28.8 C
Prizren
E premte, 6 Qershor, 2025

Mision në moshën e turbullt

Tregim nga Hajdar Mallaku

Është thënë për moshën e adoleshencës se është moshë e bardhë, moshë me krahë, moshë shpërthyese, moshë e urës kalimtare nga një çmenduri e lehtë në moshën e arsyeshme, por dhe moshë e trazuar që i ngjet një uji të turbulluar, që, sado që duket i kthjelltë, nuk dihet çka nxjerr në sipërfaqe.

Puna me nxënës më provoi në shumë raste. Isha profesor dhe prind që profesionin e arsimimit të brezit të ri e doja shumë. Por në këtë punë delikate puna e donte që të jem edhe qortues, edhe paditës, edhe ndëshkues, aspak me dëshirë dhe gjithnjë i matur që ta zgjidhja problemin sa më mirë dhe pa dhimbje për nxënësin. Të gjitha këto detyra ishin obligim për secilin nxënës e veçmas për ata nxënës që luhateshin të dilnin jashtë normave dhe etikës shkollore. Ata vinin nga rrethe të ndryshme, me edukatë, me standard jetësor dhe njohuri të ndryshme dhe këto shërbenin për bazë të ndërtimit të mëtutjeshëm të qëndrimit ndaj tyre, por të gjithë ishin në moshën shpërthyese të adoleshencës kur duhej ruajtur një baraspeshë në mes gjërave të mundshme dhe atyre imagjinare. Më brengoste sidomos edukata e tyre, sepse arsimimin kush më shumë e kush më pak do ta arrinin.

E kisha në klasë nxënësen Erleta B. që vinte nga një fashat i Dukagjinit, ku përtheheshin fushat e pëlleshme buzë lumit me bjeshkët e thepisura që kafshoheshin si i kafshojnë dhëmbët buzët kur habitemi.

Jeta në fshatin e lindjes së saj i kishte, si çdokund, katër stinë: atë të punëve në fushë që zgjaste deri në qershor, atë të verimit në bjeshkë që zgjaste prej korrikut e deri në shtator, atë të vjeshtës që zgjaste prej tetorit e deri në dhjetor, kur zbritnin nga bjeshka me bagëti dhe bulmete dhe i vilnin pemët në kopshtet rreth oborreve dhe atë të dimrit që lidhej me mbylljen në shtëpi dhe dimërimin mbytës. Secila i kishte bukuritë e saj, por ajo më e dashura ishte koha e verimit në bjeshkë. Atje kryesisht shkonin barinjtë, bareshat, gratë e moshuara që merreshin me punët e bulmetrave, vajza, fëmijë, gra të veja… Fëmijët mblidhnin boronica me të cilat siguronin pije për dimër apo i shitnin për të siguruar para për shkollim. Kishte dhe të rritur që mblidhnin bimë mjekësore dhe i shitnin në fabrikë.
Erleta thua se s’kishte askënd në familje. Po përfundonte dhe viti i tretë në gjimnaz dhe askush nuk ishte dukur për t’u interesuar se çfarë suksesi kishte, a vijonte me rregull, çfarë sjellje kishte me shokë e shoqe e me profesorë. Thoshte njeriu se kish ardhur nga jetimorja. Vërtet prindërit e saj kishin filluar një punë të re, merreshin me një tregtizë të vogël, por si të lejohej që prindi ta barazojë fëmijën me paranë, duke i dhënë përparësi parasë, pa e menduar se paraja humbet sot, por fitohet nesër, ndërsa fëmija i humbur nuk kthehet më. Dhe kush ishte fëmija i tyre? Ç’ kishte sjellë Erleta nga vendlindja, nga fshati në qytet ? Sigurisht lirinë e bjeshkëve, hapësirën e pafund ku përthureshin fluturimet e shqiponjave që shkëputën nga shkrepat, pasi i kanë mprehur sqepat dhe i çajnë si disk luginat duke i piketuar pretë që fshihen kreshtave apo gjetheve. Kishte sjellë vajtimin e lahutarit, magjinë e fyellit, dridhërimat e gajdexhinjve apo këngët me gisht në fyt të vajzave dhe atë të shuplakave si burizan të burrave për ta marrë me çdo kusht lidhjen imagjinare shpat më shpat. Kishte sjellë shtatin e bëshëm si çetinë, rritur në përkujdesje të gjyshe Nazes me mazë deleje, me fluçkë djathi, freskuar atë gushën e bardhe me shtambën mbushur me borë e qumësht të freskët.

