11.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

4 vite pa mbretëreshën e këngës shqipe: Nexhmije Pagarusha, zëri që mbetet i pashuar

Nexhmije Pagarusha, mbretëresha e këngës shqipe, sot shënon katër vite që kur u nda nga jeta.

Ajo mbetet një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, e cila edhe sot në këtë përvjetor të vdekjes vazhdon të kujtohet si ‘Bilbili i këngës shqipe’ e cila la pas një trashëgimi të pashlyeshme, e cila vazhdon të frymëzojë e të prekë zemrat e shumëkujt.

Nexhmije Pagarusha nuk ishte vetëm një artiste, por një ikonë, një përfaqësuese e muzikës shqiptare. Me zërin e saj të shkëlqyeshëm dhe interpretimin e ndjeshëm, ajo arriti të kapte zemrat e publikut në mënyrë të paimagjinueshme. Këngët e saj, si “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” dhe shumë të tjera, nuk janë vetëm kompozime muzikore, por janë pjesë e trashëgimisë kulturore të kombit tonë.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të, vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Përveç talentit të saj të rrallë, Nexhmije Pagarusha ishte gjithashtu një simbol i forcës dhe rezistencës.

Me 7 Shkurt 2020, Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta.

Nexhmije Pagarusha, me zërin dhe frymën e saj të veçantë, do të qëndrojë gjithmonë në kujtesën tonë, si një shembull i vërtetë i talentit dhe integritetit artistik. / KultPlus.com

Më Shumë

Gjermanët lexojnë 27 minuta në ditë

Mesatarisht, gjermanët shpenzojnë 27 minuta në ditë duke lexuar media të shkruara ose digjitale, të tilla si libri, gazeta ose libra elektronikë. Këtë e...

At Shtjefën Gjeçovi, intelektuali françeskan i vrarë nga shovinistët serbë

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Shtjefën Gjeçovit. At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik,...

Lajmet e Fundit