një mjeti prej metali në varr. Por ajo nuk dha detaje shtesë se çka ka mundur të jetë vetëm tha se mjeti mund të ishte hedhur qëllimisht aty.

Raportet e kësaj dëshmitare, e cila ishte e punësuar në EULEX nga viti 2009 deri në vitin 2012, u vënë në mëdyshje nga avokatët mbrojtës, të cilët e pyetën dëshmitaren nëse ka vërejtur ndonjë ndryshim tek dheu i vitit 2009 dhe atij 2010, duke ngritur dyshime se trupat mund të jenë varrosur pas gjurmimeve të para në 2009-ën.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, theksoi se nuk është profesionale që një vend ku është dyshuar se mund të ketë trupa të pajetë, të mos jetë i siguruar nga policia për më shumë se një vit.

“Në vende ku ka pasur luftime në asnjë mënyrë nuk mund të lihen të pasiguruara për një vit vendi ku është gjurmuar dhe ku është dyshuar se mund të ketë trupa të pajetë”, tha ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Naser Krasniqit, Bajram Tmava, tha se kërkesa e prokurorit për ekzaminimin e dytë të vendit ka rrjedhë nga dëshmia e dëshmitarit “X”.

“Sugjerimi i prokurorit ka rrjedhur nga dëshmia e dëshmitarit X, i cili paraprakisht është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues dhe i ka treguar ai vendet se ku gjenden trupat e pajetë”, theksoi ai.

Seanca e radhës mbahet të enjten, ku do të dëshmojnë tre mjekë psikiatër, të cilët e kanë bërë analizën e dokumentacionit mjekësor tëAgim Zogajt i njohur si dëshmitari “X”.

Sot seanca e radhës për rastin “Kleçka”

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, sot në orën 10:00, do të vazhdojë rigjykimi i Fatmir Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij në rastin “Kleçka”. Nëpërmjet videolinkut pritet të dëshmojnë arkeologia e forenzikës, Sesilia Kropa dhe patologu Marek Gasior.

Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se në këtë seancë gjyqësore nëpërmjet videolinkut do të dëshmojnë arkeologia e forenzikës, Sesilia Kropa dhe patologu Marek Gasior.

“Këta dy ekspertë janë propozuar nga kryetari i trupit gjykues në rastin ‘Kleçka’”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, këta dy ekspertë nuk kanë çfarë të deklarojnë për Fatmir Limajn më shumë sesa në gjykimin e kaluar, ku Limaj ishte shpallur i pafajshëm.

“Në raport me Fatmir Limajn, dëshmia e këtyre dy ekspertëve nuk mund të ndryshojë për shkak se ata janë marrë me gjendjen faktike në terren”, ka thënë për ”Epokën e re” avokati Gashi.

Në këtë kontekst, Gashi ka thënë se sot (e martë) mund edhe të përfundojë marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe në shtator të përfundojë i tërë procesi gjyqësor kundër Limajt dhe të tjerëve.

“Nëse këta dy dëshmitarë e përfundojnë dëshminë e tyre nëpërmjet videolinkut, atëherë kjo do të jetë seanca e fundit para shtatorit, kur pritet vazhdimi dhe përfundimi i këtij rigjykimi. Dhe nëse eventualisht është e nevojshme edhe një ditë për t’u marrë në pyetje këta dëshmitarë, atëherë do të vazhdohet më 18 korrik”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se nuk e ka idenë se për çfarë arsye i ka ftuar për të dëshmuar këta dy ekspertë kryetari i trupit gjykues. “Nuk mund ta dijë se çfarë ka në tru kryetari i trupit gjykues”, ka thënë avokati Gashi.

Reagojnë organizatat e dala nga lufta

Organizatat e dala nga lufta kanë reaguar ndaj vendimit për masë të arrestit shtëpiak ndaj Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke e konsideruar si process të montuar politik.