Kishte sjellë një harmoni zërash që formonin një orkestrim, një ritual gazmor, pingërimin e zogjve, zërat e bagëtive, ulërimën e qenve, jehonën e thirrjes së barinjve që i depërtonte majat e thepisura në rezonimin hyjnor. Kishte sjellë tisin e vezullimit të tbanëve në dritë dielli a hëne, me maje të thepisura llamarine, foletë e zjarrta ku pushonin njerëz e bagëti, ku vejushat trazonin bjeshkën, ndërsa vajzat thurnin ëndrra për djem sokola. Flinin këtu dhe të rinj që tash vizionin e drejtonin nga qyteti, atje prej nga vinte dituria.

Kishte sjellë nga fushat kryerjen e punëve të verës, sidomos kositjen e luadheve, kur fantazia kalëronte me galop hapësirave gjelbëroshe, vajtje-ardhjet në shkollë, larjen lakuriq në Lumëbardhë me shoqe në pikën e vapës, hangarizjen dhe të folmet e shkujdesura, kur djemtë sypetritë i vërenin fshehtas dhe ua përmendnin pastaj se ç’kishin parë.

Kishte sjellë nga vjeshta vjeljen e mollëve dhe dardhave dimërore kur mbi lëvozhgën e mollëve shkruheshin fjalët “Të dua, shpirt !” dhe gjuheshin në kopshtet fqinjë drejt të dashurave apo të dashurve.

Ndërsa nga dimri kishte sjellë fantazinë përrallore, bisedat e grave për rrengjet me meshkuj lapërdharë apo me ndonjë pusht të harbuar.

Pa i bërë mend këto, ai asnjëherë nuk qe dukur në shkollë. Vonë i kish shkuar në vesh çdo gjë për të, e kish përcjellë dy a tri herë…por… Kishte marrë vesh se nuk flinte me shoqen e saj në banesë, por me pronarin e shtëpisë që ishte një lolo pesëmbëdhjetë vjeç më i vjetër, me qëndrim në Suedi. Bëri pastaj ç’ish dashur e ç’nuk ishte dashur. E kish rrahur edhe me litar të lagur. Në shkollë mungonte. Shihej gjatë orëve të mësimit herë me dikë e herë me dikë tjetër.

E zura në befasi dhe e qortova. Nuk u skuq aspak, por ma përplasi fytyrës shprehjen:

-Profesor, po kush nuk e ka sot një të dashur!?

-Unë, – i thashë.

-Ti je i martuar, por edhe mund të kesh,- më tha.

– Gruan e kam të ligjshme, grua zemre, më tepër se të dashur. Si s’të vjen turp. Mendon se tërë bota janë të përdala si ti ?

E qortova dhe për veshjen, por u pendova kur më tha pa turp:

-Ani po ta shihje, profesor, nënën time si vishet.! Unë jam veshur shumë mirë.

– Nënën tënde nuk e kam nxënëse, unë po flas për ju.

Ishte kthyer kjo vajzë në një koketë të pastandardizuar.

E ndala gjuhën të mos nxirrja ndonjë shprehje të paqenë. Më zu inati sa s’plasa. Ditën tjetër hyra në postë, formulova numrin e saktë të prindit të saj dhe prita. U lajmërua i ati në anën tjetër.

-Zotëri Vegji, keni në gjimnaz një vajzë me emrin Erleta ?

-Po,- tha. Ç’ka ndodhur ?

E zbrita receptorin dhe e krisa duke e mbërthyer përmbys në bazament, vazhdova orën vijuese dhe, posa dola në pushim, m’ u afrua një i panjohur dhe m’ u prezantua:

-Jam Vegjiu, babai i Erletës, – më tha. Erdha se më keni ftuar. Më thanë se ju jeni kujdestar i saj.

-Kot më ka shkuar mundi si kujdestar me të. Ajo s’ka asnjë kujdestar, përpos rrugës, si duket. Më vjen keq që kështu po shprehem. Unë madje nuk ju kam thirr, por vajza juaj e ju nuk keni ardhur që tre vjet.

