11.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Dëshmoi ekspertja e forenzikës, Sesili Croper

fatmirLimaj-tomGashi(E plotësuar) Në seancën e radhën në rastin “Kleçka” dëshminë e saj e ka dhënë ekspertja e forenzikës, Sesili Croper. Ajo para trupit Gjykues tha se në vitin 2010, në zonën e Kleçkës, janë gjetur trupa të pajetë në dy varreza masive. Por, ajo tha se në vitin 2009 nuk ishte gjetur asnjë mbetje mortore, ndërsa në vitin 2010, po në të njëjtin vend ishin gjetur pesë trupa të pa jetë. Dëshmia e saj e ka vënë në mëdyshje mbrojtjen e të akuzuarve.

Sesili Croper, një antropologe nga Mbretëria e Bashkuar, tha në seancën e sotme se kishte marrë pjesë në dy raste të ekshumimeve të mbetjeve mortore në zonën e Kleçkës. Gjatë dëshmisë së saj ajo potencoi se në vitin 2009, në një zonë të Kleçkës nuk kishin mundur të gjejnë asnjë mbetje mortore.

Por, me kërkesën e prokurorit Mauricio Salustro, rastit i ishin kthyer sërish në vitin 2010, ku kishin gropuar më thellë dhe në të njëjtin vend që një vit më parë nuk ishte gjetur asgjë, ishin gjetur pesë trupa të pajetë.

Sesili Croper ka shpjeguar në detaje se si janë gjetur trupat e varrosur njëri mbi tjetrin, si dhe gjetjen e një mjeti prej metali në varr. Por ajo nuk dha detaje shtesë se çka ka mundur të jetë vetëm tha se mjeti mund të ishte hedhur qëllimisht aty.

Raportet e kësaj dëshmitare, e cila ishte e punësuar në EULEX nga viti 2009 deri në vitin 2012, u vënë në mëdyshje nga avokatët mbrojtës, të cilët e pyetën dëshmitaren nëse ka vërejtur ndonjë ndryshim tek dheu i vitit 2009 dhe atij 2010, duke ngritur dyshime se trupat mund të jenë varrosur pas gjurmimeve të para në 2009-ën.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, theksoi se nuk është profesionale që një vend ku është dyshuar se mund të ketë trupa të pajetë, të mos jetë i siguruar nga policia për më shumë se një vit.

“Në vende ku ka pasur luftime në asnjë mënyrë nuk mund të lihen të pasiguruara për një vit vendi ku është gjurmuar dhe ku është dyshuar se mund të ketë trupa të pajetë”, tha ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Naser Krasniqit, Bajram Tmava, tha se kërkesa e prokurorit për ekzaminimin e dytë të vendit ka rrjedhë nga dëshmia e dëshmitarit “X”.

“Sugjerimi i prokurorit ka rrjedhur nga dëshmia e dëshmitarit X, i cili paraprakisht është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues dhe i ka treguar ai vendet se ku gjenden trupat e pajetë”, theksoi ai.

Seanca e radhës mbahet të enjten, ku do të dëshmojnë tre mjekë psikiatër, të cilët e kanë bërë analizën e dokumentacionit mjekësor tëAgim Zogajt i njohur si dëshmitari “X”.

Sot seanca e radhës për rastin “Kleçka”

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, sot në orën 10:00, do të vazhdojë rigjykimi i Fatmir Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij në rastin “Kleçka”. Nëpërmjet videolinkut pritet të dëshmojnë arkeologia e forenzikës, Sesilia Kropa dhe patologu Marek Gasior.

Avokati i Limajt, Tomë Gashi, ka thënë se në këtë seancë gjyqësore nëpërmjet videolinkut do të dëshmojnë arkeologia e forenzikës, Sesilia Kropa dhe patologu Marek Gasior.

“Këta dy ekspertë janë propozuar nga kryetari i trupit gjykues në rastin ‘Kleçka’”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, këta dy ekspertë nuk kanë çfarë të deklarojnë për Fatmir Limajn më shumë sesa në gjykimin e kaluar, ku Limaj ishte shpallur i pafajshëm.

“Në raport me Fatmir Limajn, dëshmia e këtyre dy ekspertëve nuk mund të ndryshojë për shkak se ata janë marrë me gjendjen faktike në terren”, ka thënë për ”Epokën e re” avokati Gashi.

Në këtë kontekst, Gashi ka thënë se sot (e martë) mund edhe të përfundojë marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe në shtator të përfundojë i tërë procesi gjyqësor kundër Limajt dhe të tjerëve.

“Nëse këta dy dëshmitarë e përfundojnë dëshminë e tyre nëpërmjet videolinkut, atëherë kjo do të jetë seanca e fundit para shtatorit, kur pritet vazhdimi dhe përfundimi i këtij rigjykimi. Dhe nëse eventualisht është e nevojshme edhe një ditë për t’u marrë në pyetje këta dëshmitarë, atëherë do të vazhdohet më 18 korrik”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se nuk e ka idenë se për çfarë arsye i ka ftuar për të dëshmuar këta dy ekspertë kryetari i trupit gjykues. “Nuk mund ta dijë se çfarë ka në tru kryetari i trupit gjykues”, ka thënë avokati Gashi.

Reagojnë organizatat e dala nga lufta

Organizatat e dala nga lufta kanë reaguar ndaj vendimit për masë të arrestit shtëpiak ndaj Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke e konsideruar si process të montuar politik.

“Rasti Kleçka”, është vazhdimësi e luftës psikologjike të EULEX-it kundër luftëtarëve të UÇK-së. EULEX po tregon vendosmëri të madhe, kur është në pyetje lufta kundër vlerave të shenjta të kombit shqiptar, thuhet në deklaratën e e OVL UÇK-së.

“Degradimi i një misioni ndërkombëtar, nga mision për sundim të ligjit në mision kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bartësve të saj, është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Ky degradim, ka kapluar edhe deputetët dhe qeveritarët e Kosovës, para syve të të cilëve ndodh kjo maskaradë e EULEX-it.

Ne kemi dërguar kërkesë, para më shumë se një muaji, të gjithë deputëtëve, Kryesisë dhe Kryetarit të Kuvendit, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të duhej të ndërpritej mandati ekzekutiv i EULEX-it. Por deri më tani, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk u diskutua një gjë e tillë. Ne vlerësojmë se deputetët nuk janë duke vepruar në bazë të mandatit që kanë, në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe mbrojtjen e vlerave kombëare, siç është lufta çlirimtare dhe bartësit e saj.

Përderisa ne u akuzuam se po bëjmë presion ndaj deputetëve të Kuvendit dhe ndërhyrje në “drejtësi”, veprimet e EULEX-it po tregojnë se pikërisht ata po bëjnë presion e shantazh ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe po e degradojnë drejtësinë. Ne i përkujtojmë deputetët dhe qeveritarët se votat i marrin nga populli e jo nga ambasadat e huaja e as nga EULEX-i”, thuhet në reagim.

Më Shumë

Me fishekzjarre nga Kalaja lajmërohet ardhja e iftarit në Prizren (FOTO)

Në qytetin e Prizrenit po vazhdon të mbahet gjallë tradita e hedhjes së “topit të iftarit” që paralajmëron hyrjen e kohës kur agjëruesit mund...

Përurohet Muzeu i masakrës në Krushë të Madhe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në përurimin e Muzeut të masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, raporton Ekonomia Online. Muzeu përmban...

Lajmet e Fundit