“Rasti Kleçka”, është vazhdimësi e luftës psikologjike të EULEX-it kundër luftëtarëve të UÇK-së. EULEX po tregon vendosmëri të madhe, kur është në pyetje lufta kundër vlerave të shenjta të kombit shqiptar, thuhet në deklaratën e e OVL UÇK-së.

“Degradimi i një misioni ndërkombëtar, nga mision për sundim të ligjit në mision kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bartësve të saj, është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Ky degradim, ka kapluar edhe deputetët dhe qeveritarët e Kosovës, para syve të të cilëve ndodh kjo maskaradë e EULEX-it.

Ne kemi dërguar kërkesë, para më shumë se një muaji, të gjithë deputëtëve, Kryesisë dhe Kryetarit të Kuvendit, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të duhej të ndërpritej mandati ekzekutiv i EULEX-it. Por deri më tani, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk u diskutua një gjë e tillë. Ne vlerësojmë se deputetët nuk janë duke vepruar në bazë të mandatit që kanë, në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe mbrojtjen e vlerave kombëare, siç është lufta çlirimtare dhe bartësit e saj.

Përderisa ne u akuzuam se po bëjmë presion ndaj deputetëve të Kuvendit dhe ndërhyrje në “drejtësi”, veprimet e EULEX-it po tregojnë se pikërisht ata po bëjnë presion e shantazh ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe po e degradojnë drejtësinë. Ne i përkujtojmë deputetët dhe qeveritarët se votat i marrin nga populli e jo nga ambasadat e huaja e as nga EULEX-i”, thuhet në reagim.

S’ka azil për kosovarët

0

Emigrant kosovarQytetarët e Kosovës nuk mund të marrin azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian përkundër një fluksi në rritje të migrimeve ilegale që është vërejtur kohët e fundit. Austria është një prej atyre vendeve që ka rikthyer së fundit 18 persona dhe të cilët pritet të riathesohen në Kosovë. Ndaj azilkërkuesve në Austri mund të shqiptohen masa ndëshkuese duke u ndaluar hyrjen në këtë vend për 18 muajt e ardhshëm dhe duke i gjobitur deri në shumën prej 7.500 euro.

Shumë kosovarë, po marrin rrugën e migrimit ilegal duke shfrytëzuar kalimin nëpër Serbi e më pas edhe në Hungari prej nga mëtojnë të shkojnë në vendet tjera, kryesisht në Gjermani, por edhe Austri, Zvicër e deri te vendet skandinave.

Mbi 4 mijë kosovarë, ka kohë që po mbahen në një kamp në Hungari dhe të cilët pritet të rikthehen në Kosovë duke dështuar në rrugën e marrë për azil apo qëndrim dhe punësim ilegal.

Por, pavarësisht këtij fakti, çdo ditë ka migrime tjera.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku u ka bërë thirrje të gjithë kosovarëve që mendojnë të largohen, që të ndryshojnë mendje, pasi që shtetasit e Kosovës nuk mund të gëzojnë të drejtën e azilit në asnjë vend të Bashkimit Evropian.

“Përkundër vështirësive, përkundër sfidave dhe problemeve që kemi në shtetin tonë të ri. azili nuk është më opsion për qytetarët e tanë. Kushdo që mësyn Evropën me idenë se mund të përfitojë nga azili ekonomik, politik apo ndonjë forme tjetër do të kthehet prapa në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Çitaku, transmeton REL.

Ministrja Çitaku ka thënë po ashtu se rritja e fluksit të migrimeve ilegale është shënuar pas marrëveshjes së arritur me Serbinë për lirinë e lëvizjes.

Hapja e vijës qarkulluese përmes Serbisë, është shfrytëzuar nga trafikantët të cilët u premtojnë kosovarëve se do t’i qojnë në vendet perëndimore kundrejt një pagese tejet të majme.

Migrimet dhe azili, sipas ministres Vlora Çitaku, janë pasojë e gjendjes dhe kushteve të rënda ekonomike në të cilat po jetojnë shumë qytetarë të Kosovës.

