19.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Teatri nuk do të flasë shqip

festivali_i_butrinit_festivali-320x230Cilat janë prirjet e teatrit sot? A kanë sjellë ndryshimet e koncepteve regjisoriale, ndryshime në konceptin mbi të cilën jemi mësuar të shohim një shfaqje teatrale? Cilat janë format e reja të teatrit? Këto e pyetje të tjera mbi teatrin, pritet të diskutohen gjatë pesë ditëve të Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit, i cili rikthehet pas dy viteve mungesë në datat 18-23 korrik. Në edicionin e 12 të “Butrint 2000”, pritet të marrin pjesë trupa teatrore nga Bullgaria, Spanja, SHBA-ja, Ukraina dhe Italia, ndërsa mungon këtë vit teatri shqip.

Sipas drejtorit të festivalit, regjisorit Alfred Bualoti, Teatri Kombëtar ka pasur ftesë për të marrë pjesë me shfaqjen “Edipi mbret”, por përgjigjja ka qenë negative. “Para shumë kohësh i dërguam një ftesë për Teatrin Kombëtar për të marrë pjesë me shfaqjen ‘Edipi mbret’ një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar Shqiptar, por fatkeqësisht përgjigjja ishte negative. Regjisori dhe stafi thoshin se e kishin bërë shfaqjen për Festivalin e Butrintit. Dhe vërtet ishte një shfaqje që i shkonte shumë mirë këtij festivali, dhe se do të ishte një gjë me interes”, thotë Bualoti. Një tjetër shfaqje shqiptare, të cilën Bualoti do të donte ta kishte në skenën e Festivalit të Butrintit, ishte “14 vjeç dhëndër”, por aktorët e kësaj shfaqjeje e kishin të vështirë të mblidheshin, po kështu dhe shfaqja e fundit e regjisorit të ri Enton Kaca, i cili sërish nuk mund t’i bënte bashkë aktorët për në Butrint. Edhe pse në skenën e festivalit nuk do të flitet shqip, ajo pritet të kthehet në një skenë ku do të performojnë trupa dhe regjisorë të njohur të teatrove që përfaqësojnë. Festivali do të nisë me trupën bullgare, e cila prezanton shfaqjen “Spiunë në epokën e gurit”, një lojë interesante ku dy fise, në një epokë X, kanë urrejtje ndaj njëri-tjetrit, pasi njëri ushqehet e jeton mirë, ndërsa tjetri është në gjendje të mjerueshme. Në ditën e dytë, në skenën e festivalit do të ngjitet teatri i Madridit (Spanjë) me shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës”. Teatri “Tribuenes” i Madridit është i njohur për veprat e tij cilësore. Vepra e njohur e Federico Garcia Lorca do të vijë nën regjinë e Irina Kouberskaya dhe Hugo Perez.

Pas spanjollëve, skena e festivalit do të jetë për kompaninë e njohur teatrale “Lit Moon Theatre” nga SHBA-ja, e cila drejtohet nga regjisori John Blondell. Pas eksperiencës që pati vetëm dy muaj më parë në skenën e Teatrit Kombëtar me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, Blondell rikthehet në Shqipëri, bashkë me trupën e teatrit që drejton prej vitesh, për të vënë në skenë sërish një vepër të Shekspirit, “Shtrëngata”. Trupa teatrale nga Kievi (Ukraina) do të ngjisë në skenë një histori dashurie. Akademia e Teatrit të Muzikës dhe Plastikës do të sjellë shfaqjen plot ritëm “Pranverë. Verë. Vjeshtë. Dimër dhe … Alexander Belski” nën regjinë e Sergei Belski dhe Alexander Belski. Shfaqja e fundit vjen nga Bergamo, një trupë italiane që sjell eksperimentin e rrugës, do të bëjnë teatrin e rrugës në qytetin e Sarandës nën regjinë e Luigi Pezzotti.

