Shkruan: Luan SALLAUKA
Humbjet zakonisht i atribuohen adresave pa emra, ose në adresa të gabueshme. Njëjtë sikur faji që shpeshherë mbetet jetim. Tashmë kjo po ndodh edhe me humbjen e LDK’së në Prizren. Përveç kritikave të heshtura dhe të atykëtushme brenda degës së LDK’së në Prizren, kritikat mbase kanë marrë një dimension më të gjërë.
Ditë më parë deputeti i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, se i njëjti është involvuar në garën zgjedhore, e që këtë involvim të Thaçit, LDK’ja e ndërlidh edhe me rezultatin final të 22 tetorit.
Sigurisht që involvimi i presidentit të vendit është i papranueshëm dhe i dëmshëm, duke marr për bazë rolin dhe pozitën e tij unifikuese në popull.
Përkundrejt involvimit të mundshëm të Thaçit, faji kryesor është brenda LDK’së në qendër dhe në degë. Duket se Lumiri ka pak njohuri ose pjesshëm është njoftuar me rrjedhat dhe funksionimin e degës së LDK’së në Prizren, dhe shih për këtë ai nuk adreson kritika për njerëzit e degës së LDK’së në Prizren.
Problemet nëpër të cilat ka kaluar dega e LDK’së në Prizren janë aq të shumta e aq banale, sa kur merr për bazë rezultatin final, ai del të jetë superior.
Zgjedhja në mënyrë demokratike dhe me votë të lirë e Kryetarit të degës, Haxhi Avdyli, ishte një moment kthese për këtë subjekt politik, ku humbësit do të duhej në mënyrë burrërore t’i shtrijnë dorën fituesit dhe të ofrojnë gatishmërinë e tyre për bashkëpunim e bashkëveprim për të rikthyer LDK’në në pushtet. Dhe, kjo nuk ndodhi. Humbësit në këtë garë (të mirë apo të kqi, nuk i kishin votat për ta mposhtur Avdylin), filluan betejën për të kundërshtuar në çdo mënyrë kryetarin e degës, deri në atë shkallë sa edhe nuk e kanë njohur autoritetin dhe pozitën e tij. Mbase, një moment i mirë për humbësit, ishte pikërisht kur Haxhi Avdyli në kuvendin e fundit të LDK’së pati propozuar Vjosa Osmanin si kandidate për Kryetare të LDK’së, e që në një procedurë të papritur e të pandodhur më parë, ajo nuk u fut në garë. Dhe, tashmë Haxhi Avdyli ishte në fushëbetejë, me dashje apo pa dashje. Humbësit e Prizrenit zgjodhën dhe pranuan të gjitha mënyrat për të qenë afër Isa Mustafës, qoftë për të marr pozita në qeveri, qoftë për të marr mbështetje për një rrëzim të mundshëm të Avdylit në Prizren. Pozitat i morën, Avdylin vazhduan të mos e njohin si kryetar, por atë se rrëzuan asnjëherë. Kaq për humbësit e Prizrenit brenda LDK’së.
Dështimi i Haxhi Avdylit për të unifikuar LDK’në në Prizren?
Reformimi, unifikimi dhe rritja e LDK’së në Prizren ishte një domosdoshmëri sepse tashmë ajo ishte për tre mandate në opozitë, dhe ky trend në vazhdimësi reflektonte ndikimet e tij të njëpasnjëshme.
Unifikimi ishte i pamundur, humbësit në garën brenda degës në asnjë mënyrë nuk ofronin bashkëpunim, mbase krijonin vetëm vështirësi për kundërshtarin e tyre të brendshëm.