Sidoqoftë, ajo u ka bërë me dije të gjithëve se rruga e migrimit do t’u kushtojë me rreziqe e shpenzime dhe kthim prapa për në Kosovë.

“Ne e kemi thënë edhe më heret se jemi te vetëdijshëm se azili dhe migrimi ilegal janë pasojë e gjendjes së vështirë në të cilën jetojnë shumë qytetarë të Republikës së Kosovës. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshje për ripranim me shumicën e vendeve anëtare të BE-së, dhe për më tepër ne njëanshëm kemi miratuar ligjin për ripranim dhe çdo shtetas i Republikës së Kosovës që gjendet ilegalisht në vendet e BE-së do të kthehet mbrapa”, ka thënë Çitaku.

Austria është një prej atyre vendeve që ka rikthyer së fundit 18 persona dhe të cilët pritet të riathesohen në Kosovë.

Ambasadori austriak në Prishtinë, Johann Brieger u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bijnë pre e premtimeve të rrejshme të trafikantëve se do të gjejnë punë në vendet e zhvilluara evropiane.

“Është një shqetësim i madh për ne që njerëzit në Kosovë po bien në vazhdimësi pre e premtimeve të rrejshme të grupeve, mbase kriminale të agjencive të trafikimit”, ka thënë ambasadori Brieger.

“Austria e konsideron Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimorë si vende te sigurta dhe kërkesa për azil do të refuzohet”, ka sqaruar ai.

Sipas tij, të gjithë ata që mund të mbërrijnë në Austri, qoftë legalisht apo ilegalisht me qëllim të marrjes së azilit, me procedura të shpejtuara do të kthehen në Kosovë brenda dy javëve.

Po ashtu, ndaj tyre mund të shqiptohen masa ndëshkuese duke u ndaluar hyrjen në këtë vend për 18 muajt e ardhshëm dhe duke i gjobitur deri në shumën prej 7.500 euro.

Në anën tjetër, ministrja Vlora Çitaku ka apeluar edhe tek organet e rendit si edhe misioni i EULEX-it që t’i shtojnë angazhimet dhe t’i kapin dhe sjellin para drejtësisë trafikantët të cilët po e shfrytëzojnë gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve për t’i mashtruar dhe nisur për në rrugën e migrimit, rrugë kjo që po u kushton shtrenjtë edhe atyre, por edhe shtetit të Kosovës.

Një trend në rritje i migrimit dhe azil-kërkimit, vlerësohet se do ta largonte edhe më tutje Kosovën nga procesi i liberalizimit të vizave.

Tiranë, starton sot festivali i muzikës jazz

0

jazz“Tirana Jazz and World Music Festival” starton sonte në Tiranë në edicionin e dytë të tij.

Me një pjesëmarrje artistësh të njohur, ky eveniment kësaj here do të mbledhë adhuruesit e muzikës jazz, në Pallatin e Kulturës, në datat 16-17-18 korrik, por edhe në Apolloni të Fierit.

Në një Tiranë thuajse bosh, pa aktivitete artistike në pikun e sezonit veror, do të ketë një plotësim të jetës artistike. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Besim Petrela, festivali synon traditën, të jetë një event jazz ndërkombëtar, por është i rëndësishëm sepse në verë pothuajse nuk ka asnjë aktivitet në Tiranë.

Në edicionin e dytë të “Tirana Jazz and World Music Festal” në skenë do të paraqiten Gjon Guralumi, Ervin Dhimo me bandat respektove, ndërsa të huaj Cazova Duo, Enzo Rocco e Carlo Actis Dato, Amir Gwirtzman, Shawn and the Wolf, me muzikantët e tyre. Grupi shqiptaro-zviceran i Guralumit, tashmë i njohur në Zvicër do të shfaqet gjithashtu në Tiranë.

