19.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Rënia e Isa Mustafës

Nga Shefqet Dibrani 

Çdo diktaturë bie, e bashkë me të bie edhe diktatori, gjersa rënia e diktaturave lënë pasojat mbrapa. Diktatorët lënë pas tyre një lloj fobie, e cila e përqafon më shumë stafin që i ka shërbye me besnikëri prapështive dhe dhunës së diktatorit. Edhe diktatura moderne e Isa Mustafës dhe ai si diktator do të bien pashmangshëm, dhembshëm dhe po me aq dhembje dhe me frikën në shpirtin e Ismet Beqirit, Agim Veliut, Lutfi Hazirit, Haki Rugovës dhe të një eskorte arrivistësh që janë kapërthurur pa merita në majat e LDK-së. Ata qysh tani janë skeptik për suksesin e Isa Mustafës, sepse pasojat e qeverisjes së keqe kanë dalë në sipërfaqe, kurse rrena dhe demagogjia nuk do t’ua qetësojë shpirtrat e trazuar të zyrtarëve dhe nëpunësve të LDK-së. Asnjë diktator nuk ngjitet në majat e pushtetit dhe as nuk mund ta shtrijë dhunën pa hyzmeqaret e zellshëm, të urtë, servilë dhe vetëflijues. Pra, Isa Mustafa në krye të LDK-së erdhi me bekimin e prof. dr. Fatmir Sejdiut, ish-kryetar i LDK-së dhe president i Kosovës, i cili duhet ta bartë tërë mëkatin e aventurës politike, duke ndarë përgjegjësinë e fajit për rehabilitimin e strukturave mafioze të dr. Bujar Bukoshit të cilat me të vdekur dr. Ibrahim Rugova, me mjaft yrysh ia mësynë pushtimit të LDK-së.