Tendenca për të formuar tetë komisione brenda LDK’së ishte një përpjekje e mirë e Haxhi Avdylit, e që si ide tingëllonte si një qeverisje nën hije, që do të përcjellte, analizonte, vlerësonte e reagonte ndaj qeverisë Muja. Mirëpo, emërimi i udhëheqësve e anëtarëve të këtyre komisioneve kishte shfaqur një luftë të pashpjegueshme brenda LDK’së në Prizren, të gjithë atëkohë donin të ishin Kryetar të komisioneve. Mbase, disa emra të parashikuar në këto komisione me nguti patën kërkuar tërheqjen e tyre për shkak se ndienin rrezikun e largimit nga puna nga partia në pushtet, PDK’ja. Komisionet nuk dështuan për fajin e Haxhi Avdylit, por për fajin e vet njerëzve të LDK’së që kishte gjetur Haxhi Avdyli pas zgjedhjes Kryetar. Jo vetëm kaq. Lufta e brendshme vazhdonte dhe rritej nga dita në ditë. LDK’ja më nuk kishte forcën e saj të dikurshme. Kishte pak komunikata, pak reagime ndaj pushtetit lokal. Ndërsa, shpesh ngriteshin dyshime se kuvendar të këtij subjekti politik bashkëpunonin me PDK’në sidomos kur bëhej fjalë për tendere.
Nga ana tjetër inatet brenda grupeve kundërshtare sa vinte e rritej. E them grupe sepse nuk ishin vetëm dy, mbase kishte individ që sa shkonin te njëri grup, bëheshin edhe me tjetrin. LDK’ja në Prizren vetëm dëmtohej e dëmtohej, saqë njerëzit që thirreshin si LDK’ista të jepnin përshtypjen se janë më kundërshtar të kësaj partie sesa të partive tjera, fjala bjen PDK’ja.
Mungesa e përvojës në politikë e Haxhi Avdylit, u vërejt që në fillim të mandatit të tij, por ai kishte qëllime të mira, ta unifikonte LDK’në e shkapërderdhur gjithandej. Një gabim që nuk i falet Haxhi Avdylit është pikërisht dhënia hapësirë e disa njerëzve që nuk ishin askushi në lagjet e tyre, në shoqërinë e tyre, në LDK dhe në qytetin e Prizrenit. Jam i sigurtë që këtë e ka nuhatur Avdyli, por shumë me vonesë.
11 qershori i vitit 2017 dhe LDK’ja në Prizren…
Gara elektorale për zgjedhjet e përgjitshme të mbajtura me 11 qershor ka shpërfaqur edhe më tutje pakënaqësi brenda LDK’së, pasi kundërshtarët e Haxhi Avdylit pretendonin se ky i fundit lobonte për disa kandidat deputet që nuk kishin të bënin me degën e LDK’së në Prizren, e madje sipas tyre ai kishte kërkuar që kandidatët nga Prizreni të mos votohen. Edhe vet kur po e shkruaj këtë, më shumë po i jap kahje të thashethemeve anipse mund të jetë ndoshta edhe krejt e vërtetë.
‘Lufta’ para 22 tetorit në LDK’në në Prizren…
Kur kishin mbetur edhe pak muaj rreth zgjedhjeve lokale, LDK’ja në Prizren ishte e lodhur, e rraskapitur, pa forcë, pa fuqi, pa motiv. Nuk hyhet bre në garë me poezi, Like, Share e Komente, mund të dëgjoje fjalë për njerëzit e LDK’së. Haxhi Avdyli apo Hatim Baxhaku, asnjëri nga këta po Driton Selmanaj. Një luftë që filloi ta ngulfatë edhe më tutje LDK’në në agoni në Prizren. U përdor tërë arsenali pro e kontra, duke i dhënë sinjale kundërshtarëve se LDK’ja po hynë sa për sy e faqe në zgjedhjet e 22 tetorit. Madje, një moment kritik në politikën e LDK’së e të Kosovës, idea për të bojkotuar zgjedhjet e 22 tetorit në rast se nuk nominohet Kandidat për Kryetar të Prizrenit, Hatim Baxhaku. Dhe, këtë nominim nuk do ta bënte PDK’ja apo kundërshtarët e LDK’së, por këtë nominim do ta bënte Kryesia dhe Këshilli Qendror i LDK’së në Prishtinë. E pashpjegueshme, e pakuptueshme, e papranueshme.
