14.8 C
Prizren
E hënë, 30 Shtator, 2024

Abuzues e kërcënues

IMER MUSHKOLAJ

Pasi ka abuzuar me votat e elektoratit të LDK’së dhe me qeverisjen në Prishtinë, ndërkaq akuzohet edhe për keqmenaxhim të Fondit të Trepërqindëshit, Isa Mustafa po abuzon me situatën fatkeqe të krijuar pas raportimit të gazetarit Vehbi Kajtazi. Ai po shfaqet viktimë, ndërkohë që është kërcënues. Ai po përpiqet ta amnistojë veten dhe keqqeverisjen e tij

Sa do të mund të flitnim për profesionalizëm në rastin kur gazetarët nuk do të kishin raportuar se vëllau i kryeministrit të shtetit të tyre ka kërkuar azil në një vend tjetër? Sa mund të flasim për kredibilitet qeverisës kur kryeministri e thërret në telefon gazetarin që e ka përmendur vëllaun e tij, e fyen dhe e kërcënon? Dhe, sa mund të flasim për përgjegësi politike e morale kur po ky kryeministër abuzon me situatën e krijuar dhe, duke u shitur viktimë, përpiqet të mbulojë gjithë keqqeverisjen e tij dhe të partisë së tij ndër vite? Për më tepër, ai vazhdon të qeveris, pa e ndjerë fare peshën e veprimit skandaloz që nuk do të duhej ta kishte ndërmarrë kurrsesi.

Me raportimin për rastin e vëllaut të kryeministrit, Vehbi Kajtazi i gazetës online insajderi.com nuk ka bërë gjë tjetër, përveç se ka ka vepruar ashtu siç do të duhet të vepronte secili gazetar. Nëpërmjet rrëfimit për fatin e keq të një familjari të të parit të qeverisë, ai ka nxjerrë në shesh pasojat e një sistemi të degraduar e të korruptuar shëndetësie që i shtyn njerëzit të marrin rrugë të vështira në kërkim të shërimit.

Shkrimi nuk ka pasur në shënjestër e as e ka atakuar Ragip Mustafën, edhe pse kryeministri dhe të tjerë rreth po përpiqet ta paraqesë si të tillë. Përkundrazi, ky rast tregon më së miri për qeverisjen e keqe që i është bërë e po i bëhet vendit e veçmas sektorit të shëndetësisë jo veç gjatë mandatit të Mustafës, por gjatë gjithë viteve të pasluftës, kur postet e ministrave të Shëndetësisë i kanë mbajtur kryesisht njerëzit e LDK’së.

* * *

Isa Mustafa e ka humbur arsyen e shëndoshë. Ai reagon kështu, sepse raportimet e tilla ia sjellin ndërmend deklaratat prepotente të bëra në kohën kur mijëra qytetarë braktisnin vendin. “Shumë prej atyre që po ikin kanë iPhone, kanë para dhe kanë pasur rroga të mira”, thoshte atëherë.

Ata mijëra vetë, në mesin e të cilëve edhe familjarë të tij, po iknin nga Kosova e Isa Mustafës, nga Kosova e Hashim Thaçit, nga Kosova që nuk jepte shpresë se do të bëhej më mirë. Ata po iknin edhe për shkak të sistemit të korruptuar e të degraduar të shëndetësisë që mandatin e kaluar udhëhiqej nga një ministër, i cili në vend se të jepte përgjegjësi për dështimet, u shpërblye edhe me një mandat në krye të një tjetër dikasteri, ndërkaq këtë mandat udhëhiqet nga një anonim i dobët i Gjilanit, të cilin për arsye personale e imponoi Lutfi Haziri.

Isa Mustafa fyen e kërcënon gazetarët, sepse janë ata që ia sjellin ndërmend premtimet megalomane e prepotente para dhe veprimet e dëmshme pas marrjes së postit të kryeministrit.

Isa Mustafa fyen e kërcënon dhe më pas shfaqet viktimë, sepse kjo është shkolla qeverisëse e LDK’së që nga themelimi. LDK gjithnjë ka përfituar në situata të vështira, madje edhe në kohë lufte kur krahas masakrave që i kryenin forcat serbe, organizonte “zgjedhje të lira dhe demokratike”. Viktimizimi ka qenë dhe vazhdon të jetë aleati më i madh i kësaj partie.

* * *

Isa Mustafa fyen e kërcënon, në vend se të reflektojë e të marrë përgjegjësi. Ai dhe partia e tij e kanë vënë në “shtyllën e turpit” Vehbi Kajtazin dhe kërkojnë që ai të dënohet. LDK po thotë se ai e paska shantazhuar kryeministrin, e paska degraduar personalitetin e tij dhe dëmtuar imazhin e vendit në botë. Paramendoni, këta njerëz kanë fytyrë të flasin për shantazhe, degradime e prishje imazhi. Këta që kanë zhvatur e zhvatin miliona. Harrojeni Prishtinën e degraduar nga ta, harroni politikanët e korruptuar, harroni kriminelët e hajnat, harrojeni Kosovën e keqqeverisur. Fajtori u gjet! Vehbi Kajtazin edhe mund ta djegim në turrën e druve, por kjo nuk e amniston as Isa Mustafën e as LDK’në nga përgjegjësia. Jo gazetarët e kritikuesit, por keqpërdoruesit e kërcënuesit duhet ndëshkuar. Ata i gjeni në qeveri dhe në LDK. Ndërkaq hipokritëve, të cilët përpiqen ta amnistojnë kryeministrin, duke përmendur bërjen publike të të dhënave personale të vëllaut të tij, nuk iu dëgjua zëri kur në mbledhjen e qeverisë u njoftua se një paciente e sëmurë me kancer po ndihmohej me 10 mijë euro. Si u bëka që identiteti dhe sëmundja e saj të bëhen publike, ndërkohë që ndryshe po u dashka vepruar me vëllaun e kryeministrit? Kërcënimi i Isa Mustafës nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar. Nuk duhet lejuar që skandalin ta kthejë në favor të tij, duke keqpërdorur situatën fatkeqe të një familjari. Nuk mjafton veç të kërkojë falje. Nuk na duhet një kryeministër abuzues e kërcënues./Gazeta Express/

Më Shumë

FOTO/ Në Spanjë “djegin” France Football, zbulojnë fituesin e “Topit të Artë”

Pas 17 vitesh një brazilian rikthehet të mbajë në duar “Topin e Artë”, për këtë është e bindur Marca, me të përditshmen spanjolle që...

Prokuroria Themelore në Prizren ndalon dy persona për vepra penale

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar në dy raste të ndara, me urdhër të...

Lajmet e Fundit