Diferencimet e Mustafës në organin e dhunshëm, në Qendrën e studentëve të UP-së

Isa Mustafa e arriti qëllimin për t’u bërë kryetar i Prishtinës pa qenë fare anëtar i LDK-së. Ky post ishte i mjaftueshëm për të nisur aksionin e shtrirjes së rrjetit mafioz. Herë hapur e herë më i sofistikuar, por Isa Mustafa u mbështet dhe u përkrah edhe nga një garniturë e gjerë e funksionarëve të LDK-së, në nivelin lokal, dhe mjaftë sish u sollën si kuadër i ri. Nën këtë parullë kanë vepruar së fundmi bashkëfajtoret e diktatorit: Ismet Beqiri, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Haki Rugova dhe ndonjë tjetër duke ia qitur pelikorin e vdekjes demokracisë, të cilën e patën ndërtuar me mund e sakrifica dr. Ibrahim Rugova e dr. Fehmi Agani, bashkë me një armatë profesorësh dhe intelektualësh të cilët u eliminuan, injoruan dhe u harruan pa mëshirë nga klani i Isa Mustafës. Por se ishte Isa Mustafa pjesë e strukturave të Lidhjes Komuniste të Kosovës, të gjithë këtë e dimë, prandaj që atëherë ai ishte edhe pjesë e dhunës së regjimit serb në Kosovë, këtë logjikë ai e barti edhe sa ishte në Qeverinë e Kosovës në ekzil. Flitet se gjatë kohës së sistemit monist Isa Mustafa dallonte nga të gjitha strukturat politike të asaj kohe për gatishmërinë e tij për ti zbatuar urdhrat e eprorëve të lartë nëpër vendet udhëheqëse në Lidhjen Komuniste të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës. Gjenerata jonë e di se pas demonstratave të 11 e 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit 1981, regjimi serb që dirigjohej edhe nga komunistët shqiptar të Kosovës, do të nisin luftën e shtrigave për të linçuar e dënuar shqiptarët etnik të Kosovës, veçmas tehu i shpatës ishte drejtuar kundër inteligjencës kosovare që kulmuan me Platformën politike kundër Kosovën, të miratuar më 17 nëntor 1981, në mbledhjen e KQ të LKJ-së në Beograd. Argat në zbatimin e tyre ishte edhe Isa Mustafa si strukturë partiake duke nisur një fushatë burgosjesh, diferencimesh ideo – politike, nëpër organizata punuese dhe në të gjitha institucionet e tjera publike në Kosovë, me theks të veçantë në institucionet shkencore siç ishin: Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, por diferencimi më shumë është drejtuar mbi Universitetin e Prishtinës, aty ku ishte e koncentruar rinia studentore dhe profesorët dhe intelektualët e Kosovës. Gjatë vitit 1981 në vendet udhëheqëse do të nisin shkarkime duke i plotësuar ato me kuadër që kishin dëshmuar luftën e tyre kundër nacionalizimit shqiptarë! Në mesin e komunistëve më besnik të asaj kohe për realizimin e kësaj politike antishqiptare pa dyshim ishte edhe Isa Mustafa, i cili merrte pjesë aktive në mbledhjet e kryesisë së KK të LSPP të Kosovës bashkë me funksionarët komunist të asaj kohe. Po ashtu, Isa Mustafa ishte anëtar i organit të dhunshëm në qendrën e studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe flitet edhe për rolin e tij në diferencimin edhe në strukturat e atëhershme në Universitetin e Prishtinës. Pa dyshim me përkushtimin e një komunisti, ai ndikoi në realizimin e vendimeve politike për Kosovën – që merreshin nga kryesia e RSFJ-së dhe Komiteti Qendror i LKJ-së të kenë zbatim në Kosovë! Ndërsa sivjet në emisionin televiziv “Komiteti” të gazetës ‘Express’, ai u deklarua se veprimtarisë së tij të asaj kohe nuk ia heq asnjë prese?! Po ashtu është e ditur se Isa Mustafa pa e dorëzuar librezën e LKJ-së do të emërohet ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Kosovës në ekzil, ku bashkë me Bujar Bukoshin do të nisin veprimtarinë subversive kundër Institucioneve Shtetërore të Kosovës, kundër kryesisë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, kundër Presidencës dhe vet Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës, dhe në kontinuitet kundër degëve të LDK-së në Gjermani dhe në Zvicër. Kjo fushatë e Isa Mustafës i ka rrënjët dhe i ka etapat e zhvillimit të saj. Më 2 dhjetor 1990, në St. Gallen, Dega e LDK-së në Zvicër themelon “Fondin Humanitar”, kryetar i atij Fondi është zgjedhur Sami Dërmaku kurse nga Dega u delegua inxhinieri i xehetarisë Nazmi Peci, i cili ishte edhe nënkryetar i kryesisë së degës. Ishte hera e parë në Zvicër që mjetet materiale mblidheshin nëpër llogari rrjedhëse, kurse sistemi i mbikëqyrjes funksiononte, sipas normave që i kanë bankat zvicerane për parti dhe shoqata të caktuara. Por me krijimin e Qeverisë së Kosovë në ekzil, “Fondi Humanitar” që administrohej nga LDK-ja do të shndërrohet në “Fondi Humanitar Gjithëkombëtar”, kurse kryetar do të zgjidhet ing. Nazmi Peci, ndërsa të gjitha kompetencat kalonin në qeveri, por fillimisht janë ruajtur komisionet dhe struktura paraprake e organizimit.

Fshehja e hyrje-daljeve në Fond

Qysh në muajt e parë do të shihen ambiciet e Isa Mustafës për të bërë zapt çdo gjë, veçmas për t’i fshehur hyrje dhe daljet në atë fond, prandaj ai do ta caktojë si administrator një student i cili ishte i familjes së Isa Mustafes. Ai e kishte për detyrë të bëjë evidentimin e dokumentacionet që vinte nga sistemi bankar, por menjëherë nisi t’i bllokonte informatat rreth ecurisë së pagesave, të cilat i ruante vetëm për shefin e tij Isa Mustafa.

Përpjekja rigoroze që askujt të mos i raportonte pa lejen e ministrit Isa Mustafa jo pak është përfolur, madje në një rast kur prof. dr. Fehmi Agani do të shprehë interesimin për t’u informuar për gjendjen në llogarinë bankare, pikërisht personi në fjalë do t’ua pamundësojë, me arsyetimin se duhet fillimisht të merret leja nga Isa Mustafa, i cili qysh në atë kohë nuk ka lejuar që të informohet edhe prof. dr. Fehmi Agani, i cili ishte edhe nënkryetar i LDK-së në Prishtinë. Si duket, këtu do të nisin fërkimet e para në mes ministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të fondit ing. Nazmi Peci. Edhe pse mjetet e grumbulluara në “Fondin Humanitar” ishin derdhur në llogarinë rrjedhëse të “Fondit Humanitar Gjithëkombëtar”, në përputhje me marrëveshjen, në pranin e dr. Shaqir Shaqirit, atëherë sekretar i LDK-së në Prishtinë, kryetari i LDK-së dr. Ibrahim Rugova do ta konsideronte si nxitim, pasi ai i njihte mirë veprimet tekanjoze të dr. Bujar Bukoshin dhe ato të nëntokës që i bënte vazhdimisht ministri Isa Mustafa. Menjëherë pas dorëzimit të Fondit Humanitar të LDK-së në vlerë prej disa milionash franga zvicerane, do të nis lufta e shtrigave për të bërë shkarkimin e ing. Nazmi Pecit nga posti i kryetarit të Fondit, dhe në vend të tij do të emërohet Gani Hoxha. Dihet se në Bankat Zvicerane ka rregull dhe rend, madje nuk lejohet ndërrimi i shpejt i personave të autorizuar të cilët nuk i pëlqenin Isa Mustafës, andaj ata si duket do të improvizojnë një incident, i cili është përfolur shumë, por asnjëherë nuk është thënë e vërteta, se si ndodhi që një i dyshuar për kontrabandë të paguaj në atë Fond një shumë prej 5000 fr. dhe kur policia ia kanë kontrolluar shtëpinë ia paskan gjetur atë pagesë, e cila qenka bërë shkas për t’u ndërruar banka, dhe të niset nga e para. Me gjithë dëmin kapital që ia krijuan imazhit të Fondit, Isa Mustafa do t’i eviton nënshkrimet e personave të padëshiruar dhe që nga ai moment ai bashkë Bujar Bukoshin, kanë pasur qasje të plot pa pasur nevojë t’i raportojnë dikujt, as degës së LDK-së, por as qendrës në Prishtinë.

Veprime subversive të Isa Mustafës në cilësinë e ministrit

Ishin këto veprime subversive të Isa Mustafës, i cili në cilësinë e ministrit do ta ndryshojë strukturën e Komisioneve të 3-përqindëshit, dhe në një afat rekord janë ndërruar mbi 400 aktivist të saj. Në vende udhëheqëse dita-ditës vinin njerëz të tij. Më 12 mars 1993, Isa Mustafa shkarkon ing. Nazmi Pecin nga detyra e kryetarit të Këshillit Qendror për Zvicër si dhe anëtarit të Këshillit Qendror, kurse me punën e Këshillit Qendror si dhe të këshillave në terren thuhej në atë vendim do të udhëheqë drejtpërsëdrejti ministri i Ekonomisë dhe i Financave i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Më 25 tetor 1993, në Kuvendin e Dytë të Degës, pas shantazheve dhe presioneve të shumta në stilin “o Ne, o kryetari i Degës së LDK-së mr. Shaip Latifi?!”. Është përfolur se kjo tërheqje e Latifit ishte bërë në pajtimin edhe me Kryesisë Qendrore në Prishtinë, pasi dr. Ibrahim Rugova nuk dëshironte që në ato rrethana ta shkarkonte qeverinë. Në këtë mënyrë Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi do ta arrijnë suksesin tjetër duke e detyruar mr. Shaip Latifin të mos rikandidohet për kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, ndonëse në opinion nuk janë bërë kurrë të ditura shantazhet e Isa Mustafës dhe të Bujar Bukoshit, sikurse as vet Shaip Latifi nuk e ka sqaruar arsyen e vërtetë të kësaj tërheqje të dhunshme. Ishte mendja e ndritur e akademik Fehmi Aganit, që insistoi për kryetar të Degës së LDK-së në Zvicër të zgjidhej Hajdar Sadrija, i cili për atë kohë do bëhet krahu më i fort dhe më i besueshëm i LDK-së në Prishtinë. Pikërisht është koha e Hajdar Sadrisë (1993 – 1997), e përfshirë në monografinë “SFIDË PËR DEMOKRACINË I-II”, ku pasqyrohen me fakte e dokumente të gjitha veprimet destruktive të Isa Mustafës dhe Bujar Bukoshit që i bënin kundër të gjitha zhvillimeve politike e institucionale në Kosovë. Përkundër këtyre fërkimeve avazin e shantazhimit të LDK-së, Isa Mustafa nuk do ta ndërpresë kurrë, në këtë plan Isa Mustafa do të përgatisë terrenin për ndryshimin e strukturës udhëheqëse edhe në kryesinë e Degës së LDK-së në Zvicër, e cila përmes komisioneve të 3-përqindëshit dhe aty këtu edhe nëpërmes mësuesve në LAPSH “Naim Frashëri”, më 14 dhjetor 1997, në Kuvendin e Tretë të Degës do të sjellin në krye të LDK-së Gani Sylën, i cili do të mbahet mend si njeriu më i dëmshëm që ka pasur Dega e LDK-së në Zvicër. Ardhja e Gani Sylës rezulton me eskalimin e situatës në Drenicë dhe me fillimin e luftës së armatosur. Në ndërkohë u shpikën Grupet e Emergjencës të cilat tashmë menaxhoheshin nga Isa Mustafa, Xhafer Shatri dhe Gani Syla, ku kryesisht ishin involvuar vetëm njerëzit e Isa Mustafës dhe të Bujar Bukoshit, duke përjashtuar ndonjë rast që nuk qonte peshë. Por aferat e shkarkimeve dhe ngarkimeve janë edhe me rastin e mr. Nikë Gjeloshit nga nënkryetar i Qeverisë dhe Ministër i Mbrojtjes, pastaj rasti i Ramush Tahirit. Po këto fërkime u bënë edhe në Zyrën e Kosovës në Tiranë, ku LDK-ja do ta sakrifikon Anton Kolajn, nënkryetar i LDK-së, për t’ua shuar apetitet Isa Mustafës dhe klanit të tij.

Skandalet e njohura me ndaljen e telefonave në QIK

Ishin konfliktet e Isa Mustafës me Kryesinë Qendrore të LDK-së në Prishtinë dhe sidomos ato me Presidencën dhe personalisht edhe kundër dr. Ibrahim Rugovën, të cilin jo pak ky Isa Mustafa ia ka rrudhur financimet për ta penguar në udhëtimet e tija drejt Amerikës. Pastaj skandalet e njohura me ndaljen e telefonave në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), mospagesa e rrymës, skandale pas skandale ka pasur edhe me mos pagesën e arsimtarëve në Kosovë, për mjekësi e raste urgjente. Pastaj janë skandalet me zyrat diplomatike të Kosovës në Bruksel e Uashington që janë penguar pikërisht me veprimet subversive të Isa Mustafës. Probleme marramendëse ka pasur edhe me Degën e LDK-së në Gjermani me të cilën pothuajse i patën shkëputur raportet dhe komunikimin, ashtu siç kishin ndodhur edhe me Degën e LDK-së në Zvicër.

Pastaj janë skandalet e pa zbuluara me eproret ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, mjetet e kufizuara për luftën, koketimet me LPK-istët dhe shumë e shumë veprime të tjera të cilat janë menaxhuar vetëm nga dyshja Bukoshi & Mustafa të cilët janë shkaktar i shumë të këqijave që iu kanë bërë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës. Isa Mustafa ka qenë në rrjedha të proceseve, andaj duhet të tregojë pse u sistemuan në Kosovën e pasluftës të gjithë shefat e logjistikës për luftë, pastaj edhe disa oficerë të tjerë që dinë mirë për vrasjen e Ahmet Krasniqit në Tiranë dhe vrasjet e dyshimta në Koshare. Po për vrasjet politike në Kosovë siç është rasti i Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Smajl Hajdraj, Shban Manajt, Tahir Zemajt për të cilat ky është zotuar se do të merret me zbulimin e tyre. Pastaj duhet të flasë si e kanë privatizuar ai me Bujar Bukoshin “UFORK”, si dhe ku i kanë investuar ato para, pastaj shitja e dardania bankës etj. pa dyshim situatën e komplikon edhe më shumë.

Ardhja në krye të LDK-së e Isa Mustafës ka pasur qëllim shkatërrues

Pas luftës Isa Mustafa do t’u përkushtohet arritjeve të gradave akademike për vete dhe familjarët e tij. Në cilësinë e profesorit dhe kudo që ka shkuar ai do ta shtrijë rrjetin duke i rekrutuar njerëzit e tij për aksionet subversive në dëme të LDK-së. Pa asnjë dyshim prokurori duhet të merret me të gjitha gradat shkencore dhe akademike të Isa Mustafës për të parë se si dhe qysh ai u doktorua, por si ka pasur mundësi të bëhet edhe akademik, pa pasur asnjë libër të karakterit shkencor, dhe pa bërë asnjë mrekulli për shkencën dhe për Kosovën. Me vdekjen “e porositur” të dr. Ibrahim Rugovës, ambiciet e Isa Mustafës do të ngjallin dhe sigurisht me luftën e nëntokës dhe njohjen e hershme që kishin me dr. Fatmir Sejdiun ai nuk e kishte të vështirë që të bëhej Kryetar i Prishtinës, pastaj këshilltar për ekonomi i presidentit dr. Ftamir Sejdiu, dhe nga aty pa pengesa do ta shtrijë e zgjerojë infrastrukturën e rrjeteve nëntokësore për ta pushtuar LDK-në, mision të kamotshëm që e ka pasur Isa Mustafa. Me ta marrë postin e kryetarit të LDK-së ai publikisht është deklaruar se do ta udhëheqë LDK-në ndryshe, dhe vërtet me kalimin e kohës është parë se qëllimet e tij janë bërë realitet. Tashmë në nivel të degëve ai do ta ndryshojë komplet strukturën udhëheqëse, duke sjellë njerëzit e vet, servilë dhe të paaftë. Pothuajse elitën intelektuale e ka eliminuar apo e ka izoluar nga LDK-ja. Edhe pse ka humbur tri palë zgjedhje për pushtet lokal dhe dy palë për pushtet qendror, Isa Mustafa arriti të rizgjidhet kryetar i LDK-së në Kuvendin e VIII, i cili u mbajt nën përkujdesjen e forcave të shtuara policore, u eliminuan kundërkandidatët, u përjashtuan dy Degët e LDK-së nga Diaspora, e me të u përjashtuan familjaret e heronjve dhe dëshmorëve. Nëpër nëndegët e tjera dhe në degët e LDK-së në nivel Kosove u lëndua procesi zgjedhor. Megjithatë Isa Mustafës i funksionoi, ndonëse as nuk i kishte ftuar diplomatët dhe as nuk i la brenda mediet, ai arriti ta marrë postin e kryetarit edhe për një mandat tjetër. Ardhja në krye të LDK-së e Isa Mustafës ka pasur qëllim shkatërrues dhe këtë e arriti. Qoftë me manipulime apo me metodat e nëntokës ai po e vazhdon avazin e kryetarit teknokrat dhe të vetëzgjedhur. Ai nuk i fitoi zgjedhjet, por vazhdoi avazin me VLAN, pastaj me shkeljet kushtetuese me rastin e zgjedhjes kryeparlamentar i Kosovës, por dështimi më i madh dhe i të gjitha kohërave do të mbetet posti i kryeministrit, i cili i solli një krizë të madhe në Kosovë, e zhveshi karakterin e tij prej diktatori komunist, kurse vendin e ka sjellë në këtë gjendje, në të cilën janë shqetësuar edhe partneret tanë ndërkombëtarë. Sipas retrospektivës politike, Isa Mustafa tërë jetën ka notuar mbi falsifikime, në mossukses, në përçarje dhe dështime të njëpasnjëshme. Kurse Ismet Beqiri, Lutfi Haziri, Agim Veliu, Haki Rugova dhe mjaft të tjerë në pushtetin qendror, në pushtetin lokal, në Qeveri e në Parlament po ia mbajnë ison Isa Mustafës, i cili si askush tjetër në historinë