17.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

E mërkura e lëkurave në Prizren

Ditët e mërkura në sheshin “Shadërvan” në Prizren është një traditë e lashtë kur dalin plot lëkurëpunues dhe ua ofrojnë lëkurat e përpunuara të dhisë, deles ose edhit për tupanxhinjtë e këtij qyteti. Ata pohojnë se dita e mërkurë është për faktin se lodraxhinjtë ose tupanxhinjtë goditen dhe bëjnë pazare për dasma, që në traditën e shumë fshatrave të Prizrenit ruhen me fanatizëm të madh. Kryesisht ata ofrojnë lëkurë dhie të përpunuar të zbardhuar për mrekulli, sepse ato lëkura kanë elasticitetin më të mirë, tregon Isak Elezi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ky elasticitet bën që tupanët, daullet të lëshojnë më shumë zhurmë dhe të ndihen larg lodrat. Ky qytet edhe në lashtësi ishte i njohur për përpunimin e lëkurës. Është e njohur Lagjja e “Tabakhanes”, që ka marrë këtë emër, pasi që aty bëhej përpunimi i lëkurës me të gjitha proceset përkatëse: larja, tharja, ngjyrosja etj. Në fund të shek. XIX në këtë lagje kanë punuar qindra punëtorë për përpunimin e lëkurës (tabakët). Kompleksi i “Tabakhanës” gjendet në anën e djathtë të Lumëbardhit në mes të Xhamisë së Ahmed Beut, Xhamisë së Suziut dhe ndërtesës së Beledijes. I pari këpucëtar në Prizren thuhet se ka ardhur nga Budapesti.

Zeja e vjetër

Zeja e tabakëve është ndër më të vjetrat në Prizren dhe ka pasur ndikim të madh në tregun ekonomik dhe zhvillimin tregtar të qytetit. Arkitektura e “Tabakhanes” u është përshtatur nevojave të punës: janë hapur kanale dhe jaze për të shfrytëzuar ujin e lumit. Kompleksi i “Tabakhanes” përfshin objektin administrativ, punëtorinë e lëkurës, mullirin dhe objektet e tjera përcjellëse. Prof. dr. Mejdi Elezi pohon se edhe faktet historike, por edhe gojëdhëna thotë se në Prizren u mirëprit, sepse filloi të prodhojë këpucët e para të kohës, ngase këtu ishin të njohur ustallarët e opingave. Të parat kryesisht nga lëkura e buallicës e më vonë edhe nga lëkurat e tjera.

Ata në trashëgimi krijuan lëkurën e meshinit, duke prodhuar përveç këpucëve edhe kolona për fishekë, opinga “krygali” të punuara prej lëkurës e të zbardhuara prej zhtavitjes, e cila qepej mbrapsht e kthehej mbarë ku pastaj u qepej thembra me një pjesë lëkure, u shtohej rripi me mbërthecka dhe krijonte opinga për fëmijë që ndryshe i quanin edhe “qystele”. Si bazë e kishin lëkurën e trashë me sholla. Pastaj bënin maja zbukuruese dhe opinga llastiku dhe qepja nuk iu dukej fare. Ata prodhonin edhe takëme për kuaj shala të vendit “bashibozukë”, që kështu quheshin, kullona të ndryshëm, rregullonin zbukurime për kuaj, qafëza, jaka e kështu me radhë. Kanë ekzistuar mijëra vjet më parë dhe krijimtaria e tyre ka përjetuar ndryshime të shumta”, pohon Elezi.

Vërshimet e dëmtuan lagjen

Pas vërshimeve të 17-20 nëntorit 1979, lagjja “Tabakhane” pothuajse tërësisht u shkatërrua dhe humbi pamjen e vet karakteristike, kështu që tani kanë mbetur vetëm mulliri dhe depoja e lëkurës. Mullisi Maliq Gërmizaj për “Kosova Sot” tregon se vetëm mulliri tij dhe objekti i grumbullimit të lëkurave e kanë ruajtur lashtësinë e kësaj lagjeje, që dikur ishte perla e trashëgimisë. Lumbardhi e rrënoi dhe tashmë ajo nuk ka as mundësi e as kushte të rikthehet në atë lagje të bukur, tregon Mejdin Rramanaj, historian. Kurse, Mujë Berisha, po kështu historian, pohon se kjo lagje duhet të restaurohet, sepse ishte një lagje me rëndësi për kohën e veprimit të vet, ngase në vete ka edhe një pjesë të historisë. Lëkura e përpunuar e kafshëve ka shumë përdorime si p.sh. në prodhimin e këpucëve, çantave, rripave, veshjeve etj.

