Agim Vinca
Në librin e tij me shkrime kritike Magjia dhe magjistarët e fjalës (1998), studiuesi i njohur Jorgo Bulo (1939-2015) ka vënë si moto këtë tekst:
“Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së ardhmes e herë të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e indiferencës ndaj tyre. Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht, fuqia e perëndishme e fjalës shqipe.
Ky le të ishte edhe kryemotivi dhe shpirti i këtij libri të përkorë”.
Një tekst i bukur e kuptimplotë: himn fjalës krijuese në përgjithësi dhe fjalës shqipe në veçanti.
Duke shkruar për Jorgo Bulon, një studiues shqiptar nga Maqedonia e Veriut, e citon këtë tekst, por duke bërë një ndërhyrje të vogël: fjalën zotër e bën zotërinj! Kështu, togfjalëshi i Bulos “zotërit e fjalës” tek autori shqiptar në RMV bëhet “zotërinjtë e fjalës”!
Nuk është gabim shtypi, por ndërhyrje e qëllimshme, sepse autori në fjalë nuk e ka kuptuar shprehjen e mentorit të tij.
Shkrimtarët janë zotër të fjalës; mund të jenë edhe zota të fjalës, por jo zotërinj të fjalës! Fjala është pasuri shpirtërore e jo materiale, prandaj krijuesit e vërtetë janë zotër e jo zotërinj të saj!
“Ne ikim vazhdimisht (…), por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh…”.
Paragrafi mbyllet me fjalët: “fuqia e perëndishme e fjalës shqipe”. Do të mund të thuhej edhe: “fuqia hyjnore e fjalës shqipe”. Shprehja: “zotërinjtë e fjalës” e prish bukurinë e tekstit, e bastardon atë.
Në Bibël thuhet: “Në fillim ishte Fjala/ e Fjala ishte në Hyjin/ e Fjala ishte Hyj”. (Bibla, përkthimi i Dom Simon Filipajt, Ungjilli sipas Gjonit, f. 1505).
Ndërkaq, vetë Jorgo Bulo e hap librin e tij Magjia dhe magjistarët e fjalës me të njëjtën thënie, por shqipëruar ndryshe: “Që përpara herësë ishte Fjala… Të gjitha u bënë me anë t’asaj, edhe pa atë nuk u bë as ndonjë gjë që është bërë”. (Ungjilli pas Joanit, përkthimi duhet të jetë i Kristoforidhit).
Prandaj, kujdes me fjalën, zotërinj!
Që të mos ua trazojmë eshtrat zotërve të fjalës!
Ju falem, të nderuar këndonjës, unë shërbëtori i përulur i Fjalës Shqipe, A. V., dora vetë!/ KultPlus.com