Serbët e veriut: Nuk do të dalim në zgjedhje të Kosovës

0

Zgjedhjet-serbet nveriDuke pritur qëndrimin përfundimtar të Qeverisë së Serbisë për daljen e serbëve e në zgjedhjet lokale të Kosovës më 3 nëntor, serbë nga veriu i Kosovës kanë mendime të ndryshme për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Kryetari i komunës (ilegale) të Zubin Potok Stevo Bozhoviq (DSS) ka thënë se qytetarët e kësaj komune nuk do të votojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit..

“Në emrin tim, në emrin e Kuvendit të komunës dhe në emrin e qytetarëve të Kollashinit porosis se nuk do të marrim pjesë në zgjedhje sepse ato nuk do t’i sjellin asgjë të mirë popullit serb në Kosovë”, ka thënë Bozhoviq për agjencinë Beta, citon Koha

Ai ka shtuar se ajo që e “e propagandon shteti i Serbisë se është mirë të dilet në zgjedhje, është farsë dhe rrenë “.

“Nëse pranojmë të dalim në zgjedhje me ligjet e shtetit të panjohur të Kosovës, pa marrë para sysh se ato i organizon OSBE dhe bashkësia ndërkombëtare, pasi që ato i shpall Kuvendi i Kosovës, do të rrezikohen interesat tona dhe do të vihet në pikëpyetje ekzistenca jonë në Kosovës”, vlerëson Bozhoviq.

Sipas fjalëve të tij, mesazhi se do të votohet me dokumente të Serbisë është mashtrim i popullit që të dalë sa më shumë në votime.

Kryetari i komunës (ilegale) të Mitrovicës Dragisha Vlashkoviq (SNS) ka thënë se qëndrimi i tij personal nuk ka ndërruar dhe se nuk do të votojë në zgjedhjet e Kosovës.

“në nuk dua të ndikoj në askënd, si të vendos populli ashtu dhe do të bëhet, por qëndrimi im është i qartë – unë nuk do të marr pjesë në zgjedhjet që i organizon Prishtina dhe do të doja që vendimi i qytetarëve për këtë çështje të jetë unik”, ka thënë Vlashkoviq.

Kryetari i komunës (ilegale) të Leposaviqit Dragisha Vasiq (SNS) pret që pas këshillimeve me autoritetet e Beogradit serbët të merren vesh dhe të marrin qëndrim të përbashkët rreth djalleve në zgjedhje.

“Do të marrim vendim unik në nivel të katër komunave në veri të Kosovës dhe për këtë do të bisedojmë e përfaqësues të shtetit të Serbisë”, u ka thënë Vasiq gazetarëve.

Sipas fjalëve të tij, nëse interesat e shtetit përputhen me interesat e serbëve në Kosovë, atëherë ata do të dalin në zgjidhje.

Kryetari i t ashtuquajtur “kuvend krahinor i Kosovë e Metohisë Slavko Stevanoviq (SPS) ka vlerësuar se serbët e Kosovës nuk duhet të dalin në zgjidhjet.

“Qëndrimi i popullit serb dhe të gjitha minoritetet që shtetin e Serbisë e njohin si të vetin në zgjedhje nuk mund të dalin me ligjet e shtetit të panjohur të Kosovës”, ka thënë Stevanoviq dhe ka shtuar se për serbët në Kosovë është e pranueshme të dalinin vetëm në zgjedhjet që i shpall Serbia .

“Për ne është e paditur me cilët dokumente do të dalim në zgjedhje e kusht për të dalë në zgjedhje është edhe kthimi i më shumë se 200.000 të shpërngulur nga Kosova”, ka thënë ai.

Suhareka binjakëzohet me qytetin Lilburn të shtetit Georgia të SHBA-së

0

SuharekaSuhareka është binjakëzuar të martën me qytetin Lilburn të shtetit Georgia të SHBA-së. Në ceremoninë e binjakëzimit kanë morë pjesë përfaqësuesit më të lartë të regjionit të Gëinnet dhe qytetarë të këtij qyteti.

