Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përgatitur një plan operativ për festën e Vitit të Ri, ku parashihet edhe shtimi i forcave policore në teren.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se në kuadër të urdhrit operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” është paraparë angazhim shtesë i Policisë së Kosovës, shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.
“Ndërmarrja e masave preventive policore për të siguruar që festat e fundvitit të kalojnë pa ndonjë incident, do të përfshijë edhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i dukurive negative që shkaktojnë jo stabilitet në vend në çfarëdo mase sa rrezikon rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, ku ngritja e prezencës policore do të bëhet në gjithë Republikën e Kosovës, përfshirë edhe zonat sensitive posaçërisht në ato lokacione me popullatë të përzier”, ka njoftuar policia.
Policia e Kosovës në kuadër të këtij plani, po ashtu ka paraparë edhe shtim të vigjilencës dhe prezencës policore në rrugë, kontrolle të rrjedhës në trafik rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe incidenteve të mundshme në trafik.
Policia po ashtu u ka bërë thirrje prindërve që të jenë më të kujdesshëm dhe vigjilentë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, sidomos nga fëmijët.