“Trupat pjesëmarrës në këtë festival janë përzgjedhur ndërmjet 20-25 shfaqjeve teatrore nga e gjithë bota, nëpërmjet selektorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë në vende të ndryshme, si edhe nëpërmjet vizionimit të DVD dhe dosjes së plotë të çdo trupe që kërkonte të ishte pjesëmarrëse në këtë festival”, thonë organizatorët. Tashmë skena e Amfiteatrit të Butrintit po bëhet gati për performancat e aktorëve që do të ngjisin në të, zërin e Shekspirit, Lorkës apo tingujt e Vivaldit…. Bualoti i quan shfaqjet e përzgjedhura për këtë edicion si një rifillim të mirë të traditës së këtij festivali, pas dy vitesh mungesë. “Shfaqjet që do të shihni në Butrint janë të një niveli të mirë, për të mos thënë të një cilësie artistike shumë të lartë. Imazhi i Butrintit nuk është zbehur, por do të ketë një ristartim shumë të mirë të Butrintit”, thotë Bualoti. Sipas tij, shfaqjet do të ngjiten në skenë, duke sjellë koncepte të ndryshme regjisoriale dhe forma teatrore të reja, duke e bërë këtë festival sërish një arenë të debatit mbi teatrin sot. “Mendojmë se kemi dy risi, dy shfaqje jo vetëm pse kanë bërë emër për nivelin mjaft të lartë. Por, te ne, në Butrint do të jenë krejt të veçanta, dhe për nga pikëpamja e shkollës teatrore, e lëvrimit si trupa profesioniste, pra janë të panjohura si cilësi artistike, deri diku të paarritshme, të konceptueshme si për shembull të luhet Bernarda Alba pa tekst. Kjo dhe për vetë spanjollët nuk ka qenë e lehtë, sepse është një nga autorët klasikë të tyre, që përbën bazën dhe dramën e vërtetë të përplasjeve. Pra, ata kanë gjetur elementë të tillë, kanë zbuluar në thellësi të veprës me një zhanër që këtu është pothuajse i palëvruar. Flasim në nivele profesionistësh të vërtetë, siç janë pantonima, gjesti, lëvizja, muzika etj., elemente komplekse që do të sjellin gjëra me mjaft interes për ata që e njohin mirë Bernarda Albën. Shfaqja që vjen nga Kievi ka një shfaqje me interes, e pantonimës. Është një lojë komedia del’arte, por ka më shumë dance teatër të luajtur nga aktorët. Te ne, deri diku, ka nisur të ngacmohet kjo alternativë, por kjo shfaqje e Ukrainës është një zhanër i dashur për to, që luhet me muzikë të Vivaldit. Për herë të parë po eksperimentojmë në festival teatrin e rrugës, që do të jepet në qytet, në Sarandë. Është një trupë me një nam shumë të mirë, vjen nga Bergamoja, Itali. Engjëjt do të zbresin nga qielli në rrugët e qytetit”, thotë Bualoti. Po përtej koncepteve dhe formave të reja që nuk kanë munguar gjatë viteve të këtij festivali, ajo çfarë e shqetëson Bualotin është mungesa e një mbështetjeje permanente e tij, çka solli dhe mungesën dyvjeçare. “Ne e kemi thënë prej vitesh se do të ishte shumë mirë që Festivali i Butrintit të mos rropatej vit pas viti, kërkesë pas kërkesash, apo luftë për buxhetin e nevojshëm sado që është modest. Mund të kemi një herë e përgjithmonë një institucionalizim të festivalit, në një tavolinë e biseda që mund të merren me mendje të shëndoshë e eksperienca të përbotshme dhe kjo do të jetë shumë mirë po të arrihet, qoftë për festivalin, por për të gjithë, për të mos bërë më pyetjen. Nëse do të bëhet Festivali i Butrintit?!”, thotë Bualoti. Këtë vit festivali po realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, e cila i akordoi një fond prej 4 milionë lekësh këtij aktiviteti.

Shqipëria konfirmon pjesëmarrjen në Eurosong

Transmetuesi kombëtar shqiptar, RTSH-ja, ka konfirmuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në edicionin e radhës së Festivalit Europian që do të mbahet në Danimarkë. Metoda për të përzgjedhur këngën shqiptare do të jetë e njëjta, nëpërmjet Festivalit të Këngës në RTSH, që mbahet çdo fund viti. “ESC Today”, portali zyrtar i Festivalit Europian, njofton se vende të tjera, të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen deri tani janë: Suedia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia, San Marino dhe Belgjika. Irlanda dhe Islanda janë po ashtu në listën e vendeve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovision 2014. Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko përfaqësuan Shqipërinë këtë vit në Eurovision, në Malmo të Suedisë. Pavarësisht performancës së tyre energjike, dyshja nuk mundi të kualifikohej për në finale.

 

Një javë aktivitet në Apoloni

Edicioni i nëntë i Festivalit “Apolonia International Fest 2013? do të zhvillohet nga datat 18-23 korrik në parkun arkeologjik të Apolonisë. Në një javë festival do të ketë shfaqje nga gjini të ndryshme të artit si ekspozitë, muzikë nga ansamble të ftuar, festival xhaz, shfaqje teatri dhe koncerte simfonike. Por përtej Fierit do të ketë dhe dy dite shfaqje në Puglia (Itali) më datë 28 korrik dhe 18 gusht. Në ditët e festivalit do të jetë i pranishëm Teatri Profesionist i Prizrenit dhe grupe xhazi nga vende të ndryshme, si Gjermania, USA, Turqia, Zvicra, Izraeli etj./shqip/

Më Shumë

Gjermania sot i dhuron automjete FSK-së

Sot në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit me automjete nga Republika Federale e Gjermanisë për Forcën...

Policia shqiptoi mbi një mijë e 900 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1936 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit