24.8 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025

Verë përvëluese për politikën kosovare

Përplasjet për marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi mund të nxisin kriza të reja në Kosovë gjatë këtij muaji, kur pritet të hidhet në votim për ratifikim, shkruan Gazeta Kosova Sot

Nëse analizohen me kujdes mesazhet e fundit të diplomacisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, shihet qartë se ka një presion të madh ndërkombëtar për kalimin pa vonesë në Kuvend të temës së Demarkacionit- diskutimit dhe ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi. Derisa Republika e Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlament, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka marrë guximin që të njëjtin dokument dhe faktet e tjera relevante mbi bazën e të cilave është arritur kjo marrëveshje t’i bëjë publike për opinionin, dhe njëkohësisht t’ia dërgojë edhe Kuvendit të Kosovës që të zgjedhurit e popullit të jenë të informuar pikë për pikë se çfarë kanë punuar dy komisionet shtetërore për demarkim. Tani kur marrëveshja është bërë edhe kusht për vizat, përfaqësues të partive politike dhe analistë të pavarur presin që muaji korrik të jetë muaji më i nxehtë i politikës, për shkak të pritjes për hedhje në votim të Demarkacionit dhe kundërshtimeve politike që po i bën opozita. Ky polarizim rrezikon vendin që të futet në tensione të reja, jo vetëm brenda kufijve, por madje edhe në rajon, për shkak të paqartësive për kufirin.

Frikë nga debati Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, konsideron se këtë proces po e dëmton më së shumti mungesa e guximit për komunikim transparent, prandaj kjo vë në dilemë gjithë opinionin publik dhe atë politik se diçka nuk është në rregull. Salihaj kërkon që për hir të stabilitetit të brendshëm të shtetit dhe atij rajonal, kësaj çështjeje institucionet e shtetit dhe politika t’i qasen me kujdes, transparencë dhe konsensus nacional.

“Çështja e Demarkacionit është shumë problematike. Vetë hezitimi për ta bërë publik dhe për ta sjellë në Kuvend dokumentacionin e Demarkacionit tregon se diçka nuk është në rregull me të. Frika nga një debat publik i ekspertëve dhe ballafaqimi i fakteve nuk duhet ta frikësojë askënd, është vetëm në të mirën e Kosovës”, theksoi ai. “Ballafaqimi publik i fakteve krijon transparencë dhe është në të mirën e Kosovës. Askush që është në rregull nuk ka arsye t’i fshehë faktet dhe të jetë jotransparent, e as të krijojë tensione të panevojshme, sepse tensionet i komplikojnë problemet dhe nuk i zgjidhin ato. Për një çështje kaq të madhe, siç është ruajtja e territorit të Kosovës, duhet të ketë debat të qetë, ballafaqim të fakteve dhe një vendim shumë të kujdesshëm’, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Jo pazare me territorin Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se çështja e Demarkacionit është problem të cilin pozita, nga qëndrimet e deritanishme, qëllimisht nuk po do ose nuk po e di se do të mund të shpjerë te konfliktet e reja. “Pas ditës së sotme, seancës, pritet që Kuvendi të shkojë në pushim deri më 25 korrik. Muaji më i nxehtë besoj do të jetë gushti, atëherë ka paralajmërime dhe mendohet që të sillet Demarkacioni në Kuvend, nëse paraprakisht dhe në mënyrë sekrete nuk e futin në rend të ditës dhe nuk e kontrabandojnë më herët”, tha ai. Sipas tij, Kuvendi nuk duhet të lejojë që të vihet nën presion me liberalizim të vizave, sepse nuk ka vend në botë, i cili bën pazare të tilla me territor. “Megjithatë, kemi dy mundësi të zgjidhjes se çështjes. E para, është mosratifikimi i Demarkacionit, që çështja të shkojë në arbitrazh dhe atje të përpiqemi me fakte dhe me mbrojtje të kualifikuar ta fitojmë procesin dhe vija kufitare të vendoset atje ku duhet. Së dyti, të vendoset moratorium mbi Demarkacionin, në kuptim që çështja të mbetet e hapur, si çështja e kufirit midis SHBA-së dhe Meksikës, apo Sllovenisë dhe Kroacisë, deri në përfundimin e çështjes me një zgjidhje të pranueshme për të dy palët”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se nëse nuk zgjidhet njëri nga këto dy modele të rishikimit të këtij procesi ka mundësi që të kemi eskalim, përkatësisht një verë të fundit të ashpër, e cila mund të dërgojë vendin në konflikte të ashpra

Më Shumë

125 raste me kancer gjiri në QKUK gjatë këtij viti, falë metodës “Sentinel” u shpëtuan 22 gra nga heqja e gjirit

Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK gjatë muajve të parë të vitit 2025 janë kryer 176 ndërhyrje në gjoks, prej të cilave 125...

MASHTI hap tenderin për ndërtimin e çerdhes në Komunën e Mamushës, vlera e parashikuar 850 mijë euro

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka publikuar njoftimin për kontratë për ndërtimin e çerdhes në Komunën e Mamushës. Vlera e parashikuar e kontratës...

Lajmet e Fundit