Kryetari i qytetit të Lilburn-it, Johnny Crist, deklaroi publikisht shpalljen e aktit të binjakëzimit në mes të qytetit të Lilburn-it dhe Komunës së Suharekës.

Në këtë solemnitet kryetarit të Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi, ndërkaq i’u dhurua ‘Qelesi i artë i qytetit’ nga kryetari Johnny Crist.

“Akti i binjakëzimit në mes të dy qyteteve i ka paraprirë një aktivitet i gjerë i shkëmbimeve kulturore – shkëmbimi i nxënësve, aktivitetet e kampeve verore dhe vizitave zyrtare të përfaqësuesve të të dyja qyteteve”, tha Kuçi.
Të dyja palët vlerësuan se lartë binjakëzimi e këtyre qyteteve.

Pjesa tjetër ajo finale, e kësaj marrëveshje do të bëhet në Komunën e Suharekës. Për këtë kryetari Kuçi, i ka bërë ftesë zyrtare, kryetarit të Lilburnit Crist që së bashku me bashkëpunëtorë të vizitojë Suharekën, gjatë festës së “Festari 2013”.

Gjatë kësaj feste e cila do të organizohet në frymën e miqësisë amerikano-shqiptare, solemnisht do të bëhet edhe nënshkrimi zyrtar, nga ana e komunës së Suharekës të aktit final të marrëveshjes ndërkombëtare të binjakëzimit të qyteteve Lilburn-Suhareke./PrizrenPress.com/

Kuçi shpallet qytetar nderi i qytetit Lilburn të shtetit Georgia të SHBA-së

0

Blerim KuciKryetari i Suharekës, Blerim Kuçi është shpallë qytetar nderi i qytetit Lilburn të shtetit Georgia të SHBA-së.

Kuçi së bashku me një delegacion të Komunës së Suharekës, është duke qëndruar në shtetin e Georgia të SHBA-së. Ai me një ceremoni rasti në këtë shtet u shpall qytetar nderi i qytetit Lilburn.

Në këtë ceremoni, përveç qytetarëve të shumtë të Lilburnit, kanë marrë pjesë edhe banorë të shumtë nga qytetet përreth dhe nga regjioni i Gëinnett.

Përveç kryetarit Kuçi si udhëheqës i delegacionit, qytetar nderi janë shpallur edhe anëtarët e delegacionit që po qëndrojnë në këtë vend./PrizrenPress.com/

Teatri nuk do të flasë shqip

0

festivali_i_butrinit_festivali-320x230Cilat janë prirjet e teatrit sot? A kanë sjellë ndryshimet e koncepteve regjisoriale, ndryshime në konceptin mbi të cilën jemi mësuar të shohim një shfaqje teatrale? Cilat janë format e reja të teatrit? Këto e pyetje të tjera mbi teatrin, pritet të diskutohen gjatë pesë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit, i cili rikthehet pas dy viteve mungesë në datat 18-23 korrik. Në edicionin e 12 të “Butrint 2000”, pritet të marrin pjesë trupa teatrore nga Bullgaria, Spanja, SHBA-ja, Ukraina dhe Italia, ndërsa mungon këtë vit teatri shqip.