Sot në shumë përdorime të saj ajo është zëvendësuar nga lëkura sintetike (nën-produkt i naftës) thotë profesor Sylejman Randobrava, njëherësh edhe njohës i përpunimit të lëkurës. Ai tregon se që lëkura e kafshëve të therura të bëhet e përdorshme ajo duhet përpunuar. Bërja e lëkurës natyrale me metoda artizanale është një proces i gjatë dhe i vështirë. Lëkurat e përdorura mund të jenë të gjedhit, deleve, dhive, edhit etj,. Për t’i ruajtur lëkurat nga prishja derisa të fillonte përpunimi i tyre, lëkurat kriposeshin, në të thatë ose në shëllirë. Përpara fillimit të përpunimit lëkurat regjeshin për rreth 24 orë në ujë që të zbuteshin dhe t’u largohej kripa. Pastaj pastroheshin në ujë të bollshëm. Lëkura regjej në ujë gëlqeror, në finjë që është përpunim hiri, ose në urinë. Regjja i fryn lëkurat dhe lehtëson heqjen e pjesës së sipërme të lëkurës (epidermës), nxjerrjen e qimeve me thikë dhe pastaj tanizimin. Guri gëlqeror digjej në furrë për të përgatitur gëlqeren CaO, kjo shuhej me ujë dhe përgatitej kështu uji gëlqeror. Gropa e regjjes mbushej me ujë gëlqeror dhe lëkerat liheshin rreth 1 muaj të regjeshin në të. Çdo ditë lëkurëpunuesi trazonte lëkurët në ujin gëlqeror që procesi të përshpejtohej.

Regjja e lëkurës

Lëkura lihej të regjej disa javë. Çdo javë përzierja zëvendësohej me një përzierje të re, derisa lëkurëpunuesi gjykonte se lëkura ishte regjur mjaftueshëm. Lëkura hiqej dhe lihej të thahej. Lëkurat kanë trashësi të ndryshme. Në varësi të qëllimit të përdorimit të tyre, lëkurat holloheshin. Hollimi i lëkurave bëhej me një thikë, pasi lëkura ishte lagur. Ky është një proces që kërkon shumë eksperiencë, sepse është e lehtë bërja e vrimave në lëkurë ose prodhimi i lëkurave me trashësi të ndryshme. Lëkura tani është e fortë si dërrasë. Në vartësi të përdorimit, nëse lëkura duhet të jetë më e butë, lëkurëpunuesi e regjte në ujë dhe pasandaj lyente anën e saj të brendshme dhe të jashtme me yndyrë.

Zbutja me yndyrë rrit dhe jetëgjatësinë e lëkurës. Kjo bëhej duke mbledhur fara të yndyrta, shtypur në havan dhe më brumin e përfituar fërkohej ana e brendshme e lëkurës. Ose përdorej yndyrë e përzier me ujë me sapun, ose e verdha e vezës, ose trutë e vetë kafshës të ziera në ujë. Fërkohej lëkura me këtë, palosej më dysh dhe shtypej me këmbë, që yndyra të penetronte më kollaj në të gjithë lëkurën. dhe së fundi bëhej tërheqja e lëkurës. Ky proces duhej bërë nga fillimi deri në fund pa pushuar. Lëkura që është duke u tharë, tërhiqet në të gjitha drejtimet. Kjo siguron që yndyra të penetrojë në fibrat e lëkurës.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Specialja ia ndërpret paraburgimin Isni Kilajt, obligohet t’i japë 30 mijë euro dorëzani

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që t’i ndërpritet paraburgimi Isni Kilajt, ndonëse sipas tyre ende ekziston dyshimi...

Anulohet aktgjykimi ndaj vëllezërve Ademaj për vrasjen e rëndë në Prizren, Apeli e kthen rastin në rigjykim

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim lidhur me ankesat e parashtruara në rastin e vrasjes së 23-vjeçarit në Prizren më 2020, për të cilin...

Lajmet e Fundit