Punësimi i profesionistëve shëndetësorë në institucionet publike mbetet sfidë edhe për vitin e ardhshëm.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës do të ketë rritje të buxhetit për 10 milionë më shumë sesa në vitin 2022. Megjithatë në këtë draft parashihen vetëm 100 vende pune për profesionistë shëndetësorë.
Për kryetarin e Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ky numër është i pamjaftueshëm marrë parasysh se organizata që ai drejton ka regjistruar sivjet më shumë se 300 mjekë të papunë në Kosovë.
“Mendoj se 300 mjekë duhet të punësohen, edhe pse nuk është e nevojshme menjëherë të fillojnë punë, por një mjek nuk bën të rri më shumë se 6 muaj i papunë prandaj po ndodh edhe largimi”, deklaroi Sejdiu.
Për deputetët opozitarë ky planifikim nënkupton keqmenaxhim të shëndetësisë.
“Është një keqplanifikim nga Ministria e Shëndetësisë, sa i përket punësimit të mjekëve e punëtorëve shëndetësorë, e pamjaftueshme një rritje e tillë për vetëm 100 vende”, deklaroi Bekim Haxhiu, deputet.
“Kemi më shumë se 300 mjekë të papunë në Kosovë dhe kamuflimi me 100 vende duke dhënë specifika se ku do të punësohen dhe kjo është paaftësi e menaxhimit e radhës që po e shohim:, theksoi deputeti Zemaj.
Në 10 muajt e parë të këtij viti janë shënuar rekorde të ikjes së profesionistëve shëndetësorë.
Mbi 200 mjekë e rreth 600 infermier janë larguar nga sektori publik i shëndetësisë për të punuar jashtë vendit apo në institucione private.