Sipas drejtorit të festivalit, regjisorit Alfred Bualoti, Teatri Kombëtar ka pasur ftesë për të marrë pjesë me shfaqjen “Edipi mbret”, por përgjigjja ka qenë negative. “Para shumë kohësh i dërguam një ftesë për Teatrin Kombëtar për të marrë pjesë me shfaqjen ‘Edipi mbret’ një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar Shqiptar, por fatkeqësisht përgjigjja ishte negative. Regjisori dhe stafi thoshin se e kishin bërë shfaqjen për Festivalin e Butrintit. Dhe vërtet ishte një shfaqje që i shkonte shumë mirë këtij festivali, dhe se do të ishte një gjë me interes”, thotë Bualoti. Një tjetër shfaqje shqiptare, të cilën Bualoti do të donte ta kishte në skenën e Festivalit të Butrintit, ishte “14 vjeç dhëndër”, por aktorët e kësaj shfaqjeje e kishin të vështirë të mblidheshin, po kështu dhe shfaqja e fundit e regjisorit të ri Enton Kaca, i cili sërish nuk mund t’i bënte bashkë aktorët për në Butrint. Edhe pse në skenën e festivalit nuk do të flitet shqip, ajo pritet të kthehet në një skenë ku do të performojnë trupa dhe regjisorë të njohur të teatrove që përfaqësojnë. Festivali do të nisë me trupën bullgare, e cila prezanton shfaqjen “Spiunë në epokën e gurit”, një lojë interesante ku dy fise, në një epokë X, kanë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, pasi njëri ushqehet e jeton mirë, ndërsa tjetri është në gjendje të mjerueshme. Në ditën e dytë, në skenën e festivalit do të ngjitet teatri i Madridit (Spanjë) me shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës”. Teatri “Tribuenes” i Madridit është i njohur për veprat e tij cilësore. Vepra e njohur e Federico Garcia Lorca do të vijë nën regjinë e Irina Kouberskaya dhe Hugo Perez.

Pas spanjollëve, skena e festivalit do të jetë për kompaninë e njohur teatrale “Lit Moon Theatre” nga SHBA-ja, e cila drejtohet nga regjisori John Blondell. Pas eksperiencës që pati vetëm dy muaj më parë në skenën e Teatrit Kombëtar me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, Blondell rikthehet në Shqipëri, bashkë me trupën e teatrit që drejton prej vitesh, për të vënë në skenë sërish një vepër të Shekspirit, “Shtrëngata”. Trupa teatrale nga Kievi (Ukraina) do të ngjisë në skenë një histori dashurie. Akademia e Teatrit të Muzikës dhe Plastikës do të sjellë shfaqjen plot ritëm “Pranverë. Verë. Vjeshtë. Dimër dhe … Alexander Belski” nën regjinë e Sergei Belski dhe Alexander Belski. Shfaqja e fundit vjen nga Bergamo, një trupë italiane që sjell eksperimentin e rrugës, do të bëjnë teatrin e rrugës në qytetin e Sarandës nën regjinë e Luigi Pezzotti.