LDK’ja në Prizren me shumicë të votash ishte pro Hatim Baxhakut, ndërsa humbësit e dikurshëm në garë me Avdylin synonin që si kandidat ta vendosnin Driton Selmanajn, duke përdorur dhe shfrytëzuar autoritetin e tyre afër Isa Mustafës. Duke marr për bazë kandidatët e të gjitha partive që ishin në garë, Dritoni do t’i linte pa fjalë me oratorin e tij, idetë dhe planet për menaxhim e organizim. Por, Dritoni nuk e njihte këtë LDK me probleme, me thashetheme, paragjykime, telashe e vështirësi në organizim, hatërmbetje, e çka jo. Do të digjej shumë keq Dritoni, një djegie që nuk do ti kushtonte vetëm LDK’së në Prizren, por edhe në Suharekë, Rahovec, Dragash e Malishevë, sepse për herë të parë pas shumë viteve një deputet nga kjo zonë është radhitur në pesë më të votuarit.
E si rrjedhoj LDK’ja në Prizren mund të shkonte aq larg sa për të mos i dorëzuar listat e kandidatëve për kuvendin e Prizrenit në rast se përfundimisht vendosej për Driton Selmanajn për Kandidat për Kryetar të Prizrenit nga LDK’ja. Sa keq, sa larg. E pabesueshme por e vërtetë, LDK’ja në Prizren kishte rënë në këtë deregje.
‘Zjarri’ me listat e kandidatëve për Kuvendin e Prizrenit nga LDK’ja…
Një listë që lënte shumë për të dëshiruar, kandidat që nuk mund të merrnin më shumë se votat nga familja e ngushtë. Ndërsa, disa figura të LDK’së që i takonin grupit humbës në përballje me Avdylin për Kryetar të LDK’së në Prizren, paraprakisht ishin tërhequr nga mundësia për tu futur në garë, duke e lënë veten jashtë listës.
Driton Selmanaj, shpëtimtari i LDK’së në Prizren në zgjedhjet e 22 tetorit…
Në krejt këtë shishmash të krijuar ndër vite brenda LDK’së në Prizren, kurban u bë Hatim Baxhaku, njeriu që në kushte tjera të zhvillimit të LDK’së, sot do të ishte fitues i padiskutueshëm në zgjedhjet e 22 tetorit. Por, LDK’ja në Prizren dhe personalisht Hatim Baxhaku duhet ta vlerësojnë lartë kontributin e Shefit të Shtabit të LDK’së në Prizren, Driton Selmanaj, i cili me të gjitha forcat e tij dhe në bashkëveprim me ekipin e tij mobil e shpëtuan Hatim Baxhakun dhe tërë LDK’në në Prizren nga një rënie poshtëruese e ofenduese.
Këtë nuk e thash rastësisht, koha do ta tregon. Ndërsa, Dritonin tashmë e shoh si Kryetar të ardhshëm e të padiskutueshëm të LDK’së në Prizren, por nëse ai mendon që luftën dhe betejat ti fitoj me këta ushtar, le ta dij që tani: Zor do ta kesh! Personalisht nuk e shoh më në garë Haxhi Avdylin për Kryetar të LDK’së në Prizren, jo sepse ai nuk din, nuk don apo nuk mundet ta menaxhoj LDK’në, por duke e njohur karakterin e tij, ai është tejet fleksibil. Ai nuk është inatqar, as hakmarrës por as pengesë e proceseve. Së paku kështu e shoh rolin e Avdylit pas përfundimit të mandatit të tij, por nëse ai i futet edhe njëherë garës për Kryetar të degës, personalisht shoh zhvillime të papritura në këtë degë.
Abdullah Thaçi & Nderim Gashi…
Dhe, krejt në fund LDK’ja në Prizren që nga viti 2007 është duke vazhduar të humbë, si thotë populli, për shkak të gjynaheve dhe zënjes së aftit. Nëse flasim në këtë korrelacion më shkojnë ndërmend vetëm dy emra: Abdullah Thaçi e Nderim Gashi. Këta dy njerëz sipas meje janë dy heronjt e LDK’së në Prizren, të cilët janë përbuzur, janë lënë në baltë, ju ka kthyer shpinda nga vet LDK’ja dhe njerëzit e saj në kohën kur më së shumti kishin nevojë. Mbase, këta dy ishin thuajse të vetmit nga viti 2007 që ballafaqoheshin direkt e indirekt me PDK’në në Prizren.
Jo vetëm kaq!
Jam i vedijshëm që e kam stërzgjatur, por kam edhe shumë e shumë arsye tjera për t’i treguar Lumirit se përse ka humbur LDK’ja në Prizren me 22 tetor…