e Kosovës, do të mbahet mend për dështime, mossukses dhe shkatërrime të sistemit, por si askujt tjetër nuk i ka shkuar ma shumë kungulli mbi ujë për ta shitur dështimin e tij dhe të Kosovës, si arritje dhe prosperitet! Por, LDK-ja nuk do të reformohet kurrë nëse nuk ulen ekspert të saj që tashmë janë të përjashtuar, anashkaluar dhe izoluar nga kjo kryesi për t’i shikuar këto lëvizje të partisë, për polarizimin e disa veprimeve, implikimin e vazhdueshëm të disa të tjerëve, të cilët kanë qenë të involvuar në procese. Ta zëmë qëndrimi i Fatmir Sejdiut, për ta rehabilituar Isa Mustafën, pastaj përçarjen që ia shkaktoi LDK-së dhe deri tek heshtja e tanishme e cila mbetet enigmatike. Pastaj nuk duhet të shikohen të rastësishme as ardhja e Bardhyl Metajt në Kuvendin e Kosovës, përmes LDK-së, kur dihet se nga viti 1993 ai më s’ka bërë ndonjë aktivitet që duhet t’ia përmendim. Po ashtu është enigmatike se si u zgjodh Muharrem Sfarça kryetar i Ferizajt, dhe kur Isa Mustafa i ndëshkoi delegatët nga Gjermania jo ky që heshti por u pozicionua përkrah ndëshkuesit. Roli i kryetarit në Pejë, e veçmas roli dyshues i Ismet Beqirit, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit, të cilët haptas kanë kolaboruar me PDK-në, dhe si shumë kanë lodruar prej një posti në postin tjetër. Mendoj se duhet të analizohet mirë se si erdhën në kryesi të UFORK-ut si përfaqësues të diasporës Gani Hoxha dhe Arif Baftiu, dhe askush nuk e di se çfarë përfaqësojnë aty, nëse jo për të mbuluar gjëra të dënueshme, në një proces që thuhet se është në duart e prokurorëve të EULEX-it që ka të bëjë direkt me manipulimet e Isa Mustafës dhe Bujar Bukoshit. Po ashtu dihet se njerëzit e Bukoshit janë sistemuar mirë nëpër institucione shtetërore dhe sikur kanë detyra subversive kundër strukturave të LDK-së dhe në të njëjtën kohë është nisur një luftë e ashpër kundër kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren, si dhe mungesa e vullnetit për të zhvilluar dialog me degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, e përforcon mozaikun e ligësive të Isa Mustafës për ta shkatërruar LDK-në duke i mohuar, bllokuar dhe izoluar intelektualët, shumë prej të cilëve janë anashkaluar duke i lënë jashtë sistemit politik të LDK-së, luftë që po e bëjnë argatët e Isës që janë në kryesinë e LDK-së. Me një fjalë, LDK-ja po shënon përvjetorin e saj të radhës me njeriun që ka ardhur për ta shkatërruar partinë dhe me të tërë infrastrukturën e mendimit demokratik në Kosovë! E dikush duhet t’u duartrokas edhe veprimeve të dëmshme?!…

Më Shumë

Totaj lavdëron pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjen e projekteve

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur kënaqësi për angazhimin e qytetarëve në propozimin dhe votimin e projekteve më të mira në zonat e...

Vazhdojnë punimet në oborrin e SHMU “Gani Saramati” në Prizren

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se po vazhdojnë punimet në oborrin e SHMU "Gani Saramati" në Prizren. Gjatë këtyre punimeve, janë ndërtuar parkingje të reja,...

Lajmet e Fundit