“Trupat pjesëmarrës në këtë festival janë përzgjedhur ndërmjet 20-25 shfaqjeve teatrore nga e gjithë bota, nëpërmjet selektorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë në vende të ndryshme, si edhe nëpërmjet vizionimit të DVD dhe dosjes së plotë të çdo trupe që kërkonte të ishte pjesëmarrëse në këtë festival”, thonë organizatorët. Tashmë skena e Amfiteatrit të Butrintit po bëhet gati për performancat e aktorëve që do të ngjisin në të, zërin e Shekspirit, Lorkës apo tingujt e Vivaldit…. Bualoti i quan shfaqjet e përzgjedhura për këtë edicion si një rifillim të mirë të traditës së këtij festivali, pas dy vitesh mungesë. “Shfaqjet që do të shihni në Butrint janë të një niveli të mirë, për të mos thënë të një cilësie artistike shumë të lartë. Imazhi i Butrintit nuk është zbehur, por do të ketë një ristartim shumë të mirë të Butrintit”, thotë Bualoti. Sipas tij, shfaqjet do të ngjiten në skenë, duke sjellë koncepte të ndryshme regjisoriale dhe forma teatrore të reja, duke e bërë këtë festival sërish një arenë të debatit mbi teatrin sot. “Mendojmë se kemi dy risi, dy shfaqje jo vetëm pse kanë bërë emër për nivelin mjaft të lartë. Por, te ne, në Butrint do të jenë krejt të veçanta, dhe për nga pikëpamja e shkollës teatrore, e lëvrimit si trupa profesioniste, pra janë të panjohura si cilësi artistike, deri diku të paarritshme, të konceptueshme si për shembull të luhet Bernarda Alba pa tekst. Kjo dhe për vetë spanjollët nuk ka qenë e lehtë, sepse është një nga autorët klasikë të tyre, që përbën bazën dhe dramën e vërtetë të përplasjeve. Pra, ata kanë gjetur elementë të tillë, kanë zbuluar në thellësi të veprës me një zhanër që këtu është pothuajse i palëvruar. Flasim në nivele profesionistësh të vërtetë, siç janë pantonima, gjesti, lëvizja, muzika etj., elemente komplekse që do të sjellin gjëra me mjaft interes për ata që e njohin mirë Bernarda Albën. Shfaqja që vjen nga Kievi ka një shfaqje me interes, e pantonimës. Është një lojë komedia del’arte, por ka më shumë dance teatër të luajtur nga aktorët. Te ne, deri diku, ka nisur të ngacmohet kjo alternativë, por kjo shfaqje e Ukrainës është një zhanër i dashur për to, që luhet me muzikë të Vivaldit. Për herë të parë po eksperimentojmë në festival teatrin e rrugës, që do të jepet në qytet, në Sarandë. Është një trupë me një nam shumë të mirë, vjen nga Bergamoja, Itali. Engjëjt do të zbresin nga qielli në rrugët e qytetit”, thotë Bualoti. Po përtej koncepteve dhe formave të reja që nuk kanë munguar gjatë viteve të këtij festivali, ajo çfarë e shqetëson Bualotin është mungesa e një mbështetjeje permanente e tij, çka solli dhe mungesën dyvjeçare. “Ne e kemi thënë prej vitesh se do të ishte shumë mirë që Festivali i Butrintit të mos rropatej vit pas viti, kërkesë pas kërkesash, apo luftë për buxhetin e nevojshëm sado që është modest. Mund të kemi një herë e përgjithmonë një institucionalizim të festivalit, në një tavolinë e biseda që mund të merren me mendje të shëndoshë e eksperienca të përbotshme dhe kjo do të jetë shumë mirë po të arrihet, qoftë për festivalin, por për të gjithë, për të mos bërë më pyetjen. Nëse do të bëhet Festivali i Butrintit?!”, thotë Bualoti. Këtë vit festivali po realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, e cila i akordoi një fond prej 4 milionë lekësh këtij aktiviteti.

Shqipëria konfirmon pjesëmarrjen në Eurosong

Transmetuesi kombëtar shqiptar, RTSH-ja, ka konfirmuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në edicionin e radhës së Festivalit Europian që do të mbahet në Danimarkë. Metoda për të përzgjedhur këngën shqiptare do të jetë e njëjta, nëpërmjet Festivalit të Këngës në RTSH, që mbahet çdo fund viti. “ESC Today”, portali zyrtar i Festivalit Europian, njofton se vende të tjera, të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen deri tani janë: Suedia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia, San Marino dhe Belgjika. Irlanda dhe Islanda janë po ashtu në listën e vendeve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovision 2014. Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko përfaqësuan Shqipërinë këtë vit në Eurovision, në Malmo të Suedisë. Pavarësisht performancës së tyre energjike, dyshja nuk mundi të kualifikohej për në finale.

 

Një javë aktivitet në Apoloni

Edicioni i nëntë i Festivalit “Apolonia International Fest 2013? do të zhvillohet nga datat 18-23 korrik në parkun arkeologjik të Apolonisë. Në një javë festival do të ketë shfaqje nga gjini të ndryshme të artit si ekspozitë, muzikë nga ansamble të ftuar, festival xhaz, shfaqje teatri dhe koncerte simfonike. Por përtej Fierit do të ketë dhe dy dite shfaqje në Puglia (Itali) më datë 28 korrik dhe 18 gusht. Në ditët e festivalit do të jetë i pranishëm Teatri Profesionist i Prizrenit dhe grupe xhazi nga vende të ndryshme, si Gjermania, USA, Turqia, Zvicra, Izraeli etj./shqip/