U zbeh si zbehen të sëmurit kur bëjnë dergjë të gjatë. M’u bë se ishte hera e parë që po e ndiente veten si prind i Erletës dhe e filluam bisedën për të.

-Pasi keni ardhur, po ju njoftoj se vajza juaj ka dalë krejt jashtë rregullave shkollore: shihet rrugëve me djem dhe vajza edhe kur ka orë mësimi, zihet pa arsye me profesorë, me nota nuk qëndron mirë. Fjala “Përjashtim”për ne ka peshë të dhimbshme, hedhje në rrugë dhe këtë s’e bëjmë. Merrni masa ju lutem, ka pak kohë deri në fund të vitit shkollor, ose merreni që këndej.

– Profesor, (foli çka nuk e prisja) do të thuash se vajza ime është k..vë?

-Unë nuk e thashë atë fjalë, as nuk e them dot kurrë. Nuk ma mban etika ime njerëzore as ajo e pedagogut.

-E di, profesor se ajo do ta bënte këtë punë edhe në fshat. Por e kemi sjellë në shkollë që të bëhet k..vë me shkollë. Atje do të mbetej k..vë analfabete.

-Zotëri Vegji, nuk më pëlqejnë këto fjalë, ju tash ratë në binarë të vajzës suaj. Këto fjalë nuk kontribuojnë në përmirësimin e situatës. Më mirë do të doja të mos ishim takuar fare. Tek e fundit vajza është jotja. Por po e shoh se më fort më dhimbset ajo mua se juve. E mbarojmë bisedën këtu. Më s’ flas.

Nuk e ndjeva vetën mirë terë ditën. Sa papërgjegjësi prindërore e tij! Sa profesion i vështirë me këtë moshë të turbullt rinore, kur mundin, nijetin e mirë dhe përkushtimin ta përmjerrin të marrët me të cilët duhet të merresh! Sa njerëz të pacipë!

“Dardha pik nën dardhë, por e ka bishtin prapa” – thotë fjala e urtë e popullit. Defiloi Erleta ditët dhe muajt e fundit ashtu si nuk i ka hije një nxënëseje. Të gjithë e vërejtëm dhe e mbajtëm tabu shtatzëninë e saj. Vetëm aty-këtu shokët e saj çapkënë shpotitnin: “Paska ngrënë shalqi vironja”- thoshte njëri. “ Sa krenare fatbardha, e ka bërë pikën e qejfit”- thoshte tjetri. E ajo si me krenari s’ia varte askujt. Në fillim u mundua ta mbulojë barrën me fund panço, por më vonë barra e pushtoi hapësirën dhe s’ia vari më kësaj pune. Tha se do të bënte dasmë dhe do të më ftonte dhe mua si kujdestar. I thashë prerazi “Jo !” Në dasmë do të vija në rrethana të tjera, kështu duhet të turpërohen edhe prindërit tuaj e lëre më unë. Në testin e gushtit ajo diplomoi. Më tha se e ka lënë në shtëpi djalin e porsalindur dhe sa t’i rregullojnë dokumentet do t’ia mësyjnë Suedisë. Pashë që si prind i dytë ende nuk kisha hequr dorë nga misioni i shenjtë: i urova rrugë të mbarë që të fluturojë si erë e lehtë nga Bjeshkët e Kelmendit, që prekin qiellin, kjo shqiponjë me një sokol të vogël dhe me një grabitqar, të kalojë detra e oqeane deri në Suedi. E atje, dhëntë Zoti e ta pjekë mosha: të plakët më shpejt duke e parë të shoqin e vjetër, e ai të përtërihet duke e parë të shoqen të re. Do të takohen në një mes që i përthur ëndrrat e tyre për një familje të lumtur. Në ndodhtë ndryshe, goja mos e thashtë e veshët mos e dëgjofshin.

Më Shumë

Hasani e pranon se kishte kërkesë për mbështetje nga VV-ja, tregon kushtin e tij

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka pranuar se ka pasur kërkesa nga Lëvizja Vetëvendosje që ta mbështesë Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit të...

Në gjurmë të gazetarisë dhe publicistikës së Sami Frashërit – Nga Prof. Hamit Boriçi

1. Sami Frashëri, një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare, përpara se t’u hynte veprave madhore të kulturës osmane dhe turke ka ushtruar fletorarizmin si drejtues...

Lajmet e Fundit